ATV

Blog

  • Gjimshiti drejt një aventure të re, mbrojtësi shqiptar largohet nga Atalanta për në Arabinë Saudite

    Gjimshiti drejt një aventure të re, mbrojtësi shqiptar largohet nga Atalanta për në Arabinë Saudite

    Berat Gjimshiti është shumë pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij. Mbrojtësi shqiptar ka arritur marrëveshje verbale me klubin saudit Al Diriyah, i cili ka siguruar një marrëveshje me Atalantën për transferimin e kapitenit kuqezi.

    Klubi nga Arabia Saudite po punon për të përforcuar repartin defensiv para sezonit të ri dhe Gjimshiti shihet si një element kyç falë eksperiencës së tij të madhe në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Sipas ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, marrëveshja mes Al Diriyah dhe Atalantës është arritur në parim, ndërsa kanë mbetur vetëm detajet e fundit administrative për t’u finalizuar përpara njoftimit zyrtar.

    Transferimi pritet t’i kushtojë klubit saudit rreth 3 milionë euro, ndërsa Gjimshiti pritet të firmosë një kontratë që do ta mbajë pjesë të Al Diriyah deri në qershor të vitit 2028.

    Kjo lëvizje do të shënojë aventurën e parë të mbrojtësit shqiptar jashtë futbollit italian, pas një dekade të kaluar në Serie A. Gjimshiti u bashkua me Atalantën në vitin 2016 nga FC Zurich dhe me kalimin e viteve u shndërrua në një nga liderët e padiskutueshëm të skuadrës.

    Me mbi 250 paraqitje në kampionatin italian, mbrojtësi 33-vjeçar ka qenë një nga shtyllat e suksesit të Atalantës, duke luajtur rol të rëndësishëm në triumfin historik në Ligën e Evropës në sezonin 2023/24 dhe në garat e vazhdueshme të klubit në Ligën e Kampionëve.

    Al Diriyah ka zgjedhur pikërisht përvojën dhe karakterin e Gjimshitit për ta udhëhequr mbrojtjen e saj, ndërsa shqiptari pritet të nisë një sfidë të re pas një periudhe të jashtëzakonshme në futbollin italian.

  • Një perlë nga Zhegrova, Juventusi triumfon ndaj Chelseat me golin spektakolar të kosovarit

    Një perlë nga Zhegrova, Juventusi triumfon ndaj Chelseat me golin spektakolar të kosovarit

    Juventusi ka marrë një fitore të rëndësishme në miqësoret parasezonale, duke mposhtur Chelsean me rezultat minimal 0-1 në përballjen e zhvilluar në Hong Kong.

    Sfida mes dy gjigantëve evropianë ishte e luftuar dhe shumë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që kërkuan golin gjatë gjithë takimit. Si Juventusi ashtu edhe Chelsea krijuan mundësi të mira shënimi, por mungoi qetësia në momentet vendimtare.

    Diferencën në këtë përballje e bëri ylli i Kosovës, Edon Zhegrova. Sulmuesi anësor realizoi një gol spektakolar në minutën e 68-të, duke lëshuar një goditje të fuqishme dhe precize nga distanca, e cila la të palëvizur portierin e Chelseat.

    Ky ishte goli i parë i Zhegrovës me fanellën e Juventusit dhe një sinjal pozitiv për italianët, pasi kosovari po tregon shenja të rikthimit në formën e tij më të mirë, atë që e kishte shfaqur më herët te Lille.

    Paraqitja e tij në Hong Kong ka marrë vëmendje të madhe, ndërsa tifozët bardhezinj shpresojnë që Zhegrova të jetë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës në sezonin e ri.

    Për Juventusin, kjo fitore ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë është një tjetër hap pozitiv në përgatitjet para fillimit të sezonit.

  • Tottenhami përgatit supermerkaton, 125 milionë funte për dy sulmues

    Tottenhami përgatit supermerkaton, 125 milionë funte për dy sulmues

    Tottenhami është gati të ndezë merkaton e verës me një investim të madh prej rreth 125 milionë funteve për të përforcuar repartin ofensiv. Objektivat kryesorë të klubit londinez janë Savinho i Manchester Cityt dhe Nico Jackson i Chelseat.

    Pasi ka siguruar përforcime në mbrojtje dhe mesfushë, drejtuesit e Spurs e kanë zhvendosur fokusin te sulmi. Sipas raportimeve, klubi është i gatshëm të paguajë 60 milionë funte për Savinhon dhe 65 milionë funte për Nico Jacksonin.

    Gazetari Fabrizio Romano raporton se Tottenhami ka arritur një marrëveshje personale me Savinhon. Braziliani ka kërkuar largimin nga Manchester City për t’iu bashkuar projektit të trajnerit Roberto De Zerbi. Megjithatë, negociatat mes dy klubeve vazhdojnë, pasi City kërkon shumën e plotë dhe dëshiron fillimisht të gjejë një zëvendësues.

