ATV

Blog

  • Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Alush Kastratit i zhdukur nga 7 marsi

    Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Alush Kastratit i zhdukur nga 7 marsi

    Kërkimet për ta gjetur 80-vjeçarin, Alush Kastrati i zhdukur që nga 7 marsi, po vazhdojnë.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, në bashkëpunim me FSK, Policinë e Kosovës dhe Komunën e Rahovecit, po vazhdon operacionin e kërkimit për gjetjen e të moshuarit.

    “Që nga marrja e lajmit, shoqata ka angazhuar departamentin e këmbësorisë dhe ekipin e dronistëve të saj, duke punuar me të gjitha kapacitetet deri në orët e para të mëngjesit. Pas një pauze të shkurtër disaorëshe, operacioni ka rifilluar në mëngjesin e sotëm dhe po vazhdon edhe tani”, thuhet në njoftim in e ShKKS-së.

    Për gjetjen e tij u aktivizua edhe Policia e cila përmes një njoftimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve se kushdo që ka informacion për të, të lajmërohet në numrin 192 ose në stacionin më të afërt.

  • Kur mund të ketë zgjedhje, Ramadani: Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë Presidentes mbahen në maj, nëse jo në korrik

    Kur mund të ketë zgjedhje, Ramadani: Nëse Kushtetuesja i jep të drejtë Presidentes mbahen në maj, nëse jo në korrik

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.

    Burim Ramadani, ka treguar dy variante kur mund të mbahen zgjedhjet.

    Sipas tij, nëse Gjykata i jep të drejtë presidentes atëherë zgjedhjet mbahen me 10 apo 17 maj.

    Por, nëse nuk i jep të drejtë presidentes atëherë fillon afati 60-ditor dhe zgjedhjet mbahen më 12 apo 19 korrik.

    Postimi i plotë:

    Dy opsione kur mund të mbahen zgjedhet e parakohshme:

    1. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Presidentes, atëherë zgjedhjet më së hershmi mund të mbahen më 10 ose 17 maj.

    2. Nëse Gjykata Kushtetuese ia anulon Dekretin Presidentes dhe i jep edhe 60 ditë për zgjedhjen e Presidentit, atëherë zgjedhjet e parakohshme i bjen që mbahen më 12 ose 19 korrik.

    P.S

    Qëndroj në thirrjen e para një jave që Kuvendi duhet ta zgjedh Presidentin e ri dhe nuk NUK DUHET shkuar në zgjedhje!

  • “Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

    “Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

    Presidenti i Recep Tayyip Erdogan ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga Ankaraja, Irani po vazhdon të ndërmarrë hapa të gabuar dhe provokues.

    Duke folur pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, kreu i shtetit turk theksoi se prioriteti kryesor i vendit mbetet mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe stabiliteti i qytetarëve turq.

    “Qëllimi ynë kryesor është ta mbajmë vendin tonë larg këtij zjarri. Garantimi i sigurisë së Turqisë dhe paqes së 86 milionë qytetarëve tanë është prioriteti më i madh në këtë proces. Nuk duam që as edhe një fije floku e qytetarëve tanë të dëmtohet”, deklaroi Erdoğan.

    Presidenti turk shtoi se, ndërsa disa aktorë në rajon po “i hedhin benzinë zjarrit” duke nxitur destabilizim, Turqia po përpiqet të luajë një rol stabilizues për të frenuar përhapjen e konfliktit dhe për ta shuar atë nëse është e mundur.

    Sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve të sinqerta nga Ankaraja, Irani vazhdon të ndërmarrë hapa që rrisin tensionet në rajon.

    “Ne nuk duhet të lejojmë që marrëdhëniet tona vëllazërore të dëmtohen. Përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit janë të qarta”, u shpreh ai.

    Erdogan theksoi gjithashtu se Turqia do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet në koordinim me NATO dhe me aleatët e tjerë, duke marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e saj.

  • Kurti në kërkesën dërguar Kushtetueses: Presidentja i takoi partitë për datën e zgjedhjeve, rreziku është i menjëhershëm dhe real

    Kurti në kërkesën dërguar Kushtetueses: Presidentja i takoi partitë për datën e zgjedhjeve, rreziku është i menjëhershëm dhe real

    Kryeministri Albin Kurti pretendon se presidentja Vjosa Osmani bëri “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.

    Ai i kërkoi gjykatës që të vendoste sa më shpejt masën e përkohshme, pasi, siç shkruan ai, zhvillimet tutje do të kishin ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

    Kurti shkruan në kërkesë se vendosja e masës së përkohshme imponohej edhe prej faktit se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    “Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: “Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, shkruan ai në kërkesën dërguar Gjykatës.

    Kurti thotë aty se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që ajo t’i shpallte zgjedhjet e reja.

    “Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real. Ai konsiston në krijimin e një situate faktike që, edhe në rast të konstatimit të mëvonshëm të antikushtetutshmërisë nga Gjykata, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme juridike”, shkruan Kurti në kërkesë.

    Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme me të cilën ia ndaloi presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.

  • Trump kundërshton kërkesën për azil të futbollisteve iraniane

    Trump kundërshton kërkesën për azil të futbollisteve iraniane

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se Australia po bënte një “gabim të tmerrshëm humanitar” duke lejuar ekipin iranian të futbollit të femrave të kthehej në shtëpi dhe i bëri thirrje kryeministrit australian t’i jepte ekipit azil.

    Ekipi iranian ishte në Australi për Kupën e Azisë, nga e cila u eliminua të dielën pasi humbi ndaj Filipineve, raporton Reuters.

