ATV

Blog

  • Kosova shkëlqen në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, fiton nëntë medalje në Tiranë

    Kosova shkëlqen në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, fiton nëntë medalje në Tiranë

    Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka regjistruar një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke fituar gjithsej nëntë medalje në Kampionatin Ballkanik për Seniorë, i cili u mbajt në Tiranë të Shqipërisë.

    Xhudistët kosovarë zhvilluan paraqitje mbresëlënëse, duke siguruar pesë medalje të arta, tri të argjendta dhe një të bronztë, çka e renditi Kosovën ndër ekipet më të suksesshme të turneut.

    Përveç medalistëve, paraqitje të mira patën edhe Arba Hasanaj në kategorinë deri në 70 kilogramë dhe Andi Reshitaj në kategorinë deri në 66 kilogramë, të cilët e përfunduan garën në vendin e pestë.

    Ekipi i Kosovës u drejtua nga trajnerët Majlinda Kelmendi, Fatos Tabaku dhe Kushtrim Gashi, ndërsa drejtësinë në tatami e ndau gjyqtari ndërkombëtar Zymer Zeka.

    Në Kampionatin Ballkanik ishte i pranishëm edhe Driton Kuka, në cilësinë e delegatit të Federatës Ballkanike të Xhudos (BJA).

    Ky sukses konfirmon edhe një herë nivelin e lartë të xhudos kosovare, e cila vazhdon të korrë rezultate të rëndësishme në garat ndërkombëtare.

    Medalistët e Kosovës në Kampionatin Ballkanik:

    • Erza Muminoviq – 48 kg
    • Laurina Gashi – 52 kg
    • Flaka Loxha – 57 kg
    • Elvira Ukaj – 70 kg
    • Dardan Cena – 73 kg
    • Fatjona Kasapi – 52 kg
    • Enise Zijade – 57 kg
    • Shpati Zekaj – 100 kg
    • Furkan Kelmendi – 60 kg
  • Milani synon rikthimin e Brahim Diazit, ndërsa e ardhmja e Leaos mbetet e paqartë

    Milani synon rikthimin e Brahim Diazit, ndërsa e ardhmja e Leaos mbetet e paqartë

    Milani po kërkon të përforcojë repartin ofensiv, ndërsa po përgatitet për një ndryshim të mundshëm në skuadër në rast të largimit të Rafael Leaos.

    Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, “Rossonerët” e kanë vendosur mesfushorin ofensiv të Real Madridit, Brahim Diaz, në krye të listës së objektivave për të forcuar repartin e krijimit të lojës.

    Klubi kuqezi humbi garën për talentin grek Konstantinos Karetsas, i cili u transferua nga Genk te Borussia Dortmundi për 33 milionë euro. Si pasojë, drejtuesit e Milanit kanë zhvendosur vëmendjen te alternativa të tjera.

    Përveç Brahim Diazit, Milani po monitoron edhe talentin e Arsenalit, Ethan Nwaneri, si dhe mesfushorin ofensiv të Romës, Matias Soulé.

    Një rikthim i Diazit në “San Siro” do të shënonte një ribashkim me klubin ku ai la gjurmë gjatë periudhës 2020–2023. Gjatë huazimit te Milani, reprezentuesi i Marokut zhvilloi 124 ndeshje, shënoi 18 gola dhe regjistroi 15 asistime, duke kontribuar në fitimin e titullit të Serie A në sezonin 2021/22.

    Kontrata e Brahim Diazit me Real Madridin është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Për shërbimet e tij kishte shfaqur interes edhe Juventusi, por klubi torinez më pas ndryshoi objektiv, duke u fokusuar te Karim Alajbegovic i Bayer Leverkusenit.

    Ndërkohë, çështja më e rëndësishme për Milanin mbetet e ardhmja e Rafael Leaos. Sulmuesi portugez ka lënë të kuptohet se aventura e tij shtatëvjeçare në “San Siro” mund të jetë drejt fundit.

