ATV

Blog

  • Me rreth 45 minuta vonesë, nis seanca për buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Me rreth 45 minuta vonesë, nis seanca për buxhetin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Me rreth 45 minuta vonesë, ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimin e parë të Projektbuxhetit për vitinn 2026.

    Seanca ishte paraparë të niste në orën 15:00, por që filloi në orën 15:40.

    Pika e parë e rendit të ditës është plotësimi i vendimit për përbërjen e komisioneve parlamentare.

    Pastaj do të shqyrtohen marrëveshjet ndërkombëtare, ku e para është ajo përmes së cilës hapet rruga për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

    Pika e fundit është ajo për Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.

  • Shefi i NATO-s shpalos planin për një aleancë më të fortë

    Shefi i NATO-s shpalos planin për një aleancë më të fortë

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, sapo ka folur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

    “Rusia po përparon në Ukrainë vetëm me ritmin e një kërmilli dhe po pëson humbje marramendëse ndërsa e bën këtë”, tha Rutte.

    “Gjatë viteve të ardhshme ne do të ndërtojmë gjithnjë e më shumë një NATO të udhëhequr më shumë nga Evropa, por në të njëjtën kohë me SHBA-në absolutisht të ankoruar në organizatë”, shtoi ai.

    “Ne do ta bëjmë këtë hap pas hapi, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, bazuar në procesin e planifikimit të mbrojtjes që kemi”, vazhdoi Rutte.

    Ndryshe, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi planet e Evropës për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, duke theksuar se kjo gjithashtu do të forconte shtyllën evropiane brenda NATO-s.

    “Evropa duhet të bëhet më e pavarur, duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Një Evropë e fortë do të thotë gjithashtu një NATO e fortë”, tha ajo gjatë një konference të përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul, në Mynih. 

  • Ky është aplikacioni më i shkarkuar në Evropë, në vitin 2025

    Ky është aplikacioni më i shkarkuar në Evropë, në vitin 2025

    Për herë të parë, një aplikacion i Inteligjencës Artificiale ka arritur të kryesojë listën e shkarkimeve në Evropë. Bëhet fjalë për ChatGPT-në, i cili deri në vitin 2025 është shkarkuar rreth 64 milionë herë, sipas të dhënave të firmës AppFigures, raportuar nga Euronews. Ky tregues tregon se Inteligjenca Artificiale po transformohet nga një “lodër teknologjike” në një mjet i përdorur çdo ditë për shkrim, përmbledhje, përkthim apo thjesht për të punuar më shpejt.

    Pas ChatGPT-së, në renditjen e aplikacioneve më të përdorura gjejnë vend: Temu (platforma online e tregtisë), Vinted (aplikacioni i tregtisë së përdorur), Lidl Plus (aplikacioni i zbritjeve të dyqanit gjerman) dhe rrjetet sociale TikTok dhe Instagram. Të gjithë këto aplikacione janë relativisht të thjeshta dhe shpesh falas, dhe përdoren automatikisht nga përdoruesit, qoftë për të bërë blerje apo thjesht për të shfletuar.

    Përdorimi dhe fitimet e aplikacioneve

    Renditja e aplikacioneve më fitimprurëse është disi tjetër. TikTok kryeson me një të ardhur të parashikuar prej 740 milionë euro në 2025, ndërsa ChatGPT-i renditet i dyti falë abonimeve të tij. Aplikacionet për takime gjithashtu janë ndër më fitimprurësit.

    Këto të dhëna tregojnë se, ndonëse shumica e njerëzve përdorin aplikacionet për të thjeshtuar jetën e tyre dhe për të kursyer kohë, aplikacionet më fitimprurëse janë pikërisht ato që kërkojnë më shumë kohë nga përdoruesit. Në terma të thjeshtë: dobia udhëheq shkarkimet, por vëmendja mbetet forca kryesore e ekonomisë digjitale.

  • Zbulohet sistemi diellor që përmbys teorinë e formimit të planetëve

    Zbulohet sistemi diellor që përmbys teorinë e formimit të planetëve

    Astronomët kanë zbuluar një sistem planetar rreth një ylli xhuxh të kuq që po i vë në provë teoritë klasike të formimit të planetëve.

    Zbulimi u bë falë vëzhgimeve me teleskopë të NASA-s dhe të European Space Agency.

    Sistemi, i cili ndodhet rreth 116 vite-dritë larg Tokës, ka katër planetë të rreshtuar në një mënyrë “përmbys”: planeti më i brendshëm është shkëmbor, dy të tjerët janë gazorë, ndërsa i jashtmi, në mënyrë të papritur, është sërish shkëmbor.

    Kjo bie ndesh me modelin e njohur edhe në sistemin tonë diellor, ku planetët shkëmborë janë afër yllit, ndërsa gjigantët gazorë më larg. Sipas teorisë standarde, pranë yllit temperaturat e larta lejojnë vetëm materialet rezistente të formojnë bërthama shkëmbore, ndërsa përtej “vijës së borës” akulli ndihmon që bërthamat të rriten shpejt dhe të grumbullojnë gaz.

