ATV

Blog

  • U shtrua pas problemeve me zemrën, ish-presidenti Alfred Moisiu del nga spitali

    U shtrua pas problemeve me zemrën, ish-presidenti Alfred Moisiu del nga spitali

    Ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu ka dalë nGa spitali Nënë Tereza, pasi u shtrua pak ditë më parë.

    Lajmin e ka bërë me dije vetë QSUT përmes një reagimi në rrjetet sociale ku shkruan “faleminderit President Moisiu për besimin e treguar ndaj mjekëve të QSUT! Ju urojmë shëndet të plotë dhe jetë të gjatë!”.

    Më 5 shkurt, mjekët e ekipit të aritmologjisë, pas konsultës i kanë vendosur një pacemaker me dy dhoma. Pacemaker është një pajisje mjekësore që ndihmon zemrën të rrahë rregullisht, kur ritmi i saj është shumë i ngadalshëm ose i çrregullt.

    Moisiu vuante nga rrahjet e ngadalta, ose bllok atrioventrikular, që lidhet me moshën. Aktualisht gjendja e tij është e qëndrueshme dhe në përmirësim.

  • Gjendet e vdekur një grua në banesën e saj në Prizren, policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në banesën e saj në Prizren, policia nis hetimet

    Një grua është gjetur të hënën pa shenja jete në banesën e saj në Prizren.

    Policia ka bërë të ditur se vdekja e saj është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa që kanë nisur hetimet për rastin.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare është gjetur në banesën e saj pa shenja jete. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Musk ndryshon planet, në vend të Marsit tani synon Hënën

    Musk ndryshon planet, në vend të Marsit tani synon Hënën

    Ambicia e Elon Musk për t’u vendosur një ditë në Mars duket se është lënë në plan të dytë për shkak të një qëllimi mjaft më të afërt dhe më të arritshëm – dërgimin e njerëzve për të jetuar në Hënë.

    Në një deklaratë, miliarderi tha se kompania e tij SpaceX tani i ka zhvendosur prioritetet e saj në ndërtimin e “një qyteti që rritet vetë në Hënë”, duke argumentuar se kjo mund të arrihet në më pak se një dekadë, krahasuar me më shumë se 20 vjet për një plan të ngjashëm në Mars.

    “Prioriteti kryesor është sigurimi i së ardhmes së qytetërimit dhe Hëna është më e shpejtë”, tha Musk.

    “Është e mundur të udhëtosh në Mars vetëm kur planetët rreshtohen çdo 26 muaj (kohëzgjatja e udhëtimit gjashtëmujor), ndërsa ne mund të nisemi për në Hënë çdo 10 ditë (kohëzgjatja e udhëtimit 2-ditor)”, shtoi ai.

    Nuk është menjëherë e qartë se çfarë nënkuptonte Musk me një “qytet që rritet vetë” ose nëse planet e tij janë në përputhje me një plan të ngjashëm hënor që propozon NASA.

    Musk deklaroi se kompania mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një qytet në Mars dhe do të fillojë ta bëjë këtë brenda rreth pesë deri në shtatë vjetësh.

    Kohët e fundit, miliarderi kishte thënë se SpaceX po punonte për të ulur anijen e saj të parë kozmike pa pilot në Mars, që në fund të vitit 2026 .

    Ulja e parashikimeve të tij të mëparshme për udhëtimet në hapësirë nga Musk vjen pasi SpaceX bleu XAI javën e kaluar, në një veprim që do të bashkojë dy nga kompanitë e tij më ambicioze në firmën private më të vlefshme në botë.

    Për më shumë se një dekadë, Musk e ka bërë të qartë fokusin e tij të madh në krijimin e një vendbanimi në Mars, duke thënë se ky ka qenë qëllimi kryesor i SpaceX që nga themelimi i kompanisë në vitin 2002.

    Në fjalimet e mbajtura në konferenca dhe ngjarje hapësinore për punonjësit e SpaceX, ai ka detajuar plane ambicioze për krijimin e një pranie të përhershme njerëzore në Planetin e Kuq, duke thënë se një hap i tillë është i nevojshëm për të siguruar që një koloni njerëzish të mund të mbijetojë një apokalips të mundshëm.

    NASA, në të kundërt, është përqendruar në ambiciet e saj hënore, veçanërisht që nga mandati i parë i presidentit Donald Trump, kur zëvendëspresidenti i atëhershëm Mike Pence deklaroi papritur se SHBA-të do t’i kthenin astronautët e tyre në hënë deri në vitin 2024.

