ATV

Blog

  • Policia shpall në kërkim një 39-vjeçar: Konsiderohet person i rrezikshëm dhe dyshohet se mund të posedojë armë

    Policia shpall në kërkim një 39-vjeçar: Konsiderohet person i rrezikshëm dhe dyshohet se mund të posedojë armë

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Liridon Hajdar Podrimjën nga Gjakova.

    Sipas Policisë, i njëjti konsiderohet person i rrezikshëm dhe dyshohet se mund të posedojë armë, shkruan Reporteri.net.

    Ai kërkohet për veprat penale: ‘kanosje (ndaj personit zyrtar)’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ‘posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe aktualisht gjendet në arrati.

    “Policia e Kosovës fton të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij, ta njoftojnë Policinë përmes numrit 192, adresës elektronike [email protected], aplikacionit “Lajmëro Policinë”, apo në stacionin policor më të afërt. Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë”, thuhet në kërkesë.

  • Kiana Kryeziu garon sot në pistën olimpike të Milanos

    Kiana Kryeziu garon sot në pistën olimpike të Milanos

    Skitarja kosovare, Kiana Kryeziu, do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina”, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj.

    Ajo ka siguruar për herë të dytë normën olimpike, duke u kualifikuar në tri disiplina të skijimit alpin: sllallom, sllallom të madh dhe super-sllallom të madh. Kësisoj, Kryeziu do të garojë në arenën më prestigjioze të sporteve dimërore në botë.

    Sot, nga ora 11:30, ajo do të zbresë në pistë në disiplinën Super-G (Super Giant Slalom), me synimin për të realizuar një paraqitje sa më të suksesshme përballë elitës botërore të skijimit alpin.

  • Avokati i Veselit vazhdon deklaratën përmbyllëse në Hagë: Prokuroria po bazohet në thashetheme

    Avokati i Veselit vazhdon deklaratën përmbyllëse në Hagë: Prokuroria po bazohet në thashetheme

    Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon deklaratën përmbyllëse në gjykimin në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit, po vazhdon me deklaratën përmbyllëse, duke thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po bazohen “thjesht në informacionet e dorës së dytë, thashetheme dhe dëshmi të pavërtetuara”.

    Në dy ditët e para, prokurorë të Prokurorisë së Specializuar thanë deklaratën përmbyllëse të organit të akuzës. Deklaratën përmbyllëse e dha dje edhe Mbrojtësi i Viktimave. Nga dje, avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nisën t’i jepnin deklaratat e tyre përmbyllëse.

    Prokuroria e Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të UÇK-së.

    Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.

    Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

  • Pas votimit të qeverisë, reagon Duda Balje

    Pas votimit të qeverisë, reagon Duda Balje

    Deputetja e Republikës së Kosovës, Duda Balje, ka reaguar pasi nuk mundi të hyjë në qeverinë “Kurti 3”.

    Balje, përmes një postimi në facebook ka ironizuar duke ju thënë mirëmëngjes vetëm atyre që e dinë se karakteri dhe parimet tregohen në jetë, në punë dhe në treg.

    “Mirëmëngjes atyre që e dinë se karakteri dhe parimet tregohen në jetë, në punë dhe në treg. Dhe atyre që nuk e dinë këtë – qoftë kafeja pa sheqer”, ka shkruar Balje.

  • Avokati i Justin Baldoni-t i thotë Blake Lively-t se do të shkojnë deri në gjyq, pa marrëveshje!

    Avokati i Justin Baldoni-t i thotë Blake Lively-t se do të shkojnë deri në gjyq, pa marrëveshje!

    Drama gjyqësore në Hollywood mes Justin Baldoni dhe Blake Lively po shkon zyrtarisht drejt një gjyqi të madh civil, pasi negociatat për marrëveshje jashtë gjykate dështuan këtë javë, konfirmoi avokati i Baldoni-t.

    Gjatë një seance të mbyllur në një gjykatë federale në New York, të dyja palët kaluan orë të tëra duke u përpjekur të arrinin një marrëveshje, por pa sukses. Avokati i Baldoni-t, Bryan Freedman, deklaroi publikisht se përpjekjet ishin “të pasuksesshme” dhe la të kuptohet se çështja do të vazhdojë drejt gjyqit këtë pranverë.

    Padia lidhet me akuzat e Blake Lively për ngacmim seksual dhe hakmarrje në sheshxhirimin e filmit të vitit 2024 “It Ends With Us”. Lively kërkon më shumë se 160 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa ekipi i saj ka paraqitur dokumente dhe prova mbështetëse. Baldoni i ka mohuar akuzat dhe mban qëndrimin e tij mbrojtës, megjithëse një kundërpadi që ai kishte paraqitur më herët është hedhur poshtë.

    Të dy aktorët u paraqitën në gjykatë gjatë seancës për marrëveshje, me një gjyqtar që u përpoq të inkurajonte zgjidhjen jashtë gjykate, por pa rezultat. Aktualisht, çështja pritet të shqyrtohet para një gjyqtari dhe potencialisht një jurie në maj 2026, një datë që tashmë po afrohet pas muajsh përplasjesh ligjore.

