ATV

Blog

  • Policia e Kosovës realizon vizitën e parë në kufirin SHBA–Meksikë në Portin e Hyrjes Laredo

    Policia e Kosovës realizon vizitën e parë në kufirin SHBA–Meksikë në Portin e Hyrjes Laredo

    Më 23 janar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë nga PK, realizoi vizitën e parë zyrtare të Policisë së Kosovës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.

    Sipas një njoftimi bëhet e ditur se delegacioni vëzhgoi nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së dhe zyrtarët kufitarë.

    “Vizita u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë përmes DOJ-ICITAP. Kjo vizitë historike shënoi herën e parë që zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vëzhguar drejtpërdrejt procedurat operative në disa pika të kalimit kufitar SHBA–Meksikë. Delegacioni shprehu vlerësim të lartë për mundësinë për t’u njohur nga afër me praktikat e sofistikuara të CBP-së dhe Patrullës Kufitare të menaxhimit kufitar, përdorimin e teknologjive moderne dhe qasjet e koordinuara të zbatimit të ligjit të përdorura në një nga pikat më të ngarkuara të hyrjes në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës ndoqën operacionet në kohë reale, përfshirë procedurat e inspektimit, metodat e kontrollit të bazuara në vlerësimin e rrezikut, si dhe integrimin e teknologjisë për forcimin e sigurisë kufitare, njëkohësisht duke lehtësuar tregtinë dhe lirinë udhëtimin e ligjshëm.

    “Këto përvoja u vlerësuan lartë si në aspektin e njohurive praktike dhe janë mësime të vlefshme që mund të përshtaten për forcimin e operacioneve të sigurisë kufitare në Kosovë. Policia e Kosovës vlerëson shumë lartë vizitën, njohuritë dhe përvojat e fituara do të kontribuojnë në planifikimin e ardhshëm dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për avancimin e standardeve të sigurisë kufitare dhe rritjen e efektivitetit operacional”.

    Kjo vizitë nënvizon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe pasqyron përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë kufitare, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për ushtrimin e FSK-së në dy lokacione

    Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për ushtrimin e FSK-së në dy lokacione

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se gjatë fillimit të muajit shkurt do të zhvillohen dy aktivitete trajnuese nga kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethinës.

    Sipas njoftimit, më 3 shkurt 2026, në zonën e Badovcit, Qendra Studimore Universitare e FSK-së do të realizojë një trajnim në terren për navigim tokësor me emërtimin “Rruga e Heronjve”.

    Ndërkaq, më 6 dhe 7 shkurt 2026, në zonën e Koliqit, Qendra Studimore Universitare e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së do të zhvillojë një vlerësim praktik për operacione mbrojtëse në terren.

    Nga Komuna e Prishtinës është theksuar se ushtrime dhe trajnime të ngjashme janë realizuar edhe më herët nga kadetët e FSK-së dhe se ato kanë karakter profesional dhe edukativ.

    Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve, duke bërë të ditur se për çdo informatë shtesë do të ketë njoftime me kohë.

  • WhatsApp prezanton fshehurazi “mode LOCKDOWN” – Ja si mund ta provoni

    WhatsApp prezanton fshehurazi “mode LOCKDOWN” – Ja si mund ta provoni

    WhatsApp ka lançuar një përditësim të madh sigurie duke prezantuar një “modo lockdown”, një grup veçorish të reja të dizajnuara për të mbrojtur përdoruesit nga sulmet kibernetike të sofistikuara.

    Ky set veçorish, i quajtur kolektivisht “Strict Account Settings”, ndryshon mënyrën se si funksionon llogaria juaj në disa aspekte. Pasi aktivizohet, funksioni bllokon automatikisht ngarkimet e skedarëve dhe mediat nga persona që nuk i njihni dhe fik të gjitha thirrjet e ardhshme nga kontaktet e panjohura.

    Për më tepër, këto cilësime ndikojnë në mënyrën se si llogaria juaj duket për të tjerët: përdoruesit e panjohur nuk do të mund t’ju shtojnë në grupe, nuk do të shohin foton tuaj të profilit, informacionin “rreth” dhe statusin online.

