ATV

Blog

  • Grajqevci: Që nga fillimi kemi dyshuar për disa varreza masive në veri, Serbia i fshehu me plan

    Grajqevci: Që nga fillimi kemi dyshuar për disa varreza masive në veri, Serbia i fshehu me plan

    Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka deklaruar se prej përfundimit të luftës kanë ekzistuar dyshime për disa varreza masive në veri të Kosovës dhe në territorin e Serbisë, duke thënë se zhvillimet e fundit në Zubin Potok e përforcojnë bindjen se në atë zonë mund të ketë lokacione të tjera ku janë fshehur trupat e personave të zhdukur gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se fshehja e trupave është bërë sipas një plani të organizuar shtetëror.

    Grajqevci tha për Ekonomia Online se që nga fillimi kanë dyshuar se në veri mund të ketë disa varreza masive, por mungesa e mjeteve dhe kompetencave në vitet e para pas luftës ua kishte pamundësuar hetimin e tyre.

    “Qysh nga fillimi kemi dyshuar se në veri mund të jenë prej dy, tri deri në katër vende varreza masive. Pse po e thëmë këtë? Ne kemi shkuar disa herë me Jashar Jupën, ish-komandantin e ndjerë të Policisë për Krime Lufte dhe UNMIK-un në atë vend dhe e kemi vizituar vetëm me shikim, kështu. Nuk kemi pasur mjete që të mund të hulumtojmë diçka më tutje, sepse kompetencat e UNMIK-ut, kompetencat e policisë tonë ishin jashtëzakonisht të vogla, nuk kishim ndonjë teknikë që ne mundemi me zbuluar, s’kemi pasur asnjë aparat”, tha ai.

    Ai tha se një material i Korpusit të Uzhicës dhe dëshmitë për spastrimin e terrenit ngrenë dyshime edhe për një varrezë masive në afërsi të Rashkës.

    “Por, duhet ta lidh këtë edhe me korpusin e Uzhicës, një material i cili është zënë në pjesën e Podujevës, thotë edhe dëshmitari i cili flet për atë, thotë: “Ne pas gjithë aksioneve që kemi marrë — vrasjet, plaçkitjet, djegiet, si dhe dëbimet, të gjitha ato…” thotë “ne e kemi pasur të obligueshme togu jonë”, atë e quajnë në serbisht “asanacija terena”, spastrimin e terenit. Do të thotë pastrimi i terenit është që do të thotë të mbledhë trupat, të mbledhë të gjithë trupat ku janë, ose i varros ose i merr me kamion i çon në një vend/lokacion, i varros dhe të evidentuar mirë me numër, me krejt. Edhe me fshatra se sa janë marrë në këtë fshatrat, sa në atë. Plus aty i nxjerrin në evidencë edhe djegiet e shtëpive, dëmeve materiale, shtazë, domethënë lopëve, viçave, janë të obliguar me i regjistruar. Se është pastrimi i terenit ai. Edhe ai vetë thotë, kur i kemi ngarkuar trupat ne në kamion, te Kërshi i Dudës, do të thotë jemi ndalur komandantit të korpusit do të thotë “pravac Brevenik”. Tash, kush është Breveniki? Unë nuk e di, por unë kur e kam lypur në hartë m’ka dalë do të thotë në periferi të Rashkës. Dhe kështu që edhe atje dyshohet se është një varrezë masive diku rreth Rashkës”, tha ai.

    Sipas tij, Serbia i ka fshehur varrezat masive sipas një plani të organizuar.

    “Unë për dy i kam paraqitur, dy deri në tri i kam paraqitur edhe më herët kur kam folur, do të thotë në vitin 2000, 2001, 2003, sepse vetë vendi të shtyn me dyshuar që vendi është, se Serbia i ka gjetur vendet ku t’i fshehë. I ka fshehur edhe në oborret e kishave, i ka fshehur varrezat masive në Serbi edhe brenda kazermat ushtarake, pranë varrezave të serbëve. Do të thotë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, po ku kam vizituar unë në Kroaci edhe në Bosnjë ka qenë kështu. Do të thotë me plan. Çdo gjë e ka bërë me plan. Çdo gjë ka qenë, jo që ka qenë shteti në dije, po ka qenë edhe Kisha Ortodokse në dije. Se kreatori i gjithë këtyre të keqijave është vetë Kisha Ortodokse”, tha ai.

