ATV

Blog

  • Aksion i përbashkët inspektues në Prizren dhe Suharekë, kontrollohen 26 auto-parkingje

    Aksion i përbashkët inspektues në Prizren dhe Suharekë, kontrollohen 26 auto-parkingje

    Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar një aksion të përbashkët inspektues në komunat e Prizrenit dhe Suharekës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (IQMINT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

    Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në gjithsej 26 auto-parkingje, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe evidentimit të parregullsive në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve.

    “Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet pjesëmarrëse kanë ndërmarrë veprimet përkatëse, secila në përputhje me kompetencat, mandatin dhe përgjegjësitë e saj ligjore”, thuhet në njoftim.

    Në aksion kanë marrë pjesë Inspektorati Qendror i Punës, Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati Qendror i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Inspektorati Qendror i Punës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e tjera për të siguruar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

    “Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional për forcimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të ligjshëm të punës”, thuhet në njoftim.

  • Përfundon verifikimi i nënshkrimeve në LDK, s’dihet data e Kuvendit

    Përfundon verifikimi i nënshkrimeve në LDK, s’dihet data e Kuvendit

    Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve të delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku pritet të kërkohet shkarkimi i kryetarit, Lumir Abdixhiku.

    Por, data se kur do të mbahet ky Kuvend ende nuk dihet.

    Kështu ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin, sekretari i LDK-së, Ilir Ferati i cili tha se aktualisht janë në fazën e përgatitjeve teknike.

    “Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve tash po presim përgatitjen e pjesëve të tjera të cilat janë teknike, por si sekretariat jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që me pas të mundshme që sa më shpejt me i dhënë drejtim demokratikë partisë. Në momentin që jemi të gatshëm e njoftojmë kryetarin dhe pastaj ai në një afat sa më të shpejt me bë ftesën për Kuvendin, nuk ka arsye për shtyrje të Kuvendit dhe me sa kam parë edhe kryetari është i interesuar që sa më shpejt ta kryej si proces që me krijuar njëfarë paqe brenda për brenda njerëzve të LDK-së“, tha ai.

    Edhe sot, sekretari i LDK-së ka ritheksuar se në takimin Kurti-Abdixhiku nuk është diskutuar për emra, po për parime.

    “Ne nuk kemi diskutuar me Vetëvendosjen për pozicione dhe as për emra në këtë takim janë diskutuar parimet të cilat duhet me u respektua tutje për të zhvilluar diskutimin në kuptim të pozicioneve. Ende nuk jemi në atë fazë, në momentin që diskutojmë për parime edhe pse sigurisht një prej tyre duhet të jetë zgjidhja e çështjes që na ka quar në zgjedhje i bie pjesa e presidentes. Kjo është çështje e negociatave ne e kemi kandidate me votë të këshillit të përgjithshëm Vjosa osmani, ka qenë bartëse e listë dhe njëherit edhe kandidate për presidente, por tani është ende herët me diskutua sepse nëse nuk ka dakordancë për parime nuk vazhdojmë tutje”, tha ai.

    I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet Vjosa Osmanin për presidente, Ferati tha se kjo është një çështje që i takon Vetëvendosjes dhe se do të trajtohet në kuadër të negociatave ndërmjet partive.

    “Është çështje e Lëvizjes Vetëvendosje jo e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është çështje e negociatave. Thash është herët për të folur për emra jemi ende në diskutim të parimeve nëse ka rezultat në këtë pjesë pastaj flasim për emra”, theksoi ai.

    Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje presin rikthimin e negociatave me LDK, nga kjo parti thonë se proceset e brendshme të LDK-së do të trajtohen vetëm nga strukturat e saj, ndërsa për zhvillimet e mëtejshme do të flitet pasi të përfundojë procesi i rikonfirmimit të kryetarit të partisë.

    “Ato janë çështje tona të brendshme që nuk ka nevojë as Vetëvendosja dhe as ndonjë parti tjetër me u marr. Në momentin që ne i zgjidhim njëjtë sikurse u deklarua kryetari që i ka pezulluar diskutimet besoj njëjtë deklarohet edhe pasi të rikonfimnrohet si kryetar i LDK-së, pjesën tjetër të formimit dhe konstituimit të institucioneve është obligim i partisë së parë“, tha ai.

  • KRU “Drini i Bardhë” nis sanimin e dëmeve pas vërshimeve dhe erërave të forta

    KRU “Drini i Bardhë” nis sanimin e dëmeve pas vërshimeve dhe erërave të forta

    KRU “Drini i Bardhë” ka nisur punimet për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe erërat e forta, të cilat kanë prekur sistemin e ujitjes në zonat që mbulon kjo ndërmarrje.

    Sipas njoftimit të KRU “Drini i Bardhë”, njësia operative ka dalë në terren që në orët e hershme të mëngjesit, duke filluar punën për pastrimin e kanaleve dhe largimin e pengesave të krijuara si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.

