ATV

Blog

  • Nevojë apo zgjedhje? Gati gjysma e lindjeve në Kosovë bëhen me operacion

    Nevojë apo zgjedhje? Gati gjysma e lindjeve në Kosovë bëhen me operacion

    Me foshnjën pranë vetes, Arlinda paloste rrobat e vogla të saj në valixhe – gati për të shkuar në shtëpi.

    Në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ajo solli në jetë fëmijën e parë – me peshë gati tre kilogramë.

    Ishte një moment që e kishte pritur dhe imagjinuar gjatë gjithë shtatzënisë.

    “Normalisht, jam e lumtur”, thotë ajo, “por më duhet edhe pak kohë që ta marr veten, sepse kam lindur me operacion”.

    Vendimi për prerje cezariane erdhi në fund të procesit nga mjekët e saj.

    Në aspektin emocional, ajo nuk ishte e përgatitur.

    “…por mjekët e vlerësuan si të nevojshme dhe unë u binda”, thotë Arlinda, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë.

    Në shtratin pranë saj, mëngjesin e 26 janarit, ndodhej edhe Pranvera, një nënë tjetër, me një histori të ngjashme, por një përvojë ndryshe.

    Ajo kishte lindur fëmijën e parë në mënyrë natyrale, ndërsa këtë herë, procesi i mori rrjedhë tjetër.

    “Dhimbjet më nisën në shtëpi, në Lipjan. Kur erdha në spital, më dërguan në sallën e lindjes. Qëndrova gati dy orë dhe nuk munda të lind normalisht. Më thanë se duhet operacion”, rrëfen Pranvera, duke shtuar se, përveç humbjes së ujit të bebes, arsye tjetër nuk i është shpjeguar.

    Dy gra, dy lindje, dy histori personale. Por, të dyja pasqyrojnë të njëjtin realitet shëndetësor në Kosovë: rritjen e ndjeshme të lindjeve me prerje cezariane.

    Kulmi i tyre u arrit në vitin 2024, kur gati gjysma e lindjeve në vend u realizuan me operacion.

    Por, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ky trend nuk është i njëjtë në të gjitha institucionet: në vitin 2024, spitalet private dominuan për nga numri i lindjeve me prerje cezariane.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon prerjen cezariane si një ndërhyrje kirurgjikale, që përdoret për të shpëtuar jetën e nënave dhe foshnjave kur komplikimet e bëjnë lindjen natyrale të rrezikshme.

    Ndërsa është e dobishme kur ekzistojnë arsye të qarta mjekësore, OBSH-ja paralajmëron kundër përdorimit pa nevojë të prerjes cezariane, duke theksuar se ajo “duhet të kryhet vetëm kur është realisht e domosdoshme për të shmangur rreziqet për nënën ose foshnjën”.

    Sipas studimeve, aplikimi i panevojshëm ose i tepruar i prerjes cezariane mund të rrisë rrezikun e komplikimeve post-operative, infeksioneve dhe problemeve të mëvonshme obstetrike për gratë.

    Frika nga përgjegjësia

    Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së, gjatë vitit 2025, u realizuan mbi 7 mijë lindje, prej të cilave 3.074 me prerje cezariane.

    Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se mjekët shpesh përballen me dilema të vështira.

    “Ka raste kur mjekët druajnë se, nëse këmbëngulin në lindje natyrale dhe ajo komplikohet në momentin e fundit, mund të përballen me pasoja serioze”, thotë Ndrejaj për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, operacioni nuk duhet të jetë opsioni i parë, por shpesh bëhet i tillë për shkak të mungesës së protokolleve të qarta.

    Ai shton se klinika trajton edhe raste të rënda dhe urgjente të referuara nga e gjithë Kosova – çka ndikon po ashtu në statistika.

    “Po respektohet dëshira e pacientes”

    Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës konfirmon rritjen e lindjeve me prerje cezariane.

    Kryetari i saj, Naser Rafuna, thotë se një faktor i rëndësishëm në këtë trend është kërkesa e vetë grave.

    “Gjeneratat e reja janë shumë të interesuara për lindje me operacion. Po respektohet dëshira e pacientes, të them të drejtën”, shprehet ai, duke shtuar se presioni nga familjarët dhe frika nga komplikimet e lindjes normale, i shtyjnë gjinekologët të tërhiqen.

    Por gjinekologu Arbër Lila, i cili punon në spitalin e Gjakovës, thekson se përgjegjësia për rritjen e lindjeve me prerje cezariane nuk bie vetëm mbi nënat.