    Meta, kompania mëmë e WhatsApp, thotë se ky funksion do të lansohet gradualisht gjatë javëve të ardhshme. Megjithatë, shumica e përdoruesve nuk do të kenë nevojë kurrë ta aktivizojnë këtë opsion.

    Will Cathcart, drejtori i WhatsApp në Meta, tha: “Ne po shtojmë vazhdimisht shtresa të reja sigurie në WhatsApp. Për disa përdorues – si gazetarët apo figura publike – që mund të jenë objekt i sulmeve të sofistikuara kibernetike, po prezantojmë një funksion të quajtur Strict Account Settings.”

    Edhe pse WhatsApp ofron kriptim end-to-end, disa individë mund të jenë të rrezikuar nga lloje të “malware” të sofistikuara që mund të fshihen brenda skedarëve të zakonshëm si foto, video apo PDF. Këto skedarë duket se janë të padëmshme, por përmbajnë kod që mund të infektojë pajisjen për të vjedhur të dhëna ose për të instaluar softuer spiun.

    Strict Account Settings është dizajnuar për të parandaluar që përdoruesit me rrezik të lartë të marrin mesazhe të dyshimta. Sulmet e tilla janë shumë të rralla dhe zakonisht kryhen nga qeveri ose aktorë të lidhur me shtetet, jo nga kriminelë të zakonshëm kibernetikë.

    Për shembull, sulmi më i njohur i këtij lloji ishte malware Pegasus, i krijuar nga kompania izraelite NSO Group, i cili infektonte pajisjet pa ndërveprim nga përdoruesi, duke shfrytëzuar dobësitë e sistemit operativ. Pajisjet e infektuara shndërroheshin në sisteme survejimi, duke regjistruar kamerën, mikrofonin dhe pozicionin e përdoruesit.

    Nëse besoni se mund të jeni objekt i një sulmi të sofistikuar, mund të aktivizoni modo lockdown me disa hapa të thjeshtë:

    Hapni aplikacionin WhatsApp dhe shkoni te Settings.

    Zgjidhni tabin Privacy.

    Shkoni te seksioni Advanced dhe aktivizoni opsionin Strict Account Settings.

    Megjithatë, Meta sugjeron të mos e përdorni këtë funksion nëse nuk keni arsye reale, pasi lockdown ndikon ndjeshëm në funksionimin e llogarisë. Shumica e përdoruesve nuk janë objekt i sulmeve të sofistikuara.

    Ky përditësim vjen ndërsa WhatsApp po përballet me një gjyq që akuzon kompaninë se nuk siguron mjaftueshëm mbrojtje të mesazheve end-to-end. Një grup përdoruesish nga vende si Australia, Meksika dhe Afrika e Jugut pretendon se punonjësit e Meta mund të kërkojnë qasje në mesazhet e përdoruesve, duke shkelur kriptimin. Meta i ka quajtur këto pretendime “të rreme dhe absurde” dhe ka paralajmëruar veprime ligjore kundër avokatëve të paditësve.

  • Katër mënyra natyrale për të reduktuar ankthin pa ilaçe

    Katër mënyra natyrale për të reduktuar ankthin pa ilaçe

    Ankthi është një ndjenjë që shumica e njerëzve e përjetojnë herë pas here, veçanërisht para situatave stresuese si takime të rëndësishme apo prezantime në punë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se në shumë raste nuk është e nevojshme përdorimi i ilaçeve, pasi ekzistojnë mënyra natyrale për ta lehtësuar atë.

    Një nga metodat më efektive është frymëmarrja e thellë. Frymëmarrja abdominale, e praktikuar për 20 deri në 30 minuta në ditë, ndihmon në furnizimin e trurit me oksigjen dhe në relaksimin e sistemit nervor.

    Meditimi është një tjetër mënyrë e provuar shkencërisht për uljen e ankthit. Studime të ndryshme tregojnë se vetëm gjysmë ore meditim në ditë mund të zvogëlojë ndjeshëm nivelet e ankthit dhe depresionit.

