ATV

Blog

  • Presidenti palestinez: Nuk e pranojmë ndarjen e Gazës

    Presidenti palestinez: Nuk e pranojmë ndarjen e Gazës

    Presidenti palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se ata refuzojnë ndarjen e Gazës dhe se Izraeli nuk ka legjitimitet në asnjë pjesë të Gazës.

    Duke folur në hapjen e sesionit të 13-të të Këshillit Revolucionar të Lëvizjes Fatah, Abbas tha se shteti palestinez është entitet i vetëm dhe i pandashëm gjeografik dhe politik që përfshin Gazën, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

    Ai tha se prioritetet e tyre janë ta bëjnë armëpushimin në Gaza të përhershëm dhe të sigurojnë hyrjen e menjëhershme të ndihmës humanitare.

    “Faza e dytë e planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump duhet të zbatohet në Rripin e Gazës. Kjo parashikon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, dorëzimin e pushtetit nga Hamasi dhe krijimin e një komiteti administrativ kalimtar nën qeverinë palestineze”, theksoi Abbas.

    Ai shtoi se procesi në fjalë synon rindërtimin pa “zhvendosje të detyruar” dhe fillimin e një procesi politik të bazuar në legjitimitetin ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe për Paqen.

    “Ky vit do të jetë viti i demokracisë palestineze”, tha Abbas duke shtuar se zgjedhjet lokale do të mbahen në prill dhe se kongresi i 8-të i Fatahut dhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Palestinez janë planifikuar për këtë vit.

    Abbas tha se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen njëkohësisht në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor kur të krijohen kushtet e përshtatshme.

    Ai potencoi se veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor janë po aq të rrezikshme sa ato në Gaza dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin. /AA/

  • Vërshime në lumenjtë e Kosovës, IHMK: Disa lumenj ende me rritje të lehtë

    Vërshime në lumenjtë e Kosovës, IHMK: Disa lumenj ende me rritje të lehtë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 03–08 janar 2026, shumica e lumenjve në vend shkaktuan vërshime dhe përmbytje, disa prej të cilave me përmasë që ndodh një herë në 50 vjet.

    Sipas IHK-së, në disa segmente lumenjtë dolën nga shtrati i tyre, duke shkaktuar dëme në zonat përreth.

    “Aktualisht shumicën e lumenjve të vendit, janë në rënie të lehtë, pos lumenjve: Drini Bardhë rrjedha e poshtme, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, të cilët kanë ngritje të lehtë”, thuhet në njoftim.

    Gjatë këtyre ditëve, reshjet mesatare në territorin e Kosovës arritën 97.1 mm (l/m²), duke kontribuar në situatën e përmbytjeve dhe vërshimeve. Instituti vazhdon të monitorojë situatën hidrometeorologjike dhe paralajmëron qytetarët të tregojnë kujdes pranë lumenjve dhe zonave të përmbytura.

  • Inter-Napoli kryendeshja e fundjavës në Serie A

    Inter-Napoli kryendeshja e fundjavës në Serie A

    Kjo fundjavë pritet të sjellë xhiron e 20-të në Serien A italiane,ku pritet të ketë ndeshje tejet interesante.

    Vëmendja pritet të jetë në Giuseppe Meazza,ku Inter e pret kampionin aktual Napolin në derbin e fundjavës.

    Në këtë takim njëra apo skuadra tjetër do të synoj fitore,ku neuroazzurët do të mundohen që pas kësaj xhiroje të mbesin në pozitën e parë,teksa napolitanët të rikthehen tek fitoret pas barazimit 2:2 kundër Veronës.

    Në ndeshjen e parë këtë sezon në mes të dy skuadrave Napoli fitoi 3:1 kundër Inter-it.

    Ndeshja Inter-Napoli pritet të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:45.

    Në ndeshjet e tjera që do të zhvillohen në Itali Milan luan në udhëtim kundër Fiorentinës ku synon të rikthehet tek fitorja,teksa Juventusi i Edon Zhegrovës e pret në Allianz Stadium Cremonensen.

    Roma dhe Atalanta pritet të takohen kundër Sassuols respektivisht Torinos,kurse Lazio do të jetë mysafir i Veronës.

  • Komuna e Pejës hap aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, afati deri më 16 janar

    Komuna e Pejës hap aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, afati deri më 16 janar

    Komuna e Pejës ka filluar me procesin e aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet që përfshinë shumë zona në vend si shkak i reshjeve të dendura të shiut, e të cilat lanë prapa dëme në shtëpi, biznese e në bujqësi.

    Kërkesën për vlerësim të dëmit qytetarët duhet ta paraqesin pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, derisa komuna e Pejës thotë se afati për aplikim është deri më 16 janar.

