ATV

Blog

  • Anita Haradinaj flet për herë të parë pas aludimeve për gjendjen shëndetësore të Ramushit

    Anita Haradinaj flet për herë të parë pas aludimeve për gjendjen shëndetësore të Ramushit

    Anita Haradinaj ka folur së fundmi për shëndetin e bashkëshortit të saj, ish-kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke sqaruar se ai është në gjendje shumë të mirë fizike dhe nuk ka asnjë problem shëndetësor.

    Në një intervistë për emisionin “Weekend”, Anita tha se është kontaktuar nga shumë familjarë dhe miq të shqetësuar për shëndetin e Ramushit, por sqaroi se arsyeja e ndryshimeve në peshë ka qenë thjesht për një sfidë sportive.

    “Jo, s’ka asnjë problem. Gëzon shëndet të plotë. Ka humbur peshë sepse ka pasur plan të ngjitet në një maje shumë të lartë diku në botë. E di që për të ecur duhet të jetë me peshë më të vogël. Dietë e zakonshme. Me mu s’mu, Ramushi? S’kisha qesh kështu. M’u kish ni zani sa atje t’u kajtë”, tha Anita.

    Ajo foli edhe për mungesën e tij në jetën familjare për shkak të angazhimeve politike, duke theksuar se shpesh e ka ndjerë mungesën e Ramushit në momentet e përditshme me fëmijët. Megjithatë, Anita vlerësoi rolin aktiv të tij në politikë dhe arritjet që ka lënë pas.

    “Planet nuk ia di, por e di që më në fund e bona një burrë. Deri sot e kam nda me të tjerët, tash ka me mbajt veç për veti. Më ka mungu në gjithçka. Secili gura mundet ta kuptojë drejt, e dimë sa e vështirë është me rritë fëmijë, me i çu te mjeku, në pushime, në mbledhje. Në secilin element të jetës më ka mungu. Në drekën nuk e kemi hangar kurrë bashkë. Në deti s’ka ardh kurrë me neve. Ai prap s’rrin. Diçka ka me bo. Ramushi është shumë aktiv. Kurgjo mos boft del në mal hec. Më bëhet qejfi që e ka përmbyll mirë. Është një figurë politike që historia do ta mbajë mend. Ka lënë gjurmë, edhe që nuk do të harrohet ndër breza, pavarësisht se çfarë thonë komentuesit”, tha Anita.

  • Sot mbyllen deklaratat e mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot mbyllen deklaratat e mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot vazhdon seanca e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka sot edhe një orë e gjysmë kohë për të përfunduar deklaratën e saj përmbyllëse, të cilën e ka nisur të premten.

    Aiden Ellis, i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, ka thënë të premten se, sipas provave, nuk është vërtetuar që klienti i tij të ketë pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat.

    Sipas mbrojtjes, në dosjen e Prokurorisë thuhet se Krasniqi ka pasur përgjegjësi parësore për komunikatat dhe se ishte hartues e redaktor i tyre.

    “Nuk është vërtetuar asnjëherë që z. Krasniqi e ka pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat. Unë do të përfundoj duke thënë se paragrafi 554 i dosjes së Prokurorisë është një shembull i qartë i mënyrave se si ka dështuar Prokuroria”, tha Ellis.

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se Jakup Krasniqi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.

    Ajo theksoi në fjalën e saj se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë prej 1.926 ditësh.

    “Parashtrojmë se ekziston vetëm një opsion: që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit, do t’i bëjmë thirrje gjykatës së nderuar që ta shpallë të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejojë këtë zotëri 75-vjeçar të kthehet pranë familjes së tij dhe t’i kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen”, tha ajo.

    Avokatja Alagendra deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar mbështetet në spekulime dhe pretendime të pambështetura në akuzat ndaj Krasniqit. Sipas saj, nuk ka asnjë dëshmitar që pretendon se Krasniqi ka keqtrajtuar ndokënd.

    Mbrojtja e Krasniqit e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi më 9 shkurt 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, kur kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik prej 45 vjetësh burgim për secilin nga katër të akuzuarit.

