ATV

Blog

  • Legjenda e Spartakut mbron Dakun: Është futboll, jo politikë

    Legjenda e Spartakut mbron Dakun: Është futboll, jo politikë

    Transferimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Rusi, ndërsa reagimet rreth sulmuesit shqiptar nuk kanë munguar.

    Pak ditë më parë, grupi i tifozëve “Crazy North” doli publikisht kundër afrimit të 28-vjeçarit nga Rubin Kazani, duke publikuar një deklaratë me gjuhë fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

    Në mbrojtje të Dakut ka dalë ish-futbollisti dhe legjenda e Spartakut, Andrei Tikhonov, i cili u bëri thirrje tifozëve që ta ndajnë futbollin nga politika dhe të shohin vetëm aspektin sportiv të transferimit.

    “Spartaku ka nevojë për një sulmues. Ai do të marrë pagën e tij dhe për të është një mundësi e madhe të luajë për një klub si Spartaku. Është futboll, vëlla”, u shpreh Tikhonov në një intervistë për kanalin në YouTube.

    Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska ka arritur marrëveshje me Dakun për kushtet personale dhe zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë së shpejti.

    Sulmuesi shqiptar pritet ta mbyllë aventurën te Rubin Kazani pas dy sezoneve të suksesshme, gjatë të cilave regjistroi 38 gola në 93 ndeshje, duke u renditur ndër sulmuesit më efikas të kampionatit rus.

    Edhe pse një pjesë e tifozëve vazhdon ta kundërshtojë afrimin e tij, drejtuesit e Spartakut e shohin Dakun si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes duket vetëm çështje kohe.

  • Infantino humb mbështetjen, por disa shtete vazhdojnë ta përkrahin për një mandat të ri në FIFA

    Infantino humb mbështetjen, por disa shtete vazhdojnë ta përkrahin për një mandat të ri në FIFA

    Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po rritet dita-ditës, ndërsa mbështetja për rizgjedhjen e tij po zbehet pas kritikave të shumta ndaj drejtimit të organizatës.

    Kontestimet u intensifikuan pas dështimit të planit të Infantinos për të shitur pjesë të të drejtave komerciale të turneve madhore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, te investitorë privatë – një ide që hasi në kundërshtime të forta nga komuniteti i futbollit.

    UEFA ka bërë të ditur se ka humbur besimin te 56-vjeçari, i cili drejton FIFA-n që nga viti 2016. Të njëjtin qëndrim e ka mbështetur edhe Federata Angleze e Futbollit, ndërsa vende si Anglia, Uellsi, Suedia dhe Finlanda kanë tërhequr përkrahjen për të.

    Megjithatë, sipas gazetarit të The Athletic, Adam Crafton, Infantino vazhdon të ketë mbështetjen e disa federatave, mes tyre Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Butani, Sri Lanka, Libani dhe Kuvajti. Në anën e tij janë rreshtuar edhe disa shtete afrikane dhe aziatike, përfshirë Marokun dhe Egjiptin.

    Fati i Infantinos do të bëhet i qartë në mars të vitit të ardhshëm, kur do të vendoset nëse ai do të sigurojë një mandat të ri në krye të FIFA-s.

    Sipas statutit të organizatës, nëse 20 për qind e anëtarëve të FIFA-s, ose 43 federata, kërkojnë mbledhjen e një kongresi të jashtëzakonshëm, mund të iniciohet edhe një votim për shkarkimin e presidentit.

  • Zyrtare: Fulhami transferon Gonzalo Garcían nga Real Madridi

    Zyrtare: Fulhami transferon Gonzalo Garcían nga Real Madridi

    Fulhami ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit spanjoll Gonzalo García nga Real Madridi, duke siguruar shërbimet e njërit prej talenteve më premtues të futbollit spanjoll.

    22-vjeçari ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me klubin londinez, e vlefshme deri në verën e vitit 2031, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Edhe pse shuma e transferimit nuk është bërë publike nga klubet, raportimet bëjnë të ditur se Fulhami do të paguajë mes 40 dhe 42 milionë euro për 70 për qind të kartonit të lojtarit, ndërsa Real Madridi do të mbajë 30 për qind të të drejtave ekonomike. Në total, marrëveshja vlerësohet të arrijë rreth 60 milionë euro.

