ATV

Blog

  • Lirohet nga akuza arsimtari që akuzohej se hodhi flamurin dhe plisin në mbeturina

    Lirohet nga akuza arsimtari që akuzohej se hodhi flamurin dhe plisin në mbeturina

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Muhamed Hajredinajt për akuzën se në cilësinë e mësimdhënësit, hodhi në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska dhe anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Përlaska tha se gjykata u mbështet në provat e administruara në shqyrtim gjyqësor dhe vlerësoi se i pandehuri nuk ka pasur për qëllim nxitjen e urrejtjes e mosdurimit.

    Gjykatësi tha se veprimet e Hajredinajt nuk përmbushin elementet e veprës penale, andaj lirohet nga akuza.

    I akuzuari nuk mori pjesë në shpallje.

    Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ngritur më 24 prill 2025, Hajredinaj akuzohej se më 27 nëntor 2024, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare, ka hedhur flamurin kuq e zi dhe plisin në shportën e mbeturinave, përkundër kundërshtimeve të nxënësve. Ai akuzohej gjithashtu se ka larguar nga ora e mësimit një nxënëse që mbante simbolet për pjesëmarrje në programin festiv të Ditës së Flamurit.

    Me këto veprime, Hajredinaj akuzohej për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” sipas nenit 141, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

  • Depresioni nuk është njësoj për të gjithë – Nga depresioni i lehtë te ai kronik: Çfarë duhet të dimë?

    Depresioni nuk është njësoj për të gjithë – Nga depresioni i lehtë te ai kronik: Çfarë duhet të dimë?

    Depresioni mund të shfaqet në disa mënyra. Mund të jetë i lehtë ose i rëndë, jetëshkurtër ose kronik. Rrethanat e veçanta, si lindja e një fëmije ose ndryshimi i stinëve, mund të shkaktojnë simptoma depresive.

    Të kuptuarit e llojit të depresionit që një person po përjeton, ndihmon mjekët të përcaktojnë trajtimin e duhur.

    Ndërsa për njerëzit e diagnostikuar, marrja e informacionit të duhur rreth këtij çrregullimi, mund t’i japë atyre një përgjigje rreth gjendjes që po përjetojnë.

    Çrregullimi i madh depresiv

    Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni duhet të ketë të paktën pesë simptoma që zgjasin për dy javë ose më shumë.

    Ato mund të përfshijnë: trishtim, boshllëk, mungesë shprese, ndjesi e fajit, humbje energjie, gjumë i shtuar ose i reduktuar, oreks i pakët ose i shtuar, rënie e interesit për aktivitete, mendime rreth vdekjes dhe vetëvrasjes.

    Ky çrregullim ka dy nëntipe: “depresioni atipik” dhe “melankolik”.

    Njerëzit në kategorinë e parë priren të flenë dhe të hanë shumë. Ata kanë reagim të ashpra dhe ndihen shumë të shqetësuar.

    Personat në kategorinë e dytë kanë probleme me gjumin dhe priren të kenë mendime të mbushura me faj. Kjo shihet më shpesh tek të moshuarit.

    Depresioni rezistent ndaj trajtimit

    Ndonjëherë njerëzit me çrregullim të madh depresiv nuk i përgjigjen lehtësisht trajtimit. Kjo mund të jetë diçka gjenetike ose lidhet me mjekimin.

    Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni, ai duhet të ketë kaluar dy prova të pasuksesshme të trajtimit me ilaçe.

    Çrregullimi i shkurtër periodik depresiv

    Këtu bëjnë pjesë ata që shfaqin vetëm disa nga simptomat e depresionit të madh dhe mund të përjetojnë depresion për më pak se dy javë.

    Çrregullimi periodik depresiv

    Njerëzit me këtë çrregullim kanë një humor të errët ose janë vazhdimisht të trishtuar. Ata shfaqin të paktën dy simptoma të depresionit të madh që zgjasin për dy ose më shumë vjet.