    Plani i guximshëm nuk funksionoi dhe NASA aktualisht po punon për të rikthyer astronautët në sipërfaqen hënore deri në vitin 2028 – afati kohor për të cilin agjencia kishte punuar në epokën e Obamës.

    Ky kthim do të shënojë herën e parë që njerëzit kanë shkelur në Hënë që nga përfundimi i programit Apollo në vitin 1972.

  • Arrestohet një burrë në Podujevë për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

    Arrestohet një burrë në Podujevë për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

    Një person është arrestuar në Podujevë nën dyshimin për skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

    Policia bën të ditur se ai është arrestuar mbrëmë në ora 21:00 në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë dhe gjatë kontrollit kanë sekuestruar tri shtëpiza të kompjuterit, dy monitorë dhe një skanerë.

    “Personi i arrestuar F.M (mashkull) me autorizim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e shtetit po vazhdojnë veprimet e nevojshme procedurale”, njofton Policia.

  • Stafi i shkollës “Pavarësia” përmes grevës kërkojnë veprime ndaj nxënësve dhe siguri për mësimdhënësit

    Stafi i shkollës “Pavarësia” përmes grevës kërkojnë veprime ndaj nxënësve dhe siguri për mësimdhënësit

    Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë mbajtur një grevë si reagim ndaj veprimeve të disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, sharjet dhe ofendimet ndaj mësimdhënësve, e ku kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren veprime institucionale, atëherë do të përshkallëzohet situata dhe do të ndërprenë procesin mësimor.

    Kjo grevë erdhi pas një videoje ku shihet mësimdhënësi teksa rrah një nxënës në këtë shkollë, por që sipas versionit të kolektivit të mësimdhënësit i cili është ndaluar për 48 orë, aty është prerë vetëm pjesa në fund dhe se nuk është paraqitur e gjithë ngjarja.

    Përfaqësuesi nga shoqata sindikale e shkollës, Ardit Ukaj tha se dhuna nuk ka vend në shkolla e ku ka kërkuar mbrojte për mësimdhënësit.

    “Dua të theksojmë qartë se ne si shoqatë sindikale jemi kundër çdo lloj të dhunës, qoftë fizike apo verbale. Nuk ka vend në shkollë, dhe nuk mund të arsyetohet nga askush. Kjo grevë nuk organizohet për të justifikuar dhunën dhe as për të mbrojtur atë. Përkundrazi ajo është një reagim kundër dhunës që po cenojnë sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit në procesin edukativo-arsimor. Qëllimi ynë është të mbrojnë një ambient të sigurt dhe profesional ku mësimi zhvillohet normalisht dhe ku autoriteti i mësimdhënësit nuk vihet në pikëpyetje përmes fyerjeve, ofendimeve, sharjeve dhe nënçmimit. Kërkojmë qasje serioze dhe të koordinuar institucionale kundër këtij fenomeni sepse sistemi aktual ligjor dhe mekanizmat ekzistues disiplinor nuk po ofrojnë zgjidhje efektive në rastet kur nxënësi fyen apo sulmon mësimdhënësin fizikisht. Kjo situatë krijojnë ndjenjë pasigurie dhe mungesë mbrojtje për stafin arsimor. ky nuk është problem i izoluar vetëm në shkollën tonë, por fenomen që po shqetëson dhe shkollat e tjera. Prandaj, kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimit e rendit në institucione arsimore”, tha ai.

    Ai teksa tha se orët e humbura për shkak të grevës nuk zëvendësohet, theksoi se nuk kërkojmë ndërrimin e shkollës për nxënësin por vetëm të ndërmerren masa.

    “Nuk po kërkojë ndërrimin e shkollës për nxënësin, por të merren masat e duhura nga personat kompetent dhe rasti të trajtohet në mënyrë të duhur sipas legjislacionit por edhe të bëhet një rishikim i legjislacionit që legjislacioni t’i përshtatet vendit ku jemi”, tha ai.

    Ymeri ka shtuar se sipas SBASHK-ut, ngjarja nuk është paraqitur plotësisht në publik, pasi në media është transmetuar vetëm një pjesë e saj, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që ta shqyrtojnë urgjentisht rastin, të dalin me të vërtetën dhe të vendosin masa ndaj prindërve që, sipas tij, përdorin dhunë në shkolla, si dhe të lirohet mësimdhënësi nëse konstatohet se paraburgimi është i padrejtë.

