ATV

Blog

  • 1 vit burgim për shmangie nga sigurimi i mjeteve për jetesë

    1 vit burgim për shmangie nga sigurimi i mjeteve për jetesë

    Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.B., duke e dënuar me një (1) vit burgim për veprën penale “shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë”, sipas nenit 245 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas njoftimit të gjykatës, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi e shpalli fajtor të pandehurin. Dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    I pandehuri akuzohet se nga 12 marsi 2019 deri më 25 janar 2023 ka shmangur detyrimin për të siguruar mjete jetese për dy fëmijët e tij të mitur, në kundërshtim me një aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Sipas vendimit, ai ishte i obliguar të paguante 150 euro në muaj për secilin fëmijë, pra gjithsej 300 euro në muaj, në emër të alimentacionit, për aq kohë sa ekzistonin kushtet ligjore.

    Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa parashtrohet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

  • Dyshimet për manipulim me vota, ndalohen për 48 orë shtatë kryesues në Klinë

    Dyshimet për manipulim me vota, ndalohen për 48 orë shtatë kryesues në Klinë

    Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se shtatë kryesues në Klinë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për manipulim me vota, shkruan Reporteri.net.

    Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës lidhur me procesin hetimor për numërimin e votave në komunën e Klinës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve. Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë shtatë (7) kryesues të vendvotimeve në këtë komunë. Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

  • Dieta që mund të rrisë rrezikun për diabet

    Dieta që mund të rrisë rrezikun për diabet

    Ndër dietat e ndryshme për humbje peshe, ekspertët paralajmërojnë se më problematike mund të jenë ato ku hapësira mes vakteve është shumë e gjatë, pra kur qëndrohet për orë të tëra pa konsumuar ushqim.

    Sipas specialistëve, ndonëse këto regjime mund të ndihmojnë në humbje të shpejtë peshe, ato mund të ndikojnë negativisht në:

    • balancën e insulinës,

    • funksionin e pankreasit,

    • dhe metabolizmin e sheqerit në gjak.

    Ndryshimet e shpeshta dhe ekstreme në nivelin e glukozës mund të rrisin rrezikun për rezistencë ndaj insulinës, e cila është një faktor kryesor në zhvillimin e diabetit tip 2.

    Veçanërisht personat mbipeshë shpesh zgjedhin dieta me “agjërim” të zgjatur për rezultate të shpejta, por duhet të jenë të vetëdijshëm se:

    • stresi metabolik i vazhdueshëm,

    • luhatjet e sheqerit në gjak,

    • dhe mungesa e ushqyesve esencialë

    mund të kenë pasoja serioze për shëndetin afatgjatë.

    Ekspertët rekomandojnë që çdo ndryshim i madh në regjim ushqimor të bëhet nën këshillën e mjekut ose nutricionistit, dhe që prioritet të ketë një dietë e balancuar, me vakte të rregullta dhe cilësi të mirë ushqimore, në vend të metodave ekstreme.

  • Prodhuesit ukrainas të armëve marrin licencat e para të eksportit në kohë lufte

    Prodhuesit ukrainas të armëve marrin licencat e para të eksportit në kohë lufte

    Prodhuesit ukrainas të armëve kanë marrë licencat e para për eksport gjatë kohës së luftës, ka njoftuar sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov.

    Vendimi për të lejuar eksportin e armëve konsiderohet politikisht i ndjeshëm, pasi Ukraina vazhdon luftën kundër Rusisë. Megjithatë, autoritetet në Kiev synojnë që përmes eksporteve të sigurojnë fonde shtesë për zgjerimin e industrisë vendase të mbrojtjes, si dhe të përdorin teknologjinë dhe armët inovative si mjet diplomatik për forcimin e aleancave ndërkombëtare.

    Umerov nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të kompanive që kanë marrë licencë, por ka theksuar se kapaciteti vjetor i prodhimit të Ukrainës në sektorin e mbrojtjes tejkalon 55 miliardë dollarë. Ai shtoi se komisioni qeveritar ndërinstitucional përgjegjës për miratimin e eksporteve ka zhvilluar tashmë mbledhjen e tij të parë pas tetë muajsh.

    Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, industria e mbrojtjes në Ukrainë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke përfshirë tani mbi 1,000 kompani, shumica prej të cilave janë ndërmarrje të reja në sektorin privat.

  • Avokati Roberts: Rexhep Selimi është tërësisht i pafajshëm

    Avokati Roberts: Rexhep Selimi është tërësisht i pafajshëm

    Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka deklaruar para trupit gjykues se Rexhep Selimi është i pafajshëm – tërësisht.

    Në deklaratën e tij përmbyllëse, Roberts tha se ZPS-ja ka paraqitur prova jo-koherente dhe jo-relevante, në rastin e Selimit.

    “Në të gjitha këto aspekte, Prokuroria ka dështuar ta bëjë këtë gjë, në mënyrën më të qartë”, deklaroi Roberts.

    Ai tha se do të kërkojnë që të marrin përgjigje në dosjen e fundit dhe të hedhin dritë në disa parashtrime të bëra.

