ATV

Blog

  • Ditë vendimtare për LDK-në: Abdixhiku vazhdon apo zgjidhet kryetar i ri?

    Ditë vendimtare për LDK-në: Abdixhiku vazhdon apo zgjidhet kryetar i ri?

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot, për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, një mbledhje që pritet të përcaktojë të ardhmen e udhëheqjes së partisë.

    Kuvendarët e LDK-së do të përballen me vendimin nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë në detyrë apo do të zgjidhet një kryetar i ri.

    Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku kishte njoftuar se do të ofronte dorëheqjen e tij në Kuvend, duke lënë vendim për pranimin e saj te kuvendarët.

    Megjithatë, anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, ka cilësuar dorëheqjen si akt të kryer dhe ka shpallur kandidaturën për kryetar.

    Disa anëtarë të partisë kanë shprehur publikisht mbështetjen për Abdixhikun, ndërsa të tjerë i kanë kërkuar dorëheqjen, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, e cila dha dorëheqje nga pozita e nënkryetares.

    Kuvendi i Punës, i thirrur nga LDK-ja, do të nisë punimet nga ora 12:00. Sipas njoftimit zyrtar, mediat do të lejohen të përcjellin fjalën e Abdixhikut, ndërsa më pas Kuvendi do të mbahet i mbyllur për diskutime dhe vendime të brendshme.

  • Horoskopi ditor, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi ditor, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Dashi

    Sot ke shumë ide dhe frymëzim. Shprehu me besim, njerëzit duan të të dëgjojnë.

    Demi

    Je i zënë me disa gjëra njëherësh. Kujdesu për financat dhe sigurinë, por mos harro se vlera më e madhe është brenda teje.

    Binjakët

    Personaliteti yt shumëngjyrësh po shkëlqen. Eksperimento dhe shijo ditën pa u menduar shumë për rezultatet.

    Gaforrja

    Intuita jote është e fortë sot. Merr pak qetësi dhe dëgjoje zërin e brendshëm.

    Luani

    Dil nga rrethi i zakonshëm dhe njihu me njerëz të rinj. Çdo takim të sjell një mësim të vlefshëm.

    Virgjëresha

    Sot është dita për të qenë praktik dhe i fokusuar. Vendos strategji të qarta për qëllimet e tua.

    Peshorja

    Ke nevojë për përvoja të reja. Udhëto, mëso ose provo diçka ndryshe. Shijo lirinë pa u menduar shumë për destinacionin.

    Akrepi

    Mendja jote sot është e qartë dhe e thellë. Kërko biseda me kuptim, jo thjesht fjalë boshe.

    Shigjetari

    Marrëdhëniet janë në qendër të vëmendjes. Një gjest i vogël mirësie mund të forcojë shumë lidhjet e tua.

    Bricjapi

    Shiko rutinat dhe strukturat e jetës tënde. Është koha për t’i përmirësuar që të përshtaten me personin që po bëhesh.

    Ujori

    Krijimtaria jote është më e qartë dhe e rafinuar. Sot është ditë e mirë për të ushtruar besim dhe për të treguar talentin tënd.

    Peshqit

    Vetmia sot është e vlefshme. Merr kohë për qetësi dhe për t’u lidhur me veten. Qartësia vjen në heshtje.

  • 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

    29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës

    Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

    Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët e tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë.

    Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan. Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake.

    Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në vitin 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.

    Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.

    Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.

    Për të gjithë aktivitetin e tij ndihmën më të madhe ia ka dhënë kushëriri i tij Fadil Pajaziti i cili ishte një biznesmen dhe pothuajse të gjithë financimin e ka pasur nga ai.

    Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

    Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo kishte parë se kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje, ai kishte vendosur të bëhej shtyllë e mosthyerjes, sado e dhimbshme të kishte qenë kjo.

    Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore; ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.

    Hakif Zejnullahu ka një kontradiktë mes heshtjes së tij dhe punës së bërë prej tij. Nëse heshtjen e ka të jashtëzakonshme, punën e ka po ashtu të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.

    Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme.

  • Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe (VBA).

    Sipas Hoxhës, njëri nga tre të arrestuarit është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.

    “Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, tha Hoxha për RTK.

    Drejtori i Policisë ka shtuar se nga terreni janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të ekzaminuara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.

    “Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, tha Hoxha.

    Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht vjedhjeve dhe grabitjeve. /rtk

  • ATV-ja shënon pesëvjetorin e transmetimit

    ATV-ja shënon pesëvjetorin e transmetimit

    Pesë vjet më parë, u shënua fillimi i një epoke të re, skemës mediale iu shtua ATV.

    Me investimin më të madh në media në Kosovë, në më shumë se një dekadë, një ekip i përzgjedhur i profesionistëve, më 31 janar 2021, me lajmet e orës 19:00, filloi rrugëtimin që sot e vazhdojnë me krenari.

