ATV

Blog

  • Kryeministrja japoneze zbulon se fle maksimumi 3 orë në natë, neurologu: Rrezikon seriozisht shëndetin

    Kryeministrja japoneze zbulon se fle maksimumi 3 orë në natë, neurologu: Rrezikon seriozisht shëndetin

    Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka habitur opinionin publik pasi zbuloi në rrjetet sociale se, që prej marrjes së detyrës, fle vetëm nga zero deri në tre orë në natë për shkak të ritmit të ngarkuar të punës.

    Deklarata e saj ka ngjallur reagime të forta, ndërsa specialistët paralajmërojnë se mungesa kronike e gjumit mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor.

    Neurologu italian Luigi Ferini Strambi, drejtues i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit në spitalin San Raffaele-Turro në Milano, e cilësoi deklaratën e kryeministres si “një mesazh thellësisht të gabuar”.

    “Na vjen keq për të, por sot kemi prova të forta shkencore që tregojnë rëndësinë e gjumit. Për më tepër, këto janë fjalë që nuk duhet t’i thotë drejtuesja e një vendi si Japonia, ku fenomeni karōshi, vdekja si pasojë e ritmeve ekstreme të punës, njihet prej vitesh si një problem shëndetësor dhe shoqëror”, u shpreh ai.

    Sipas ekspertit, gjumi është thelbësor për funksionimin normal të organizmit. Ai ul nivelin e hormonit të stresit, forcon sistemin imunitar dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të rënda si infarkti, diabeti, kanceri, demenca, hipertensioni dhe goditja në tru.

    Mungesa e gjumit ndikon gjithashtu në aftësitë njohëse. Sipas neurologut, personat që flenë pak kanë më pak përqendrim dhe vëmendje, dëmtojnë kujtesën, reagojnë më ngadalë dhe janë më të rrezikuar nga gabimet dhe aksidentet.

    Po ashtu, mungesa e pushimit ndikon edhe në gjendjen emocionale, duke rritur ankthin, nervozizmin, luhatjet e humorit dhe vështirësitë në përballimin e stresit.

    Eksperti rekomandon që një i rritur, përfshirë persona të moshës 65-vjeçare si kryeministrja japoneze, të flejë mesatarisht rreth shtatë orë çdo natë. Ai thekson se rëndësi ka jo vetëm kohëzgjatja e gjumit, por edhe cilësia dhe rregullsia e tij.

    Megjithëse ekzistojnë persona me një predispozitë të rrallë gjenetike që mund të funksionojnë normalisht edhe me katër orë gjumë, Strambi thotë se kjo nuk duket të jetë rasti i Takaichit, e cila ka pranuar se dëshiron të flejë më shumë dhe se mungesa e gjumit i ka shkaktuar edhe rrathë të zinj poshtë syve.

  • Nga 30 mijë në gati 30 milionë ndjekës, Kupën e Botës nuk e fitoi vetëm në fushë, por edhe në Instagram

    Nga 30 mijë në gati 30 milionë ndjekës, Kupën e Botës nuk e fitoi vetëm në fushë, por edhe në Instagram

    Kupa e Botës 2026 nuk prodhoi vetëm kampionë në fushën e lojës, por edhe yje të rinj në rrjetet sociale. Historia më e jashtëzakonshme vjen nga portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, i cili u shndërrua në fenomenin më të madh të Instagramit gjatë turneut.

    Para nisjes së Botërorit, 40-vjeçari numëronte rreth 30 mijë ndjekës. Vetëm pak javë më vonë, falë paraqitjeve spektakolare dhe historisë së tij frymëzuese, ai arriti në afro 30 milionë ndjekës, duke regjistruar një rritje të pabesueshme prej gati 98 mijë për qind.

    Kepi i Gjelbër ishte një nga surprizat më të mëdha të turneut. Kombëtarja afrikane kaloi fazën e grupeve pa humbje, përfshirë edhe një barazim ndaj Spanjës, ndërsa u eliminua vetëm pas një ndeshjeje dramatike kundër Argjentinës në fazën me eliminim direkt. Performancat e Vozinhas mes shtyllave i siguruan atij një vend në formacionin më të mirë të turneut dhe fituan admirimin e tifozëve në mbarë botën.

    Megjithatë, kur bëhet fjalë për numrin total të ndjekësve të rinj, rekordi i takon Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez fitoi mbi 32 milionë ndjekës gjatë Botërorit, duke e çuar audiencën e tij në Instagram në më shumë se 72 milionë. Përveç paraqitjeve në fushë, Haaland u bë viral edhe për karizmën dhe festimet e tij karakteristike, veçanërisht pas suksesit historik të Norvegjisë ndaj Brazilit.

