ATV

Blog

  • Skandal në set me Nicole Curtis – Një fjalë raciste i kushton emisionin!

    Skandal në set me Nicole Curtis – Një fjalë raciste i kushton emisionin!

    Nicole Curtis, moderatorja e njohur e emisionit të rinovimeve të interioreve të shtëpive në HGTV “Rehab Addict”, tani ndodhet në qendër të një skandali të madh pasi doli në publik një video ku ajo dëgjohet duke përdorur një fjalë raciste gjatë xhirimeve çka çoi në anulimin e emisionit dhe heqjen e tij nga platformat e rrjetit.

    Pamjet, të publikuara fillimisht nga mediet online, tregojnë Curtis duke u frustruar gjatë xhirimeve dhe duke thënë termin pezhoratim racial, “ni***”, përpara se të reagojë e tronditur dhe t’u kërkojë anëtarëve të stafit që ta fshijnë klipin.

    Menjëherë pasi videoja u bë publike, HGTV njoftoi se do ta hiqte “Rehab Addict” nga programacioni dhe nga të gjitha platformat e saj, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si “lënduese dhe zhgënjyese” dhe jo në përputhje me vlerat e rrjetit. Anulimi erdhi pikërisht në ditën kur episodet e reja pritej të transmetoheshin pas një pauze.

    Curtis, 49 vjeçare, publikoi një kërkim-falje, duke deklaruar se fjala e përdorur “është e gabuar dhe nuk është pjesë e fjalorit tim dhe nuk ka qenë kurrë”, ndërsa kërkoi mirëkuptim. Ajo shtoi se është mirënjohëse për 15 vitet e saj në emision dhe se prioriteti i saj aktual është familja dhe komuniteti, jo karriera.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, me debat rreth përgjegjësisë publike, reagimit të HGTV dhe përdorimit të gjuhës në industrinë e argëtimit.

    “Rehab Addict” u lançua fillimisht në vitin 2010 dhe u bë një nga programet më të ndjekura të rinovimit të shtëpive, duke ndjekur Curtis në restaurimin e banesave historike në Shtetet e Bashkuara.

    Kliko këtu për video!

  • Rritja e kabinetit qeverisës, këto janë katër ministritë e reja

    Rritja e kabinetit qeverisës, këto janë katër ministritë e reja

    Mbrëmë është votuar Qeveria “Kurti 3”, e cila do të ketë gjithsej 19 ministri, katër më shumë se në mandatin e kaluar, transmeton IndeksOnline.

    Rritja e numrit të ministrive vjen pavarësisht se në të kaluarën zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin kritikuar qeveritë e mëparshme për kabinetet e zgjeruara, ndërsa tani edhe ekzekutivi i ri ka ndjekur të njëjtën praktikë.

    Katër ministritë e reja që i janë shtuar strukturës qeveritare janë: Ministria për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik, Ministria për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Ministria e Sportit dhe Rinisë (e ndarë nga Ministria e Kulturës) dhe Ministria për Zhvillim Rajonal.

    Sipas kryeministrit Albin Kurti, drejtuesit e këtyre ministrive do të jenë: Fikrim Damka, Ministër për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik, Andin Hoti, Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Blerim Gashani, Ministër i Sportit dhe Rinisë dhe Rasim Demiri, Ministër për Zhvillim Rajonal.

    Me këtë përbërje, kabineti i ri qeveritar synon të zgjerojë fushat e veprimit në politika sociale, zhvillim rajonal, përfshirje të komuniteteve dhe mbështetje për rininë dhe sportin.

  • Shorti i Ligës së Kombeve: Kosova mëson sot kundërshtarët në Ligën B

    Shorti i Ligës së Kombeve: Kosova mëson sot kundërshtarët në Ligën B

    Shorti për sezonin e ri të Ligës së Kombeve do të hidhet sot (e enjte) në orën 18:00 në Bruksel, ku kombëtarja e Kosovës do të mësojë kundërshtarët e saj në Ligën B.

