ATV

Blog

  • Përdoruesit e Chrome dhe Safari në alarm të kuq – mos klikoni këto lidhje

    Përdoruesit e Chrome dhe Safari në alarm të kuq – mos klikoni këto lidhje

    Hakerët po përdorin një mënyrë të re dhe të sofistikuar për të vjedhur të dhëna nga përdoruesit e internetit.

    Hera tjetër që do të klikoni një lidhje në internet, kini kujdes. Duket se hakerët kanë gjetur një mënyrë të zgjuar për të mashtruar përdoruesit e Google Chrome, Safari, Edge dhe Firefox – dhe nuk është e vështirë të kuptosh pse disa bien pre e këtij truku.

    Truku, i identifikuar nga ekipi i Cyber Security News, zëvendëson fshehurazi disa karaktere në URL-të e faqeve për t’i bërë të duken si faqet zyrtare. Ky mashtrim quhet typosquatting dhe është shumë efektiv.

    Për shembull, faqja zyrtare e hoteleve Marriott duhet të shkruhet marriott.com. Megjithatë, kriminelët kibernetikë e kanë klonuar duke zëvendësuar “m” me kombinimin “rn”, duke krijuar URL-në rnarriottinternational.com. Kur shikohet shpejt, karakteret “rn” bashkohen dhe duket sikur gjithçka është normale.

    Edhe Microsoft ka qenë objekt i një haku të ngjashëm, si dhe janë krijuar faqe të tjera që ndryshojnë fshehurazi karakteret.

    Disa shembuj për t’u vëzhguar:

    rnarriottinternational.com (m zëvendësuar me rn)

    rnarriotthotels.com (m zëvendësuar me rn)

    rnicrosoft.com (m zëvendësuar me rn)

    micros0ft.com (o zëvendësuar me 0)

    microsoft-support.com (shtuar një vizë)

    Si shpjegon Cyber Security News: “Sulmuesit regjistrojnë domenë që zëvendësojnë shkronjën “m” me kombinimin “rn”, duke krijuar faqe të rreme që duken pothuajse identike me ato reale. Kjo teknikë, e njohur si typosquatting ose sulm homoglyph, shfrytëzon mënyrën se si fontet moderne shfaqin tekstin.”

    Si të mbroheni:

    Kontrolloni gjithmonë URL-në e plotë dhe sigurohuni që është e saktë.

    Lëvizni kursorin mbi lidhje përpara se të klikoni – kjo tregon destinacionin e plotë.

    Nëse dëshironi siguri të plotë, shkruani adresën e faqes manualisht.

    Mos klikoni në email-e urgjente që kërkojnë rikuperim të llogarisë ose rezervim hoteli, pa konfirmuar destinacionin.

    Përdorni një menaxher fjalëkalimesh, që mund t’ju ndihmojë të dalloni faqet e rreme.

    Ky mashtrim është një kujtesë se edhe faqet më të njohura mund të jenë të rreme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme nga përdoruesit e internetit.

  • 50 gola të Muriqit me Mallorcan, sulmuesi kosovar synon rekordin e Eto’o

    50 gola të Muriqit me Mallorcan, sulmuesi kosovar synon rekordin e Eto’o

    Vedat Muriqi nuk ka të ndalur këtë edicion. Tashmë i ka 15 gola në 21 paraqitje kampionale të këtij edicioni në La Liga. Këtë shifër të golave e kishte në Spanjë vetëm edhe në edicionin 2022/2023, por në 35 ndeshje. Me ecurinë aktuale, 31-vjeçari do të thyej rekorde të shumta personale dhe të Mallorcas.

    Ylli i Kosovës të hënën mbrëma udhëhoqi Mallorcan në fitoren 4:1 ndaj Sevillas. Ishte një fitore me vlerë shumë të madhe. Ai realizoi nga penalltia në minutën e 26-të për 1:0. Ndërkohë bëri goditjen te goli për 3:1 dhe topi po shkonte në rrjetë. Por rrugës topi “u fërkua” në shpinën e Sergi Darder dhe u devijua pak. Dhe goli iu evidentua Darderit, ndërsa Muriqit “vetëm” asistim.

