ATV

Blog

  • US Open 2026 mbledh yjet e tenisit, Alkaraz rikthehet për të mbrojtur kurorën

    US Open 2026 mbledh yjet e tenisit, Alkaraz rikthehet për të mbrojtur kurorën

    Gjithçka është gati për edicionin e këtij viti të US Open, Grand Slamit të fundit të sezonit, që do të zhvillohet nga 30 gushti deri më 13 shtator në Nju Jork. Organizatorët kanë publikuar listën zyrtare të pjesëmarrësve, ku nuk mungojnë emrat më të mëdhenj të tenisit botëror.

    Vëmendja kryesore do të jetë te kampioni në fuqi, Carlos Alkaraz, i cili rikthehet në fushë me synimin për të mbrojtur titullin dhe për të fituar trofeun e tretë në karrierë në tokën amerikane.

    Tenisti spanjoll do të rikthehet fillimisht në turneun e Cincinnati-t, pas një mungese prej rreth katër muajsh për shkak të dëmtimit në kyçin e dorës, të pësuar gjatë turneut të Barcelonës në muajin prill. Pikërisht turnetë përgatitore do t’i shërbejnë për të rikthyer ritmin e garës, përpara sfidës së madhe në Nju Jork.

    Edhe pse ende në fazën e rikuperimit, Alkaraz u shfaq fundjavën e kaluar në finalen e Kupës së Botës së futbollit mes Spanjës dhe Argjentinës, me një fashë mbrojtëse në dorë, një detaj që konfirmon se procesi i rikthimit është drejt përfundimit.

    “US Open” ka një vend të veçantë në karrierën e 22-vjeçarit. Pikërisht në këtë turne ai fitoi Grand Slamin e parë, duke hyrë në histori si një nga kampionët më të rinj të epokës moderne. Në memorien e tij mbetet edhe triumfi ndaj rivalit italian Jannik Sinner, një fitore që e konfirmoi mes elitës së tenisit botëror.

    Edicioni i sivjetshëm premton spektakël të madh. Krahas Alkarazit, në garë do të jenë edhe numri një i botës Jannik Sinner, legjenda serbe Novak Djokovic, Alexander Zverev, Taylor Fritz, si dhe emrat më të spikatur të tenisit për femra, përfshirë Aryna Sabalenka, Coco Gauff, Jessica Pegula dhe Elena Rybakina.

    Alkaraz dhe Sabalenka do të zbresin në fushë për të mbrojtur titujt e fituar një vit më parë, ndërsa finalja e madhe e US Open 2026 do të luhet më 13 shtator në stadiumin legjendar Arthur Ashe, aty ku pritet të kurorëzohet kampioni i fundit Grand Slam i sezonit.

  • Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, humb jetën një ushtar

    Rrëzohet një helikopter ushtarak në Çeki, humb jetën një ushtar

    Një helikopter ushtarak u rrëzua sot në një bazë ajrore në Republikën Çeke, ku humbi jetën një ushtar, sipas gazetës TN.cz.

    Helikopteri “UH-1Y Venom” i ushtrisë çeke u rrëzua në bazën e 22-të të forcave ajrore të helikopterëve në qytetin Namest nad Oslavou në rajonin e Vysocinas.

    Pesë ushtarë ishin në bordin e aeroplanit në momentin e rrëzimit.

    “Njësitë e integruara të sistemit të shpëtimit po përgjigjen në vendngjarje. Ne do të japim informacione të mëtejshme sapo të lejojë situata”, tha ushtria.

    “Shërbimet e urgjencës dërguan katër ekuipazhe tokësore dhe një helikopter të ambulancës ajrore nga Jihlava në vendin e rrëzimit”, njoftoi zëdhënësi i shërbimit të shpëtimit Petr Janacek.