    Fillimisht, Leao preferonte një transferim në Ligën Premier ose në La Liga, por mungesa e ofertave konkrete nga këto kampionate e ka shtyrë të shqyrtojë edhe opsione të tjera.

    Sipas raportimeve, Galatasaray është klubi më i interesuar për transferimin e portugezit. Kampioni i Turqisë pritet të bëjë një ofertë, duke shpresuar të përfitojë edhe nga fakti se sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.

  • Polemika në UFC Beograd: Bogdan Grad mposht Buzukjan pas një ndërprerjeje të diskutueshme

    Polemika në UFC Beograd: Bogdan Grad mposht Buzukjan pas një ndërprerjeje të diskutueshme

    Një fund dramatik dhe i diskutueshëm shoqëroi duelin në UFC Beograd, ku Bogdan Grad u shpall fitues ndaj Dennis Buzukjas pas një vendimi që shkaktoi reagime të shumta. Luftëtari shqiptar kundërshtoi menjëherë ndërprerjen e ndeshjes, duke këmbëngulur se nuk kishte dhënë dorëzim.

    Të dy luftëtarët hynë në oktagon në kërkim të rikthimit te fitoret, pas një serie rezultatesh negative në UFC. Grad kishte një bilanc prej 1-2, ndërsa Buzukja 1-4, me të dy që vinin pas dy humbjeve radhazi.

    Buzukja e nisi më mirë duelin në këmbë, duke goditur me disa kombinime të sakta. Megjithatë, Grad e bëri të qartë strategjinë e tij, duke kërkuar vazhdimisht ta zhvendoste luftën në tokë. Ai realizoi një rrëzim të hershëm, por nuk arriti ta mbante gjatë kundërshtarin në dysheme.

    Pas rikthimit në këmbë, lufta u zhvillua me ritëm të lartë. Grad ushtroi presion të vazhdueshëm dhe kërkoi kombinime goditjesh, ndërsa Buzukja u përgjigj me goditje të pastra, veçanërisht me shkelma në këmbë dhe goditje në trup.

    Një tjetër tentativë për rrëzim nga Grad u neutralizua fillimisht, por ai arriti ta rrëzonte sërish Buzukjan dhe mori kontrollin në tokë. Më pas tentoi ta detyronte kundërshtarin të dorëzohej, ndërsa Buzukja u mbrojt dhe riktheu pozicionin në gjysmë-gardë.

    Raundi i dytë nisi me Gradin që vazhdoi të kërkonte kontrollin pranë kafazit, por kësaj radhe Buzukja u mbrojt më mirë dhe arriti ta kthente luftën në qendër të oktagonit.

    Momenti vendimtar erdhi pak më vonë, kur gjyqtari ndërpreu duelin, duke vlerësuar se Buzukja kishte sinjalizuar dorëzim me “tap-out”.

    Luftëtari shqiptar reagoi menjëherë ndaj vendimit, duke pretenduar se nuk kishte bërë asnjë shenjë dorëzimi.

    Pamjet e përsëritura ngritën dyshime se lëvizja e dorës së Buzukjas mund të ishte keqinterpretuar si “tap”, ndërsa ai në fakt po përpiqej të shtynte gjurin e kundërshtarit dhe të përmirësonte pozicionin e tij.

    Pavarësisht polemikave, vendimi nuk u ndryshua dhe Bogdan Grad u shpall fitues i duelit me dorëzim teknik.

  • Hansi Flick pranon se Barcelona do ta ndiejë mungesën e Rashfordit

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se skuadra do ta ndiejë mungesën e Marcus Rashfordit, pasi klubi vendosi të mos e bëjë të përhershëm transferimin e sulmuesit anglez nga Manchester United.

    Pas ndeshjes miqësore parasezonale ndaj Birmingham Cityt, Flick vlerësoi lart kontributin e Rashfordit, edhe pse Barcelona zgjodhi të mos aktivizojë opsionin e blerjes, i cili kapte vlerën e rreth 30 milionë eurove.

