ATV

Blog

  • Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë për Epstein, pas presionit të Kongresit!

    Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë për Epstein, pas presionit të Kongresit!

    Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e shtetit Hillary Clinton kanë rënë dakord të dëshmojnë para një komiteti të Kongresit amerikan si pjesë e hetimit mbi financierin dhe pastaj i akuzuar si predator seksual Jeffrey Epstein, një zyrtar i çiftit konfirmoi të hënën.

    Vendimi i tyre vjen vetëm ditë para një votimi të planifikuar në “Dhomën e Përfaqësuesve”, të udhëhequr nga republikanët, për të konsideruar ngritjen e akuzave për mosbindje ndaj Kongresit kundër të dyve pasi kishin refuzuar të paraqiteshin më parë për dëshmi.

    Ajo që e bën situatën edhe më të nxehtë është se vendimi i tyre thuhet se vjen pikërisht në momentin kur Kongresi po përgatitej të shtynte përpara akuza për “mosbindje ndaj Kongresit”, pasi kishte pretendime se më parë ata kishin refuzuar të paraqiteshin. Me pak fjalë: presioni po rritej me shpejtësi dhe tani Clintonët po reagojnë.

    Në një deklaratë publike, një përfaqësues i Clintonëve tha se çifti dëshiron të bashkëpunojë dhe beson se rregullat duhet të vlejnë njësoj për të gjithë, duke shtuar se ata janë të gatshëm të ulen përballë komitetit. Megjithatë, negociatat për detajet, përfshirë formën dhe kohën e dëshmisë, thuhet se janë ende në proces.

    Hetimi vetë është kthyer në një çështje tepër politike, ku kritikët i akuzojnë Clintonët se po përpiqen t’i shmangen vëmendjes, ndërsa mbështetësit thonë se gjithçka po përdoret si armë politike. Sido që të jetë, situata është e ndërlikuar.

    Edhe pse Clintonët kanë mohuar vazhdimisht çdo përfshirje apo dijeni për krimet e Epstein, fakti që tani pritet të dëshmojnë i vendos ata drejtpërdrejt në qendër të një prej skandaleve më shpërthyese që përfshin elitën e pasur dhe të fuqishme.

  • Fushë Kosovë: Katër të rinj përfundojnë në arrest, dyshohen për lëndim të rëndë trupor

    Fushë Kosovë: Katër të rinj përfundojnë në arrest, dyshohen për lëndim të rëndë trupor

    Katër të rinj janë arrestuar nga Policia e Fushë Kosovës nën dyshimin për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur ditën e diel, më 1 shkurt 2026, rreth orës 20:00, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.

    Gjatë incidentit, një nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjes me një mjet të mprehtë, ndërsa personat e tjerë janë lënduar gjatë një përleshjeje.

    Pas veprimeve hetimore, policia ka identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar, të gjithë 18-vjeçarë dhe shtetas të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë hetimore dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Mbi 400 mijë llogari nën moshën 16 vjeç bllokohen nga Snapchat në Australi

    Mbi 400 mijë llogari nën moshën 16 vjeç bllokohen nga Snapchat në Australi

    Snapchat ka pezulluar më shumë se 400,000 llogari që u përkisnin përdoruesve nën moshën 16 vjeç në Australi, më pak se dy muaj pasi platforma e mediave sociale u ndalua. 

    “Ne vazhdojmë të bllokojmë llogaritë çdo ditë”, tha Snapchat në një deklaratë.

    Rrjeti social theksoi kufizimet e këtyre masave të verifikimit, duke shpjeguar se mjetet e përdorura për të vlerësuar moshën e përdoruesve kanë një diferencë gabimi prej dy deri në tre vjetësh.

    “Në praktikë, kjo do të thotë që ata nën 16 vjeç mund të anashkalojnë masat mbrojtëse, duke u përballur potencialisht me më pak mbrojtje, ndërsa të rinjtë e tjerë mbi 16 vjeç humbasin padrejtësisht aksesin”, tha kompania.

    Snapchat po u propozon autoriteteve australiane që vetë katalogët e aplikacioneve të verifikojnë moshën e përdoruesve përpara se të shkarkohen aplikacionet.