    “Një person nuk i mbijetoi përplasjes”, tha Janacek duke shtuar se një tjetër helikopter shpëtimi nga rajoni fqinj Olomouc u dërgua gjithashtu për të ndihmuar. /AA/

  • Rritet fluksi në kufi, deri në një orë pritje në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë

    Rritet fluksi në kufi, deri në një orë pritje në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është shtuar fluksi i automjeteve në disa pika kufitare të Kosovës, duke shkaktuar pritje më të gjata për qytetarët.

    Sipas të dhënave të fundit, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare të Muçibabës, ku automjetet presin deri në 60 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa kolona arrin rreth një kilometër.

    Ngarkesë e shtuar është evidentuar edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku pritjet në hyrje zgjasin deri në një orë, ndërsa në dalje rreth 25 minuta.

    Në Han të Elezit, pritjet për hyrje janë rreth 15 minuta, ndërsa në dalje qarkullimi zhvillohet më shpejt.

    Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare si Merdarë, Kullë, Jarinjë, Bërnjak, Qafë e Morinës, Vërmicë dhe Stançiq, pritjet mbeten të shkurtra dhe variojnë nga 2 deri në 15 minuta.

    Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që para nisjes të informohen për gjendjen në pikat kufitare, në mënyrë që të shmangin vonesat dhe të zgjedhin itinerarin më të përshtatshëm.

  • Gucati pas dënimit të kërcënuesit të tij: Le të mbledhin mend nga ky rast, 17 të tjerë i kam paditur

    Gucati pas dënimit të kërcënuesit të tij: Le të mbledhin mend nga ky rast, 17 të tjerë i kam paditur

    Eqrem Avdullahu është dënuar me 4 muaj burgim për kërcënim nga kreut të OVL-UÇK-së Hysni Gucati.

    Këtë vendim i mirëpriti Gucati, i cili tha se kjo do t’ju shërbejë edhe tjerëve “që të mbledhin mend”.

    “Të kenë kujdes në rrjetet sociale, të mos fyejnë më, të mos shkruajnë palidhje edhe të mos ofendojnë pa fakte dhe pa argumente një njeri se s’ka nevojë”, deklaroi ai para mediave.

    Gucati tha se padia ndaj Avdullahut nuk është e vetmja pasi që ai i ka dërguar në gjykatë edhe 17 persona të tjerë.

    “Shumica prej tyre janë jashtë vendit, që punojnë në Gjermani e në Zvicër”, theksoi kreu i veteranëve para mediave.

  • Koncerti solistik i Hajrije Preniqit shënon një nga aktivitetet kryesore të “Ditëve të Mërgatës” në Obiliq

    Koncerti solistik i Hajrije Preniqit shënon një nga aktivitetet kryesore të “Ditëve të Mërgatës” në Obiliq

    Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Mërgatës”, Komuna e Obiliqit organizoi një mbrëmje të veçantë artistike me koncertin solistik të këngëtares së njohur Hajrije Preniqi. Aktiviteti u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ku u mblodhën qytetarë, bashkatdhetarë dhe dashamirës të muzikës shqiptare.

    Ylli i mbrëmjes ishte këngëtarja Hajrije Preniqi Gashi, e cila interpretoi disa nga këngët më të njohura të repertorit të saj dhe u mirëprit me duartrokitje të gjata nga publiku. Gjatë mbrëmjes, ajo u nderua me mirënjohjen “Nderi i Diasporës Shqiptare”, e ndarë nga Rexhep Abazi në emër të Parlamentit Paqësor të Kombit Shqiptar me seli në Gjermani. Vlerësimi, i iniciuar nga Can Tahiri, iu kushtua kontributit të saj në promovimin e muzikës shqiptare ndër vite. Pas pranimit të mirënjohjes, Hajrije Preniqi Gashi interpretoi premierë këngën kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Interpretimi u prit me emocione dhe duartrokitje të gjata, duke u bërë një nga momentet më të spikatura të koncertit.

    Programi artistik u pasurua edhe me interpretimet e këngëtarit Hysni Klinaku, ndërsa Ansambli i Qytetit u paraqit me valle tradicionale shqiptare, të cilat u mirëpritën nga publiku. Mbrëmja u moderua nga artisti i njohur Naim Abazi, i cili, përveç rolit të moderatorit, interpretoi edhe disa nga këngët e tij, duke i dhënë koncertit një atmosferë të veçantë.

