ATV

Blog

  • Rasti i dhunimit të 11-vjeçares në vitin 2022, Gjykata shqipton 52 vjet burgim për pesë të akuzuarit

    Rasti i dhunimit të 11-vjeçares në vitin 2022, Gjykata shqipton 52 vjet burgim për pesë të akuzuarit

    Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka shpallur këtë të martë aktgjykim dënues për pesë nga gjashtë të akuzuarit për dhunimin e një 11-vjeçareje në kryeqytet, rast që kishte ndodhur në vitin 2022.

    Të pandehurit u dënuan me gjithsej 52 vjet burgim, pasi gjykata konstatoi se secili prej tyre, veç e veç, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

    Sipas vendimit të gjykatës, B.R u dënua me 12 vjet burgim, ndërsa D.Rr., F.S., M.R. dhe M.K me nga 10 vjet burgim secili.

    Ky rast ishte kthyer në rigjykim pasi palët kishin ankimuar vendimin e Gjykatës Themelore në prill të vitit 2024.

    Ndërkohë, një nga të akuzuarit, i cili ndodhet në arrati, është veçuar nga procesi, ndërsa për rastin në tërësi akuzohen gjithsej 13 persona në dy procedura të ndara gjyqësore.

  • “Ky është Madrid”, Arbeloa i gatshëm për derbin e Champions League

    “Ky është Madrid”, Arbeloa i gatshëm për derbin e Champions League

    Sonte nis faza e 1/8 së finales në UEFA Champions League, dhe një nga përballjet më të pritura është pa dyshim ajo mes Real Madrid dhe Manchester City, një nga derbit më të mëdhenj të kompeticionit, që luhet nesër.

    Trajneri i Madridit, Arbeloa, ka folur për pritshmëritë dhe motivimin e skuadrës para ndeshjes, duke theksuar mentalitetin e fituesit që karakterizon “Los Blancos”:

    “Jemi favoritë nesër? Ky është Real Madrid, nuk mund të ndiejmë kurrë inferioritet ndaj askujt,” tha Arbeloa.

    Ai shtoi gjithashtu se, megjithëse e dinë se sa i fortë është City, përgatitjet e trajnerit dhe cilësitë e lojtarëve janë të jashtëzakonshme, ekipi spanjoll do të futet në fushë me guxim:

    “E dimë sa mirë janë City, trajneri i tyre, lojtarët e tyre, por do t’i shikojmë drejt në sy. KJO ËSHTË MADRID.”

    Ndeshja pritet të zhvillohet me një atmosferë elektrizuese, pasi përballja mes dy gjigantëve evropianë ka histori, rivalitet dhe shumë pritshmëri për spektakël.

    Kjo sfidë mund të vendosë shumë për fatin e fazës eliminatore dhe do të jetë një test i madh për mentalitetin dhe forcën e Real Madridit në “skenën më të madhe të futbollit evropian”.

  • Dy të lënduar dhe katër persona dërgohen në polici pas rrahjes në Pejë

    Dy të lënduar dhe katër persona dërgohen në polici pas rrahjes në Pejë

    Dy persona janë lënduar si pasojë e një rrahje që ka ndodhur sot në hapësirat e Stacionit e Autobusëve në Pejë, derisa katër persona janë arrestuar lidhur me këtë incident nga policia.

    Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

    Gashi deklaroi se në këtë ngjarje është përdorur edhe mjeti i mprehtë (thika).

    “Dy persona janë dërguar për tretman mjekësor, derisa katër janë arrestuar në vendin e ngjarjes. Rasti ka ndodhur rreth orës 14:00. Policia me njësitet relevante dal në vendin e ngjarjes derisa kanë nisur hetimet lidhur me rastin”, tha Gashi.