    Të dëmtuarit duhet të paraqesin pranë kësaj zyre fotografi që dëshmojnë dëmin që i është shkaktuar nga vërshimet.

    Komuna e Pejës thotë se kërkesat duhet ët dorëzohen personalisht pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve që gjendet në objektin e komunal në Qendrën për Shërbime me Qytetarë.

  • Vetëvendosje-qytetarëve: Faleminderit që nuk lëshuat pe

    Vetëvendosje-qytetarëve: Faleminderit që nuk lëshuat pe

    Lëvizja Vetëvendosje ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar këtë parti në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Vetëvendosje ka theksuar se është konfirmuar si subjekti politik më i votuar në historinë e Kosovës, përcjell Insajderi.

    Postimi i plotë:

    Lëvizja VETËVENDOSJE! u konfirmua fuqishëm si subjekti politik më i votuar në historinë e Republikën e Kosovës.

    486,994 vota – 51.11% të vullnetit qytetar.

    Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që nuk lëshuan pe dhe votuan për siguri dhe begati.

    Faleminderit secilit për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për fitoren tonë të fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit!

  • 15 vite kimioterapi pa pasur kancer, pacientja fiton 460 mijë euro dëmshpërblim nga spitali në Itali

    15 vite kimioterapi pa pasur kancer, pacientja fiton 460 mijë euro dëmshpërblim nga spitali në Itali

    Gjykata e Apelit e Firences ka urdhëruar Spitalin Universitar të Pizës t’i paguajë mbi 460 mijë euro dëmshpërblim një gruaje 47-vjeçare, e cila iu nënshtrua për vite me radhë trajtimeve të rënda kundër kancerit, pa pasur në të vërtetë asnjë tumor.

    Në vitin 2006, gruaja u diagnostikua me kancer të zorrëve, çka e çoi drejt një terapie të gjerë dhe të panevojshme. Nga janari 2007 deri në maj 2011, ajo iu nënshtrua cikleve të përsëritura kimioterapie, si edhe trajtimeve me kortizon dhe steroide. Vetëm pas një biopsie të re të kryer në Xhenova u përjashtua përfundimisht prania e kancerit.

    Gjykata e Apelit rriti ndjeshëm shumën e dëmshpërblimit krahasuar me vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Pizës, e cila kishte caktuar 295 mijë euro. Rasti nisi kur gruaja u paraqit në spital për një ndërhyrje ortopedike: analizat para shtrimit zbuluan një anomali në numrin e qelizave të bardha të gjakut, duke çuar në shtyrjen e operacionit dhe dërgimin e rezultateve në spital.

    Pas një biopsie të palcës së kockave dhe të zorrëve, mjekët e spitalit universitar diagnostikuan limfomë jo-Hodgkin.

    Sipas mediave vendase, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për pajtim, pacientja paditi AOUP-in në gjykatën civile të Pizës. Spitali u mbrojt duke argumentuar se tabloja klinike ishte komplekse dhe e vështirë për t’u diagnostikuar, si dhe se trajtimi i ndjekur ishte i përshtatshëm.

    Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore e urdhëruar nga gjykata konkludoi se trajtimi nuk ishte i nevojshëm, pasi hipoteza e limfomës nuk mbështetej nga analizat, ekzaminimet apo simptomat e raportuara nga pacientja.

    Gjykata e Apelit përcaktoi një paaftësi të përhershme prej 60%, kundrejt 40% të njohur nga shkalla e parë, dhe pranoi edhe “dëme të personalizuara”, duke marrë parasysh pasojat e rënda psikologjike dhe ndikimin në jetën e përditshme të gruas.

    47-vjeçarja, e cila punonte si shitëse sigurimesh, u detyrua të reduktonte ndjeshëm aktivitetin profesional dhe madje iu hoq edhe leja e drejtimit të automjetit, pasi u konsiderua e papërshtatshme për të drejtuar makinën.

  • Pse këmishat e burrave i kanë kopsat në të djathtë, ndërsa ato të grave në të majtë?

    Pse këmishat e burrave i kanë kopsat në të djathtë, ndërsa ato të grave në të majtë?

    Ndoshta nuk e keni vënë kurrë re. Ose ndoshta, sapo zgjoheni në mëngjes, nuk keni aspak dëshirë të mendoni për gjëra të tilla. Por ja një e vërtetë interesante: kopsat në këmishët e burrave janë të vendosura në anën e kundërt nga ato në këmishat e grave.

    Bëhet fjalë për një nga ato kuriozitete të vogla të përditshmërisë, për të cilat rrallë ndalemi të mendojmë.

    Pra, pse kopsat te burrat janë në të djathtë dhe te gratë në të majtë? A është kjo një zakon i trashëguar historikisht, një rastësi apo një tjetër shenjë e diferencimit mes gjinive?

