ATV

Blog

  • 100 kadetë të rinj i shtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës

    100 kadetë të rinj i shtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të përforcohet me 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët do të angazhohen në garantimin e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në institucionet korrektuese në vend.

    Sipas saj, Shërbimi Korrektues është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, që siguron jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria”, ka shkruar Gërvalla.

    Ajo theksoi se kadetët e rinj do të sjellin energji dhe përgjegjësi në këtë profesion që kërkon disiplinë dhe integritet të lartë.

    “Që sot këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë”, ka thënë ministrja.

    Sipas saj, roli i zyrtarëve korrektues nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e rendit në institucionet korrektuese, por lidhet edhe me procesin e riintegrimit të personave të privuar nga liria në shoqëri.

    “Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm”, theksoi ajo.

    Në muajt në vijim, kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim profesional gjashtëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të këtij profesioni.

    Gërvalla shtoi se Kosova ka bërë përparime në trajtimin e personave të privuar nga liria, progres që është reflektuar edhe në vlerësimet e Këshilli i Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë këtë fushë. /Telegrafi/

  • Sulm me dron ndaj kompleksit të madh të naftës në Abu Dhabi

    Sulm me dron ndaj kompleksit të madh të naftës në Abu Dhabi

    Një sulm me dron shkaktoi zjarr në një nga objektete kompleksit industrial Ruwais në Abu Dhabi, njoftoi zyra e mediave e qeverise se emiratit.

    Autoritetet thanë se ekipet e emergencës reaguan menjehere per te vene situaten nën kontroll dhe se nga incidenti nuk ka persona te lenduar.

    Kompleksi Ruwais strehon nje pjese te operacioneve të Abu Dhabi National Oil Company (ADNOC) dhe konsiderohet nj nga qendrat më t mëdha në botëpër rafinimin e naftës dhe industrinë petrokimike ne nje vend te vetem.

    Objektet në kete kompleks kane kapacitet te perpunojnë deri në 922 mije fuçi nafte ne dite dheshërbejnë si qendra kryesore për operacionet industriale dhe kimike të Abu Dhabi-t, perfshirë prodhimin e plehrave kimike dhe gazrave industriale.

    Sulmi eshte nje nga incidentet me te fundit qe kane në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik,nenje kohe kur tensionet ne rajon meten te larta.

  • Vetëm 3 minuta gruaja me sy të mbyllur identifikoi 19 barbie

    Vetëm 3 minuta gruaja me sy të mbyllur identifikoi 19 barbie

    Gruaja gjermane që mban rekordin botëror Guinness për koleksionin më të madh të kukullave Barbie, fitoi një titull të dytë duke identifikuarme st të mbyllur kukullat.

    Bettina Dorfmann, koleksioni i së cilës prej 18,500 kukullash Barbie i dha asaj një rekord botëror Guinness, u shfaq në serialin televiziv në gjuhën gjermane “The Great Show of World Records” të organizatës së mbajtjes së rekordeve për të bërë një përpjekje për një titull të dytë.

    Dorfman ishte me sy të lidhur dhe iu dhanë kukulla të ndryshme Barbie, të cilat i identifikoi me prekje. Ajo identifikoi saktë 19 kukulla në tre minuta.

    Ajo tha se çelësi ishte përdorimi i duarve të saj për të analizuar formën, flokët dhe veshjet e secilës kukull, transmeton Telegrafi.

    Dorfman fillimisht vendosi rekordin për koleksionin më të madh të kukullave Barbie në vitin 2005, kur koleksioni i saj u numërua në 2,500 kukulla të ndryshme.

