ATV

Blog

  • Franca detyron supermarketet të dhurojnë ushqimin e pashitur për njerëzit në nevojë

    Franca detyron supermarketet të dhurojnë ushqimin e pashitur për njerëzit në nevojë

    Në Francë, hedhja e ushqimit nga supermarketet tashmë konsiderohet shkelje e ligjit. Shteti ka vendosur rregulla të forta që ushqimi i pashitur, por ende i konsumueshëm, të mos hidhet, por të dhurohet për njerëzit në nevojë.

    Që nga viti 2016, çdo supermarket me sipërfaqe mbi 400 metra katrorë është i detyruar të bëjë marrëveshje me banka ushqimore ose organizata bamirëse për të dhuruar produktet që nuk janë shitur.

    Ligji ndalon gjithashtu një praktikë që përdorej më parë, kur disa dyqane prishnin qëllimisht ushqimin e hedhur, për shembull duke e spërkatur me zbardhues, që askush të mos e merrte.

    Falë këtij ligji, miliona vakte ushqimore janë shpërndarë për njerëzit që kanë vështirësi ekonomike, ndërsa njëkohësisht është ulur edhe sasia e mbetjeve ushqimore që përfundon në landfill.

    Nëse supermarketet nuk e zbatojnë këtë ligj, drejtuesit e tyre mund të gjobiten deri në 3,750 euro, madje në disa raste mund të përballen edhe me dënim me burg.

    Kjo nismë është zgjeruar edhe te prodhuesit e ushqimit dhe bizneset e kateringut, duke krijuar një sistem më të fortë për shpërndarjen e ushqimit të tepërt. Franca konsiderohet sot një shembull për vendet e tjera se si mund të luftohen njëkohësisht uria dhe shpërdorimi i ushqimit.

  • Lëndohen katër policë gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në Suharekë

    Lëndohen katër policë gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në Suharekë

    Katër policë kanë pësuar lëndime gjatë arrestimit të një 45-vjeçari nga Samadraxha e Suharekës.

    Sipas njoftimit zyrtar, sot rreth orës 08:30, Policia e Kosovës ka pranuar një ankesë nga një qytetar se i dyshuari B.K., kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori”, duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, duke penguar qarkullimin e lirë të banorëve.

    Në njoftimin theksohet se gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë me thike.

    “Policia ka reaguar me veprime të menjëhershme, duke neutralizuar sulmin dhe duke arritur ta arrestojë të dyshuarin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Sipas policisë, gjatë procesit të arrestimit, si pasojë e kundërshtimit të dhunshëm nga ana e të dyshuarit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga thika.

    “I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në Stacionin Policor në Suharekë, ku në konsultim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

  • Hegseth paralajmëron Rusinë të mos përfshihet në luftën me Iranin

    Hegseth paralajmëron Rusinë të mos përfshihet në luftën me Iranin

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth paralajmëroi Rusinë të mos përfshihet në luftën me Iranin.

    Komenti i tij erdhi pasi u pyet në lidhje me telefonatën që presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi dje me Vladimir Putinin e Rusisë, raporton CNN.

    Hegseth e përshkroi bisedën si një “thirrje të fortë”, të cilën ai shpresonte të riafirmonte “mundësinë për pak paqe” në luftën e Rusisë me Ukrainën.

    Ai tha se telefonata gjithashtu riafirmoi “një njohje se, për sa i përket këtij konflikti, ata nuk duhet të përfshihen”.

  • Edon Zhegrova “ndez” stërvitjen e Juventusit me Ferrarin e tij

    Edon Zhegrova “ndez” stërvitjen e Juventusit me Ferrarin e tij

    Futbollisti kosovar, Edon Zhegrova, ka tërhequr vëmendjen e tifozëve gjatë stërvitjes së fundit me Juventus, duke mbërritur me Ferrarin e tij të kuqe, një pamje që nuk kaloi pa u vënë re nga mbështetësit e klubit torinez.

    Ylli i Kosovës nuk harroi të ndalet dhe të përshëndesë tifozët, duke dhënë autografe dhe fotografi, një gjest që u pëlqye shumë nga mbështetësit e “Zonjës së Vjetër”.

    Edoni, edhe pse nuk ka pasur shumë minuta këtë sezon te skuadra torineze, vazhdon të fitojë zemrat e tifozëve me profesionalizmin, qetësinë dhe afërsinë ndaj tyre.

    Një moment i tillë tregon se ylli kosovar po e krijon lidhjen e tij me tifozët dhe mbetet një nga lojtarët më të dashur në skuadër.

  • Karim Benzema flet për Real Madrid: Skuadra ka nevojë për lidhje mes yjeve

    Karim Benzema flet për Real Madrid: Skuadra ka nevojë për lidhje mes yjeve

    Sulmuesi i Al-Ittihad dhe ish-lojtari i Real Madrid, Karim Benzema, ka dhënë komente të hapura mbi gjendjen e skuadrës spanjolle këtë sezon, duke theksuar mungesën e koordinimit mes yjeve të ekipit.