    Çrregullimet para-menstruale

    Deri në 10% e grave në fazë riprodhuese përjetojnë çrregullim disforik premenstrual (PMDD). Kjo mund të shkaktojë depresion, trishtim, ankth ose nervozizëm, si dhe simptoma të tjera, një javë para menstruacioneve.

    Shkencëtarët besojnë se këto gra mund të kenë një ndjeshmëri jonormale ndaj ndryshimeve hormonale gjatë ciklit të tyre menstrual.

    Depresioni për shkak të çrregullimit bipolar

    Ndryshimet e mëdha në humor dhe energji, që variojnë nga ngazëllimi dhe përfundojnë në mungesë shprese, janë shenjat e episodeve depresive të çrregullimit bipolar.

    Çrregullimi i menjëhershëm i humorit

    Të bërtiturat dhe nervozizmi mund të jenë tipare të çrregullimit të këtij çrregullimi.

    Një lloj depresioni i diagnostikuar zakonisht tek fëmijët që kanë vështirësi në përballimin e emocioneve të tyre. Ata kanë shpërthime të forta emocionale dhe nuk janë në gjendje të përmbajnë emocionet e tyre.

    Depresioni pas lindjes (ose perinatal)

    Lindja e një fëmije sjell gëzim të madh, por ndonjëherë mund të çojë në depresion pas lindjes, një lloj që prek më shpesh gratë, por edhe burrat.

    Tek gratë ka të ngjarë të shkaktohet nga ndryshime hormonale, lodhja dhe faktorë të tjerë. Tek meshkujt, nga ndryshimi i roleve dhe ndryshimet në stilin e jetës.

    Mund të fillojë në çdo kohë në vitin e parë pas lindjes, por zakonisht shfaqet menjëherë pas lindjes dhe nuk zgjat shumë.

    Depresioni sezonal

    Një lloj depresioni i përsëritur që zakonisht shfaqet në vjeshtë ose dimër. Së bashku me një ndryshim në humor, individët priren të kenë më pak energji, të hanë e të flenë më tepër, të shtojnë peshë ose të tërhiqen nga ndërveprimi shoqëror.

    Depresioni psikotik

    Njerëzit me këtë gjendje kanë depresion të rëndë të shoqëruar me psikozë, e cila përkufizohet si humbje e kontaktit me realitetin.

    Simptomat përfshijnë halucinacione (duke parë ose dëgjuar gjëra që nuk janë në të vërtetë) dhe deluzione (besime të rreme për atë që po ndodh).

    Depresioni për shkak të një sëmundjeje

    Përballja me një sëmundje serioze kronike, si sëmundjet e zemrës, kanceri, skleroza e shumëfishtë dhe HIV/AIDS, mund të jetë tejet dëshpëruese.

    Inflamacioni i lidhur me sëmundjen gjithashtu mund të luajë një rol në shfaqjen e depresionit.

    Shënim i rëndësishëm

    Në shumicën e rasteve depresioni është diçka që mund të trajtohet me medikamente, me terapinë e të folurit dhe ndryshime në stilin e jetesës.

    Ndaj është tepër e rëndësishme të kërkoni ndihmë sa më parë të mundeni.

  • Aksident ajror në Libi, Rrëzohet helikopteri i ndihmës së shpejtë, pesë viktima

    Aksident ajror në Libi, Rrëzohet helikopteri i ndihmës së shpejtë, pesë viktima

    Një helikopter i ndihmës së shpejtë është rrëzuar të hënën në bazën Al-Sarra në Libi, gjatë kthimit nga një mision për evakuim mjekësor, duke shkaktuar humbjen e jetës së pesë personave.

    Sipas portalit të lajmeve al-Wasat, i cili citoi burime të informuara, aksidenti ka ndodhur rreth 300 kilometra larg qytetit juglindor Kufra.

