ATV

Blog

  • Një bakter i rrezikshëm gjendet në telefonat celularë

    Një bakter i rrezikshëm gjendet në telefonat celularë

    “Pseudomonas aeruginosa” është një bakter shumë agresiv dhe kryeson listën e atyre që gjenden në telefonat celularë.

    Arsyeja është e thjeshtë: patogjeni kërkon shumë pak lëndë ushqyese dhe kështu lulëzon në një gamë të gjerë sipërfaqesh, nga pajisjet spitalore te lavamanët dhe telefonat inteligjentë.

    Pseudomonas është gjithashtu ndër bakteret më rezistente ndaj antibiotikëve: një arsye tjetër për të kufizuar përdorimin e telefonave celularë.

    Pseudomonas aeruginosa mund të shkaktojë infeksione në gjak, mushkëri (pneumoni), traktin urinar ose pjesë të tjera të trupit pas operacionit.

  • “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    Me moton “Drejtësi, jo politikë”, do të protestohet më 17 shkurt në ora 14 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që qëllim ka vetëm mbrojtjen e çlirimtarëve të cilët po mbahen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Protesta do të organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila gjatë një konference për media, Eliza Hoxha e Ismail Tasholli theksuan se data 17 shkurt nuk është zgjedhur rastësisht, por se ajo përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe me momentin historik të shpalljes së saj, duke e bërë këtë protestë një akt simbolik dhe qytetar në mbrojtje të parimit të drejtësisë.

    Platforma “Liria ka Emër” vlerëson se procesi gjyqësor në Hagë, i cili ka hyrë në fazën përmbyllëse pas më shumë se pesë vitesh, ka krijuar shqetësime serioze në opinionin publik. Zvarritja e procedurave, kompleksiteti i tyre, informacionet kontradiktore, si dhe perceptimi i ndikimit politik, kanë cenuar besimin qytetar se drejtësia po trajtohet si një proces thjesht juridik.

  • Jo fejesë, jo martesë: Njihuni me unazat e divorcit

    Jo fejesë, jo martesë: Njihuni me unazat e divorcit

    Divorci po hyn në një epokë të re dhe jo domosdoshmërisht të zymtë. Sipas një trendi që po fiton terren, gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin ta shënojnë ndarjen jo me heshtje apo keqardhje, por me simbole të reja personale: unazat e divorcit.

    Të ashtuquajturat divorce rings po shihen si një mënyrë për të rimarrë kontrollin mbi një histori që ka përfunduar.

    Në shumicën e rasteve, gratë zgjedhin të ripërdorin gurët e unazës së fejesës ose martesës diamante, safirë apo gurë të tjerë dhe t’i transformojnë në një bizhuteri të re, që nuk ka më lidhje me simbolikën e vjetër.

    Gurët ndahen, ripozicionohen ose vendosen në dizajne krejt të ndryshme: unaza ari, forma skulpturore, ose edhe bizhuteri të tjera si varëse apo vathë.

    Në fund, unazat e divorcit janë më shumë sesa një trend mode. Ato pasqyrojnë një ndryshim kulturor: një mënyrë më e hapur, më e vetëdijshme dhe më pak stigmatizuese për të folur për fundet dhe për fillimet që vijnë pas tyre.

  • 8 problemet shëndetësore që shfaqin simptomat e tyre në sy

    8 problemet shëndetësore që shfaqin simptomat e tyre në sy

    Sipas ekspertëve më shumë se 30 gjendje shëndetësore shfaqin simptoma në sy.

    Prandaj doktorët e syve janë zakonisht të parët që pikasin probleme të caktuara në trup.

    Ja cilat janë ato:

    Njollat e kuqe

    Të shkaktuara nga pikat e gjakut në sy, mund të jenë shenjë e diabetit, një sëmundje që po përhapet gjithmonë e më shumë tek njerëzit. Kur rriten nivelet e sheqerit në gjak, enët e gjakut fillojnë të bllokohen dhe të ënjten. Kështu mund të plasin enët e vogla të gjakut në retinë, duke shkaktuar gjakderdhje. Nëse nuk trajtohet, ajo mund të shkaktojë probleme me shikimin, madje dhe verbim.

    Sytë e përgjakur

    Mund të shkaktohen edhe nga shumë gjendje të tjera shëndetësore, duke filluar nga një kollë intensive deri tek infeksioni fungal.

