ATV

Blog

  • Hamza kujton 11 marsin e ‘81: Studentët u ngritën në emër të popullit, historia jonë është shkruar nga guximi i tyre

    Hamza kujton 11 marsin e ‘81: Studentët u ngritën në emër të popullit, historia jonë është shkruar nga guximi i tyre

    Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka rikujtuar 11 marsin e vitit 1981, atëkohë kur studentët e Kosovës u ngritën në emër të popullit duke kërkuar liri, drejtësi dhe dinjitet.

    Hamza tha se historia e vendit është shkruar edhe nga ata hapa të guximshëm të studentëve, që dolën në rrugë pa frikë, duke sfiduar padrejtësinë dhe hapur rrugën drejt së ardhmes.

    ‘’Në marsin e vitit 1981, studentët u ngritën në emër të popullit tonë, duke kërkuar liri, drejtësi dhe dinjitet.

    Historia e Kosovës është shkruar edhe nga ata hapa të guximshëm të tyre, që dolën në rrugë pa frikë, duke sfiduar padrejtësinë dhe hapur rrugën drejt së ardhmes.

    Nderim për të gjithë pjesëmarrësit në protestat e vitit 1981 në Kosovë. 🇽🇰’’, ka shkruar ai.

  • Kryeministri spanjoll: Të jesh aleat i SHBA-së nuk do të thotë t’i thuash “po” për gjithçka

    Kryeministri spanjoll: Të jesh aleat i SHBA-së nuk do të thotë t’i thuash “po” për gjithçka

    Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez tha se një valë krenarie për shkak të qëndrimit të Madridit mbizotëroi në Spanjë.

    “Kur i thamë ‘jo luftës’, pati një valë krenarie që jemi spanjollë, jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe midis shumë shoqërive anembanë botës. Është një përgjigje ndaj valës reaksionare në Spanjë, Evropë dhe botë, dhe është një detyrim i qeverisë së koalicionit progresiv”, tha ai.

    Kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për përgjigjen e mundshme nga Donald Trump, kryeministri spanjoll tha:

    “Jo. Qëndrimi i Spanjës ka qenë konsistent gjatë të gjitha luftërave të njëpasnjëshme që kemi përjetuar në pesë vitet e fundit: lufta e Putinit në Ukrainë, lufta në Gaza… Mbrojtja e së drejtës ndërkombëtare është qëndrimi konsistent i qeverisë spanjolle. Së dyti, ne i përkasim Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian ishte shumë i qartë për këtë çështje. Dhe së fundmi, sepse besoj se shtrëngimi nuk është rruga përpara. Të jesh aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të thotë të thuash ‘po’ për gjithçka”, tha Sanchez.

    Edhe pse nuk ka një qëndrim të unifikuar brenda BE-së, Sanchez deklaron se Spanja i përmbahet qëndrimit të saj.

    “Brenda Bashkimit Evropian nuk kishte një qëndrim të përbashkët, ndryshe nga Ukraina. Megjithatë, Spanja ka mbajtur gjithmonë të njëjtin qëndrim, qoftë për Ukrainën, Gazën apo Iranin – mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare. Ky ishte një qëndrim i qëndrueshëm që gjeti jehonë jo vetëm me disa qeveri evropiane, të cilat kanë ndryshuar qëndrimet e tyre ditët e fundit, por edhe me një pjesë të madhe të shoqërisë dhe opinionit publik evropian, i cili kundërshton një luftë që nuk do të sjellë asgjë të mirë dhe na kthen në vitin 2003, kur u zhvillua lufta në Irak. Do të ketë projekte politike që mbrojnë luftën në Iran, por besoj se ata nuk kanë mësuar asgjë dhe vazhdojnë të bëjnë gabime”, tha kryeministri spanjoll në një intervistë me El Diario .

  • Rrustemin e VV’së e ‘‘pengojnë’’ vizitat e ambasadorëve në Kushtetuese, aludon se po e ‘‘shkatërrojnë’’ Gjykatën

    Rrustemin e VV’së e ‘‘pengojnë’’ vizitat e ambasadorëve në Kushtetuese, aludon se po e ‘‘shkatërrojnë’’ Gjykatën

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga ambasadorët që të ‘’mos e shkatërrojnë’’ Gjykatën Kushtetuese me vizitat e tyre.