    Koleksioni i saj që atëherë është rritur më shumë se shtatëfish, duke u numëruar së fundmi në 18,500 në vitin 2022

  • Hegseth thotë se bombardimet e SHBA-së kundër Iranit do të rriten dukshëm

    Hegseth thotë se bombardimet e SHBA-së kundër Iranit do të rriten dukshëm

    Sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit do të arrijnë një intensitet të ri të martën dhe presidenti Donald Trump vendos se sa gjatë do të vazhdojë kjo luftë, tha shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

    “Sot do të jetë përsëri dita jonë më intensive e sulmeve brenda Iranit”, tha Hegseth në një konferencë për shtyp në Pentagon.

    SHBA-ja dhe Izraeli i nisën bombardimet kundër republikës islamike më 28 shkurt.

    Hegseth shtoi se, sa i përket kohëzgjatjes së luftës, Trumpi është ai që “e kontrollon ritmin”.

    “Ai është ai që vendos”, tha Hegseth, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Nuk është detyra ime të them nëse ky është fillimi, mesi apo fundi”, shtoi sekretari i Mbrojtjes.

    Ndër synimet e luftës është edhe shkatërrimi i marinës së Iranit, e cila është goditur me “artileri, avionë luftarakë, bombardues dhe raketa të lëshuara nga deti”, tha gjenerali Dan Caine, oficeri më i lartë ushtarak amerikan, në të njëjtën konferencë me Hegseth.

    Irani është zotuar se do t’i bllokojë të gjitha eksportet e naftës përmes Gjirit për aq kohë sa zgjatë lufta, ndërsa Trump ka kërcënuar me “vdekje, zjarr dhe tërbim” nëse Teherani ndërhyn në eksportet e naftës.

    Caine tha se forcat amerikane vazhdojnë “të kërkojnë dhe të godasin anijet që vendosin mina dhe depot ku ruhen minat”, pasi këto janë armë që Irani mund t’i përdorë për ta bllokuar trafikun detar.

    Ndërkohë, Hegseth e akuzoi Iranin se “po vendos raketahedhës në lagje civile, pranë shkollave dhe pranë spitaleve për t’i penguar sulmet tona. Kështu veprojnë ata”.

    Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e ka akuzuar Iranin se po tenton “të mbajë botën peng” duke nisur sulme hakmarrëse nëpër Lindje të Mesme dhe ka thënë se operacionet ushtarake amerikane, me qëllim të kufizimit të kapaciteteve të Teheranit, janë duke përparuar sipas planeve.Si shembull për sulmet e Teheranit ndaj vendeve fqinje, NATO-ja ka thënë se e ka rrëzuar një raketë balistike në hapësirën ajrore turke për herë të dytë prej kur ka nisur lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.

    “NATO e ka rrëzuar sërish një raketë të nisur në Turqi. NATO-ja është e vendosur që t’i mbrojë aleatët ndaj secilit kërcënim”, ka thënë aleanca përmes një postimi në rrjete sociale më 9 mars, por pa dhënë më shumë hollësi.

    Ministria turke e Mbrojtjes e ka konfirmuar incidentin, duke shtuar se disa fragmente municionesh kanë rënë në toka të zbrazëta në Gaziantep, qytet në jug të Turqisë, afër kufirit me Sirinë. Nuk ka raportime për viktima./REL

  • Anne Hathaway shfaqet me një pamje shumë rinore në New York mes spekulimeve për operacione plastike

    Anne Hathaway shfaqet me një pamje shumë rinore në New York mes spekulimeve për operacione plastike

    Aktorja Anne Hathaway u pa në New York City duke u shfaqur elegante dhe me një pamje shumë rinore, vetëm pak ditë pas pjesëmarrjes së saj në Met Gala.

    Dalja e saj në publik vjen mes spekulimeve të fansave në rrjetet sociale se mund të ketë bërë ndërhyrje estetike.

    Aktorja 42-vjeçare u shfaq me xhinse blu, çizme të zeza dhe një xhaketë të artë me shkëlqim, shkruan DailyMail.

    Ajo i kishte flokët brunë të lëshuara dhe të stiluar anash, të kombinuara me syze të mëdha dielli dhe vathë të vegjël rrethorë. Pamjen e plotësoi me një grim të butë në nuanca pjeshke.