    Disa platforma, duke përfshirë Snapchat, TikTok, YouTube dhe aplikacionet Meta (Facebook, Instagram), janë të detyruara të zbatojnë ndalimin në Australi dhe përballen me gjoba nëse nuk ndërmarrin hapa të arsyeshëm për t’iu përmbajtur ligjit.

    Ligji australian ka pasur një ndikim global. India ka filluar të shqyrtojë një propozim të ngjashëm dhe, në Francë, Asambleja Kombëtare votoi javën e kaluar në favor të një ndalimi të ngjashëm për personat nën 15 vjeç, me qëllim zbatimin e plotë deri më 1 janar 2027.

  • Incidenti familjar eskalon në përleshje në Ferizaj, lëndohen tre persona – konfiskohet edhe armë

    Incidenti familjar eskalon në përleshje në Ferizaj, lëndohen tre persona – konfiskohet edhe armë

    Një rast i dhunës në familje ka eskaluar në përleshje mes disa personave mbrëmjen e së hënës në Ferizaj, duke rezultuar me disa të lënduar dhe një person të arrestuar.

    Sipas raportit të policisë, rreth orës 21:30 është raportuar një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se fillimisht kishte sulmuar fizikisht një viktimë femër kosovare.

    Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Dietologët tregojnë se a janë të shëndetshme ëmbëlsirat me proteina

    Dietologët tregojnë se a janë të shëndetshme ëmbëlsirat me proteina

    Protein bars apo “ëmbëlsirat me proteina” janë kthyer në një ushqim që konsumohet shumë shpesh.

    Vitin e kaluar, amerikanët shpenzuan rreth 50 miliardë dollarë për ushqime me proteina dhe kjo shifër pritet të dyfishohet deri në vitin 2032. Influencuesit dhe kompanitë janë duke i nxitur njerëzit të konsumojnë gjithnjë e më shumë proteina, shpesh në sasi që zakonisht u nevojiten vetëm bodybuilderëve.

    Por sa të shëndetshme janë vërtet protein bars, sidomos kur shumë prej tyre përmbajnë sheqer dhe përbërës artificialë?

    Për ta kuptuar më mirë këtë trend, The Guardian ka biseduar me Julia Zumpano, dietologe në Cleveland Clinic dhe Amy Stephens, dietologe sportive në Universitetin e New Yorkut.

    Zumpano ka thënë se përpiqet t’i shmangë, por i përdorë në raste të veçanta.

    “Përpiqem ta minimizojë përdorimin e protein bars, por janë të dobishme për udhëtime ose kur nuk kam mundësi të ha ushqim të vërtetë. Mund të konsumoj një herë në javë ose çdo dy javë”, ka thënë ajo.

    Dieotologia ka shtuar se ka pak protein bars që i konsideron relativisht të pranueshme.

    Ndërsa Stephens thotë se zakonisht nuk i konsumon fare.

    “Unë përpiqem t’i marr të gjitha vlerat ushqyese nga ushqimi i vërtetë. Ha kos, mish pule, peshk, djathë, vezë dhe bishtajore. Nuk i numëroj gramët e proteinës, vetëm sigurohem që çdo vakt të ketë proteina”, ka thënë ajo.

    Çfarë përbërësish duhet të kërkojmë te një protein bar?

    Amy Stephens këshillon të shikohen përbërës të njohur.

    “Kërkoni për ushqime që ekzistojnë realisht, si tërshëra, arrat dhe farat, jo produkte që mbështeten vetëm në proteina të izoluara ose pluhura”, ka thënë ajo.

    Zumpano ka thënë se i shmangë ëmbëltuesit artificialë, ngjyrat, alkool sheqeri apo i njohur ndryshe si poliol.

    “Dua përbërës që mund t’i lexoj dhe t’i kuptoj. Nëse dikush donë të hajë një protein bar çdo ditë, atëherë duhet të jetë shumë më i kujdesshëm me përbërjen”, ka thënë ajo.

    Dietologia ka shtuar se në disa raste, si në një pompë benzine, një protein bar mund të jetë zgjedhje më e mirë sesa patatinat.

    “Nuk është ideale, por mund të jetë alternativa më e mirë në atë moment”, ka thënë dietologia.

    Cilat janë shqetësimet nga konsumimi i shpeshtë?

    Sipas Zumpanos, ëmbëltuesit artificialë mund të rrisin oreksin dhe dëshirën për sheqer.

