ATV

Blog

  • Pjesëtarët e EULEX-it dhurojnë gjak

    Pjesëtarët e EULEX-it dhurojnë gjak

    Më 10 shkurt, EULEX-i, në partneritet me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, organizoi fushatën e 18-të të dhurimit të gjakut.

    Më shumë se 40 pjesëtarë vendorë dhe ndërkombëtarë të misionit, përfshirë zëvendësshefen Emily Rakhorst, u bënë vullnetarë të dhurimit të gjakut, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në sistemin shëndetësor të Kosovës.

    “Furnizimi i qëndrueshëm me gjak është vërtetë thelbësor për spitalet që reagojnë ndaj emergjencave dhe që mbështesin pacientë që kërkojnë trajtime të vazhdueshme.

    Ne vazhdojmë përkushtimin për solidaritet, mbështetje të komunitetit dhe iniciativa që bëjnë ndryshime për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Atletico Madrid, një nga gjashtë opsionet për të ardhmen e Robert Lewandowskit

    Atletico Madrid, një nga gjashtë opsionet për të ardhmen e Robert Lewandowskit

    Situata e Robert Lewandowskit, sulmuesit polak të Barcelonës, po ndiqet me kujdes nga disa klube, teksa kontrata e tij me “Camp Nou” skadon në muajin qershor. Futbollisti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij dhe pritet që çdo vendim të merret pas zhvillimit të zgjedhjeve për presidentin e klubit katalanas.

    Këtë sezon, Lewandowski ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar tri asistime në 28 ndeshje zyrtare, duke treguar se mbetet një lojtar kyç për Barcelonën. Edhe pse po i afrohet moshës 38-vjeçare, ai ruan një formë fizike të shkëlqyer dhe instinkt të spikatur para portës, duke dëshmuar se është ende një sulmues me vlerë të lartë.

    Për këtë arsye, drejtuesit e klubit dhe vetë lojtari po shqyrtojnë mundësinë e rinovimit të kontratës. Megjithatë, çdo ofertë konkrete dhe përgjigjja e Lewandowskit do të shtyhen deri pas 15 marsit, kur pritet të përfundojnë proceset zgjedhore në klub.

    Në rast se vendos të largohet, destinacioni më i mundshëm për momentin duket të jetë Chicago Fire në Major League Soccer, i cili ka ndërmarrë hapat më konkretë për transferimin e sulmuesit, i cili nuk ka fshehur dëshirën për të provuar eksperiencën amerikane.

    Sipas raportimeve, edhe Atletico Madrid, Milan, Fenerbahçe dhe disa klube nga Arabia Saudite po monitorojnë situatën e tij. Megjithatë, për Lewandowskin, prioritet mbetet qëndrimi në Barcelonë.

    Në këtë fazë të karrierës, aspekti financiar nuk është vendimtar; ai i kushton më shumë rëndësi stabilitetit dhe mirëqenies familjare. Nëse oferta e rinovimit, edhe me kushte të reduktuara, do të jetë në përputhje me kontributin dhe statusin e tij, sulmuesi pritet t’i japë përparësi vazhdimit të aventurës me klubin katalanas.

  • Qeveria procedon për në Kuvend buxhetin e vitit 2026 me vlerë rreth 4 miliardë euro

    Qeveria procedon për në Kuvend buxhetin e vitit 2026 me vlerë rreth 4 miliardë euro

    Në mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti 3, është marrë vendimi që të procedohet në Kuvend projektligji i buxhetit për vitin 2026, i cili vitin e kaluar nuk mundi të miratohej për shkak të afateve ligjore dhe ndryshimeve politike.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektligji parashikon një buxhet prej rreth 4 miliardë euro, ku 3.64 miliardë euro sigurohen nga të hyrat buxhetore, ndërsa pjesa tjetër financohet përmes huamarrjes dhe metodave të tjera përmes deficitit.

    “Siç e sqaruam, ky projektligj ishte proceduar vitin e kaluar dhe për shkak të pamundësisë për t’u miratuar në Kuvend, po e riprocedojmë edhe një herë. Marrim parasysh ndryshimin e qeverisë dhe mund të ketë nevojë për rishikim, por është urgjente që të kemi buxhet të miratuar sa më shpejt për funksionimin e shtetit,” tha Murati.

    Ministri gjithashtu propozoi që Kuvendi të marrë në konsideratë zgjatjen e afatit për muajin mars, për shkak të pagesave të pensioneve që duhet të realizohen këtë javë, duke shprehur shpresën se kjo kërkesë do të miratohet.

    Projektligji është miratuar nga Qeveria dhe tashmë do të procedohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim final.

  • Përparim Rama: Nga Qeveria Kurti presim më shumë bashkëpunim, kemi pasur përvoja jo të kënaqshme mandatin e kaluar

    Përparim Rama: Nga Qeveria Kurti presim më shumë bashkëpunim, kemi pasur përvoja jo të kënaqshme mandatin e kaluar

    Kreu i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar pas krijimit të djeshëm të institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë.