    Në vend të Rashfordit, klubi katalanas investoi rreth 70 milionë euro për transferimin e Anthony Gordon nga Newcastle United.

    “Marcus është një lojtar fantastik dhe një person i mrekullueshëm. Ekipi do ta ndiejë mungesën e tij, ashtu si edhe unë”, deklaroi Flick pas ndeshjes.

    Gjatë periudhës së tij te Barcelona, Rashford zhvilloi 49 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 14 gola dhe duke regjistruar 11 asistime, përpara se të rikthehej te Manchester United pas përfundimit të huazimit.

    Pas largimit nga klubi katalanas, sulmuesi 28-vjeçar publikoi një mesazh lamtumire në rrjetet sociale, ku falënderoi Barcelonën dhe tifozët për mbështetjen që mori gjatë kohës së kaluar në “Camp Nou”.

  • Rodra zbulon shifrat: Real Madridi pranë transferimit të Diomandes, përparojnë edhe bisedimet për Rodrin

    Rodra zbulon shifrat: Real Madridi pranë transferimit të Diomandes, përparojnë edhe bisedimet për Rodrin

    Gazetari i njohur sportiv, Rodra, ka zbuluar detajet financiare të transferimit të mundshëm të sulmuesit të RB Leipzigut, Yan Diomande, te Real Madridi.

    Sipas tij, kampionët e Evropës do të paguajnë 122 milionë euro si shumë fikse për kartonin e lojtarit. Marrëveshja parashikon edhe 10 milionë euro bonuse të lidhura me performancën, duke e çuar vlerën totale të transferimit në 132 milionë euro.

    Rodra bën të ditur gjithashtu se kanë përparuar ndjeshëm edhe negociatat mes Real Madridit dhe Manchester Cityt për transferimin e mesfushorit spanjoll, Rodri.

    Sipas raportimit, marrëveshja pritet të kushtojë rreth 65 milionë euro, por do të finalizohet vetëm pasi Manchester City të sigurojë zëvendësuesin e Rodrit, Ayyoub Bouaddi.

    Sa i përket të ardhmes së Vinicius Juniorit, bisedimet për rinovimin e kontratës vazhdojnë dhe ende nuk është arritur një marrëveshje mes palëve.

  • UEFA:Gianni Infantino ka hartuar një plan të tmerrshëm që nuk mund të vazhdohet

    UEFA:Gianni Infantino ka hartuar një plan të tmerrshëm që nuk mund të vazhdohet

    UEFA ka bërë reagim pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi tërheqjen e projektit të diskutueshëm “FIFA Forward Enterprise”, i cili parashihte shitjen e një pjese të aksioneve të garave të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, tek investitorët privatë.

    Në një deklaratë zyrtare, shtëpia evropiane e futbollit e mirëpriti vendimin e FIFA-s, por njëkohësisht theksoi se udhëheqja aktuale e organizatës ka humbur besimin e UEFA-s dhe të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit.

    “UEFA mirëpret vendimin e FIFA-s për të tërhequr planin e saj për të shitur aksione në garat e saj, përfshirë Kupën e Botës, tek investitorët privatë. Propozimi u refuzua unanimisht nga federatat anëtare të UEFA-s, si dhe nga shumë federata dhe konfederata të tjera në mbarë botën, misioni i të cilave është mbrojtja e futbollit”, thuhet në deklaratë.

    UEFA falënderoi tifozët, ligat, klubet, lojtarët, federatat, konfederatat, si dhe drejtues të shteteve dhe figura publike që kundërshtuan planin, duke theksuar se “futbolli nuk është në shitje”.

    Sipas UEFA-s, nuk mund të pranohen më iniciativa të hartuara në mënyrë të fshehtë dhe të shtyra për miratim përmes procedurave të përshpejtuara.