    Një shpjegim historik

    Kopsat ekzistojnë që në prehistori, fillimisht për të mbyllur mantelat. Më pas u përhapën gjerësisht në Evropë gjatë Mesjetës. Në poemën epike “Kënga e Rolandit” përmenden si objekte të vogla, pa shumë vlerë. Me kalimin e shekujve, nisën të prodhoheshin edhe nga materiale të çmuara si ari, argjendi apo perla, duke u kthyer në simbol luksi dhe duke pasuruar tregtarët e kohës.

    Një valë e dytë përhapjeje ndodhi në mesin e shekullit XVIII, kur kopsat u bënë element dallues i uniformave dhe xhaketave. Në shekullin XX, u shndërruan përfundimisht në aksesor mode.

    Kur nisi dallimi mes burrave dhe grave?

    Vendosja e ndryshme e kopsave mes këmishëve për burra dhe gra daton rreth viteve 1800. Pas Revolucionit Industrial, kopsat u përhapën masivisht edhe në veshjet femërore. Për të dalluar rrobat e grave nga ato të burrave, kopsat për gratë u vendosën në anën e majtë.

    Kjo çështje ka madje edhe një emër: “Diferenciali i Kopsës”. Dhe për këtë dallim ekzistojnë disa teori.

    Teoritë kryesore
    1. Burrat dhe armët
    Në të kaluarën, burrat ishin zakonisht luftëtarë dhe mbanin shpatën në dorën e djathtë. Për këtë arsye, ishte më praktike që këmisha të hapej nga e majta, në mënyrë që kopsat të kapeshin shpejt pa penguar dorën e armatosur.

    2. Parzmoret
    Parzmoret e lashta ishin ndërtuar që të mbivendoseshin nga e majta në të djathtë. Ky orientim mendohet se u trashëgua ndër shekuj dhe ndikoi edhe në mënyrën e mbylljes së rrobave.

    3. Gratë dhe kalërimi
    Gratë shpesh hipnin në kalë anash. Vendosja e kopsave në të majtë ndihmonte që era të mos hynte lehtë nën veshje dhe të shmangeshin situata të sikletshme.

    4. Foshnjat
    Një tjetër teori lidhet me nënat. Gratë zakonisht mbajnë foshnjat me dorën e majtë, duke pasur të lirë dorën e djathtë. Kopsat në të majtë e bënin më të lehtë hapjen e këmishës për ushqyerjen me gji.

    5. Damet e shërbimit (teoria më e pranuar)
    Në shtresat e pasura, gratë nuk visheshin vetë, por ndihmoheshin nga shërbëtore ose dama shoqëruese, të cilat zakonisht punonin më shumë me dorën e djathtë.

    Vendosja e kopsave në të majtë ua lehtësonte punën atyre gjatë veshjes.

  • Antoine Semenyo lojtar i ri i Manchester City-it

    Antoine Semenyo lojtar i ri i Manchester City-it

    Sulmuesi anësor Antoine Semenyo është transferuar tek skuadra e Manchester City-it nga Bournemouth.

    Semenyo nënshkroi kontratë me “Citizens”deri në vitin 2031,dhe ky transferim i kushtoi City-it rreth 75 milionë euro.

    Përndryshe Semenyo pritet të mbartë numrin 42 tek Man.City,dhe ganezi kompletoi edhe testet mjekësore për ta finalizuar marrëveshjen.

    Ndërkohë ganezi u shpreh i lumtur për kalimin e tij në Etihad Stadium,duke thënë se do të mundohet që ta ndihmojë skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.

    Kujtojmë që Antoine Semenyo në 21 paraqitjet këtë sezon për Bournemouth-in shënoj 10 gola e dhuroi 3 asistime në pjesën e parë të stinorit në Angli

  • Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falenderuar qytetarët që e kanë votuar më 28 dhjetor, duke ia siguruar kështu mandatin e shtatë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

    Bajrami ka thënë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, në të cilat kjo parti pësoi debakël duke rënë në 13%, dorëzimi nuk është opsion, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ka shtuar se rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi, mësim dhe reflektim secilin.

    “Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie. E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka shkruar Bajrami.

    Tutje, Bajrami ka thënë se votat janë përgjegjësi e madhe.

    “Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara”, ka shkruar Bajrami.

  • 19-vjeçari plagos bashkëmoshatarin me thikë, arrestohet nga policia

    19-vjeçari plagos bashkëmoshatarin me thikë, arrestohet nga policia

    Një 19-vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se plagosi me mjet prerës një 18-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.

    Sipas njoftimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, operacioni i koduar “Catch” u organizua në vijim të punës për parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave në kërkim.

    Shtetasi E. R., 19 vjeç, ishte shpallur në kërkim që prej 23 nëntorit 2025.

    Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.