ATV

Blog

  • Në Kongresin Amerikan ngritet çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

    Në Kongresin Amerikan ngritet çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

    Kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

    Lajmi është bërë i ditur në rrjetin “X” nga “Albanians for America”, ku thuhet se sot shënohet një moment i rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    “Në këtë video, gjatë procedurave zyrtare në Kongresin Amerikan, Anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve trajtojnë shqetësimet e vazhdueshme për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Serbinë jugore – çështje që shumë shpesh kanë mbetur jashtë shqyrtimit ndërkombëtar”, thuhet në përshkrimin e videos së publikuar.

  • Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se ishte lider i shquar politik, intelektual i angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Ibrahim Rugova është në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Postimi i plotë i Albin Kurtit:

    Në 20 vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës

    Në ditën kur janë bërë dy dekada nga dita e vdekjes së tij, e përkujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e Parë të Kosovës, liderin e shquar politik, intelektualin e angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe deri kur ai vdiq më 21 janar 2006. Andaj, i tërë roli dhe kontributi politik i Dr. Rugovës ishte i prejardhur dhe i artikuluar bashkë me një plejadë njerëzish me profile të ndryshme profesionale, që veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, u angazhuan publikisht dhe politikisht përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i qëndruan pranë Kryetarit Rugova.

    Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton.

    Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova.

    Ibrahim Rugova ka lindur në Cerrcë të Istogut, në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, më 2 dhjetor 1944, në një kohë kur po riokupoheshim në emër të çlirimit e kur Serbia po e operacionalizonte projektin e saj për pushtimin e Kosovës. Ai nuk e njohu fare babain e tij Ukën, meqë pikërisht në atë kohë të trazuar, si luftëtar vullnetar për mbrojtjen e Kosovës nga formacionet çetnike serbe, ai u zhduk së bashku me babain e tij prej shërbimit të fshehtë jugosllav, më 10 janar 1945.

    Pas përfundimit të shkollimit fillor në Istog dhe atij të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke i ndjekur të gjitha nivelet e studimit deri më 1984, kur doktoroi. Ai punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime, artikuj dhe libra studimorë. Ky studiues i letërsisë dhe i gjuhës, u fut në skenën politike në moshën 45 vjeçare, bashkë me kujdesin e tij për gjuhën dhe fjalën e shkruar.

    Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë: nga LDK-ja te Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës dhe nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të tij, te trasuesit e rrugës së tij politike. Dr. Ibrahim Rugova, ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Mes kujtimesh dhe nderimesh për Dr. Ibrahim Rugovën, të parin President të Kosovës, në historinë e shtetndërtimit të saj.

  • CNN: Trump planifikon të takohet me Zelenskyn në Davos të enjten

    CNN: Trump planifikon të takohet me Zelenskyn në Davos të enjten

    Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të takohet me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Davos të enjten, sipas dy personave të njohur me çështjen, raporton CNN.

    Zelensky ishte në Kiev të mërkurën, ndërsa Trump foli në Forumin Ekonomik Botëror. Në fjalimin e tij, Trump tha se planifikonte të takohej me Zelenskyn më vonë gjatë ditës.

    “Po merrem me Presidentin Zelensky dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”, tha Trump.

    Dyshja synon të vazhdojë diskutimet rreth përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Takimi do të ndodhë në të njëjtën ditë kur i dërguari i jashtëm i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, udhëtojnë për në Moskë për takime me Presidentin rus Vladimir Putin.

    “Unë besoj se ata janë në një pikë tani ku mund të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje, dhe nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, shtoi Trump për Zelenskyn dhe Putinin.

  • ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në dhjetor 2025 ka pasur rritje të përfituesve të disa skemave pensionale, përfshirë pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike (+12,6%), pensionet e FSK-së (+8,6%) dhe për veteranët e luftës (+2,7%).

    Ndërkohë, disa skema të tjera shënuan rënie, si pensionet invalidore (-27,5%), pensionet e Trepçës (-20,6%) dhe ndihma sociale (-10,3%).