    “Nuk mund të vazhdojmë kështu, me plane sekrete të hartuara nga individë anonimë, përfitimi i të cilave për futbollin është, në rastin më të mirë, i dyshimtë. Duhet të zbulojmë se kush është përgjegjës dhe t’i mbajmë ata njerëz përgjegjës”, vijon deklarata.

    UEFA njoftoi se në ditët dhe javët e ardhshme do të zhvillojë konsultime me federatat e saj anëtare dhe konfederatat e tjera për të analizuar mënyrën se si lindi ky projekt dhe për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme.

    Në deklaratë rikujtohen edhe premtimet që Gianni Infantino kishte bërë në vitin 2016, kur kandidoi për president të FIFA-s, duke premtuar transparencë dhe përdorimin e fondeve të organizatës vetëm për zhvillimin e futbollit.

    Sipas UEFA-s, këto premtime nuk janë mbajtur.

    “Plani i fshehtë dhe jo transparent që u përpoq të shtynte përpara ishte gjithçka, përveçse transparent. Me rezerva që tejkalojnë 5 miliardë dollarë, FIFA nuk ka arritur t’i përdorë këto fonde për të mirën e futbollit”, thekson UEFA.

    Në fund, organizata evropiane bëri të ditur se do të punojë me partnerët e saj për të propozuar një model të ri të shpërndarjes së fondeve përmes programit ekzistues FIFA Forward, duke kërkuar që rezervat financiare të FIFA-s të përdoren për zhvillimin e futbollit bazë në të 211 federatat anëtare.

    “Kjo është një fitore për të gjithë futbollin. Megjithatë, kjo nuk duhet të jetë fundi i historisë. Plani është tërhequr, por rindërtimi i besimit te FIFA sapo ka filluar”, përfundon deklarata e UEFA-s.

  • Jose Mourinho kërkon me ngulm një qendërmbrojtës të nivelit botëror për Real Madridin

    Jose Mourinho kërkon me ngulm një qendërmbrojtës të nivelit botëror për Real Madridin

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, po i bën presion drejtuesve të klubit që të transferojnë një qendërmbrojtës të nivelit botëror gjatë afatit kalimtar të verës, raporton gazeta Marca.

    Teksa skuadra po përgatitet për miqësoren e parë të fazës përgatitore ndaj Fiorentinës, Mourinho po përballet me mungesa të shumta në repartin defensiv.

    Blerja e re, Ibrahima Konate, ndodhet ende me pushime, ndërsa Eder Militao, Antonio Rudiger, Dean Huijsen dhe Raul Asencio nuk janë në dispozicion për shkak të lëndimeve ose mungesës së formës së duhur fizike.

    Për këtë arsye, tekniku portugez e konsideron të domosdoshëm afrimin e një mbrojtësi qendror me përvojë dhe cilësi të larta, në mënyrë që skuadra të jetë konkurruese në të gjitha garat gjatë sezonit të ri.

  • Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Dyshimet për varrezë masive, Kurti: Gërmimet do të vazhdojnë me muaj, eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qëndruar sot në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, aty ku kryhen gërmime me dyshimet për varrezë masive.

    Kurti theksoi se gërmimet mund të vazhdojnë ndoshta edhe me muaj, pasi eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi.

    “Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas përfundimit të luftës, e vërteta që u përpoqën ta heshtin e zhdukin, bërtet dhe sa ishim ne aty u zbuluan edhe disa kocka të reja meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, ka thënë Kurti.

    Ai falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, ekspertët e forenzinkës, antropologët dhe përfaqësuesit e EULEX-it për punën që po e bëjnë, ndërsa tha se e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit të Kosovës.

    “…E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë, shtetit në mënyrë që ankthi, vuajta e familjeve të cilët ende i kanë më të dashurit e tyre të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë të marr fund edhe për këto familje, për të cilat ende nuk ka përfunduar lufta dhe më në fund të munden që në paqe dhe të qetë të kenë varre të dinjitetshme për ata që u vranë në pranverën e 1999 vetëm për shkak të identitetit të tyre kombëtar shqiptar”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

    Kryeministri tutje theksoi se duhet të priten analizat e ADN-së, por sipas tij me shumë gjasë bëhet fjalë për shqiptarët e njohur si Grupi i Intelektualëve, ku 23 persona më 19 prill u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat e Serbisë.