    Bashkë, gazetarë, kameramanë, redaktorë, producentë e regjisorë, arritën që ATV-në, në kohë rekord, ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së secilit qytetar në vend, përfshirë edhe diasporën.

    Duke i ditur kërkesat e shikuesve në kohën që po jetojmë, vëmendje e posaçme iu kushtua pranisë online. Kjo rezultoi me qindra miliona shikime në rrjetet sociale, në të cilat ATV-ja prin bindshëm.

    Gazetarët vazhdojnë të jenë kudo e kurdo, në çdo ngjarje e zhvillim, duke bërë që ata t’i sprovojnë edhe situatat ekstreme.

    Veç angazhimit maksimal në vend, ATV-ja raportoi edhe nga jashtë. Në saje të profesionalizmit të lartë, pamjet e ATV-së u cituan edhe në mediat botërore.

    ATV-ja u bë platformë e besueshme ku flasin të gjithë.

    Gjithashtu, edhe adresë duke u bërë pjesë e çdo familjeje përmes emisioneve, kronikave e informacioneve të fundit, duke ruajtur standardet më të larta profesionale.

    Për më tepër, produksioni i ATV-së veç emisioneve prodhon edhe dokumentarë e reportazhe, duke mbizotëruar edhe me serialin më të shikuar në vend, 3 Vllaznit.
    Duke dashur të jemi afër shikuesve e larg konkurrencës, planet për të ardhmen janë ambicioze, po ashtu.

    Live apo në xhirim, në televizor, telefon, apo pajisje të tjera. Në rrjete sociale apo në youtube, ATV do të mbetet i pari, KUDO!

  • Rinumërohen mbi 99% e kutive, Kurti në mesin e katër kandidatëve të VV-së me humbjen më të madhe të votave

    Rinumërohen mbi 99% e kutive, Kurti në mesin e katër kandidatëve të VV-së me humbjen më të madhe të votave

    Rinumërimi i votave po shkon drejt përfundimit. Deri më tani janë rinumëruar 99.18 për qind e vendvotimeve, ndërsa procesi pritet të përmbyllet gjatë mbrëmjes së sotme.

    Sipas rezultateve të përpunuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është në mesin e katër kandidatëve të kësaj partie me diferencën më të madhe të votave pas rinumërimit.

    Kurti nga ky proces ka rezultuar me 498 vota më pak.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje janë mbi 25 kandidatë që kanë diferencë negative mbi 100 vota pas rinumërimit.

    Me humbjen më të madhe të votave prin Taulant Kelmendi me 921 vota më pak, i ndjekur nga Arbër Rexhaj me 623, Rea Krasniqi me 537, Albin Kurti me 498 dhe Dafina Alishani me 437 vota më pak.

    Më poshtë është lista e disa kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë mbi 100 vota minus pas rinumërimit:

    Taulant Kelmendi – 921 vota

    Arbër Rexhaj – 623  vota

    Rea Krasniqi – 536 vota

    Albin Kurti – 498 vota

    Dafina Alishani – 437 vota

    Valon Hoti – 422 vota

    Skender Thaqi – 414 vota

    Vendenis Lahu – 387 vota

    Ali Dula – 361 vota

    Filiz Mustafa – 348 vota

    Valon Ramadani – 341 vota

    Gazmend Krasniqi – 335 vota

    Arsim Berisha – 310 vota

    Gramos Agusholli – 297 vota

    Mytaher Haskuka – 259 vota

    Artan Abrashi – 248 vota

    Avni Dehari – 241 vota

    Gani Krasniqi – 222 vota

    Adelina Stublla – 212 vota

    Agon Batusha – 209 vota

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të bëhet nesër, duke filluar nga ora 10:00.

  • Vdes në moshën 71-vjeçare ylli i filmit, Catherine O’Hara

    Vdes në moshën 71-vjeçare ylli i filmit, Catherine O’Hara

    Catherine O’Hara, aktorja e njohur për rolet e saj në Schitt’s Creek, Home Alonedhe Best in Show, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

    Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i saj për Variety. Ajo ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër, raporton theguardian.

    O’Hara e nisi karrierën e saj në komedi në vitet 1970 dhe ishte bashkëkrijuese e emisionit kanadez të skeçeve SCTV. Në vitet 1980 ajo hyri në kinematografi, me rolin e saj të parë në filmin romantik Nothing Personal, përkrah Donald Sutherland.

    Në vitin 1985, ajo luajti edhe në komedinë e zezë After Hours të regjisorit Martin Scorsese.

    Në vitin 1988, O’Hara u shfaq në filmin komedi-horror Beetlejuice të Tim Burton dhe më pas e riktheu rolin në vazhdimin e vitit 2024. Në xhirimet e filmit të parë, ajo u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, dizajnerin e produksionit Bo Welch, me të cilin u martua në vitin 1992.