    Interesi për Savinhon u rrit pasi Liverpooli refuzoi të shiste Cody Gakpon, i cili ishte objektivi i parë i Tottenhamit për krahun e sulmit.

    Ndërkohë, Spurs kanë nisur edhe kontaktet me Chelsean për Nico Jacksonin. Sipas mediave angleze, “Blutë” janë të gatshëm ta shesin sulmuesin senegalez nëse marrin ofertën prej 65 milionë funteve. Jackson kërkon më shumë minuta dhe një rol më të rëndësishëm, ndërsa konkurrenca në sulmin e Chelseat mbetet shumë e fortë.

    Raportimet bëjnë të ditur se Tottenhami synon ta mbyllë fillimisht marrëveshjen për Savinhon gjatë ditëve në vijim dhe më pas të paraqesë ofertën zyrtare për Nico Jacksonin.

    Nëse të dy transferimet realizohen, Tottenhami do të ketë investuar plot 125 milionë funte për të ndërtuar një repart ofensiv të aftë të rivalizojë klubet më të forta të Premier League në sezonin e ri.

  • E ardhmja e Viniciusit në pikëpyetje, Reali përballet me vendimin e madh

    E ardhmja e Viniciusit në pikëpyetje, Reali përballet me vendimin e madh

    E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së verës. Sulmuesi brazilian ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij dhe negociatat për rinovimin nuk kanë sjellë ende një marrëveshje.

    Sipas mediave spanjolle, Real Madridi i ka ofruar Viniciusit një kontratë të re me kushte financiare të ngjashme me ato të yjeve kryesorë të skuadrës, por lojtari kërkon një pagë më të lartë dhe një status të barabartë me Kylian Mbappe. Ish-drejtori sportiv i klubit, Pedja Mijatoviç, ka deklaruar se situata të lë përshtypjen se braziliani po shqyrton edhe alternativa të tjera.

    Ndërkohë, interesimi më konkret vjen nga Anglia. Mediat britanike si The Guardian dhe Sky Sports raportojnë se Arsenali po monitoron nga afër zhvillimet dhe është i gatshëm të bëjë një ofertë rekord nëse negociatat me Realin dështojnë. Megjithatë, të njëjtat burime theksojnë se prioriteti i Viniciusit mbetet qëndrimi në “Santiago Bernabeu”, nëse arrihet një marrëveshje me klubin.

    Edhe agjencia Reuters konfirmon se bisedimet për kontratën vazhdojnë, ndërsa Arsenali mbetet klubi më i interesuar për ta transferuar. Pavarësisht zërave të merkatos, Vinicius është shprehur i përqendruar te përgatitjet për sezonin e ri dhe dëshiron të ndihmojë Real Madridin në objektivat e tij.

    Në këtë moment, tre skenarë mbeten të hapur: rinovimi i kontratës me Real Madridin, një transferim këtë verë nëse vjen oferta e duhur, ose vazhdimi deri në fund të kontratës aktuale. Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e një prej futbollistëve më të kërkuar në botë.

  • Rashford rikthehet te United, por dy klube angleze e kërkojnë

    Rashford rikthehet te United, por dy klube angleze e kërkojnë

    E ardhmja e Marcus Rashford vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa sulmuesi anglez është rikthyer në qendër të merkatos verore. Pas një sezoni të suksesshëm në huazim te Barcelona, 28-vjeçari pritet të bashkohet sërish me Manchester United.

    Me fanellën e klubit katalanas, Rashford zhvilloi 49 ndeshje, duke realizuar 14 gola dhe 14 asistime, ndërsa ndihmoi Barcelonën të fitonte titullin e La Ligas. Megjithatë, drejtuesit spanjollë vendosën të mos paguanin rreth 30 milionë euro për ta blerë përfundimisht.

    Sipas mediave britanike, interesimi për Rashfordin mbetet i madh. Përveç Fenerbahçes, që raportohet se është gati të investojë për transferimin e tij, edhe dy klube të Premier League kanë hyrë në garë për shërbimet e sulmuesit anglez. Emrat e tyre nuk janë bërë ende publikë, por thuhet se nuk bëhet fjalë për Manchester Cityn apo Liverpoolin.

    Ndërkohë, klube nga Italia, Gjermania dhe Arabia Saudite po monitorojnë situatën dhe nuk përjashtohet mundësia e një huazimi.

    Pavarësisht interesimit nga shumë skuadra, largimi i Rashford nuk është i sigurt. Sipas raportimeve, trajneri Michael Carrick dëshiron ta mbajë në “Old Trafford” dhe e konsideron një nga lojtarët më të rëndësishëm për sezonin e ri.

