ATV

Blog

  • Rachel Zoe prezanton “unazën e divorcit” si simbol force dhe rilindjeje personale

    Rachel Zoe prezanton “unazën e divorcit” si simbol force dhe rilindjeje personale

    Stilistja e njohur dhe ikona e modës, Rachel Zoe, ka prezantuar publikisht unazën e saj të re, të quajtur “divorce ring”, një krijim luksoz me tre diamante të mëdhenj, pas ndarjes nga bashkëshorti i saj, Rodger Berman.

    Unaza përbëhet nga një diamant oval dominues në qendër, i shoqëruar nga dy diamante anësore në të njëjtën formë, dhe është realizuar në bashkëpunim me markën e njohur Ring Concierge. Zoe e ka ndarë këtë bizhuteri në rrjetet sociale, duke e mbajtur në gishtin tregues si një simbol force, pavarësie dhe rilindjeje personale, dhe duke e përshkruar si “unazën e ëndrrave të mia pas divorcit”.

    Fenomeni i “divorce ring” po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në botën e famshmeve. Idetë e tilla nuk shihen më si thjesht aksesorë luksi, por si deklarata emocionale dhe simbolike për fundin e një kapitulli dhe fillimin e një tjetri me vetëbesim dhe elegancë.

    Figura të tjera të njohura si Emily Ratajkowski dhe Brooks Nader kanë zgjedhur të rikonceptojnë ose të zëvendësojnë unazat e fejesës me bizhuteri të reja që simbolizojnë pavarësinë dhe një fillim të ri. Në rastin e Ratajkowski-t, gurët e unazës së fejesës u ndanë dhe u shndërruan në dy unaza të veçanta, një gjest që simbolizon ndarjen, por edhe forcën personale dhe autonominë.

    Sipas bizutierëve që qëndrojnë pas këtyre krijimeve, “divorce ring” është më shumë se një aksesor luksi – është një mënyrë për të shënuar një kapitull të ri në jetë me stil dhe vetëbesim.

  • “Piter Pan” vjen në skenë në Kosovë, një udhëtim magjik për të gjithë familjen

    “Piter Pan” vjen në skenë në Kosovë, një udhëtim magjik për të gjithë familjen

    “Piter Pan” është premiera e re e Cirkut Kombëtar, që po shfaqet në skenën e ArTurbina në Prishtinë, duke sjellë një udhëtim magjik mes fantazisë, guximit dhe ëndrrave që nuk shuhen kurrë.

    Shfaqja bazohet në fabulën e Piter Panit dhe ofron surpriza të shumta për fëmijët, nga skenografia dhe kostumografia, deri te numrat akrobatikë dhe lartësitë sfiduese. Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kjo shfaqje, duke theksuar fluturimet akrobatike dhe çastet magjike që e karakterizojnë.

    Drejtimi artistik, regjia, libreti dhe koreografia janë realizuar nga Olta Ahmetaj, me pjesëmarrjen speciale të Trupës Profesioniste të Cirkut Kombëtar: Silvana Dumi, Fitnete Duro, Brunilda Demollari, Xhejms Kodra, Alketa Haxhiu, Eris Hoxha dhe Mario Elezi.

    Ideja dhe realizimi i shfaqjes janë nga Andi Kotri, muzika nga Sajmir Çili dhe Alfons Zgjana, kostumografia nga Burbuqe Çoçka, skenografia nga Lirim Lila dhe efektet speciale nga Ilir Karaj.

    “Piter Pan dhe aventurat në ishullin e Kurrkundit” është një rrëfim skenik që ndërthur teatrin, muzikën, koreografinë dhe elementët e artit të cirkut, duke ofruar një përvojë kulturore, edukative dhe frymëzuese për të gjithë publikun, fëmijë e të rritur.

    Shfaqja pati premierën më 26 dhjetor dhe do të vijojë deri më 30 dhjetor në ArTurbina, Prishtinë.