    O’Hara interpretoi nënën e pakujdesshme të Macaulay Culkin në komedinë shumë të suksesshme Home Alone të vitit 1990, rol që e përsëriti edhe në vazhdimin e vitit 1992.

    “Është një film perfekt, apo jo?”, kishte thënë ajo për People në vitin 2024, duke folur për Home Alone. Ajo shtoi për përvojën: “Ishte e mrekullueshme. Të gjithë fëmijët që luanin fëmijët tanë ishin thjesht të mrekullueshëm.”

    Në vitin 1996, ajo nisi bashkëpunimin me Christopher Guest, duke luajtur në mockumentary-n Waiting for Guffman, dhe më pas në tre filma të tjerë të tij: Best in Show, A Mighty Wind dhe For Your Consideration në vitin 2006.

    Guest e ka vlerësuar O’Hara-n për aftësinë e saj për të kombinuar komedinë dhe dramën:
    “Catherine është një nga shumë pak aktoret që mund t’i bëjë të dyja. Ajo është jashtëzakonisht qesharake, por mund të kalojë edhe në një zonë emocionale që i surprizon njerëzit – është e mrekullueshme ajo kalim,” ka thënë ai.

    O’Hara gjithashtu ka dhënë zërin e saj në shumë filma të animuar, përfshirë Chicken Little, Over the Hedge, Monster House, Frankenweenie dhe së fundmi The Wild Robot.

  • E Jashtëzakonshme:Vedat Muriqi shpallet “Lojtari i muajit”në La Liga

    E Jashtëzakonshme:Vedat Muriqi shpallet “Lojtari i muajit”në La Liga

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Vedat Muriqi është shpallur lojtar i muajit në La Ligën spanjolle.

    Muaji janar ishte fantastik për reprezentuesin dardan,ku në 5 ndeshje shënoi 4 gola përfshirë ketu edhe hattrickun kundër Athletic Bilbaos.

    Përndryshe Muriqi për të fituar këtë çmim mposhti lojtarë të ndryshëm të ekipeve në La Liga,dhe natyrisht se kjo është krenari për të gjithë shqiptarët ku një lojtar nga Kosova fiton epitetin e lojtarit më të mirë.

    Kujtojmë që Vedat Muriqi është golashënuesi i dytë më i mirë në LaLiga me 14 gola pas Kylian Mbappes,teksa la mbrapa emra si:Ferran Torres,Robert Leëandovski dhe Lamine Yamal.

  • Emir Sahiti transferohet tek ekipi izraelit Maccabi Tel Aviv

    Emir Sahiti transferohet tek ekipi izraelit Maccabi Tel Aviv

    Sulmuesi kosovar Emir Sahiti është transferuar në formë huazimi tek ekipi izraelit Maccabi Tel Aviv.

    Sahiti pritet të jetë në huazim deri në fund të sezonit tek ekipi izraelit,ku këta të fundit arritën marrëveshje me klubin gjerman Hamburg ku përfshihet edhe opsioni i blerjes nga Maccabi Tel Aviv.

    Përndryshe Sahiti u prononcua për herë të parë si lojtar i Maccabi Tel Aviv,duke deklaruar se është i lumtur që ka ndërmarrë një hap të tillë.

    “Jam shumë i lumtur dhe emocionuar që i bashkohem Maccabi Tel Aviv, klub me histori të pastër dhe tifozë të devotshëm. Nga bisedat e para, e ndjeva vizionin e klubit dhe e dija që ishte hapi i duhur”

    Kujtojmë që Emir Sahiti deri më tani pati 5 për ekipin gjerman Hamburg këtë sezon,por nuk arriti të shënonte të paktën një gol ose të dhuronte një asistim.

  • I dyshuari për dhunimin e të miturës në Istog ndalohet për 48 orë, Prokuroria do të kërkojë paraburgimin e tij

    I dyshuari për dhunimin e të miturës në Istog ndalohet për 48 orë, Prokuroria do të kërkojë paraburgimin e tij

    Një ndërhyrje urgjente policore ka zbuluar një rast tronditës në Dubravë të Istogut, ku një burrë është kapur në një objekt motelesh bashkë me një vajzë 13-vjeçare dhe tashmë dyshohet për veprën penale të dhunimit.

    Pas arrestimit, të dyshuarit, siç mësoi emrin e të dyshuarit ekskluzivisht Sinjali, Tomo Prekajt i është caktuar ndalim 48 orësh me vendim të prokurorit.

    Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se për 54-vjeçarin, prokurori i rastit është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga Policia e Kosovës:

    “Dje Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë një person duke kryer veprën kriminale dhunimi ndaj një të miture, me ç’rast në vendin e ngjarjes ishin edhe prokurori i shtetit, mbrojtësi i viktimave dhe të gjitha organet relevante, përfshirë edhe institucionet tjera. Personi i përfshirë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe njëkohësisht po përgatitet kërkesa për masën e paraburgimit për veprën penale dhunimi”, theksoi Nikçi.