    Sytë e skuqur, të acaruar apo të ënjtur

    Janë shpesh simptoma të alergjive, të shkaktuara nga ajrit i ndotur, pluhuri ose grimcat e ngurta.

    Sytë e tharë 

    Janë efekt anësor si të përdorimit të kompjuterit ashtu edhe të disa ilaçeve, si pilulat e gjumit, ato për lehtësimin e dhimbjeve, depresionit etj. Sëmundjet autoimune mund të shkaktojnë gjithashtu tharje të syve, sidomos sindroma Sjogren, që dëmton gjëndrat zbutëse dhe prekin më shumë të moshuarat.

    Të shohësh vetëm larg

    Shumë njerëz me kalimin e moshës e humbasin aftësinë për t’u fokusuar në gjërat që i kanë afër, si tek menytë në restorant, megjithatë, edhe disa ilaçe të caktuara, si antidepresantët, mund ta shkaktojnë këtë gjendje, të quajtur largpamësi, në moshë më të hershme.

    Vizioni i turbullt

    Mund të shkaktohet nga një listë e gjatë problemesh shëndetësore, megjithatë, për ata që janë të rrezikuar nga tensioni i lartë i gjakut, mund të jetë një shenjë që duhet të kontrollohen menjëherë tek mjeku. Në rastet kur shikimi fillon të errësohet nga efektet anësore të hipertensionit, duhet të merret menjëherë një trajtim mjekësor, pasi rrezikohet shikimi.

    Melanoma

    Okulistët mund të jenë të parët që mund të zbulojnë disa lloje kanceri. Një okulist mund të kontrollojë për melanomën okulare, një formë e rrallë e melanomës që zakonisht nuk mund të zbulohet duke u parë në pasqyrë. Nëse përjashtohen shkaktarët e tjerë të presionit ose dhimbjeve në sy, ekspertët thonë se okulistët mund të vërejnë për një tumor të mundshëm në tru.

    Kolesteroli i lartë

    Mund të shkaktojnë shpesh unaza të bardha përreth syve, si dhe njolla të verdha tek qepallat. Këto shenja shfaqen më shumë tek të moshuarit, megjithatë, në çdo rast, ata mund të paralajmërojnë se duhet të bëhet një kontroll i niveleve të kolesterolit. Mjeku endokrinolog pediatër, shpjegon dëmet që mund të shkaktojë mungesa e kësaj vitamine në organizëm. Një rëndësi të veçantë është ushqyerja e fëmijëve me gji dhe ekspozimi i gjatë në diell.

  • David Beckham në Zvicër injoroi pyetjet në lidhje me mosmarrëveshjet familjare me djalin e tij Brooklyn

    David Beckham në Zvicër injoroi pyetjet në lidhje me mosmarrëveshjet familjare me djalin e tij Brooklyn

    David Beckham u shfaq në Davos të Zvicrës me rastin e Forumit Ekonomik Botëror dhe shmangu përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve në lidhje me konfliktin me djalin e tij të madh Brooklyn. Kjo është paraqitja e tij e parë publike që kur Brooklyn Beckham foli publikisht për mosmarrëveshjet familjare.Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, ish-futbollisti 50-vjeçar mori pjesë në regjistrimin e një episodi të podkastit Reconsidering, të drejtuar nga autori Adam Grant. Ndërsa po bënte foto me tifozët, një gazetar i Sky News u përpoq të merrte komentin e tij.

    “David, a ke ndonjë mesazh për Brooklyn sot?” pyeti gazetari, por Beckham u kthye dhe u largua pa thënë një fjalë. Pyetjes shtesë: “A je i zhgënjyer që çështjet familjare po bëhen publike?”, ai gjithashtu nuk u përgjigj.

    Menjëherë para kësaj, gjatë regjistrimit të podkastit, Beckham dukej i lodhur dhe kryesisht reagoi shkurt dhe me përmbajtje, pa bërë ndonjë deklaratë domethënëse.

    Një ditë më parë, 26-vjeçari Brooklyn Beckham postoi një mesazh në Instagram në të cilin deklaroi se nuk dëshiron të pajtohet me familjen e tij dhe se, siç shkroi ai, “për herë të parë në jetën e tij, ai po mbron veten”. Ai dhe gruaja e tij Nicola Peltz nuk kanë marrë pjesë në ngjarje të mëdha familjare në muajt e fundit, përfshirë festën e 50-vjetorit të David Beckham.