    “… u rrëmbyen, u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, të cilët nuk u mjaftuan me këtë krim mizor por u orvaten që t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre, andaj në këtë vend që po e shihni se deri tek varreza masive nuk arrihet me veturë ta varrosin të vërteten e tyre si ekzekutorë të një projekti gjenocidal që synonte shfarosjen e shqiptarëve”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri në detyrë tha më tej se gërmimet do të vazhdojnë me javë, ndoshta edhe për shumë muaj meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe buzë një përroi. /Telegrafi/

  • Kurti i bën thirrje ShBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës

    Kurti i bën thirrje ShBA-së dhe BE-së: Serbia të deklasifikojë dokumentacionin e krimeve të luftës

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës në Kosovë.

    Gjatë vizitës në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion të dyshuar si varrezë masive, Kurti tha se, në vend që Beogradi të hapë arkivat, po arreston persona që vite më parë kishin dëshmuar për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

    Sipas tij, në Serbi po arrestohen njerëz nën akuza për spiunazh vetëm pse para dy dekadash kishin informuar UNMIK-un dhe organizata të tjera ndërkombëtare për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

    Kurti përmendi edhe dosjen e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se lidhet me masakrat e kryera në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

    “Dosja e Brigadës së Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, është klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada. Sipas Beogradit, ajo nuk mund të hapet deri në vitin 2044. Ne nuk mund të presim edhe 18 vjet që të zbardhet e vërteta”, deklaroi ai.

    Kurti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të angazhohen për deklasifikimin e këtyre dokumenteve, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “I bëjmë thirrje edhe një herë ndërkombëtarëve, SHBA-së dhe BE-së, që këto dokumentacione të klasifikuara të deklasifikohen, të zbardhet e vërteta, në mënyrë që familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit dhe dhimbjes dhe të kenë mundësi t’i varrosin me dinjitet më të dashurit e tyre”, ka deklaruar Kurti.

  • Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin Potok

    Prokuroria Speciale: Ende herët të flitet për rezultate të sakta nga gërmimet në Zubin Potok

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, ka deklaruar se gërmimet që po zhvillohen në Zubin Potok janë pjesë e një procesi të ndjeshëm hetimor për kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga mediat të shmangin raportimet e pakonfirmuara, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se rasti është ende në fazën e hetimeve dhe se veprimet e deritanishme janë rezultat i një pune disa vjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

    “Në lidhje me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’ju them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve. Kjo është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i një pune hetimore disa vjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Deri më tani janë bërë mbi 10 urdhra për zhvarrosje, krejt kjo në kuadër të këtyre veprimeve hetimore pra që janë ndërmarrë. Ajo çfarë mund të them gjithashtu dhe të theksoj është se nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor”, u shpreh Luta.

    E pyetur për raportimet lidhur me numrin e mbetjeve mortore që pretendohet se janë gjetur në lokacion, Luta tha se është ende herët për të konfirmuar shifra.

    “Dëshirojmë, ju lusim për mirëkuptim dhe për shmangje të çfarëdo raportimi të pakonfirmuar nga institucionet kompetente. Ende është herët të flitet në këtë fazë me numra, pra duhet të presim të gjitha verifikimet dhe analizat e nevojshme për të ardhur deri te një rezultat i tillë. Në momentin që do të kemi të drejtë pra nga aspekti ligjor të japim informacione, publiku, ju mediat do të keni qasje që të keni informacione në gjithë procesin hetimor. Por deri në këtë fazë kërkojmë mirëkuptim, pra me qëllimin krejt kjo që të mbrohet integriteti i procesit hetimor, të presim një rezultat, gjithashtu edhe në nderim të dinjitetit të viktimave dhe familjarëve të tyre”.