ATV

Blog

  • Ky është afati i fundit për aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

    Ky është afati i fundit për aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

    Deri më 9 gusht është afati i fundit për aplikimin për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë (1–9).

    Ministria ka njoftuar të gjithë prindërit dhe kujdestarët se aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur për një periudhë prej dy javësh: 27 korrik – 9 gusht 2026.

    Subvencionimi përfshin blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

    Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit. “Para se të aplikoni, ju lutemi sigurohuni që: – xhirollogaria juaj bankare është aktive dhe e saktë; – të dhënat tuaja në eKosova janë të përditësuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Aplikimi thuhet se do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës.

    “Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkolla të Republikës së Kosovës, Ministria do t’ia dorëzojë Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në eKosova për aplikim.

    1.        https://rks-gov.net/469   –  APLIKIM – (Klasat 1 deri 5)

    2.        https://rks-gov.net/471   –  APLIKIM – (Klasat 6 deri 9)

  • Zjarret në Washington detyrojnë 65 mijë persona të evakuohen

    Zjarret në Washington detyrojnë 65 mijë persona të evakuohen

    Zjarret e mëdha që kanë përfshirë zonën e Spokane në shtetin amerikan të Washingtonit kanë detyruar rreth 65 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mbi 700 objekte janë shkatërruar.

    Autoritetet kanë angazhuar më shumë se 1 mijë zjarrfikës, por flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Një 37-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa thatësira, temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarreve, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike po e bëjnë sezonin e zjarreve në perëndim të SHBA-së gjithnjë e më të gjatë dhe më shkatërrues.

  • Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë sot një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.

    Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    “Po, në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se 6 gushti duhet t’i gjejë partitë e përgatitura për formim të institucioneve.

    “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.

    Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës së re.

    Por para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Kurti, ka nisur përpjekjet për të krijuar një dakordim mes subjekteve politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

    Ai ka ftuar në takim liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me synimin për të diskutuar mundësinë e arritjes së një konsensusi për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

    LDK pranoi ftesën e Kurtit

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur për liderët politikë.

    Prania e LDK-së në këtë takim shihet si një mundësi për të zhvilluar diskutime mes partive për hapat e ardhshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.

    PDK refuzoi pjesëmarrjen

    Ndryshe nga LDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

    Në përgjigjen e tij ndaj ftesës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka rikonfirmuar qëndrimin e kësaj partie se në rrethanat aktuale do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

    Hamza ka thënë se pret që Vetëvendosje, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend, të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

    AAK nuk merr pjesë në takim

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga Kurti.

    AAK, njësoj sikurse PDK, ka mbajtur qëndrimin se do të vazhdojë të veprojë nga opozita, duke mos u përfshirë në përpjekjet për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

    Ftesa e Kurtit për partitë politike vjen në një kohë kur pritet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një hap i domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

  • Zyrtare: Pochettino rinovon me SHBA-në, do ta drejtojë kombëtaren deri në Botërorin 2030

    Zyrtare: Pochettino rinovon me SHBA-në, do ta drejtojë kombëtaren deri në Botërorin 2030

    Mauricio Pochettino do të vazhdojë të jetë në krye të përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe për katër vitet e ardhshme. Federata Amerikane e Futbollit ka konfirmuar se trajneri argjentinas ka nënshkruar një kontratë të re, e cila e mban në detyrë deri pas përfundimit të Kupës së Botës 2030.

    Vendimi vjen pas paraqitjes së SHBA-së në Botërorin 2026, turne që u zhvillua në tokën amerikane, ku skuadra e drejtuar nga Pochettino arriti deri në fazën e 1/16-ës së finales.

    54-vjeçari mori drejtimin e kombëtares në vitin 2024, menjëherë pas largimit nga Chelsea, me objektivin për të ndërtuar një ekip konkurrues për Botërorin e organizuar në shtëpi. Paraqitjet dhe progresi i ekipit kanë bindur drejtuesit e federatës që t’i besojnë vazhdimësinë e projektit.

    “Duke punuar me Mauricion dhe stafin e tij gjatë dy viteve të fundit, kemi parë një vizion të qartë dhe një potencial të madh për zhvillimin e futbollit amerikan. Besojmë se ky projekt do të vazhdojë ta çojë përpara kombëtaren tonë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i U.S. Soccer, JT Batson.

    Nën drejtimin e Pochettinos, SHBA-ja përfundoi në krye të grupit në Botërorin 2026, duke lënë pas Australinë, Paraguajin dhe Turqinë. Me gjashtë pikë të grumbulluara, amerikanët regjistruan paraqitjen e tyre më të mirë ndonjëherë në fazën e grupeve të një Kampionati Botëror.

    Më pas eliminuan Bosnjën në fazën e 1/32-ës, por aventura e tyre mori fund në raundin pasues pas humbjes 4-1 ndaj Belgjikës, rezultat që i dha fund ëndrrës për një ecuri më të gjatë para tifozëve vendas.