    Në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Mërgatës”, kjo mbrëmje artistike dëshmoi edhe një herë rëndësinë e kulturës në afrimin e vendlindjes me diasporën. Përmes aktiviteteve të tilla, Komuna e Obiliqit vazhdon të mbështesë promovimin e vlerave kulturore, ruajtjen e traditës dhe forcimin e lidhjeve me bashkatdhetarët.

  • Pesë të vdekur brenda 4 ditëve, mbi 120 aksidente me të lënduar

    Pesë të vdekur brenda 4 ditëve, mbi 120 aksidente me të lënduar

    Vetëm brenda katër ditëve të fundit, nga 20 deri më 23 korrik, rrugët e Kosovës janë përgjakur nga aksidentet e trafikut, duke lënë pas pesë viktima, dhjetëra të lënduar dhe qindra aksidente

    Rasti më i fundit u shënua sot (23 korrik), kur një grua humbi jetën në një aksident të rëndë në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, bilanci i katër ditëve është alarmues:

    5 aksidente me fatalitet, ku humbën jetën 5 persona, 121 aksidente me të lënduar, 162 aksidente me dëme materiale ndërsa 7.123 tiketa trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

    Shifrat tregojnë se, pavarësisht kontrolleve të shtuara dhe mijëra gjobave të shqiptuara, aksidentet vazhdojnë të marrin jetë në rrugët e vendit.

    Policia vazhdon t’u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të shmangin shpejtësinë e tepërt dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë ngasjes./IndeksOnline

  • Prishtina nis fazën e pestë të dezinsektimit hapësinor më 27 korrik

    Prishtina nis fazën e pestë të dezinsektimit hapësinor më 27 korrik

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se faza e pestë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2026 do të fillojë më 27 korrik, nga ora 20:00.

    Sipas njoftimit, aplikimi i larvicideve do të realizohet më 27 dhe 28 korrik, duke filluar nga ora 09:00, sipas planit dinamik të operimit.

    “Faza e pestë e dezinsektimit hapësinor për vitin 2026 fillon më 27 korrik, nga ora 20:00”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Po ashtu, komuna ka bërë të ditur se “Aplikimi i larvicideve do të realizohet më 27 dhe 28 korrik, nga ora 09:00, sipas planit dinamik të operimit.”

  • Agim Ademi përkujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht legjendë

    Agim Ademi përkujton Fadil Vokrrin në ditëlindjen e tij: Përjetësisht legjendë

    Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti i saj, Agim Ademi, kanë përkujtuar legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, në ditën e lindjes së tij.

    Në postimin e publikuar, FFK e cilëson Vokrrin si një figurë që nuk do të harrohet kurrë, duke theksuar se ai ishte më shumë se një futbollist, pasi mishëroi ëndrrën dhe krenarinë e futbollit të Kosovës.

    “Fadili ishte nga ata njerëz që nuk e shihnin futbollin vetëm si lojë. Për të, futbolli ishte mision, ishte dashuri, ishte një mënyrë për ta ngritur emrin e Kosovës aty ku e meritonte”, thuhet në postim.

    FFK rikujton edhe rolin vendimtar të Vokrrit në krye të federatës, në periudhën kur futbolli i Kosovës u pranua në organizatat ndërkombëtare.

    “Së bashku ndamë sfida, besim dhe një qëllim të përbashkët: ta shihnim futbollin e Kosovës të pranuar në familjen e madhe të futbollit botëror”, thuhet më tej.

    Në fund të mesazhit theksohet se emri dhe vepra e Fadil Vokrrit vazhdojnë të jetojnë përmes stadiumit që mban emrin e tij dhe brezave të rinj që frymëzohen nga rrugëtimi i tij.

