ATV

Blog

  • Ymeri për qeverinë e re: Janë shtuar ministri pa pasur nevojë

    Ymeri për qeverinë e re: Janë shtuar ministri pa pasur nevojë

    Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar formimin e qeverisë së re duke vënë theksin te zgjerimi i kabinetit dhe mospërputhja me premtimet elektorale të kryeministrit Albin Kurti.

    Sipas Ymerit, gjëja e parë që bie në sy është numri i madh i anëtarëve të qeverisë.

    Ai theksoi se kjo nuk lidhet me nevojën për mbikëqyrje më të madhe të dikastereve, por me qëndrimet e mëhershme të Kurtit për një numër më të vogël ministrish, të cilat ishin të lidhura me dy aspekte kryesore: rritjen e efikasitetit qeveritar dhe zvogëlimin e mundësive për korrupsion.

    “Vetëvendosje ka nisur nga parimi se qytetarëve u duhen më shumë shërbime sociale, pra më shumë gjëra që qeveria i ofron drejtpërdrejt, por kjo nuk nënkupton rritjen e numrit të ministrave dhe pagesën e më shumë pagave,” tha Ymeri në “VV Show”.

    Ai sqaroi se qeveria e re përbëhet nga gjithsej 21 anëtarë, përfshirë kryeministrin, dhe vetëm njëri prej tyre është pa portofol, konkretisht Fitim Damka, ndërsa të gjithë ministrat e tjerë kanë resorte të caktuara.

    Megjithatë, Ymeri vlerësoi se janë bërë edhe disa riorganizime pozitive në strukturën e qeverisë.

    “Mendoj se janë bërë disa riorganizime të mira,” përfundoi ai.

  • Zbulohet koncepti i pamjes së re të “NEWBORN” për 18 vjetorin e Pavarsisë së Kosovës

    Zbulohet koncepti i pamjes së re të “NEWBORN” për 18 vjetorin e Pavarsisë së Kosovës

    Ideatori i monumentit simbolik të pavarësisë NEWBORN, Fisnik Ismajli, ka njoftuar konceptin e ri artistik për përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës.

    Përmes një postimi në rrjete sociale, Ismajli ka shpërndarë një referencë për “Kintsugi”, artin japonez të riparimit të objekteve të thyera me ar, një filozofi që simbolizon shërimin, forcimin dhe vlerën e shtuar pas përballjes me sfida.

    Ky mesazh është interpretuar si një paralajmërim për transformimin e monumentit NEWBORN këtë vit, duke pasqyruar rrugëtimin dhe forcimin e Kosovës përmes vështirësive. Monumenti ndryshon çdo vit për të shënuar pavarësinë, duke përcjellë mesazhe artistike dhe shoqërore.

  • Flet ambasadorja e Shqipërisë në Turqi: Ja si e nxorrëm Eva Dumanin nga “kampi i ferrit”

    Flet ambasadorja e Shqipërisë në Turqi: Ja si e nxorrëm Eva Dumanin nga “kampi i ferrit”

    Blerta Kadzadej, ambasadorja e Shqipërisë në Turqi, ka folur për riatdhesimin e Eva Dumanit pas 12 vitesh nga kampi Al-Hol në Siri.

    Ambasadorja ndau detaje nga operacioni i vështirë për ta nxjerrë të renë, e cila rrinte atje prej 12 vitesh.

    “Ju keni shumë të drejtë, ky ishte një rast njerëzor fundi i një kalvari të gjatë të dy fëmijëve, të cilët duhet të jetonin jetën fëmijërore sic i takon të gjithëve, por që patën një fatkeqësi. Kemi nisur në datën 5 për riatdhesimin e Evës nga Kampi Al-Hol dhe i kemi marrë nga Ministria për Evropën e Jashtme, e cila ishte përgjegjëse. Ky ishte një rast kompleks. Kërkoi bashkëpunimin me shumë institucione dhe me diplomatët e Turqisë. Gjithashtu koordinimi me autoritetet turke, që ishte i përkryer, kërkonte një trajtim më të përmbledhur nga mediatizimi i tepërt dhe nga ana njerëzore.

    Ju e nisët emisionin duke thënë se ajo u fut në Turqi nga kampet e Sirisë. Kryem procedurat dhe protokollet dhe rastet, që të bëhet gjithçka me koordinim, kërkon kohën e duhur dhe trajtimin e duhur nga autoritetet vendore. Ne duhet të respektojmë rregullat e shtetit pritës. Autoritetet turke e kanë bërë pa dyshuar”, tha ambasadorja për Review në Euronews Albania.