    Pijet qetësuese natyrale, si çaji i kamomilit, ndihmojnë gjithashtu në reduktimin e tensionit. Kamomili përmban përbërës që veprojnë në receptorët e trurit të lidhur me qetësinë, duke ofruar efekt relaksues.

    Po ashtu, dëgjimi i muzikës së lehtë para aktiviteteve stresuese ndihmon në qetësimin e sistemit nervor dhe përmirësimin e gjendjes emocionale.

    Këto metoda të thjeshta dhe natyrale mund të jenë një ndihmë e vlefshme për menaxhimin e ankthit në përditshmëri.

  • Sekreti i Van Gogh tek “Nata me yje”

    Sekreti i Van Gogh tek “Nata me yje”

    Van Gogh krijoi një vepër mbresëlënëse, megjithëse pësoi dhimbje të thella emocionale. Disa nga pikturat e tij zbulojnë shumë për gjendjen shpirtërore dhe për personalitetin e tij në përgjithësi. Një pikturë ikonë që shpreh agoninë dhe gjenialitetin e artistit është “Nata me Yje e vitit 1889.

    Kjo vepër për shkencëtarët është jashtëzakonisht në përputhje me parimet astronomike të qiellit tonë. Çka lë të nënkuptohet ose më saktë të aludohet se piktori ishte shumë përpara mendjeve shkencore të shekullit të 19-të.

    Furçat e bojës së Van Gogh-ut duket se llogaritën pikat e rrjedhjes së barabartë të ajrit, të njohura si turbulenca, që do të shkaktonin ndryshime në pamjen vizuale të qiellit të natës. E çuditshme, por edhe e mrekullueshme në të njëjtën kohë se si ai kishte pikturuar veprën “e gjallë” të dritës së qiellit në një studio pa dritë.

    Studimi, ka identifikuar atë që shkencëtarët e përshkruajnë si një “turbulencë të fshehur” brenda stilit yjor të van Gogh. Artisti duket se ka kompensuar për parimet në dinamikën e lëngjeve që nuk u shfaqën për pothuajse 100 vjet më vonë, siç është një shkallë për lëvizjet e energjisë ajrore të projektuar nga matematicieni George Batchelor në 1959.

    Autorët aktualë të studimit ekzaminuan lloje të ndryshme të goditjeve të penelit në telajo, në rrethana të ngjashme si gjethet që fluturojnë në erë për të klasifikuar kushtet atmosferike të erës si forma dhe energjia e saj.

    Faktorë të tjerë në lidhje me shkëlqimin brenda ngjyrave të ndryshme të bojës u ekzaminuan gjithashtu në lidhje me energjinë e lëvizjes.

    Ajo që shkencëtarët mësuan nga vështrimi i 14 formave rrotulluese të “Nata me Yje”, ishte se piktori kishte një lidhje të çuditshme me lëvizjen e tokës dhe qiellit tonë natyror./gazetatema

  • PDK: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkolla, e papranueshme, Specialja ka devijuar nga misioni

    PDK: Tendenca për rishkrimin e historisë në shkolla, e papranueshme, Specialja ka devijuar nga misioni

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, mbajti sot një konferencë për media ku shprehu shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.

    Sipas Grudës, incizimet e publikuara në media dëshmojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.

    “Nxënësve, shumica nën moshën 18-vjeçare, u janë paraqitur pretendime të njëanshme, duke u etiketuar ish-krerët e UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

    Kjo është skandaloze dhe e papranueshme”, theksoi Gruda. Ai paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po sulmohet më vetëm në sallat e Gjykatës Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të futet edhe në bankat shkollore.

    “Lufta jonë po sulmohet edhe nga bankat dhe klasat e shkollave tona. Por e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohet në emër të ‘drejtësisë’ selektive, as të deformohet kujtesa kolektive në emër të ‘edukimit’,” tha ai.

    Deputeti i PDK-së theksoi se shqetësimi i partisë është shumëdimensional. Ai përmendi rrezikun e indoktrinimit të nxënësve, përpjekjet për rishkrimin e historisë së Kosovës, si dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.

    “Toni i përdorur në këto prezantime i trajton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si fajtorë, duke paragjykuar vendimin përfundimtar.