    Turneu për ekipin kombëtar iranian filloi në një kohë kur SHBA-të dhe Izraeli po nisnin sulme ajrore kundër Iranit, në të cilat u vra Lideri Suprem i Republikës Islamike, Ali Khamenei. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se futbollistet femra mund të përballen me pasoja të rënda pas kthimit të tyre.

    “Australia po bën një gabim të tmerrshëm humanitar duke lejuar që ekipi iranian i futbollit të femrave të detyrohet të kthehet në Iran, ku ka shumë të ngjarë të vriten”, shkroi Trump. “Shtetet e Bashkuara do t’i pranojnë ato nëse ju nuk doni.”

    Ambasada Australiane në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi deklaratat e Trump.

  • Prokuroria Speciale nis hetimet për kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani

    Prokuroria Speciale nis hetimet për kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar opinionin publik, se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes Vjosa Osmani-Sadriu.

    Në komunikatë bëhet e ditur se rastet janë iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    Në njoftimin zyrtar, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.

  • Haradinaj: Kurti punoi në bazë të udhëzimeve ose dëshirave të Rusisë dhe Serbisë

    Haradinaj: Kurti punoi në bazë të udhëzimeve ose dëshirave të Rusisë dhe Serbisë

    Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se kryeministri Albin Kurti ka punuar “intensivisht që ato themelet, atë që është krijuar me mund në Kosovë ta tjetërsojë, por jo në favor të Kosovës.

    Ai tha në një intervistë në Frontal në T7 se të gjitha zhvillimet janë “agjendë”.

    “E ka sulmu themelin e vlerave të lirisë”, tha ai.

    “E ka dëmtuar edhe ekonominë. Shumë prej tyre i nxjerrin sot investimet jashtë vendit. Shqipëria thotë se investitori më i madh i jashtëm është Kosova. 700 milionë të Kosovës atje. E ka lënë Kosovën pa fuqi energjetike, s’ka lënë të prodhohet energji elektrike”, tha ndër tjerash Haradinaj.

    Ai tha gjithashtu se Kurti “i ka shkatërru marrëdhëniet me aleatët e sigurisë”.

    “Nëse e vazhdojmë listën kështu, e sheh që ky ka punu në bazë të udhëzimeve ose në bazë të dëshirave të armiqve të Kosovës, Rusisë, Serbisë, këtyre që s’na dojnë”, tha ai.

  • Kushtetuesja vendos masë ndaj dekretit të Presidentes, ndalon çdo veprim të Kuvendit deri më 31 mars

    Kushtetuesja vendos masë ndaj dekretit të Presidentes, ndalon çdo veprim të Kuvendit deri më 31 mars

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.

    Vendimi vjen pasi kryeministri Albin Kurti e dorëzoi për shqyrtim në këtë gjykatë dekretin e presidentes Vjosa Osmani të premten për ta shpërndarë Kuvendin.

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 9 mars 2026, njëzëri VENDOS I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

    Gjykata urdhëroi, në pikën e dytë të vendimit, që masa e përkohshme “hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

    Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pasi Presidenti i ri nuk u zgjodh deri në fund të ditës së enjtë, më 5 mars.

  • Gërvalla lëshon komunikatë pas dorëheqjes së Avdylit: Askush nga Guxo s’është përfshirë në linçime ndaj Presidentes

    Gërvalla lëshon komunikatë pas dorëheqjes së Avdylit: Askush nga Guxo s’është përfshirë në linçime ndaj Presidentes

    Kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla Schwarz lëshoi një komunikatë të partisë që drejton duke thënë se e kuptoi “nga mediat dhe rrjetet sociale” që Haxhi Avdyli dha dorëheqje nga partia për shkak të, siç tha, fushatë linçuese ndaj presidentes Vjosa Osmani.

    Ajo tha se Guxo e pranon dorëheqjen e tij dhe e falënderon Avdylin për kontributin, por shtoi se “askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës”.

    “Nga media dhe nga rrjetet sociale, kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli, paska dhënë sot dorëheqje nga Partia Guxo. Kryesia e Partisë Guxo e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme. Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe perkrahësve, Partia Guxo e falenderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për Partinë Guxo. Si kryesi e Partisë Guxo i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale!”, thuhet në komunikatën e postuar nga Gërvalla.

    “Në fund, për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës. Partia Guxo angazhohet me ngulm për respektimin e rendit, ligjit dhe kushtetueshmërisë në të gjitha zhvillimet në vend duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit”, thuhet në fund të komunikatës.

    Në valën e sulmeve online ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila vendosi ta shpërndajë Kuvendin, u përmend edhe “pushkatimi”, gjë që nxiti një reagim nga Presidenca që bëri thirrje që bë thirrje që organet e drejtësisë “të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”.

    Haxhi Avdyli, deputet në disa legjislstura, dha dorëheqje nga Guxo “në shenjë proteste dhe për të mos u identifikuar me këtë fushatë të ulët”, që tha se e ka prekur shumë.

  • Tomë Gashi: President më i mirë se Vjosa Osmani ka qenë vetëm Ibrahim Rugova

    Tomë Gashi: President më i mirë se Vjosa Osmani ka qenë vetëm Ibrahim Rugova

    Avokati Tomë Gashi ka folur në emisionin e “Kosova Live” në T7 lidhur me mospropozimin e emrit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, si kandidate për presidente të ardhshme nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Gashi ka thënë se është habitur nga ky vendim, duke theksuar se Osmani është ndër presidentët më të mirë që ka pasur vendi.

    “President më i mirë se Vjosa Osmani ka qenë veç Ibrahim Rugova. S’ka tjerë”, është shprehur ai.

    Sipas tij, mospropozimi i emrit të Osmanit për një mandat tjetër është i pakuptueshëm, duke pasur parasysh, siç tha ai, performancën e saj në krye të shtetit.