ATV

Blog

  • VIDEO/ Kapen “mat” Xhensila dhe Ledri, publikohen momentet intime mes çiftit

    VIDEO/ Kapen “mat” Xhensila dhe Ledri, publikohen momentet intime mes çiftit

    Disa pamje të publikuara së fundmi në rrjetet sociale tregojnë Ledri Vula dhe Xhensila Myrtezaj së bashku, duke konfirmuar kështu zërat për një romancë mes tyre.

    Çifti është kapur në një klub në Paris, ku shfaqen duke kërcyer dhe shkëmbyer puthje me njëri-tjetrin.

    Prej disa kohësh, ka pasur thashetheme për një marrëdhënie mes tyre, veçanërisht pas ndarjeve të tyre nga ish-partnerët, Xhensila pas divorcit nga aktori Bes Kallaku dhe Ledri pas ndarjes nga Sara Hoxha.

    Edhe pse asnjë nga dyshja nuk ka konfirmuar lidhjen e tyre, pamjet e bëra virale tregojnë qartë se ekziston një raport dashuror mes tyre.

  • Londrimi zbulon mesazhin që mori nga aktorja turke Demet Ozdemir

    Londrimi zbulon mesazhin që mori nga aktorja turke Demet Ozdemir

    Fituesi i edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova, Londrimi, ka zbuluar një mesazh të veçantë që ka marrë nga aktorja e njohur turke Demet Ozdemir menjëherë pas daljes nga shtëpia më e famshme në vend.

    Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Shoqet”, ai tregoi në telefon mesazhin që i kishte ardhur nga ylli i serialeve turke.

    “Urime për suksesin tënd. Shpresoj të takohemi një ditë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e saj

  • Pesë futbolliste të Kombëtares së Iranit kërkojnë azil në Australi

    Pesë futbolliste të Kombëtares së Iranit kërkojnë azil në Australi

    Pesë futbolliste të ekipit kombëtar të futbollit të femrave të Iranit e kanë braktisur kampin stërvitor në Australi, ku kanë kërkuar azil.

    Zyra e Reza Pahlavit, princit iranian në mërgim në SHBA, tha se është njoftuar se lojtarët – Fatemeh Pasandideh, Zahra Ghanbari, Zahra Sarbali, Atefeh Ramazanzadeh dhe Mona Hamoudi – tani ndodhen në një “vend të sigurt”.

    Qeveria australiane ishte vënë nën presion për ta mbrojtur ekipin e femrave të Iranit pasi u eliminuan nga Kupa e Azisë, raporton “CNN”, përcjell “Gazeta Express”.

    Qetësia e ekipit para ndeshjes kundër Koresë së Jugut të hënën e kaluar ishte interpretuar nga disa si një akt i rezistencës, dhe janë ngritur shqetësime për mirëqenien e lojtareve pas kritikave të raportuara në media iraniane.

    Dhjetëra njerëz u panë duke thirrur “lini t’i shkojnë” teksa e rrethuan autobusin e ekipit gjatë largimit nga stadiumi në Gold Coast, Queensland, pas ndeshjes së të dielës, sipas agjencisë australiane të lajmeve AAP.

    Policia dhe ekipet e sigurisë gjithashtu u panë duke e krijuar një korridor të sigurt për largimin e autobusit ndërsa tifozët thërrisnin “shpëtojini vajzat tona”.

    Tifozët gjithashtu thanë se i panë të paktën tri nga lojtarët në autobus duke bërë sinjalin ndërkombëtar me dorë për ndihmë.

  • Gërvalla: Juristët dhe avokatët shqiptarë në Zvicër janë aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona

    Gërvalla: Juristët dhe avokatët shqiptarë në Zvicër janë aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, zhvilloi një takim me juristë dhe avokatë shqiptarë që veprojnë atje, të cilët i cilësoi si mbështetje të fuqishme në rrugën tonë për shtet të fortë ligjor.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se Gërvalla vlerësoi lart profesionalizmin dhe integritetin e tyre, duke theksuar se eksperienca e tyre në sfidat dhe sukseset e sistemit juridik zviceran përbën një aset të pazëvendësueshëm për institucionet tona.

    “Rrjeti i tyre profesional krijon mundësi të jashtëzakonshme për koordinim, shkëmbim dijesh dhe projekte të përbashkëta me Odën e Avokatëve dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë, si instrument ndihmës për forcimin e strukturave ligjore dhe avancimin e drejtësisë”, deklaroi ajo.

