ATV

Blog

  • Parttipati: Rugova ishte vizionar i paqes – i mësoi botës se guximi e dinjiteti, janë rrugët drejt lirisë

    Parttipati: Rugova ishte vizionar i paqes – i mësoi botës se guximi e dinjiteti, janë rrugët drejt lirisë

    E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, sot bëri homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

    Ajo e përshkroi Rugovën si një vizionar të paqes dhe theksoi se ai i mësoi botës rrugët e vërteta drejt paqes.

    “E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, iu bashkua Presidentes Vjosa Osmani në nderimin e Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Si një vizionar i paqes, Dr. Rugova i mësoi botës se guximi dhe dinjiteti — jo dhuna — janë rrugët e vërteta drejt lirisë”, deklaroi ajo.

  • Çitaku për protestën e 17 shkurtit: Në ditën e Pavarësisë, nuk do të heshtim – Protestojmë për drejtësi

    Çitaku për protestën e 17 shkurtit: Në ditën e Pavarësisë, nuk do të heshtim – Protestojmë për drejtësi

    Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku iu është bashkuar thirrjes së platformës “Liria ka Emër” për protestën paqësore që do të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, pra me 17 shkurt, e që qëllim ka thirrjen për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ajo ka shkruar se do të protestojnë për drejtësi dhe për ata që Kosovës ia sollën lirinë dhe ndërtuan shtetin.

    “Drejtësi, jo politikë!Në ditën e Pavarësisë, nuk do të heshtim. Protestojmë për drejtësi, për ata që na sollën lirinë dhe që ndërtuan shtetin: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pa politikë. Pa zvarritje. Sepse drejtësia për çlirimtarët është drejtësi për Kosovën.#UÇK”, ka shkruar Çitaku.

  • Trump: E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ec në drejtimin e duhur

    Trump: E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ec në drejtimin e duhur

    Trump thotë se Evropa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shtuar se “pjesë të Evropës janë bërë të panjohura”.

    Sipas tij, “përqendrimi në energjinë e gjelbër dhe migrimi masiv po e lëndojnë Evropën”.

    “E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ecën në drejtimin e duhur,” theksoi Trump në fjalimin e tij, i cili po ndiqet nga përfaqësues të lartë politikë dhe ekonomikë nga mbarë bota e që mbahet në Davos të Zvicrës.

  • “Zootropolis 2” thyen rekorde dhe bëhet filmi më fitimprurës i animuar në Hollywood

    “Zootropolis 2” thyen rekorde dhe bëhet filmi më fitimprurës i animuar në Hollywood

    Filmi i ri i Disney, “Zootropolis 2” (i njohur edhe si “Zootopia 2”), ka arritur të grumbullojë 1.7 miliard dollarë amerikanë, duke e bërë atë filmin më fitimprurës të animuar në historinë e Hollywood-it. Kjo shifër tejkalon suksesin e filmit “Inside Out 2”, i cili në vitin 2024 arriti 1.69 miliard dollarë.

    Alan Berman, bashkëdrejtor në Disney, ka falënderuar fansat në mbarë botën, duke e cilësuar arritjen si një sukses të dedikuar entuziazmit dhe përkushtimit të tyre.

    Filmi renditet i nënti në listën e filmave më fitimprurës të të gjitha kohërave, krahas prodhimeve të njohura si “Titanic” (1997), “Star Wars: The Force Awakens”, “Avengers: Endgame”, dhe franshizës “Avatar”.

    Megjithatë, rekordin absolut për filmat e animuar në nivel global e mban “Ne Zha 2” nga Kina, me 2.2 miliard dollarë.

    Për më tepër, “Zootropolis 2” është gjithashtu produksioni më i shpejtë i animuar në Hollywood që ka arritur shifrën 1 miliard dollarë në arkat globale, duke treguar ndikimin dhe popullaritetin e jashtëzakonshëm të filmit.

  • Haradinaj për ftesën e Trumpit për Osmanin: Është lajm i mirë, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale

    Haradinaj për ftesën e Trumpit për Osmanin: Është lajm i mirë, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vlerësuar lajm të mirë ftesën që Presidenti i Amerikës, Donald Trump i dërgoi Presidentes Vjosa Osmani për të marrë pjesë Bordin e Paqes, e për cka thotë se kjo pjesëmarrje forcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv të paqes dhe stabilitet rajonal dhe global.

    “Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”, ka shkuar Haradinaj.

    Ai më tej thekson se rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare

    “Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, nënvizon ai.

  • Roma i jep lamtumirën stilistit legjendar Valentino

    Roma i jep lamtumirën stilistit legjendar Valentino

    Trupi i stilistit legjendar të modës, Valentino Garavani, është vendosur për homazhe dyditore, ndërsa banorët e Romës dhe adhurues të modës nga mbarë bota po i japin lamtumirën e fundit ikonës që u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare.

    Lajmi i ndarjes së tij nga jeta u konfirmua nga fondacioni Valentino, përmes një deklarate zyrtare të lëshuar pasditen e së hënës, më 19 janar. Në njoftim thuhej se stilisti ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit më të afërt.

    Trupi i tij po qëndron i vendosur nga e mërkura deri të enjten pranë fondacionit të tij në Piazza Mignanelli, ku qytetarë dhe personalitete po bëjnë homazhe. Ceremonia mortore pritet të zhvillohet të premten në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në qendër të kryeqytetit italian.

    Gjatë kësaj periudhe homazhesh, qindra figura të njohura nga bota e modës, politika dhe arti, si dhe qytetarë të zakonshëm, pritet të nderojnë njeriun që shpesh është quajtur “perandori i fundit” i modës italiane.

