ATV

Blog

  • OpenAI thotë se inteligjenca e saj artificiale veproi jashtë parashikimeve dhe kreu një sulm kibernetik ‘të paprecedentë

    OpenAI thotë se inteligjenca e saj artificiale veproi jashtë parashikimeve dhe kreu një sulm kibernetik ‘të paprecedentë

    OpenAI ka zbuluar se disa nga modelet e saj më të përparuara të IA-së u mashtruan dhe hakuan një startup pasi humbi kontrollin mbi to gjatë një testi sigurie, ka raportuar BBC.

    Krijuesi i ChatGPT tha se agjenti i tij – një sistem IA që mund të veprojë vetëm pas udhëzimit njerëzor – po testohej në një mjedis të kontrolluar, por, pasi gjeti dobësi, arriti t’i shpëtonte kufijve të testit.

    Ata shënjestruan Hugging Face, një nga qendrat më të mëdha në botë për ndarjen e modeleve të IA-së, duke fituar akses në disa sisteme të brendshme të kompanisë.

    OpenAI tha se incidenti ishte “i paprecedentë” dhe po kryente një hetim së bashku me Hugging Face, shefi i të cilit Clement Delangue tha në një postim në X se ishte “e pabesueshme që e gjithë kjo ndodhi në mënyrë autonome”.

    “Hetimi është duke vazhduar dhe ne do të ndajmë më shumë mësime nga ajo që mund të jetë incidenti i parë i këtij lloji”, shtoi Delangue.

    Një zëdhënës i qeverisë tha se Instituti i Sigurisë së IA-së i Mbretërisë së Bashkuar po studionte sjelljen nga sistemi i IA-së i parë në incident dhe po vazhdonte të punonte me OpenAI dhe laboratorë të tjerë për të përmirësuar mbrojtjet.

    Ata thanë se organizatat duhet të forcojnë mbrojtjen e tyre kibernetike duke ndërmarrë hapa të tillë si regjistrimi në skemën e certifikimit Cyber ​​Essentials të mbështetur nga qeveria.

  • Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur

    Elshani: Kthimi në punë i policëve të dorëhequr, është i pamundur

    Policia e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në shërbim të policëve të nacionalitetit serbë që dhanë dorëheqje në fund të vitit 2022.

    Katër vjet pas largimit të tyre nga institucionet e Kosovës, autoritetet policore thonë se dorëheqjet ishin pranuar dhe procedura është përmbyllur.

    Këtë qëndrim e rikonfirmoi për KosovaPress zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai tha se dorëheqjet e tyre janë pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, çka nënkupton se statusi i tyre si zyrtarë policorë ka përfunduar.

    “Në momentin që ata e marrin vendimin në dorë, ata nuk janë më policë të Kosovës”, deklaroi Elshani.

    KosovaPress ka kërkuar qëndrim edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje zyrtare.

    Përveç policëve, në fund të vitit 2022 dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhanë edhe dhjetë prokurorë serbë, dhjetëra gjyqtarë dhe 22 punonjës të administratës së sistemit të drejtësisë.

    Pas gati katër vjetësh, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë kanë kërkuar rikthimin në vendet e tyre të punës, duke argumentuar se dorëheqjet e tyre nuk ishin trajtuar.

    Megjithatë, më 20 korrik 2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për rikthim në sistemin prokurorial. Një ditë më pas, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

    KPK-ja ka bërë të ditur se ka pranuar rreth 20 e-maile nga ish-prokurorë dhe staf mbështetës serb që kanë kërkuar rikthimin, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka bërë të ditur sa kërkesa ka pranuar nga gjyqtarët.

    Çështja e rikthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë u diskutua edhe në konferencën e organizuar më 16 korrik në Mitrovicën e Veriut nga Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC).

    Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, deklaroi se qarkullojnë informacione se gjyqtarët dhe prokurorët mund të rikthehen, duke theksuar se komuniteti ka nevojë për shërbimet e tyre.

    Drejtori i ACDC-së, Dushan Radakoviq, u shpreh optimist se ata mund të rikthehen në zyrat e tyre më 1 shtator të këtij viti.

    Në anën tjetër, avokati dhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, vlerësoi se rikthimi i tyre do të ishte në interes të funksionimit të drejtësisë dhe integrimit të komunitetit serb, duke e cilësuar dorëheqjen e vitit 2022 si vendim politik të Listës Serbe dhe të autoriteteve në Beograd.

    Ndryshe nga ky qëndrim, avokati Lubomir Pantoviq tha se nuk beson se rikthimi do të ndodhë, megjithëse shtoi se do të dëshironte një zhvillim të tillë.