  • “Avatar: Fire and Ash” arrin 1 miliard dollarë brenda 18 ditëve

    “Avatar: Fire and Ash” arrin 1 miliard dollarë brenda 18 ditëve

    Filmi i tretë i sagës Avatar, Avatar: Fire and Ash, ka arritur një tjetër sukses historik, duke grumbulluar 1 miliard dollarë në arkën globale vetëm 18 ditë pas daljes në kinema.

    Fitimet e biletave në SHBA janë 306 milionë dollarë, ndërsa arkë ndërkombëtare kap 777.1 milionë dollarë. Megjithëse ky ritëm është pak më i ngadaltë se ai i paraardhësit, Avatar: The Way of Water, që arriti 1 miliard dollarë brenda 14 ditëve, saga e James Cameron vazhdon të mbetet fenomen i ekranit të madh.

    Filmat e mëparshëm të serisë kanë regjistruar shifra marramendëse: filmi origjinal Avatar mbledhi 2.9 miliardë dollarë, ndërsa The Way of Water arriti 2.3 miliardë. Pritshmëritë janë që pjesa e tretë të tejkalojë 2 miliardë dollarë, por kjo do të varet kryesisht nga performanca në tregjet ndërkombëtare, të cilat historikisht kanë qenë vendimtare.

    Vendet kryesore që po kontribuojnë më shumë në arkën ndërkombëtare janë Kina me 138 milionë dollarë, Franca me 81 milionë, Gjermania 64 milionë dhe Koreja e Jugut 44 milionë.

    Ky sukses e bën Avatar: Fire and Ash të jetë filmi i tretë i Disney që kalon pragun e 1 miliard dollarëve, pas Lilo & Stitch dhe Zootopia 2.

    Regjisori James Cameron ka bërë të ditur se planifikon pesë filma për planetin Pandora, megjithatë me shaka ka thënë se do të mbajë një konferencë shtypi për të njoftuar nëse saga do të vazhdojë apo do të përmbyllet me pjesën e tretë. Cameron mbetet regjisor i vetëm në histori që ka realizuar tre filma të cilët kanë arritur të grumbullojnë mbi 2 miliardë dollarë: Avatar, Avatar: The Way of Water dhe Titanic.

  • Bora Zemani mbush 34 vjet: Donaldi e uron me dashuri dhe humor tipik

    Bora Zemani mbush 34 vjet: Donaldi e uron me dashuri dhe humor tipik

    Moderatorja e njohur Bora Zemani feston sot ditëlindjen e saj të 34-të, ndërsa vëmendjen e rrjeteve sociale e ka rrëmbyer urimi i veçantë i partnerit të saj, Donald Veshaj.

    Aktori ka publikuar një moment të ëmbël ku Bora shfaqet e buzëqeshur pranë tortës së ditëlindjes, por ajo që ka bërë më shumë përshtypje është dedikimi i tij plot romantikë, i ndërthurur me humorin që e karakterizon.

    “Edhe 100 vite të tjera partnere! Uroj që jeta t’i plotësojë të gjitha ëndrrat… sepse unë u lodha duke i dëgjuar çdo ditë,” shkruan Donaldi me nota shakaje, duke e bërë urimin edhe më të veçantë.

    Ai vazhdon duke shprehur ndjenjat për Borën në mënyrën e tij unike, duke thënë se shprehja “të dua” tashmë nuk i mjafton më për ta përshkruar dashurinë që ndjen.

    “Të dua pafund! Aq shpesh sa më duhet të shpik një fjalë të re vetëm për ty në këtë ditë. Gjisyslajsye shpirt,” përmbyll ai mesazhin.

    Urimi i Donaldit u prit me shumë reagime pozitive nga ndjekësit, të cilët e konsideruan një tjetër dëshmi të lidhjes së tyre të veçantë dhe plot energji pozitive.

  • Serialet më të pritura të janarit 2026: Rikthime të mëdha dhe histori që mbajnë frymën pezull

    Serialet më të pritura të janarit 2026: Rikthime të mëdha dhe histori që mbajnë frymën pezull

    Janari 2026 nis fuqishëm për adhuruesit e serialeve, me një listë premierash që përfshin rikthime të shumëpritura, histori misterioze dhe drama të forta televizive. Nga agjentë sekretë te botë financiare, spiunazh dhe romanca, ky muaj premton emocione për çdo shije.