    Pas prezantimit zyrtar, Gonzalo García u shpreh i emocionuar për hapin e ri në karrierën e tij, duke falënderuar drejtuesit e Fulhamit dhe trajnerin Álvaro Arbeloa për mbështetjen dhe besimin e treguar. Sulmuesi theksoi se mezi pret të provojë veten në Ligën Premier.

    I lindur në Madrid, García është një produkt i akademisë së famshme të Real Madridit. Ai iu bashkua klubit në moshën 10-vjeçare, ndërsa pas një periudhe të shkurtër te grupmoshat e Mallorcës u rikthye në akademinë madrilene në vitin 2019, duke vazhduar zhvillimin e tij drejt futbollit elitar.

    Sezoni 2023/24 ishte ai që e vendosi përfundimisht në qendër të vëmendjes. Me ekipin U-19 të Real Madridit ai realizoi 35 gola, duke qenë një nga protagonistët kryesorë në fitimin e tripletës. Forma e tij mbresëlënëse vazhdoi edhe me Real Madrid Castilla, ku shënoi 25 gola dhe dhuroi katër asistime në 36 paraqitje.

    Performancat e shkëlqyera i siguruan vendin në ekipin e parë të Real Madridit. Gjatë sezonit të kaluar, García zhvilloi 39 ndeshje me skuadrën madrilene, duke kontribuar me tetë gola dhe tre asistime.

    Sulmuesi spanjoll shkëlqeu edhe në Kupën e Botës për Klube, ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me katër gola dhe një asistim, edhe pse Real Madridi e mbylli aventurën në gjysmëfinale.

    Tashmë, Gonzalo García nis një sfidë të re në Angli, ku Fulhami pret që ai të jetë një nga figurat kyçe të repartit ofensiv në sezonet e ardhshme.

  • Ajax zyrtarizon huazimin e Marc-Andre ter Stegen nga Barcelona

    Ajax zyrtarizon huazimin e Marc-Andre ter Stegen nga Barcelona

    Ajax ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e portierit gjerman Marc-Andre ter Stegen, i cili i është bashkuar klubit holandez në formë huazimi nga Barcelona për sezonin 2026/27.

    Gardiani 34-vjeçar kompletoi me sukses vizitat mjekësore gjatë fundjavës, përpara se të firmoste kontratën që e dërgon në Amsterdam për një vit.

    Sipas marrëveshjes mes dy klubeve, Ajax do të mbulojë rreth 15 për qind të pagës së portierit gjerman gjatë periudhës së huazimit.

    “Ajax ka arritur marrëveshje me FC Barcelona dhe Marc ter Stegen. Portieri 34-vjeçar do të luajë për klubin tonë në formë huazimi për një sezon nga skuadra spanjolle”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

    Drejtori teknik i Ajaxit, Jordi Cruyff, e cilësoi afrimin e Ter Stegen si një lëvizje të rëndësishme për skuadrën.

    “Marc ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe cilësitë e tij njihen në të gjithë botën. Ai është një përforcim i menjëhershëm për ekipin tonë. Njihemi prej kohësh dhe mezi pres të bashkëpunojmë sërish. Kemi punuar për një kohë të gjatë që ta sjellim në Ajax dhe jemi shumë të lumtur që gjithçka u finalizua me sukses”, u shpreh Cruyff.

    Me këtë transferim, Ajax siguron përvojën dhe cilësinë e një prej portierëve më të spikatur të futbollit evropian, ndërsa Ter Stegen do të synojë të rikthehet në formën e tij më të mirë me fanellën e klubit nga Amsterdami.

  • 163 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërave Mesdhetare Taranto 2026

    163 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërave Mesdhetare Taranto 2026

    Kosova do të paraqitet me delegacionin më të madh në historinë e saj në Lojërat Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen në Taranto të Italisë nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026.

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka njoftuar se vendi do të përfaqësohet nga gjithsej 163 sportistë, përkatësisht 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 disiplina sportive, me synimin për të arritur rezultate sa më të mira dhe për ta përfaqësuar Kosovën denjësisht në arenën ndërkombëtare.

    Një tjetër moment historik për sportin kosovar është debutimi në katër sporte ekipore. Për herë të parë, Kosova do të marrë pjesë në futboll me ekipin U21 të meshkujve dhe U19 të femrave, në volejboll me ekipet e të dyja kategorive, në hendboll me meshkuj dhe femra, si dhe në basketbollin 3×3 në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.