    Në Met Gala, Hathaway kishte zgjedhur një veshje elegante nga Carolina Herrera, të stiluar nga Erin Walsh dhe të shoqëruar me bizhuteri të Bulgari.

    Flokët e saj ishin të kapura në një bisht klasik që theksonte tiparet e fytyrës.

    Pas publikimit të fotografive nga eventi, shumë fansa komentuan pamjen e saj të freskët dhe rinore, duke spekuluar nëse aktorja mund të ketë bërë ndërhyrje estetike.

    Megjithatë, specialistja e saj e kujdesit të lëkurës, Su-Man, ka theksuar se Hathaway është shumë e disiplinuar kur bëhet fjalë për rutinën e kujdesit për lëkurën.

    Pas eventit, aktorja falënderoi organizatorët dhe ekipin e stilimit në Instagram, duke e cilësuar mbrëmjen si një përvojë të paharrueshme.

  • Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend

    Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Në takim nga presidenca thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.

    Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë.

    Tutje, ajo theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta.

    Gjatë bisedës u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

    Në këtë kontekst, u theksua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.

  • Hapet thirrja për pjesëmarrje në Prishtina International Theater Festival, PITF2026

    Hapet thirrja për pjesëmarrje në Prishtina International Theater Festival, PITF2026

    Festivali Ndërkombëtar i Teatrove – Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” (PITF) ka hapur thirrjen për aplikime për edicionin e radhës që do të mbahet nga 18 deri më 23 maj 2026 në Prishtinë. Ky vit shënon një moment të veçantë për festivalin, pasi bëhet fjalë për edicioni jubilar të 10-të, një përvjetor që simbolizon një dekadë promovimi të artit skenik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në teatër.

    Festivali organizohet nga Teatri AAB “Faruk Begolli” dhe fton teatrot profesionale, kompanitë teatrore, kompanitë e pavarura dhe format e tjera të prodhimeve teatrore që të aplikojnë për pjesëmarrje në programin e festivalit.

    PITF ka karakter garues, ku shfaqjet do të vlerësohen nga një juri profesionale, si dhe nga dy juri të veçanta: juri e studentëve dhe juri e medias. Në kuadër të festivalit do të ndahen disa çmime kryesore, përfshirë Çmimin për aktorin ose aktoren më të mirë dhe Çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa festivali nuk vendos kufizime për zhanrin e shfaqjeve.

    Qëllimi i festivalit është të prezantojë projekte teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota, si dhe të krijojë një hapësirë për shkëmbim idesh, përvojash dhe bashkëpunimesh të reja ndërkombëtare mes artistëve dhe institucioneve kulturore.

    Të gjitha palët e interesuara mund të aplikojnë deri më 30 prill 2026 përmes formularit online:

    Forma e aplikimit:
    https://apply-pitf.teatriaab.com/

    Për informata shtesë mund të kontaktohet në: [email protected].

    Me edicionin jubilar të dhjetë, PITF synon të vazhdojë traditën e tij të sjelljes në Prishtinë të produksioneve teatrore nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer qytetin për disa ditë në një qendër të rëndësishme të dialogut artistik dhe kulturor.

  • Onkologët e rinj mbeten pa punë, Shoqata kërkon masa urgjente nga institucionet

    Onkologët e rinj mbeten pa punë, Shoqata kërkon masa urgjente nga institucionet

    Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën e shërbimeve onkologjike në vend, duke theksuar se mungesa e specialistëve të rinj po ndikon drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.

    Në një reagim publik, SHOK vlerëson se numri i pacientëve me kancer po rritet çdo vit, ndërsa disa specialistë të rinj të onkologjisë, të trajnuar për vite me radhë me investim të konsiderueshëm publik dhe personal, mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike.

    “Çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të përgjithshëm të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës.