    “Dardanët” ndodhen në vazon e katërt në Ligën B së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut, ndërsa kundërshtarët e mundshëm janë të ndarë si më poshtë:

    Vazo 1: Skocia, Hungaria, Polonia, Izraeli

    Vazo 2: Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Austria, Ukraina

    Vazo 3: Sllovenia, Gjeorgjia, Republika e Irlandës, Rumania

    Vazo 4: Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Kosova

    Për shkak të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA, Kosova nuk mund të shortohet në të njëjtin grup me Bosnjën dhe Hercegovinën, çka do të thotë se përfaqësuesja jonë nga vazo e dytë mund të përballet vetëm me Zvicrën, Austrinë ose Ukrainën.

    Ndeshjet e para janë planifikuar nga 24 deri më 26 shtator 2026, ndërsa raundi i fundit i fazës së grupeve do të zhvillohet nga 15 deri më 17 nëntor 2026. Fituesit e secilit grup në Ligën B do të sigurojnë ngjitjen në Ligën A për sezonin pasardhës, ndërsa kombëtarja e vendit të fundit do të bie në Ligën C.

    Përveç kësaj, përzgjedhjet e vendeve të dyta dhe të treta nga secili grup do të avancojnë në play-off-et e ngjitjes/rënies nga kategoria, të cilat luhen në dy ndeshje, në shtëpi dhe jashtë. Vendet e dyta nga Liga B do të përballen me vendet e treta nga Liga A për ngjitje, ndërsa vendet e treta nga Liga B do të luajnë për mbijetesë kundër vendeve të dyta nga Liga C.

    Këto ndeshje do të zhvillohen në mars të vitit 2027. Në fazën eliminatore, ekipet nga ligat më të larta do të presin ndeshjet e kthimit, pas të cilave fituesit do të sigurojnë pjesëmarrjen në ligën më të lartë për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

    Një ditë pas shortit, UEFA do të përcaktojë edhe orarin zyrtar të ndeshjeve të Kosovës në sezonin e ri.

  • Kosova mëson sot rivalët në Ligën B të Ligës së Kombeve

    Kosova mëson sot rivalët në Ligën B të Ligës së Kombeve

    Kosova do të zbulojë sot kundërshtarët për edicionin 2026/2027 të Ligës së Kombeve, ku për herë të parë do të garojë në Ligën B, niveli i dytë i kësaj gare evropiane për kombëtare. Shorti do të tërhiqet në Bruksel duke nisur nga ora 18:00, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për “Dardanët” në skenën ndërkombëtare.

    Pas rrugëtimit që filloi në Ligën D dhe vazhdoi me tri edicione në Ligën C, Kosova ka arritur të sigurojë promovimin në Ligën B. Në short, përfaqësuesja jonë bën pjesë në vazon e katërt, së bashku me Suedinë, Maqedoninë e Veriut dhe Irlandën e Veriut – skuadra me të cilat nuk mund të përballet në fazën e grupeve.

    Nga vazoja e parë, kundërshtarë të mundshëm janë Skocia, Hungaria, Polonia ose Izraeli. Në vazon e dytë gjenden Zvicra, Austria, Ukraina dhe Bosnjë-Hercegovina, ndërsa nga vazoja e tretë mund të shortohet me Slloveninë, Gjeorgjinë, Irlandën ose Rumaninë.

    Ndërkohë, vëmendja e përfaqësueses mbetet te ndeshja gjysmëfinale e plejofit për Botërorin 2026 kundër Sllovakisë, e cila do të zhvillohet më 26 mars në Bratislavë. Ndeshjet e fazës grupore të Ligës së Kombeve janë planifikuar të luhen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor.

  • Mësuesi nga Nishi ndëshkohet pasi mbulon grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

    Mësuesi nga Nishi ndëshkohet pasi mbulon grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

    Njëzet e pesë euro – kjo është gjoba që aktivisti opozitar dhe mësuesi pagoi, pasi “pa leje” e kishte mbuluar grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ndodhet në oborrin e një shkolle fillore në juglindje të Serbisë, ku ai është i punësuar.

    Partia në pushtet në Serbi, Partia Progresive Serbe (SNS), e dënoi këtë veprim dhe i cilësoi aktivistët e Frontit të Gjelbër të Majtë (ZLF) nga Nishi, të cilët morën pjesë në largimin e grafitit, si “auto-shovinistë”.