    Rama ka thënë se pret më shumë punë se fjalë nga Qeveria Kurti.

    Kreu i Prishtinës ka thënë se gjithashtu presin edhe më shumë bashkëpunim, duke thënë se gjatë mandatit të fundit të Kurtit kishin përvoja jo të kënaqshme.

    Reagimi i plotë:

    Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë hapa të rëndësishëm për funksionimin demokratik të vendit. Shpresojmë që institucionet e reja të krijohen me përgjegjësi dhe bashkëpunim, duke pasur në fokus interesin publik dhe mirëqenien e qytetarëve.

    Shoqëria jonë ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm, për institucione funksionale dhe për një kulturë bashkëpunimi që i përgjigjet standardeve të një demokracie moderne.

    Si Kryeqytet nga kjo qeveri më shumë se retorikë, presim punë konkrete, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim, sidomos pas përvojave jo të kënaqshme nga mandati i kaluar.

    Koha kërkon seriozitet, vizion dhe angazhim real në shërbim të së mirës së përbashkët.

  • Kurti: Pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, i gatshëm të nis kontaktet me partitë për çështjen e Presidentit

    Kurti: Pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, i gatshëm të nis kontaktet me partitë për çështjen e Presidentit

    Qeveria e re e Republikës së Kosovës të enjten ka mbajtur mbledhjen e saj të parë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tashmë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë të mërkurën, si hap i tretë është votimi i buxhetit 2026 dhe ai i marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Pas kësaj, Kurti theksoi se është i gatshëm të nis kontaktet me partitë politike për çështjen e Presidentit.

    “Pas konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë mbrëmë, jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, tha Kurti.

  • 16% e deputetëve janë për herë të parë pjesë e Kuvendit

    16% e deputetëve janë për herë të parë pjesë e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës u konstitua të mërkurën, pasi deputetët dhanë betimin dhe u zgjodh kryetarja dhe nënkryetarët.

    E në legjislaturën e re, të dhjetën me radhë 16 për qind e deputetëve janë për herë të parë në Kuvend.

    KDI ka publikuar të dhënat, ndërsa bën të ditur se 10 deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje janë për herë të parë në Kuvend, 3 nga Partia Demokratike e Kosovës, 3 nga Lidhja Demokratike e Kosovës, 3 nga KDTP dhe 1 nga Lista Serbe.

  • Musk paralajmëron: Pa Inteligjencë Artificiale dhe robotë, SHBA rrezikon falimentimin total

    Musk paralajmëron: Pa Inteligjencë Artificiale dhe robotë, SHBA rrezikon falimentimin total

    Në një intervistë të fundit, Elon Musk lëshoi një paralajmërim të fortë lidhur me borxhin në rritje të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se pa një përdorim masiv të Inteligjencës Artificiale (IA) dhe robotikës, vendi do të ishte “1,000% i falimentuar”. Ai argumentoi se nuk ekziston asnjë zgjidhje alternative që mund të stabilizojë financat publike në mungesë të këtyre teknologjive.

    Sipas Musk, mënyra më realiste për të dalë nga kriza e borxhit është të krijohet hapësirë për përdorimin e gjerë të IA dhe robotëve, për të rritur produktivitetin dhe aktivitetin ekonomik. Pa këtë zhvillim teknologjik, paralajmëron ai, Shtetet e Bashkuara mund të përjetojnë një kolaps financiar para se teknologjitë e reja të jenë të zhvilluara mjaftueshëm.

    Kur u pyet pse, pavarësisht optimizmit për rritjen teknologjike, si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë ai insistonte në uljen e shpenzimeve buxhetore, Musk shpjegoi se kjo qasje ishte e domosdoshme për shkak të shpërdorimit dhe mashtrimit të përhapur brenda aparatit shtetëror.

    Ai theksoi se borxhi publik i SHBA-së aktualisht është rreth 38.5 trilionë dollarë, ndërsa kostot vjetore të interesit tashmë kanë tejkaluar buxhetin ushtarak dhe disa shpenzime kryesore sociale.

    “Pa inteligjencë artificiale dhe robotë, ne jemi vërtet të mbaruar”, përsëriti Musk, duke e quajtur këtë teknologji të vetmin mekanizëm që mund të ndryshojë në mënyrë afatgjatë trajektoren fiskale të vendit.

    Ky paralajmërim vjen në një kohë kur debati mbi borxhin, efikasitetin e qeverisë dhe rolin e teknologjive të avancuara në ekonominë amerikane po bëhet gjithnjë e më i nxehtë.

  • Kurti për ministrat e rinj: Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës

    Kurti për ministrat e rinj: Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës

    Qeveria e re e Kosovës ka nisur mbledhjen e parë.

    Kryeministri Albin Kurti e nisi mbledhjen duke prezantuar kabinetin e ri qeveritar, teksa tha se sot do të riprocedohet në Kuvend edhe Projektbuxheti për vitin 2026, shkruan Reporteri.net.