    “The Night Manager” rikthehet me sezonin e dytë, ku Tom Hiddleston vazhdon rolin e Jonathan Pine në një mision të ri të rrezikshëm, ndërsa “Run Away” i Harlan Coben sjell një mister familjar plot tension në Netflix. Po ashtu, “Hijack” dhe “Industry” vijnë me sezone të reja, duke thelluar konfliktet dhe intrigat që i bënë kaq të ndjekura.

    Për fansat e “Game of Thrones”, prequel-i “A Knight of the Seven Kingdoms” pritet të jetë një nga ngjarjet televizive të muajit, duke na kthyer në Westeros shumë vite përpara historisë që njohim. Ndërkohë, seriale si “His & Hers”, “Ponies” dhe “Agatha Christie’s Seven Dials” sjellin mister, thriller dhe elegancë klasike.

    Komedia dhe drama familjare nuk mungojnë me sezonin e tretë të “Shrinking”, ndërsa “Bridgerton” rikthehet me një histori të re dashurie që pritet të ndezë rrjetet sociale. Me kaq shumë tituj të fortë, janari 2026 konfirmohet si një muaj ideal për maratonë serialesh në ekranet televizive dhe platformat streaming.

  • Dy të plagosur nga agjentët federalë në Oregon

    Dy të plagosur nga agjentët federalë në Oregon

    Dy persona janë qëlluar dhe plagosur nga agjentë federalë në Oregon – një ditë pasi një grua u vra nga një agjent i ICE në Minneapolis.

    Incidenti i fundit ndodhi në Portland.

    Një burrë dhe një grua u dërguan në spital me plagë nga armë zjarri dhe gjendja e tyre është e paqartë në këtë fazë.

    Shefi i policisë, Bob Day, tha: “Ne e kuptojmë emocionin dhe tensionin e shtuar që shumë njerëz po ndiejnë pas të shtënave në Minneapolis, por po i kërkoj komunitetit të ruajë qetësinë ndërsa përpiqemi të mësojmë më shumë.”

    Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët e Patrullës Kufitare po kryenin një “ndalim të synuar automjetesh” në atë kohë.

    Një postim në X pretendonte se “shoferi e kishte armatosur automjetin e tij dhe ishte përpjekur të shtypte agjentët e zbatimit të ligjit” – duke bërë që njëri prej tyre të qëllonte në mënyrë mbrojtëse.

    Deklarata vazhdoi duke pretenduar se shoferi besohet të jetë anëtar i një bande “të egër” venezueliane, ndërsa pasagjerja ka qenë e lidhur me një rrjet prostitucioni.

    Kryebashkiaku i Portlandit, Keith Wilson, tha se qyteti i tij po përballet me dhunë nga agjentët federalë dhe se “nuk mund të rrimë duarkryq ndërsa mbrojtjet kushtetuese përkeqësohen dhe gjakderdhja rritet”.

    Ndryshe, kjo vjen një ditë pasi një agjent i Imigracionit dhe Doganave qëlloi për vdekje një 37-vjeçare në Minneapolis, duke shkaktuar dënim nga zyrtarët lokalë dhe protesta të përhapura në Minesota dhe më gjerë.

    Renee Good u qëllua në kokë nga afër ndërsa përpiqej të largohej me veturë në një rrugë me borë, por Donald Trump dhe të tjerë në administratën e tij kanë pohuar se veprimet e agjentit ishin në vetëmbrojtje.

    Rruga me borë ku Renee Nicole Good u qëllua dhe u vra nga një oficer i imigracionit tani është bërë një memorial për të.

  • Dy shtetas të Shqipërisë dyshohen se kërkuan 40 mijë euro nga një kosovar përmes detyrimit

    Dy shtetas të Shqipërisë dyshohen se kërkuan 40 mijë euro nga një kosovar përmes detyrimit

    Një person në Prishtinë ka raportuar në Polici se më 4 janar, dy shtetas të Shqipërisë i kërkuan të dërgojë 40,000 euro brenda një afati njëjavor.