    Gjykatat e vërteta merren me drejtësi, jo me propagandë”, deklaroi Gruda.

    Ai shtoi se kjo Gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar.

    “Ajo është dashur të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës dhe në heqjen e njollave ndaj UÇK-së, por është shndërruar në një mekanizëm që tenton të rishkruajë historinë”, u shpreh ai. PDK kërkon sqarim urgjent se kush është përgjegjës për këto ligjërata dhe si ka ndodhur që prezantime të paraqitura si ligjërata për të drejtat e fëmijëve të shndërrohen në mesazhe politike. “Kërkojmë llogari nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si lejohet që kushdo t’u ligjërojë nxënësve në shkollat e Kosovës, pa mbikëqyrje institucionale dhe pa standard profesional,” theksoi Gruda.

    Në këtë kontekst, ai tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, është një reagim i natyrshëm në momentin kur procesi në Hagë ka hyrë në fazën finale. Në përmbyllje, Gruda theksoi qëndrimin e palëkundur të PDK-së. “Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë pjesë e historisë sonë të lavdishme çlirimtare. Ata nuk janë fajtorë për asnjë krim.

    PDK qëndron fuqishëm në mbrojtje të tyre, në mbrojtje të UÇK-së dhe në mbrojtje të së vërtetës për Kosovën”, tha Gruda.

  • Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri, projekti nis pas formimit të Qeverisë Kurti 3

    Peci: Mitrovica do të bëhet me spital të ri, projekti nis pas formimit të Qeverisë Kurti 3

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se qyteti do të bëhet me spital të ri, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Peci ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për sektorin e shëndetësisë dhe projektet që Ministria e Shëndetësisë planifikon t’i realizojë në Mitrovicë, me theks të veçantë në ecurinë dhe dinamikën e projektit për ndërtimin e spitalit të ri.

    “Mitrovica do të bëhet me spital të ri. Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia, me të cilin diskutuam për projektet që do të realizohen në Mitrovicë dhe për ecurinë e ndërtimit të spitalit”, ka shkruar Peci.

    Sipas tij, spitali i ri do të ndërtohet me hapësira moderne dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet shëndetësore të nevojshme për qytetarët.

    “Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo të formohet Qeveria Kurti 3”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.

    Në kuadër të takimit është diskutuar edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

    Peci ka garantuar se Komuna e Mitrovicës do të përmbushë të gjitha obligimet e saj për realizimin e këtij projekti madhor.

    “Komuna e Mitrovicës do t’i kryejë të gjitha obligimet që i përkasin, në mënyrë që ky projekt të jetësohet sa më parë”, ka deklaruar ai.

  • Trump Mobile paralajmëron një version “Ultra” të telefonit që askush ende nuk e ka

    Trump Mobile paralajmëron një version “Ultra” të telefonit që askush ende nuk e ka

    Trump Mobile ka njoftuar se po përgatit një model më të fuqishëm T1 Ultra edhe pse telefoni i parë T1 ende nuk ka arritur tek konsumatorët.

    Shumë njerëz kishin rezervuar me entuziazëm telefonin T1, por deri më tani askush nuk e ka parë atë në dorë. Megjithatë, kompania nuk është ndalur, dhe një drejtues i Trump Mobile ka thënë se në zhvillim është edhe një model më i avancuar – T1 Ultra.

    Në një intervistë për Wireless Dealer Magazine, drejtori ekzekutiv Don Hendrikson tha se hapi i radhës i madh do të jetë prezantimi i modelit T1 Ultra, duke e përshkruar atë si një pajisje premium që do të ndërtojë mbi “suksesin” e modelit origjinal T1.

    ADVERTISING

    Megjithatë, fjala “sukses” tingëllon ironike, sepse telefoni T1 nuk është parë jashtë imazheve reklamuese, dhe ai as nuk ka një datë të qartë të daljes në treg. Deri tani, ai ka tërhequr vetëm një numër të madh njerëzish që kanë paguar një depozitë prej 100 dollarësh, pa e marrë telefonin.

    Hendrikson gjithashtu sugjeroi se blerësit janë “tërësisht të etur” për modelin T1 Ultra – edhe pse ky model nuk ishte fare përmendur deri në intervistë dhe telefoni origjinal duket se “është zhdukur në veprim”.