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, argumentoi se gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u ishin miratuar dorëheqjet në kohën kur ato ishin dorëzuar, gjë që, sipas tij, ua kishte lënë të hapur mundësinë për rikthim. Ai theksoi se kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, pasi kompetencën për ta trajtuar e kanë ekskluzivisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

    Dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës u shpallën më 5 nëntor 2022 në një takim të organizuar nga Lista Serbe në Mitrovicën e Veriut, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe. Procesi i integrimit të tyre në institucionet e Kosovës kishte nisur vite më parë në kuadër të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.

  • LVV organizon takim me mërgatën më 1 gusht në Prishtinë, merr pjesë edhe Albin Kurti

    LVV organizon takim me mërgatën më 1 gusht në Prishtinë, merr pjesë edhe Albin Kurti

    Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se më 1 gusht do të organizojë një takim me bashkatdhetarët në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të mbledhë simpatizantë, anëtarë, aktivistë dhe pjesëtarë të mërgatës në pritjen tradicionale që organizohet gjatë sezonit të ardhjes së diasporës në Kosovë.

    Në këtë takim do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Aktiviteti pritet të nisë në orën 20:00, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë së bashku me familjet dhe miqtë e tyre.

  • Testi i drogës, deputetja Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

    Testi i drogës, deputetja Kadrijaj: Ka politikanë që e përdorin, shihen prej sjelljeve

    Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka deklaruar se beson se në politikën kosovare ka persona që përdorin substanca narkotike.

    E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Kadrijaj ka komentuar iniciativën e partisë së saj për testimin e deputetëve për përdorim të drogës.

    Ajo bëri të ditur se i është nënshtruar vetë testit dhe se rezultati ka dalë negativ.

    “Mendoj që nuk është i dinjitetshëm dikush që konsumon drogë me qenë në nivele të larta vendimmarrëse. Po i sfidoj, bëjeni, sikur që e bëra unë. Ne e dimë sipas statistikave që është në rritje ky fenomen në Kosovë, sidomos te fëmijët”, tha Kadrijaj.

    E pyetur nëse mendon se ka politikanë që përdorin drogë, deputetja e zgjedhur e AAK-së u përgjigj pozitivisht.

    “Mendoj që po, mendoj që ka njerëz që e përdorin drogën, shihen prej sjelljeve, prej gjesteve”, deklaroi ajo.

    Kadrijaj nuk përmendi emra konkretë, ndërsa deklaratat e saj vijnë në kohën kur iniciativa për testimin e deputetëve për përdorim të substancave narkotike ka hapur debat në skenën politike në Kosovë.

  • FIFA do t’u paguajë klubeve 305.3 milionë euro për lirimin e lojtarëve në Kupën e Botës 2026

    FIFA do t’u paguajë klubeve 305.3 milionë euro për lirimin e lojtarëve në Kupën e Botës 2026

    FIFA ka konfirmuar shumën që klubet do të përfitojnë si kompensim për lirimin e lojtarëve të tyre për të përfaqësuar kombëtaret në Kupën e Botës 2026.

    Në kuadër të Programit të Përfitimeve për Klubet të FIFA-s, klubet do të kompensohen për çdo futbollist që ka qenë me kombëtaren e tij gjatë periudhës së Kupës së Botës, nga 1 qershori deri më 19 korrik 2026.

    Kompensimi është caktuar në 4 mijë e 300 euro për lojtar në ditë.

    Shuma do të shpërndahet në mënyrë proporcionale mes klubeve që futbollisti ka përfaqësuar gjatë dy sezoneve të fundit.

    Në total, FIFA ka ndarë një fond prej 305 e 3 milionë eurosh për këtë program në Kupën e Botës 2026, duke shpërblyer klubet që kanë vënë në dispozicion lojtarët e tyre për kombëtaret gjatë turneut.

  • Policia e Kosovës paralajmëron për e-mail të rremë në emër të drejtorit të Përgjithshëm

    Policia e Kosovës paralajmëron për e-mail të rremë në emër të drejtorit të Përgjithshëm

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar informacione lidhur me shpërndarjen e një e-maili jozyrtar dhe të rremë, i cili pretendohet se është dërguar në emër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

    Sipas Policisë, në disa adresa elektronike është dërguar një shkresë mashtruese, përmes së cilës kërkohet përgjigje urgjente ndaj një “urdhri të gjykatës” të pretenduar, i cili thuhet se është bashkëngjitur në e-mail.

    Në mesazhin e rremë thuhet: “Me këtë rast, na duhet përgjigjja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkangjitur kundër jush”, ndërsa në bashkëngjitje ndodhet një tjetër dokument, i cili po ashtu është fals.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke trajtuar rastin dhe po punon për të identifikuar burimin nga i cili është dërguar kjo shkresë.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta injorojnë këtë e-mail dhe të mos e hapin dokumentin e bashkëngjitur, pasi përmbajtja e tij është mashtruese.