    Në mesin e fituesve të mëdhenj në rrjetet sociale ishte edhe Jude Bellingham. Mesfushori anglez shtoi rreth 12 milionë ndjekës, falë paraqitjeve mbresëlënëse që ndihmuan Anglinë të arrinte deri në gjysmëfinale.

    Edhe emrat më të mëdhenj të futbollit vazhduan të rrisin popullaritetin e tyre. Cristiano Ronaldo shtoi miliona ndjekës të rinj, duke kaluar shifrën e 677 milionëve, ndërsa kampioni i botës Lamine Yamal dhe Lionel Messi panë gjithashtu rritje të konsiderueshme të audiencës së tyre globale.

    Nga talentet e reja spikati edhe meksikani Gilberto Mora, i cili shumëfishoi ndjekësit e tij, ndërsa francezi Michael Olise dhe braziliani Endrick vazhduan të fitojnë popullaritet, pavarësisht roleve të ndryshme që patën gjatë turneut.

    Botërori 2026 dëshmoi edhe një herë se futbolli nuk fiton vetëm zemrat e tifozëve në stadiume, por krijon edhe yje globalë në rrjetet sociale, ku një paraqitje e madhe mund të ndryshojë jetën e një lojtari brenda pak ditësh.

  • LeBron James drejt rikthimit te Miami Heat? Një postim i fshirë ndez spekulimet

    LeBron James drejt rikthimit te Miami Heat? Një postim i fshirë ndez spekulimet

    E ardhmja e LeBron James vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta në NBA, ndërsa një postim i pazakontë nga Miami Heat ka shtuar ndjeshëm zërat për një rikthim të mundshëm të “King James” në Florida.

    Gjithçka nisi kur në llogaritë zyrtare të klubit u publikua një njoftim që përmbante datën 27 korrik dhe një lidhje për një video prezantimi të LeBron James në kanalin e klubit në YouTube. Postimi u fshi vetëm pak sekonda më vonë, por ishte mjaftueshëm që tifozët ta fotografonin dhe ta shpërndanin me shpejtësi në rrjetet sociale.

    Ky veprim ndezi menjëherë spekulimet se një marrëveshje mund të jetë shumë pranë finalizimit. Megjithatë, drejtuesit e Miami Heat i hodhën poshtë këto pretendime, duke sqaruar se bëhej fjalë vetëm për një test teknik të departamentit të mediave sociale dhe jo për një njoftim zyrtar.

    Pavarësisht këtij shpjegimi, dyshimet vazhdojnë të qarkullojnë. Shumë tifozë besojnë se postimi mund të ketë zbuluar aksidentalisht një transferim që ende nuk është bërë publik, ndërsa të tjerë e shohin atë si një mënyrë për të rritur interesin dhe pritshmëritë rreth klubit.

    Ndërkohë, NBA pret që LeBron James të marrë një vendim në një afat të shkurtër, pasi kalendari i sezonit të ri është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe destinacioni i një prej basketbollistëve më të mëdhenj në histori pritet të ndikojë edhe në programin e ndeshjeve.

    Nëse rikthimi në Miami bëhet realitet, LeBron do të formonte një dyshe spektakolare me Giannis Antetokounmpon, i cili së fundmi iu bashkua skuadrës nga Milwaukee Bucks. Kombinimi i përvojës së James me forcën dhe dominimin e yllit grek do ta kthente Miami Heat në një nga pretendentët kryesorë për titull.

    Një rikthim i tillë do të kishte edhe një vlerë të veçantë emocionale për LeBron James. Pikërisht me Miami Heat ai kaloi një nga periudhat më të suksesshme të karrierës, duke luajtur nga viti 2010 deri në 2014 dhe duke fituar dy tituj kampionë të NBA-së, në vitet 2012 dhe 2013.

    Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, por një postim i fshirë ka mjaftuar për të rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë e një prej rikthimeve më të bujshme në historinë e basketbollit amerikan.

  • Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave të autobusëve

    Trafiku Urban njofton për devijim të përkohshëm të linjave të autobusëve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar për devijimin e përkohshëm të linjave të autobusëve të Trafikut Urban.

    Arsye për këtë janë punimet në segmentin e rrugës “Ilir Konushevci”, nga kryqëzimi me semaforë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” deri te kryqëzimi me semaforë në rrugën “Vëllezërit Fazliu”.

    “Linjat e përfshira: 3, 3A, 3B, 3C, 6, 6A, 7B, 8, 11, 12, 13, 15, 16, 22, 23, 25, S22 dhe S25”, njofton Komuna e Prishtinës.