    “Edhe ne, si profesionistë, e kemi atë pjesën e ‘kontributit tonë’ në rritjen kaq të madhe të lindjeve cezariane”, thotë ai.

    Sipas Lilës, mungesa e komunikimit dhe e shpjegimit të procesit të lindjes, si dhe frika nga paditë, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e mjekëve.

    “Lindja normale kërkon kohë, vigjilencë dhe përgjegjësi të madhe. Ndërsa prerja cezariane kryhet më shpejt dhe shpesh krijon një ndjenjë ‘lehtësimi’ për të gjithë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Lila shton se kjo dukuri nuk është specifike vetëm për Kosovën.

    “Është trend në të gjitha vendet. Shifrat janë pothuajse alarmante – gjendja po i afrohet një barazimi mes lindjeve normale dhe atyre me prerje cezariane”, deklaron ai.

    Një udhërrëfyes ekziston, por zbatimi mungonNë korrik të vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës miratoi udhërrëfyesin klinik për menaxhimin e lindjeve me prerje cezariane, me synimin që gratë të marrin vendime të informuara dhe të bazuara në fakte shkencore.

    Dokumenti thekson se gratë duhet të informohen për pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj procedure dhe se kjo e drejtë u garantohet me ligj.

    Por, edhe pse ka hyrë në fuqi, udhërrëfyesi vazhdon të mos zbatohet, për faktin se nuk është integruar plotësisht në punën e përditshme të institucioneve shëndetësore.

    Arsyet lidhen edhe me mungesën e mekanizmave mbikëqyrës.

    Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale, ka kërkuar disa herë që numri i lindjeve me prerje cezariane të reduktohet në minimum, si dhe që në secilën dhomë të vendosen njoftime informuese për pacientet lidhur me këtë procedurë.

    “Aty ku kemi kushte për lindje normale, nuk duhet të ketë mundësi për lindje të tjera”, përfundon drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj./REL

  • Cristiano Ronaldo feston sot 41-vjetorin e lindjes

    Cristiano Ronaldo feston sot 41-vjetorin e lindjes

    Një nga figurat më ikonike të futbollit botëror, Cristiano Ronaldo, feston sot 41-vjetorin e lindjes, duke vazhduar të mbetet simbol i suksesit, disiplinës dhe përkushtimit në sportin më të dashur në botë.

    Me një karrierë të jashtëzakonshme që shtrihet për më shumë se dy dekada, Ronaldo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në klubet më të mëdha evropiane dhe me Kombëtaren e Portugalisë, duke fituar tituj të shumtë, çmime individuale dhe miliona admirues anembanë globit.

    Edhe në këtë moshë, ylli portugez vazhdon të jetë aktiv në fushë, duke dëshmuar se pasioni për futbollin dhe etja për fitore nuk njohin kufij. Për shumë tifozë, Cristiano Ronaldo mbetet jo vetëm një futbollist i madh, por edhe një frymëzim për brezat e rinj, duke treguar se suksesi arrihet me punë të palodhur dhe mentalitet fitues.

    Urime ditëlindjen, CR7!

  • Ukraina dhe Rusia përfundojnë ditën e dytë të bisedimeve për paqe – çfarë u arrit?

    Ukraina dhe Rusia përfundojnë ditën e dytë të bisedimeve për paqe – çfarë u arrit?

    Ukraina dhe Rusia kanë përfunduar ditën e dytë të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi.

    Siç është raportuar, diskutimet kanë rezultuar në marrëveshjen e parë të shkëmbimit të të burgosurve midis dy palëve në pesë muaj.

    I dërguari amerikan Steve Witkoff i quajti bisedimet “të detajuara dhe produktive” në një postim në internet, por tha se “mbetet punë e rëndësishme për t’u bërë”.

    Pavarësisht presionit nga administrata Trump mbi Kievin dhe Moskën për të gjetur një kompromis, të dyja palët deri më tani nuk kanë arritur të bien dakord për një armëpushim.

    Fati i rajonit lindor të Donetskut është një nga çështjet më të ndërlikuara në bisedime.

    Si parakusht për çdo marrëveshje, Moska dëshiron që Kievi të tërheqë trupat e tij nga i gjithë rajoni i Donetskut, përfshirë një linjë qytetesh të fortifikuara rëndë që konsiderohen si një nga mbrojtjet më të forta të Ukrainës.

    Por, Ukraina ka këmbëngulur që konflikti duhet të ngrijë përgjatë vijave aktuale të frontit dhe refuzon çdo tërheqje të njëanshme të forcave të saj.

