ATV

Blog

  • Manchester City përfituesi më i madh nga fondi i FIFA-s pas Kupës së Botës 2026

    Manchester City përfituesi më i madh nga fondi i FIFA-s pas Kupës së Botës 2026

    Manchester City pritet të jetë klubi që do të përfitojë më së shumti financiarisht nga Programi i Përfitimeve për Klubet i FIFA-s pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    Sipas vlerësimeve, kampioni anglez do të arkëtojë rreth 4.4 milionë dollarë (3.86 milionë euro), falë pjesëmarrjes së gjashtë futbollistëve të tij në fazat finale të turneut.

    Pas Cityt renditet Barcelona, ndërsa Bayern Munichu dhe Arsenali plotësojnë katërshen e klubeve që pritet të marrin përfitimet më të mëdha. Edhe pse Arsenali pati një numër të konsiderueshëm lojtarësh në Botëror, pagesa e tij pritet të jetë disi më e ulët për shkak të finales së vonë të Ligës së Kampionëve.

    Ndërkohë, Crystal Palace është surpriza e listës, duke u renditur si klubi i tretë anglez me përfitimet më të larta nga ky program.

    FIFA ka vendosur një fond rekord prej 355 milionë dollarësh për Programin e Përfitimeve për Klubet, ku 250 milionë dollarë janë ndarë vetëm për fazën finale të Kupës së Botës.

    Shpërblimet llogariten mbi bazën e rreth 5 mijë dollarëve për çdo lojtar, për çdo ditë që ai kalon me kombëtaren gjatë turneut.

    Edhe këtë herë, klubet evropiane do të përfitojnë pjesën më të madhe të fondit, megjithatë zgjerimi i Kupës së Botës në 48 kombëtare ka bërë që pagesat të shpërndahen te një numër më i madh klubesh nga e gjithë bota.

    FIFA pritet të publikojë shifrat zyrtare dhe përfundimtare të këtyre pagesave në muajt e ardhshëm.

  • 22 korriku 2010, Osmani: Momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

    22 korriku 2010, Osmani: Momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e ka kujtuar si momentin e dështimit të Serbisë.

    Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjithë ekipin me të cilin punuan për këtë rezultat historik.

    “Momenti i dështimit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

    22 Korrik 2010, Hagë.

    Mirënjohje për të gjithë ekipin me të cilin punuam bashkë për këtë rezultat historik për Republikën tonë.”

  • “Ah bre Shaban, pse më le”, dhimbja e vëllait pas vdekjes së policit nga Prizreni

    “Ah bre Shaban, pse më le”, dhimbja e vëllait pas vdekjes së policit nga Prizreni

    Vdekja e zyrtarit të NJRSh-së, Shaban Hajdari, ka lënë në pikëllim të thellë familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

    35-vjeçari nga Prizreni, i cili u gjet i pajetë pranë varrezave të fshatit Morinë në Kukës, është kujtuar me dhimbje nga vëllai i tij, Egzoni, përmes një postimi prekës në rrjetin social Facebook, raporton Klankosova.tv.

    “Ah bre Shaban, o krahu im i djathtë, pse më le?”, ka shkruar vëllai i të ndjerit, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e tij.

    Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes tragjike të zyrtarit policor nga Prizreni janë ende duke vazhduar.

    Policia e Kosovës del me deklaratë zyrtare për vdekjen e zyrtarit policor në Morinë

  • Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, duhet të mbetet betejë e tij me votuesit e tij

    Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, duhet të mbetet betejë e tij me votuesit e tij

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, pas kërkesës për mocion ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke bërë thirrje për unitet dhe shmangie të përçarjeve.

    Haziri tha se çështja mes Abdixhikut dhe nënshkruesve të mocionit duhet të mbetet një proces i brendshëm i partisë.

    “Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, shkroi Haziri.

    Ai kritikoi ata që, sipas tij, po e shfrytëzojnë situatën për pozicionime personale politike, duke theksuar se debatet publike nuk i shërbejnë të ardhmes së LDK-së.

    “Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së”, tha ai.

  • Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje

    Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje

    Një 25 vjeçar me inicialet M.P, është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar për dëmtimin e dy automjeteve me gurë, ndërsa ndaj tij ishte aktiv edhe një urdhërarrest nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

    Sipas Policisë, ai figuron gjithashtu si i dyshuar në 10 raste të tjera penale, përfshirë një rast të vrasjes, nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, sulm ndaj personit zyrtar dhe posedim të paautorizuar të armëve.

    “Me datë 20.07.2026, Policia në Veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale ‘Dëmtim apo asgjësim i pronës’. Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.

    Organet e rendit bëjnë të ditur se i dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, por pas lokalizimit të tij në Mitrovicën e Veriut u arrestua, ndonëse tentoi sërish të ikte.