    “Në sasi të mëdha, ata mund të dëmtojnë florën e zorrëve. Disa studime tregojnë se alkoolët e sheqerit (polioli) lidhen me rritje të rrezikut për sulm në tru dhe mpiksje gjaku”, ka thënë ajo.

    Stephens ka theksuar se një dietë e përqendruar vetëm te proteina krijon çekuilibër.

    “Njerëzit kanë frikë nga karbohidratet, por pa to vjen lodhja, mungesa e energjisë dhe rënia e performancës fizike”, ka thënë ajo.

    Sa proteina na duhen në të vërtetë?

    Stephens ka shpjeguar se sasia varet nga aktiviteti fizik.

    “Atletët e qëndrueshmërisë kanë nevojë për rreth 1.4 deri në 1.7 gramë proteina për kilogram të peshës trupore. Ata që bëjnë ushtrime për forcimin e muskujve mund të shkojnë deri në 2 ose 2.2 gramë, por kjo vlen vetëm për grupe shumë specifike”, ka thënë ajo.

    Dietologia ka paralajmëruar se shumë ushqime të pasura me proteina, sidomos mishi i kuq, përmbajnë yndyra të ngopura që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës.

    Zumpano mendon se shumica e njerëzve tashmë marrin mjaftueshëm proteina.

    “Problemi i vërtetë është mungesa e fibrave. Shumica e amerikanëve nuk marrin sasinë e nevojshme të fibrave”, ka thënë ajo.

    Kur u pyet për protein bars ose fibra në formë suplementi, ajo ka thënë se konsumon ushqim të vërtetë.

    “Ha ushqim të vërtetë. Fibrat vijnë nga frutat, perimet, tërshëra, arrat, farat, avokadoja dhe zarzavatet”, ka thënë ajo.

    Zumpano ka shtuar se protein bars nuk ofrojnë shumë lëndë ushqyese të rëndësishme.

    “Kur zëvendëson mishin, peshkun ose vezët me një ‘ëmbëlsirë me proteina’, humb hekurin, vitaminat B, zinkun dhe omega-3”, ka thënë ajo.

    Sipas dietologeve, protein bars mund të konsumohen herë pas here, por jo si zëvendësim i përditshëm i ushqimit.

    Ato këshillojnë të lexohen me kujdes përbërësit dhe të fokusohemi më shumë te ushqimi i freskët dhe natyral.

    “Çdo gjë në moderim, por baza duhet të jetë ushqimi i vërtetë”, ka përfunduar Zumpano./koha.net

  • Hetimet për manipulim votash zgjerohen edhe në Gjilan

    Hetimet për manipulim votash zgjerohen edhe në Gjilan

    Sot, Prokuroria e Gjilanit është duke kanë zhvilluar një aksion kundër keqpërdorimeve të votave në kuadër të hetimeve për falsifikim dhe manipulim të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, merr vesh Gazeta Sinjali.

    Ky aksion është pjesë e një vale hetimesh dhe ndalimesh që ka përfshirë dhjetëra komisionerë, kryesues qendrash të numërimit dhe persona të tjerë të dyshuar në shumë komuna të Kosovës – përfshirë Prizren, Malishevë, Podujevë, Mitrovicë dhe vende të tjera.

    Autoritetet kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar për falsifikim të voteve, ndërhyrje në rezultatin zgjedhor dhe shkelje të të drejtës së votës.

    Sipas Prokurorisë, hetimet janë zgjeruar edhe në Gjilan, ku policia dhe prokuroria po mbledhin informacione dhe po kryejnë veprime hetimore për dyshimet e manipulimit të votave dhe shkelje të procesit zgjedhor në këtë komunë.

    Këto veprime vijnë në vijim të një procesi të rinumërimit të votave në të gjithë vendin dhe një operacioni kombëtar për të adresuar çdo shkelje të mundshme që minon integritetin e votës së qytetarëve kosovarë.

    Institucionet kanë bërë me dije se do të vazhdojnë aksionet dhe se çdo person i përfshirë në manipulime votash do të përballet me ndëshkime ligjore në përputhje me Kodin Penal të Kosovës.

  • Trumpi kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Harvardi

    Trumpi kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Harvardi

    Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti i Harvardit në konfliktin e vazhdueshëm të administratës së tij me institucionin.