    Devijimet do të mbeten në fuqi deri në përfundimin e punimeve dhe rihapjen për qarkullim të segmentit të lartpërmendur.

  • Premtimi që preku botën: Pedro Porro ia dhuron medaljen e kampionit të botës gjyshit të tij

    Premtimi që preku botën: Pedro Porro ia dhuron medaljen e kampionit të botës gjyshit të tij

    Futbolli nuk sjell vetëm trofe dhe fitore. Ndonjëherë, ai dhuron histori që prekin zemrat e miliona njerëzve. Një prej tyre është ajo e mbrojtësit të Spanjës dhe Tottenham Hotspur, Pedro Porro.

    Pasi u shpall kampion bote me përfaqësuesen spanjolle, Porro vendosi që medaljen e artë të mos e mbante vetëm si një kujtim personal. Ai ia dhuroi njeriut që besoi tek ai që në ditët e para të ëndrrës së tij – gjyshit.

    Pas suksesit më të madh të karrierës, futbollisti u kthye në shtëpi për të përmbushur një premtim të bërë vite më parë. Kur ishte ende fëmijë, ai i kishte thënë gjyshit se një ditë do të bëhej kampion bote me Spanjën.

    Ky premtim kishte një domethënie të veçantë. Për vite me radhë, gjyshi i tij përshkoi mijëra kilometra për ta çuar në stërvitje dhe ndeshje, pa u ankuar asnjëherë. Ai ishte njeriu që e mbështeti në çdo hap, edhe kur rruga drejt futbollit profesionist dukej e vështirë dhe plot sfida.

    Momenti i takimit mes tyre ishte emocionues. Pedro Porro ia vendosi medaljen e kampionit të botës në qafë gjyshit të tij, si një shenjë mirënjohjeje për të gjitha sakrificat dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndër vite.

    “Mision i kryer”, ishte mesazhi i shkurtër, por domethënës, i futbollistit spanjoll, ndërsa gjyshi e përqafoi me krenari dhe lot në sy.

    Pamjet e këtij takimi u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke emocionuar tifozë nga e gjithë bota. Për shumë njerëz, kjo nuk ishte thjesht historia e një kampioni bote, por dëshmia se pas çdo suksesi të madh qëndrojnë njerëzit që besojnë tek ne që nga dita e parë.

    Një histori që kujton se trofetë mund të fitohen në fushë, por vlerat më të mëdha ndërtohen jashtë saj.

  • Ngjarje e rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari – dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

    Ngjarje e rëndë në Orikum, humb jetën 75-vjeçari – dyshohet se pësoi infarkt pasi doli nga deti

    Një ngjarje tragjike është shënuar paraditen e kësaj të enjteje në plazhin e Orikumit, ku një turist shqiptar, rreth 75 vjeç, ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi infarkt.

    Sipas informacioneve paraprake, 75-vjeçari kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e tij. Mësohet se, rreth orës 11:30, sapo ka hyrë në det, ai është ndier keq dhe ka dalë drejt bregut, ku ka humbur ndjenjat.

    Kanë qenë pushuesit dhe familjarët e tij që e kanë nxjerrë menjëherë në breg dhe kanë kërkuar ndihmë. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Orikumit, ndërsa personeli mjekësor ka kryer manovrat e reagimit, por pa mundur ta rikthejë në jetë, raporton euronews.al.

    Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt kardiak, ndërsa pritet që rrethanat e plota të ngjarjes të konfirmohen nga autoritetet përkatëse.

  • Haradinaj dekoron katër kontribuues nga Shqipëria për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës

    Haradinaj dekoron katër kontribuues nga Shqipëria për rolin e tyre në çlirimin e Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tropojës, ku katër personalitete u shpallën “Qytetar Nderi” për kontributin e tyre në shërbim të atdheut dhe kombit.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka vlerësuar rolin e patriotëve nga Shqipëria që iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës, duke theksuar se shumë prej tyre i kishte njohur në frontet e luftës.

    “Luftës për çlirimin e Kosovës iu bashkuan shumë patriotë nga të gjitha trojet shqiptare. Shumë prej tyre që ishin nga Shqipëria pata fatin t’i njoh personalisht në frontet e luftës. Ishin ushtarakë me përvojë, të cilët me dijen, profesionalizmin e tyre dhanë ndihmë të jashtëzakonshme në organizimin dhe rrjedhën e luftës”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka bërë të ditur se në ceremoninë e mbajtur në Tropojë u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” Halil Kuçana, ish-komandant i Brigadës së Tropojës, Avni Hoxha, punonjës në institucionet e sigurisë, Rexhep Kortoçi, ish-ushtarak dhe komandant i Policisë Ushtarake, si dhe Selim Demushi, ushtarak dhe ish-komandant i Batalionit të Kufirit në Tropojë.