    Slogani nacionalist “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shkruar në mbarë Serbinë, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile i kanë larguar këto slogane edhe në vitet paraprake, duke argumentuar se një mesazh i tillë përhap jotolerancë dhe nxit konflikte.

    Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila u ndërmor për shkak të krimeve të luftës që forcat serbe kishin kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.

    Kallëzim anonim

    “Ky grafit bën thirrje për luftë dhe konflikte. Ky mesazh na kthen në vitet ’90, në një kohë kur Serbia po humbte jetë të reja dhe territore”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Dejan Petroviq, 54 vjeç, mësues në shkollën e Nishit “Uçitel Tasa”.

    Petroviq shton se grafiti në fjalë është shkruar në oborrin e shkollës disa vite më parë dhe se ai, në disa raste, i ka sugjeruar drejtoreshës së shkollës se një mesazh i tillë nuk është i përshtatshëm dhe duhet të hiqet, por autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar.

    “Në një moment i thashë drejtoreshës se, nëse ajo nuk është në gjendje të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë, unë do ta bëja vetë me shpenzimet e mia. Ajo nuk më ndaloi, por vetëm heshti. Unë e kuptova këtë si një shenjë miratimi”, thotë Petroviq.

    Së bashku me kolegun e tij Rastisllav Diniq nga Fronti i Majtë i Gjelbër, të cilit i përket, Dejan Petroviq gjatë fundjavës që shkoi ai ngjyroi me ngjyrë të bardhë murin ku ishte shkruar grafiti.

    Disa ditë më vonë, në shkollë erdhën punonjës komunalë të policisë dhe i thanë të shkonte në qendrën në Nishit të këtij shërbimi, ku do t’i dorëzohej një kallëzim penal.

    “Mu thanë se personi që kishte dorëzuar kallëzimin ishte një qytetar anonim që kishte bërë denoncimin se unë kisha pikturuar pa miratimin e drejtoreshës”, shprehet ai.

    Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë drejtoreshën e Shkollës Fillore “Uçitel Tasa”, Radmilla Kërstiq, por ajo nuk ishte e disponueshme për bisedë dhe nuk iu përgjigj as mesazheve SMS që iu dërguan.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe policisë komunale të Nishit me pyetjen se sa kallëzime penale për të njëjtin veprim janë dorëzuar gjatë vitit 2025, si dhe nëse grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” trajtohen si përhapje e urrejtjes, diskriminimi dhe thirrje për konflikte, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

    Për heqjen e grafiteve nga hapësirat publike përgjegjëse janë shërbimet komunale të pushtetit lokal në Serbi, ndërsa për fasadat e objekteve private përgjegjës janë pronarët e tyre.

    Çfarë thonë nga partia në pushtet në Serbi?

    Në Partinë Progresive Serbe kanë dënuar veprimin e aktivistëve nga Nishi, të Frontit të Majtë të Gjelbër.

    Kreu i partisë në pushtet dhe ish-kryeministri Millosh Vuçeviq, tha se bëhet fjalë për një veprim “skandaloz” të njerëzve që “garojnë në auto-shovinizëm”.

    “Urrejnë gjithçka që është serbe, urrejnë ushtrinë tonë dhe Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçeviq përmes një video-mesazhi të publikuar në X.

    Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, duke përfunduar kështu luftën dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë.

    Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh.

    Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë janë dënuar zyrtarë të lartë serbë.

    A është shkelur Ligji për arsimin në Serbi?

    Për rastin e heqjes së grafitit nga oborri i shkollës, është shprehur Komiteti i SNS-së në Nish që ka akuzuar Frontin e Majtë të Gjelbër se ka shkelur Ligjin mbi bazat e sistemit arsimor dhe edukativ, i cili ndalon veprimtarinë politike partiake në institucionet arsimore.

    “I bëj thirrje organeve që të reagojnë ndaj këtij shkeljeje të ligjit, dhe po u bëj thirrje edhe organizatave të tyre punuese që të reagojnë, sepse është e papranueshme që mësuesit dhe punonjësit e arsimit të marrin pjesë në një veprim politik partiak”, ka theksuar kreu i grupit të këshilltarëve komunalë në Nish të SNS-së, Urosh Radulloviq.

