ATV

Blog

  • Hidhet mjet shpërthyes në shtëpinë e një gruaje në Podujevë

    Hidhet mjet shpërthyes në shtëpinë e një gruaje në Podujevë

    Raportohet se në shtëpinë e një gruaje në fshatin Sfeqël të Podujevës, është hedhur një mjet shpërthyes.

    Sipas policisë, ende nuk ka persona të identifikuar lidhur me rastin, derisa hetimet po vazhdojnë.

    “Është raportuar se person-a të panjohur kanë hedhur mjet shpërthyes në shtëpinë e viktimës femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Blindohet Parlamenti para seancës për Ballukun

    Blindohet Parlamenti para seancës për Ballukun

    Pak orë para nisjes së seancës plenare, policia ka marrë masa të shtuara sigurie për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita, e cila do të zhvillohet në të njëjtën kohë me votimin në Parlament mbi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku.

    Forca të shumta policie janë vendosur rreth godinës së Kuvendit për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës. Një ditë më parë, zona përreth Parlamentit është rrethuar me barriera metalike si masë paraprake për protestën e thirrur nga Partia Demokratike.

    Demokratët kanë bërë të ditur se do të protestojnë si jashtë ashtu edhe brenda sallës së seancave plenare, çka ka detyruar institucionet të vendosin masa të përforcuara sigurie.

    Pamjet e siguruara nga A2 CNN tregojnë kordonin policor të vendosur jashtë godinës së Parlamentit. Ndërkohë, mësohet se ligjvënësit socialistë do të mbërrijnë më herët në seancë për të shmangur përplasjet me protestuesit e opozitës, të cilët janë thirrur në orën 10:00.

    Në të njëjtën kohë kur jashtë pritet protesta, brenda sallës së Kuvendit pritet një përplasje e fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës për kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit Belinda Ballukut.

  • Këto janë 50 qytetet më të mira në botë tani – 19 prej tyre janë në Evropë

    Këto janë 50 qytetet më të mira në botë tani – 19 prej tyre janë në Evropë

    Janë zbuluar 50 qytetet më të mira në botë dhe 19 prej nga vendet kryesore janë të zëna nga destinacionet në Evropë.

    Renditja vjetore nga Time Out bazohet në një anketë lexuesish që i pyet banorët për elementë si cilësia e jetës, përballueshmëria, artet dhe kultura, ushqimi dhe jeta e natës, hapësirat e gjelbra dhe më shumë.

    Këtë vit, më shumë se 24,000 njerëz morën pjesë në 150 qytete.

    Përgjigjet e lexuesve u kombinuan më pas me votat e më shumë se 100 ekspertëve të qyteteve të Time Out për të krijuar listën përfundimtare.

    Dhe vendin e parë në përgjithësi këtë vit e mori Melburni i Australisë, me qytetin më të mirë në Evropë të emëruar si Edinburg, i cili doli i treti në përgjithësi.

    Londra ishte menjëherë pas Edinburgut, duke u renditur i katërti, shkruan Euronews.

    “Çmimi” për vendin e dytë shkoi në Shangai, me 10 të parët të rrumbullakosur nga Nju Jorku (i pesti), Kejptauni (i gjashti), Mexico City (i shtati), Bangkoku (i teti), Seuli (i nënti) dhe Tokio (i 10-ti).

    Qytetet më të mira në Evropë për vitin 2026

    Banorët e Edinburgut të anketuar për listën e vlerësuan qytetin për mundësinë e ecjes në këmbë, ushqimin, hapësirat e gjelbra dhe kulturën.

    Sipas Time Out, qyteti është ndër më të lumturit e anketuar për vitin 2026, me 91% të të anketuarve që thonë “ata gjejnë gëzim në përvojat e tyre të përditshme” atje.

    “Edinburgu merr gjithçka që e bën jetën të vlefshme për t’u jetuar dhe e ngre nivelin disa herë më lart: ushqim të shkëlqyer, hapësira të bukura të gjelbra dhe një skenë të gjallë arti dhe kulture”, shkruan Chiara Wilkinson, zëvendësredaktore e Time Out në Mbretërinë e Bashkuar.