    Edhe vetë Pochettino shprehu entuziazmin për vazhdimin e bashkëpunimit, duke theksuar se përvoja e fituar gjatë dy viteve të fundit dhe mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve e kanë bindur se futbolli amerikan ka potencial të madh për t’u zhvilluar edhe më tej.

  • Zyrtare: Armend Dallku rikthehet në krye të Dukagjinit

    Zyrtare: Armend Dallku rikthehet në krye të Dukagjinit

    KF Dukagjini ka konfirmuar rikthimin e Armend Dallkut në postin e kryetrajnerit, duke i besuar edhe një herë drejtimin e skuadrës nga Klina.

    Klubi bardhekaltër ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me ish-trajnerin e tij, i cili nis një tjetër kapitull në pankinën e Dukagjinit me synimin për të vazhduar projektin sportiv dhe për të çuar ekipin drejt objektivave të reja.

    Dallku është një nga emrat më të respektuar të futbollit kosovar dhe e njeh mirë ambientin e klubit, pasi edhe më parë ka drejtuar Dukagjinin. Drejtuesit e klubit besojnë se përvoja, profesionalizmi dhe aftësitë e tij do të jenë vendimtare në konsolidimin e skuadrës dhe në arritjen e rezultateve të synuara.

    Bashkë me Dallkun është prezantuar edhe stafi teknik që do ta shoqërojë në këtë aventurë të re. Artan Luzi dhe Agon Ramadani do të ushtrojnë detyrën e ndihmëstrajnerëve, ndërsa Rinor Xhemaj do të jetë përgjegjës për përgatitjen e portierëve.

    Me këtë strukturë teknike, Dukagjini synon të krijojë stabilitet dhe vazhdimësi në punë, duke ndërtuar një skuadër konkurruese për sfidat e sezonit të ri.

    Në fund të njoftimit, klubi i ka uruar mirëseardhje Armend Dallkut dhe stafit të tij, duke shprehur besimin se rikthimi i tyre do të shënojë fillimin e një periudhe të suksesshme për ekipin nga Klina.

  • Zyrtare: Chelsea transferon Jordan Hendersonin, firmos kontratë dyvjeçare

    Zyrtare: Chelsea transferon Jordan Hendersonin, firmos kontratë dyvjeçare

    Chelsea ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit me përvojë Jordan Henderson, i cili do të jetë pjesë e skuadrës londineze për dy sezonet e ardhshme.

    36-vjeçari i bashkohet “Bluve” si lojtar i lirë, pasi arriti marrëveshje me Brentfordin për ndërprerjen e kontratës me pëlqim të dyanshëm, edhe pse kishte ende një vit të mbetur në marrëveshjen e tij.

    Afrimi i ish-kapitenit të Liverpoolit ishte një kërkesë e trajnerit të ri të Chelseat, Xabi Alonso, i cili synon t’i shtojë skuadrës më shumë eksperiencë, personalitet dhe mentalitet fitues në prag të sezonit të ri.

    Henderson sjell me vete një karrierë të jashtëzakonshme, të mbushur me suksese. Gjatë viteve te Liverpooli ai fitoi tetë trofe madhorë, mes tyre titullin e Premier League dhe trofeun e Ligës së Kampionëve, duke u shndërruar në një nga liderët më të rëndësishëm të klubit anglez.

    Sezonin e kaluar, mesfushori anglez ishte pjesë e Brentfordit, ku regjistroi 34 paraqitje në të gjitha garat, duke kontribuar me një gol dhe tri asistime.

    Me transferimin e Hendersonit, Chelsea synon të forcojë repartin e mesfushës me një futbollist që ofron përvojë, qetësi dhe cilësi drejtuese, ndërsa Xabi Alonso beson se anglezi do të ketë një rol kyç në ndërtimin e projektit të ri të klubit nga “Stamford Bridge”.

  • Drita mëson rivalin e mundshëm në play-off, synon një tjetër histori evropiane

    Drita mëson rivalin e mundshëm në play-off, synon një tjetër histori evropiane

    Drita tashmë e di se kë mund ta ketë përballë në rast se siguron kalimin në fazën e play-offit të Ligës së Konferencës. Kampionia e Kosovës do të përballet me fituesin e çiftit mes Flora Tallinn nga Estonia dhe Inter Escaldes nga Andorra.

    Skuadra nga Gjilani ka mbetur shpresa e vetme e futbollit kosovar në garat evropiane këtë edicion, pasi Ballkani, Malisheva dhe Dukagjini u eliminuan në raundin e dytë kualifikues.

    Megjithatë, para se të mendojë për play-offin, Dritën e pret një tjetër sfidë e rëndësishme. Kampionët e Kosovës do të ndeshen me Tre Fiorin e San Marinos në raundin e tretë kualifikues, ndërsa vetëm një kualifikim do t’i çojë përballë fituesit të duelit Flora Tallinn – Inter Escaldes.

    Drita ka krijuar tashmë një emër në arenën evropiane, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve në dy sezonet e fundit. Objektivi mbetet i njëjtë edhe këtë edicion, ndonëse skuadra do ta ndjekë këtë rrugëtim me një ndryshim të rëndësishëm në pankinë, pas largimit të trajnerit Zekirija Ramadani.