    Kosova e pret këtë edicion me optimizëm, pas paraqitjeve të suksesshme në dy Lojërat e fundit Mesdhetare, ku ka fituar gjithsej 10 medalje, nëntë në xhudo dhe një në boks.

    Ceremonia e mbylljes së Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 do të ketë një simbolikë të veçantë për Kosovën. Gjatë saj, flamuri i Lojërave Mesdhetare do t’i dorëzohet zyrtarisht vendit tonë, i cili do të jetë organizator i edicionit të ardhshëm, Prishtina 2030, duke shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e sportit kosovar.

  • Policia në Ulqin arreston tre shtetas të Kosovës, dyshohen për disa vjedhje

    Policia në Ulqin arreston tre shtetas të Kosovës, dyshohen për disa vjedhje

    Policia e Ulqinit ka arrestuar tre shtetas të Kosovës, të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve në territorin e kësaj komune.

    Sipas njoftimit të Policisë së Malit të Zi, aksioni është zhvilluar në zonën e Plazhit të Madh në Ulqin, me qëllim parandalimin e veprave penale të natyrës pasurore dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.

    Gjatë kontrollit të tre personave me inicialet H.Q. (48), B.G. (50) dhe E.K. (28), si dhe automjetit të tipit “Audi A5” me targa polake, policia ka gjetur një pajisje elektronike të specializuar për hapjen pa autorizim të automjeteve.

    Po ashtu, gjatë kontrollit janë sekuestruar mjete të tjera që dyshohet se mund të jenë përdorur për kryerjen e veprave penale, si dhe para në vlerë prej 3 mijë e 785 euro dhe 960 marka konvertibile.

    Sipas policisë, dyshohet se paratë e gjetura rrjedhin nga vjedhje të kryera në plazhet e Ulqinit.

    Të dyshuarit janë shoqëruar në ambientet e Departamentit të Sigurisë në Ulqin, ndërsa ndaj tyre do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

  • Kontrollet në sektorin e qumështit zbulojnë 93 mospërputhje, kryeson mosdeklarimi i vajit të palmës

    Kontrollet në sektorin e qumështit zbulojnë 93 mospërputhje, kryeson mosdeklarimi i vajit të palmës

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar dhjetëra parregullsi gjatë kontrolleve të zgjeruara në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit.

    Gjatë aksionit të zhvilluar nga prilli deri në korrik të vitit 2026, janë marrë dhe analizuar gjithsej 495 mostra, me qëllim verifikimin e sigurisë ushqimore, përbërjes së produkteve dhe përputhshmërisë së etiketimit.

    Sipas AUV-së, janë evidentuar 93 mospërputhje, ku problemi më i shpeshtë ka qenë prania ose mosdeklarimi i vajit të palmës në produkte.

    Kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, ka bërë të ditur se 46 raste, apo pothuajse gjysma e mospërputhjeve të identifikuara, kanë të bëjnë me vajin e palmës.

    Ai ka theksuar se në mbi 91 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit nuk janë deklaruar në etiketë në mënyrën e kërkuar me ligj, duke bërë që konsumatorët të mos kenë informacion të plotë për produktet që blejnë.

  • D+ kërkon anulimin e tenderit 743 mijë euro të Ministrisë së Kulturës për angazhimin e 26 ‘konsulentëve’

    D+ kërkon anulimin e tenderit 743 mijë euro të Ministrisë së Kulturës për angazhimin e 26 ‘konsulentëve’

    Organizata Demokraci Plus (D+) ka kërkuar anulimin e një tenderi të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit në vlerë prej 743 mijë eurosh, i cili parasheh angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si kontrata mbi vepër, shkruan Telegrafi.

    Sipas D+, procedura e prokurimit nuk është në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, pasi pozitat e parapara nuk përbëjnë shërbime të veçanta dhe nuk duhet të plotësohen përmes kësaj forme të angazhimit.

    “Sipas nenit 57 të Rregullores së Prokurimit Publik, Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta mund të përdoren vetëm për angazhimin e ekspertëve që ofrojnë shërbime specifike, të cilat institucioni nuk mund t’i sigurojë me kapacitetet e veta, as përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë ose legjislacionit të punës”, thuhet në reagimin e D+.