    Vizitat e ambasadorëve të huaj duket se po e ‘’pengojnë’’ Rrustemin e VV’së, cili ka shtuar se ‘’shkatërrimin’’ e Kushtetuese, ata po e bëjnë me takime e ndërhyrje.

    ‘’I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme’’, ka shkruar ai.

  • Pretendime se janë varrosur dy vajza, rihapen hetimet për fermën e Epstein në New Mexico

    Pretendime se janë varrosur dy vajza, rihapen hetimet për fermën e Epstein në New Mexico

    Autoritetet në shtetin amerikan të New Mexico kanë rihapur hetimet për aktivitetet e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein në pronën e tij të njohur si Zorro Ranch, pothuajse shtatë vjet pas arrestimit të tij për trafikim seksual të të miturve.

    Prokurorët federalë në New York kishin deklaruar në vitin 2019 se Epstein kishte abuzuar me dhjetëra vajza të mitura në disa vende, përfshirë Manhattanin, Palm Beach dhe pronën e tij në Neë Mexico.

    Zorro Ranch i Epstein u përmend shpesh në procedurat penale dhe civile pas vdekjes së tij në burg më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin. Një hetim i fundit ka ngritur dyshime se autoritetet federale nuk e kanë kontrolluar kurrë fizikisht këtë pronë. Publikimi i rreth tre milionë dokumenteve hetimore sipas ligjit të transparencës për dosjet Epstein ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj prone.

    Prokurori i përgjithshëm i New Mexico-s njoftoi se shteti do të rihapë hetimin e vitit 2019, i cili ishte pezulluar me kërkesë të prokurorëve federalë. Ndërkohë, ligjvënësit e shtetit kanë krijuar edhe një “komision të së vërtetës” për të hetuar aktivitetet e kaluara në Ranch.

    Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se hetimi pas kaq shumë vitesh paraqet sfida serioze. Sipas ish-prokurorit John Day, për të marrë një urdhër kontrolli nevojiten prova të reja dhe jo informacion i vjetruar. Për më tepër, prona tashmë ka ndryshuar pronar, çka e bën edhe më të vështirë gjetjen e provave fizike.

    Autoritetet pritet të fokusohen më shumë te dëshmitë njerëzore, duke kërkuar ish-punonjës, kontraktorë dhe banorë lokalë që mund të kenë pasur lidhje me pronën. Në dokumentet e reja përfshihet edhe një raport i FBI-së për një email anonim që pretendonte se dy vajza të reja ishin varrosur në Zorro Ranch, informacion që u raportua tek autoritetet në vitin 2019.

  • Kosova dhe Turqia drejt thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët

    Kosova dhe Turqia drejt thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Tunç Angılı.

    Bazuar në njoftimin zyrtar, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët.

    “Kryetarja Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Republikën e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe parlamentar në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Këto gjëra nuk duhet t’i mbani në dhomën e gjumit, ato zgjojnë trurin dhe muskujt nuk sjellin gjumë

    Këto gjëra nuk duhet t’i mbani në dhomën e gjumit, ato zgjojnë trurin dhe muskujt nuk sjellin gjumë

    Disa zakone të përditshme dhe sende të zakonshme mund ta prishin qetësinë e dhomës së gjumit dhe të ndikojnë në cilësinë e gjumit

    Disa sende mund t’jua prishin gjumin, prandaj nuk është mirë t’i mbani në dhomën e gjumit.

    Edhe pse shpesh i kushtojmë shumë vëmendje rregullimit të shtëpisë dhe çdo këndi të saj, ekzistojnë disa gjëra që nuk duhet të ndodhen në hapësirën ku flemë. Dhoma e gjumit duhet të jetë një vend pushimi dhe relaksimi, një strehë pas një dite të lodhshme. Megjithatë, disa zakone të vogla dhe vendosja e pakujdesshme e sendeve mund ta shndërrojnë këtë hapësirë në burim stresi.