    Përballja publike mes dy yjeve që më parë kishin një marrëdhënie profesionale, ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike, duke nxitur debat mbi sjelljen në vendin e punës dhe dinamikat e pushtetit në industrinë e filmit.

  • AAK shpallë zgjedhjet e brendshme, ky është rendi i ditës

    AAK shpallë zgjedhjet e brendshme, ky është rendi i ditës

    Sot, me fillim në ora 17:00, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

    Rendi i ditës është shpallja e zgjedhjeve të brendshme të rregullta në AAK.

    Takimi mbahet në selinë qendrore të AAK-së në Prishtinë.

  • Këta 16 kandidatë të LVV-së do të bëhen deputetë për shkak të atyre që u përfshinë në kabinetin qeveritar

    Këta 16 kandidatë të LVV-së do të bëhen deputetë për shkak të atyre që u përfshinë në kabinetin qeveritar

    Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje do të përfshihen në grupin parlamentar dhe do të “fitojnë” ulëse në Kuvendin e Kosovës, pasi po kaq deputetë të kësaj partie u bënë pjesë e Qeverisë Kurti 3 që u zgjodh mbrëmë.

    LVV ka 57 ulëse në Kuvend, aty ku do të marrin mandat edhe 16 kandidatët që u renditën jashtë 57-shes së parë në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

    Deputetët që pritet të bëhen deputetë: Egzon Azemi, Fahrush Rexhepi, Bajram Mavriqi, Luan Aliu, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Arijeta Rexhepi, Shqipe Isufi, Afërdita Hajrizi, Ejup Ahmeti, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Ilir Qeriqi, Mimoza Shala dhe Agon Batusha.

    Këto do t’i zëvendësojnë ata që tashmë u bënë pjesë e qeverisë: Kryeministrin Albin Kurti Kurti dhe ministrat Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Mimoza Kusari-Lila, Ejup Maqedonci, Andin Hoti, Arben Vitia, Saranda Bogujevci, Armend Muja, Fitore Pacolli, Artane Rizvanolli dhe Dimal Basha.

  • Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamet Lika

    Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamet Lika

    Nën masa të rrepta sigurie, të dyshuarit Haki Bela, Edmond Lika, Rilind Murati, Shkëlqim Kuka, Diamant Gashi dhe Vatan Çakaper janë sjellë sot në Gjykatën Themelore në Ferizaj, lidhur me vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika.

    Seanca ka filluar nga ora 09:00, ndërsa prezente është edhe bashkëshortja e viktimës.

    Sipas aktakuzës, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendbanimit të viktimës, të pandehurit, në bashkëkryerje me të miturin Rejan Bela (i cili nuk është prezent pasi ishte i mitur gjatë kohës së ngjarjes), kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamed Lika me armë zjarri. Pas ngjarjes, ata janë larguar nga vendi i krimit.

    Të akuzuarit Haki Bela, Edmond Lika, Rilind Murati, Shkëlqim Kuka, Diamant Gashi dhe Vatan Çakaper kanë deklaruar para trupit gjykues se janë të pafajshëm për vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik.

    Në seancën fillestare që po mbahet në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ata thanë se kanë kuptuar natyrën e aktakuzës dhe mohuan çdo përgjegjësi për vrasjen e rreshterit policor.

  • Vdiqën nga monoksidi i karbonit në Itali, mbërrijnë në Durrës trupat e pajetë të familjes Kola

    Vdiqën nga monoksidi i karbonit në Itali, mbërrijnë në Durrës trupat e pajetë të familjes Kola

    Kanë mbërritur në Portin e Durrësit trupat e pajetë të katër anëtarëve të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, pas një rrjedhjeje gazi në banesën e tyre.

    Familjarë, të afërm dhe miq ishin të pranishëm për të pritur kortezhin mortor, në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe emocionet. Pamjet nga porti dëshmuan trishtimin e thellë për humbjen e një familjeje të tërë nga fshati Grysh i Madh i Peqinit, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Shqipëri.

    Sipas raportimeve edhe nga mediat italiane, dyshohet se rrjedhja e gazit dhe prania e monoksidit të karbonit, një gaz pa ngjyrë dhe pa erë, ka shkaktuar asfiksinë fatale. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në banesa dhe nevojën për instalimin e pajisjeve detektuese të monoksidit të karbonit, të cilat konsiderohen thelbësore për parandalimin e rasteve të tilla tragjike.

    Ndërkohë ceremonia mortore për familjen Kola pritet të zhvillohen në Shqipëri, raporton A2.

  • Vullkani ‘i mallkuar’ zgjohet pas 40 vjetësh qetësi

    Vullkani ‘i mallkuar’ zgjohet pas 40 vjetësh qetësi

    Pas më shumë se katër dekadash qetësie, vullkani i gjatë i fjetur El Chichón në Meksikë, i njohur edhe si Chichonal, po tregon shenja shqetësuese aktiviteti, duke tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve.