  • Shkencëtarët gjejnë një vrimë të kaltër aq të thellë sa nuk mund të arrijnë fundin

    Shkencëtarët gjejnë një vrimë të kaltër aq të thellë sa nuk mund të arrijnë fundin

    Në brigjet e Belizes ndodhet një gropë nënujore aq e thellë sa shkencëtarët nuk janë të sigurt se sa thellë shkon.

    Në Gjirin Chetumal, gropa Taam ja’, një ‘vrimë e kaltër’, ka rezultuar një sfidë për studiuesit që përpiqen të matin thellësinë e saj, transmeton Telegrafi.

    Duke përdorur sonarin për të hartuar vrimën, ata zbuluan se Taam ja’ është afërsisht 274 metra e thellë – por këto matje mund të jenë të pasakta, për shkak të ndryshimeve të temperaturës dhe kripësisë në secilën shtresë uji.

    Zhytësit u dërguan në vrimë, afërsisht 30 metra thellë, dhe zbuluan se muret e vrimës ishin të buta dhe të pabarabarta, përpara se të shndërroheshin në shkëmb më të fortë.

    Pasi ankoruan një varkë mbi hapjen e vrimës, një ekip kërkimor uli një kabllo masive, me gjatësi 500 metra, në vrimë, por nuk ishte mjaftueshëm e gjatë për të arritur në fund.

    Studiuesit vunë re se instrumenti mund të ishte shtyrë anash nga rrymat dhe të ishte hedhur jashtë matjeve, por misteri mbetet: sa e thellë është Taam ja’?

    Pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të matur vrimën me kabllo të gjata, nuk ka pasur një matje përfundimtare të thellësisë së saj.

    Për vite me radhë, vrima e kaltër Sansha Yongle, në Detin e Kinës Jugore, besohej të ishte vrima e kaltër më e thellë në oqean.

    Nëse shkencëtarët mund të matin thellësinë e Taam ja’, ajo mund të zëvendësojë vrimën Sansha Yongle si gropa më e thellë e matur në oqean.

    Besohet se Taam ja’ mund të ketë një rrjet shpellash dhe tunelesh nënujore, duke e bërë matjen e saj edhe më të vështirë.

    Më parë këtë vit, shkencëtarët ishin në gjendje të nxirrnin një bërthamë sedimentesh nga fundi i gropës detare që siguroi një arkiv stuhish 5,700-vjeçar.

    Shtresat e sedimenteve treguan se gjatë gjashtë mijëvjeçarëve të fundit, mesatarisht, midis katër dhe 16 stuhi tropikale kalojnë mbi vrimë për 100 vjet.

    Vrima e madhe e kaltër ndodhet rreth 60 milje larg bregdetit të qytetit të Belizes dhe është pjesë e Koraleve të Belizes, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

    U formua në fund të Epokës së fundit të Akullnajave, kur ujërat e detit që u ngritën përmbytën një sërë shpellash gjigante.

    Mendohet se shpellat u formuan rreth 153,000 vjet më parë dhe u zhytën plotësisht rreth 15,000 vjet më parë.

    Vrima është e populluar nga disa lloje peshkaqenësh, duke përfshirë peshkaqenë të shkëmbinjve të Karaibeve, peshkaqenë kokë-çekiç, peshkaqenë dem dhe peshkaqenë me majë të zezë.

  • 30 ditë kufizime – Mësuesja kosovare e cila po tenton të largoi nxënësit nga telefoni

    30 ditë kufizime – Mësuesja kosovare e cila po tenton të largoi nxënësit nga telefoni

    Së fundmi 30 nxënës në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, morën përsipër edhe një aktivitet tjetër.

    Aktiviteti 30-ditorë, u propozua nga mësuesja e tyre, Arietë Bajrami.

    Qëllimi i tij është përdorimi i duhur i pajisjeve digjitale gjatë qëndrimit në shtëpi.

    “Ky aktivitet ka nisur në klasën time, ku kanë qenë prezentë 30 nxënës e mijë të cilët i quaj edhe bletët punëtore, projekti i tillë quhet 30 ditë për vetëdijesim digjital, qëllimi i këtij projekti është se si ata të mësohen të përdorin në mënyrë të duhur teknologjinë dhe të arrijnë në atë nivel që ata të jenë të vetëdijshëm se si kohë që e kanë shfrytëzuar në teknologji me gjerë të cilat nuk ka qenë produktive ta shndërrojnë në një kohë produktive dhe të arrijnë rezultate më të mira për ta”, thotë mësimdhënësja Arietë Bajrami.