    Studimin e udhëhoqi Thomas Wilson nga University of Warwick, i cili shpjegon se planeti i jashtëm shkëmbor ka shumë gjasa të jetë formuar më vonë, kur disku rreth yllit ishte tashmë i varfër në gaz. Ky “formim i varfër në gaz” do të thotë se planetët nuk u ndërtuan njësoj dhe jo në të njëjtën kohë.

    Sipas Sara Seager, nga Massachusetts Institute of Technology, ky sistem mund të jetë ndër provat e para që rregullat e zakonshme të formimit planetar mund të “kthehen përmbys” rreth yjeve më të zakonshëm në galaktikë. Heather Knutson nga California Institute of Technology thekson se planeti i jashtëm është veçanërisht intrigues dhe mund të ketë atmosfera të ndryshme, ndoshta edhe kushte ku uji të kondensohet.

    Edhe studiues të tjerë, si Ana Glidden dhe Néstor Espinoza nga Space Telescope Science Institute, pajtohen se sistemi është një “laborator natyror” për të testuar modelet e formimit të planetëve. Debati mbetet i hapur, por një gjë është e qartë: universi vazhdon të na surprizojë dhe të na kujtojë se ende kemi shumë për të mësuar.

  • Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë në udhëheqjen e Presidentes Osmani

    Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë në udhëheqjen e Presidentes Osmani

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresisti republikan Keith Self.

    “Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kongresisti Self në letrën mbështetëse.

    Duke theksuar momentin vendimtar nëpër të cilin po kalon Kosova, ai ka dhënë mbështetje të plotë për vazhdimësinë e këtij vizioni të Presidentes duke potencuar se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

    Në këtë mesazh të nivelit të lartë, rikonfirmohet qartë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë normat demokratike, parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit, elemente thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar.

    Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj.

    Kjo mbështetje e qartë nga një prej figurave kyçe të politikës së jashtme në Kongresin amerikan përbën një konfirmim të fuqishëm të besimit në lidershipin e Presidentes Osmani dhe në drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

  • Dalin pamjet nga momenti kur tramvaji del nga shinat në Sarajevë

    Dalin pamjet nga momenti kur tramvaji del nga shinat në Sarajevë

    Zyra e Prokurorit të Qarkut të Sarajevës vazhdoi hetimin të premten mbi rrethanat në të cilat ndodhi një aksident i rëndë trafiku një ditë më parë, kur një tramvaj doli nga shinat në qendër të Sarajevës, duke vrarë një person dhe duke plagosur katër të tjerë.

    Videoja e momentit të aksidentit që u shfaq në mediat sociale, dhe u filmua nga një makinë në kalim, tregon qartë se si tramvaji hyri në kthesë me shpejtësi të lartë, edhe pse shpejtësia e lejuar për këto automjete në atë vend është 10 kilometra në orë.

  • ​Ish-luftëtari i lirisë proteston çdo ditë para BE-së: Drejtësi për çlirimtarët në Hagë

    ​Ish-luftëtari i lirisë proteston çdo ditë para BE-së: Drejtësi për çlirimtarët në Hagë

    Gjykimi i katër ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçit , Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale, veçanërisht pas kërkesës së Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim, po ngjall pakënaqësi ndër qytetarë dhe ish-bashkëluftëtarë të tyre në Kosovë.

    Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, po proteston i vetëm tek objekti i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Thotë se do të protestojë përditë deri në lirimin e krerëve të UÇK-së.

    Ai kërkon që faktori ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quan gjykatë politike.

    “Kjo është një protestë e imja që po vazhdon çdo ditë deri në lirimin e çlirimtarëve në Hagë. Gjykata në Hagë është gjykatë kriminale, edhe gjykatë serbe… Këto aktakuza Serbia i ka ngritur në gjykatë. Drejtësi, jo politikë! Ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë që gjenden në Hagë të pafajshëm… Është e padrejtë, sepse këta janë çlirimtarë. Ne nuk kemi shkuar në Beograd të luftojmë, por ne e kemi mbrojtur Kosovën me çfarë kemi pasur mundësi: me aleatët tanë, me Amerikën, me shtetet e tjera, me Gjermaninë e të gjithë ata që na kanë ndihmuar. Domethënë, ne kemi qenë vullnetarë, ne nuk kemi shkuar në Beograd që të luftojmë… Ata duhet të lirohen sa më shpejt… Ata nuk kanë bërë krime dhe kërkoj lirimin e tyre sa më shpejt, sepse nëse prokuroria ka një qëllim, le ta dijë mirë që Ballkani nuk do të ketë rehati”, tha Pllashniku.

  • Anita pas dorëheqjes së Ramushit: Më në fund e fitova burrin tim

    Anita pas dorëheqjes së Ramushit: Më në fund e fitova burrin tim

    Lajmi për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë vëmendjen kryesore të opinionit publik.

