ATV

Blog

  • Hansi Flick:Kylian Mbappe lojtari më i mirë në botë

    Hansi Flick:Kylian Mbappe lojtari më i mirë në botë

    Trajneri i Barcelonës Hansi Flick ka folur para ndeshjes finale të Superkupës së Spanjës kundër rivalit të përbetuar Real Madrid.

    Tekniku gjerman u ndal tek ylli i “Los Blancos”Kylian Mbappe,ku thotë se francezi është aktualisht lojtari më i mirë në botë.

    “Tani për tani, Mbappe është sulmuesi më i mirë në botë. Saktësisht kjo. Ai ka shënuar shumë, shumë gola, dhe është një lojtar i klasit botëror”.

    Përndryshe Flick shton se do të bëjnë të pamundurën që ta fitojnë superkupën e Spanjës,dhe se do të luajnë lojën të cilën e kanë bërë edhe në ndeshjet e kaluara.

    Kujtojmë që Barcelona dhe Real Madrid të dielën luajnë ndeshjen finale të Superkupës së Spanjës e cila zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.

     

  • OVL-UÇK për dëshmorët e rënë në luftë: Ata nuk harrohen kurrë

    OVL-UÇK për dëshmorët e rënë në luftë: Ata nuk harrohen kurrë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kujton të rënët në periudhën kohore 1 deri më 15 janar.

    Në reagim nga OVL-UÇK thonë se nuk harrohen kurrë dëshmorët që kanë rënë për të mos vdekur kurrë në kujtesën e kombit shqiptar.

    Postimi i plotë:

    Në ditët e ftohta të janarit, kur liria ende shkruhej me gjak e sakrificë, bijtë më të denjë të kombit ranë për të mos vdekur kurrë në kujtesën tonë.

    Dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare

    (1-15 janar)

    Enver Gashi, Xhevat Jusufi, Blerim Balaj, Hisni Murseli, Ismet Beqiri, Nazmi Ismajli, Nikë Hajdaraj, Qelë Ukaj, Ajet Demaku, Skender Mulaku, Hysni Ramaj, Zef Gjokaj, Ali Beqa, Enver Rashiti, Hanumshahe Mujota, Ismajl Luma, Kadri Syla, Lutfi Bilalli, Mehmet Mustafa, Nazim Kokollari, Nexhat Ramadani, Ragip Bajrami, Sadik Mujota, Sadik Osmani, Shaqir Berisha, Shaqir Shaqiri dhe Skënder Qarri.

    OVL UÇK i përkujton me nderim të përjetshëm dëshmorët e rënë gjatë luftës tonë çlirimtare dhe dëshmon se ata nuk harrohen kurrë.

  • Grumbullim uji, rrëshqitje dheu: Ku ka vështirësi dhe bllokim të rrugëve si pasojë e vërshimeve?

    Grumbullim uji, rrëshqitje dheu: Ku ka vështirësi dhe bllokim të rrugëve si pasojë e vërshimeve?

    Reshjet e fundit të shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullimin rrugor në disa pjesë të Kosovës, për shkak të vërshimeve, grumbullimit të ujit dhe rrëshqitjeve të dheut.

    Hysen Durmishi, ushtrues i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, ka bërë të ditur se në rrugën Prishtinë–Ferizaj qarkullimi është bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit, që sipas tij ndodh për shkak të kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike.

    Ai ka sqaruar se ekipet janë në terren duke punuar për shkarkimin e ujit dhe se rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës.

    Probleme janë raportuar edhe te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ku ka grumbullim të ujit për shkak të bllokimit të kanalit atmosferik.

    Sipas Durmishit, ekipet po punojnë intensivisht për zhbllokimin e këtij segmenti.

    Në autostradën “Ibrahim Rugova”, autoritetet kanë regjistruar rrëshqitje të dheut, ndërsa po vazhdojnë punimet për sanimin e saj me qëllim rikthimin e qarkullimit normal.

    Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ku ka grumbullim të ujit në rrugë. Ekipet emergjente janë duke ndërhyrë dhe pritet që qarkullimi të normalizohet së shpejti.

    Në rrugën Zhur–Dragash është evidentuar lëvizje e trupit të rrugës. Autoritetet kanë vendosur sinjalizim përkatës, ndërsa qarkullimi aktualisht zhvillohet vetëm në një shirit.

    Po ashtu, me reshjet që kanë nisur që mbrëmjen e së premtes, disa zona në Suharekë janë përfshirë sërish nga vërshimet, duke vështirësuar qarkullimin rrugor.

    Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për kujdes në disa rrugë të vërshuara dhe ka treguar se cilat segmente janë të pakalueshme.

    “Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar”, ka thënë ai përmes një videoje të publikuar në Facebook.

    Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe kanë apeluar që, nëse është e mundur, të shmanget qarkullimi i panevojshëm në këto segmente rrugore.