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (12,6 %); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (8,6 %); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,0 %); skema e pensioneve bazike të moshës (7,5 %); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1 %); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,5 %); skema për veteranët e luftës (2,7 %). skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (0,8 %); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,2 %)”

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-27,5 %); skema për pensionet e Trepçës (-20,6 %); skema për pensionet familjare (-10,6 %); skema e ndihmës sociale (-10,3 %); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-2,0 %); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,4 %)”, deklaroi ASK.

  • Forcat izraelite vrasin 11 palestinezë në Gaza, përfshirë dy fëmijë

    Forcat izraelite vrasin 11 palestinezë në Gaza, përfshirë dy fëmijë

    Forcat izraelite vranë të mërkurën të paktën 11 palestinezë në Gaza, përfshirë dy djem 13-vjeçarë që po mblidhnin dru zjarri, tre gazetarë dhe një grua, thanë spitalet në enklavën e shkatërruar nga lufta.

    Dy djemtë u vranë në incidente të ndara. Në një sulm, një 13-vjeçar, babai i tij dhe një 22-vjeçar u goditën nga dronë izraelitë në anën lindore të kampit qendror të refugjatëve Bureij, sipas zyrtarëve nga Spitali i Martirëve Al-Aksa në qytetin qendror Deir al-Balah, i cili mori trupat, Associated Press.

    Ushtria izraelite tha se një sulm erdhi pasi vuri re dhe goditi disa persona që po përdornin një dron në Gazën qendrore që përbënte një kërcënim për trupat e saj.

  • FFK ndan stemat e FIFA-s për gjyqtarët kosovarë për vitin 2026

    FFK ndan stemat e FIFA-s për gjyqtarët kosovarë për vitin 2026

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka realizuar sot ceremoninë e ndarjes së stemave të FIFA-s për gjyqtarët dhe asistentët për vitin 2026.

    Stemave iu dorëzuan nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani.

    Me këtë rast, presidenti Ademi vlerësoi lart angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve kosovarë, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në zhvillimin dhe avancimin e futbollit në Kosovë, si në arenën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

    Kreu i FFK-së i inkurajoi gjyqtarët që të vazhdojnë punën me profesionalizëm, përkushtim maksimal dhe vigjilencë të shtuar, me synimin për të përmbushur standardet më të larta të gjykimit sipas kritereve të FIFA-s.

     

    Lista e gjyqtarëve që janë pajisur me stemën e FIFA-s për vitin 2026:

     

    Gjyqtarë kryesorë:

    Genc Nuza

    Visar Kastrati

    Mervan Bejtullahu

    Rita Vehapi

     

    Asistentë:

    Fatlum Berisha

    Bujar Selimaj

    Besnik Morina

    Lumturije Muhadri

    Edmond Zeqiri

    Fatlum Sekiraqa

    Granit Hyseni

    Arbnor Bullatovci

    Fitore Govori

     

    Video Match Official (VAR):

    Genc Nuza

    Visar Kastrati

    Alban Shala

     

    Gjyqtarë të Futsallit:

    Florentina Kallaba

    Besar Beqiri

    Besart Ismajli

    FFK theksoi se kjo përzgjedhje përfaqëson një dëshmi të besimit ndërkombëtar ndaj gjyqtarëve kosovarë dhe një hap të rëndësishëm drejt rritjes së pranisë së tyre në garat elitare të futbollit.

  • Pse njerëzit po flasin më pak, por po postojnë më shumë?

    Pse njerëzit po flasin më pak, por po postojnë më shumë?

    Në përditshmërinë e sotme vihet re një kontrast i qartë: njerëzit flasin gjithnjë e më pak mes vete, por postojnë gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale. Bisedat e gjata janë zëvendësuar nga mesazhe të shkurtra, ndërsa ndjenjat, mendimet dhe momentet personale shpesh ndahen më lehtë online sesa ballë për ballë.

    Rrjetet sociale kanë krijuar një hapësirë ku shprehja duket më e sigurt dhe më e kontrolluar. Përmes një postimi, secili zgjedh çfarë të tregojë dhe si të duket, pa presionin e reagimit të menjëhershëm. Ndryshe nga bisedat reale, ku kërkohet vëmendje, përfshirje emocionale dhe ndonjëherë përballje, postimi online është më i lehtë dhe më pak i lodhshëm.