    “Një nga cilësitë më të mira të kryeqytetit skocez është sa e lehtë është të lëvizësh në këmbë…”.

    Ndërkohë, njerëzit që jetojnë në Londër i dhanë qytetit një rezultat pothuajse të përsosur për skenën e tij të artit dhe kulturës, me një vlerësim miratimi prej 99%.

    Kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar u vlerësua gjithashtu për skenën e tij të restoranteve dhe hapësirat e gjelbra.

    Në Evropën kontinentale, Cyrihu humbi për pak vendin e 10 më të mirëve, duke u renditur në vendin e 11-të.

    Time Out i dha një vlerësim të madh qytetit zviceran për “tërheqjen” e tij gjatë gjithë vitit, nga rrugët e mbushura me lule në pranverë dhe noti në lumin Limmat në verë, deri te Festivali i Filmit i Cyrihut në vjeshtë, i ndjekur nga tregjet e famshme botërore të Krishtlindjeve në dimër.

    Qytetet evropiane dominuan listën midis vendit të 11-të dhe të 20-të, me Kopenhagenin në të 13-tin, Krakowin në të 16-tin, Porton në të 17-tin, Madridin në të 19-tin dhe Valencian në të 20-tin.

    Çuditërisht, Parisi, kryeqyteti i vendit më të vizituar në botë, u rendit vetëm në vendin e 22-të.

    Megjithatë, qyteti ishte i vetmi me një rezultat të përsosur për skenën e tij të arteve dhe kulturës, dhe një shifër marramendëse prej 97% e të anketuarve thanë se e miratonin skenën e ushqimit dhe pijeve.

    Qytete të tjera që u renditën në 50 vendet e para përfshijnë Bath (vendi i 26-të), Bilbao (vendi i 27-të), Berlin (vendi i 28-të), Antverp (vendi i 31-të), Napoli (vendi i 33-të), Amsterdam (vendi i 34-të), Athinë (vendi i 40-të), Vjenë (vendi i 44-të), Dublin (vendi i 45-të) dhe Lisbon (vendi i 49-të).

  • AAK mban konferencë për media

    AAK mban konferencë për media

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, do të mbajë sot një konferencë për media.

    Sipas njoftimit të AAK-së, konferenca do të zhvillohet në ora 10:00, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në hyrjen nga Sheshi “Ibrahim Rugova”.

    Nga AAK nuk janë dhënë detaje shtesë.

  • Kuvendi vendos sot për imunitetin e Ballukut, kërkesa e SPAK për arrestimin e saj në votim

    Kuvendi vendos sot për imunitetin e Ballukut, kërkesa e SPAK për arrestimin e saj në votim

    Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot mbi kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

    Në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, një çështje që pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike.

    Sipas rendit të ditës, kjo pikë është vendosur e para në agjendë, menjëherë pas nisjes së seancës plenare.

    Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e deputetes, duke argumentuar se ajo ka intimiduar dëshmitarë dhe mund të përbëjë rrezik për provat në hetim.

    Megjithatë, Partia Socialiste e Shqipërisë i ka dalë në krah deputetes së saj dhe ka paralajmëruar se do të votojë kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit.

    Sipas agjendës së publikuar nga Kuvendi për seancën e 12 marsit, fillimisht pritet të marrë fjalën vetë Belinda Balluku. Më pas do të paraqiten dy raportet e përgatitura në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nga përfaqësuesit e opozitës dhe të shumicës parlamentare.

    Fillimisht do të prezantohet raporti i opozitës, i hartuar nga anëtarët e Partisë Demokratike në Këshill, ndërsa më pas edhe raporti i shumicës parlamentare. Në fund, çështja do të hidhet në votim në seancën plenare.

    Projektvendimi kërkon shumicë të thjeshtë votash për miratim.

    Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të këmbëngulë për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e cilësuar këtë një test për drejtësinë dhe për luftën kundër korrupsionit.