    Po më 10 shkurt u dha fjala për mbrojtjen, ndërsa më 11 shkurt 2026 fjalën përfundimtare e dha mbrojtja e Hashim Thaçit dhe filloi ajo e Kadri Veselit, e cila vazhdoi edhe më 12 shkurt. Pas përfundimit të saj, filloi mbrojtja e Rexhep Selimit.

    Të gjithë kërkuan që ish-krerët e UÇK-së të lirohen të pafajshëm, duke thënë se prokuroria nuk e ka argumentuar të kundërtën. /RTK

  • Moti për sot dhe katër ditët e ardhshme, këtë ditë priten reshje bore

    Moti për sot dhe katër ditët e ardhshme, këtë ditë priten reshje bore

    Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur temeperaturat që do të mbizotërojnë për gjatë pesë ditëve të javës.

    Sipas Institutit gjatë javës së ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm, i vranët, intervale me diell dhe me reshje shiu dhe bore.

    E hënë

    Moti i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale: -2 deri 0°C

    Temperaturat maksimale: 7 deri 9°C

    Era: Kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-4m/s.

    E martë

    Mot i vranët dhe me reshje shiu dhe bore.

    Temperaturat minimale: -1 deri 1°C

    Temperaturat maksimale: 2-4°C

    Era: nga verilindja me shpejtësi 1-7m/s

    E mërkurë

    Moti i vranët dhe me interval me diell.

    Temperaturat minimale: -1 deri 1°C

    Temperaturat maksimale: 5-8°C

    Era: kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s.

    E enjte

    Mot kryesisht i vranët.

    Temperaturat minimale:-4 deri -2°C

    Temperaturat maksimale: 7deri 10°C

    Era: nga verilindja 1-7m/s.

    E premte

    Mot i vranët dhe me shi.

    Temperaturat minimale: -2 deri 0°C

    Tmperaturat maksimale: 5 deri 8°C

    Era: nga drejtimi i veriperendimit 1-6m/s.

  • 17 shkurti njihet zyrtarisht në Arizona si Dita e Pavarësisë së Kosovës, guvernatorja: Shqiptarët dhanë kontribut të rëndësishëm këtu

    17 shkurti njihet zyrtarisht në Arizona si Dita e Pavarësisë së Kosovës, guvernatorja: Shqiptarët dhanë kontribut të rëndësishëm këtu

    Ambasada e Kosovës në Washington ka njoftuar se shteti i Arizonas e ka njohur 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

    “Duke marrë parasysh se Shteti i Arizona-s ndihet i nderuar të qëndrojë pranë komunitetit shqiptaro-amerikan në të gjithë shtetin në përkujtimin e 17 shkurtit 2008 si Dita e Pavarësisë së Kosovës; dhe duke marrë parasysh se më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës, duke treguar vendosmëri të palëkundur, shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj në Prishtinë. Ky akt historik, i bazuar në parimet e sovranitetit dhe vetëvendosjes, shënoi një moment kyç në rrugëtimin drejt lirisë dhe konfirmoi statusin e Kosovës si një shtet i pavarur, i lirë nga dominimi i jashtëm”, thuhet në aktin e guvernatores Katie Hobbs të publikuar nga ambasada.

    Ajo shkruan se mori parasysh kontributin e komunitetit shqiptaro amerikan në Arizona dhe bizneset shqiptare atje.

    “ Duke marrë parasysh se këtë vit shënohet përvjetori i 18-të i pavarësisë së Kosovës, një moment që Shteti i Arizona-s e njeh me krenari; dhe Duke marrë parasysh se komuniteti shqiptaro-amerikan në Arizona ka dhënë kontribute të rëndësishme për shtetin, duke pasuruar komunitetet me trashëgiminë kulturore, shpirtin sipërmarrës dhe angazhimin e fortë qytetar”

    “Nga bizneset që lulëzojnë deri te arritjet profesionale, shqiptaro-amerikanët vazhdojnë të formësojnë strukturën sociale dhe ekonomike të larmishme të Arizona-s; dhe Duke marrë parasysh se Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe Shtetin e Arizona-s, kanë mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt ndërtimit të shtetit dhe paqes, dhe qytetarët e Kosovës dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të shtetit tonë. TANI, PRANDAJ, unë, Katie Hobbs, Guvernatore e Shtetit të Arizona-s, shpall këtu me këtë akt, 17 shkurt 2026, si DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS NË ARIZONA”, thuhet në vendim që në fund mban nënshkrimin e guvernatores.