  • Horoskopi financiar deri në mesin e marsit: Cilët shenja mund të presin më shumë mundësi për fitime

    Horoskopi financiar deri në mesin e marsit: Cilët shenja mund të presin më shumë mundësi për fitime

    Parashikimet astrologjike shpesh shërbejnë si frymëzim për të menduar rreth planeve të së ardhmes, veçanërisht kur bëhet fjalë për financat dhe karrierën. Edhe pse horoskopi nuk përbën një parashikim të sigurt të ngjarjeve, shumë njerëz e ndjekin atë për të marrë motivim shtesë dhe për të planifikuar më mirë hapat e tyre profesionalë.

    Sipas interpretimeve astrologjike për muajin mars, mesi i muajit mund të sjellë ndryshime pozitive sa i përket parave dhe mundësive të biznesit. Veçanërisht dallohen tre shenja të horoskopit për të cilat konsiderohet se mund të ndjejnë një lehtësim financiar dhe të kenë mundësi të zgjidhin disa borxhe të mëhershme ose të stabilizojnë buxhetin.

    Astrologët theksojnë se është e rëndësishme që periudha e favorshme të shfrytëzohet me përgjegjësi, duke planifikuar shpenzimet dhe duke menduar në plan afatgjatë në mënyrë që përparimi financiar të ketë efekt më të qëndrueshëm.

    Demi: Rezultatet e përpjekjeve shumëvjeçare

    Personat e lindur në shenjën e Demit njihen për durimin dhe këmbënguljen kur bëhet fjalë për punën dhe paratë. Shpesh janë të gatshëm të punojnë gjatë për arritjen e qëllimeve të tyre pa pritur rezultate të shpejta.

    Sipas parashikimeve astrologjike, mesi i marsit mund të sjellë momentin kur një pjesë e këtij mundi më në fund fillon të shpërblehet. Ekziston mundësia që Demat të marrin pagesa të cilat kanë qenë të shtyra më parë, si honorare të prapambetura, borxhe ose kompensime të dakorduara më herët.

    Gjithashtu theksohet se kjo periudhë mund të jetë e favorshme për negociata rreth kushteve financiare në punë, duke përfshirë rritjen e pagës ose përmirësimin e kushteve të punës.

    Këshilla për Demat është që një pjesë e të ardhurave shtesë eventuale ta drejtojnë drejt kursimeve ose qëllimeve afatgjata, në vend që të shpenzojnë të gjithë shumën për nevoja afatshkurtra.

    Virgjëresha: Mundësi të reja profesionale

    Virgjëreshat njihen për saktësinë, organizimin dhe aftësinë për të menaxhuar me kujdes financat. Shpesh mendojnë përpara dhe planifikojnë shpenzimet e tyre.

    Parashikimet astrologjike tregojnë se personat e lindur në këtë shenjë deri në mesin e marsit mund të marrin një ofertë interesante pune ose një mundësi për angazhim shtesë. Kjo mundësi mund të lidhet me aftësitë ose njohuritë e tyre specifike që prej kohësh janë vlerësuar në ambientin profesional.

    Për disa Virgjëresha kjo mund të nënkuptojë një projekt të ri, bashkëpunim me partnerë biznesi ose mundësi për të punuar në tregun ndërkombëtar.

    Nëse një mundësi e tillë shfaqet, është e rëndësishme të vlerësohen mirë detyrimet dhe të organizohet koha në mënyrë që projekti i ri të sjellë përfitime afatgjata.

    Bricjapi: Përparim i qëndrueshëm dhe siguri financiare

    Bricjapët njihen për disiplinën dhe përkushtimin ndaj punës. Ata shpesh kanë plane të qarta afatgjata dhe janë të gatshëm të investojnë shumë energji për t’i realizuar ato.

    Interpretimet astrologjike për marsin tregojnë se përpjekjet e tyre mund të fillojnë të japin rezultate të dukshme. Kjo mund të vijë në formën e një bonusi, avancimi në punë ose përfundimi të suksesshëm të një projekti që sjell të ardhura shtesë.