    Ekipet janë të angazhuara në disa lokacione, ku po punojnë intensivisht për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të funksionimit normal të sistemit të ujitjes.

    “KRU ‘Drini i Bardhë’ falënderon Njësinë Operative për angazhimin dhe punën e palodhshme në terren, në sanimin e dëmeve dhe rikthimin e sistemit të ujitjes në gjendje normale”, thuhet në njoftim.

    Nga KRU “Drini i Bardhë” bëhet e ditur se ekipet do të vazhdojnë punën deri në eliminimin e plotë të pasojave të shkaktuara nga vërshimet dhe erërat e forta, me qëllim sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të sistemit të ujitjes.

  • Ish-deputetja britanike dyshohet se u vra me 21 goditje çekiçi brenda banesës së saj

    Ish-deputetja britanike dyshohet se u vra me 21 goditje çekiçi brenda banesës së saj

    Vrasje makabre në Britani, ish-deputetja u sulmua brutalisht në shtëpinë e saj

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, ku ish-deputetja Ann Widdecombe dyshohet se është vrarë brutalisht brenda banesës së saj, pasi, sipas prokurorisë, u godit 21 herë në kokë me çekiç ndërsa ishte duke ngrënë drekë, përcjell albinfo.ch.

    Detajet u bënë publike gjatë një seance në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster. Prokurori Kashif Malik deklaroi se i dyshuari, Joshua Kerry, 28 vjeç nga South Yorkshire, kishte mbërritur në shtëpinë e viktimës më 8 korrik me një automjet tip Vauxhall Corsa.

    Sipas hetimeve, 28-vjeçari hyri në banesë përmes derës kryesore, i pajisur me doreza të zeza, dhe brenda pak minutash e sulmoi ish-deputeten në kuzhinë. Prokuroria pretendon se ai e rrëzoi nga karrigia dhe e goditi 21 herë në kokë me çekiç, përpara se t’i merrte portofolin dhe të largohej nga vendi i ngjarjes.

    Prokuroria e ka cilësuar sulmin si një akt me “egërsi të jashtëzakonshme dhune”.

    Rasti u zbulua pasi Widdecombe nuk u paraqit në një intervistë të planifikuar online për emisionin “Matt Allwright Show” në Channel 5. Pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta kontaktuar, asistentja e saj personale kërkoi nga kopshtari të kontrollonte banesën.

    Të nesërmen, më 9 korrik, ai hyri në shtëpi, dera e së cilës ishte lënë e hapur, dhe e gjeti ish-deputeten të pajetë në dyshemenë e kuzhinës, me plagë të rënda në kokë.

    I dyshuari Joshua Kerry ndodhet në paraburgim dhe do të përballet me procedurat gjyqësore, ndërsa autoritetet britanike po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Arsenali bën lëvizjen e radhës për transferimin e Julian Alvarezit

    Arsenali bën lëvizjen e radhës për transferimin e Julian Alvarezit

    Arsenali nuk e ka fshehur dëshirën për të rikthyer Julian Alvarezin në Premier League dhe duket se “Topçinjtë” kanë marrë një sinjal inkurajues nga Atletico Madridi në lidhje me një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.

    Sipas raportimeve të Caught Offside, drejtuesit e klubit spanjoll janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për sulmuesin argjentinas dhe këtë ia kanë bërë të ditur edhe përfaqësuesve të lojtarit. Madje, drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, ka nisur kontaktet direkte me Alvarezin, i cili raportohet se e sheh me interes mundësinë e një rikthimi në futbollin anglez.

    Për 26-vjeçarin interesim kanë shfaqur edhe Barcelona dhe Real Madridi, por Atletico nuk dëshiron të forcojë rivalët e saj të drejtpërdrejtë në La Liga. Ky qëndrim e favorizon Arsenalin, ndërsa Paris Saint-Germain ende nuk ka bërë një lëvizje konkrete për të siguruar shërbimet e argjentinasit.

    Megjithatë, operacioni mbetet larg përfundimit. Klubi londinez duhet të bindë fillimisht vetë lojtarin për të lënë La Ligën, ndërsa më pas të arrijë një marrëveshje financiare që do të kënaqte kërkesat e Atletico Madridit.

    Nga ana tjetër, gazetari i The Athletic, James McNicholas, sjell një version tjetër të situatës. Sipas tij, Atletico nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon ta konsiderojë Alvarezin të pashitshëm. Megjithëse Mikel Arteta mbetet një admirues i madh i sulmuesit argjentinas, drejtuesit e klubit madrilen nuk kanë ndërmend të hapin negociata për largimin e tij, pavarësisht interesimit nga Anglia apo klube të tjera evropiane.

  • Shënohet viktima e dytë nga moti i keq në jug: Gjendet i mbytur peshkatari në afërsi të ishujve të Ksamilit

    Shënohet viktima e dytë nga moti i keq në jug: Gjendet i mbytur peshkatari në afërsi të ishujve të Ksamilit

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në afërsi të ishujve të Ksamilit, ku është gjetur i pajetë në det një peshkatar.

    Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Gjatë kërkimeve, Policia ka gjetur edhe mjetin lundrues të 61-vjeçarit, i cili ishte fundosur. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në kohën kur zona u përfshi nga stuhia e fortë dhe moti i keq.

    Grupi hetimor po verifikon mbytjen aksidentale si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, ndërsa po hetohet dhe pista e vetëmbytjes.

    Sipas burimeve, 61-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri ai nuk rezulton të ketë familjarë të tjerë, përveç një motre. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

  • Ballkani nis sonte sfidën evropiane, synon rezultat pozitiv në Dublin

    Ballkani nis sonte sfidën evropiane, synon rezultat pozitiv në Dublin

    FC Ballkani rikthehet sonte në arenën evropiane, teksa do të përballet me skuadrën irlandeze Bohemians në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League. Takimi zhvillohet në Dublin me fillim nga ora 19:00.

    Skuadra nga Suhareka synon të marrë një rezultat pozitiv në transfertë, që do t’i jepte avantazh para ndeshjes së kthimit dhe do ta afronte një hap më pranë kualifikimit në raundin e tretë të garës.

    Ndërkohë, Ballkani ka mësuar edhe kundërshtarin e mundshëm në rast se kalon Bohemians. Sipas shortit të UEFA-s, “portokallinjtë” do të përballeshin me humbësin e çiftit të UEFA Europa League mes Beşiktaşit dhe Midtjyllandit.

    Megjithatë, e gjithë vëmendja e kampionëve të Kosovës është e përqendruar te sfida e sotme në Dublin, ku synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të rrugëtimit në garat evropiane.

  • Forcohet mbikëqyrja e tregut, Kusari-Lila paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve

    Forcohet mbikëqyrja e tregut, Kusari-Lila paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut mbeten ndër prioritetet kryesore.

    Kusari-Lila ka njoftuar se nga muaji gusht do të rritet numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut nga 25 në 43, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit ky numër të arrijë në 100 inspektorë.

    Sipas saj, rritja e kapaciteteve të inspektoratit synon të sigurojë mbrojtje më efektive për qytetarët nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg.

    Ajo ka falënderuar inspektorët për angazhimin e tyre, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar aksione të ndryshme, përfshirë kontrollet në tregun e derivateve të naftës, inspektimin e njehsorëve elektrikë, kontrollin e etiketimit të produkteve ushqimore, si dhe inspektimet ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari pa licencë.

  • Emri i tij doli në dosjet Epstein, gjendet i vdekur agjenti francez i modës

    Emri i tij doli në dosjet Epstein, gjendet i vdekur agjenti francez i modës

    Një agjent francez i modës, me lidhje të afërta me Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur në banesën e tij pranë Parisit.

    Bëhet fjalë për Daniel Siad, 69 vjeç, i cili ishte nën hetim në Francë për dyshime se kishte ndihmuar Epstein në trafikimin dhe abuzimin e grave.

    Prokuroria e Nanterres bëri të ditur se ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e vdekjes së tij. Për këtë rast pritet të kryhet edhe autopsia.

    Siad, ndaj të cilit ishin bërë disa denoncime, përfshirë akuza për përdhunim, ende nuk ishte marrë në pyetje nga hetuesit. Ai i kishte mohuar akuzat dhe kishte deklaruar se dëshironte të dëgjohej për të dhënë versionin e tij.

    Emri i tij ishte përmendur në më shumë se 1 mijë dokumente të publikuara nga dosjet e deklasifikuara të Epstein.

    Në vitin 2014, Siad i kishte shkruar Epstein për përpjekjet e tij për të gjetur modele të reja, duke i krahasuar ato me peshkimin.

    Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual, vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin. Ndërsa agjenti francez i modës Jean-Luc Brunel, i akuzuar gjithashtu për lidhje me rrjetin e Epstein, u gjet i vdekur në një burg francez në vitin 2022.

  • Kurti: Opinioni i GJND-së i dha fund pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës

    Kurti: Opinioni i GJND-së i dha fund pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës.

    Kurti tha se opinioni i 22 korrikut 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë fund, sipas tij, një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.

    “Ky opinion riafirmoi një parim me vlerë universale: e drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë apo për ta bërë historinë të pakthyeshme, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar. Kur e drejta interpretohet me integritet, ajo nuk bëhet pengesë për lirinë, por garanci e saj”, ka shkruar Kurti.

    Ai theksoi se për Kosovën ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit ndërkombëtar, ndërsa për bashkësinë ndërkombëtare përbënte një sqarim të rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë.

    Kurti shtoi se mbrojtja e kësaj trashëgimie bëhet përmes forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës.

    Në fund të reagimit, ai kujtoi se opinioni këshillëdhënës u shpall nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, profesori Hisashi Owada, i cili vitin e kaluar u nderua nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e tij në të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e paqes globale.