    Edhe pse koleksionet e tij i prezantoi kryesisht në Paris, Valentino e mbajti gjithmonë atelienë e tij në Romë, qytet me të cilin kishte një lidhje të fortë personale dhe profesionale.

    Kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, e përshkroi Valentino Garavanin si “një nga personalitetet më të shquara dhe më të dashura të Italisë”, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm dhe ndikimin e tij të përhershëm në historinë e modës.

  • Donald Trump arrin në Davos, pritet ta fillojë fjalimin për pak

    Donald Trump arrin në Davos, pritet ta fillojë fjalimin për pak

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikan, Donald Trump, tashmë ka arritur në Davos.

    Atje do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik, gjersa pritet ta fillojë fjalimin e tij para liderëve botërorë në forumin e Davosit në Zvicër pas pak çastesh.

    Trump fillimisht ateroi në Aeroportin e Cyrihut me disa orë vonesë, e më pas udhëtoi për Davos.

    Ai pritet ta përqendrojë fjalimin e sotëm kryesisht në “Amerika e Para”.

  • Ambasada japoneze dhuron grant për Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës

    Ambasada japoneze dhuron grant për Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës

    Të marten, në zyrat e Komunës së Graçanicës u mbajt ceremonia e nënshkrimit të grant kontratës për “Projektin për sigurimin e pajisjeve mjekësore për Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës” në kuadër të ndihmës japoneze të granteve për projektet e sigurisë bazike njerëzore (GGP). Grant kontrata u nënshkrua nga z. Hiroyasu Tanigaki, i ngarkuar me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Z. Novak Zhiviq, kryetar i Komunës së Gracanicës, partnerit zbatues të projektit.

    Z. Tanigaki fillimisht e uroi z. Zhiviq për zgjedhjen e tij si kryetar i ri i komunës dhe i uroi suksese në zbatimin e politikave në dobi të qytetareve të Graçanicës. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për mbështetjen e Qendrës Diagnostike dhe Komunën e Graçanicës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve në komune dhe rajon.

    Rreth Projektit:

    Projekti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Graçanicës dhe rajonit përreth, duke siguruar pajisje mjekësore në Qendrën Diagnostikuese të Graçanicës. Me instalimin e një analizuesi shtesë imunoanalitik në laboratorin klinik, afërsisht 4,100 pacientë në vit do të jenë në gjendje të marrin diagnozë shumë të saktë, duke lejuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve. Përveç kësaj, duke dhuruar një pajisje terapie me Valë goditjeje radiale ekstrakorporale në Departamentin e fizioterapisë, afërsisht 430 persona në vit do të jenë në gjendje të marrin trajtimin e duhur sipas simptomave të tyre. Vlera totale e projektit është pesëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind euro (59,700 euro).

    Rreth GGP -së:

    Si një nga skemat e Ndihmës zyrtare të Japonisë për zhvillim, GGP ndihmon OJQ-të dhe institucionet publike lokale në përpjekjet e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të ndryshme të zhvillimit socio-ekonomik në nivel bazik. Qëllimi kryesor është të përmirësohen nevojat bazike njerëzore duke targetuar kryesisht fushat e shëndetit, arsimit, mjedisit dhe mirëqenies sociale. Kjo skemë synon të përmbushë nevojat e larmishme të komuniteteve lokale dhe të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e komuniteteve bazë, duke mbështetur drejtpërdrejt aktivitetet e zhvillimit në mënyrë të shpejtë dhe të saktë.

    Në Kosovë, Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para se vendi të fitonte pavarësinë. Deri sot, shuma totale e GGP-së së Japonisë pas pavarësisë arrin në 4,410,415 euro për 66 projekte në të gjithë Kosovën.

  • OBSH alarmon: Proshuta, sallamat e virshllet rrisin rrezikun nga kanceri

    OBSH alarmon: Proshuta, sallamat e virshllet rrisin rrezikun nga kanceri

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka klasifikuar mishrat e përpunuar, përfshirë proshutën, salçiçet dhe mishin e konservuar, në Grupin 1 të kancerogjenëve për njerëzit.

    Ky klasifikim bazohet në prova të mjaftueshme që lidhin konsumimin e këtyre produkteve me rritjen e riskut për kancer kolorektal.

    OBSH nënvizon se proceset e përpunimit të mishit—si kriposja, kurimi, fermentimi dhe tymosja—janë teknikat që e bëjnë këtë ushqim potencialisht të dëmshëm për shëndetin. Konsumimi i vetëm 50 gramëve mish të përpunuar çdo ditë lidhet me një rritje prej rreth 18% të rrezikut për kancer kolorektal, sipas studimeve, shkruan Insajderi.

    Organizata thekson se rreziku nuk vjen nga një recetë apo markë specifike, por nga teknologjia ushqimore e përpunimit, dhe e krahason këtë rrezik me atë të substancave të tjera në Grupin 1, si tymi i duhanit dhe azbesti.

  • Kurti në Davos takon Komisioneren për Zgjerim të BE-së, flasin për Planin e Rritjes

    Kurti në Davos takon Komisioneren për Zgjerim të BE-së, flasin për Planin e Rritjes

    Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ku u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të Kosovës, si elemente kyç në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

    Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerëson se Kosova ka vazhduar përparimin në integrimin evropian, duke qenë “më e përgatitur se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat”.

    Gjatë takimit thuhet se u trajtuan edhe çështjet gjeopolitike, Plani i Rritjes, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet aktuale.

    “Kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv në rajon, duke mbështetur integrimin më të gjerë ekonomik në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në njoftim.