    Mësimdhënësja, ka treguar arsyet se pse aktiviteti e parasheh vetëm kufizimin, e jo ndalimin në tersi të përdorimit të telefonave.

    “Fëmijët janë shumë më të vëmendshëm në klasë, është bëre pak largimi nga harresa nga detyrat e shtëpisë, pastaj po gjejnë edhe ide kreative të cilat mund të bëjnë në shtëpi, poashtu mund të bëjnë gjëra me teknologji që më parë nuk i kanë realizuar”, tregon ajo.

    Projekti që nisi brenda kësaj klasës, shpejt mund të aplikohet edhe në shkollat e tjera të vendit.

    “Tani jemi në procesin e krijimit të pilot projektit pedagogjik i cili synon që synon të përfshi edhe klasat e tjera dhe shkollat e tjera, sigurisht që jemi të hapur për bashkëpunimet që vijnë në këtë rast, pasi gjithë ata që janë të interesuar mund të realizojmë projektin deri në fund. Do të doja që të jetë i strukturuar dhe të ketë efekte të prekshme dhe të matshme që të realizohet edhe në shkollat e tjera”, shprehet Bajrami.

    Ndonëse në shtëpi mund të kenë kufizime të pjesshme në përdorimin e telefonave, kjo pajisje është e ndaluar në shkollë.

    “Telefonat i kanë të ndaluar të përdorin gjatë orëve mësimore, përveç në raste të ndonjë punimi teknologjik, por përgjithësisht është e ndaluar telefoni gjatë orëve mësimore. Të hyrja e derës tek secila klasë është një dollap i vogël i cili është i mbyllur me qelës dhe aty i vendosin telefonat në fillim të procesit mësimore dhe i marrin pas orës së gjashtë”, Albana Zekaj – Kelmendi- kryetare e ciklit të lartë.

    Projekti i nisur për vetëdije digjitale, është mbështetur edhe nga prindërit e nxënësve.

  • Kuvendi sot vazhdon seancën për buxhetin 2026

    Kuvendi sot vazhdon seancën për buxhetin 2026

    Sot vazhdon seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendi i Kosovës, në të cilën do të diskutohet për buxhetin e shtetit.

    Pas diskutimeve me shefat e grupeve parlamentare, të premten, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për buxhetin është shtyrë për sot dhe do të fillojë në orën 10:00.

    Votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë hasi në kundërshtimin e partive opozitare, të cilat kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar dokumentin prej rreth 700 faqesh.

    Deputetët e opozitës kanë deklaruar se duhet ta lexojnë dokumentin për të pasur mundësi të bëjnë propozime konkrete.

    Më pas, Haxhiu i thirri për konsultim shefat e grupeve parlamentare dhe vendosi ta shtyjë seancën.

    Buxheti i propozuar është në vlerë prej 4 miliardë eurosh. Për të hyrë në fuqi si ligj, buxheti duhet të miratohet edhe në lexim të dytë.

  • Brenda pak muajsh funksionalizohet Gjykata Administrative, do të ketë 23 gjyqtarë

    Brenda pak muajsh funksionalizohet Gjykata Administrative, do të ketë 23 gjyqtarë

    Brenda hapësirave të Pallatit të Drejtësisë shumë shpejt do nisë së funksionuari edhe një institucion tjetër gjyqësor, Gjykata Administrative.

    Ligji për këtë gjykatë që do të trajtojë vetëm rastet administrative, ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti dhe parasheh që funksionimi i Gjykatës të nisë jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.

    Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë thënë se janë në fazën përfundimtare të finalizimit të planit për funksionalizimin e kësaj gjykate.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është në fazën përfundimtare të finalizimit të planit për funksionalizimin e Gjykatës Administrative, brenda afateve kohore të parashikuara me ligj, duke u përpjekur që procesi të realizohet sa më shpejt. Plani për funksionalizimin e gjykatës përfshin disa veprime kryesore: Transferimin e gjyqtarëve; Plotësimin e pozicioneve menaxheriale dhe të stafit mbështetës; Transferimin e lëndëve; Miratimin e legjislacionit dytësor; Sigurimin e hapësirave të gjykatës. Përveç këtyre, KGJK ka bërë përgatitjet në kohë për themelimin e Gjykatës Administrative, duke miratuar organogramin e saj, i cili përmban 80 pozita, prej të cilave 23 janë për gjyqtarë. Po ashtu, janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar funksionimin efikas dhe të rregullt të gjykatës. Gjithashtu, ju informojmë se puna në këtë gjykatë do të zhvillohet në objektin e Pallatit të Drejtësisë”.