    Kontributi i Muriqit megjithatë shkoi shumë përtej golit e asistimit. Ai nuk është ndalur duke vrapuar, ka ndihmuar skuadrën edhe në anën defenzive. Dhe në fund erdhi fitorja shumë e vlerësuar.

    “Ishte ndeshje vitale për ne. Është dashur të fitojmë dhe shfaqëm intensitet që nga minuta e parë. Arritëm një fitore shumë të rëndësishme dhe bindëse. Shpresojmë për të tjera”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes.

    Ai ka 50 gola tashmë për Mallorcan. Në La Liga i ka 49. Tani është vetëm pesë gola larg rekordit të Mallorcas për më së shumti gola në elitën spanjolle, që e mban Samuel Eto’o. Ky rekord pritet të bie këtë edicion.

    Nëse llogariten të gjitha garat, para Muriqit janë Eto’o me 70 gola dhe Abdon Prats me 59. Por as këto shifra nuk janë të paarritshme për “Piratin”.

    Për Muriqin megjithatë më të rëndësishme janë fitoret e skuadrës që po lufton për mbetje në elitën e Spanjës.

    “Që nga fillimi kemi bërë presion lartë dhe jemi mbrojtur shumë mirë. Dua të uroj David Lopezin, që bëri punë fantastike. Është dukur që e ka veshur fanellën e Mallorcas për dhjetë vjet”.

    Muriqi është pyetur edhe për golin e “mohuar”.

    “Një asistim i bukur për Sergin, po. E kam ditur që do të jetë goli i tij. Do të më ndodhë edhe mua një ditë. Jam i gëzuar për të gjithë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe mos të bëhemi të vetëkënaqur”, ka thënë Muriqi.

    Në La Liga vetëm Kylian Mbappe ka më shumë gola se ai – 22. Ferran Torres është i treti me 12.

    “Gjithnjë shpresoj për më shumë gola. Shpresoj se mund ta ndihmoj Mallorcan me më shumë gola”, ka thënë i pandalshmi Muriqi.

    Në pjesë të madhe falë golave dhe kontributit të tij, Mallorca është në vendin e 14-të me 24 pikë, sa i kanë edhe Elche e Sevilla.

    Të tjerë gola priten nga Muriqi për stabilizim të skuadrës në mesin e tabelës.

  • Mjekja paralajmëron: Pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar kurrë

    Mjekja paralajmëron: Pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar kurrë

    Dhimbjet e kokës, gjoksit apo shpinës janë probleme të zakonshme dhe, në shumicën e rasteve, nuk përbëjnë asgjë serioze. Megjithatë, sipas mjekëve, në disa raste këto dhimbje mund të jenë shenjë e një gjendjeje urgjente dhe potencialisht kërcënuese për jetën.

    Sipas doktoreshës Ellie Cannon, mjeke familjare me bazë në Londër, është thelbësore që pacientët të dinë kur një dhimbje mund të neglizhohet dhe kur kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

    “Shumica e dhimbjeve nuk janë shqetësuese dhe shpesh nuk kërkojnë trajtim,” shpjegon ajo. “Por në raste të rralla, ato mund të tregojnë diçka serioze. Prandaj është e rëndësishme të dimë shenjat paralajmëruese.”

    Ja pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar.

    1. Dhimbja e gjoksit

    Dhimbja në gjoks shpesh shkaktohet nga urthi ose probleme të tretjes. Megjithatë, ekspertët theksojnë se dhimbja e papritur dhe e vazhdueshme në gjoks kërkon gjithmonë ndihmë urgjente mjekësore.

    Sipas shërbimit shëndetësor britanik (NHS), dhimbja që zgjat më shumë se 15 minuta dhe përhapet drejt nofullës ose krahut të majtë mund të jetë shenjë e infarktit të zemrës. Disa pacientë përjetojnë gjithashtu ndjesi të forta urthi.