    Një arsye tjetër lidhet me ritmin e shpejtë të jetës. Shumë njerëz ndihen të mbingarkuar dhe pa energji për komunikim të thellë, por prapë kanë nevojë të jenë të pranishëm dhe të dukshëm. Një foto, një story apo një status shpesh mjafton për të dhënë ndjesinë e lidhjes me të tjerët.

    Megjithatë, kjo mënyrë komunikimi po ndryshon edhe marrëdhëniet shoqërore. Ndërsa online dukemi aktivë dhe të hapur, në jetën reale shpesh bëhemi më të mbyllur dhe më të rezervuar. Postimet zëvendësojnë bisedat, por nuk e mbushin gjithmonë boshllëkun e komunikimit të vërtetë.

    Fenomeni i të postuarit më shumë dhe të folurit më pak është një pasqyrë e kohës ku jetojmë — një kohë ku lidhja virtuale po fiton terren, ndërsa ajo reale kërkon gjithnjë e më shumë përpjekje.

  • CAF publikon 11-shen më të mirë të AFCON 2025

    CAF publikon 11-shen më të mirë të AFCON 2025

    Konfederata Afrikane e Futbollit ka zbuluar ekipin ideal të turneut të AFCON 2025, duke përzgjedhur lojtarët që spikaten më shumë me paraqitjet dhe ndikimin e tyre gjatë garës.

    Në këtë 11-shje dominuese nuk mungojnë yjet nga Maroku, Senegal dhe Nigeria:

    Portier: Yassine Bounou

    Mbrojtës: Achraf Hakimi, Calvin Bassey, Moussa Niakhaté dhe Noussair Mazraoui.

    Mesfushorë: Brahim Díaz, Pape Gueye dhe Idrissa Gana Gueye.

    Sulmues: Sadio Mané, Victor Osimhen dhe Ademola Lookman.

    Ky ekip ideal përmbledh përvojën dhe talentin më të spikatur të futbollit afrikan, duke reflektuar ndikimin e secilit lojtar në suksesin e kombëtares së tij gjatë turneut.

    CAF ka nënvizuar se përzgjedhja është bërë duke marrë parasysh performancën individuale, kontributin në skuadër dhe rëndësinë taktike të lojtarëve në AFCON 2025.

  • Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për “Vrasje në tentativë” në Ferizaj

    Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për “Vrasje në tentativë” në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka arrestuar A.R., 31-vjeçari i dyshuar në lidhje me rastin e “Vrasjes në tentativë” dhe “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, që ka ndodhur më 21 dhjetor 2025 në Ferizaj.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 23:50 në rrugën “Wesley Clark”, ku si pasojë e një sulmi, një person ka mbetur i plagosur. Policia njofton se më 21 janar 2026, rreth orës 11:15, i dyshuari A.R., 31 vjeç, ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë në Ferizaj dhe ka shprehur vullnetin për vetëdorëzim.

    “Pas kësaj, hetuesit rajonalë përgjegjës për rastin, në bashkëpunim me një njësi patrulluese, kanë shkuar në adresën e të dyshuarit, ku edhe është realizuar arrestimi i tij. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe për të gjitha veprimet hetimore të policisë është njoftuar prokurori i rastit, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • KFOR-i pret në takim Qendrën për viktimat e torturës, flasin për ndikimin e traumës së luftës në shoqëri

    KFOR-i pret në takim Qendrën për viktimat e torturës, flasin për ndikimin e traumës së luftës në shoqëri

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të mërkurën me drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – një organizatë joqeveritare që luan rol kyç në mbështetjen e viktimave të torturës dhe traumave të luftës në Kosovë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, një nga temat kryesore të diskutimit ishte ndikimi afatgjatë i dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, e cila preku mijëra njerëz gjatë luftës – gra, vajza, burra dhe djem të të gjitha përkatësive etnike.

    “COMKFOR rikonfirmoi rëndësinë e kuptimit të këtyre dinamikave komplekse shoqërore, në përputhje me mandatin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Diskutimi përfshiu gjithashtu sfidat me të cilat përballet kjo qendër në zhvillimin e një sistemi institucional për mbështetje, njohje dhe llogaridhënie ndaj të mbijetuarve.

    “Të kuptuarit e ndikimit të thellë dhe afatgjatë të traumës së luftës dhe të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin në shoqërinë kosovare është thelbësor për misionin tonë”, ka thënë Ulutash.