    Në postimin e tij, Brooklyn akuzoi prindërit e tij, David dhe Victoria, se e “kontrollonin” dhe se, sipas tij, imazhi i tyre publik është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Ai deklaroi gjithashtu se vetëm pasi gjeti “paqe dhe lehtësim” me Nicolën, ishte në gjendje të përballonte ankthin.

  • Gjykata në Shqipëri jep 130 vjet burg për grupin e Leonard Dukës

    Gjykata në Shqipëri jep 130 vjet burg për grupin e Leonard Dukës

    Gjykata e Posaçme e Shqipërisë ka shpallur vendimin për të pandehurit dhe të akuzuarit në lidhje me vrasjen e ish policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në vitin 2019.

    GJKKO ka dënuar me 30 vite burg Leonard Dukën. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, ndërsa u ekstradua në Tiranë në gusht të po atij viti, për t’u përballur me drejtësinë.

    Ndërkaq, me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga.

    Elis Duka është shpallur i pafajshëm, pasi nuk u provua që ka kryer vepren penale.

    Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

    Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

  • Haaland kërkon falje pas humbjes “turpëruese” të Manchester Cityt ndaj Bodo/Glimt

    Haaland kërkon falje pas humbjes “turpëruese” të Manchester Cityt ndaj Bodo/Glimt

    Manchester City pësoi një humbje befasuese 3-1 si mysafir ndaj Bodo/Glimt të martën mbrëmë, dhe Erling Haaland nuk nguroi të marrë përgjegjësinë për këtë rezultat zhgënjyes.

    Në një intervistë pas ndeshjes me TNT Sports, sulmuesi norvegjez theksoi se humbja është përgjegjësi e tij dhe e disa lojtarëve me përvojë, duke përfshirë Rodrin, Gigi Donnarumman dhe Tijjani Reijnders. “Marr përgjegjësi të plotë, jam fajtor së bashku me ta. Ne jemi lojtarë me përvojë dhe duhet të marrim më shumë përgjegjësi,” tha Haaland.

    Ai shtoi se performanca e skuadrës nuk ishte e mjaftueshme për një klub me historinë dhe nivelin e Manchester Cityt: “Kjo nuk ishte mjaftueshëm mirë. Ne jemi Manchester City, nuk mund të mos fitojmë. Nuk duhet të ndodhë kështu.”

    Haaland gjithashtu kërkoi falje nga tifozët për një humbje që e cilësoi si “turpëruese”. “Është përgjegjësia ime që nuk shënojmë mjaft gola. Mund t’u kërkoj vetëm falje çdo tifozi të Manchester Cityt, veçanërisht atyre që udhëtuan për të na mbështetur. Më vjen shumë keq për këtë,” përfundoi sulmuesi.

    Trajneri Pep Guardiola pranoi se skuadra tregon ndonjëherë brishtësi, por nënvizoi se performancat nuk janë aq të dobëta sa sugjeron rezultati përfundimtar. Pas kësaj disfate, kualifikimi i Manchester Cityt për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve do të vendoset në ndeshjen e fundit kundër Galatasarayt.

  • Kriza e rrymës paralizon bizneset, furrtarët detyrohen të hedhin brumin e bukës

    Kriza e rrymës paralizon bizneset, furrtarët detyrohen të hedhin brumin e bukës

    Ndërprerjet dhe reduktimet e energjisë elektrike po shkaktojnë vështirësi të mëdha për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme dhe veprimtarinë ekonomike, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

    Bizneset e vogla, veçanërisht furrat e bukës, thonë se mungesa e rrymës po u sjell humbje të drejtpërdrejta. Furrtari Hamzë Osmanollaj nga Prizreni thekson se ndërprerjet e shpeshta po e pamundësojnë procesin normal të punës.

    “Gjatë ditës së djeshme kemi pasur shumë ndërprerje dhe defekte. Rryma po na shkakton dëme të mëdha, sepse brumi që përgatitet dhe mbetet pa u pjekur duhet të hidhet. Në atë fazë nuk mund të pritet. Edhe klientët reagojnë dhe ankohen, duke pyetur pse po ndodh kjo dhe kur rikthehet rryma”, u shpreh Osmanollaj.