  • Trump paralajmëron Iranin: Nëse qëlloni protestuesit, do të godasim fort

    Trump paralajmëron Iranin: Nëse qëlloni protestuesit, do të godasim fort

    Presidenti amerikan, Donald Trump të premten tha se SHBA po ndjek nga afër situatën në Iran.

    Ai paralajmëroi udhëheqësit iranianë që të mos përdorin dhunë ndaj demonstruesve.

    “Dhe përsëri, u them liderëve iranianë, më mirë mos filloni të qëlloni, sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë”, tha lideri amerikan gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës në Shtëpinë e Bardhë.

    Por ai shtoi se kjo nuk do të thotë “trupa amerikane në terren”, raporton cnn.

    “Nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të përfshihemi. Kjo nuk do të thotë trupa në terren, por do të thotë goditje shumë, shumë të forta aty ku i dhemb”, tha 79-vjeçari.

  • Britania bëhet gati: 230 milionë euro për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë

    Britania bëhet gati: 230 milionë euro për dërgimin e mundshëm të trupave në Ukrainë

    Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi këtë të premte akordimin e një fondi prej 200 milionë paundësh (rreth 230 milionë euro), të cilat do të shërbejnë për përgatitjen e një dërgimi të mundshëm ushtarak në Ukrainë.

    Ky financim vjen në kuadër të planeve për krijimin e një force të ardhshme multinacionale në mbështetje të Kievit.

    Sipas njoftimit zyrtar, mjetet do të merren nga buxheti i mbrojtjes për vitin 2026. Fondet do të përdoren për të pajisur ushtrinë me automjete të reja, sisteme moderne komunikimi dhe teknologji të avancuar për mbrojtjen kundër dronëve.

    Qëllimi kryesor është që trupat britanike të jenë plotësisht të gatshme dhe të pajisura për çdo operacion në terren.

    Ministria e Mbrojtjes saktësoi se ky hap synon të garantojë gatishmërinë operacionale të forcave të saj brenda një strukture ndërkombëtare.

    Ky vendim shihet si një forcim i mëtejshëm i pozicionit të Londrës në mbështetje të Ukrainës përballë sfidave të sigurisë në rajon.

  • Vërshime në Suharekë, bllokohen disa rrugë

    Vërshime në Suharekë, bllokohen disa rrugë

    Me reshjet që kanë nisur që mbrëmjen e së premtes, disa zona në Suharekë janë përfshirë sërish nga vërshimet, duke vështirësuar qarkullimin rrugor.

    Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për kujdes në disa rrugë të vërshuara dhe ka treguar se cilat segmente janë të pakalueshme.

    “Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpëbishtit është e bllokuar”, ka thënë ai përmes një videoje të publikuar në Facebook.

    Ndërkohë, mëngjesin e së shtunës, Policia e Kosovës njoftoi se një segment i rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë është ndaluar përkohësisht për qarkullim të automjeteve për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugë.

  • Qytetarëve në Drenas u bëhet thirrje për kujdes, reshjet po e shtojnë nivelin e ujërave

    Qytetarëve në Drenas u bëhet thirrje për kujdes, reshjet po e shtojnë nivelin e ujërave

    Komuna e Drenasit nuk po gjen qetësi nga reshjet e shiut, e të cilat kanë rritur edhe nivelin e ujërave.

    Zyrtarët komunal u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes, ndërkohë që ekipet emergjente po qëndrojnë në terren për të intervenuar në vendet ku pati vërshime.

    “Pas vërshimeve që pati komuna e Drenasit, reshjet e shiut që kanë filluar gjatë natës po vazhdojnë ta shtojnë nivelin e ujërave, kërkohet kujdes, bashkëpunim dhe solidaritet nga qytetarët dhe kompanitë në rast të përkeqësimit të situatës. Ekipet emergjente inspektuan vendet që ishin kritike gjatë këtyre ditëve dhe u siguruan që gjendja të stabilizohet, përfshirë edhe pastrimin e rrugëve kryesore nga bora. Zyrtarët e komunës janë në terren dhe po merren me përmirësimin e gjendjes nga vërshimet. Janë vizituar disa familje që u prekën nga situata dhe ato u mbështetën me pako ushqimore falë donatorëve. Pakot ushqimore u dhanë për familjet që kishin më shumë nevojë.  Qytetarët kanë filluar me paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve. Në vazhdim, tri komisionet në terren do të merren me regjistrimin e dëmeve në ekonomitë familjare, biznese dhe në sektorin bujqësor. Po ashtu, dëmet infrastrukturore janë vlerësuar dhe pritet që së shpejti të realizohen përmirësimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Komunës.

    Komuna e Drenasit falënderon qytetarët dhe kompanitë për solidaritetin, bashkëpunimin dhe durimin në situatën e krijuar, duke mbetur e përkushtuar me të gjitha mundësitë ligjore në shërbim të mirëqenies së qytetarëve.