    Përdorimi i emrit “Ultra” është i njëjti trend që shumë prodhues, si Samsung, përdorin për modelet e tyre më të fuqishme, kështu që ka kuptim që Trump Mobile dëshiron të ndjekë një strategji të ngjashme të markës.

    Megjithatë, fakti që versioni bazë T1 ende nuk është dërguar, i bën plane për një version edhe më të shtrenjtë, si T1 Ultra, të duket mjaft i parakohshëm për momentin.

  • Dobësohet dollari amerikan, euroja arrin nivel rekord që nga viti 2021

    Dobësohet dollari amerikan, euroja arrin nivel rekord që nga viti 2021

    Dollari i SHBA-së po vazhdon të humbasë vlerën kundrejt monedhave të tjera të rëndësishme duke ndjekur kësisoj tendencën e vitit 2025. Vitin e kaluar monedha amerikane shënoi humbjen më të fuqishme që prej gati një dekade.

    Minusi kundrejt një grupi monedhash të tjera më 2025 përbënte rreth 10 për qind. Që nga fillimi i vitit 2026 rënia ka qenë edhe me minus 2,6 për qind të tjera.

    Humbja e vlerës së dollarit ka pasoja ndaj euros dhe monedhave të tjera. Monedha e përbashkët evropiane për herë të parë që nga viti 2021 ka arritur vlerën 1,20 dollarë të SHBA-së. Edhe funta britanike dhe yeni japonez janë rritur kundrejt dollarit në nivelet më të larta.

    Disa ekonomistë dhe analistë i shpjegojnë humbjet e vazhdueshme të vlerës së dollarit me mungesën e besimit të investitorëve tek monedha e SHBA-së, sepse paparashikueshmëria e politikës së presidentit amerikan, Donald Trump vazhdon të japë shkas për shqetësime.

    Ka edhe një tjetër këndvështrim, sipas të cilit vet Trump dhe shumë pjesëtar të ekipit të tij për ekonominë e dëshirojnë një humbje vlere të dollarit, me shpresën, që eksportet nga SHBA të jenë me çmime më të favorshme dhe në këtë mënyrë të rritet aftësia e konkurrencës.

    Trump nuk është përpjekur ta hedhë poshtë këtë hamendësim. Përkundrazi, kur e pyetën këtë javë, nëse shqetësohet për dollarin e dobët, ai u përgjigj: “Jo, kështu është shumë mirë.”

    Stephen Miran, ish-kryetar i shtabit të këshilltarëve ekonomik të Trumpit dhe tani anëtar i këshillit administrativ të Bankës së Rezervave të SHBA-së, Fed, në nëntor 2024 publikoi një “Udhëzues për ristrukturimin e sistemit global të tregtisë”. Doganat dhe zhvleftësimi i dollarit u paraqitën si instrumenta të rëndësishme, për ta ulur deficitin tregtar të SHBA-së.

    Përse e prek kjo Evropën?

    Dobësimi i dollarit ka efekt jo vetëm ndaj ekonomisë së SHBA-së, por ka edhe pasoja për ekonominë e eurozonës dhe për euron. Monedha e përbashkët në 2025 ka fituar 13 për qind vlerë kundrejt dollarit – rritja më e fuqishme që nga viti 2017.

    Forcimi i euros luan “një rol të rëndësishëm për rendimentin ekonomik, tregun e punës dhe gjendjen financiare të buxheteve” në BE, thotë Jack Allen-Reynolds, zëvendës-kryeekonomist për eurozonën në Capital Economics.

    “Një euro më e fuqishme ul aftësinë konkurruese të eksporteve, gjë që dëmton prodhuesit në rajon”, thotë për DW Allen-Reynolds. “Nga ana tjetër importet janë më të lira, gjë çon në uljen e çmimeve për konsumatorët.”

    Ricardo Amaro, kryeekonomist për eurozonën në Oxford Economic tërheq vëmendjen, se një rritje e mëtejshme e euros kundrejt dollarit mund të prekë gjithnjë e më shumë aftësinë e konkurrencës të sipërmarrjeve evropiane, të cilat eksportojnë në SHBA.