    “Ne si SBASHK me t’marrë lajmin që ka ndodhë kjo edhe me reagimin e Shoqatës Sindikale dhe vendimin që kanë marrë këta për ta ndërpre mësimin dyorëshe, menjëherë e kemi përkrahë dhe sot jemi n’mesin e mësimdhënësve, anëtarëve tonë që ta përkrahim veprimin e tyre për ngjarjen që ka ndodhë në këtë shkollë dhe që nuk është ngjarje që është hera e parë që po ndodh, po kanë ndodhë edhe në shkolla tjera. Ka ndodhë që përveç dhunës psiqike që po ushtrohen ndaj punëtorëve të arsimit, ndaj mësimdhënësve, nga ana e nxënësve, e shpesh edhe nga ana e prindërve, ka raste edhe kur janë sulmuar fizikisht, sikurse që kemi pa rastin e djeshit, edhe na vjen shumë keq që ka ndodhë kjo zënkë, por, e keqja ma e madhe e kësaj është që ngjarja nuk është paraqitë në mënyrën e duhur krejt si është, po është marrë një pjesë nga fundi i ngjarjes pothuajse, edhe ajo është emitu në mediat. Pastaj ndoshta edhe organet e sigurisë mbas ndikimit të këtyre ngjarjeve të skenue, të paraqituna k’tu, kanë kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt, urgjentisht ta shqyrtojnë rastin, të delin me të vërtetën dhe ta lirojnë arsimtarin, të marrin masa ndaj prindërve të nxënësve të cilët përdorin dhunë n’shkollë”, tha ai.

    Ai ka bërë të ditur se sindikata mbështet vendimin e mësimdhënësve që protesta të kufizohet vetëm në dy orë dhe të mos ndërpritet tërësisht mësimi, duke theksuar se disa shkolla të tjera kanë shprehur solidaritet me ndërprerje simbolike të orëve. Ymeri ka paralajmëruar se, nëse rasti nuk sqarohet shpejt, veprimet sindikale mund të përshkallëzohen, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet, përfshirë Ministrinë e Arsimit.

    “Përndryshe, na jena n’përkrahje të mësimdhënësve të kësaj shkolle. i falënderojmë që me gjithë at’ ngjarjen e rëndë ka ndodhë, e kanë pas parasysh mësimin dhe nxënësit dhe kanë vendosë që ta mbajnë vetëm dy orë protestë dhe grevë, nuk kanë vendosë që ta ndërpresin tërësisht mësimin. Shkollat tjera, disa janë solidarizue me një orë mësim, me një orë ndërprerje të mësimit me këtë shkollë. Nëse ngjarjet nuk sqarohen shpejt dhe nuk lirohet mësimdhënësi, mund të që nga dita e nesërme mund të përshkallëzohet kjo formë e veprimit sindikal. Urojmë që sa më shpejt, urojmë që sa më shpejt organet e drejtësisë ta marrin në shqyrtim të drejtën, ta lirojnë arsimtarin dhe të marrin masa edhe njëherë po e përsërit ndaj prindve që sjellin në këtë formë fmijtë n’shkollë, organizohen me dhjetëra nxënësit, vijnë n’sallë dhe sulmojnë arsimtarin. Kjo nuk ka mbet’ ma t’jetë shkollë, por njëfar’ lloji, me përgjegjësia është që nga Ministria e Arsimit e tutje”.

    “Veprimet sindikale dihet cilat janë sindikale, do t’ndërprejmë mësimin deri në zbardhjen e rasteve dhe deri në masën e, marrjen e masave, zbatimin e rregulloreve. Nuk munden nxënësit me i sulmu mësimdhënësit”, tha ai.

    Përfaqësuesi i shkollës “Ismail Qemali”, Naim Bytyqi, ka thënë se kolektivi i kësaj shkolle ka vendosur ta mbështesë protestën në orën e parë mësimore, pas diskutimeve të brendshme mes stafit. Ai ka theksuar se mësimdhënësit i shohin prindërit si bashkëpunëtorë kryesorë dhe se situata të tilla nuk duhet të zgjidhen me përshkallëzim konfliktesh.