    “Çfarë u mungon atyre është thjesht një lidhje mes Mbappé, Vinicius, Bellingham dhe Rodrygo,” tha Benzema, duke nënvizuar rëndësinë që çdo lojtar të dijë saktësisht rolin e tij në fushë.

    Ai shtoi se Bellingham duhet të kuptojë që është ndërtuesi i lojës, jo golashënuesi, Mbappé është golashënuesi, jo ndërtuesi i lojës dhe Vinicius nuk është mesfushor mbrojtës, ai është krahu i majtë ofensiv.

    Benzema përfundoi: Kur çdo lojtar e kupton rolin e tij, skuadra mund të funksionojë më së miri. Po flasim për disa nga lojtarët më të mirë në botë që janë në të njëjtin ekip.

    Ky koment tregon se Benzema, edhe pse nuk luan më për Realin, vazhdon të ndjekë nga afër zhvillimet e ish-klubit të tij dhe të japë mendimin e tij si një nga ish-yjet më të mëdhenj të ekipit.

  • Disa pika ku mund të dalloni një person me energji negative

    Disa pika ku mund të dalloni një person me energji negative

    Me miqtë ndajmë pjesën më të madhe të kohës dhe gjithmonë përpiqemi që të gjejmë ata persona që kanë të njëjtat vlera me ne. Miqësia me disa persona ja vlen, por shpesh ndodh që në shoqërinë e dikujt të ndjehemi keq.

    Në këtë rast kemi të bëjmë me persona toksik, që për të thënë të vërtetën ndodhen kudo. Megjithatë ka disa mënyra për t’i dalluar këta miq toksikë dhe më pas për të hequr dorë prej tyre. Në fakt këta persona duken më të mirët kur i njihni në fillim, por me kalimin e kohës do të zbuloni se nuk është gjithçka ashtu siç mendonit.

    Nëse në një shoqëri ju nuk ndjeheni vetvetja dhe gjykoheni për çdo gjë që thoni, kjo nënkupton se jeni të rrethuar nga persona që nuk duhet të jenë pjesë e rrethit tuaj të miqësisë. Një person me energji negative do të kërkojë që të ketë gjithmonë të drejtë, madje nuk do ta mbyllë një debat derisa ju t’i thoni se ka të drejtë.

    Nëse mendoni se keni një mik që nuk duhet të jetë pjesë e shoqërisë suaj mund ta dalloni fare lehtë nëse një ditë në një moment mërzie ai/ajo ju përmend gjithçka të që ju nuk keni bërë më parë për të. Këta persona e kanë të vështirë të harrojnë edhe gjërat që mund të kenë ndodhur përpara 3 vitesh.

    Të tillë njerëz janë manipulatorë shumë të mirë dhe do t’ju bëjnë të ndjeheni në faj nëse do të përpiqeni t’i largoni nga jeta juaj.

  • Aeroplani luftarak i Emirateve të Bashkuara Arabe ndjek dhe qëllon dronin iranian – pushuesit shikonin të habitur nga plazhi

    Aeroplani luftarak i Emirateve të Bashkuara Arabe ndjek dhe qëllon dronin iranian – pushuesit shikonin të habitur nga plazhi

    Ky është momenti kur një aeroplan luftarak F-16E i Emirateve të Bashkuara Arabe ndjek një dron iranian Shahed-136 mbi plazhin Al Mamzar në Dubai.

    Pamjet e mediave sociale tregojnë plazhistë të tronditur që shikojnë qiellin ndërsa droni fluturon ulët mbi ujë, transmeton Telegrafi.

    Brenda sekondash, F-16E hyn në skenë dhe qëllon atë që duket të jetë një AIM-9X Sidewinder, një raketë ajër-ajër që kërkon nxehtësi, e projektuar për sulme në distancë të afërt, drejt dronit.

    Droni shkatërrohet më pas pak çaste pas impaktit. Ndërhyrja ndodhi ndërsa ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha të dielën se u zbuluan gjithsej 117 dronë, me 113 të ndërhyrë dhe të shkatërruar, ndërsa katër ranë brenda vendit.

    Ministria tha se mbrojtja e saj ajrore gjithashtu ndërhyri dhe shkatërroi 16 raketa iraniane, ndërsa një raketë ra në det.

    Irani nisi një seri sulmesh të furishme hakmarrëse në të gjithë Lindjen e Mesme pas vrasjes së Ajatollah Khameneit, duke nisur sulme ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe ndaj shteteve të tjera të Gjirit si Katari, Bahreini dhe Arabia Saudite.

    Emiratet e Bashkuara Arabe pretendojnë se Irani ka qëlluar 238 raketa balistike në territorin e tyre që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael, me 221 të shkatërruara dhe vetëm dy që arrijnë në destinacionin e tyre.