    Takime të tilla, siç theksoi Gërvalla, rikujtojnë se mërgata jonë është një rezervuar i jashtëzakonshëm i dijes me potencial për të ndërtuar një sistem drejtësie të fortë dhe efikas.

    “Gatishmëria e tyre për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e drejtësisë në Kosovë është një shans i jashtëzakonshëm që duhet kanalizuar në strategjitë tona institucionale, për të konsoliduar një shtet ligjor që respekton standardet më të larta dhe një drejtësi që përgjigjet realisht ndaj të gjithë qytetarëve”, përfundoi Gërvalla.

  • A do të zgjidhet problemi i rrymës (në Kosovë) me energji solare?

    A do të zgjidhet problemi i rrymës (në Kosovë) me energji solare?

    Energjia solare po shihet gjithnjë e më shumë si një nga alternativat kryesore për të zbutur problemet me furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Megjithatë, sipas Ana Tolaj e cila e udhëheq një Kompani për Energji Solare, zhvillimi i këtij tregu ende është në fazat fillestare dhe përballet me disa sfida të rëndësishme.

    Tolaj në emisionin “LIBERO” ka theksuar se në Kosovë janë realizuar vetëm disa projekte të vogla solare dhe shumica prej tyre nuk kanë arritur standardin dhe cilësinë që kërkohet për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

    “…E kam studiuar tregun e Kosovës në këtë sektor. Deri tash është vetëm fillimi. Janë zhvilluar disa projekte të vogla, por jo të kualitetit dhe standardit që do të duhej të ishin…”, është shprehur ajo.

    Sipas saj, Kosova ka potencial shumë të madh për zhvillimin e energjisë solare, duke pasur parasysh numrin e madh të ditëve me diell gjatë vitit. Kjo e bën vendin një hapësirë të favorshme për instalimin e paneleve

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ana Tolaj, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Rriten të hyrat tatimore gajtë dy muajve të parë të vitit, mbi 206 milionë euro të mbledhura

    Rriten të hyrat tatimore gajtë dy muajve të parë të vitit, mbi 206 milionë euro të mbledhura

    Dy muajt e parë të këtij viti janë karakterizuar me rritje të të hyrave tatimore në Kosovë, duke reflektuar një nivel më të lartë të përmbushjes së obligimeve nga tatimpaguesit dhe përmirësim të vazhdueshëm të proceseve të administrimit fiskal.

    Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë kësaj periudhe janë mbledhur 206.9 milionë euro të hyra nga tatimet. Kjo paraqet një rritje prej 22.6 milionë eurosh apo 12.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Nga ATK-ja theksojnë se kjo rritje nuk reflekton vetëm performancën më të mirë në mbledhjen e të hyrave, por edhe progresin në forcimin e administrimit tatimor si dhe në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që përmbushin rregullisht obligimet e tyre.

    Autoriteti tatimor bëri të ditur se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e këtij trendi pozitiv përmes avancimit të proceseve të punës, rritjes së përdorimit të teknologjisë në administrimin tatimor, analizës më të thelluar të riskut si dhe intensifikimit të aktiviteteve kundër ekonomisë joformale.

    Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës rikujton tatimpaguesit se afati për dorëzimin e deklarimit vjetor të të ardhurave është deri më 31 mars. ATK-ja u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që ta përmbushin këtë obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar, duke shfrytëzuar shërbimet elektronike për një proces më të lehtë dhe më efikas të deklarimit.

  • Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

    Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

    Pas reagimit të Presidenca e Kosovës ndaj deklaratave të tij, Halil Geci ka publikuar një reagim publik duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me shkrimin ku kishte komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani.

    Në reagimin e tij, Geci thotë se në shkrimin e publikuar kishte shprehur vetëm një mendim kritik mbi respektimin e Kushtetutës dhe se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht.

    “Kam theksuar se, sipas vlerësimit tim dhe duke u mbështetur edhe në opinionet e disa njohësve të së drejtës kushtetuese, veprimet e Presidentes mund të konsiderohen si shkelje e Kushtetutës. Kjo çështje nuk është ngritur vetëm nga unë, por është përmendur edhe nga juristë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

    Geci ka përmendur edhe deklarimet publike të juristëve si Enver Hasani dhe Mazllum Baraliu, duke thënë se edhe ata kanë diskutuar në media për mundësinë e shkeljeve kushtetuese nga institucionet.