    “Kur tash pas lufte jemi bo njerëz që edhe analfabetët që nuk dinë me shkru, janë qesharakë po na sulmojnë. Vijnë prindërit na sulmojnë. Domethënë, na prindërit i shohim si bashkëpunëtorë kryesorë. Si, domethënë, e kena ‘feedback’-un me prindin. Jo me u taku me prindin për kesi situata dhe me ardh në këtë situatë. Kolegët e Abazit, arsimtarit i cili është tash në paraburgim, edhe me qenë të indinjuar. Shiko rastin si e kena dëgju na dje. Mbrëmë kolektivi jonë i cili është shumë i madh, me 3 mijë nxënës dhe me 130 arsimtarë, kanë komuniku në grupin e shkollës vazhdimisht. Dhe jemi ardh te një përfundim që t’i përkrahim. Dhe ju kena përkrahur në orën e parë ju thashë edhe fillim, edhe pe përsëris. Aq sa e kena pasur arsyeshme në bazë të udhëzimeve dhe rregullave shkollore, sepse duhet të njoftohet Këshilli i Shkollës. Pajtona me sekretarin e SBASHK-ut i cili tha do të vazhdojmë me masa të tjera nëse padrejtësisht arsimtari rri në paraburgim. Shumë e lehtë me paraburgos arsimtarin, në minutë”, tha ai.

    E njëri nga arsimtarët aty ka treguar se kolegu i tij është sulmuar në pauzë, e duke thënë se nxënësi ishte organizuar vet i 10-ti për ta sulmuar mësimdhënësin.

    “Nxënësi vjen prej katit të dytë në orë mësimore, del e vjen në shkollë dhe arsimtari ka qenë në pauzë dhe për mes sulmu arsimtarin. Me u organizu vet i 10-ti me ardh me sulmu arsimtarin, vet ideja me ardh me sulmu një arsimtar në vend të punës dhe ti sot po e mbron? Nuk kam çka me ta shpjegu më shumë”, tha njëri nga kolegët.

  • E dhimbshme në Greqi: 71-vjeçarja humb jetën, goditet aksidentalisht nga vajza

    E dhimbshme në Greqi: 71-vjeçarja humb jetën, goditet aksidentalisht nga vajza

    Një tragjedi e rëndë familjare ndodhi të hënën pasdite në Elefsina, në Greqi, kur një grua 71-vjeçare humbi jetën pasi u përplas aksidentalisht me makinë nga vajza e saj gjatë tentativës për parkim. Incidenti ndodhi rreth orës 13:30 në rrugën Alkiviadou ndërsa ngjarja tronditi familjen dhe fqinjët e zonës.

    Shoferja 44-vjeçare kishte shkuar më parë në shkollë për t’i marrë fëmijët dhe ishte kthyer në shtëpi me ta dhe nënën e saj. Gjatë përpjekjes për të parkuar automjetin, 71-vjeçarja doli nga makina për t’i dhënë udhëzime vajzës së saj.

    Sipas autoriteteve, dera e pasagjerit mbeti e hapur dhe, gjatë manovrës mbrapsht, shoferja aksidentalisht shtypi gazin. Mjeti lëvizi në mënyrë të pakontrollueshme, duke zvarritur gruan e moshuar dhe duke e bllokuar atë midis derës së hapur të makinës dhe një peme.

    Ngjarja ndodhi para syve të nipërve dhe mbesave të viktimës, të cilët u tmerruan dhe filluan të qanin për gjyshen e tyre. Fqinjët që dëgjuan britmat nxituan për të ofruar ndihmë, ndërsa vajza e 44-vjeçare ishte në gjendje shoku.

    “Fëmijët po qanin e po qanin për gjyshen e tyre”, tha një banor i zonës për protothema.gr. Një tjetër shtoi se ata “po kërkonin ndihmë dhe po qanin në të njëjtën kohë”.

    Gruaja 71-vjeçare u transportua me ambulancën e EKAB në Spitalin Thriasio, ku u shpall e vdekur. Vajza e saj, 44-vjeçare, u arrestua nga autoritetet me akuzën e vrasjes së paqëllimshme. Hetimi për rrethanat e sakta të aksidentit vazhdon.

  • I ofroi 5 euro ryshfet policit në Vërmicë, arrestohet shtetasi i Maqedonisë së Veriut

    I ofroi 5 euro ryshfet policit në Vërmicë, arrestohet shtetasi i Maqedonisë së Veriut

    Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar të hënën mbrëma, më 9 shkurt 2026, rreth orës 20:55, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, nën dyshimin për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari gjatë kontrollit të dokumenteve ka tentuar të korruptojë zyrtarin policor duke futur para në vlerë prej 5 eurosh në dokumentet e tij.

    Me vendim të prokurorit kompetent, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt ligjore.