    Dhimbja e mprehtë në gjoks që përkeqësohet gjatë frymëmarrjes ose kollitjes mund të tregojë emboli pulmonare, një gjendje ku një mpiksje gjaku bllokon enët e mushkërive. Kjo shpesh shoqërohet me gulçim ose kollitje me gjak.

    “Shumë njerëz pësojnë infarkt pa e kuptuar menjëherë,” thotë Dr. Cannon. “Embolitë janë më të rralla, por kërkojnë trajtim të menjëhershëm.”

    2. Dhimbja e barkut

    Disa dhimbje në zonën e barkut – midis gjoksit dhe legenit – mund të jenë shumë të rrezikshme.

    Dhimbja e papritur në pjesën e sipërme të djathtë të barkut që përhapet drejt shpatullës mund të jetë shenjë e inflamacionit të tëmthit. Nëse nuk trajtohet, kjo gjendje mund të çojë në infeksion serioz.

    Dhimbjet krampore që vijnë me valë mund të tregojnë bllokim të zorrëve, veçanërisht nëse shoqërohen me të vjella ose kapsllëk të rëndë. Në këto raste shpesh nevojitet ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

    Te gratë e reja, dhimbja e fortë në pjesën e poshtme të barkut mund të jetë shenjë e shtatzënisë jashtë mitre, një gjendje shumë e rrezikshme që mund të shkaktojë gjakderdhje të brendshme.

    Te meshkujt, dhimbja e papritur në fund të barkut mund të lidhet me përdredhjen e testikujve, një emergjencë që kërkon operacion të menjëhershëm për të shmangur humbjen e testikulit.

    “Nëse dhimbja e barkut është e shkaktuar nga diçka serioze, zakonisht është e padurueshme,” shpjegon Dr. Cannon.

    3. Dhimbja e shpinës

    Dhimbja e shpinës prek rreth një të tretën e të rriturve çdo vit dhe zakonisht nuk është e rrezikshme. Megjithatë, nëse shoqërohet me disa simptoma specifike, mund të tregojë një problem serioz.

    Dhimbja e shpinës e shoqëruar me mpirje rreth organeve gjenitale, probleme të reja me urinimin ose jashtëqitjen, apo dhimbje në të dyja këmbët, mund të jetë shenjë e sindromës cauda equina – një gjendje ku nervat në fund të shtyllës kurrizore shtypen.

    Pa trajtim kirurgjikal urgjent, kjo mund të çojë në paralizë dhe probleme seksuale.

    Ndërkohë, një dhimbje e papritur dhe shumë e fortë, që përshkruhet si “shqyerje” në shpinë ose mes shpatullave, mund të tregojë diseksion të aortës, një gjendje kërcënuese për jetën.

    4. Dhimbja e kokës

    Dhimbja e kokës është shumë e zakonshme dhe shpesh lidhet me dehidratimin, virozat ose lodhjen. Migrena prek rreth 15 për qind të popullsisë.

    Por, sipas mjekëve, një dhimbje koke e papritur dhe jashtëzakonisht e fortë – e njohur si “dhimbje rrufeje” – mund të tregojë gjakderdhje në tru.

    Dhimbja e kokës e shoqëruar me dobësi në fytyrë, mpirje të krahut ose vështirësi në të folur mund të jetë shenjë e goditjes në tru dhe kërkon transport urgjent në spital.

    Dhimbja e kokës me temperaturë, të vjella dhe ndjeshmëri ndaj dritës mund të tregojë meningjit.

    “Këto dhimbje nuk duhen neglizhuar kurrë,” thekson Dr. Cannon.

    5. Dhimbja e pulpës së këmbës

    Shkaku më i zakonshëm i dhimbjes së pulpës është dëmtimi i muskujve, shpesh pas aktivitetit fizik. Por nëse këmba është e ënjtur ose e ngrohtë, kjo mund të tregojë trombozë të venave të thella – formim mpiksjeje gjaku në këmbë.