    Ai ka shtuar se reagimi i Presidencës ndaj tij është i tepruar dhe se debati publik për respektimin e Kushtetutës duhet të jetë i lejuar në një shoqëri demokratike.

    “Kritika ndaj institucioneve nuk duhet të interpretohet si sulm personal, por si pjesë e lirisë së shprehjes dhe e kulturës demokratike”, ka shkruar Geci.

    Sipas tij, referenca e bërë ndaj shembujve nga Turqia në shkrimin e tij kishte karakter krahasues dhe informues dhe nuk ishte thirrje për veprime të dhunshme.

    “Unë nuk kam kërcënuar askënd dhe as nuk kam nxitur dhunë. Kam shprehur vetëm një mendim kritik dhe qytetar mbi respektimin e Kushtetutës dhe përgjegjësinë e institucioneve publike”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, më herët Presidenca e Kosovës kishte reaguar duke dënuar gjuhën e përdorur nga Geci ndaj presidentes Vjosa Osmani, pasi ai kishte përdorur termin “pushkatim” në një koment të tij publik, duke e cilësuar një gjuhë të papranueshme dhe që nxit dhunë në diskursin publik.

    Pas këtij reagimi, Halil Geci e ka edituar më vonë postimin e tij në rrjetet sociale duke hequr fjalinë “Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej”.

  • AGK dënon pengimin e gazetares Vesa Hoda nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti

    AGK dënon pengimin e gazetares Vesa Hoda nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda, është penguar fizikisht nga pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti, derisa po tentonte të parashtrojë pyetje për çështje të interesit publik.

    Në reagimin e publikuar, AGK-ja ka dënuar sjelljen e pjesëtarëve të sigurisë, duke theksuar se pengimi i gazetares përbën cenim të punës së mediave.

    Sipas njoftimit, gazetarja kishte tentuar të bënte pyetje lidhur me krizën rreth zgjedhjeve të reja pas një ngjarjeje, kur njëri nga pjesëtarët e Policisë e ka shtyrë fizikisht.

    “Kjo është një sjellje e papranueshme dhe minim i punës së gazetarëve dhe mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve që të respektojnë punën e mediave dhe të mos krijojnë pengesa për raportim.

    “AGK-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit që mos krijojnë pengesa, por të lejojnë gazetarët dhe mediat që të bëjnë punën e tyre në kërkim të përgjigjeve për tema të interesit publik”, thuhet më tej në reagim.

  • Hapni gojën para pasqyrës dhe thoni “aaa” – një test i thjeshtë për nervin vagus

    Hapni gojën para pasqyrës dhe thoni “aaa” – një test i thjeshtë për nervin vagus

    Ekspertët e neurologjisë shpjegojnë se si një vëzhgim i vogël në fyt mund të japë sinjale për balancën e sistemit nervor

    Në vitet e fundit flitet gjithnjë e më shumë për nervin vagus, një nga nervat më të rëndësishëm të organizmit. Sipas literaturës mjekësore dhe bazës shkencore NCBI StatPearls, ky është nervi më i gjatë i sistemit nervor parasimpatik dhe përbën një lidhje të drejtpërdrejtë midis trurit dhe shumë organeve të brendshme, përfshirë zemrën, mushkëritë dhe traktin tretës.

    Ky nerv luan rol të rëndësishëm në rregullimin e shumë proceseve jetësore, si ritmi i zemrës, frymëmarrja, tretja dhe reagimi i organizmit ndaj stresit. Kur funksioni i tij është në ekuilibër, organizmi kalon më lehtë nga gjendja e tensionit në gjendje qetësie, duke ndihmuar në stabilitetin emocional dhe në mirëqenien e përgjithshme.

    Megjithatë, kur funksioni i tij dobësohet ose çrregullohet, mund të shfaqen simptoma si lodhje, irritim, ankth, probleme me tretjen apo ndjesi e vazhdueshme tensioni.

    Një mënyrë e thjeshtë për një vlerësim orientues
    Në ekzaminimin neurologjik të nervave kranialë, mjekët shpesh përdorin një metodë shumë të thjeshtë për të vlerësuar funksionin e nervit vagus dhe të nervit glosofaringeal. Sipas udhëzimeve klinike të përshkruara në NCBI dhe në manualet e ekzaminimit neurologjik, pacientit i kërkohet të hapë gojën dhe të thotë “aaa”, ndërsa mjeku vëzhgon lëvizjen e qiellzës së butë dhe të resës së fytit.