    Mësuesi Dejan Petroviq mohon se ka shkelur ligjin dhe thekson se SNS-ja po përpiqet të frikësojë të gjithë ata që mund të guxonin të bënin të njëjtën gjë.

    “Ne ishim në oborrin e shkollës, por gjatë fundjavës, kur nuk kishte nxënës dhe nuk zhvillohej mësim. Bëmë diçka që është në dobi jo vetëm të fëmijëve, por të gjithë komunitetit shkollor”, thotë Petroviq.

    “Projekti shtetëror”

    Grafitet të titulluara “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqën në mbarë Serbinë në fillim të vitit 2023. Mesazhin me simbole ushtarake, për disa ditë e shkruanin burra të panjohur në fasadat publike dhe private, si dhe në muret mbajtëse përgjatë autostradave.

    Bëhet fjalë për një varg nga ripërpunimi i një kënge popullore serbe. Siç ka konstatuar antropologu Ivan Çoloviq, vargu “kur ushtria të kthehet në Kosovë” nuk ekziston në formën origjinale të këngës të cilës i referohen ata që e shkruajnë këtë slogan. Ai shfaqet për herë të parë në vitin 2011 në librin “Kosova është koka e Lazarit” të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohij Radoviq.

    Murale nuk janë të nënshkruara, por në një portal, i cili është paraqitur si portal jozyrtar informativ i tifozëve të Cervena Zvezdës, thuhet se ky varg është pikturuar në shumë vende në Beograd.

    “Ky është një projekt shtetëror. Të tilla parulla mund të gjenden jo vetëm këtu në Nish, por edhe në qytete të tjera të Serbisë, në autostrada, në shumë vende publik”, vlerëson Dejan Petroviq.

    Veprimet kundër aktivistëve

    Për pikturimin e muraleve në ndërtesa banimi nevojitet miratimi i banorëve që jetojnë aty, dhe nëse objekti është i mbrojtur, kërkohet leja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë.

    Aktivistë nga disa organizata të shoqërisë civile, përfshirë edhe shoqatën KROKODIL, në shkurt 2023 e mbuluan një nga këto murale në Sheshin Sllavia të Beogradit. Para se të përfundonin veprimin, në vendngjarje shkoi policia komunale, që shqiptoi gjoba për aktivistët.

    Shumë shpejt, në të njëjtin vend u shfaq një mural me të njëjtin mesazh.

    “Nëse guxoni të hiqni muralin ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, i vendosur ilegalisht në një hapësirë publike, është e garantuar se do të ketë reagim nga autoritetet nëse ju kapin, dhe edhe nga një numër qytetarësh që reagojnë shumë agresivisht. Kur ai mural rikthehet, kjo ndodh në mes të ditës, para syve të policisë dhe kalimtarëve”, thotë Vlladimir Arsenijeviq nga shoqata KROKODIL për REL-in.

    Gjykata për kundërvajtje në Beograd ka dhënë disa vendime lirimi për aktivistët kundër të cilëve policia komunale kishte nisur procedime për muralin në Sllavia. Në dy vendime të veçanta nga korriku dhe nëntori i vitit 2024, gjykata ka vlerësuar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer shkelje.

    Vlladimir Arsenijeviq thotë se këto vendime duhet të shërbejnë si inkurajim jo vetëm për aktivistët, por për të gjithë qytetarët.

    “Nëse një grafit i vendosur ilegalisht, me çdo përmbajtje, shfaqet në fasadën e një ndërtesë, qytetarët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin ta heqin. Kjo është ajo që përpiqemi t’ua transmetojmë qytetarëve – nuk ekziston ndonjë shërbim që do të vijë ta heqë. Këtë duhet ta bëjmë ne vetë”, thotë ai.