    Sipas Vullnet Bugqkut, nga Instituti Demokratik i Kosovës, formimi i kësaj gjykate do ta lehtësojë punën për gjykatat e tjera.

    “Marrë për bazë edhe vëllimin e madh të lëndëve që janë mbledh dhe që janë shkaktuar shumë vonesa në departamentin për çështje administrative unë mendoj që themelimi i kësaj Gjykate ka edhe një aspekt pozitiv sa i përket zgjidhjes efikase dhe të shpejtë të rasteve dhe konteksteve të natyrës administrative dhe besoj që kanë me i korrektu më mirë ligjshmërinë e vendimeve dhe veprimeve të organeve administrative në Kosovë”, ka theksuar Vullnet Bugaqku- Hulumtues në KDI pë Dukagjinin.

    Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala shpreson se kjo gjykatë do jetë më efikase në përfundimin e rasteve.

    “Besoj që pasi të fillojë punën Gjykata Administrative do jetë shumë më lehtë edhe për qytetarët edhe lëndët do kryhen në një kohë më të arsyeshme ngase edhe do të zbrasen nga gjykatat themelore që janë departamenti administrativ kështu që shpresoj që do kemi një punë të mbarë për qytetarët që kanë probleme me çështje administrative ngase në këtë gjykatë do themelohen edhe departamentet e veçanta, një ndër to do jetë edhe departamenti i punës që i liron gjykatat”, ka deklaruar Hasan Shala – Ish kryetar i Gjykatës së Apelit.

    Sipas ligjit, Gjykata Administrative do ketë katër departamente – Departamentin Fiskal, për Konteste të Punës, për Skemat Sociale dhe Pensionale si dhe Departamentin e Përgjithshëm.

  • Sot vazhdon seanca për sulmin në “Ibër Lepenc”

    Sot vazhdon seanca për sulmin në “Ibër Lepenc”

    Seanca e lënë në gjysmë vitin e kaluar, në rastin kundër të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër Lepenc do vazhdojë sot.

    Në këtë rast janë tre të akuzuar për sulmin terrorist që ndodhi në nëntor të 2024.

    Jovan Viqentijeviq i cili është i akuzuar për spiunazh, së bashku me vëlluan Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për rrezikim të rendit kushtetues e armëmbajtje pa leje.

    Për veprën e fundit i akuzuar është edhe Igor Dimoviç.

    Pas refuzimit të kërkësës së avokatit të Jovan Viqentijeviq, që të përjashtohet prokurori që hetoi këtë rast, Bekim Kodraliu, seaca e shqyrtimit fillestar është caktuar për të hënën e 16 shkurtit.

    “E di se ndoshta nuk u pëlqen hetimi që unë kam zhvilluar në këtë rast por i njoftojë palët që sulmi terrorist ka qenë sulm profesional, dhe ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur”, ka theksuar Bekim Kodraliu – Prokuror

    Në fillim të këtij viti, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka refuzuar kërkesën e avokatit, për përjashtim nga rasti penal.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”.

    Në seancën që pritet të mbahet nesër, do të lexohet aktakuza ndaj të akuzuarve, e më pas secili ka të drejtë të deklarohet rreth fajësisë nëse e pranon apo jo. Për shpërthimin që ka ndodhur më 29 nëntor të 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut Prokuroria speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë për këtë rast në më 9 dhjetor të 2025 ndaj tre personave.

    Për këtë aktakuzë, ekspertizë është kryer edhe nga Byroja Federale amerikane e Hetimit, FBI, duke dhënë prova të forta që lidhin të akuzuarit me sulmin terrorist.

    Ky ishtë sulmi i dytë terrorist në Kosovë, pas atij që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të 2023.

    Edhe për atë rast tre persona janë duke u gjykuar, por që shumë të tjerë përfshirë edhe kreun e grupit, Milan Radoiciq vazhdojnë të jenë në arrati e të pa kapshëm nga institucionet e drejtësisë.