    Hulumtuesit e Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës (UNAM) zbuluan rritje të temperaturave, gazra që bubullonin dhe formacione të pazakonta squfuri brenda kraterit gjatë monitorimit nga qershori deri në dhjetor 2025.

    Vullkani shpërtheu për herë të fundit në 1982, duke vrarë të paktën 2,000 njerëz, në një nga katastrofat vullkanike më të rënda të Meksikës.

    Shkencëtarët vëzhguan nxehtësi të lartë, ndryshime në kimikën e liqenit të kraterit dhe emetime gazi si hidrogjen sulfidi (H₂S) dhe dioksidi i karbonit (CO₂), që mund të jenë të rrezikshme në përqendrime të larta. Gjithashtu u dokumentuan sfera të pazakonta të squfurit në liqenet e lëngshëm të kraterit.

    Megjithatë, ekspertët thonë se aktualisht nuk ka dëshmi për lëvizje të magmës nën vullkan. Aktiviteti duket të jetë hidrotermal dhe nuk tregon për një shpërthim të menjëhershëm.

    Gjetjet e reja vijnë nga punë e detajuar në terren dhe monitorim nga larg, kryer nga Instituti i Gjeofizikës i UNAM, që studion dinamikat e brendshme të Chichonalit prej vitesh.

    Inspektimet e fundit treguan se liqeni i kraterit, normalisht jeshil dhe me algë, kishte marrë një ngjyrë gri, që sugjeron nivele të larta sulfatesh dhe silikë në ujë. Matjet termale treguan se temperatura në shtratin e liqenit dhe në dyshemenë e kraterit kishte shkuar mbi nivelet tipike.

    Shkencëtarët gjithashtu dokumentuan ndryshime në përqendrimin e kloridit dhe ndërveprime gaz-ujë, tregues se lëngje të nxehta po qarkullojnë nën sipërfaqe. Matjet e gazit konfirmuan grumbullim të H₂S dhe CO₂ pranë kraterit, gazra që mund të jenë të rrezikshme për njerëzit dhe kafshët në hapësira të mbyllura ose të ulëta. Megjithatë, shkencëtarët theksuan se këto emetime janë normale për sistemet hidrotermale aktive dhe nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht shpërthim.

    Vullkanologia Dr. Patricia Jácome Paz nga UNAM shpjegoi se aktiviteti i pazakontë shkaktohet më shumë nga uji i nxehtë në kontakt me shkëmbin e nxehtë, sesa nga magma e shkrirë që ngrihet drejt sipërfaqes. “Sjellja e vëzhguar përputhet me procese hidrotermale ose shpërthime të vogla të avullit,” tha ajo. Të dhënat sizmike tregojnë gjithashtu nivel të ulët të tërmeteve, duke sugjeruar se magma nuk po lëviz aktualisht.

    Që nga shpërthimi katastrofik i vitit 1982, Chichonal është i mbyllur për vizitorët, por mbetet një vend kyç studimi për të kuptuar evoluimin e vullkaneve pas shpërthimeve të mëdha. Liqeni i kraterit dhe depozitat e squfurit ofrojnë mundësi të rralla për të studiuar se si nxehtësia dhe lëngjet formojnë peizazhet vullkanike me kalimin e kohës.

    Shpërthimi i vitit 1982 mbetet i freskët në kujtesën e banorëve të jugut të Meksikës. Nga 28 marsi i atij viti, Chichonal shpërtheu me një seri shpërthimesh të fuqishme që vazhduan deri në prill, duke ngritur re hiri në qiell dhe shkaktuar rrjedha shkatërruese piroklastike. Fshatra të tëra u shkatërruan, toka bujqësore u mbulua me hirit dhe mbeturina, dhe mijëra banorë u detyruan të largohen. Shpërthimi shkatërroi ferma kafshësh, plantacione kafeje dhe infrastrukturë, duke shkaktuar dëme ekonomike dhe mjedisore afatgjata.

    Sot, shkencëtarët thonë se aktiviteti aktual nuk ngjan me kushtet që paraprinin shpërthimin e 1982-s. Megjithatë, ata paralajmërojnë se vullkanet mund të mbeten dinamike për dekada, madje shekuj pas një eventi të madh. Ndryshimet e lehta në temperaturë, emetime gazi dhe kimikën e ujit mund të japin shenja të hershme se si po evoluon sistemi vullkanik nën tokë.

    Për të monitoruar më mirë Chichonalin, studiuesit përdorin dronë, satelitë dhe instrumente në vend për të ndjekur anomalitë termale, re gazi dhe deformimin e tokës. Monitorimi i vazhdueshëm është thelbësor, pasi sistemet vullkanike mund të ndryshojnë shpejt, dhe zbulimi i hershëm është çelësi për sigurinë publike.

    Për momentin, ekspertët thonë se nuk ka arsye për alarm publik, por aktiviteti i rinovuar kujton se vullkanet e fjetura rrallë janë plotësisht të qetë dhe se dekada heshtjeje mund të fshehin procese të vazhdueshme në thellësi.