ATV

Blog

  • Gëzim Nika për herë të parë me koncert recital në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë

    Gëzim Nika për herë të parë me koncert recital në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë

    “Me zanin e bjeshkëve” titullohet mbrëmja e veçantë që do të mbahet sonte nga ora 19:00 ,në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku publiku do të përjetojë emocionin dhe fuqinë e traditës shqiptare përmes zërit të artistit të mirënjohur Gëzim Nika, i shoqëruar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.

    Ky koncert sjell në skenë jehonën e bjeshkëve, tingujt autentikë të folklorit dhe energjinë e gjallë të muzikës shqiptare.

    Të ftuar specialë do të jenë këngëtarët e mirënjohur: Aurela Gaçe, Eli Fara, Fatmira Breçani, Aranit Hoxha, të cilët do t’i japin kësaj ngjarjeje një dimension edhe më festiv.

  • Jahjaga, gruaja e vetme nga rajoni që po merr pjesë në Komisionin e OKB-së për statusin e grave

    Jahjaga, gruaja e vetme nga rajoni që po merr pjesë në Komisionin e OKB-së për statusin e grave

    Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po merr pjesë në ngjarjet e OKB-së, në Komisionin për statusin e grave, në Nju-Jork.

    Në këtë ngjarje, Jahjaga po merr pjesë me ftesë të OKB-së dhe si anëtarja e vetme nga rajoni e Rrjetit të Grave Lidere të Kombeve të Bashkuara, transmeton IndeksOnline.

    Përgjatë këtij organizimi, Jahjaga ishte pjesë e paneleve diskutuese mbi rolin e grave në pozita të larta udhëheqëse.

    “Në fjalën time theksova se kur gratë janë në pozita vendimmarrëse, ato mund të nxisin politika më gjithëpërfshirëse, institucione më të ndjeshme ndaj nevojave të shoqërisë dhe procese më të drejta.

    Duke reflektuar edhe mbi përvojën time shumëvjeçare në avokimin për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rikujtova rëndësinë e dëgjimit dhe besimit të të mbijetuarve, krijimit të hapësirave të sigurta ku mund të flasim e kërkojnë drejtësi, si dhe forcimin e mekanizmave institucional”, shkroi Jahjaga, në njoftimin e saj.

  • Vidhen trafo dhe kabllot elektrike në Fushë Kosovë, hajnat në arrati

    Vidhen trafo dhe kabllot elektrike në Fushë Kosovë, hajnat në arrati

    Disa persona, ende të paidentifikuar, raportohet se kanë vjedhur një trafo elektrike, kabllo elektrike dhe gypa inox në Fushë Kosovë.

    Përmes raportit zyrtar, policia ka bërë të ditur se vlera e dëmit është e konsiderueshme.

    “Fushë Kosovë / 10.03.2026 – NN. Është raportuar se persona të panjohur kanë vjedhur një trafo elektrike, kabllo elektrike dhe gypa inox, me një vlerë të konsiderueshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Si ndihmoi inteligjenca artificiale ushtrinë amerikane për të goditur 5500 objektiva në Iran?

    Si ndihmoi inteligjenca artificiale ushtrinë amerikane për të goditur 5500 objektiva në Iran?

    Admirali Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), deklaroi se si rezultat i sulmeve amerikan , përfshirë një goditje ndaj një “objekti të madh për prodhimin e raketave balistike”, sulmet balistike dhe me dron të Iranit janë ulur ndjeshëm.

    Ai tha se ndër objektivat e goditur kanë qenë edhe më shumë se 60 anije. Deklarata u bë në një video të publikuar të mërkurën në rrjetet sociale.

    Cooper konfirmoi gjithashtu se ushtria po përdor “mjete të avancuara të inteligjencës artificiale” për të analizuar sasi shumë të mëdha të dhënash brenda pak sekondash.

    Sipas tij, këto mjete po u mundësojnë drejtuesve ushtarakë të marrin vendime më të zgjuara dhe më të shpejta, por ai theksoi se vendimet përfundimtare për atë se çfarë të goditet, çfarë jo dhe kur të goditet do të merren gjithmonë nga njerëzit.

  • Kryesia e GUXO në Deçan largohet nga subjekti pas moskandidimit të Osmanit për presidente

    Kryesia e GUXO në Deçan largohet nga subjekti pas moskandidimit të Osmanit për presidente

    Kryesia dhe kryetarja e degës së GUXO në Deçan kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt.

    Lajmin e ka bërë të ditur Rabije Haklaj, kryetare e degës së Guxo në Deçan.

    Ajo ka thënë se refuzimi ndaj presidentes Osmani për kandidate sërish, është arsyeja kryesore.

    “Me vullnet të palëkundur e me përkushtim dhe me kontribut të madh si degë e Partisë Guxo në Deçan punuam me sinqeritet dhe ndershmëri për arritjen e fitoreve tona të përbashkëta si koalicion, por edhe për bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar kryetarja e kësaj dege.

  • Policia në Gjilan organizon aktivitet sensibilizues për sigurinë e fëmijëve në trafik

    Policia në Gjilan organizon aktivitet sensibilizues për sigurinë e fëmijëve në trafik

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet edukativ me fëmijët e kopshtit Kopshti Fjolla me qëllim rritjen e vetëdijes për sigurinë në trafikun rrugor.

    Sipas njoftimit të policisë, ligjërata me temën “Siguria në komunikacion” është organizuar nga Njësiti Sektorial dhe në Komunitet i Stacionit Policor në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë në rrugë.