    Për disa Bricjapë kjo periudhë mund të nënkuptojë edhe zgjidhje më të lehtë të detyrimeve financiare, si kredi apo borxhe, duke sjellë një ndjenjë stabiliteti dhe sigurie.

    Megjithatë, këshillohet kujdes gjatë marrjes së vendimeve financiare. Leximi i kujdesshëm i kontratave dhe organizimi i mirë i shpenzimeve mund të ndihmojnë që suksesi i arritur të ruhet në afat më të gjatë.

    Si të menaxhoni me mençuri të ardhurat shtesë

    Pavarësisht shenjës së horoskopit, të ardhurat shtesë gjithmonë përbëjnë një mundësi të mirë për të përmirësuar stabilitetin financiar. Ekspertët shpesh këshillojnë disa hapa të thjeshtë që mund të ndihmojnë në menaxhimin e parave.

    Një nga hapat e parë është ndarja e një pjese të të ardhurave për kursime ose për një fond emergjence. Po ashtu është e dobishme të mendohet për qëllime afatgjata si investimi në arsimim, zhvillimin e aftësive ose projekte që mund të sjellin të ardhura shtesë në të ardhmen.

    Planifikimi i buxhetit dhe kontrolli i shpenzimeve ndihmojnë që periudha e përparimit financiar të mos jetë e përkohshme, por të shndërrohet në bazë për një të ardhme më të qëndrueshme.

    Përfundim

    Parashikimet astrologjike për muajin mars tregojnë se Demat, Virgjëreshat dhe Bricjapët mund të kenë më shumë mundësi për përparim financiar deri në mesin e muajit. Megjithatë, çdo mundësi kërkon vlerësim të mirë dhe menaxhim të përgjegjshëm të parave.

    Pavarësisht shenjës së horoskopit, kombinimi i punës së palodhur, planifikimit të mirë dhe gatishmërisë për të njohur mundësi të reja shpesh është çelësi i suksesit. Kur një moment i favorshëm shfrytëzohet në mënyrën e duhur, edhe përmirësimet e vogla financiare mund të çojnë me kohë në rezultate të rëndësishme.

  • Zendaya shfaqet me të bardha në sfilatën e Louis Vuitton, fansat vënë re një unazë që ngjalli dyshime për martesë

    Zendaya shfaqet me të bardha në sfilatën e Louis Vuitton, fansat vënë re një unazë që ngjalli dyshime për martesë

    Aktorja dhe ylli i modës Zendaya tërhoqi gjithë vëmendjen gjatë sfilatës së fundit të Louis Vuitton në kuadër të Paris Fashion Week, ku u shfaq e veshur me një veshje elegante në ngjyrë të bardhë që shumë fansa e krahasuan me një stil “nuseje”.

    Zendaya u ul në rreshtin e parë të shfaqjes dhe u fotografua me një kostum të bardhë të sofistikuar, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale. Megjithatë, ajo që ndezi më shumë spekulime ishte një unazë në gishtin e saj, që disa fansa e interpretuan si një unazë martese.

    Kjo ka shtuar edhe më shumë thashethemet për marrëdhënien e saj me aktorin britanik Tom Holland, me të cilin ajo është në një lidhje prej disa vitesh. Çifti, i cili u njoh gjatë xhirimeve të filmit Spider-Man: Homecoming, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për romancën e tyre, megjithëse zakonisht përpiqen ta mbajnë jetën private larg mediave.

    Deri më tani, as Zendaya dhe as Tom Holland nuk kanë komentuar mbi spekulimet për një martesë të mundshme. Megjithatë, fansat në rrjetet sociale kanë nisur menjëherë diskutimet, duke analizuar çdo detaj nga paraqitja e saj në sfilatë.

    Zendaya konsiderohet një nga ikonat më të mëdha të stilit të momentit dhe paraqitjet e saj në evente të modës shpesh bëhen virale, duke ndikuar në trendet globale të modës.