    Kjo gjendje është e rrezikshme sepse mpiksja mund të shkëputet dhe të arrijë në mushkëri.

    Tromboza është më e shpeshtë te personat mbi 50 vjeç, por mund të ndodhë edhe te të rinjtë, sidomos pas qëndrimit të gjatë pa lëvizur, ndërhyrjeve kirurgjikale ose te pacientët me kancer.

    “Shumë njerëz nuk i njohin shenjat e trombozës,” paralajmëron Dr. Cannon. “Ndryshimet fizike në pulpën e këmbës mund të sinjalizojnë diçka shumë serioze.”

  • Raportohet e zhdukur një femër në Ferizaj, nga 30 janari nuk dihet vendndodhja e saj

    Raportohet e zhdukur një femër në Ferizaj, nga 30 janari nuk dihet vendndodhja e saj

    Një femër është raportuar e zhdukur në Ferizaj.

    Ajo sipas raportimit është larguar nga shtëpia që nga data 30 janar dhe nuk dihet për vendodhjen e saj.

    “Ferizaj / 30.01.2026 – 17:00. Me 02.02.2026 është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe dihet për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, ka njoftuar PK.

  • Shtatë raste të dhunës në familje në 24-të orët e fundit

    Shtatë raste të dhunës në familje në 24-të orët e fundit

    Gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë sipas raportit policor janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.Sipas raportit rastet kanë ndodhur në Graqanicë, Ferizaj, Pejë(2 raste), Deçan dhe dy raste nga Mitrovica.
    Raporti:Graqanicë/ 02.02.2026 – 19:00. Është raportuar për përleshje fizike dhe verbale mes dy të dyshuarve, një femre dhe një mashkulli kosovarë. Palët janë shoqëruar për intervistim dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ferizaj / 02.02.2026 – 21:30. Është raportuar për një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar paraprakisht kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse dy të dyshuar tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

    Pejë/ 02.02.2026 – 10:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
    Pejë/ 01.02.2026 – 15:41. Me 02.02.2026 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike duke e kanosur viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori , rasti nën hetime.

    Deçan / 02.02.2026 – 23:40. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për kryerje të veprës së lartcekur. Pas intervistimit, të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë / 02.02.2026 – 16:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Mitrovicë Veri / 02.02.2026 – 13:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shqetësuar viktimën femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

  • Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    21 të dyshuarit për falsifikim të rezultateve të votimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në komunën e Mitrovicës, janë liruar të mbrohen në liri.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjyqtari kompetent ka refuzuar urdhrin e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj 21 të dyshuarve dhe të njëjtit janë liruar të mbrohen në liri.

    “FALSIFIKIM I REZULTATEVE TE VOTIMIT Qendra e numërimit në Mitrovicë / 29.12.2025-02-01.2026 – 08:00. Lidhur me rastin, me 02.02.2026 gjyqtari kompetent ka refuzuar urdhrin e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj 21 të dyshuarve dhe të njëjtit janë liruar të mbrohen në liri”, thuhet në raportin e policisë.

    Policia në raportin e sotëm po ashtu ka njoftuar se mbi dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Malishevë, edhe një person është prangosur ditën e djeshme.

    “Me 02.02.2026 lidhur me rastin në vazhdimësi të hetimeve është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren e komuna të tjera.

  • Arrestohet në Pejë një person i dyshuar për kanosje ndaj personit zyrtar

    Arrestohet në Pejë një person i dyshuar për kanosje ndaj personit zyrtar

    Një person i shpallur në kërkim policor është arrestuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në Pejë.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, përkatësisht Stacionit Policor Pejë, rasti ka ndodhur më 2 shkurt 2026, rreth orës 08:50, gjatë patrullimit rutinë të zyrtarëve policorë. I dyshuari është vërejtur nga policia dhe, sapo ka kuptuar praninë e tyre, ka tentuar të largohet, por është kapur dhe arrestuar.