    Gjatë pjesës teorike të aktivitetit, fëmijët janë njoftuar me rregullat bazë të trafikut rrugor dhe rëndësinë e respektimit të tyre për sigurinë personale dhe të të tjerëve.

    Pas ligjëratës, aktiviteti ka vazhduar edhe në terren, ku fëmijët së bashku me edukatoret dhe zyrtarët policorë kanë zhvilluar ushtrime praktike në rrugë.

    “Nën shoqërimin e edukatoreve të kopshtit dhe zyrtarëve policorë, fëmijët janë njoftuar nga afër me vendkalimin për këmbësorë, shenjat e komunikacionit, mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës dhe rëndësinë e sjelljes së sigurt gjatë qëndrimit në automjet”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas Policia e Kosovës, qëllimi i këtij aktiviteti është edukimi dhe vetëdijesimi i fëmijëve që në moshë të hershme për rregullat e trafikut, me synim rritjen e sigurisë së tyre në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.

  • Kusari-Lila: Çmimi i naftës në rënie, nuk mund të kalojë 1,54 €

    Kusari-Lila: Çmimi i naftës në rënie, nuk mund të kalojë 1,54 €

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga sot çmimi maksimal i naftës në treg nuk mund të tejkalojë 1,54 euro për litër, ndërsa për benzinën çmimi maksimal është 1,36 euro për litër.

    “Sipas të dhënave të importit të sotëm, çmimi për litër i derivateve ka shënuar rënie: nafta 1,40 €/l, ndërsa benzina 1,22 €/l. Bazuar në vendimin në fuqi për marzhën e fitimit, çmimet maksimale në treg nga nesër do të jenë: Nafta: 1,54 €/l dhe Benzina: 1,36 €/l”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Përmes një postimi në Facebook, ministrja u bëri thirrje qytetarëve që çdo parregullsi në tregun e derivateve ta raportojnë në numrin pa pagesë 0800 11000. Ajo theksoi se bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për të siguruar një treg më të drejtë dhe transparent për të gjithë.

  • Kërkohej nga INTERPOL-i, arrestohet kosovari për evazion fiskal e mashtrim

    Kërkohej nga INTERPOL-i, arrestohet kosovari për evazion fiskal e mashtrim

    Në orët e vona të së mërkurës, është realizuar arrestimi i një shtetasi të Kosovës, të kërkuar përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia e Veriut për veprat penale “Bashkim kriminal, evazion fiskal dhe mashtrim”.

    Sipas njoftimit të policisë, M.Sh., është dërguar në ndalim policor për 48-orë.

    “Me datë 11.03.2026 rreth orës 23:00, Policia e Kosovës gjegjësisht zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet tjera të policisë, kanë bërë arrestimin e shtetasit mashkull kosovar M. Sh., pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë për veprat penale ‘bashkim kriminal, evazion fiskal dhe mashtrim’. Me urdhër të Prokurorit Kujdestar i arrestuari dërgohet në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedurat tjera ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Policia gjen armë dhe pajisje ushtarake në një shtëpi në Zubin-Potok

    Policia gjen armë dhe pajisje ushtarake në një shtëpi në Zubin-Potok

    Policia e Kosovës ka vijuar patrullimet dhe kontrollet në gjithë vendin, për të luftuar krimin e organizuar dhe shtrirë rendin ligjor.

    Me këtë rast, në fshatin Radosevika të Zubin-Potokut, policia gjeti dhe konfiskoi armë, municion e pajisje ushtarake, në një shtëpi të pabanuar.

    Në shtëpinë e pabanuar u gjet një armë zjarri AK-47, dy karikatorë me 27 fishekë, dy fishekë të gjuetisë dhe disa pajisje ushtarake.

    “Lidhur me rastin, është identifikuar pronari i shtëpisë, i cili po ashtu posedon edhe një shtëpi në Zubin Potok në të cilën me urdhër të prokurorit është kryer bastisje dhe janë gjetur: një armë e gjatë AK-47, katër karikator me 120 fishekë” thuhet në njoftimin e policisë.

    Pronari i shtëpisë është shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar.

    I njëjti, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    Rasti u iniciua si “Armëmbajtje pa leje”.

  • Musliu: Kurti nuk e dëshiron zgjidhjen e ngërçit politik , synim e ka kapjen e shtetit

    Musliu: Kurti nuk e dëshiron zgjidhjen e ngërçit politik , synim e ka kapjen e shtetit

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se partia ku ajo vepron, ka bërë atë që ka mundur për ta tejkaluar krizën e re që e ka kapluar Kosovën.

    Musliu tha se është shumë normale që PDK ka kërkuar emrin e presidentit të dalë nga ky subjekt politik.

    “Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur ofertën shumë të qartë, ka ofruar zgjidhje të problemit ose ngërçit politik”, u shpreh ajo në Klan Kosova.

    Ndërsa sa i përket emrave për president nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët nuk u bënë publik, deputetja thotë se kjo ndodhi vetëm për shkak që të mos bëhen tabelë qitjeje.

    Po ashtu, Musliu akuzoi Kurtin se nuk i shkon për shtati që ta zgjidh ngërçin politik, pasi sipas saj, ai kërkon pushtet autoritar.

    “E vetmja arsye është kapja e shtetit, ose menaxhimi i pushtetit total që e ka në Kosovë”, tha ajo.