    Gjithashtu, Ukraina ka deklaruar se dëshiron kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhisë, më i madhi në Evropë, i cili ndodhet në territorin e kontrolluar nga Rusia.

  • Arrestohen tre persona për grabitje në Prizren, një në arrati

    Arrestohen tre persona për grabitje në Prizren, një në arrati

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona për një grabitje të ndodhur më 3 shkurt në Prizren, ndërsa një i dyshuar tjetër vazhdon të jetë në arrati.

    Sipas raportimeve, dy viktima një mashkull dhe një femër – kanë deklaruar se tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta i kanë kanosur dhe i kanë grabitur paratë që mbanin me vete.

    Pas hetimeve, policia identifikoi katër të dyshuar. I dyshuari i parë u arrestua pranë një lokali, ku gjatë bastisjes iu gjet një armë në trup dhe një armë tjetër në automjet, si dhe maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.

    Dy të dyshuarit e tjerë u arrestuan në një lokacion tjetër në Prizren. Në shtëpitë e tyre dhe në një lokal u gjetën prova shtesë. Dy nga të arrestuarit kanë pranuar kryerjen e veprës penale.

    Të arrestuarit:

    • K.K. (20 vjeç)

    • Sh.G. (20 vjeç)

    • L.G. (36 vjeç)

    Të tre janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është gjetur dhe vazhdon të jetë në arrati.

    Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

  • 11 viktima dhe miliarda euro dëme në Portugali, pas stuhive katastrofike

    11 viktima dhe miliarda euro dëme në Portugali, pas stuhive katastrofike

    tuhi të rënda kanë shkaktuar shkatërrime të shumta në Gadishullin Iberik, duke lënë të paktën 11 të vdekur në Portugali që nga java e kaluar dhe duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen në Spanjë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për mot të ekstrem në ditët në vijim.

    ”Në Portugali, një burrë 70-vjeçar u gjet i vdekur në makinën e tij, e cila ishte përfshirë nga uji i një lumi në komunën e Serpas”, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve LUSA.

    Vdekja e tij rrit numrin e të vdekurve nga stuhitë në Portugali që nga java e kaluar në 11 persona.

    Ministri portugez i Ekonomisë, Manuel Castro Almeida, vlerësoi se dëmi i shkaktuar nga stuhitë arrin mbi 4,0 miliardë euro (rreth 4,7 miliardë dollarë), raportoi sot transmetuesi shtetëror RTP.

    Pesë persona humbën jetën kur sistemi i stuhive atlantike kaloi në disa zona me shpejtësi erë mbi 200 kilometra në orë.

    Pesë të tjerë vdiqën në ditët pasuese gjatë operacioneve të pastrimit dhe rikuperimit. /atsh

     

  • Sllovenia planifikon të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Sllovenia planifikon të ndalojë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Sllovenia po përgatit një projektligj që synon të ndalojë qasjen në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, njoftoi zëvendëskryeministri Matej Arcon gjatë një konference për shtyp të enjten.

    Sipas Arcon, iniciativa vjen pas shembujve të vendeve të tjera europiane, si Spanja dhe Greqia, të cilat propozuan ndalime të ngjashme për adoleshentët. Qeveria sllovene synon të përfshijë ekspertë në arsim dhe teknologji dixhitale për të hartuar ligjin, që ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga përmbajtjet që mund të shkaktojnë varësi.

    “Ky është një problem global dhe një çështje e rëndësishme në Evropë. Me këtë ligj tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë,” tha Arcon.

    Ligji do të përfshijë platforma të njohura si TikTok, Snapchat dhe Instagram. Ndërkohë, vende të tjera si Britania dhe Franca po shqyrtojnë masa të ngjashme, ndërsa Australia ka qenë vendi i parë që ndaloi qasjen për fëmijët nën 16 vjeç.

  • Trajneri i Sunderlandit: Granit Xhaka ende jashtë për ndeshjen ndaj Arsenalit

    Trajneri i Sunderlandit: Granit Xhaka ende jashtë për ndeshjen ndaj Arsenalit

    Futbollisti kosovar Granit Xhaka nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës ndaj Arsenalit, pasi ende nuk e ka kaluar plotësisht lëndimin në kyçin e këmbës që e pësoi javën e kaluar.

    Lajmin e konfirmoi trajneri i Sunderlandit, Régis Le Bris, gjatë konferencës për media:

    “Nuk ka ndonjë përditësim të madh për momentin, por prania e tij në ekip është ende shumë e fortë. Presim me padurim të kemi versionin më të mirë të tij përsëri së shpejti.”