    “Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë”, njofton Policia.

    Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, M.P. ka pranuar se i kishte dëmtuar automjetet.

    Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

    “Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

  • Wizz Air hap bazën operative në Prishtinë, investon rreth 100 milionë dollarë

    Wizz Air hap bazën operative në Prishtinë, investon rreth 100 milionë dollarë

    Kompania ajrore Wizz Air do ta hapë nga nëntori i këtij viti bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e bërë Kosovën një nga qendrat e saj të operimit në rajon. Me vendosjen e një avioni Airbus A321neo, investimi pritet të rrisë lidhjet ajrore të vendit, të zgjerojë mundësitë e udhëtimit dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe shtimit të kapaciteteve të fluturimeve.

    Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi vendimin e Wizz Air si dëshmi të besimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

    Në kontekstin rajonal viteve të fundit, Kurti tha se aeroporti i Prishtinës është rritur me dinamikë të lartë.

    Numri i udhëtarëve ka shënuar 4.6 milionë udhëtarë.

    Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën në Prishtinë është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend i besueshëm për investime.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi i kompanisë ajrore Wizz Air për ta vendosur bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është një dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend i besueshëm për investime dhe me potencial për t’u integruar në rrjetet evropiane të transportit.

    Këto komente Kurti i bëri në ceremoninë e hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin e Prishtinës, ku u bë e ditur se kompania do të vendosë një avion Airbus A321neo dhe do të hapë 40 vende të reja pune.

    “Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha Kurti.

    Ai e cilësoi bazën e re dhe avionin me kapacitet prej 239 ulësesh si një investim të rëndësishëm për vendin.

    “Kjo bazë e re dhe avioni me kapacitet prej 239 ulësesh janë investim i rëndësishëm dhe tregues se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për industrinë ndërkombëtare të aviacionit”, u shpreh ai.

    Kurti tha se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve, duke iu afruar shifrës prej pesë milionë pasagjerësh.

    “Numri i udhëtarëve ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja. Është 4.6 milionë, po i afrohemi ngadalë, por sigurt edhe shifrës prej pesë milionë pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, deklaroi ai.

    Sipas Kurtit, krahas rritjes së numrit të udhëtarëve, synim duhet të mbetet edhe ofrimi i biletave me çmime më të përballueshme.

    “Ne jemi të interesuar që numri i udhëtarëve, i cili po rritet, të shoqërohet edhe me bileta sa më të lira, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i përballueshëm. Kjo është shenjë se qytetarët tanë udhëtojnë më shumë, mërgata po e viziton më shpesh vendlindjen, por edhe se numri i turistëve po shtohet”, tha ai.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Wizz Air, Andras Szabo, bëri të ditur se baza e re do të nisë operimin në nëntor të vitit 2026 dhe se investimi kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve.

    “Do të vendosim këtu një avion Airbus A321neo, gjë që do të krijojë 40 vende të reja pune për qytetarët e Kosovës. Ky është një investim me vlerë rreth 100 milionë dollarë”, tha Szabo.

    Ai njoftoi gjithashtu për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve nga Prishtina, me linja të reja drejt Bruksel Charleroi dhe Karlsruhe/Baden-Baden, si dhe me rritje të frekuencës së fluturimeve drejt Bazelit dhe Dortmundit.

    Edhe drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Süreyya Gökhan Açıkgöz, e cilësoi hapjen e bazës së Wizz Air si një moment të rëndësishëm për aviacionin dhe ekonominë e Kosovës.

    “Ky është shumë më tepër sesa ardhja e një avioni të ri. Është një shprehje e qartë e besimit në Kosovë, në qytetarët tanë, në tregun tonë dhe në mundësitë që na presin në të ardhmen”, tha ai.

    Sipas tij, hapja e bazës së Wizz Air do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve ajrore, zhvillimin e turizmit, tregtisë, investimeve dhe ekonomisë së vendit.

  • Pas renovimit, nis punën shërbimi i vaksinimit në QMF në “Bregun e Diellit” në Prishtinë

    Pas renovimit, nis punën shërbimi i vaksinimit në QMF në “Bregun e Diellit” në Prishtinë

    Shërbimi i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) 6 në “Bregun e Diellit”, në Prishtinë ka rifilluar punën pas renovimit të hapësirave, të cilat tashmë ofrojnë kushte më moderne, më funksionale dhe qasje më të lehtë për qytetarët.

    Shërbimi i vaksinimit është zhvendosur në katin përdhes të objektit, duke ua lehtësuar qasjen veçanërisht prindërve që sjellin fëmijët me karroca.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se investimi në këtë qendër është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në kryeqytet.

    “Pas renovimit, shërbimi i vaksinimit në QMF 6 – Bregu i Diellit ka nisur punën në hapësira moderne dhe më funksionale. Ky shërbim tashmë është në katin përdhes, për t’ua lehtësuar qasjen prindërve që sjellin fëmijët me karroca”, ka thënë Rama.

