ATV

Blog

  • KGJK të premten shqyrton kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    KGJK të premten shqyrton kërkesën e Haxhiut për t’i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se ka caktuar takimin e radhës për të premten e 24 korrikut 2026, në të cilin në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.

    Kjo pikë e rendit të ditës është renditur e nënta nga 16-të sa janë gjithsej, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

    “Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.

    Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tëheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d Presidentja për lirim nga detyra.

    Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.

    Vendimi i KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.

    “BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagim. /BetimipërDrejtësi/

  • FSK angazhohet për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës

    FSK angazhohet për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar njësitë e saj për ndërhyrje në fshatin Sferkë të Komunës së Pejës, pas shpërthimit dhe përhapjes së një zjarri me përmasa të mëdha në deponinë e mbeturinave të kësaj zone.

    Sipas njoftimit të FSK-së, pas pranimit të kërkesës nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative e FSK-së ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve për reagim.

    “Pas analizës përkatëse, me urdhër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar në terren njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare me kapacitetet e saja për intervenim në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Operacioni, sipas FSK-së, ka nisur menjëherë me qëllim të izolimit të vatrës së zjarrit, parandalimit të ndotjes toksike të mjedisit dhe shmangies së pasojave për shëndetin publik.

    “Njësitë tona po punojnë në koordinim të ngushtë me autoritetet qendrore, lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për të kthyer situatën në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, ka bërë të ditur FSK-ja.

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka theksuar se mbetet e angazhuar për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës, në përputhje me detyrat dhe misionin e saj.

  • Stuhia e fuqishme rrëzoi minaren e Xhamisë në fshatin Temeqinë të Malishevës, BIK atje vjen me reagim

    Stuhia e fuqishme rrëzoi minaren e Xhamisë në fshatin Temeqinë të Malishevës, BIK atje vjen me reagim

    Stuhitë e fuqishme që kanë përfshirë vendin, e veçanërisht territorin e Komunës së Malishevës, kanë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Xhamisë së Temeqinës.

    Përmes një njoftimi, Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë bëri të ditur se objekti i xhamisë ka pësuar dëmtime si pasojë e motit të lig, ndërsa theksoi se nuk ka pasur të lënduar.

    “Si pasojë e motit dhe stuhive të fuqishme që kanë goditur vendin tonë, e në veçanti territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Xhamisë së Temeqinës”, thuhet në njoftim.

    Këshilli i Bashkësisë Islame shprehu keqardhje për dëmet e shkaktuara, duke falënderuar që ngjarja nuk pati pasoja për qytetarët.

    “Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë shpreh keqardhje për këto dëme dhe falënderon Zotin që, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga kushtet atmosferike, nuk pati pasoja në njerëz”, thuhet më tej.

    Nga BIK-u në Malishevë u bë e ditur se do të qëndrojnë pranë xhematit të Xhamisë së Temeqinës dhe do të angazhohen për evidentimin dhe sanimin e dëmeve.

    “Ne jemi pranë xhematit të kësaj xhamie dhe do të angazhohemi që dëmet e shkaktuara të evidentohen dhe, me mundësitë tona, të sanohen sa më shpejt nga organet kompetente”, thuhet në reagim.

    Në fund të njoftimit, Këshilli i Bashkësisë Islame ka lutur për mbrojtjen e vendit nga fatkeqësitë natyrore dhe ka shprehur shpresën që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

    “Lusim Allahun e Madhëruar që ta ruajë vendin dhe popullin tonë nga çdo fatkeqësi, t’i mëshirojë ata që janë prekur nga këto ngjarje dhe të na dhurojë siguri, begati e qetësi. Urojmë që këto stuhi e dëme të mos përsëriten më dhe që Zoti të na mbrojë nga çdo e keqe”, përfundon njoftimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë.

  • Pas BE-së dhe Gjermanisë, reagon edhe Italia për rrënimin e vilave në Ujman

    Pas BE-së dhe Gjermanisë, reagon edhe Italia për rrënimin e vilave në Ujman

    Gjatë ditës së djeshme, një sërë ekskavatorësh, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

    Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

    Për këto veprime, kanë reaguar BE-ja dhe Gjermania, e tash edhe Italia.