    Aktualisht, Rashford është futbollisti më i paguar i Manchester United, me një pagë prej rreth 380 mijë eurosh në javë, ndërsa kontrata e tij me klubin anglez skadon në verën e vitit 2028.

  • Ende nuk e ke zgjedhur drejtimin? Këto janë programet ku mund të regjistrohesh në AAB

    Ende nuk e ke zgjedhur drejtimin? Këto janë programet ku mund të regjistrohesh në AAB

    Nëse ende nuk e ke vendosur se çfarë dëshiron të studiosh, në Kolegjin AAB ke ende mundësi të zgjedhësh mes një numri të madh programesh studimi që lidhen me profesionet më të kërkuara të së ardhmes.

    Nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale, te ekonomia, media, shëndetësia, arti, drejtësia dhe shkencat sociale, AAB vazhdon regjistrimet në një gamë të gjerë programesh në Prishtinë.

    Në kuadër të Shkencave Kompjuterike, kandidatët mund të zgjedhin mes programeve:
    • Programim dhe Multimedia
    • Programim
    • Programim dhe AI
    • Kompjuterikë dhe Fintech
    • Specializim në Inxhinieri Softuerike

    Për të rinjtë që synojnë karrierë në fushën e biznesit dhe ekonomisë, janë të hapura regjistrimet në:
    • Biznes Digjital – Specializim në Menaxhim të Rrjeteve Sociale
    • Biznes Digjital – Specializim në Inteligjencë Artificiale në Biznes
    • Banka, Financa dhe Kontabilitet
    • Marketing Dixhital dhe Inteligjencë Artificiale
    • Marketing dhe Biznes
    • Menaxhment

    Në fushën e Shkencave Shëndetësore, studentët mund të zgjedhin:
    • Teknik i Laboratorit
    • Teknik i Radiologjisë

    Mundësi regjistrimi ka gjithashtu në programet:
    • Gjuhë Angleze
    • Kulturë Fizike dhe Sport
    • Produksion Medial
    • Komunikim Masiv dhe Gazetari
    • Administratë Publike
    • Juridik
    • Përkujdesja dhe Mirëqenia e Fëmijëve
    • Psikologji

    Një ofertë e gjerë programesh është në dispozicion edhe për të rinjtë që duan të ndërtojnë karrierë në art, dizajn dhe arkitekturë:
    • Pikturë dhe Arte Vizuale
    • Dizajn i Modës
    • Artet Aplikative në Dizajnimin e Hapësirave të Brendshme
    • Arkitekturë
    • Dizajn Grafik dhe Arte Vizuale
    • Dizajn Grafik Profesional

    Me programe që ndërthurin njohuritë akademike me aftësitë praktike dhe kërkesat e tregut të punës, AAB u jep studentëve mundësinë që të zgjedhin drejtimin që përputhet më së miri me talentin, interesat dhe ambiciet e tyre profesionale.

    Nëse ende po mendon se çfarë të studiosh, zgjedhja jote mund të jetë ende mes këtyre programeve në AAB.

    Regjistrimet vazhdojnë. Zgjidh programin tënd dhe bëje hapin e parë drejt profesionit që dëshiron.

  • UEFA ndryshon rregullat: Kartonët e verdhë dhe ora në stadiume me risi nga sezoni i ri

    UEFA ndryshon rregullat: Kartonët e verdhë dhe ora në stadiume me risi nga sezoni i ri

    Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka miratuar dy ndryshime të rëndësishme në rregulloren e saj, të cilat do të hyjnë në fuqi me nisjen e sezonit të ri dhe do të zbatohen në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

    Një nga risitë kryesore lidhet me kartonët e verdhë. Sipas rregullores së re, lojtarët nuk do të pezullohen më pas tre kartonëve të verdhë, por vetëm pasi të grumbullojnë katër të tillë gjatë fazës së ligës. Ky ndryshim synon të ulë numrin e pezullimeve dhe t’u japë skuadrave më shumë stabilitet gjatë garës.

    Pas pezullimit të parë, çdo ndëshkim i radhës do të vijë pas çdo dy kartonëve të tjerë të verdhë, pra me kartonin e gjashtë, të tetë dhe kështu me radhë.

    Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me tabelat elektronike të stadiumeve. UEFA ka hequr rregullin që parashikonte ndalimin e orës në minutën e 45-të dhe të 90-të. Duke filluar nga ky sezon, koha do të vazhdojë të ecë edhe gjatë minutave shtesë të akorduara nga gjyqtari, si në fund të pjesës së parë ashtu edhe në fund të ndeshjes, përfshirë edhe kohën shtesë.

    Me këtë vendim, UEFA harmonizon rregulloren e saj me modelin që është zbatuar prej dy sezonesh në Premier League.