    Mes viktimave janë dy pjesëtarë të shërbimit të transportit ushtarak, si dhe një infermiere nga spitali i Kufrës. Dy viktimat e tjera ishin shtetas të huaj, përkatësisht piloti i helikopterit dhe asistenti i tij.

    Deri më tani nuk janë dhënë detaje lidhur me shkaqet e rrëzimit, ndërsa autoritetet libiane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht për këtë incident tragjik.

     

  • Policia shqipton 220 gjoba trafiku brenda një dite në Prishtinë, 35 shoferë mbesin pa patentë

    Policia shqipton 220 gjoba trafiku brenda një dite në Prishtinë, 35 shoferë mbesin pa patentë

    Njësiti i Trafikut i Kryeqytetit ka shqiptuar gjithsej 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion vetëm brenda një dite. Kjo është bërë e ditur të martën përmes një njoftimi për media nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, 50 nga këto kundërvajtje janë evidentuar përmes veturave policore të pajisura me teknologji inteligjente. Shkeljet kanë të bëjnë kryesisht me automjete me regjistrim të skaduar dhe tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

    Në kuadër të këtyre veprimeve, Policia ka bërë të ditur se 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi. Ndërkaq, gjobat e shqiptuara do t’u dërgohen kundërvajtësve përmes postës.

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore.

    Ndryshe, ditë më parë, komandanti i Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor për rajonin e Prishtinës, Sylejman Halili, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 numri i gjobave të shqiptuara është rritur për 13 për qind krahasuar me vitin paraprak.

  • Veç dje, Policia në Prishtinë ua mori lejën 35 shoferëve

    Veç dje, Policia në Prishtinë ua mori lejën 35 shoferëve

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, prej të cilave 50 janë evidentuar përmes veturave me pajisje inteligjente.

    Gjatë këtyre veprimeve, 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi, ndërsa gjobat do t’u dërgohen kundërvajtësve përmes postës.

    Njoftimi:

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, në kuadër të aktiviteteve të rregullta operative, gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar gjithsej 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

    Nga ky numër, 50 gjoba janë identifikuar përmes veturave me pajisje inteligjente, të cilat kanë evidentuar kundërvajtje si drejtimi i automjetit me regjistrim të skaduar dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar. Në kuadër të këtyre veprimeve, 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi, ndërsa gjobat e shqiptuara kundërvajtësit do t’i pranojnë përmes postës.

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

  • Arsyet pse pijet e gazuara dëmtojnë seriozisht shëndetin

    Arsyet pse pijet e gazuara dëmtojnë seriozisht shëndetin

    Pijet e gazuara janë ndër produktet më të konsumuara, por njëkohësisht edhe ndër më të dëmshmet për organizmin. Përmbajtja e tyre ndikon negativisht në shumë funksione jetike të trupit. Më poshtë po rendisim disa nga arsyet kryesore pse duhet shmangur konsumimi i tyre.

    Sheqeri
    Një kënaçe pije e gazuar përmban rreth 10 lugë çaji sheqer. Kjo sasi e lartë, sidomos në formë të lëngët, rrit ndjeshëm nivelin e glukozës në gjak dhe shkakton reagim të fortë të insulinës. Me kalimin e kohës, kjo mund të çojë në diabet ose në rezistencë ndaj insulinës.

    Acidi fosforik
    Ky acid pengon përthithjen e kalciumit nga trupi, duke rritur rrezikun për osteoporozë, dobësim të kockave dhe dëmtim të dhëmbëve. Ai gjithashtu ndikon negativisht në sistemin tretës, duke ngadalësuar tretjen dhe duke bllokuar thithjen e lëndëve ushqyese.

    Ëmbëltuesit artificialë
    Në pijet dietike përdoren ëmbëltues artificialë si aspartami, i cili konsiderohet më i dëmshëm se sheqeri. Ai është lidhur me probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundje të zemrës, diabet, tumore të trurit dhe çrregullime emocionale.