    Xhaka ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Sunderlandit, kundër West Ham dhe Burnley, dhe situata e tij do të monitorohet gjatë ditëve në vijim për rikthimin në stërvitje dhe lojë.

  • Elon Musk “Paratë nuk blejnë lumturinë”, interneti shpërthen në reagime

    Elon Musk “Paratë nuk blejnë lumturinë”, interneti shpërthen në reagime

    Postimi i fundit i Elon Musk në X (ish-Twitter) mbi lidhjen midis pasurisë dhe lumturisë ka shkaktuar debat të gjerë online.

    Personi më i pasur në botë shkroi se “paratë nuk mund ta blejnë lumturinë”, duke marrë menjëherë reagime nga përdoruesit.

    “Kushdo që tha ‘paratë nuk mund ta blejnë lumturinë’ e dinte vërtet për çfarë po fliste,” shtoi Musk.

    Komentet e përdoruesve varionin nga dakordësia deri te tallja. Një përdorues pyeti: “Pra, nuk je i lumtur?”, ndërsa tjetri bëri shaka: “Më jepni 1 miliard dollarë.”

    Sipas Forbes, Musk sapo ka arritur një pasuri prej mbi 800 miliardë dollarësh, pas blerjes së kompanisë së tij xAI nga SpaceX, duke e bërë të parin në histori me këtë nivel pasurie.

  • Serge Gnabry nënshkruan kontratë të re me Bayern Munich deri në vitin 2028

    Serge Gnabry nënshkruan kontratë të re me Bayern Munich deri në vitin 2028

    Gjiganti gjerman Bayern Munich ka zyrtarizuar marrëveshjen e re me sulmuesin anësor Serge Gnabry.

    Gnabry ka nënshkruar kontratë të re me bavarezët deri në vitin 2028,ku përfshihet këtu edhe një ulje në pagën e futbollistit gjerman.

    Përndryshe Gnabry pritet të fitoj rreth 15 milionë euro në sezon,nga 18 milionë sa fitonte në sezonet e kaluara.

    Ndërkohë gjermani u shpreh mjaft i lumtur që do të luaj edhe për disa sezone të tjera tek Bayern.

    “Jam i kënaqur që do të luaj për Bayernin për disa vite të tjera. Diskutimet ishin gjithmonë pozitive. Qëllimi im është të vazhdoj në këtë mënyrë: Ne jemi një njësi e vërtetë dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha. Arsyet për zgjatjen e kontratës janë ekipi, stafi i trajnerëve, i gjithë klubi, tifozët, qyteti, ndihem shumë rehat te FC Bayern”

  • “Tigrat” kroatë përfundojnë trajnimet, të gatshëm për të marrë pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë

    “Tigrat” kroatë përfundojnë trajnimet, të gatshëm për të marrë pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Anëtarët e Batalionit të parë të të Mekanizuar Tigrat të ushtrisë kroate kanë përfunduar fazën e dytë të trajnimit para-vendosjes për operacionin e mbështetjes së paqes të NATO-s, KFOR, në Kosovë, ku ata do të marrin përsipër detyrat nga anëtarët e kontingjentit të 44-të kroat në maj.

    Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë ka njoftuar se pjesë e aktiviteteve përgatitore, anëtarët e batalionit kryen së fundmi një nga ciklet kryesore të trajnimit që zgjati 72 orë.

    Stërvitja u zhvillua në një ritëm të vazhdueshëm, në kushte dite dhe nate, me qëllim kontrollin dhe rritjen e nivelit të gatishmërisë për zbatimin e operacioneve të stabilizimit në zonën e misionit.

    Gjatë stërvitjes, detyrat përfshinin sigurimin e zonave, kryerjen e patrullave, kontrollin e lëvizjeve, trajtimin e popullsisë civile dhe reagimin ndaj incidenteve të ndryshme të sigurisë. Theks i veçantë iu vu komandës dhe kontrollit, vendimmarrjes në rrethana komplekse dhe në ndryshim, si dhe koordinimit të ndërsjellë brenda njësisë.

    Zbatimi i ciklit përgatitor konfirmoi më tej nivelin e stërvitjes dhe gatishmërisë së Batalionit të 1-rë të Mekanizuar, Tigrat, për të marrë përsipër detyra në një mjedis ndërkombëtar, thekson komunikata.

    Pjesëmarrja në operacionin e mbështetjes së paqes të NATO-s, KFOR, në Kosovë është një vazhdim i kontributit të Republikës së Kroacisë në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe një konfirmim i profesionalizmit dhe besueshmërisë së pjesëtarëve të Ushtrisë Kroate, thuhet në komunikatë.