  • Buxheti i Prishtinës jashtë projektligjit për buxhetin, Rama paralajmëron se do ta dërgojnë në Kushtetuese

    Buxheti i Prishtinës jashtë projektligjit për buxhetin, Rama paralajmëron se do ta dërgojnë në Kushtetuese

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se mospërfshirja e buxhetit të Prishtinës në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës është cenim i rendit kushtetues.

    Ai në një konferencë për media ka thënë se kjo është bërë pa arsyetim, duke e quajtur neglizhencë administrative dhe cenim të drejtpërdrejt të rendit kushtetues.

    Ka shtuar se buxheti i Komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese.

    “Çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike. Pasojat nuk janë teorike. Ato janë reale dhe të menjëhershme: bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale, paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit”, ka thënë ai.

    Rama ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë ta marrë peng Prishtinën.

    “Asnjë institucion nuk ka mandat ta vendosë Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës. Për këtë arsye, menjëherë i jemi drejtuar zyrtarisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar të Komunës së Prishtinës para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026. Po ashtu, i jemi drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesë të qartë: të paraqesë me shkrim bazën ligjore të kësaj mos-përfshirjeje, të korrigjojë menjëherë këtë shkelje, dhe të japë përgjigje brenda afatit ligjor”, ka thënë ai.

    Sipas tij, nëse Ligji për Buxhetin 2026 miratohet duke injoruar buxhetin e miratuar të Kryeqytetit, “atëherë ky ligj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, si dhe do kërkohet përgjegjësi nga secili autoritet i nivelit qendror i cili duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet ligjore synon ta sabotojë kryeqytetin”.

    Ai ka thënë se ligji nuk është çështje vullneti.

  • Donald Trump thotë se anëtarët e Bordit të Paqes i kanë premtuar 5 miliardë euro për rindërtimin e Gazës

    Donald Trump thotë se anëtarët e Bordit të Paqes i kanë premtuar 5 miliardë euro për rindërtimin e Gazës

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se shtetet anëtare të Bordit të Paqes në takimin e së enjtes në Uashington do ta shpallin njoftimin për donacione prej më shumë se 5 miliardë dollarësh për rindërtim dhe për përpjekjet humanitare në Gaza.

    Në një postim në Truth Social të dielën, Trump shkroi se shtetet anëtare kanë angazhuar gjithashtu mijëra personel për një forcë stabilizimi të autorizuar nga OKB-ja dhe policinë lokale në enklavën palestineze.

    Presidenti i SHBA-së tha se mbledhja e së enjtes, takimi i parë zyrtar i grupit, do të zhvillohet në Institutin e Paqes Donald J. Trump, të cilin Departamenti i Shtetit së fundmi e riemërtoi sipas presidentit. Pritet të marrin pjesë delegacione nga më shumë se 20 vende, përfshirë krerë shtetesh.

    Krijimi i bordit u mbështet nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si pjesë e planit të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas në Gaza.

    Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për planin vitin e kaluar me një armëpushim që hyri zyrtarisht në fuqi në tetor, megjithëse të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën vazhdimisht për shkelje të armëpushimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, më shumë se 590 palestinezë janë vrarë nga trupat izraelite në territor që nga fillimi i armëpushimit. Izraeli ka thënë se katër nga ushtarët e tij janë vrarë nga militantët palestinezë në të njëjtën periudhë.

  • Oraret dhe agjenda e autobusëve nga komunat për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Oraret dhe agjenda e autobusëve nga komunat për marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    “ Liria ka Emër”, njofton oraret dhe vendet e nisjes së autobusëve nga komunat e Kosovës për pjesëmarrje në marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

    Platforma “Liria ka Emër” thekson se ka koordinuar organizimin e transportit në bashkëpunim me përfaqësues lokalë, me qëllim që çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në marsh të ketë mundësi të sigurt dhe të organizuar për të udhëtuar drejt kryeqytetit.