    Për shkak të qëndrimeve të forta politike nga të dyja palët, priten përplasje dhe tensione gjatë seancës plenare, ndërsa opozita ka paralajmëruar edhe protestë jashtë godinës së Kuvendit.

  • KQZ-ja mblidhet sot, shqyrtohet pezullimi i AKR-së

    KQZ-ja mblidhet sot, shqyrtohet pezullimi i AKR-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbaj sot mbledhjen e radhës.

    Në mbledhjen që pritet të fillojë në orën 13:30, në rend dite janë shtatë pika. Sipas njoftimit për media, një nga pikat e renit të ditës shtë shqyrtimi i rekomandimit për pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR).

    Përveç kësaj, gjatë mbledhjes pritet të diskutohen edhe disa çështje të tjera që lidhen me aktivitetet e KQZ-së dhe funksionimin e institucioneve zgjedhore.

    Rendi i plotë i ditës:

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;
    2. Aktivitetet e Zyrës

    2.1. Rekomandim për pezullim të partisë politike ALEANCA KOSOVA E RE me akronimin AKR;

    3. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    3.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së KQZ për vitin 2026;
    4. Këshilli për Buxhet dhe Financa

    4.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Prokurimit të KQZ për vitin 2026
    5. Këshilli për Çështje Ligjore

    5.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të kuvendit komunal në Istog;

    6. Vlerësimi i rezultateve në punë për vitin 2025 për:

    – U.D. Drejtorin e Sekretariatit të KQZ;
    – Zëdhënësin e KQZ;
    – Auditorin e brendshëm.

    7. Të ndryshme.

  • Porsche do të shkurtojë vende të tjera pune, ndërsa fitimet ranë me 91%

    Porsche do të shkurtojë vende të tjera pune, ndërsa fitimet ranë me 91%

    Prodhuesi gjerman i veturave sportive Porsche njoftoi se planifikon të shkurtojë vende të tjera pune pasi fitimet e kompanisë ranë me 91% gjatë vitit 2025.

    Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Michael Leiters, tha se procesi për ristrukturimin e kompanisë ishte nisur edhe para se ai të merrte detyrën më herët këtë vit.

    Sipas tij, ky proces do të “forcohet edhe më tej” dhe do të përfshijë shkurtime të reja të vendeve të punës.

    Leiters nuk dha një numër të saktë të punonjësve që do të largohen nga puna, duke theksuar se fillimisht do të zhvillohen bisedime me palët e përfshira.

    Gjatë prezantimit të rezultateve financiare në Stuttgart, ai njoftoi edhe plane për thjeshtimin e strukturës së menaxhimit për të përmirësuar situatën e kompanisë.

    Sipas një marrëveshjeje të mëhershme me përfaqësuesit e punonjësve, rreth 1,900 vende pune pritet të shkurtohen në rajonin e Stuttgartit deri në vitin 2029.

    Kompania tha se fitimi neto u ul ndjeshëm në vitin 2025 për shkak të kostove miliardëshe që lidhen me rikthimin më të madh drejt modeleve me motorë me djegie të brendshme.

  • Me sa vite burg dhe sa euro mund të dënohet Gjesti për veprat që rëndojnë mbi të?

    Me sa vite burg dhe sa euro mund të dënohet Gjesti për veprat që rëndojnë mbi të?

    Ndalimi i reperit nga Peja, Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, në mes të Prishtinë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje ka ngritur një pyetje të madhe te publiku: çfarë rrezikon realisht artisti pas këtij incidenti?

    Nëse i referohemi Kodi Penal i Republikës së Kosovës, vepra për të cilën ai po mbahet në ndalim policor prej 48 orësh parashikon sanksione të qarta ligjore. Për mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ligji parasheh dy skenarë kryesorë.

    Skenari i parë është një gjobë që mund të arrijë deri në 7,500 euro, ndërsa skenari i dytë është dënimi me burgim që mund të shkojë deri në pesë vjet. Megjithatë, ndonëse këto masa duken të rënda në letër, praktika gjyqësore në Kosovë shpesh tregon një qasje më të butë.