    Kafeina
    Shumë pije të gazuara përmbajnë kafeinë, e cila mund të shkaktojë rrahje të çrregullta të zemrës, tension të lartë, probleme me gjumin dhe rritje të rrezikut për disa lloje kanceri.

    Uji dhe kimikatet
    Uji i përdorur në prodhimin e pijeve të gazuara është zakonisht ujë rubineti, i cili mund të përmbajë klor, fluor dhe gjurmë metalesh të dëmshme për organizmin.

    Obeziteti
    Studimet e Universitetit të Harvardit tregojnë se konsumimi i rregullt i pijeve të gazuara rrit ndjeshëm rrezikun e obezitetit, veçanërisht tek fëmijët. Çdo pije e tillë e konsumuar rrit rrezikun për shtim në peshë deri në 1.6 herë.

    Fruktoza e tepërt
    Këto pije përmbajnë shurup me përmbajtje të lartë fruktoze, i prodhuar nga drithëra të modifikuara gjenetikisht. Procesi i prodhimit përfshin përdorimin e substancave të rrezikshme, përfshirë merkurin, i cili lidhet me sëmundje të rënda.

    Mungesa e vlerave ushqyese
    Pijet e gazuara nuk ofrojnë asnjë vlerë ushqyese për trupin. Ato janë produkte artificiale që vetëm e dëmtojnë organizmin.

    Dehidratimi
    Përmbajtja e lartë e sheqerit, natriumit dhe kafeinës ndikon në dehidratimin e trupit dhe, me konsum afatgjatë, mund të shkaktojë dehidratim kronik.

    Dëmtimi i dhëmbëve
    Konsumimi i shpeshtë i pijeve të gazuara favorizon formimin e pllakëzave bakteriale, kaviteteve dhe problemeve me mishrat e dhëmbëve.

  • I harroni shpesh emrat? Ja pse kjo mund të tregojë inteligjencë mbi mesataren

    I harroni shpesh emrat? Ja pse kjo mund të tregojë inteligjencë mbi mesataren

    Harrimi i emrave të njerëzve shpesh shihet si mungesë përqendrimi ose interesi, por studime të ndryshme sugjerojnë se kjo prirje mund të lidhet me mënyrën se si funksionon truri. Sipas hulumtimeve të Universitetit Kansas State, personat që e kanë të vështirë të mbajnë mend emra shpesh janë të fokusuar në procese më komplekse mendore gjatë ndërveprimeve sociale.

    Kur truri përpunon informacion gjatë një bisede, ai shpesh i jep përparësi krijimit të kuptimit, analizës së përmbajtjes dhe lidhjes emocionale, duke lënë pas dore detaje si emri. Kjo ndodh veçanërisht te njerëzit që mendojnë thellë dhe janë të përqendruar në përmbajtjen e bisedës, e jo në elementet formale të saj.

    Individët që harrojnë shpejt emrat zakonisht kanë një prirje për të ndërtuar lidhje kuptimplota me të tjerët. Ata janë më të interesuar për ndjenjat, mendimet dhe energjinë e bashkëbiseduesit sesa për ruajtjen e informacionit mekanik. Ky fokus në empati dhe dëgjim aktiv shpesh e ngarkon trurin me procese të tjera njohëse, duke e bërë më të vështirë memorizimin e emrave.

    Po ashtu, këta persona kanë aftësi të lartë për të lexuar sinjalet jo-verbale dhe dinamikën sociale. Ata analizojnë gjuhën e trupit, tonin e zërit dhe atmosferën përreth, çka kërkon energji mendore dhe redukton kapacitetin për memorie afatshkurtër.

    Njerëzit me inteligjencë të lartë njihen edhe për mendimin e thellë dhe analitik. Ata krijojnë lidhje, asociacione dhe interpretime gjatë bisedave, duke u zhytur në ide dhe koncepte, gjë që shpesh i largon nga detaje si emrat.