    Lajmi vjen pasi New York Times raportoi se administrata e presidentit amerikan u detyrua të tërhiqej nga kërkesa e saj për një pagesë prej 200 milionë dollarësh në negociatat me universitetin.

    Trumpi e përmendi historinë në një postim në Truth Social të hënën vonë, duke fajësuar Harvardin për “ushqyerjen me shumë budallallëqe” të New York Times.

    Zyrtarët e Trumpit e kanë akuzuar Harvardin se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin gjatë protestave pro-palestineze. Harvardi e ka hedhur poshtë akuzën.

    Harvardi ka qenë një objektiv qendror në fushatën e Shtëpisë së Bardhë për të zhdukur atë që i quan ideologji “të zgjuara” dhe “të majta radikale” në kampuset amerikane, raporton BBC.

    Në prill të vitit të kaluar, Trumpi revokoi rreth 2 miliardë dollarë grante kërkimore për Harvardin dhe ngriu fondet federale.

    Universiteti paditi administratën Trump për këtë veprim, duke thënë se asnjë qeveri “nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë dhe cilat fusha studimi dhe hetimi mund të ndjekin”.

    Një gjykatë federale amerikane më vonë rrëzoi shkurtimet prej miliarda dollarësh në fonde, duke vendosur se qeveria kishte shkelur të drejtat e lirisë së fjalës së universitetit.

    Shtëpia e Bardhë u zotua të kundërshtonte menjëherë “vendimin e shëmtuar”, duke thënë se Harvard mbetet “i papërshtatshëm për grante në të ardhmen”.

    Para njoftimit të së hënës, qeveria kishte qenë në diskutime me Harvardin mbi një marrëveshje të mundshme për të zhbllokuar fondet federale.

    “Ne tani po kërkojmë një miliard dollarë dëmshpërblim dhe nuk duam të bëjmë asgjë më tej në të ardhmen me Universitetin e Harvardit”, shkroi Trump të hënën.

    Ai akuzoi Harvardin për “paligjshmëri serioze dhe të tmerrshme”, por nuk sqaroi se si besonte se kishte shkelur ligjin.

    Trumpi më parë ka kërcënuar të revokojë statusin e përjashtimit nga taksat të Harvardit dhe të marrë kontrollin e patentave të universitetit që rrjedhin nga kërkimet e financuara nga federalisht.

    Tre universitete të tjera të Ivy League, Columbia, Penn dhe Brown, arritën marrëveshje me Trump për të ruajtur fondet që ishin në rrezik për shkak të pretendimeve të ngjashme nga administrata, në vend që të shkonin në gjykatë.

  • Këta janë librat më të rinj që do të botohen në shkurt

    Këta janë librat më të rinj që do të botohen në shkurt

    Nëse po kërkoni diçka të re për të lexuar këtë muaj, shkurti vjen me një valë botimesh të freskëta që përfshijnë fantazi, romancë, trillim historik, letërsi bashkëkohore dhe fantashkencë.

    Me mbrëmjet që po ndriçohen gradualisht dhe dimrin ende mes nesh, nuk ka kohë më të mirë për t’u rehatuar me një libër të mirë. Ja disa nga titujt më të spikatur që dalin këtë shkurt dhe që kanë gjithçka për t’u kthyer në leximet tuaja të preferuara.

    And Now, Back to You – B.K. Borison (26 shkurt)

    Dy meteorologë rivalë detyrohen të bashkëpunojnë kur “stuhia e shekullit” godet qytetin. Ai është i disiplinuar dhe i lidhur pas skriptit, ajo spontane dhe gjithmonë në terren. Një romancë dimërore plot humor dhe ndjenjë, frymëzuar nga When Harry Met Sally.

    A Dark Forgetting – Kristen Ciccarelli (12 shkurt)

    Një histori e errët dhe atmosferike për Emeline Lark, e cila rikthehet në qytetin e saj të vogël kur gjyshi zhduket. Pylli misterioz, besëtytnitë dhe një marrëveshje vdekjeprurëse me Mbretin e Drurit e bëjnë këtë roman ideal për adhuruesit e fantazisë së errët.