    Në shumë raste të armëmbajtjes së thjeshtë – kur arma nuk është përdorur për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale dhe nuk ka rrethana rënduese – gjykatat zakonisht vendosin dënime me gjobë ose dënime me kusht.

    Ndërkohë, masa e ndalimit prej 48 orësh që po kalon aktualisht këngëtari konsiderohet një procedurë standarde hetimore. Kjo periudhë i jep kohë Prokuroria e Shtetit që, në bashkëpunim me Policia e Kosovës, të vlerësojë provat dhe rrethanat e rastit për të vendosur nëse çështja do të shkojë në procedurë të rregullt gjyqësore apo nëse do të ndërmerren masa të tjera.

    Tashmë mbetet të shihet nëse Gjesti do t’ia hedhë vetëm me një gjobë të majme dhe një paralajmërim ligjor, apo nëse rasti do të kërkojë një proces më të gjatë në sistemin e drejtësisë. Sytë e publikut mbeten të drejtuar te vendimi që pritet pas skadimit të afatit të ndalimit.

  • Publikohet klipi zyrtar i “Nan”, kënga e Alis që përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision 2026’

    Publikohet klipi zyrtar i “Nan”, kënga e Alis që përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision 2026’

    Është publikuar videoklipi zyrtar i këngës “Nan”, me të cilën këngëtari shqiptar Alis do të përfaqësojë Shqipëria në edicionin e 70-të të Eurovision Song Contest.

    Videoklipi është publikuar në kanalin zyrtar të Eurovision në YouTube dhe shoqërohet me titra në gjuhën angleze, me qëllim që mesazhi i këngës të kuptohet më lehtë nga publiku ndërkombëtar.

    Kënga “Nan” interpretohet në gjuhën shqipe dhe vjen si një kombinim i fuqisë vokale me emocionin e pastër artistik të Alis. Artisti shqiptar pritet të performojë këtë këngë në natën e dytë gjysmëfinale të festivalit, më 14 maj 2026, në Vjenë të Austri.

    Ky projekt muzikor u shpall fitues i Festivali i Këngës në RTSH, në edicionin e tij të 64-të në vitin 2025, duke u veçuar për interpretimin unik dhe mesazhin universal që përcjell për dashurinë.

    Publikimi i videoklipit synon të prezantojë Shqipërinë me një performancë të fortë dhe emocionale në skenën më të madhe të muzikës evropiane, ndërsa fansat e Eurovision tashmë kanë mundësinë të njihen më nga afër me këngën që do të përfaqësojë vendin në këtë kompeticion të madh.

  • Peci: Mitrovica pritet të bëhet me stadium të kategorisë së katërt dhe palestër të xhudos

    Peci: Mitrovica pritet të bëhet me stadium të kategorisë së katërt dhe palestër të xhudos

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti qyteti pritet të përfitojë një stadium të kategorisë së katërt dhe një palestër të re për sportin e xhudos.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peci njoftoi se së bashku me ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, kanë vizituar disa nga objektet sportive në qytet për të parë nga afër zhvillimin e punimeve dhe mundësitë për investime të reja.

    “Mitrovica gjatë këtij viti me stadium të kategorisë së 4-të dhe me palestër të xhudos”, ka shkruar Peci.

    Sipas tij, gjatë vizitës është parë nga afër ecuria e punimeve në Stadiumi Olimpik Adem Jashari si dhe punimet për rregullimin e dojës së xhudos.

    “Së bashku me ministrin e Sportit dhe Rinisë, z. Blerim Gashani, vizituam objektet sportive në Mitrovicë. Nga afër pamë zhvillimin e punimeve në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ dhe punimet në rregullimin e dojës së xhudos”, ka deklaruar ai.

    Peci ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite janë vlerësuar edhe mundësitë për investime në Qendra Sportive OMNI Sport dhe në Stadiumi Riza Lushta.

    “Këto projekte do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit në Mitrovicë”, ka theksuar Peci.