    “Policia e Kosovës, ashtu siç ka njoftuar edhe më parë lidhur me mesazhet mashtruese, njofton sërish qytetarët se: KY MESAZH NUK ËSHTË ZYRTAR”, thuhet në njoftim.

    Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

    Në rast se pranojnë mesazhe të tilla, qytetarët këshillohen që t’i fshijnë menjëherë, t’i raportojnë te autoritetet përkatëse dhe, nëse kanë ndarë të dhëna bankare, të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre.

    Rastet e tilla mund të raportohen përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192.

    Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve online dhe të mos bien pre e mesazheve të dyshimta që mund të përdoren për vjedhjen e të dhënave personale ose financiare.

  • Përparim Rama del me sqarim për shtëpinë në Rrugën A: Është pa leje dhe në pronë të Komunës

    Përparim Rama del me sqarim për shtëpinë në Rrugën A: Është pa leje dhe në pronë të Komunës

    Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë disa sqarime për shtëpinë në Rrugën A e cila është në rrezik për t’u shembur.

    Rama ka thënë se prona në fjalë është e komunës dhe ka kërkuar nga personi i cili të martën s’ka lejuar shembjen e shtëpisë që të mos rrezikojë jetën duke hyrë në atë zonë.

    Ai ka treguar gjithashtu se nga ajo zonë janë evakuuar disa familje para dy vitesh, të cilave po vazhdohet t’iu paguhet qiraja.

    Reagimi i plotë i Ramës:

    Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe ❌ rrezikut të rrëshqitjes së dheut.

    Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.

    Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve ❌ dhe është pronë komunale.

    Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!

  • Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

    Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

    Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ka realizuar inspektime në gjashtë kantiere ndërtimi në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës.

    Gjatë inspektimeve, IQP njofton janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    “Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në gjashtë kantiere ndërtimi – tre në Fushë Kosovë dhe tre në Prishtinë – deri në eliminimin e plotë të të gjitha parregullsive të evidentuara”, thekson njoftimi.

    “Masat e ndërmarra kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për të gjithë punëtorët. Subjektet e inspektuara janë obliguar të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për përmbushjen e kërkesave ligjore, ndërsa rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë eliminuar rreziqet dhe janë përmbushur standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thotë IQP.

    “Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.Njëkohësisht, Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm”, përfundon njoftimi.

  • Mbi 10 mijë euro të padeklaruara zbulohen në Vërmicë, konfiskohet një pjesë e shumës

    Mbi 10 mijë euro të padeklaruara zbulohen në Vërmicë, konfiskohet një pjesë e shumës

    Një rast i mjeteve monetare të padeklaruara është zbuluar gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku një automjet me targa vendore është ndaluar për kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë.

    Sipas Doganës së Kosovës, automjeti ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve për shkak të mënyrës së hyrjes në pikën kufitare, ndërsa gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i mjetit posedonte një shumë parash që tejkalonte kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, pa e deklaruar atë.

    Pas verifikimeve, autoritetet kanë zbatuar masat e parapara me ligj dhe kanë konfiskuar 25 për qind të shumës së padeklaruar. Për pjesën tjetër të mjeteve monetare është kërkuar dokumentacion që dëshmon prejardhjen e ligjshme të tyre.

    Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe do të vazhdojë të trajtohet në kuadër të procedurave administrative për përcaktimin e plotë të rrethanave.

    Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo udhëtar që bart 10 mijë euro ose më shumë në para të gatshme apo mjete të tjera monetare është i obliguar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve përkatëse, pasi mosdeklarimi sjell pasoja ligjore.

  • Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohen për vjedhje nga automjetet në disa rajone të Kosovës

    Arrestohen tre persona në Obiliq, dyshohen për vjedhje nga automjetet në disa rajone të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve nga automjetet.

    Sipas njoftimit, arrestimi është realizuar nga hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit pas veprimeve intensive hetimore.

    Të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke përdorur vetura me qira për kryerjen e veprave penale.

    Ata dyshohet se kanë hyrë në parkingje të restoranteve gjatë ahengjeve dhe organizimeve familjare, ku kanë identifikuar automjete të pambyllura dhe më pas kanë vjedhur para dhe sende të tjera me vlerë.

    Nga hetimet e deritanishme, Policia dyshon se të arrestuarit nuk kanë vepruar vetëm në rajonin e Prishtinës, por edhe në zona të tjera të Kosovës.

    Hetuesit e Stacionit Policor të Obiliqit, në koordinim me njësitë hetimore të rajoneve të tjera dhe Prokurorinë, po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rasteve.

    Me vendim të prokurorit, tre personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre po vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.