    “Fadil Vokrri nuk është vetëm një kujtim. Ai është një frymëzim. Është pjesë e çdo hapi që bën futbolli ynë drejt së ardhmes. Përjetësisht legjendë!”, thuhet në postimin e FFK-së dhe presidentit Agim Ademi.

  • BE-ja gjobit 890 milionë euro Google

    BE-ja gjobit 890 milionë euro Google

    Bashkimi Evropian i ka vendosur Google një gjobë prej 890 milionë eurosh për shkelje të rregullave digjitale të BE-së. Sipas Komisionit Evropian, kompania favorizoi motorin e saj të kërkimit dhe dyqanin e aplikacioneve Google Play, duke dëmtuar konkurrencën.

    Komisionerja për Çështjet Digjitale, Henna Virkkunen, tha se Google nuk u ka dhënë bizneseve rivale të njëjtën dukshmëri në Google Search dhe ka kufizuar zhvilluesit e aplikacioneve që t’u ofrojnë klientëve alternativa më të lira jashtë Google Play.

    Komisioni Evropian paralajmëroi se Google mund të përballet me gjoba të tjera nëse nuk i përshtatet rregullave të BE-së.

    Komisionerja për Konkurrencën, Teresa Ribera, tha se produktet duhet të kenë sukses për shkak të cilësisë së tyre dhe jo sepse favorizohen nga kompania që kontrollon motorin e kërkimit. Ajo shtoi se konsumatorët duhet të kenë mundësi të informohen për ofertat më të mira.

    BE-ja e konsideron Google dhe kompaninë mëmë Alphabet si një “gatekeeper” (portier digjital), së bashku me kompani si Amazon, Apple, Meta, Microsoft dhe ByteDance, të cilat kontrollojnë qasjen e konsumatorëve në tregjet digjitale.

    Drejtuesi i Google, Kent Walker, e kritikoi vendimin, duke thënë se gjoba do të dëmtojë funksione të dobishme të kërkimit dhe do të dobësojë mbrojtjen e përdoruesve në Google Play.

    BE-ja prej vitesh po forcon rregullat për të kufizuar fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike. Në vitin 2018, Google u gjobit me 4.3 miliardë euro për abuzim me pozitën dominuese të sistemit Android.

    Së fundmi, BE-ja ka ndërmarrë masa edhe ndaj kompanive të tjera teknologjike, duke gjobitur AliExpress për shkelje të rregullave të sigurisë dhe duke paralajmëruar Meta-n për ndryshimin e elementeve të ashtuquajtura të “dizajnit varësues” në Facebook dhe Instagram.

  • “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave”, Spiropali përplaset me Berishën në Kuvend

    “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave”, Spiropali përplaset me Berishën në Kuvend

    Elisa Spiropali dhe Sali Berisha janë përplasur këtë të enjte në sallën e Kuvendit.

    Spiropali iu drejtua Berishës me një sfide duke i thënë nëse është gati që të ‘çlirojë opozitën’ dhe të hapë rrugë.

    “Edhe para protestës, edhe gjatë protestës unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, për vetëpastrim, për vetërregullim, për administratën, për nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive, për ndryshimi të sistemi zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot.

    Njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë dhe nuk ka as dehje ideologjike dhe as asgjë veçse nevojën e njerëzve për të shpalosur veten.

    Kam folur për institucione shtetërore që instrumenalizohen kundër njërit dhe tjetrit, me besimin e madh që kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë.

    Dhe unë po ju bëj pyetje, por ju e keni fuqinë? Po ti Sali e ke fuqinë ta hapësh rrugën dhe ta çlirosh opozitën tënde? Të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie por të gjithëve. Asnjë nga sulmet e asnjë bedeli politik nuk më ndal dot te kjo, se nuk kam asgjë për të fshehur, asnjë njeri që përdor pushtetin se mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht, familjarisht dikë, nuk do ia dalë sepse do hiqet si apendicit”, tha Spiropali.

    “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje, kjo është replika që kam”, ishte përgjigjja e Berishës./TCh/