    Përveç grafiteve që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë në Kosovë, në hapësirën publike të Serbisë mund të shihen edhe murale që lartësojnë kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

    Njëri nga më të njohurit u shfaq në rrugën Njegosheva në Beograd në fund të korrikut 2021, një muaj pas dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës së Sërpska në Hagë për krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Të gjitha përpjekjet e qytetarëve dhe aktivistëve për ta hequr nuk patën sukses, sepse autorë të panjohur, për të cilët dyshohet se janë pjesë e grupeve të djathta dhe tifozëve, brenda pak orësh e rikthenin në gjendjen origjinale.

    Pas mbulimit nga aktivistët në maj 2023, muralit nuk i është bërë më “ndryshim”.

    Organizata joqeveritare Iniciativa e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Serbia) në të njëjtin vit ka dorëzuar mbi 300 kallëzime në shërbimet komunale në dhjetë qytete dhe komuna të Serbisë, duke kërkuar heqjen e muralëve dhe grafiteve që madhërojnë Mlladiqin. /REL

  • “Thjesht nuk mund të bëjmë pa të”, Guardiola zbulon lojtarin e pazëvendësueshëm të Man Cityt

    “Thjesht nuk mund të bëjmë pa të”, Guardiola zbulon lojtarin e pazëvendësueshëm të Man Cityt

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka zbuluar lojtarin e vetëm të pazëvendësueshëm në ekip, emër i cili mund të befasojë shumë kë.

    Manchester City mundi Fulhamin me rezultat 3-0 në shtëpi në ndeshjen e xhiros së 26-të të Ligës Premier, duke e mbajtur nën presion liderin, Arsenalin.

    Liderët janë tre pikë përpara dhe kanë një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Cityt. Antoine Semenyo, Nico O’Reilly dhe Erling Haaland shënuan golat në këtë fitore.

    Pas ndeshjes, Pep Guardiola e lavdëroi lojtarit që zëvendësoi në minutën e 60-të, duke e cilësuar si të pazëvendësueshëm.

    “Bernardo Silva është i pazëvendësueshëm. Kur ai nuk është në ekip, ne duhet të luajmë një sistem tjetër. Thjesht nuk mund të bëjmë pa të. Ai është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Guardiola.

    Mesfushori sulmues portugez luan në të majtë të mesfushës në një sistem 4-3-3 dhe është kapiteni i ekipit, duke qenë pikë referuese e të gjitha skemave të trajnerit.

    Nga 26 ndeshjet e ligës këtë sezon, Bernardo ka filluar 22 prej tyre, ndërsa në katër prej tyre ka hyrë nga stoli. Në Ligën e Kampionëve, ai ka filluar pesë nga tetë ndeshjet, duke hyrë nga stoli në njërën prej tyre.

    City e bleu atë nga Monaco në verën e vitit 2017 për 50 milionë euro. Ai luajti 442 ndeshje për Cityn, duke shënuar 74 gola dhe duke dhënë 78 asistime. Ai fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh, dy Kupa FA dhe katër Kupa të Ligës.

  • YouTube po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përdorur pa Premium

    YouTube po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përdorur pa Premium

    YouTube mbetet një nga aplikacionet që shumë njerëz e hapin çdo ditë pa menduar dy herë.

    Megjithatë, për përdoruesit që nuk paguajnë abonim, përvoja po bëhet gjithnjë e më pak e rehatshme. Reklamat janë vetëm një pjesë e problemit, pasi një numër në rritje funksionesh po vendosen pas abonimit YouTube Premium.

    Edhe nëse reklamat injorohen, përdoruesit falas përballen me kufizime që më parë nuk ekzistonin. Opsione që dikur konsideroheshin bazike tani janë pjesë e paketës me pagesë, duke ndryshuar mënyrën e përdorimit të platformës.

    YouTube Premium ofron shikim pa reklama, riprodhim në sfond, qasje në YouTube Music dhe veçori të tjera që e bëjnë përvojën më të rrjedhshme. Ekziston edhe Premium Lite, një alternativë më e lirë, por që gjithashtu kërkon pagesë mujore.

    Ndërkohë, versioni falas po bëhet më i kufizuar. Përdoruesit që e shikojnë YouTube në televizor raportojnë ndërprerje të shpeshta gjatë videove, gjë që për shumëkënd e bën abonimin Premium pothuajse të domosdoshëm.