    Ai tha se tensionet dhe sulmet e viteve të fundit në veri kanë shërbyer për të penguar zbulimin e varrezave masive dhe për të mbrojtur autorët e krimeve.

    “Por, ka varreza masive në veri të Mitrovicës dhe të gjitha këto tollovi, problemet që bëhen, për të ruajtur moszbulimin e këtyre varrezave masive dhe kriminelëve që kanë ikur prej tërë territorit të Kosovës dhe janë fshehur do të thotë në veri. Por, këtu e falënderoj pikërisht Prokurorin e Shtetit, Blerim Isufaj, i cili ka qenë këmbëngulës që ta bëjë një plan të mirë rreth procesit për zhdukjen e personave të zhdukur gjatë luftës edhe për viktimat e luftës. Unë kam pasur disa herë kontakte me zyrtarë, qoftë ndërkombëtarë dhe vendës, por Veriu na pat mbetur si ‘anash’. Do të thotë gjithë herë për 23-24 intelektualë të cilët janë zhdukur në veri, gjithë herë e kemi përmendur edhe në takimet ndërkombëtare, edhe në takimet regjionale, do të thotë që kemi pasur takime me palën serbe, por asnjëherë nuk kanë qenë të gatshëm që të japin informacione, sepse ishte shtrëngimi i shtetit serb që kush dëshmon do të dënohet 30 vjet burg dhe do të dënohet me 30,000 euro gjobë. Do të thotë pikërisht nga Ivica Daçiq, kjo është dëgjuar nga goja e tij, se për ne nuk janë problem shqiptarët e turqit e kroatët e boshnjakët, por janë problem njerëzit tanë që po tregojnë për varrezat masive. Këtë e ka thënë para katër-pesë viteve. Edhe mjekoligjorët që kanë punuar në Batajnicë, do të thotë edhe ata kanë dhënë informacione që mund të ketë ende trupa në Batajnicë, nuk janë eksumuar të gjitha, edhe bile çka ka me ndjekje sipas disa prej tyre të moshuarve që aty i ka pasur edhe organet t’u marrë nga të zhdukurit. Do të thotë që nuk është gjetur asnjë organ brenda në organizmin e tyre”, tha ai.

    Sipas Grajqevcit, Serbia vazhdon të ketë synim destabilizimin e rajonit dhe krimet e luftës janë kryer në mënyrë të organizuar.

    “Serbia nuk është e interesuar me aneksuar veriun, është e interesuar me aneksuar në tërësi Kosovën. Se Serbia e do Kosovën pa shqiptarë. E do Kosovën pa shqiptarë. Ende nacionalizmi serb bile tash është në kulminacionin më të madh se kur ka qenë Milosheviqi. Këta sa të ekzistojë Serbia ka qëllim të destabilizojë Ballkanin në përgjithësi, jo vetëm Kosovën dhe Shqipërinë. Por më shqiptarët nuk janë sharraxhi, nuk janë rabaxhi. Ne kemi kuadra të afta me një polici moderne, me një polici për krime lufte jashtëzakonisht të mirë, me një gjykat speciale që i përfill kriteret dhe i përfill konventat ndërkombëtare. Ata s’njohin konventa ndërkombëtare. Çdo gjë që e ka kryer Serbia në territorin e Kosovës, e ka kryer shumë me paramendim, në mënyrë komanduese dhe administrative. Asnjë milimetër nuk e ka do të thotë që s’e ka regjistruar, se e ka bërë me plan-program”, tha ai.

    Më 2 gusht, autoritetet e Kosovës arrestuan një person tjetër të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në kuadër të hetimeve për Zubin Potokun, ndërsa identifikuan edhe një lokacion të ri në fshatin Jabukë, ku sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë gjetur katër mbetje mortore.

    Paralelisht, gërmimet në Kalludër të Vogël po vazhdojnë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se identiteti i mbetjeve do të përcaktohet vetëm pas analizave të ADN-së.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston mundësia që ato t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur në prill të vitit 1999, të njohur si grupi i intelektualëve.

    Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.

  • E rëndë në Pejë: Dy persona theren me thikë, të dyshuarit në arrati

    E rëndë në Pejë: Dy persona theren me thikë, të dyshuarit në arrati

    Dy persona kanë pësuar plagë nga thika mëngjesin e sotëm në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, tha se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë viktima kanë pranuar tretman mjekësor.

    Sipas tij, Policia është duke punuar intensivisht për kapjen e personave të dyshuar.

  • Kërkohej nga janari për tentim vrasje, fajde e detyrim, Policia e arreston Egzon Reshanin

    Kërkohej nga janari për tentim vrasje, fajde e detyrim, Policia e arreston Egzon Reshanin

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për arrestimin e Egzon Reshanit, i cili ishte në kërkim për disa vepra të renda penale si Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.

    Policia ka njoftuar edhe se Reshani i është dorëzuar dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, për procedura të mëtejme sipas urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat kërkohej.

    ‘’ Më datë 03.08.2026, pak pas orës 22:00, Policia e Kosovës, gjegjësisht zyrtarët e Policisë Kufitare, në SPMK-Muqivërcë, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshuar duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Breznicë/Serbi, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës. Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative me ç’ rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku gjatë kontrollit policor, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’i shmanget zyrtarëve policorë duke u larguar me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë/Serbi’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Ndryshe, policia në janar të këtij viti, e kishte shpallur në kërkim Reshanin si i dyshuar për vrasje në tentativë.

    Postimi:

    Arrestohet personi i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale

    Prishtinë, 04 gusht 2026

    Më datë 03.08.2026, pak pas orës 22:00, Policia e Kosovës, gjegjësisht zyrtarët e Policisë Kufitare, në SPMK-Muqivërcë, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshuar duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Breznicë/Serbi, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

    Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative me ç’ rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku gjatë kontrollit policor, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’i shmanget zyrtarëve policorë duke u larguar me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë/Serbi.

    Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve profesionale, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë të njëjtin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës.

    Ndaj të dyshuarit ekziston urdhërarrest aktiv dhe se i njëjti kërkohej nga organet e drejtësisë për disa vepra të rënda penale “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.

    Gjatë kontrollit të të arrestuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë. Lidhur me këtë është kontaktuar Prokurori kompetent dhe, sipas udhëzimeve të tij, është iniciuar rast për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga Policia Kufitare, i dyshuari u është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, për procedura të mëtejme sipas urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat kërkohej.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, si dhe bashkëpunimin me njësitë tjera policore në lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.

  • Rritet sërish çmimi i naftës, litri arrin në 1.80 euro

    Rritet sërish çmimi i naftës, litri arrin në 1.80 euro

    Ministria ka publikuar çmimet tavan të lejuara për tregtimin e derivateve për datën 4 gusht.

    Sipas njoftimit, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1.80 euro, duke vazhduar trendin e rritjes së ditëve të fundit.

    Çmimet e derivateve monitorohen dhe publikohen çdo ditë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në përputhje me vendimin për caktimin e çmimeve tavan.

  • GAP publikon indeksin e transparencës buxhetore, 10 komuna marrin pikët maksimale

    GAP publikon indeksin e transparencës buxhetore, 10 komuna marrin pikët maksimale

    Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, i cili vlerëson transparencën buxhetore në 38 komunat e Kosovës.

    Sipas raportit, mesatarja e transparencës buxhetore në vitin 2025 ka arritur në 64.5 pikë, nga 61 pikë sa ishte një vit më parë.

    Në total, 10 komuna kanë marrë 100 pikë, ndërsa 19 nga 38 komunat kanë arritur të paktën 89.5 pikë. Në anën tjetër, Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani nuk kanë grumbulluar asnjë pikë.

    Gjatë vitit 2025, komunat kanë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, prej të cilave 133 kanë qenë dokumente të raportimit financiar të buxhetit.