    Tutje thuhet se gjatë transportimit për në Stacionin Policor në Pejë, i dyshuari ka kanosur zyrtarët policorë. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “kanosje ndaj personit zyrtar”.

    Pas intervistimit nga hetuesit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • SpaceX blen xAI-në e Elon Musk, synon bashkimin e inteligjencës artificiale me hapësirën

    SpaceX blen xAI-në e Elon Musk, synon bashkimin e inteligjencës artificiale me hapësirën

    SpaceX, kompania hapësinore e Elon Musk, ka konfirmuar zyrtarisht blerjen e xAI, startup-it të tij të inteligjencës artificiale, i njohur për zhvillimin e chatbot-it Grok. Lajmi u bë publik përmes një memorandumi të publikuar nga vetë Musk në faqen zyrtare të SpaceX.

    Sipas Musk, ky bashkim synon krijimin e një “motori inovacioni” që do të integrojë inteligjencën artificiale, teknologjinë hapësinore, internetin satelitor dhe median digjitale nën një strukturë të vetme. Edhe pse detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike, burime të afërta me çështjen vlerësojnë xAI-në rreth 125 miliardë dollarë, ndërsa SpaceX rreth 1 trilion dollarë, duke e renditur këtë të fundit si kompaninë private më të vlefshme ndonjëherë.

    Muajin e kaluar, Tesla investoi 2 miliardë dollarë në xAI, me synimin që inteligjenca artificiale të luajë një rol qendror në automatizimin dhe koordinimin e fabrikave të saj që përdorin robotë autonomë.

    Sipas analistes Emily Zheng, SpaceX po shqyrton gjithashtu mundësinë e një oferte publike fillestare (IPO) dhe bashkimi me xAI mund t’i ndihmojë kompanisë të paraqesë një histori rritjeje më tërheqëse për investitorët.

    Në memorandum, Musk theksoi se hapësira mund të jetë zgjidhja për kërkesat e mëdha energjetike të kompanive të inteligjencës artificiale. Ai shtoi se një nga prioritetet afatshkurtra do të jetë lëshimi i satelitëve të dedikuar për IA, ndërsa në planin afatgjatë përfshihen projekte ambicioze si baza vetë-funksionale në Hënë, kolonitë njerëzore në Mars dhe zgjerimi i pranisë njerëzore në Univers.

    xAI fillimisht u krijua si pjesë e platformës X (ish-Twitter), pas blerjes së saj nga Musk në vitin 2022, duke përdorur të dhënat e rrjetit social për trajnimin e inteligjencës artificiale. Në pranverën e vitit 2025, kompania u shkëput si entitet i pavarur dhe arriti të vlerësohej më lart se vetë X.

    Ndërkohë, chatbot-i Grok ka qenë objekt kritikash dhe hetimesh nga autoritetet evropiane dhe britanike, për shkak të përdorimit të tij në krijimin e imazheve të papërshtatshme. Si reagim, xAI ka vendosur kufizime të reja për redaktimin dhe gjenerimin e imazheve nga përdoruesit.

  • Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Të enjten nis aksioni për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Jugut, Drejtoria e Inspekcionit del me një njoftim

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se nga dita e enjte, duke filluar nga ora 09:00, do të nisë një aksion për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, aksioni do të përfshijë largimin e të gjitha shtyllave metalike anti-parking (kunjave) që janë vendosur pa leje nga organet kompetente.

    Drejtoria e Inspekcionit ka bërë të ditur se të gjithë subjektet afariste dhe personat fizikë të cilët kanë vendosur pengesa të tilla pa autorizim janë të obliguar që deri më 5 shkurt 2026 t’i largojnë vetë ato nga hapësirat publike.

    “Në rast të mosrespektimit të këtij afati, inspektorët komunalë do të ndërmarrin veprime ligjore ndëshkuese, ndërsa pengesat do të hiqen me forcë nga institucionet komunale”, thuhet në njoftim.

    Qëllimi i këtij aksioni, sipas komunës, është lirimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në mënyrë që ato të jenë në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse.