    Ata që e përdorin platformën vetëm rastësisht mund t’i tolerojnë reklamat dhe kufizimet. Por për përdoruesit e përditshëm, dallimi mes versionit falas dhe atij me pagesë është tashmë shumë i theksuar. /

  • Ndërron jetë aktori James Van Der Beek në moshën 48-vjeçare 

    Ndërron jetë aktori James Van Der Beek në moshën 48-vjeçare 

    James Van Der Beek, aktori i njohur për rolin ikonik të Dawson Leery në dramën adoleshente të viteve ’90 “Dawson’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare pas një beteje me kancerin kolorektal, njoftoi familja e tij më 11 shkurt 2026.

    Bashkëshortja e tij, Kimberly Van Der Beek, ndau lajmin në rrjetet sociale, duke thënë se ai “i përballoi ditët e fundit me guxim, besim dhe dinjitet”, ndërsa kërkoi privatësi për familjen në këtë moment të vështirë.

    Van Der Beek u bë i famshëm në vitin 1998 kur mori rolin kryesor të Dawson Leery në “Dawson’s Creek”, një rol që e ktheu në një nga fytyrat më të njohura të televizionit për një brez të tërë. Seriali u transmetua nga viti 1998 deri në 2003 dhe u bë një fenomen kulturor për audiencën e asaj kohe.

    Pas suksesit të Dawson’s Creek, ai luajti në filma si Varsity Blues dhe në shumë seriale televizive, përfshirë “How I Met Your Mother”, “CSI: Cyber”, “Pose” dhe komedinë “Don’t Trust the B—- in Apartment 23.”

    Në vitin 2024, Van Der Beek zbuloi se po luftonte me kancer kolorektal në stadin e tretë, një diagnozë që fillimisht e mbajti private përpara se ta bënte publike për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kontrollit të hershëm dhe trajtimit. Në muajt e fundit të jetës, ai vazhdoi të komunikonte me fansat dhe të promovonte ndërgjegjësimin për shëndetin, edhe pse gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej.

    Ai lë pas bashkëshorten Kimberly dhe gjashtë fëmijët e tyre. Homazhe dhe mesazhe ngushëllimi kanë vërshuar nga fansa, kolegë dhe figura të industrisë së argëtimit, duke dëshmuar ndikimin e tij të madh si në ekran, ashtu edhe jashtë tij.

  • 14-vjetori i tragjedisë së Restelicës

    14-vjetori i tragjedisë së Restelicës

    Sot bëhen 14 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat ky në komunën e Dragashit, ku si pasojë e rënies së ortekut të borës, kanë humbur jetën 10 banorë të këtij fshati, të gjithë të një familjeje.

    Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm, në atë kohë, 7-vjeçarja, Amsera Reka, e cila tashmë jeton tek të afërmit e saj. Asaj i vdiqën babai, nëna, vëllai dhe gjyshërit.

  • Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

    Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

    Albin Kurti e ka marrë dje mandatin e ri si Kryeministër i Kosovës. Ai ka bërë disa zotime për mandatin e ardhshëm, sidomos për ngritjen e të ardhurave të familjeve.

    Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të ri do të rris pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro, si dhe dyfishim të shtesave për fëmijë, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë paraqitjes së ekspozesë, Kurti tha se rritja do të vazhdojë në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike.

    “Kjo rritje do të vazhdojë edhe mandatin që vjen në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj”, ka deklaruar Kurti.

    Shtesat për fëmijë deklaroi se do të shkojnë në 90 euro, për çka tha se me këtë rritje Kosova do i lë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

    Premtoi edhe rritje të shtesave për nënat lehona.

    “Shtesat për fëmijë janë sot 30-45 euro për fëmijë, ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra nga zero sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për familjet me tre e më shumë fëmijë… Edhe shtesat për nënat e reja lehohnat do t’i rrisim nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj”, deklaroi Kurti.

    Përgjatë mandatit të kaluar, Kurti tha se si Qeveri kanë shtuar punësimin, me fokus rininë dhe gratë.

    Ai bëri me dije se do të krijohet platforma “Superpuna” edhe për gratë.

    “Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes të ngriten, duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%”, tha Kurti.