  • Grenell i reagon ashpër Osmanit: Po gënjen, thotë gjithçka për mbijetesën e vet politike

    Grenell i reagon ashpër Osmanit: Po gënjen, thotë gjithçka për mbijetesën e vet politike

    I Dërguari Special Presidencial për Misione të Veçanta të Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell, ka reaguar pas deklarimeve të mbrëmshme të presidentes Vjosa Osmani se Administrata Trump është Administrata për pro-kosovare që kur vendi ka shpallur pavarësinë.

    Grenell ka thënë se “Osmani po gënjen”, duke thënë se ajo bashkë me Kurtin kanë qenë një “ekip i tmerrshëm”.

    Sipas Grenell, Osmani thotë gjithçka për mbijetesën e saj politike.

    “Ajo po gënjen.Ekipi Kurti/Osmani ka qenë një katastrofë dhe të gjithë e shohim qartë këtë. Ajo thotë gjithçka për mbijetesën e saj politike”, ka shkruar Grenell.

  • Timothée Chalamet rikujtohet për komentet e vjetra ndaj baletit dhe operës

    Timothée Chalamet rikujtohet për komentet e vjetra ndaj baletit dhe operës

    Aktori i njohur hollivudian Timothée Chalamet është bërë sërish temë diskutimi në rrjetet sociale, pasi janë rikthyer në vëmendje disa komente të tij për baletin dhe operën që kanë shkaktuar reagime të shumta në botën e artit.

    Gjatë një diskutimi publik për të ardhmen e kinemasë me aktorin Matthew McConaughey, Chalamet u shpreh se nuk e shihte veten duke punuar në këto forma arti, duke sugjeruar se interesimi i publikut për to është më i vogël sot. Në intervistë ai tha:

    “Nuk dua të punoj në balet apo operë, në gjëra ku thuhet: ‘Ta mbajmë gjallë këtë’, edhe pse askush nuk interesohet më për të.”

    Pas kësaj deklarate, aktori u përpoq ta zbusë situatën duke shtuar:

    “Me gjithë respektin për njerëzit e baletit dhe operës… sapo humba 14 cent nga audienca.”

    Komentet e tij shkaktuan reagime të shumta nga artistë dhe institucione të artit skenik, të cilët theksuan rëndësinë historike dhe kulturore të baletit dhe operës. Disa teatro dhe kompani baleti reaguan edhe në rrjetet sociale, duke treguar se këto forma arti vazhdojnë të kenë publik dhe ndikim në kulturën moderne.

    Megjithatë, fansat e aktorit kanë argumentuar se deklaratat e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe se ai në fakt po diskutonte për ndryshimet në mënyrën se si publiku konsumon artin dhe filmat në ditët e sotme.

    Timothée Chalamet është një nga aktorët më të suksesshëm të brezit të ri në Hollywood, i njohur për rolet e tij në filma si Call Me by Your Name, Dune dhe Wonka, ndërsa çdo deklaratë e tij shpesh kthehet menjëherë në temë diskutimi në media dhe rrjete sociale.

  • Përfitimet që i sjell gjidhënia te nëna dhe bebja

    Përfitimet që i sjell gjidhënia te nëna dhe bebja

    Çështja se a do ta ushqeni me gji apo jo beben, është vendim personal. Por është gjithashtu çështje që do të tërheq mendime të shumta nga miqtë dhe familjarët.

    Autoritete të shumta mjekësore, duke i përfshirë ato më të njohurat, e rekomandojnë fuqimisht ushqimin me gji.

    Nëse jeni në dilema se a dëshironi ta ushqeni beben me gji apo jo, atëherë nëse njoftoheni me përfitimet që i sjell kjo gjë, ndoshta do ta ndryshoni mendjen.

    Fillimisht, qumështi i gjirit e furnizon beben me të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme.

    Qumështi i gjirit përmban përzierje të përsosur të vitaminave, proteinave dhe yndyrave – e që të gjitha këto i nevojiten bebes për t’u rritur.