    Këto ndryshime vijnë në një moment të tensionuar në marrëdhëniet mes UEFA-s dhe FIFA-s. Së fundmi, të 55 federatat anëtare të UEFA-s votuan unanimisht kundër planeve të FIFA-s për t’ua kaluar investitorëve privatë të drejtat tregtare dhe të menaxhimit të disa garave.

    UEFA i ka cilësuar këto propozime si të papranueshme dhe ka kërkuar pezullimin e plotë të tyre, duke argumentuar se cenojnë mënyrën e administrimit të futbollit evropian.

  • Mohamed Salah nis aventurën e re, mbërrin në Stamboll mes pritjes madhështore nga tifozët e Trabzonsporit

    Mohamed Salah nis aventurën e re, mbërrin në Stamboll mes pritjes madhështore nga tifozët e Trabzonsporit

    Mohamed Salah ka mbërritur në Stamboll, ku është pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga qindra tifozë të Trabzonsporit, të cilët i rezervuan një atmosferë festive që në momentin e zbarkimit.

    Sulmuesi egjiptian është shfaqur për herë të parë me fanellën e klubit turk, duke sinjalizuar fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e tij të pasur.

    Sipas mediave turke, 34-vjeçari fillimisht do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në Stamboll. Më pas, ai do të udhëtojë drejt Trabzonit, ku pritet të prezantohet zyrtarisht para tifozëve dhe të firmosë kontratën me klubin.

    Salah pritet të nënshkruajë një marrëveshje dyvjeçare me Trabzonsporin, pasi u largua nga Liverpooli si lojtar i lirë. Klubi turk kishte bërë të ditur më herët se bisedimet me yllin egjiptian ishin në fazën përfundimtare.

    Transferimi i Mohamed Salahut konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha në historinë e futbollit turk. Ai i jep fund aventurës në Liverpool pas nëntë sezonesh të jashtëzakonshme, gjatë të cilave fitoi trofe të rëndësishëm, shënoi qindra gola dhe vendosi një sërë rekordesh që e kanë bërë një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e klubit anglez.

  • UEFA ndryshon rregullat disiplinore, pezullimet për kartonë të verdhë bëhen më të buta

    UEFA ndryshon rregullat disiplinore, pezullimet për kartonë të verdhë bëhen më të buta

    UEFA ka vendosur të ndryshojë rregullat për pezullimet nga kartonët e verdhë në garat evropiane për klube, duke sjellë një sistem të ri që do të hyjë në fuqi nga sezoni 2026/27.

    Sipas rregullores së re, lojtarët dhe zyrtarët e ekipeve që marrin pjesë në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës do të ndëshkohen me një ndeshje pezullim vetëm pasi të grumbullojnë katër kartonë të verdhë që nuk kanë sjellë përjashtim nga loja.

    Deri më tani, kufiri për një pezullim automatik ishte tre kartonë të verdhë, ndërsa ndryshimi i ri synon të përshtatet me formatin e ri të garave evropiane, ku faza e ligës është zgjeruar nga gjashtë në tetë ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.

    I njëjti sistem do të aplikohet edhe në Ligën e Konferencës, duke krijuar një standard të njëjtë disiplinor në të gjitha kompeticionet kryesore të UEFA-s.

    Pas pezullimit të parë, çdo dy kartonë të verdhë të tjerë do të sjellin një ndeshje tjetër ndëshkimore. Kështu, pezullime të reja do të aktivizohen pas grumbullimit të gjashtë, tetë, dhjetë kartonëve të verdhë dhe vazhdimisht më tej.

    Me këtë ndryshim, UEFA synon të përshtatë rregullat disiplinore me strukturën e re të garave dhe numrin më të madh të ndeshjeve në fazën e ligës.

  • BE-ja i kërkon sërish Kosovës të ndalojë rrënimet në veri

    BE-ja i kërkon sërish Kosovës të ndalojë rrënimet në veri

    Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen ndaj autoriteteve në Kosovë që të pezullojnë rrënimin e objekteve në veri të vendit deri në përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore.

    BE-ja ka shprehur keqardhje që institucionet e Kosovës nuk i kanë përfillur thirrjet e mëhershme për ndaljen e këtyre rrënimeve, veçanërisht atyre që lidhen me objektet përreth Liqenit të Ujmanit.

    Këtë e ka deklaruar në Bruksel, gjatë një konference për media, Annita Hiper, zëdhënëse e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    “Na vjen keq që rrënimi i shtëpive ka vazhduar, veçanërisht pasi ankesat lidhur me pronat janë ende në shqyrtim gjyqësor. BE-ja u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndalin çdo shembje të mëtejme dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme ligjore. Çdo hap në drejtim të kundërt, përfshirë edhe shembjet, duhet të pezullohet derisa gjykatat kompetente të nxjerrin vendimin përfundimtar lidhur me ankesat”, tha ajo zëdhënësja e BE-së.