    Ai shtoi se bizneset nuk kanë alternativa funksionale për të vazhduar punën.
    “Kërkojmë që të mos ketë më reduktime, sepse me gjeneratorë nuk mund të operojmë”, tha ai.

    Pakënaqësi ka edhe te qytetarët. Naim Prebreza e konsideron të paarsyeshme që në vitin 2026 vendi të përballet ende me ndërprerje të energjisë elektrike.
    “Ka shumë ankesa nga bizneset. Ne jemi vetëm dy punëtorë, por ka biznese me dhjetëra punëtorë dhe kjo situatë i dëmton seriozisht. Nuk ka asnjë justifikim që kjo të ndodhë sot”, tha ai.

    Ndërkohë, qytetarja Nexhmije Rrustemi shpreh shqetësim edhe për koston e lartë të faturave të energjisë elektrike, përkundër përdorimit të kufizuar të rrymës.
    “Muajin e kaluar fatura ishte 164 euro. Është e papërballueshme. Ngrohemi me dru dhe nuk përdorim pajisje të mëdha elektrike, por megjithatë pagesat janë shumë të larta. Edhe reduktimet po na shkaktojnë telashe të mëdha”, u shpreh ajo.

    Qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve po kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe masa konkrete për të parandaluar ndërprerjet, duke theksuar se situata aktuale po rëndon jetesën dhe ekonominë.

  • Trump mbërrin në Zvicër për t’u takuar me liderë botëror

    Trump mbërrin në Zvicër për t’u takuar me liderë botëror

    Presidenti amerikan Donald Trump ka arritur në Cyrih.

    Në agjendën e parë të ditës, Presidenti Trump do të marrë pjesë në një pritje me drejtues të bizneseve, përpara se të mbajë fjalim në Forumin Ekonomik Botëror.

    “Kemi shumë takime të planifikuara për Grenlandën dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mjaft mirë”, kishte deklaruar dje Trump gazetarëve në lidhje me takimet e tij në Davos.

    Komentet e tij erdhën pavarësisht vendosmërisë së palëkundur të udhëheqësve evropianë në mbrojtjen e territorit danez në ditët e fundit.

    Gjatë fundjavës, Trump premtoi tarifa të reja për vendet evropiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, të cilat dërguan trupa në Grenlandë në solidaritet.

  • Tyson Fury pranë rikthimit në ring, Makhmudov favorit për meçin e prillit

    Tyson Fury pranë rikthimit në ring, Makhmudov favorit për meçin e prillit

    Tyson Fury është pranë rikthimit në ring, teksa po zhvillon bisedime të avancuara për një meç që pritet të zhvillohet në muajin prill. Sipas menaxherit të tij, Spencer Brown, boksieri rus Arslanbek Makhmudov konsiderohet aktualisht si kandidati kryesor mes disa kundërshtarëve të mundshëm.

    Ky do të ishte meçi i parë i Furyt pas humbjes në revanshin ndaj Oleksandr Usyk, të zhvilluar në dhjetor të vitit 2024. Brown ka bërë të ditur se negociatat po ecin në drejtimin e duhur dhe se një njoftim zyrtar mund të vijë shumë shpejt, me Makhmudov që shihet si favoriti kryesor.

    Boksieri rus 36-vjeçar, me rekord prej 21 fitoreve dhe dy humbjeve, u paraqit së fundmi në Britani në muajin tetor, ku triumfoi bindshëm ndaj David Allen me vendim pikësh. Duke folur për “Sky Sports”, Brown theksoi se lista e kundërshtarëve të mundshëm është e gjerë.

    “Jemi duke shqyrtuar pesë ose gjashtë emra të ndryshëm dhe Makhmudov është mes tre ose katër opsioneve kryesore. Megjithatë, njoftimi zyrtar u takon promotorëve”, deklaroi ai.

    Menaxheri i Furyt shtoi se gjithçka po shkon sipas planit dhe se marrëveshja është drejt finalizimit. “Jemi në rrugën e duhur me kontratën dhe një njoftim është shumë pranë. Synimi ynë është që Tyson ta shohim sërish në ring gjatë muajit prill”, përfundoi Brown.

    Rikthimi i Tyson Fury në ring pritet me interes të madh nga tifozët e boksit, ndërsa ditët në vijim mund të sjellin më shumë detaje rreth këtij meçi dhe planeve të ardhshme të “Gypsy King”.