    Motherfaker – Anna Brook-Mitchell (26 shkurt)

    Një mësuese angleze, e tradhtuar dhe pa kursime, shtiret sikur është shtatzënë për të përfituar pushim njëvjeçar me pagesë. Një histori komike, por edhe prekëse, për identitetin, vetminë dhe shanset e dyta.

    Trad Wife – Saratoga Schaeffer (19 shkurt)

    Një satirë e errët për jetën “perfekte” të një gruaje tradicionale që dokumenton gjithçka për rrjetet sociale. Një pus i mistershëm, ëndrra ogurzeza dhe një dëshirë që shndërrohet në makth – roman i mprehtë me koment social të fortë.

    She Made Herself A Monster – Anna Kovatcheva (12 shkurt)

    Një gjahtare vampirësh mbërrin në një fshat të mallkuar, ku miqësia me një vajzë të dyshuar si shkaktare e mallkimit merr kthesa të frikshme. Gotik, folklorik dhe i fokusuar te personazhet.

    Operation Bounce House – Matt Dinniman (12 shkurt)

    Fantashkencë dinamike nga autori i Dungeon Crawler Carl: kolonistët e një planeti përballen me shfarosje të kthyer në lojë për argëtim. Plot aksion, humor dhe zemër.

    Just Watch Me – Lior Torenberg (26 shkurt)

    Një livestream 24-orësh për të shpëtuar jetën e motrës shndërrohet në obsesion viral. Një histori e errët dhe ironike për famën online, dhimbjen dhe shëndetin mendor.

    A Sociopath’s Guide to a Successful Marriage – M.K. Oliver (12 shkurt)

    Një anti-heroinë e reformuar përpiqet të jetojë jetën perfekte familjare… derisa tundimi për t’u kthyer te vrasja rikthehet. Satirë e mprehtë dhe jashtëzakonisht argëtuese.

    How to Kill a Guy in Ten Dates – Shailee Thompson (12 shkurt)

    Një event speed-dating shndërrohet në skenë krimi. Horror, romancë dhe humor i zi në një debutim energjik që luan me rregullat e filmave slasher.

    Passage to Tokyo – Poppy Kuroki (5 shkurt)

    Udhëtim në kohë nga viti 1995 në Tokion e viteve 1920. Dashuri queer, tragjedi historike dhe një garë kundër kohës për të shpëtuar njerëzit e dashur.

    The Irish Goodbye – Heather Aimee O’Neill (5 shkurt)

    Tre motra ribashkohen pas vitesh ndarje dhe sekretesh të rënda. Një roman emocional për familjen, fajin dhe faljen.

    Love and Other Brain Experiments – Hannah Brohm (12 shkurt)

    Një neuroshkencëtare përballet me ish-in e saj dhe një rival tepër tërheqës në një konferencë vendimtare për karrierën. Romancë inteligjente me dialog të mprehtë dhe trope “enemies to lovers”.

  • Fenomeni që po alarmon shkencëtarët. “El nino” dhe “La nina” pritet të godasë Tokën

    Fenomeni që po alarmon shkencëtarët. “El nino” dhe “La nina” pritet të godasë Tokën

    Muaji Janar i vitit 2025 ishte më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë, duke vijuar me një seri temperaturash ekstreme globale pavarësisht një ndryshimi drejt modelit të motit ftohës të La Nina-s. Alarmin për keto fakte e kanë thënë shkencëtarët e Bashkimit Evropian.

    Janari zgjati me një seri të nxehtësisë së jashtëzakonshme, në të cilën 18 nga 19 muajt e fundit panë një temperaturë mesatare globale prej më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi kohët para-industriale, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Kopernikus i BE-së në një buletin mujor.

    Kjo ndodhi pavarësisht se bota u zhvendos nga modeli i ngrohjes El Nino – i cili ndihmoi që viti 2024 të ishte viti më i ngrohtë në botë i regjistruar ndonjëherë – dhe u kthye drejt fenomenti të tij më të freskët të La Nina-s, i cili përfshin ftohjen e ujërave ekuatoriale të Paqësorit dhe mund të frenojë temperaturat globale, shkruan A2.

    Temperatura mesatare globale në janar ishte 1.75C më e lartë se në kohët para-industriale.

    Kopernicus vlerëson se La Nina ende nuk është zhvilluar plotësisht dhe bota aktualisht është në kushte neutrale midis dy fazave. Modele të tjera të të dhënave mund të ndryshojnë, me shkencëtarët amerikanë që treguan muajin e kaluar se kushtet e La Nina-s ishin formuar.