    Pas këtij vendimi, ka ardhur edhe reagimi i parë nga bashkëshortja e tij, Anita Muçaj-Haradinaj, e cila përmes një mesazhi plot ndjenjë ka shprehur mbështetjen e saj të pakursyer.

    Në një postim në rrjetet sociale, Anita ka theksuar se për të nuk ka titull më të lartë sesa të jetë krah tij si bashkëshortja e tij dhe nëna e tre fëmijëve të tyre. “Ti je një lider dhe strateg që në komb lind një herë në 100 vjet,” ka shkruar ajo, duke vlerësuar kontributin e gjatë të Ramushit në skenën politike të Kosovës.

    Anita u shpreh se përgjatë viteve kanë udhëtuar së bashku në shumë dimensione dhe sfida, por tani duket se ka ardhur koha për një kapitull të ri.

    Duke e mbyllur mesazhin me fjalët “Kosova të do, por unë të dua edhe më shumë”, ajo nuk e fshehu lumturinë që tani e tutje do ta ketë bashkëshortin më pranë familjes, duke shkruar: “Më në fund e fitova burrin tim.”

  • Zvicra e alarmuar për fluksin që do të shkaktohet në aeroporte si pasojë e sistemit të ri të hyrje-daljeve

    Zvicra e alarmuar për fluksin që do të shkaktohet në aeroporte si pasojë e sistemit të ri të hyrje-daljeve

    Aeroportet kryesore të Zvicrës kanë ngritur alarmin për vonesa të mundshme në përpunimin e pasagjerëve, për shkak të hyrjes në fuqi të fazës së detyrueshme të sistemit biometrik të Bashkimit Evropian, European Union Entry/Exit System (EES), më 10 prill 2026.

    Sipas autoriteteve aeroportuale, sistemi i ri do të ndikojë drejtpërdrejt në fluksin e udhëtarëve në Aeroporti i Cyrihut, Aeroporti i Gjenevës dhe EuroAirport Basel.

     

    Çfarë ndryshon me sistemin EES?

     

    Nga data 10 prill 2026, çdo udhëtar nga vende jashtë BE/EFTA do të duhet të regjistrojë:

     

    Gjurmët e gishtërinjve

    Imazhin e fytyrës

    Regjistrimi do të kryhet përmes kioskave vetë-shërbimi të instaluara në aeroport. Sistemi synon të forcojë kontrollin kufitar dhe sigurinë, duke digjitalizuar plotësisht hyrje-daljet në zonën Shengen.

    Rreziku i “ngushticave” në kontrollin e pasaportave

    Zyrtarët e aeroporteve zvicerane paralajmërojnë se përpunimi i një avioni me kapacitet të plotë në fluturime ndërkontinentale mund të shtojë nga 50 deri në 70 minuta shtesë në procedurat standarde të kontrollit të pasaportave.

    Kjo situatë mund të krijojë:

    Radhë të gjata në pikat kufitare

    Vonesa në dalje nga aeroporti

    Presion operacional gjatë orareve të pikut

    Sfida për sezonin e udhëtimeve 2026

    Autoritetet aeroportuale theksojnë se periudha e parë e zbatimit do të jetë vendimtare për testimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore. Nëse nuk merren masa shtesë organizative, ekziston rreziku i krijimit të “bottleneck”-eve, veçanërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i udhëtarëve rritet ndjeshëm.

    Çfarë duhet të dinë udhëtarët?

    Udhëtarët nga vendet jashtë BE/EFTA këshillohen që:

    Të mbërrijnë më herët në aeroport

    Të jenë të përgatitur për procedura shtesë identifikimi

    Të ndjekin udhëzimet e stafit aeroportual për përdorimin e kioskave biometrike

    Zbatimi i plotë i sistemit EES pritet të rrisë sigurinë kufitare, por në fazën fillestare mund të sjellë sfida operative për aeroportet dhe pasagjerët./Albinfo.ch

  • Sinisha Karan zgjidhet president i Republikës Sërpska

    Sinisha Karan zgjidhet president i Republikës Sërpska

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës ka konfirmuar dhe publikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për president të entitetit të Republikës Sërpska, sipas të cilave Sinisha Karan është zgjedhur në këtë post.

    Karan, kandidat i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) të Millorad Dodikut, do ta ushtrojë këtë funksion deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme, të cilat pritet të zhvillohen në muajin tetor të këtij viti.

    Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura për president të Republikës Sërpska janë mbajtur më 8 shkurt në 16 qytete të këtij entiteti dhe në Distriktin e Bërçkos.

    Në zgjedhje kanë votuar 41.826 qytetarë, apo 49.51 për qind. Të drejtë vote kanë pasur gjithsej 84.474 votues.

    Zgjedhjet janë mbajtur në 136 vendvotime në 17 njësi të vetëqeverisjes lokale në Republikën Sërpska dhe Distriktin e Bërçkos. Ato janë përsëritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës kishte zbuluar keqpërdorime gjatë votimit të mbajtur më 23 nëntor 2025.