    Përmes ambasadës së saj në Kosovës, Italia është shprehur e shqetësuar për veprimet e institucioneve të Kosovës.

    “Ambasada e Italisë në Prishtinë i bashkohet BE-së në shprehjen e brengës për rrënimin e shtëpive në Liqenin e Ujmanit”, ka thënë Ambasada italiane në Facebook.

    Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

  • Gjermania e shqetësuar me rrënimin e shtëpive pranë Ujmanit

    Gjermania e shqetësuar me rrënimin e shtëpive pranë Ujmanit

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësim për shembjen e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit, duke iu bashkuar qëndrimit të Bashkimit Evropian.

    “Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ndan shqetësimet e shprehura nga BE-ja. Jemi thellësisht të shqetësuar për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit. Respektimi i procedurave të rregullta ligjore dhe zbatimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë kjo ambasadë.

    E njëjta ka bërë thirrje për “ndërprerjen e menjëhershme” të këtyre veprimeve dhe ka kërkuar zgjidhje transparente e të ligjshme.

    Reagim për këtë çështje pati edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, e cila ka shprehur keqardhje për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit të martën.

  • Thaçi kërkoi lirim nga burgu e ofroi dorëzani 50 mijë euro, ZPS-ja e do në Hagë: Procedurat po ecin shpejt

    Thaçi kërkoi lirim nga burgu e ofroi dorëzani 50 mijë euro, ZPS-ja e do në Hagë: Procedurat po ecin shpejt

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm të ish-presidentit të Kosovës nga burgu. Sipas kryeprokurores ameriakne, Kimberly West, Thaçi duhet të mbetet në paraburgim.

    “Përparimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i këtij procesi gjyqësor, përfshirë afatin kohor për çdo mocion përfundimtar lidhur me provat, gjithashtu mbështet vazhdimin e paraburgimit të THAÇIT”, thuhet në shkresën e West.

    Gjithashtu prokurorja amerikane ka përmendur rrezikun për kryerjen e veprave të tjera penale dhe ndëhryjen në procedura.

    “Konstatimet e vazhdueshme mbi ekzistencën e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b) që i atribuohen THAÇIT në këtë çështje mbeten të vlefshme. Ato janë bërë mbi bazën e një numri të madh faktorësh të arsyetuar dhe të individualizuar, dhe asnjë kusht i mundshëm për lirimin e tij nuk mund t’i zbusë ato në mënyrë të mjaftueshme”, shkruan dokumenti i ZPS-së.

  • Facebook nuk po funksionon: Mijëra përdorues raportojnë probleme

    Facebook nuk po funksionon: Mijëra përdorues raportojnë probleme

    Mijëra përdorues në mbarë botën raportuan probleme me aksesin në Facebook të mërkurën pasdite.

    “Po punojmë për ta zgjidhur këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në një mesazh në Facebook.

    Sipas të dhënave nga faqja e internetit Downdetector, mijëra përdorues raportuan ndërprerje në Facebook.

    Shumica e problemeve lidheshin me hyrjen përmes aplikacionit dhe faqes së internetit, ndërsa disa përdorues raportuan se postimet e tyre nuk po ngarkoheshin ose se faqja po hapej ngadalë.

    Meta, kompania që zotëron Facebook, ende nuk ka komentuar zyrtarisht.

  • Rrënimi i vilave pa leje në Ujman, reagon Bashkimi Evropian

    Rrënimi i vilave pa leje në Ujman, reagon Bashkimi Evropian

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për siç thonë rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit.

    Në reagim thuhet se rrënimi ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës.

    “BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.

    Tutje bëhet thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur.

    “Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.

    Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësishtë brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit.

    Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, thuhet më tej. /Telegrafi/

  • ​Yll Limani bashkë me Përparim Ramën dhuron instrumente për shkollën “Prenk Jakova”

    ​Yll Limani bashkë me Përparim Ramën dhuron instrumente për shkollën “Prenk Jakova”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe këngëtari i mirënjohur, Yll Limani kanë dhuruar disa instrumente si donacion për shkollënë e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

    Rama tha se komuna po investon edhe në art e kulturë dhe se e ardhmja do të jetë më e ndritshme për brezat e rinj, duke falënduar këngëtarin për kontributin e bërë.

    “Po unë veç dua me e falënderu shumë Yllin për kontributin e mrekullueshëm që ia ka bërë shkollës Prenk Jakova. Edhe tash me iniciativën e fundit kemi pasur koncertin e mrekullueshëm të Yllit, pra në këtë muaj. Po ashtu me i treguar që kryeqyteti, përveç shtrimit të asfaltit, rregullimit të kanalizimit e shumë e shumë të tjera që duhet me i kry komuna, po ashtu investon edhe në art e kulturë. Edhe jemi shumë krenarë që në këtë aspekt e kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm me Yllin për me i ndihmuar edhe talentët e rinj në kryeqytet. Pra që e ardhmja jonë të jetë edhe më e ndritshme për brezat e rinj”, tha Rama.

    Ndërsa, artisti Yll Limani tha se kjo nuk do të jetë mbëhtetja e vetme për këtë shkollë, duke u shprehur optimist se do të krijohen më shumë kushte dhe mundësi për talentët e rinj.

    “Ajo ka qenë më e pakta që kemi mundur me bërë. Atë çka kemi mundur me gjetë, me i sistemu gjërat rregullisht për atë sallë të shkollës, e kemi bërë. S’ka me qenë ajo gjëja e fundit që kemi me bërë për shkollën Prenk Jakova. Unë besoj që sa më shumë krijohen kushte dhe mundësi që talentët e rinj që po na përcjellin tash me ardhur edhe me u arsimuar e me u edukuar, është më mirë për Prishtinën, për vendin, Kosovën”, shtoi Limani.

    E drejtori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Driton Saqipi tha se ky institucion arsimor ka arritur në nivel artistik shumë të lartë.

    “Jemi e vetmja shkollë artistike në kryeqytet edhe e kemi dëshmuar sidomos viteve të fundit. Kori, orkestra, baleti domethënë kanë arritur në nivel artistik shumë të lartë, kështu që ju falënderojmë për kryetarin, faleminderit edhe për Yllin, sepse me të vërtetë artistët e rinj e meritojnë. Kështu shpresoj që edhe artistët e tjerë kanë me shkuar rrugës njëjtë si Ylli, sepse me të vërtetë kemi nevojë për mbështetje”, tha ai.

    Në mungesë të objektit të vet, shkolla “Prenk Jakova”, ka disa vite që funksionin në hapësirat e ndara ndara nga shkolla e mesme e mjekësisë “Ali Sokoli”

  • Shqipëria dërgon trupa ushtarake në Rumani, javën tjetër vendimi për Gazën

    Shqipëria dërgon trupa ushtarake në Rumani, javën tjetër vendimi për Gazën

    Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë në përbërje të brigadës shumëkombëshe në Rumani.

    Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili theksoi se ky hap përbën një angazhim shtesë të qeverisë shqiptare në kuadër të sigurisë kolektive të NATO-s.

    Sipas ministrit, prania e trupave shqiptare do të shërbejë për forcimin e sigurisë në territorin rumun dhe vjen në vazhdën e pjesëmarrjes së vazhdueshme të Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të Aleancës…

    “Sot në Këshillin e Ministrave u miratua projektvendimi për dërgimin e një toge nga Forcat e Armatosura te brigada shumëkombëshe që ndodhet në Rumani.

    Ky projektvendim është një angazhim shtesë i qeverisë shqiptare në misionet kombëtare. Jam i bindur që ky mision shtesë është në vazhdën e gjithë misioneve të tjera që ne kemi. Angazhimi i trupave tanë do të jetë i tillë që do të forcojë sigurinë në territorin e Rumanisë, është gjithnjë në kuadër të sigurisë kolektive të Aleancës…”, tha Nufi.