    Ndër tjerash, qumështi i gjirit përmban edhe antitrupa të cilët e ndihmojnë beben t’i luftojë viruset dhe bakteret.

    Gjidhënia ia zvogëlon bebes edhe rreziqet për t’u diagnostikuar me astma apo alergji.

    Plus, bebet të cilat ushqehen vazhdimisht gjatë gjashtë muajve të parë kanë më pak infeksione të veshëve, më pak sëmundje të frymëmarrjes dhe më pak diarre.

  • “Sinners” triumfon në WGA Awards dhe forcon pozitat për Oscars

    “Sinners” triumfon në WGA Awards dhe forcon pozitat për Oscars

    Filmi horror Sinners ka fituar çmimin për Skenarin më të Mirë Origjinal në Writers Guild of America Awards 2026, duke u konsideruar tashmë një nga favoritët kryesorë për sezonin e çmimeve dhe për Academy Awards.

    Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua më 8 mars në New York City. Çmimi u pranua nga aktori Miles Caton në emër të skenaristit dhe regjisorit Ryan Coogler, i cili kishte dërguar një mesazh falënderues për organizatorët.

    Në kategorinë e Skenarit më të Mirë të Adaptuar, çmimi shkoi për filmin One Battle After Another. Skenari është shkruar nga regjisori i njohur Paul Thomas Anderson. Meqenëse ai nuk ishte i pranishëm në ceremoni, çmimin e pranoi aktorja Shayna McHayle, duke lexuar edhe deklaratën e përgatitur nga autori.

    Në kategoritë televizive, seriali dramatik The Pitt ishte ndër fituesit kryesorë, duke marrë disa çmime, përfshirë serialin më të mirë dramatik, serialin më të mirë të ri dhe dramën më të mirë. Ndërkohë, The Studio u shpall seriali më i mirë komedi, ndërsa Dying for Sex fitoi çmimin për mini-serialin më të mirë.

    Ngjarja u moderua nga komediani Roy Wood Jr. dhe u zhvillua në sallën Edison në New York. Ceremonia u mbajt në një atmosferë të veçantë pasi ndodhi gjatë një greve të stafit të Writers Guild of America West, e cila çoi në anulimin e eventit të planifikuar në Los Angeles.

    Gjatë fjalës së tij, Roy Wood Jr. theksoi rëndësinë e njohjes së punës së skenaristëve dhe inkurajoi krijuesit të vazhdojnë të sjellin histori që shtyjnë kufijtë e tregimit në film dhe televizion.

  • Dua Lipa drejt një projekti të ri filmik në Hollywood

    Dua Lipa drejt një projekti të ri filmik në Hollywood

    Këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa pritet të zgjerojë edhe më tej karrierën e saj në industrinë e filmit. Sipas burimeve nga Hollywood, artistja është në bisedime për një rol në një projekt të ri kinematografik që mund të nisë xhirimet gjatë këtij viti.

    Pas paraqitjes së saj në filmin shumë të suksesshëm Barbie, ku interpretoi personazhin “Mermaid Barbie”, emri i saj ka filluar të përmendet gjithnjë e më shumë në projekte filmike që ndërthurin muzikën dhe aktrimin.

    Producentë të ndryshëm në Hollywood e shohin Dua Lipën si një figurë tërheqëse për projekte të mëdha, sidomos në zhanre që lidhen me filma muzikorë dhe komedi romantike.

    Edhe pse detajet për projektin e ri nuk janë bërë ende publike, mediat e industrisë si Variety raportojnë se këngëtarja është duke shqyrtuar disa oferta të ndryshme për role të mundshme në filma që pritet të realizohen në të ardhmen e afërt.

    Nëse marrëveshja finalizohet, ky do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm për Dua Lipën në rrugëtimin e saj drejt Hollywoodit, duke dëshmuar se suksesi i saj po shtrihet përtej muzikës edhe në botën e kinemasë.