  • LA Lakers pëson humbje nga Millwauke Bucks-Oklahoma City Thunder shënon fitore të vështirë ndaj Memphis Grizzlies

    LA Lakers pëson humbje nga Millwauke Bucks-Oklahoma City Thunder shënon fitore të vështirë ndaj Memphis Grizzlies

    Janë zhvilluar ndeshje interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Los Angeles Lakers pësoi humbje në shtëpi nga Millwauke Bucks,dhe atë me rezultat 105:101.

    Lebron James me 26 pikë,9 kërcime e 10 asistime,si dhe Luka Doncic me 24 pikë,9 kërcime e 9 asistime ishin më të mirët për Lakers,por ishin të pamjafteshme për të shmangur humbjen.

    Tek Bucks më i miri ishte Kevin Porter Jr me 22 pikë,si dhe Giannis Antetokounmpo me 21 pikë shifra këto që kontribuan në fitoren e kësaj skuadre.

    Në anën tjetër kampioni aktual Oklahoma City Thunder mundi Memphis Grizzlies me rezultat të ngushtë 117:116.

    Jalen Williams me 26 pikë e 10 asistime si dhe Ajaj Mitchell me 23 pikë të tjera ishin më meritorët për fitoren e Thunder,kurse për Grizzlies ishte Jaren Jakson Jr me 23 pikë e 7 kërcime.

  • Diar Halili huazohet tek KF Tirana nga FC Prishtina

    Diar Halili huazohet tek KF Tirana nga FC Prishtina

    Qendërmbrojtësi Diar Halili karrierën do ta vazhdojë në kampionatin shqiptar tek KF Tirana.

    Halili pritet të huazohet për 6 muaj tek skuadra e Tiranës nga FC Prishtina,por nuk dihet se nëse lojtari do të blihet në fund të sezonit.

    Përndryshe KF Prishtina e konfirmoi huazimin e Halilt në rrjetin social Facebook,duke i uruar suksese në aventurën e re në karrierë.

    Futbollisti ynë, Diar Halili, do ta vazhdojë pjesën pranverore të sezonit 2025/26 te KF Tirana, pas arritjes së marrëveshjes për huazimin e tij.

    Qendërmbrojtësi ynë kalon te ekipi bardh e blu, ku pritet të jetë një forcë shtesë për skuadrën kryeqytetase në misionin e këndelljes në pjesën e dytë të sezonit.

    I urojmë Diarit shumë suksese dhe sa më shumë paraqitje pozitive në Tiranë.

    Kujtojmë që Diar Halili nuk pati minutazhë të mjaftueshme tek FC Prishtina,ku arriti të paraqitej në vetëm 1 ndeshje.

  • Protestat hyjnë në ditën e 13-të, Khamenei: Irani nuk do të dorëzohet

    Protestat hyjnë në ditën e 13-të, Khamenei: Irani nuk do të dorëzohet

    Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se republika islame nuk do të tërhiqet përballë protestave më të mëdha të viteve të fundit.

    Në një fjalim të shkurtër të transmetuar nga televizioni shtetëror, Khamenei e quajti lëvizjen “veprim të banditëve dhe sabotuesve”, duke paralajmëruar se forcat e sigurisë do të mbrojnë revolucionin pa kompromis.

    Protestat, të nisura për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe kërkesave për ndryshimin e sistemit klerikal, kanë hyrë në ditën e 13-të dhe janë përhapur në të gjithë vendin. Mijëra qytetarë marshuan dje në rrugët e Teheranit, duke brohoritur “vdekje diktatorit” dhe sfiduar autoritetet.

    Autoritetet iraniane kanë vendosur një bllokim total të internetit, duke kufizuar komunikimin dhe duke penguar raportimin e dhunës ndaj demonstruesve. Organizata Amnesty International paralajmëroi se ky kufizim ka për qëllim të fshehë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

    Sipas Iran Human Rights, të paktën 51 persona janë vrarë, përfshirë 9 fëmijë nën 18 vjeç, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Forcat e sigurisë kanë përdorur armë zjarri, gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë demonstruesit, shumica të paqësorë.

    Khamenei akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, duke thënë se duart e tyre janë “të njolla me gjakun e iranianëve”. Në reagim, presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA do të veprojë fuqishëm nëse autoritetet iraniane vazhdojnë të vrasin protestues.

    Ministri i Jashtëm iranian deklaroi se Uashingtoni dhe Izraeli po përpiqen të shndërrojnë protestat paqësore në dhunë.

    Në disa qytete të Iranit, mijëra qytetarë dolën gjithashtu në rrugë për të mbështetur qeverinë, duke brohoritur sloganet e regjimit. Situata mbetet e tensionuar ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ndjekë zhvillimet dhe të kërkojë respektimin e të drejtave të njeriut.