  • Nazmi Gripshi shënon golin e parë me Rubin Kazan dhe përfshihet në formacionin e javës

    Nazmi Gripshi shënon golin e parë me Rubin Kazan dhe përfshihet në formacionin e javës

    Futbollisti shqiptar, Nazmi Gripshi, ka arritur një paraqitje të shkëlqyer këtë fundjavë, duke shënuar golin e tij të parë me Rubin Kazan në ndeshjen kundër Krasnodar.

    Goli erdhi në minutën e 24-të, kur Gripshi mori topin në mesfushën kundërshtare dhe përballë portierit rival nuk gaboi, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Për këtë paraqitje, ai u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.

    Përveç këtij vlerësimi, Gripshi është përfshirë edhe në formacionin ideal të javës në Premier Ligën Ruse. Ai ka marrë notën 8.4 nga platforma e statistikave SofaScore, duke treguar se po luan në një formë shumë të mirë këtë sezon.

    Me këtë paraqitje, Gripshi po konsolidohet si një nga lojtarët kryesorë të Rubin Kazan dhe një emër me ndikim edhe në Kombëtaren shqiptare.

  • Bie numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

    Bie numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën

    Numri i vizitorëve të huaj që vizitojnë Kosovën ka rënë në janar të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit praprak.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tek vizitorët e huaj është vërejtur një rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në janar 2026 janë regjistruar 39 603 vizitorë të huaj, që paraqet rënie prej 4,4 % krahasuar me janarin e vitit 2025.

    “Në janar të vititi 2025 numri i vizitorëve të huaj ishte 41 mijë e 47. Por ky numër kishte rënë një vit më vonë, pasi që në janar të vitit 2026 numri i vizitorëve të jashtëm ishte 39 mijë e 603 vizitorë”, thuhet në raportin e ASK-së.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në muajin janar 2026 numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotelet e Kosovës ishte 66 980. Prej tyre, 27 377 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 39 603 vizitorë të huaj.

    Krahasuar me janarin e vitit 2025, kur numri i vizitorëve ishte 69 227, është shënuar një rënie prej 3,2 % në numrin total të vizitorëve që kanë qëndruar në hotele.

    Sa i përket net-qëndrimeve, gjatë janarit 2026 janë regjistruar gjithsej 126 838 net-qëndrime. Nga ky numër, 71 197 ose 56,1 % janë realizuar nga vizitorët e huaj, ndërsa 55 641 ose 43,8 % nga vizitorët vendorë.

    Në nivel rajonal, numrin më të madh të vizitorëve vendorë në hotele e ka pasur Rajoni i Pejës, me 10 868 vizitorë dhe gjithsej 32 372 net-qëndrime.

    Sipas statistikave, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj që kanë qëndruar në hotelet e Kosovës kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia./

  • Gashi: Kurti me vetëdije e çoi vendin drejt zgjedhjeve, kishte shumë kandidatë për president

    Gashi: Kurti me vetëdije e çoi vendin drejt zgjedhjeve, kishte shumë kandidatë për president

    Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka deklaruar se afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit tashmë kanë përfunduar dhe sipas tij, mazhoranca nuk e ka shfrytëzuar kohën që kishte në dispozicion për t’i dhënë vendit drejtim institucional.

    Ai beson që presidentja ka vepruar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e cila parasheh që në rast se presidenti nuk zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, vendi shkon në zgjedhje.

    “Mendojmë që afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit kanë përfunduar dhe mazhoranca partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka shfrytëzuar kohën që e ka pasur në dispozicion për me i dhënë vendit drejtim, po besoj që presidentja ka vepruar sipas asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës në rastin kur presidenti nuk zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe aty thuhet qartë që vendi shkon në zgjedhje”, ka deklaruar Gashi në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.

    Gashi tha se PDK nuk ka menduar se Kosova është dashur të shkojë në zgjedhje, pasi sipas tij nuk ka pasur arsye për një situatë të tillë.

    Sipas Gashit, kryeministri Albin Kurti me vetëdije e ka çuar vendin drejt një situate të paqartë dhe zgjedhjeve.

    “PDK nuk mendon që është dashur Kosova të shkojë në zgjedhje, nuk ka pasur asnjë arsye, gjithmonë jemi të gatshëm me iu përgjigj zgjedhjeve, megjithatë as s’kemi qenë të interesuar. S’mund të ketë emër konsensual nëse i njëjti propozohet prej partisë në pushtet, ne kemi pasur qëndrim të qartë për një anëtar të familjes Jashari dhe i kemi dhënë mbështetje të fuqishme. 22 votat e PDK-së kanë qenë për, mendojmë që figura e familjes Jashari do të ishte përtej partive politike. Kryeministri Kurti me vetëdije e ka quar vendin në një situatë të paqartë dhe drejt zgjedhjeve, sepse jam i bindur që ka pasur më shumë se dhjetë kandidatë që ka mundur me iu ofrua kësaj legjislature përfshirë edhe presidenten aktuale për të cilën LDK-ja nuk ka qenë kundër”, ka theksuar ai.