    Shkencëtarët në Berkeley Earth dhe në Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar kanë thënë se presin që viti 2025 të jetë viti i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë – më i ftohtë se 2024 dhe 2023 për shkak të zhvendosjes drejt La Nina, megjithëse mbeten pasiguri se si do të zhvillohet fenomeni.

    Globalisht, temperaturat mesatare të sipërfaqes së detit në janar ishin të dytat më të larta të regjistruara ndonjëherë për këtë muaj, të tejkaluara vetëm në janar 2024.

    Një raport nga World Weather Attribution zbuloi se një “stuhi perfekte” e ndryshimeve klimatike dhe modeleve ciklike të motit La Niña nxitën përmbytje katastrofike në të gjithë Afrikën jugore gjatë muajit të kaluar, duke vrarë 200 njerëz dhe duke prekur qindra mijëra të tjerë.

    Raporti tregoi se intensiteti i ngjarjeve të tilla ekstreme të reshjeve është rritur me 40% që nga kohërat para-industriale – një shenjë e qartë se temperaturat më të ngrohta të oqeanit të lidhura me emetimet e gazrave serrë janë pjesërisht fajtore – dhe se kushtet aktuale të La Niña i kishin përkeqësuar gjërat.

    La Niña përfshin ftohjen e përkohshme të temperaturave në Oqeanin Paqësor qendror dhe lindor. Organizata Botërore Meteorologjike ka parashikuar një La Niña të dobët në këtë cikël, por paralajmëroi se temperaturat e detit më të ngrohta se normale të lidhura me ndryshimet klimatike po rrisin mundësinë e përmbytjeve dhe thatësirave.

    Në Kinë, Administrata Meteorologjike zbuloi se temperatura mesatare vjetore arriti një rekord për të dytin vit me 10.9 gradë Celsius (51.6 gradë Fahrenheit), me ditët me temperaturë më të lartë të regjistruara ndonjëherë.

  • Pse gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po vendosin të divorcohen?

    Pse gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po vendosin të divorcohen?

    Tradhti, konflikte të mëdha apo drama? Jo domosdoshmërisht – gjithnjë e më shumë gra po largohen nga martesa për shkak të lodhjes emocionale, mungesës së vlerësimit dhe nevojës për një fillim të ri

    Ajo që dikur dukej e paimagjinueshme po ndodh gjithnjë e më shpesh: gra në moshë të mesme po largohen nga martesa, jo për shkak të skandaleve apo tradhtisë, por sepse janë të lodhura emocionalisht dhe nuk duan ta jetojnë pjesën tjetër të jetës në pakënaqësi.

    Për dekada me radhë, divorcet në këtë moshë ishin më të zakonshme te burrat, të cilët shpesh e ndërprisnin martesën për të nisur lidhje me gra më të reja. Sot, studimet tregojnë se ky model po ndryshon rrënjësisht.

    Gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po vendosin të ndërpresin martesën edhe kur nuk ka pasur konflikte të mëdha, dhunë apo tradhti. Shumë burra mbeten të befasuar nga ky vendim, sepse kanë besuar se marrëdhënia e tyre ishte “normale” dhe e qëndrueshme, shpesh duke mos e kuptuar pakënaqësinë e heshtur të bashkëshorteve të tyre.

    Historia e Kate – momenti kur gjithçka ndryshoi

    Një mbrëmje të shtatorit, 53-vjeçarja Kate po darkonte me bashkëshortin e saj. Ajo priste që ai ta pyeste për një prezantim të rëndësishëm në punë, i cili e kishte shqetësuar prej ditësh. Por ai e harroi këtë dhe e ktheu bisedën te futbolli.

    Në atë çast, Kate ndjeu se nuk ishte më e parë, e dëgjuar apo e rëndësishme në martesën e saj. Ajo piu një gotë verë dhe mendoi: “Unë nuk mund ta jetoj kështu edhe 20 vjet të tjera.”

    Po atë mbrëmje vendosi të kërkonte divorc.

    Kate është shembull i një trendi në rritje, të njohur si “walkaway wives”, gra që largohen nga martesa në heshtje, pa drama të mëdha, por pas vitesh zhgënjimi emocional, ndjesisë së padukshmërisë dhe mungesës së vlerësimit.