    Në kuadër të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, komunat kanë organizuar gjithsej 119 dëgjime buxhetore me qytetarët. Nga 38 komunat, 28 kanë organizuar së paku katër dëgjime, ndërsa komunat e tjera kanë zhvilluar nga një deri në tri dëgjime.

    Sa i përket mënyrës së publikimit, 76 për qind e dokumenteve janë publikuar në formate të hapura dhe lehtësisht të përdorshme, kryesisht Excel dhe Word. Ndërkohë, 8 për qind janë publikuar në PDF dhe 16 për qind si dokumente të skanuara.

    Dokumentet më të publikuara kanë qenë Korniza Afatmesme Buxhetore dhe Rregullorja për Ndarjen e Subvencioneve, të cilat janë publikuar nga 30 komuna. Po ashtu, 29 komuna kanë publikuar raportet financiare për tremujorin e parë dhe të dytë, ndërsa 28 kanë publikuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2025.

    Në krahasim me vitin paraprak, Obiliqi ka shënuar rritjen më të madhe, me 60 pikë më shumë, pasuar nga Ferizaj me 52.5 pikë dhe Gjilani me 43.5 pikë.

    Në anën tjetër, rënien më të madhe e kanë shënuar Vitia me 35 pikë më pak, Mitrovica e Veriut me 29 pikë dhe Lipjani me 15 pikë.

    Instituti GAP vlerëson se rezultatet tregojnë përparim në transparencën buxhetore në nivel vendi, por thekson nevojën për standardizimin e formateve të publikimit dhe forcimin e mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat. /Telegrafi/

  • Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, policia jep detaje

    Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, policia jep detaje

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj 24-orësh, ka njoftuar për pesë raste të dhunë në familje që janë raportuar gjatë ditës së djeshme.

    Këto raste, njoftohet se kanë ndodhur në Podujevë, Fushë Kosovë, Deçan dhe Gjakovë.

    Po ashtu, nga policia është shtuar se lidhur me rastet janë arrestuar pesë persona.

    Raporti:

    DHUNË NË FAMILJE

    Podujevë, 03.08.2026 – 03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje

    Fushë Kosovë 03.08.2026–10:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    Podujevë 03.08.2026–11:30. Viktima femër kosovare ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar.

    DHUNË NË FAMILJE

    Deçan 02.08.2026–21:00. Janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare pasi që ishin fjalosur në mes vete. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Gjakovë, 03.08.2026 – 00:30. Ankuesja kosovare ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari nga INTERPOL-i

    Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari nga INTERPOL-i

    Një shtetas kosovar i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar nga INTERPOL-i është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas policisë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 4 gusht ekstradimin e personit me inicialet K.B.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi ndaj tij ishte lëshuar letërreshtim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

    Policia bëri të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës.

    Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar.

  • Përleshje mes tre personave në Podujevë, përdoren shufra druri e metali

    Përleshje mes tre personave në Podujevë, përdoren shufra druri e metali

    Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.

    Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 18:10 në Podujevë. Gjatë incidentit, dy nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Policia ka bërë të ditur se nga të dyshuarit janë konfiskuar një shufër druri dhe një shufër metali, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë rastit.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet i dyshuari, në gjendje të dehur sulmoi policin në Lipjan

    Arrestohet i dyshuari, në gjendje të dehur sulmoi policin në Lipjan

    Një person është arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka sulmuar një zyrtar policor që ishte në detyrë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur të hënën pas mesnatës në Lipjan dhe u iniciua si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

    Polici dhe i dyshuari kanë pranuar trajtim mjekësor.

    “Lipjan / 03.08.2026 – 00:45. Raportohet se i dyshuari mashkull me shtetësi të huaj në gjendje të dehur, ka sulmuar zyrtarin policor që ishte në detyrë. Zyrtari policor është dërguar për trajtim mjekësor. Po ashtu edhe i dyshuari për shkak të gjendjes së dehur është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

  • Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Temperaturat e larta – Sot kufizime në autoudhë për kamionët mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit njoftoi se të martën (më 4 gusht) do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet me mbi 20 tonë.

    Vendimi u mor bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave.

    “Në autoudhë kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë”, thuhet në njoftim.

    Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    “Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

    Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi lejohet pa kufizime.