    Një vëzhgim i ngjashëm mund të bëhet edhe në shtëpi. Qëndroni para pasqyrës, hapni gojën dhe me ndihmën e një luge shtypni lehtë gjuhën për të parë më qartë resën e qiellzës së butë, strukturën e vogël që varet në mes të fytit.

    Sipas përshkrimeve në literaturën neurologjike të publikuara në StatPearls dhe TeachMeAnatomy, nëse nervi vagus funksionon normalisht, kjo strukturë zakonisht qëndron në mes dhe ngrihet në mënyrë simetrike kur shqiptohet tingulli “aaa”.

    Nëse ajo devijon dukshëm në njërën anë, kjo mund të sugjerojë dobësim të funksionit të një prej degëve nervore që kontrollojnë këtë zonë. Megjithatë, një vëzhgim i tillë nuk përbën diagnozë dhe kërkon gjithmonë vlerësim nga një mjek specialist.

    Si funksionon sistemi nervor autonom
    Sistemi nervor autonom kontrollon shumë procese që ndodhin pa vullnetin tonë, si rrahjet e zemrës, frymëmarrja dhe tretja. Ai përbëhet nga dy pjesë kryesore:

    • sistemi simpatik, që aktivizon organizmin në situata stresi
    • sistemi parasimpatik, që ndihmon trupin të qetësohet dhe të rikuperohet

    Sipas studimeve të publikuara në literaturën neurologjike dhe fiziologjike, këto dy sisteme funksionojnë në një ekuilibër të vazhdueshëm. Kur njëri aktivizohet më shumë, tjetri zakonisht qetësohet, në mënyrë që organizmi të ruajë stabilitetin e funksioneve jetësore.

    Kur ky ekuilibër prishet, mund të shfaqen simptoma si lodhje kronike, ndjeshmëri e shtuar ndaj stresit, pagjumësi ose vështirësi në përqendrim.

    Pse është i rëndësishëm nervi vagus
    Sipas studimeve të përmbledhura në NCBI dhe literaturën e fiziologjisë klinike, aktiviteti i mirë i nervit vagus lidhet me:

    • rregullim më të mirë të stresit
    • stabilitet të ritmit të zemrës
    • funksion më të mirë të sistemit tretës
    • mirëqenie emocionale më të qëndrueshme

    Praktika si frymëmarrja e thellë, aktiviteti fizik, meditimi, gjumi i rregullt dhe disa teknika relaksimi janë treguar se mund të ndihmojnë në stimulimin e këtij nervi dhe në përmirësimin e balancës së sistemit nervor autonom.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se një test i thjeshtë në pasqyrë nuk mund të zëvendësojë ekzaminimin mjekësor dhe duhet parë vetëm si një tregues orientues.

  • Marc Casado pritet të largohet nga Barcelona-Gjermania dhe Arabia Saudite destinacionet e mundshme për spanjollin në sezonin tjetër

    Marc Casado pritet të largohet nga Barcelona-Gjermania dhe Arabia Saudite destinacionet e mundshme për spanjollin në sezonin tjetër

    Mesfushori spanjoll Marc Casado mund të largohet nga gjiganti katalunas Barcelona në fund të këtij edicioni.

    Konkurrenca e madhe në repartin e mesfushës ka bërë që Casado të mos ketë minutazhë në formacionin bazë të trajnerit Hansi Flick,dhe drejtuesit e Barcës janë të interesuar që të dëgjojnë ofertat për spanjollin.

    Përndryshe Casado flitet që karrierën mund të vazhdojë në Bundesligën gjermane,ku klube si Borussia Dortmund dhe Stuttgart kanë shfaqur interesim për mesfushorin teksa edhe Arabia Saudite është një opsion për 22 vjecarin.

    Ndërkohë Barcelona nga shtija e Casados që të fitoj rreth 30 milionë euro,dhe se kjo mund të ndihmonte gjigantin katalunas në arritjen e objektivave për sezonin e ardhshëm.

    Kujtojmë që Marc Casado bëri 26 paraqitje këtë sezon për Barcelonën,ku arriti të bëj vetëm një asistim.