    Çfarë tregojnë statistikat?

    Sipas të dhënave të publikuara nga The Telegraph, sot pothuajse gjysma e divorceve nisin nga gra në moshë të mesme, dhe 56 për qind e tyre thonë se do ta ndërprisnin martesën nëse janë të palumtura.

    Raporti Beyond the Break, i publikuar në nëntor 2025 nga studio ligjore Mishcon de Reya dhe komuniteti britanik për gra në moshë të mesme NOON, tregon se gjithnjë e më shumë gra kërkojnë divorc sepse, siç shprehen ato, “u ka ardhur në majë të hundës”.

    64 për qind e grave deklaruan se shkaku i divorcit nuk ishte tradhtia.
    23 për qind thanë se nuk ndjenin më dashuri për bashkëshortin.
    11 për qind u shprehën se nuk donin ta kalonin pjesën tjetër të jetës me një burrë që ishte bërë emocionalisht i largët.

    Ana Clarke (41) tregoi: “Kërkesa ime për divorc në tetorin e kaluar e tronditi plotësisht ish-bashkëshortin tim. Ai e interpretoi heshtjen time si pranim të mangësive të tij, ndërsa unë në fakt po shkëputesha emocionalisht nga martesa.”

    Pse burrat shpesh befasohen?

    Shumë burra e përjetojnë divorcin si një vendim të papritur. Por psikoterapistja Susie Masterson thekson se gratë shpesh shprehin pakënaqësinë e tyre për vite me radhë, thjesht pa u marrë seriozisht.

    Studimet tregojnë se burrat e martuar janë mesatarisht më të lumtur, sepse nevojat e tyre emocionale dhe praktike plotësohen më shpesh brenda martesës. Ndërkohë, gratë shpesh mbajnë barrën më të madhe të:

    punëve shtëpiake,
    kujdesit për fëmijët,
    organizimit të jetës familjare,
    dhe menaxhimit emocional të marrëdhënieve.
    Kjo krijon një lodhje të heshtur që shpesh mbetet e padukshme.

    Çfarë po ndodh në shoqëritë tona?

    Në kontekstin shqiptar dhe ballkanik, ky trend merr një kuptim edhe më të fortë.

    Për shumë vite, gratë kanë qëndruar në martesa të pakënaqshme për shkak të:

    varësisë financiare,
    presionit familjar (“mos e prish shtëpinë”),
    frikës nga gjykimi i shoqërisë,
    dhe bindjes se “gruaja duhet të durojë për hir të fëmijëve”.
    Sot, gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po e shohin divorcin jo si dështim, por si mundësi për një fillim të ri.

    Shumë prej tyre kanë karrierë të tyren, pavarësi financiare dhe një vetëdije më të fortë për nevojat e tyre emocionale. Kjo i bën më të guximshme për të thënë: “Nuk dua të jetoj e pakënaqur vetëm sepse kështu është zakoni.

    Çfarë ndodh pas divorcit?

    Sipas raportit:

    71 për qind e grave thanë se nuk kanë frikë të jetojnë vetëm.
    Megjithatë, 49 për qind e grave të divorcuara raportuan probleme me shëndetin mendor, si ankth dhe depresion.
    Vështirësitë financiare mbeten shqetësimi më i madh pas divorcit.
    Pavarësisht këtyre sfidave, 76 për qind e grave të divorcuara deklaruan se nuk pendohen për vendimin e tyre dhe do ta përsërisnin nëse një martesë tjetër do të rezultonte e pasuksesshme.

    Një ndryshim i thellë shoqëror

    Avokatja familjare Ellie Foster përfundon:

    “Për shumë gra, dekada të tëra kanë qenë të përqendruara te kujdesi për të tjerët. Tani ato po zgjedhin veten. Ekziston një lloj lirie e ëmbël në momentin kur më në fund mund të mendojnë për dëshirat e tyre. Shumë pak nga klientet e mia flasin për dëshirën për një partner të ri. Përkundrazi, shumica thonë: ‘Kurrë më’.”

    Ky trend nuk është thjesht personal, është një ndryshim kulturor që po prek mënyrën se si ne e kuptojmë martesën, dashurinë dhe lumturinë.