    Ja cilat gjëra nuk rekomandohet t’i mbani në dhomën e gjumit, transmeton Telegrafi.

    Tavolina e punës

    Puna nga shtëpia është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë njerëz, por dhoma e gjumit nuk duhet të shndërrohet në zyrë. Laptopi, dokumentet, agjendat apo faturat sjellin me vete energjinë e stresit dhe detyrimeve. Truri fillon ta lidhë hapësirën e gjumit me punën, gjë që e vështirëson relaksimin dhe gjumin. Idealja është që puna të qëndrojë jashtë dhomës së gjumit.

    Pajisjet elektronike pranë shtratit

    Televizori, telefoni celular apo tableti shpesh duken si një mënyrë e mirë për t’u relaksuar para gjumit. Megjithatë, pajisjet elektronike nuk janë të përshtatshme për dhomën e gjumit. Drita blu e ekraneve pengon prodhimin e hormonit të gjumit, ndërsa njoftimet e vazhdueshme dhe rrezatimi mund të ndikojnë në cilësinë e pushimit.

    Shumë libra dhe revista të vjetra

    Edhe pse librat janë të dashur për shumë njerëz, një raft i mbushur me libra ose një grumbull revistash në komodinën pranë shtratit mund të krijojë ndjenjë mbingarkese mendore. Mbani vetëm librin që po lexoni dhe ndoshta një ose dy që ju relaksojnë. Të tjerët vendosini në raftet e dhomës së ndenjës.

    Pajisjet për ushtrime

    Tapeti i jogës, peshat apo biçikleta statike nuk kanë vend në dhomën e gjumit. Pajisjet për ushtrime sjellin energji aktive që nuk përputhet me hapësirën e dedikuar për pushim. Është më mirë t’u gjeni vend në një pjesë tjetër të shtëpisë.

    Shumë dekorime dhe objekte të vogla

    Edhe pse dëshironi që dhoma të duket e bukur, shumë jastëkë dekorativë, figura, suvenire dhe objekte të vogla krijojnë rrëmujë vizuale dhe mbledhin pluhur. Zgjidhni disa prej objekteve më të dashura dhe pjesën tjetër largojini ose ruajini diku tjetër. Minimalizmi shpesh sjell më shumë qetësi dhe relaksim.

    Duke larguar këto sende nga dhoma e gjumit, mund ta shndërroni atë në një hapësirë më të qetë dhe ideale për relaksim dhe gjumë cilësor.

  • Zhdukja e Alush Kastratit – Operacion kërkimi me dronë, qen dhe vullnetarë

    Zhdukja e Alush Kastratit – Operacion kërkimi me dronë, qen dhe vullnetarë

    Vazhdon operacioni i kërkimit për personin e zhdukur në fshatin Zatriq – Rahovec

    Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, është duke zhvilluar një operacion të gjerë kërkimi pas raportimit për zhdukjen e viktimës Alush (Vesel) Kastrati, i cili për herë të fundit është parë me datën 7 mars në fshatin Zatriq, komuna e Rahovecit.

    Përmes një njoftimi në Facebook, policia thotë se në kuadër të këtij operacioni, njësitë policore kanë dalë në terren dhe kanë zhvilluar patrullime intensive në një perimetër të zgjeruar kërkimi, duke përfshirë zona malore dhe hapësira të tjera përreth.

    Në operacionin e kërkimit janë angazhuar: njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë, njësia me dron për monitorim nga ajri, njësia K9 me qen kërkues. Gjithashtu në këtë operacion janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe qytetarë vullnetarë që kanë ofruar mbështetje në terren.

    Po ashtu, në këtë iniciativë mbështetje k a ofruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, duke kontribuar në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit, për të ndihmuar në përpjekjet për gjetjen e personit të zhdukur.

    Operacioni i kërkimit po vazhdon.

  • Joseph: Rizgjedhja e Vjosa Osmanit në interes të Kosovës, ndërtoi marrëdhënien më të ngushtë me Administratën Trump

    Joseph: Rizgjedhja e Vjosa Osmanit në interes të Kosovës, ndërtoi marrëdhënien më të ngushtë me Administratën Trump

    Profesori amerikan, Edward Joseph, beson që dalja nga ngërçi i ri politik në Kosovë është rizgjedhja e Vjosa Osmanit presidente.