    Aktualisht, aplikimi i kimioterapisë dhe radioterapisë në nivel vendi realizohet kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjë që krijon ngarkesë të madhe për sistemin shëndetësor dhe shpeshherë rezulton me vonesa në trajtimin e pacientëve.

    SHOK thekson se angazhimi i specialistëve të rinj do të rrisë kapacitetet e shërbimeve onkologjike, do të përmirësojë qasjen e pacientëve në trajtim dhe do të ulë kohën e pritjes për terapi.

    Shoqata bën thirrje që institucionet përgjegjëse të krijojnë mundësi për integrimin e tyre sa më shpejt në sistemin shëndetësor publik.

    “Përmirësimi i trajtimit të pacientëve me kancer duhet të mbetet prioritet i përbashkët institucional dhe profesional”, përfundon reagimi i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës. /Telegrafi/

  • FC Barcelona merr licencën 1C, rrit kapacitetin e Camp Nou për ndeshjen ndaj Sevillas

    FC Barcelona merr licencën 1C, rrit kapacitetin e Camp Nou për ndeshjen ndaj Sevillas

    FC Barcelona ka marrë zyrtarisht licencën 1C nga Këshilli i Qytetit të Barcelonës, duke i lejuar klubit të hapë nivelin e parë dhe të dytë të tribunës Gol Nord në Spotify Camp Nou. Ky hap do të hyjë në fuqi në ndeshjen e së dielës në La Liga kundër Sevilla, që përkon edhe me zgjedhjet presidenciale të klubit.

    Si pasojë, kapaciteti i stadiumit do të rritet ndjeshëm, nga 45,401 në 62,657 vende, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rindërtimin e Camp Nou dhe rihapjen graduale të tribunës.

    Megjithatë, Barcelona përballet me sfida të reja për rihapjen e Gol Nord, pasi Këshilli i Qytetit vendosi kërkesa shtesë për qasje, pavarësisht përfundimit të ndërtimit të niveleve të para dhe të dyta. Klubi ka nisur procesin për blerjen e 14,000 biletave sezonale, por kërkesa ka tejkaluar kapacitetin, gjë që mund të çojë në një short për ndarjen e vendeve.

    Pasiguria mbetet edhe mbi vendndodhjen përfundimtare të Grada d’Animació, ndërsa rritja e kapacitetit mund të ndikojë pozitivisht edhe në pjesëmarrjen e zgjedhjeve presidenciale të së dielës.

    Që nga rikthimi në nëntor, Barça ka bërë të Camp Nou një fortesë të vërtetë, duke fituar të gjitha 11 ndeshjet e zhvilluara në shtëpi deri tani, dhe kjo zgjerim i tribunës pritet ta forcojë edhe më shumë avantazhin në shtëpi.

  • Prizren: Arrestohet 37-vjeçari i kërkuar për vrasje, ishte në arrati prej vitesh

    Prizren: Arrestohet 37-vjeçari i kërkuar për vrasje, ishte në arrati prej vitesh

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar nga drejtësia, i dyshuar për disa vepra penale, përfshirë edhe veprën penale “vrasje”.

    Sipas njoftimit të policisë, më 9 mars 2026 rreth orës 22:30, patrulla e Stacionit Policor në Prizren, pas një pune të vazhdueshme hetimore, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin A.P., 37 vjeçar nga fshati Velezhë i Prizrenit.

    “I njëjti ishte i kërkuar sipas urdhërarresteve të gjykatës për disa vepra penale, konkretisht për ‘vrasje’, ‘shkaktim të rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armës’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sipas policisë, rasti lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015, ku i dyshuari kryesor për vrasje ishte arrestuar dhe dënuar nga gjykata, ndërsa A.P. kishte qenë gjithashtu njëri nga të dyshuarit dhe kishte qëndruar në arrati për disa vjet.

    Pas arrestimit, më 10 mars 2026, i dyshuari është dërguar në Prokurorinë Speciale për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

    Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, veçanërisht atyre që dyshohen për vepra penale të rënda, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit publik.