    Sipas organizatës, procedura e prokurimit me numër 207-26-5948-2-1-1 parasheh angazhime me kohëzgjatje prej 12 dhe 36 muajsh, me orar të plotë pune

    Në mesin e profileve të kërkuara janë arkitektë, inxhinierë, ekspertë ligjorë, koordinatorë administrativë, interpretues muzealë, administratorë të databazës dhe profile të tjera për nevojat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe institucioneve vartëse të saj.

    D+ thotë se, pas analizimit të dosjes së tenderit, ka konstatuar se pozitat e parapara përkojnë me pozitat e përcaktuara në strukturën organizative të institucionit, ndërsa përshkrimet e punës përfshijnë detyra administrative, teknike dhe operative, e jo shërbime të ekspertizës së veçantë.

    “Për këto arsye, D+ kërkon nga MKT anulimin e këtij tenderi, pasi procedura e iniciuar nuk është në përputhje me qëllimin dhe kushtet për përdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta dhe nuk duhet të zhvillohet sipas legjislacionit të prokurimit publik”, thuhet në reagim./Telegrafi/.

  • Lista Serbe ankohet në Kushtetuese për mandatin e Nenad Rashiqit

    Lista Serbe ankohet në Kushtetuese për mandatin e Nenad Rashiqit

    Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër vendimit të Gjykatës Supreme, duke kundërshtuar ndarjen e një mandati të rezervuar për komunitetin serb, të fituar nga Nenad Rashiqi.

    Sipas Listës Serbe, institucionet zgjedhore dhe ato gjyqësore nuk kanë garantuar mbrojtjen kushtetuese të vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë.

    Në ankesë kërkohet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse qëllimi i mandateve të rezervuara respektohet kur zgjedhja e përfaqësuesve të komunitetit serb ndikohet nga votat e qytetarëve që nuk i përkasin këtij komuniteti.

    Lista Serbe argumenton se mandatet e rezervuara janë garanci kushtetuese për përfaqësim autentik të komuniteteve dhe jo privilegje formale.

    Më 7 korrik, Gjykata Supreme hodhi poshtë ankesën e Listës Serbe, e cila pretendonte se partia e Nenad Rashiqit e kishte siguruar mandatin e garantuar kryesisht falë votave të marra në komunat me shumicë shqiptare.

  • Në Prapashticë u mbajt Festivali i Flisë, u përgatit flia me diametër tre metra

    Në Prapashticë u mbajt Festivali i Flisë, u përgatit flia me diametër tre metra

    Tradita shqiptare e gatimit dhe mikpritjes ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, pas organizimit të Festivalit të Flisë në kompleksin turistik Kasollet e Zanave, në Prapashticë të Prishtinës.

    Aktiviteti u mbajt më 1 dhe 2 gusht 2026, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e traditës, gastronomisë dhe kulturës shqiptare.

    Momenti që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte përgatitja e një flije gjigante me diametër tre metra, e cila u përgatit sipas mënyrës tradicionale. Pas përfundimit të pjekjes, flia u nda dhe iu shpërnda falas vizitorëve, e shoqëruar me djathë dhe kos fshati.

    Përveç gatimit tradicional, festivali u shoqërua me muzikë, interpretime të folklorit dhe aktivitete për familje e vizitorë të shumtë që morën pjesë në këtë ngjarje.

    Interesimi për festivalin ka kaluar kufijtë e hapësirës ku u zhvillua aktiviteti. Sipas organizatorëve, deri më 3 gusht 2026, videot nga përgatitja e flisë kanë arritur mbi 2.3 milionë shikime në platformat Instagram, TikTok dhe Facebook, duke marrë mijëra pëlqime, shpërndarje dhe reagime nga përdoruesit.

    Ngjarja u pasqyrua edhe në Lajmet Qendrore të RTK-së, si dhe në media të tjera vendore, duke nxjerrë në pah interesimin e madh për promovimin e traditave shqiptare.

    Organizatorët thonë se suksesi i këtij edicioni dëshmon se traditat vendore, kur prezantohen në mënyrë kreative dhe autentike, kanë potencial të madh për të promovuar Kosovën, turizmin kulturor dhe gastronominë tradicionale.