    Ai tha se kjo është një “zgjedhje logjike” që Osmani të mbetet në pozicionin e presidentes dhe lavdëroi atë për lidhjen me Administratën Trump.

    “A bëri presidentja diçka për ta diskualifikuar veten? Kjo është pyetja, jo nëse ju pëlqen Osmani apo jo. Pyetja është nëse Osmani bëri diçka për ta diskualifikuar veten nga një mandat i dytë. Dhe përgjigjja është absolutisht jo. Përkundrazi, ne themi këtu në Uashington se ajo është presidentja që ka ndërtuar marrëdhënien më të ngushtë me administratën Trump. Pra, kjo është një përgjigje shumë e qartë dhe lidhet me mbrojtjen e interesave të Kosovës”, tha Joseph për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo Online”.

    Joseph tha se kjo është “një krizë artificiale, një krizë egoje dhe mungese lidershipi dhe nuk është në interes të Kosovës”.

    “Presidentja Osmani ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta që janë të dukshme. E prita vitin e kaluar, ajo u takua gjithashtu me zyrtarë të lartë amerikanë dhe ajo ka ruajtur komunikimin midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pasi dialogu strategjik me Kosovën u pezullua”, shtoi Joseph.

    Siç shtoi ai, është e qartë se Albin Kurti, si Kryeministër dhe udhëheqës i partisë me më shumë vende në parlament, ka një rol kyç në këtë situatë politike.

    Lidhur me marrëdhënien midis Kurtit dhe Osmanit, Joseph pohon se ato janë dinamike, por se tani është koha për të marrë parasysh “ekskluzivisht interesat e Kosovës”.

    “Unë e di që këto janë figura politike dinamike, pavarësisht se si filloi marrëdhënia e tyre. Të gjitha marrëdhëniet politike janë dinamike. Pavarësisht nëse Kurti ishte politikisht mbi Osmanin në fillim dhe më pas u bë politikisht e pavarur, marrëdhëniet në politikë ndryshojnë. Çështja është se cila është puna e presidentes. Ky është i vetmi problem – dhe shmangia e një krize që dëmton vendin. Çfarëdo keqkuptimesh, pakënaqësish apo mosmarrëveshjesh që të ketë midis Kurtit dhe Osmanit, nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është ajo që është në interes të Kosovës dhe kjo është që presidentja të mbetet në detyrë”, tha Joseph.

  • Bebe Rexha ngjitet në vendin e parë në iTunes

    Bebe Rexha ngjitet në vendin e parë në iTunes

    Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, po shijon sërish sukses të madh në skenën globale të muzikës.

    Projekti i saj më i ri muzikor, “New Religion”, është ngjitur në vendin e parë të toplistës botërore të iTunes, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e artistes.

    Kënga e zhanrit euro-dance vjen në bashkëpunim me grupin legjendar britanik të muzikës elektronike Faithless dhe ka arritur të fitojë menjëherë pëlqimin e publikut.

    Përveç suksesit në rang global, “New Religion” është renditur në vendin e parë edhe në toplistën e iTunes në Mbretëria e Bashkuar, duke dëshmuar edhe një herë ndikimin e Rexhës në tregun ndërkombëtar të muzikës.

  • Ekspozitë e madhe për Van Gogh-un hapet në Londër

    Ekspozitë e madhe për Van Gogh-un hapet në Londër

    Një ekspozitë e re kushtuar piktorit të famshëm holandez Vincent van Gogh është hapur në Galerinë Kombëtare në Londër, duke sjellë për publikun një koleksion të gjerë veprash të artistit.

    Ekspozita përfshin disa nga pikturat dhe skicat më të njohura të Van Gogh, si dhe dokumente që tregojnë zhvillimin e stilit të tij artistik gjatë viteve të fundit të jetës.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në verën e këtij viti.

    Ngjarja pritet të tërheqë mijëra turistë dhe studiues të artit nga vende të ndryshme të botës.