    Njoftimi i policisë:

    DHËNIE E RYSHFETIT

    PKK. Vërmicë 09.02.2026, 20:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut pasi që i njëjti gjatë kontrollit të dokumenteve kishte futur para në vlerë 5 euro. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • LVV e shënon me disa aktivitete 19-vjetorin e demonstratës së 10 shkurtit 2007

    LVV e shënon me disa aktivitete 19-vjetorin e demonstratës së 10 shkurtit 2007

    Lëvizja Vetëvendosje sot do të organizojë disa aktivitete përkujtimore me rastin e shënimit të 19-vjetorit të demonstratës së 10 shkurtit 2007.

    Sipas agjendës, aktivitetet do të zhvillohen si në vijim:

    Në ora 11:00 do mbahen homazhe te varri i Arben Xheladinit, në Prishtinë, në ora 12:00 do të mbahen homazhe te pllaka përkujtimore në bulevardin “Nënë Tereza”, Prishtinë, kurse në ora 14:00 do të ketë Homazhe te varri i Mon Balajt, në Besianë.

    Kujtojmë se atë kohë, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave, u vranë më 10 shkurt 2007 nga policia rumune e UNMIK-ut.

    Po ashtu mbetën të plagosur edhe mbi shumë aktivistë pas përleshjeve të ashpra me policinë rumune. Policia rumune, efektivë të UNMIK-ut, gjuajti me plumba gome drejt turmës.

  • Kosova bie për tri pozita në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

    Kosova bie për tri pozita në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

    Kosova ka shënuar rënie për një pikë në krahasim me vitin e kaluar në Indeksin e Perceptimit e Korrupsionit për vitin 2025.

    Kosova është vlerësuar me 43 pikë.

    Sipas vlerësimit të ri nga Transparency International (TI), Kosova renditet e 76-ta në botë nga gjithsej 182 vende dhe territore, apo tri pozita më poshtë se më 2024.

    Sipas TI, vlerësimi me pikë i një shteti tregon nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik nga zero (që do të thotë se një vend është jashtëzakonisht i korruptuar) deri në 100 (një vend i pastër nga korrupsioni), ndërkaq renditja e një shteti në indeks tregon pozicionin e tij relativ krahasuar me vendet e tjera.

    Kosova mori vlerësimin më të mirë më 2024 (44 pikë), duke zënë vendin e 73-të në botë. Kjo pasi shënoi një përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit krahasuar me vitin 2023, kur ishte vlerësuar me 41 pikë.

    Kosova përfshihet në këtë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2012. Që atëherë, vlerësimin më të keq vendi e kishte pasur më 2013, 2014 dhe 2015, kur për tri vjet rresht ishte vlerësuar me 33 pikë.

    Për vitin 2025, nga vendet e rajonit, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë (njësoj si herën e kaluar), Maqedonia e Veriut me 40 (njësoj si herën e kaluar), Shqipëria me 39 (ka shënuar përkeqësim nga 42 pikë sa kishte në indeksin e kaluar), Bosnje e Hercegovina me 34 (ka shënuar rënie, pasi herën e kaluar kishte 33 pikë) dhe Serbia me 33 (ka shënuar rënie pasi herën e kaluar kishte 35 pikë).

    Në raportin botëror të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit është theksuar se gjendja në është shqetësuese dhe ka rënie në nivel të përgjithshëm të lidershipit që lufton korrupsionin. Përparimet në përgjithësi janë cilësuar të kufizuara.

  • 18 të vdekur nga i ftohti ekstrem në New York

    18 të vdekur nga i ftohti ekstrem në New York

    Numri i të vdekurve nga i ftohti ekstrem në New York ka shkuar në 18, kanë bërë të ditur autoritetet, përcjell Reporteri.net.

    Temperaturat nën zero, ndër më të ulëtat që nga viti 1961, kanë përfshirë qytetin për javë të tëra, duke paraqitur rrezik serioz për jetën.

    Viktimat e fundit përfshijnë një person të gjetur pa shenja jete në Bronx dhe një burrë 81-vjeçar në Brooklyn, i cili dyshohet se rrëshqiti në akull.

    Autoritetet shpallën gjendjen emergjente “code blue”, hapën dhjetëra qendra ngrohjeje dhe strehimore për personat e pastrehë, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se temperaturat kanë qenë deri në 15 gradë Fahrenheit nën mesatare, me ndjesi deri në -29°C.

    I ftohti ekstrem mund të shkaktojë hipotermi dhe ngrirje të gjymtyrëve brenda pak minutash, kanë paralajmëruar autoritetet meteorologjike.

    Kjo valë arktike ka qenë një sfidë e hershme për administratën e re të qytetit, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të strehohen dhe të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave të rrezikshme./The Guardian