    Ndeshja e parë ndaj Tre Fiorit do të zhvillohet të enjten e ardhshme, ndërsa takimi i kthimit është planifikuar për një javë më vonë. Vetëm pas këtij dueli do të mësohet nëse Drita do të ketë mundësinë të luftojë për një tjetër kualifikim historik në fazën e grupeve.

  • Dukagjini ndahet me Arsim Thaçin, pritet rikthimi i Armend Dallkut

    Dukagjini ndahet me Arsim Thaçin, pritet rikthimi i Armend Dallkut

    KF Dukagjini ka konfirmuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Arsim Thaçi, duke i dhënë fund një periudhe të suksesshme që kulmoi me fitimin e Kupës së Kosovës.

    Nën drejtimin e Thaçit, skuadra nga Klina shkroi një nga faqet më të rëndësishme të historisë së saj, duke triumfuar në finalen e Kupës ndaj Ferizajt dhe duke siguruar një vend në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Megjithatë, aventura evropiane përfundoi shpejt, pasi Dukagjini u përball me një kundërshtar të fortë si Lugano, që e eliminoi në raundin e dytë kualifikues.

    Përmes një komunikate zyrtare, klubi bëri të ditur se ndarja me trajnerin është bërë me marrëveshje të dyanshme. Bashkë me Thaçin largohen edhe ndihmëstrajnerët Valmir Bytyqi, Ahmet Haliti dhe Lekë Termkolli.

    “Drejtuesit e klubit shprehin mirënjohjen më të thellë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e stafit teknik gjatë periudhës së bashkëpunimit, duke vlerësuar rolin e tyre në sukseset e arritura nga skuadra.”

    Në fund të njoftimit, Dukagjini i ka falënderuar trajnerët për punën e bërë dhe u ka uruar suksese në vazhdimin e karrierës së tyre, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal.

    Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit, drejtimin e skuadrës pritet ta marrë Armend Dallku. Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës e njeh mirë ambientin e klubit, pasi edhe më parë ka qenë në krye të pankinës së Dukagjinit.

  • Transferimi i Dakut te Spartaku ndez polemika, grupi ultras del publikisht kundër afrimit të sulmuesit shqiptar

    Transferimi i Dakut te Spartaku ndez polemika, grupi ultras del publikisht kundër afrimit të sulmuesit shqiptar

    Kalimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska ka ngjallur polemika të mëdha në Rusi, madje ende pa u zyrtarizuar marrëveshja mes palëve.

    Grupi ultras i Spartakut, “Crazy North”, ka reaguar publikisht kundër transferimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, duke publikuar në rrjetet sociale një deklaratë dhe një pankartë me mesazhe fyese të drejtuara ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

    Në postimin e publikuar në kanalin e tyre në Telegram, tifozët shprehin kundërshtimin e plotë ndaj afrimit të Dakut, duke deklaruar se mbështesin popullin serb dhe duke përdorur gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

    Reagimi i tyre u shoqërua edhe me një pankartë që përmbante një mesazh ofendues kundër shqiptarëve, duke shkaktuar reagime të shumta në opinion.

    Megjithatë, kundërshtimi i një pjese të tifozëve nuk pritet ta pengojë realizimin e transferimit. Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska dhe Mirlind Daku kanë arritur marrëveshje për kushtet personale, ndërsa zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë në ditët në vijim.

    Sulmuesi 28-vjeçar pritet t’i japë fund aventurës së tij te Rubin Kazan, ku kaloi një periudhë shumë të suksesshme. Gjatë qëndrimit me klubin rus, Daku zhvilloi 93 ndeshje dhe realizoi 38 gola, duke u konfirmuar si një nga sulmuesit më efikas të kampionatit rus.

  • Rrudhani dhe Imeri shkëlqejnë në Zvicër, përfshihen në formacionin ideal të javës

    Rrudhani dhe Imeri shkëlqejnë në Zvicër, përfshihen në formacionin ideal të javës

    Paraqitjet mbresëlënëse të Donat Rrudhanit dhe Kastriot Imerit nuk kanë kaluar pa u vënë re. Dy futbollistët shqiptarë janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit zviceran, pas performancave vendimtare me skuadrat e tyre.

    Donat Rrudhani ishte një nga protagonistët në fitoren bindëse 3-0 të Sionit ndaj Luzernit, duke gjetur rrugën e rrjetës dhe duke konfirmuar rikthimin e tij në formën më të mirë. Mesfushori po kalon një fillim premtues sezoni dhe synon që me paraqitjet e tij të bindë përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, për një rikthim në kombëtare.

    Edhe Kastriot Imeri vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Young Boys. Mesfushori realizoi gol ndaj ish-skuadrës së tij, Thun, në triumfin spektakolar 6-0 të kampionëve zviceranë. Goli ndaj klubit ku festoi titullin sezonin e kaluar e bëri edhe më të veçantë paraqitjen e tij.

    Falë këtyre performancave të nivelit të lartë, Rrudhani dhe Imeri janë përfshirë në formacionin ideal të javës në Superligën zvicerane, sipas vlerësimeve të platformës së specializuar SofaScore.