    Empatia e theksuar është një tjetër tipar i zakonshëm. Shumë individë inteligjentë janë emocionalisht të ndjeshëm dhe bëjnë përpjekje që të tjerët të ndihen të respektuar dhe të dëgjuar. Për ta, mënyra se si ndihet tjetri ka më shumë rëndësi sesa përdorimi i emrit të tij.

    Ata gjithashtu priren të jetojnë në momentin aktual. Kur janë të përfshirë plotësisht në një bisedë, truri i tyre fokusohet në përjetimin e çastit dhe jo në ruajtjen e fakteve dytësore. Sipas studimeve neurologjike, kjo lloj “harrese selektive” ndihmon trurin të ruajë informacionin që ka më shumë vlerë afatgjatë.

    Fleksibiliteti dhe përshtatshmëria sociale janë po ashtu karakteristika të shpeshta. Këta njerëz rregullojnë sjelljen dhe komunikimin e tyre sipas situatës dhe nevojave të të tjerëve, duke e zhvendosur vëmendjen nga detajet formale.

    Kureshtja e vazhdueshme dhe mendimi kreativ janë faktorë të tjerë që ndikojnë. Truri i tyre është shpesh i zënë me ide, pyetje dhe skenarë të rinj, duke e bërë memorizimin e emrave një prioritet të ulët.

    Një tjetër veçori është gatishmëria për të ndryshuar mendim. Njerëzit inteligjentë janë të hapur ndaj informacionit të ri dhe rishikojnë bindjet e tyre, proces që kërkon përpunim intensiv mendor dhe ndikon në kujtesë.

    Në fund, vetëdija sociale e lartë bën që këta persona të fokusohen te ambienti, emocionet dhe energjia e përgjithshme, duke i lënë emrat në plan të dytë. Për ta, lidhja njerëzore dhe kuptimi kanë më shumë peshë sesa detajet formale.

  • Angelina Jolie mahnit në Paris me elegancë transparente që sfidon modën

    Angelina Jolie mahnit në Paris me elegancë transparente që sfidon modën

    Në premierën e filmit francez “Coutures” në Paris, ajo u shfaq me një krijim argjendi transparent që ndjek në mënyrë perfekte trendin aktual të të ashtuquajturve “fustane të zhveshur”, duke ruajtur njëkohësisht firmën e saj të njohur të sofistikimit

    Diva hollivudiane shëtiti në tapetin e kuq me një paraqitje që brenda sekondash u bë tema kryesore e kronikave të modës. Premiera e filmit “Coutures” të regjisores Alice Winocour ishte skena ideale për një moment mode që dukej sikur kishte dalë drejtpërdrejt nga një skenar. Jolie në film mishëron një ikonë mode, jeta e së cilës përmbyset gjatë krijimit të koleksionit të saj të fundit, ndërsa produksioni e përshkruan rolin me fjalët: “Angelina Jolie interpreton një ikonë mode, bota e së cilës shembet ndërsa gjenialiteti i saj krijues ndërthuret me demonët e brendshëm.”

    Fustani që tërheq shikimet

    Pikërisht këtë ndërthurje të glamurit dhe dramës, aktorja e famshme e përcolli edhe përmes stilit të saj. Fustani që ajo zgjodhi është një shembull ideal i trendit të “fustaneve të zhveshur”, i cili prej disa sezonesh dominon tapetet e kuq. Bëhet fjalë për një krijim të gjatë, thuajse transparent, të realizuar nga një material i hollë rrjetë, i pasur me qëndisje argjendi, perla dhe aplikacione vezulluese, transmeton Telegrafi.

    Prerja e fustanit ndjek linjën e trupit, duke zbuluar lëkurën në mënyrë diskrete, por të matur dhe të rafinuar. Panelet transparente janë vendosur strategjikisht në mënyrë që pamja të mbetet elegante dhe jo provokuese, ndërsa detajet me thekë në buzë i japin dozën e lojërave vizuale dhe lëvizjes. Pikërisht ky ekuilibër mes guximit dhe klasit e bën trendin e fustaneve të zhveshur kaq tërheqës dhe Jolie e përçoi atë në mënyrë të përsosur.