    Rasti u raportua të enjten dhe po hetohet nën dyshimin për veprën penale “detyrim”.

    Sipas Policisë, “Më 08.01.2026, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të dyshuar, shtetas të Shqipërisë, kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe i kanë kërkuar që deri më 11.01.2026 t’i dorëzojë 40,000 euro para të gatshme në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit.

    Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • FBK paralajmëron masa ndëshkuese për incidentet në ndeshjen Bashkimi-Peja

    FBK paralajmëron masa ndëshkuese për incidentet në ndeshjen Bashkimi-Peja

    Federata e Basketbollit e Kosovës ka dënuar incidentet që ndodhën në ndeshjen e fazës çerekfinale të Kupës së Kosovës ndërmjet Bashkimit dhe Pejës,ku tifozët vendas kanë gjuatur gjësende kundrejt ekipi mysafir në të cilën mbeti i lënduar kapiteni i pejanëve Dardan Berisha që mori goditje në kokë çka bëri që ndeshja të ndërpritet në minutën e tretë të çerekut të dytë të ndeshjes .

    FBK në një komunikatë të bërë ka paralajmëruar se do të merren masa ndëshkuese ndaj klubit prizrenas,ku theksohet se tolerance duhet të jetë zero përballë fyerjeve,sulmeve fizike apo sjelljeve të paparanueshme

    FBK njofton publikun dhe opinionin sportiv se ka hapur menjëherë procedurë disiplinore dhe se organizatori do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, sipas akteve normative në fuqi. Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është ZERO.

    Përndryshe Federata e Basketbollit kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurninë në tribuna,dhe në rast të përsëritjeve të incidenteve të tilla do të paralajmërohen ndëshkime përfshirë gjoba të larta,mbyllje të palestrës për shikues apo humbje të ndeshjes me rezultat zyrtar në tavolinë.

    Kujtojmë që ndeshja Bashkimi-Peja përfundoi me fitoren e prizrenasve me rezultat 96:90.

  • Gara për mbrojtësin anglez Marc Guehi mbetet e hapur

    Gara për mbrojtësin anglez Marc Guehi mbetet e hapur

    Qendërmbrojtësi i Crystal Palace Marc Guehi është një prej lojtarëve më të kërkuar nga shumë klube të ndryshme në Angli dhe në Evropë.

    Sipas asaj që raporton Daily Mirror gara për transferimin e Guehit mbetet e hapur,ku së fundmi Manchester City po synon që të siguroj shërbimet e 25 vjeçarit dhe janë të gatshëm të ofrojnë rreth 34.5 milionë euro.

    Përndryshe edhe gjigantë të tjerë anglezë si Arsenal,Liverpool dhe Chelsea janë duke monitoruar situatën e Guehit,teksa jashtë Anglisë interesim ka nga gjiganti gjerman Bayern Munich e cila po synon që të përforcojë repartin e mbrojtjes.

    Kujtojmë që Marc Guehi ishte afër transferimit tek Liverpool në afatin e kaluar të transferimeve,por dështoi në ditët e fundit pasi nuk arritën një marrëveshje me Crystal Palace.

  • Trump anulon valën e dytë të sulmeve në Venezuelë

    Trump anulon valën e dytë të sulmeve në Venezuelë

    Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se kishte anuluar një valë të dytë sulmesh “të pritura më parë” ndaj Venezuelës për shkak të bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Njoftimi erdhi në një postim në Truth Social, në të cilin Trump vlerësoi veprimet e qeverisë në detyrë të Venezuelës, shkruan CNN.

    “Venezuela po liron një numër të madh të të burgosurve politikë si një shenjë e ‘Kërkimit të Paqes’”, shkroi Trump. “Ky është një gjest shumë i rëndësishëm dhe i zgjuar”.

    Trump vazhdoi duke thënë se të dy kombet “po punojnë mirë së bashku, veçanërisht sa i përket rindërtimit, në një formë shumë më të madhe, më të mirë dhe më moderne, të infrastrukturës së tyre të naftës dhe gazit”.