    Roberts shtoi se synojnë të jenë të hapur dhe transparent në qëndrimin e tyre sa i përket dëshmimit të pafajësisë së Selimit.

    Paraprakisht, në Gjykatë u dëgjua fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Kadri Veselit, teksa pasi të përfundojë fjalën avokati i Selimit, do të dëgjohet mbrojtja e Krasniqit.

    Më herët, zëdhënësi i Gjykatës Speciale deklaroi se sapo të përfundojnë deklaratat përmbyllëse, procesi do të mbyllet. Kolegjit do t’i nevojiten tre deri në pesë muaj të marrin vendimin përfundimtar për rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

  • Arrihet marrëveshja mes Trafikut Urban dhe sindikatës, shmanget ndërprerja e transportit në Prishtinë

    Arrihet marrëveshja mes Trafikut Urban dhe sindikatës, shmanget ndërprerja e transportit në Prishtinë

    Trafiku Urban ka njoftuar se pas dialogut me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatën është arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin normal të shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës.

    Sipas njoftimit, kërkesat e punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e pagave do të mbeten në shqyrtim, ndërsa diskutimet e detajuara për mundësitë e realizimit të tyre do të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

    Menaxhmenti ka theksuar se ndërmarrja mbetet e hapur për dialog të vazhdueshëm me sindikatën dhe se kërkesat do të trajtohen me prioritet sapo të përmirësohet gjendja financiare e kompanisë.

  • Kuvendi i Shqipërisë e miraton deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK: Lufta e tyre ishte e drejtë

    Kuvendi i Shqipërisë e miraton deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK: Lufta e tyre ishte e drejtë

    Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 92 vota pro deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK.

    “Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

    Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

    Kujton bashkësinë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit. Shpreh solidaritet të plotë me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

    Shpreh angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së të mos cenohet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë”, thuhet në deklaratën e përbashkët mes palëve politike në Kuvend.

  • Malisheva,Gjilani dhe Vushtrria çerekfinalistët e rradhës në Kupën e Kosovës

    Malisheva,Gjilani dhe Vushtrria çerekfinalistët e rradhës në Kupën e Kosovës

    Janë zbuluar edhe cerekfinalistët e rradhës në kuadër të Kupës së Kosovës në futboll.

    Malisheva shënoi fitore bindëse ndaj Trepçës 89-të,duke e mposhtur me rezultat të thellë 4:0.

    Assane Diatta me dy gola, Arbër Pira dhe Valmir Nafiun ishin më meritorët për fitoren e Malishevës,dhe me këtë fitore arritën që të siguronin kalimin në çerekfinale të Kupës.

    Gjilani në anën tjetër shënoi fitore në shtëpi kundër Lirisë me rezultat 2:1,ku në këtë ndeshje debutoi edhe trajneri i ri i ekipit prizrenas Ismet Munishi.

    Armend Thaqi nga penalltia dhe Hamdi Namani shënuan për Intelektualët,ndërkohë të vetmin gol për Lirinë e shënoi  Dijar Nikqi.

    Vlen të përmendet se Liria mbeti me një lojtar më pak në fushë,kjo pasi  Albion Kurtaj u ndëshkua me karton të kuq.

    Kalimin në çerekfinale të Kupës e siguroi edhe Vushtrria,ku eliminoi Vëllaznimin me golin e vetëm të shënuar nga Erion Krasniqi.

  • Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, propozimi i komisioneve parlamentare në rend dite

    Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, propozimi i komisioneve parlamentare në rend dite

    Kryesia e re e Kuvendit është mbledhur sot për herë të parë, nën udhëheqjen e Kryeparlamentares Albulena Haxhiut.

    Mbledhja tashmë ka nisur.

    Sipas njoftimit, në rend dite është vetëm një pikë “Propozimi për formimin e komisioneve parlamentare”.

    Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen e parë të qeverisë bëri të ditur se tani hap i radhës është votimi i buxhetit për vitin 2026 dhe ai i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

    Ai gjithashtu se pas tyre, do të jetë i gatshëm që të merret edhe me çështjen e Presidentit, dhe se do të nis kontaktet me partitë politike

  • Konjufca hyn në zyre të MPJ’së si Kryediplomat, pritet nga Gërvalla

    Konjufca hyn në zyre të MPJ’së si Kryediplomat, pritet nga Gërvalla

    Kryediplomati i ri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkuar sot në zyret e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përveç Ministër i Punëve të Jashtme, Konjufca është edhe Zëvendëskryeministri i Parë.

    Ai është pritur nga ish-Ministrja Donika Gërvalla, e cila e ka uruar për detyrën.

    Gërvalla ka thënë se Konjufca do të forcojë edhe më tej diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Glauk, të uroj suksese të mëdha në detyrën e re si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me bindjen se kontributi yt do të forcojë dhe më tej diplomacinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke promovuar interesat e vendit tonë, duke avancuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe duke punuar për një të ardhme më të fortë dhe më të sigurt për qytetarët tanë”, ka shkruar Gërvalla.