    Ajo e kombinoi krijimin me taka klasike të zeza dhe bizhuteri të thjeshta, duke lejuar që fustani të ishte protagonist absolut. Flokët e stiluar në valë të buta dhe grimi natyral theksuan më tej përshtypjen e një glamuri të fuqishëm, por jo të tepruar.

    Si “fustanet e zhveshur” po pushtojnë tapetin e kuq

    Trendi i fustaneve të zhveshur prej disa vitesh nuk po largohet nga radarët e modës. Nga pasarelat e stilistëve deri te premierat më të rëndësishme botërore, krijimet transparente dhe gjysmë-transparente janë bërë simbol i elegancës moderne të mbrëmjes. Me këtë paraqitje, Jolie tregoi se si një trend kaq sfidues mund të mbahet me masë dhe stil.

    Kombinimi i saj u përshtat në mënyrë të përkryer edhe me tematikën e filmit, i cili eksploron anën më të errët të industrisë së modës. Vetë aktorja deklaroi së fundmi: “Është një histori që flet për çmimin e krijimtarisë dhe presionet që vijnë me suksesin.” Fustani që ajo zgjodhi dukej si një reflektim vizual i kësaj ideje, i bukur nga jashtë, paksa i brishtë dhe jashtëzakonisht i fuqishëm.

  • Karateistët e Kosovës diskriminohen, nuk u lejohen simbolet shtetërore në Kampionatin Evropian

    Karateistët e Kosovës diskriminohen, nuk u lejohen simbolet shtetërore në Kampionatin Evropian

    Në Qipro po zhvillohet Kampionati Evropian i Karatesë për Kadetë, Junior dhe U21. Por karateistët e Kosovës janë detyruar të garojnë pa simbolet shtetërore të Republikës.

    Nazmi Gashi, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës tha se në momentin që këto gara janë alokuar në Qipro, nga federata është dërguar ankesë në institucionet e Federatës Evropiane dhe Federatës së Qipros.

    Ai tha se në vitin 2023 flamuri i Kosovës nuk ishte i vendosur në këto gara, andaj dhe paraprakisht kësaj radhe dërguan ankesë.

    “’Nuk mundemi me leju sepse Qipro nuk e njeh Kosovën, dhe shteti ka vendosur që ju të garoni me flamurin e Federatës’. Normalisht që ne në vitin 2023 nuk kemi marrë pjesë në garë”, tha Gashi për arsyetimin e mosvendosjes së simboleve të Kosovës në këto gara.

    Megjithatë, duket se federata po përballet me diskriminim të njëjtë edhe këtë vit.

  • Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, prokuroria shpalos kërkesat penale

    Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, prokuroria shpalos kërkesat penale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot vazhdon dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se ditën e martë prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në fund prokurorja e specializuar, Kimberly West, do të mbajë fjalën përmbledhëse.

    Dje, West bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, apo gjithsej 180 vjet burgim.

    Gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë, prokurori Nathan Quick tha se Adem Demaçi kishte një rol të kufizuar në krijimin e institucioneve, por, sipas tij, ai ishte vartës i Hashim Thaçit.

    Quick shtoi se, krahas rolit politik, Kadri Veseli kishte edhe funksionin e shefit të shërbimit informativ.

    Në ditën e parë, prokurorët e specializuar folën për rolin që kishin të katër të akuzuarit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur këtë organizatë si një strukturë me hierarki të qartë.

    Ndryshe çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Sipas aktakuzës, pretendohet se krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II.

    Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores. Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë.

    Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 19 gusht 2025, dhe paraqitja e provave dhe argumenteve nga Mbrojtja filloi më 15 shtator 2025, ku vetëm ekipet e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit paraqitën prova.

    Më 2 dhjetor 2025, të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre, ndërsa më 18 dhjetor 2025 u mbyll procedura e paraqitjes së provave.

    Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.