    Ai ka theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën shëndetësore, duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve që marrin shërbime në këtë qendër.

    “Vetëm në këtë qendër administrohen rreth 17 mijë vaksina. Përmirësimi i infrastrukturës është një investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Rama.

    Me hapësirat e reja, QMF 6 synon të ofrojë kushte më të mira për profesionistët shëndetësorë dhe shërbime më të qasshme e më cilësore për qytetarët e Prishtinës.

  • Paralajmërimet për stuhi, IKSHPK jep rekomandime për qytetarët

    Paralajmërimet për stuhi, IKSHPK jep rekomandime për qytetarët

    Pasi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), për sot ka paralajmëruar stuhi lokale me bubullima, me rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, edhe Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dal me disa rekomandon për qytetarët.

    Sipas IKSHPK-së për të mbrojtur veten dhe familjen tuaj gjatë stuhive me rrufe qytetarët duhet të hyjnë menjëherë në një ndërtesë tëmbyllur ose në një automjet, të shmangni qëndrimin në fusha të hapura, të mos qëndroni nën pemë, pranë shtyllave elektrike, etj.

    Më poshtë i keni rekomandimet nga IKSHPK:

  • Një shqiptar shpëton biznesmenin serb pas incidentit në fluturimin Selanik-Memmingen, çifti rrëfehen për “The Guardian”

    Një shqiptar shpëton biznesmenin serb pas incidentit në fluturimin Selanik-Memmingen, çifti rrëfehen për “The Guardian”

    Një pasagjer shqiptar është kthyer në heroin e një ngjarjeje që mund të kishte përfunduar në tragjedi, pasi ndihmoi në shpëtimin e një burri që për pak u thith jashtë një avioni të Ryanair gjatë një fluturimi nga Selaniku drejt Memmingenit të Gjermanisë.

    Njëmbëdhjetë ditë pas incidentit, 61-vjeçari Ljubisha Karovic rrëfeu për The Guardian momentet e tmerrit që përjetoi kur dritarja pranë sediljes së tij u shkatërrua pas humbjes së presionit në kabinë.

    “Shpërthimi është ajo që mbaj mend. Është zhurma para kaosit, zhurma që e dëgjoj sa herë mbyll sytë për të fjetur,” tha ai.

    Karovic ndodhej në ulësen pranë dritares kur u tërhoq jashtë avionit deri në pjesën e kraharorit dhe humbi ndjenjat. Ai mbijetoi falë rripit të sigurimit dhe reagimit të menjëhershëm të pasagjerëve.

    Gruaja e tij, Svetlana Grkovic, tregoi se një pasagjer shqiptar luajti një rol vendimtar në shpëtimin e bashkëshortit.

    “Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Ai bëri gjithçka për ta tërhequr brenda dhe më pas u përpoq të mbyllte dritaren. Fillimisht me një çantë, që u thith jashtë, pastaj me një valixhe, e cila funksionoi. Do t’i jemi përjetësisht mirënjohës.”

    Sipas saj, bashkëshorti i saj kishte mbetur “gjysmë brenda e gjysmë jashtë avionit” për rreth dy minuta, ndërsa ajo shpreson ta takojë një ditë shqiptarin për ta falënderuar personalisht.

    Karovic pësoi dëmtime në kokë, qafë dhe krah, por thotë se ndihet me fat që është gjallë.

    “Jam me fat. Ende më dhemb koka dhe qafa, por jam gjallë. Ndoshta më shpëtoi rripi i sigurimit. Ndoshta ishte fati. Besoj në Zot dhe e falënderoj çdo ditë.”/Euronews.al/

  • Policia e Kosovës del me deklaratë zyrtare për vdekjen e zyrtarit policor në Morinë

    Policia e Kosovës del me deklaratë zyrtare për vdekjen e zyrtarit policor në Morinë

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se zyrtari policor i gjetur sot pa shenja jete në fshatin Morinë të Kukësit ishte pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren.
    Sipas deklaratës zyrtare, më 22 korrik 2026, Policia e Kosovës është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet SH.H., 35 vjeç, banues në Prizren.

    “Sot, më datë 22.07.2026, Policia e Kosovës është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet SH.H., 35 vjeç, banues në Prizren. Pas pranimit të informatës, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës. Është konfirmuar se viktima ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Sipas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka kryer vetëvrasje me armë zjarri (pistoletë), e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga autoritetet kompetente”.

    Pas marrjes së njoftimit, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës. Më pas është konfirmuar se ai ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.

    Sipas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e vetëvrasjes me armë zjarri (pistoletë). Arma është sekuestruar nga autoritetet kompetente në cilësinë e provës materiale.