    Agjenda për secilën komunë, përfshirë vendin e saktë të nisjes dhe orarin përkatës, është e paraqitur më poshtë (bashkëngjitur).

    Qytetarët ftohen që të jenë në vendin e nisjes së paku 15 minuta para orarit të caktuar.

  • Dukagjini dhe Gjilani ndajnë pikët-Prishtina e Re shënon fitore të rëndësishme ndaj Ferizajt

    Dukagjini dhe Gjilani ndajnë pikët-Prishtina e Re shënon fitore të rëndësishme ndaj Ferizajt

    Janë zhvilluar edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së 20-të në Albi Mall Superigës së Kosovës në futboll.

    Dukagjini dhe Gjilani kanë barazuar me rezultat 1:1,në një ndeshje e cila ishte e vështirë sa i përket terrenit.

    Pjesa e parë nuk solli asgjë sa i përket rasteve të krijuara,ndërkohë që në të dytin u shënuan dy gola ku së pari Senad Jarovic realizoi për 1:0 në minutën e 60-të.

    Kur u mendua se ndeshja do t’i takonte mysafirëve në skenë doli Vitor Hugo që barazoi në minutat për 1:1,që në fund doli të jetë rezultati përfundimtar i këtij takimi.

    Në ndeshjen tjetër Prishtina e Re shënoi fitore tejet të rëndësishme ndaj Ferizajt,duke e mposhtur me rezultat minimal 1:0.

    Drilon Fazliu ishte heroi i kryeqytetasve duke shënuar golin e vetëm në këtë ndeshje,që në fund doli të jetë i fitores për Prishtinën e Re.

    Prishtina e Re merr fitore jetike ndaj Ferizajt në luftën për mbijetesë

  • Raphinha rikthehet në fushë për Barcelonën kundër Gironas

    Raphinha rikthehet në fushë për Barcelonën kundër Gironas

    Sulmuesi brazilian Raphina është i gatshëm për ndeshjen kundër Gironas të hënën mbrëma.

    Rikthimi i brazilianit vije në një moment tejet vendimtar për katalunasit,ku aktualisht Barca po kalon në një moment jo të lehtë sidomos pas humbjes 4:0 ndaj Atletico Madridit.

    Përndryshe ky rikthim i Raphinas pritet të jap një motivim shtesë Barcelonës,e sidomos në muajt vendimtar ku Barcelona synon të fitoj trofe,dhe poashtu edhe rikthimi i Pedrit do ta bënte edhe më shumë shpresëdhënëse pjesën e mbetur të sezonit për katalunasit.

    Kujtojmë që Barcelona luan në udhëtim tek Girona të hënën me fillim nga ora 21:00.

  • Manuel Neuer pritet të mungojë për disa javë jashtë fushave për Bayernin

    Manuel Neuer pritet të mungojë për disa javë jashtë fushave për Bayernin

    Gjiganti gjerman Bayern Munich ka marrë një lajm jo të mirë pas ndeshjes kundër Werder Bremenit.

    Portieri dhe kapiteni i bavarezëve Manuel Neuer pritet të mungojë  për disa javë larg fushave të gjelbërta,kjo pasi ka pësuar një çarje të fibrave muskulore në pulpën e majtë gjatë ndeshjes kundër Werder Bremen të shtunën.

    Përndryshe mungesa e Neuer-it pritet të jetë një hendikep për bavarezët,kjo edhe për faktin se skuadra ka hyrë në fazën vendimtare të sezonit ku Bayern lufton në tre fronte,dhe tani bavarezët synojnë që të vendosin në portë Jonas Urbig për sa kohë sa Neuer do të jetë jashtë fushave të gjelbërta.

    Kujtojmë që Manuel Neuer ka bërë 28 ndeshje për Bayern Munich këtë sezon,duke mbajtur 9 herë portën të paprekur.