  • Mashtronte bankat dhe shtetin zviceran, dënohet kosovari Sheh që shtirej si biznesmen

    Mashtronte bankat dhe shtetin zviceran, dënohet kosovari Sheh që shtirej si biznesmen

    120 vetura, vila me qira 24 mijë franga në muaj, targa speciale, 1,5 milionë franga dëm, kredi të papaguara. Një sheh nga Kosova përfshiu familjen e tij prej gjashtë anëtarësh, si dhe dy ndihmës, në mashtrime sistematike. Nga një gjykatë zvicerane ai u dënua me 3 vjet e gjysmë burg – dhe 3 vjet ndalimhyrje në Zvicër.

    Një skemë mashtrimi në Zvicër ka marrë epilog në Gjykatën e Dietikonit afër Zürichut, duke zbuluar prapaskenat e një jete përrallore të ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe keqpërdorime të shtetit zviceran.

    Në qendër të këtij skandali është një 57-vjeçar nga Kosova, i cili njihet si “sheh-imam” dhe pretendon se udhëheq rreth 8000 besimtarë dervishë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Ai akuzohet se ka organizuar një sistem kriminal familjar duke shkaktuar një dëm total prej 1,5 milion frangash zvicerane.

    Hetimet e policisë kishin nisur me një bastisje në një vilë luksoze afër Zürichut, për të cilën shehu paguante qira marramendëse prej 24 mijë frangash në muaj. Gjatë operacionit, hetuesit konfiskuan dokumente dhe pajisje elektronike; po ashtu u zbulua një sistem kompleks i firmave fiktive që shërbenin si mbulesë për pasurimin e paligjshëm.

    Sipas prokurorisë, ky sheh luante rolin e një sipërmarrësi të patundshmërive, duke mashtruar bankat dhe shtetin zviceran me bilance të falsifikuara, veçanërisht duke përfituar mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të Covid-19 (pandemia e koronës).

    Ajo që ka lënë pa fjalë opinionin publik është luksi i shfrenuar që familja shfaqte me paratë e vjedhura. Ndonëse para zyrave të shtetit shehu deklaronte se ishte i varfër, familja kishte në pronësi një flotë prej 120 automjetesh. Mes tyre bien në sy vetura të tipit Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury. Si merakli i veturave shehu shpenzoi rreth 100 mijë franga vetëm për blerjen e tri tabelave të regjistrimit me numra të veçantë, të cilat në Zvicër shiten në ankand si simbole prestigji.

    Gjatë procesit gjyqësor, i cili zgjati gjashtë ditë, i akuzuari kryesor u dënua me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga territori i Zvicrës për një periudhë prej 3 vitesh. Prokuroria kishte kërkuar 15 vjet dëbim nga Zvicra.

    Sa i përket anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, gjykata vendosi t’i lirojë nga akuzat ose t’i dënojë me gjoba minimale. Arsyetimi i gjykatës ishte se brenda familjes mbretëronte një strukturë strikte patriarkale ku shehu vendoste për çdo gjë. Fëmijët dëshmuan se kishin nënshkruar dokumente verbërisht për shkak të besimit ndaj babait dhe nuk kishin njohuri për financat. Madje, për shkak të muajve të kaluar në paraburgim, vajza dhe njëri nga djemtë e tij do të dëmshpërblehen me rreth 70 mijë franga nga shteti, pasi gjykata vlerësoi se nuk mund të ketë “përgjegjësi kolektive” për mëkatet e kryefamiljarit.

    Gjatë procesit, shehu kërkoi falje duke u arsyetuar se si prijës fetar nuk dëshironte të figuronte publikisht si pronar biznesesh, andaj përdori anëtarët e familjes. Gjykatësja ishte e bindur se energjia kriminale e shehut kosovar ishte rritur me kalimin e kohës dhe dënimet e mëparshme me gjoba nuk kishin pasur asnjë efekt reflektimi tek ai. Njëri ndihmës i shehut u dënua me kusht, aktgjykimi për tjetrin do të pasojë më vonë.