    Kjo vërtetë kompensohet nga çmimi i favorshëm i produkteve të SHBA-së në Evropë, sipas Amaros. Por në përgjithësi kursi aktual i këmbimit, nëse mbetet kështu, do të kishte efekt negativ ndaj rritjes ekonomike në Evropë.

    “Sipas llogarive tona produkti bruto në vend i eurozonës sivjet do të ishte rreth 0,2 përqind më i ulët, nëse kursi i këmbimit euro-dollar mbetet në nivelin aktual (1,20 USD), në vend të normës 1,16 dollar, që ka shërbyer si pikë reference në marrëveshjen e tregtisë BE-SHBA në fund të korrikut”, thotë Amaro për DW.

    A duhet të ndërhyjë BQE?

    Rritja e euros kundrejt dollarit ka nxitur spekulimet, nëse është e nevojshme ndërhyrja e Bankës Qendrore Evropiane.

    Martin Kocher, guvernator i Bankës Qendrore të Austrisë e konsideron rritjen aktuale të euros si të “moderuar”. Nëse vlera e euros do të vazhdojë të rritet, duhet të ndërhyjë BQE-ja.

    Qysh tani BQE përpiqet të influencojë pritshmëritë e tregut, kur përfaqësuesit e nivelit të lartë të BQE-së deklarojnë, se “po e vëzhgojnë situatën, dhe shprehin rezerva lidhur me zhvillimet e fundit”, thotë Ricardo Amaro. “Kjo shtron temën e uljes së interesave për të frenuar rritjen e euros.”

    Edhe Jack Allen-Reynolds mendon, se nuk është e nevojshme ndërhyrja me nivelin aktual të ndryshimeve në kurset e këmbimit. Por ai beson, se ndryshime të mëtejshme mund ta venë në lëvizje BQE-në që gjatë vitit të ulë interesat.

    Ndërsa Zsolt Darvas argumenton, se pasojat aktuale lidhur me inflacionin janë gati zero dhe asnjë sektor nuk është veçanërisht i ndjeshëm. “Kurset e këmbimit dekadat e fundit kanë pasur luhatje të fuqishme. Sipërmarrjet janë përgatitur për të përballuar luhatje edhe më të forta se këto që shohim aktualisht”, vlerëson Darvas.

  • Dy mësimdhënës në Ferizaj përleshen fizikisht gjatë pushimit të gjatë, rrahja ndodhi në sy të nxënësve

    Dy mësimdhënës në Ferizaj përleshen fizikisht gjatë pushimit të gjatë, rrahja ndodhi në sy të nxënësve

    Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, gjatë pushimit të gjatë në sy të nxënësve dhe drejtoreshës së shkollës.

    Për rastin e përleshjes së mësimdhënësve, një nxënës e kishte njoftuar Policinë Rajonale të Ferizajt.

    “Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, policia ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj, dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”- ka konfirmuar më 30.01.2026 për KALLXO. zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25 në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”- ka shtuar ai.

    Rastin e ka konfirmuar nëpërmjet telefonit edhe drejtoresha e gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, e cila ishte e pranishme në momentin e përleshjes fizike të mësimdhënësve të shkollës.

    Nebihu e ka përshkruar vetëm si “shtyrje” përleshjen, megjithëse e ka pranuar se njëri prej mësimdhënësve ka rënë përtokë.

    “Nuk ka ndodhur rrahje, incident ka pasë, nuk mundem me mohu, e ka rrëzu, e ka shty, e ka rrëzu njoni tjetrin”- ka thënë Nebihu.

    “Unë kam qëllu aty, edhe u çu i njëjti profesor e ka kapë me e çu. Nuk ka pasë kështu grushte mes vete, por e ka shtyrë mbrapa në shpinë t’u dalë, me qëllim, jo pahiri”, ka shtuar ajo.

    Nebihu ka thënë se menjëherë u ka kërkuar mësimdhënësve që të shkojnë në shtëpi dhe se ka informuar edhe Drejtorinë Komunale të Arsimit të Komunës së Ferizajt.