    Haradinaj ka njoftuar gjithashtu se, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës, i ka dekoruar me medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.

    “Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës dhe për shërbimin ndaj kombit, pata nderin t’i dekoroj me medaljen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka theksuar ai.

    Haradinaj ka shprehur respekt për të gjithë ata që kontribuan në luftën për liri.

    “Krenar me rrugën tonë për liri. Nderim i përjetshëm për të gjithë ata që i dolën zot atdheut”, ka shtuar Haradinaj.

  • Kamerat kapin burrin që imiton Trumpin gjatë tubimit, videoja ‘pushton’ rrjetin

    Kamerat kapin burrin që imiton Trumpin gjatë tubimit, videoja ‘pushton’ rrjetin

    Një burrë i ulur direkt pas presidentit amerikan, Donald Trump, në një tubim fushate në Xhorxhia u bë papritur qendra e vëmendjes pasi kamerat e kapën atë duke imituar nga afër gjestet dhe shprehjet karakteristike të presidenti gjatë gjithë fjalimit.

    Momenti ndodhi gjatë tubimit të Trumpit në shkollën e mesme Wheeler në Marietta, ku pjesëmarrësi i paidentifikuar, i veshur me kostum dhe kravatë të kuqe, u shfaq duke imituar lëvizjet e duarve dhe shprehjet e fytyrës së Trumpit.

    Klipi u bë shpejt viral në rrjete sociale, me shumë përdorues që thanë se burri dukej sikur po tallte Trumpin.

    Disa përdorues gjithashtu pretenduan se ai nuk ishte më i dukshëm në kornizën e kamerës më vonë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ai kishte ndryshuar vend apo thjesht ishte jashtë shikimit.

    Ndërsa Trump fliste për çështje duke përfshirë Iranin dhe kundërshtarët e tij politikë, pjesëmarrësi vazhdoi të pasqyronte shumë nga gjestet e tij, duke tërhequr vëmendjen nga vetë fjalimi.

  • Rama: Eliminohen gypat e azbestit në kuadër të transformimit të Sheshit “Xhorxh Bush”

    Rama: Eliminohen gypat e azbestit në kuadër të transformimit të Sheshit “Xhorxh Bush”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se në kuadër të punimeve për transformimin e Sheshit “Xhorxh Bush” ka nisur eliminimi i gypave të azbestit nga infrastruktura ekzistuese.

    Sipas Ramës, largimi i këtyre gypave është pjesë e ndërhyrjeve për modernizimin e infrastrukturës dhe krijimin e një hapësire më të sigurt dhe funksionale për qytetarët.

    Punimet në këtë zonë po vazhdojnë në kuadër të projektit për transformimin e sheshit, ndërsa ekipet përgjegjëse janë duke realizuar ndërhyrjet e planifikuara në terren.

  • Ngufatja me ushqim i rrezikoi jetën, mjekët i shpëtojnë jetën 79-vjeçarit në Mitrovicë

    Ngufatja me ushqim i rrezikoi jetën, mjekët i shpëtojnë jetën 79-vjeçarit në Mitrovicë

    Reagimi i shpejtë dhe profesional i ekipit të Shërbimit të Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së një pacienti 79-vjeçar, i cili kishte pësuar bllokim kritik të rrugëve të frymëmarrjes si pasojë e ngufatjes me ushqim.

    Sipas njoftimit të spitalit, pacienti me inicialet S.S., i lindur në vitin 1947, është transportuar me autoambulancë nga Shtëpia e të Moshuarve në Skenderaj në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

    Menjëherë pas pranimit në repartin e Emergjencës, ekipi kujdestar ka ndërmarrë procedurat urgjente të reanimimit. Gjatë ndërhyrjes është larguar trupi i huaj dhe është pastruar ushqimi që kishte bllokuar plotësisht rrugët e frymëmarrjes, duke mundësuar rikthimin e frymëmarrjes së pacientit.

    Falë reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të ekipit mjekësor, gjendja e pacientit është stabilizuar, ndërsa jeta e tij është shpëtuar.

    Spitali ka bërë të ditur se ndërhyrja është realizuar nën udhëheqjen e Dr. Vehbi Salihut, specialist i Mjekësisë Emergjente, me mbështetjen e infermierëve Agron Sumiqi, Musa Peci, Valdete Maliqi, Hidajete Hajrizi dhe Avdullah Ademi.

    Nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” vlerësohet se ky rast dëshmon rëndësinë e reagimit të shpejtë, profesionalizmit dhe punës ekipore në trajtimin e rasteve emergjente që rrezikojnë jetën e pacientëve.