  • 30 deputetë zviceranë nënshkruajnë rezolutën, kërkohet drejtësi e barazi në Hagë

    30 deputetë zviceranë nënshkruajnë rezolutën, kërkohet drejtësi e barazi në Hagë

    Veprimtari Sali Bislimi, president i OJQ-së “Zëri Perëndimor i Kosovës” (The Western Voice of Kosovo), do të dorëzojë nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë një rezolutë, e cila tri vjet më parë i ishte adresuar Qeverisë zvicerane dhe është nënshkruar nga 30 deputetë të Parlamentit Zviceran.

    KosovaPress ka siguruar rezolutën e nënshkruar nga 30 deputetë zviceran, të cilët nesër prej orës 11:00 do ta dorëzojë veprimtari Sali Bislimi në Gjykatën Speciale.

    Këta deputetë zviceranë që kanë vënë nënshkrimin në këtë rezolutë, kërkohet që kjo gjykatë veprojë me drejtësi, të jetë e paanshme dhe e barabartë.

    Veprimtari Sali Bislimi nesër do të dorëzojë ne Gjykatën Speciale këtë rezolute, ku tri vjet më parë i është adresuar Qeverisë zvicerane, e cila është nënshkruar nga 30 deputetë të Parlamentit Zviceran.

    Këta deputetë janë nga te gjitha partitë politike zvicerane.Rezoluta do të dorëzohet nesër pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Më poshtë Rezoluta me 30 deputetë zviceran të nënshkruar.

  • Rritet numri i rasteve të foshnjave të braktisura në Kosovë

    Rritet numri i rasteve të foshnjave të braktisura në Kosovë

    Të dhënat e Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike e Universitare të vendit, tregojnë që po rriten rastet e foshnjave të braktisura. Vetëm në janar u braktisën tri foshnje përderisa vitin e kaluar pati gjithsejtë 32 braktisje të foshnjave që përfunduan në familjet strehuese.

    Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, për Radio Kosovën tregon për kujdesin ndaj foshnjave të braktisura.

    “Aktualisht në Klinikë i kemi dy foshnja të lëna pa përkujdesje prindërore”, thotë Morina.

    Nga fillimi i këtij viti aty janë regjistruar tri raste ku foshnjat u braktisën.

    “Njëra foshnjë është dërguar në një familje strehuese përmes ndërmjetësimit me Qendrën për Punë Sociale të komunës”, shpjegon ai.

    Si arsye më të shpeshta të braktisjes së foshnjave nga prindërit biologjikë, sidomos nënat, mjekët përmendin të qenit fëmijë jashtëmartesor, varfërinë apo rrethanat e tjera të rënda sociale, neglizhencën prindërore, e në disa raste edhe dhunën në familje.

    Por jo vetëm këto, foshnjat sipas mjekëve po braktisen edhe për shkak të anomalive të lindura apo sëmundjeve të pashërueshme.

    Në këtë situatë për këta fëmijë janë dy adresa strehimi e përkujdesjeje: familjet adoptuese apo familjet strehuese që u ofrojnë kujdes prindëror.

    Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, thotë se aktualisht në kryeqytet janë vetëm tri familje strehuese, ndërsa nevojat janë shumë më të mëdha.

    “Nevojat janë shumë të mëdha për familje strehuese në kryeqytet, sepse kemi fëmijë nga Komuna e Prishtinës që qëndrojnë në komuna të tjera”, thotë Sahiti duke shtuar se “synimi është që këtë cikël ta përmbyllim duke pasur së paku gjashtë familje strehuese në kryeqytet”.

    Fata Rexhepi, nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, shpjegon praktikat e kujdesit që kërkohet të ndiqen në këto lloj familjesh strehuese.

    “Një familje potenciale strehuese, përveç vullnetit, duhet të jetë mbi moshën 25-vjeçare, të ketë zotësi veprimi, të mos jetë e ndjekur penalisht, të ketë hapësirë të mjaftueshme banimi dhe të jetë në gjendje të mirë psikike dhe fizike”.

    Sipas të dhënave të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK vitin e kaluar janë braktisur gjithsej 32 foshnja. Prej tyre, 12 fëmijë janë sistemuar në familje strehuese përmes qendrave për punë sociale, 19 janë ribashkuar me familjet e tyre biologjike, përderisa janë adoptuar 7 të tjerë të braktisur më herët.