    “Mësimet që kemi nxjerrë përgjatë mandatit të kaluar dhe përvojën që kemi fituar dhe ekspertizën tuaj profesionale, më bëjnë të besoj se ky kabinet ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti qeveritar më i suksesshëm në historinë e re të Republikës sonë që shumë shpejt i mbush 18 vjet”, ka deklaruar Kurti.

    Në rend dite janë pesë marrëveshje ndërkombëtare:

    Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 09/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (ZKM)

    Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 09/L-003 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për ” Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore) (MF)

    Shqyrtimi i Projektligjit Nr. 09/L-003 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “ Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (MF)

    Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë (MF)

    Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin” Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës (MF).

  • Si të rigjallëroni rrobat e bardha duke përdorur një përbërës të lirë nga kuzhina

    Si të rigjallëroni rrobat e bardha duke përdorur një përbërës të lirë nga kuzhina

    Shpesh duket më e lehtë të hedhim rrobat e bardha ose të përdorim kimikate të forta për t’i rikthyer në gjendje të mirë, por kjo nuk është gjithmonë mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin.

    Sipas ekspertit të heqjes së njollave, Nigel Bearman nga Daily Poppins, ekziston një zgjidhje shumë më e thjeshtë dhe ekonomike  dhe që mund të gjendet lehtësisht në dyqanet ushqimore.

    “Lëngu i limonit është një pastrues natyral me veti antibakteriale, që largon në mënyrë efektive njollat dhe vret bakteret”, shpjegon eksperti. “Jo vetëm që i pastron rrobat, por gjithashtu i lë ato të buta dhe me aromë të këndshme”.

    Si ta përdorni këtë metodë natyrale zbardhuese
    1. Shtrydhni lëngun e një limoni të plotë në një kovë me ujë të nxehtë.

    2. Zhytni rrobat e bardha në këtë përzierje.

    3. Lërini të qëndrojnë për një deri dy orë, duke i kontrolluar herë pas here.

    4. Pas kësaj, lajini rrobat si zakonisht.

    Acidi citrik në lëngun e limonit vepron si një zbardhues natyral, duke shpërbërë papastërtitë dhe njollat pa përdorur kimikate sintetike.

    Këshilla shtesë për rezultate më të mira
    • Për njolla të vështira, kombinoni lëngun e limonit me pak kripë dhe fërkoni lehtë zonën përpara larjes.

    • Tharja e rrobave në diell rrit efektin zbardhues, pasi rrezet UV veprojnë si një agjent natyral.

    Përveç lavanderisë, lëngu i limonit është një përbërës shumëfunksional që mund të përdoret gjithashtu për pastrim dhe dezinfektim në shtëpi. Bearman sugjeron të përzieni sasi të barabarta lëngu limoni dhe uji në një shishe me spërkatës për një pastrues universal: aciditeti i tij shpërbën yndyrën dhe papastërtitë pa nevojën e kimikateve të ashpra.

    Kështu, me një përbërës të thjeshtë nga kuzhina, mund të rigjallëroni rrobat e bardha, të kurseni para dhe të kujdeseni për mjedisin në të njëjtën kohë.

  • SHTËPIA E BARDHË SHPËRTHEN NDAJ KOMENTEVE TË ILHAN OMAR – “NDALONI NXITJEN E DHUNËS!!!”

    SHTËPIA E BARDHË SHPËRTHEN NDAJ KOMENTEVE TË ILHAN OMAR – “NDALONI NXITJEN E DHUNËS!!!”

    Washingtoni u rrëmbye nga drama politike pasi që Shtëpia e Bardhë, qortoi publikisht përfaqësuesen Ilhan Omar për një postim në rrjetet sociale, që zyrtarët pretendojnë se ka kaluar çdo kufi.

    Sipas një deklarate të rrjedhur ekskluzivisht për TMZ, Shtëpia e Bardhë e akuzoi Omar për përhapje të “gënjeshtrave të rënda” dhe paralajmëroi se ajo duhet të ndalojë nxitjen e dhunës kundër presidentit në detyrë.

    Kjo shpërtheu pasi Omar, një kongresmene demokrate nga Minesota postoi në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se në disa vende njerëzit do të ekzekutonin pedofilët e dyshuar në vend që t’i zgjidhnin ata, në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Presidentit Trump. Reagimi i Shtëpisë së Bardhë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, demokratët në Kongres, sipas tyre, duhet t’i dënojnë komentet e saj dhe ta nxisin të ndalojë gënjeshtrat dhe nxitjen e dhunës politike kundër komandantit të përgjithshëm.

    Vetë Presidenti Trump thuhet se e përshkallëzoi situatën, duke e quajtur Omar një “kongresmene të rreme”, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë.

    Rrjetet sociale kanë shpërthyer, me mbështetësit që mbrojnë lirinë e fjalës dhe kritikët që e akuzojnë Omar për retorikë të papërgjegjshme, ndërsa Shtëpia e Bardhë duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet.