ATV

Blog

  • Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE’së – te Kosova përmendet rëndësia e dialogut

    Çfarë parashihet me strategjinë e miratuar për zgjerim të BE’së – te Kosova përmendet rëndësia e dialogut

    Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.

    Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.

    Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan.

    Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.

    “Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, tha eurodeputeti Austrevicius.

    Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, mirëpo aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

    Kështu, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.

    Kur përmendet Kosova në raport, aty theksohet rëndësia e dialogut të saj me Serbinë për avancim në rrugën drejt anëtarësimit.

    Mes tjerash në raport bëhet thirrje që të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që asnjë vend të mos trajtohet si pjesë e një pakete.

    “Sundimi i ligjit, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në krye të prioriteteve të procesit të zgjerimit, me mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë civile”, thuhet në dokument.

    Ai, gjithashtu, nënvizon domosdoshmërinë e përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila vlerësohet si “një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të vendit kandidat”.

    Në këtë drejtim, Serbia është kritikuar shpesh për mospërputhje të politikës së jashtme me atë të bllokut, meqë është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka sanksionuar Rusinë për nisjen e luftës në Ukrainë.

    Para votimit të këtij raporti, në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat, në të cilin mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se BE-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e vendeve që mund t’i minojnë fshehurazi vlerat ose institucionet e BE-së.

    “Nuk ka kuaj të Trojës. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së. Duhet të jemi absolutisht të sigurt për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”, tha mes tjerash Kos.

    Bashkimi Evropian është zgjeruar herën e fundit më 2013, me pranimin e Kroacisë./REL

  • Kryeministri vizitoi Mehmet Hajrizin: Demonstratat e ’81-shit, themel për luftën çlirimtare

    Kryeministri vizitoi Mehmet Hajrizin: Demonstratat e ’81-shit, themel për luftën çlirimtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizin në përvjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke theksuar kontributin e tij dhe të shumë brezave në rrugën drejt lirisë së Kosovës.

    Sipas Kurtit, Hajrizi nuk është vetëm një veprimtar politik, por vjen nga një familje që është përballur me përndjekje nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.

    Ai për 15 vjet punoi në arsim, duke edukuar gjenerata nxënësish, ndërsa një nga momentet më të rënda të jetës së tij ishte arrestimi në sallën e mësimit para nxënësve, që ishte arrestimi i tij i dytë pas atij të vitit 1979.

    “Në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një ndër organizatat më serioze dhe më jetëgjata të lëvizjes së asaj kohe. Fillimisht ajo u udhëhoq për një vit nga Kadri Osmani, ndërsa për tetë vjet të tjerë nga Mehmet Hajrizi. Më vonë ai, së bashku me shokët e tij, u bë pjesë e themelimit të shtypit të parë klandestin, ku shërbeu edhe si kryeredaktor. “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria”, “Këngët e lirisë” dhe shumë trakte të tjera politike që ngjallën vrull patriotik dhe përhapën frymën e rezistencës gjithandej vendit, me kërkesa për liri, drejtësi, Republikë dhe bashkim kombëtar”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

    Kurti theksoi se lufta çlirimtare e fundit në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që ndër vite u angazhuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.

  • Oscars 2026: Gjithçka që duhet të dini përpara ceremonisë vjetore

    Oscars 2026: Gjithçka që duhet të dini përpara ceremonisë vjetore

    Filmi “Sinners”, i regjisorit Ryan Coogler, tashmë ka hyrë në histori edhe para se të ndahen çmimet.

    Edhe nëse nuk fiton asnjë statujë, filmi ka vendosur një rekord të ri me 16 nominime, duke tejkaluar filma të njohur si “Titanic” (1997) dhe “La La Land” (2016), të cilët kishin marrë nga 14 nominime secili.

    Pas disa deklaratave kritike për baletin dhe operën, Timothee Chalamet duket se është tërhequr pothuajse nga gara për Oscar, duke ia lënë vendin dy pretendentëve të fortë në kategorinë e tij: Michael B. Jordan dhe Leonardo DiCaprio.

    Një nga kategoritë më të diskutueshme këtë vit është ajo për filmin më të mirë ndërkombëtar.

    Kur mbahet ceremonia e Oscars 2026?

    Ceremonia e Academy Awards 2026 do të zhvillohet të dielën, më 15 mars, në Dolby Theatre në kompleksin Ovation Hollywood në Los Angeles.

    Eventi pritet të nisë në orën 19:00 ET / 16:00 PT.

    Ku mund të ndiqet ceremonia?

    Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin ABC dhe në aplikacionin e tij për abonentët me kabllo.

    Transmetimi do të zgjasë nga 19:00 deri në 22:00 ET (ose 16:00 – 19:00 PT).Transmetimi online do të jetë i disponueshëm edhe në platformat Hulu dhe FuboTV.

    Ndërkohë, tapeti i kuq do të transmetohet më herët në një ‘livestream’ të drejtuar nga komediania britanike Amelia Dimoldenberg, duke nisur në 18:30 ET / 15:30 PT.

    Kush do ta prezantojë ceremoninë?

    Ceremonia e këtij viti do të drejtohet nga komediani i njohur Conan O’Brien. Kjo do të jetë hera e dytë që ai prezanton këtë event të madh.

    Cilët të famshëm do të jenë pjesë e ceremonisë?

    Disa nga emrat e konfirmuar që do të marrin pjesë në skenë gjatë ceremonisë janë:

    Adrien Brody

    Javier Bardem

    Kieran Culkin

    Chris Evans

    Chase Infiniti

    Mikey Madison

    Demi Moore

    Kumail Nanjiani

    Maya Rudolph

    Zoe Saldana

    Will Arnett

    Priyanka Chopra Jonas

    Robert Downey Jr.

    Anne Hathaway

    Paul Mescal

    Gwyneth Paltrow

    Ceremonia e këtij viti pritet të jetë një nga më të ndjekurat, duke marrë parasysh rekordet e nominimeve dhe garën e fortë mes filmave dhe aktorëve.

  • Këshilli Prokurorial thërret takim të jashtëzakonshëm për nesër, pritet zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëkryesuesit

    Këshilli Prokurorial thërret takim të jashtëzakonshëm për nesër, pritet zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëkryesuesit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka thirrur takim të jashtëzakonshëm për nesër (e premte).

    Në rend dite në mbledhjen e nesërme të Këshillit Prokurorial, janë katër pika.

    Ndër të tjera bëhet e ditur se nesër pritet zgjedhja e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial.

    Mbledhja pritet të nisë në ora 09:30.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i rendit të ditës;
    2. Zgjedhja e Kryesuesit dhe Zëvendës Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
    3. Trajtimi i ankesës së pranuar me datë 4 mars 2026;
    4. Të ndryshme.

  • Mënyra e duhur për t’i larguar poret nga fytyra në afat rekord

    Mënyra e duhur për t’i larguar poret nga fytyra në afat rekord

    Me siguri se jeni ndjerë sikur një lëvore portokalli me të gjitha vrimat e veta. Fatkeqësisht, këto pore apo “gropa” jua bëjnë fytyrën t’ju duket më e vjetër dhe më e keqe.

    Nëse keni lëkurë të yndyrshme, atëherë e dini se për çfarë e kemi fjalën sepse ky problem është i zakonshëm te personat me këtë tip të lëkurës.

    Normalisht se lëkura e yndyrshme është vetëm një nga faktorët sepse gjenetika, stresi dhe faktorët ambientalë gjithashtu kontribuojnë për shfaqjen e poreve.

    Sidoqoftë, lajmi i mirë është se ka ilaçe që mund t’i provoni për ta larguar ose minimizuar këtë problem.

    Zgjidhja me vezë

    Një mënyrë për t’i mbyllur poret në lëkurë është me ndihmën e vezëve.

    Të bardhët e vezës është shumë e mirë për lëkurën sepse e ngushton atë dhe e zvogëlon sasinë e vajit që lëkura është duke e prodhuar.

    Për këtë trajtim, ju duhet ta përzieni një të bardhë të vezës me një lugë lëng limoni dhe 2 lugë qull tërshëre.

    I përzieni ato mirë derisa ta krijoni pastën të cilën duhet ta aplikoni në fytyrë dhe në qafë.

    Këtë trajtim duhet ta përsëritni dy herë në javë.

    Pastrojeni fytyrën

    Një tjetër gjë që mund ta bëni për t’i larguar poret e lëkurës është të siguroheni se e pastroni fytyrën në mëngjes dhe në mbrëmje.

    Kur e pastroni fytyrën, ju e largoni yndyrën, pluhurin dhe mbetjet që mund të akumulohen në lëkurë.

    Kjo duhet të jetë shumë bazike për rutinën e kujdesit të lëkurës. /Telegrafi/

  • Nis seanca për imunitetin e Ballukut, opozita me pankarta në sallë – jashtë protestë

    Nis seanca për imunitetin e Ballukut, opozita me pankarta në sallë – jashtë protestë

    Ka nisur seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ku do të votohet për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kërkesë që mazhoranca pritet që ta rrëzojë.

    Deputetët e PD në sallë kanë shkuar me pankarta, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit po mbahet protestë e thirrur nga opozita, raporton Tch.

    Në sallë deri në këto momente nuk ndodhet Belinda Balluku, e cila po ashtu nuk ka paraqitur kërkesë për të mbajtur fjalë.

  • Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

    Ambasada e Kosovës në Zagreb: Fluturimi Riad–Prishtinë mundësoi riatdhesimin e shtetasve të Bosnjës

    Ambasada e Kosovës në Kroaci ka bërë të ditur se pas një kërkese të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës u bë i mundshëm fluturimi i mbrëmshëm Riad-Prishtinë për riatdhesimi e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës nga Arabia Saudite.

    Ambasada, mes tjerash, bën të ditur se kërkesa ishte drejtuar përmes kanaleve diplomatike, ndërsa operacioni u organizua dhe u realizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me institucione të tjera të vendit.

    “Republika e Kosovës edhe një herë dëshmoi se bashkëpunimi ndërmjet shteteve në rajon është thelbësor në tejkalimin e vështirësive që mund të kenë qytetarët e vendeve në rajonin tonë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, falënderon institucionet e përfshira dhe të gjithë ata që kontribuan, për përgjigjen e shpejtë dhe efikasitetin e treguar”, thuhet në njoftim.

  • Tahiri: Kosova gjendet në situatën më të rëndë që nga pavarësia

    Tahiri: Kosova gjendet në situatën më të rëndë që nga pavarësia

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka deklaruar se Kosova është në situatën më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë.

    Tahiri ka renditur një varg çështjesh të cilat sipas tij e kanë çuar vendin buzë kolapsit dhe për këtë thotë se faji është te Qeveria e Kosovës, të cilën e ka quajtur jofunksionale.

    “Për AAK-në vendi ynë, Republika e Kosovës është në situatën më të rëndë në post pavarësi. Kosova sot është në bllokadë ndërsa qeveria është jonfunksionale, shteti është jonfunksional. Ekonomia është buzë kolapsit. Çmimet e konsumit për qytetarë dhe për familjet kanë ardhur në atë stad që janë të papërballueshme për jetesë”, ka thënë Tahiri.

  • Presidenti i Iranit publikon kushtet për t’i dhënë fund luftës

    Presidenti i Iranit publikon kushtet për t’i dhënë fund luftës

    Presidenti iranian, Masoud Pesekian, përcaktoi mbrëmë kushtet për një përfundim të mundshëm të luftës me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë “garanci të forta ndërkombëtare” që do të siguronin një ndërprerje të përhershme të të gjitha sulmeve.

    “Në një bisedë me udhëheqësit e Rusisë dhe Pakistanit, riafirmova angazhimin e Iranit për paqen në rajon. E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte, e cila u nis nga regjimi sionist dhe Shtetet e Bashkuara, është të njihen të drejtat legjitime të Iranit, të paguhen dëmshpërblimet dhe të ofrohen garanci të forta ndërkombëtare kundër agresionit të ardhshëm”, njoftoi presidenti iranian në X.

    Ai nuk specifikoi se për cilat të drejta po i referohej. Vëzhguesit e politikës së brendshme iraniane thonë se Pezeshkian mund të ketë pasur parasysh emërimin e një udhëheqësi të ri suprem dhe nevojën për njohje ndërkombëtare.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha më parë këtë javë se nuk ishte “i kënaqur” me emërimin e Mojtaba Khameneit si udhëheqësi i ri fetar dhe kreu i shtetit të Iranit, duke thënë se djali i të vrarit Ali Khamenei duhet të presë vështirësi të konsiderueshme.

    “Nuk besoj se ai mund të jetojë në paqe,” tha Trump.

  • Shqiptarët, ndër popujt që përdorin më shumë transportin publik në Europë

    Shqiptarët, ndër popujt që përdorin më shumë transportin publik në Europë

    Ndonëse shqiptarët i kanë shumë të kufizuara mjetet e transportit jo personale, duke pasur në dispozicion vetëm autobusë, ata e përdorin shumë më tepër sistemin publik se banorët e Bashkimit Europian, që mund të lëvizin me metro, trena e tramvaj.

    Eurostat ka publikuar të dhënat lidhur me përdorimin e transportit publik nga vendet e ndryshme të Europës. Gati 17% e shqiptarëve e përdorin transportin publik çdo ditë, duke u renditur në vend të pestë në Europë, pas Hungarisë, Zvicrës, Çekisë dhe Luksemburgut dhe më lart se mesatarja europiane prej 10.7%.

    Transporti publik përfshin autobusët, tramvajet, trenat dhe metronë, etj., por nuk përfshin mjetet që mund të merren me qira në mënyrë private sipas dëshirës së përdoruesit (p.sh. taksi ose biçikleta), sipas metodologjisë së Eurostat.

    20.4% e shqiptarëve e përdorin transportin publik çdo javë, të tretët në Europë pas Zvicrës dhe Luksemburgut. Gati 21% e përdorin çdo muaj, të dytët pas Turqisë. 11.6% e përdorin më pak se një herë në muaj, ndër të fundit në Europë. 30.2% nuk e përdorin fare transportin publik, sërish ndër të fundit në Europë.

    Meshkujt e përdorin më shumë transportin publik se femrat. Sipas Eurostat, 17.9% e meshkujve mbi 16 vjeç udhëtojnë çdo ditë me autobus dhe 15.8% e femrave.

    Sipas grupmoshave në Shqipëri, çdo ditë transportin publik e përdorin më shumë të rinjtë:
    -33.8% e meshkujve nga 16 në 29 vjeç;
    -34.9% e femrave nga 16 në 29 vjeç;
    -15.3% e femrave nga 30 në 64 vjeç;
    -18.8% e meshkujve nga 30-64 vjeç
    – 4% e pensionistëve;

    Përdorimi i lartë i transportit publik, pavarësisht mjeteve të kufizuara vetëm tek autobusët, lidhet dhe me numrin e ulët të mjeteve për banorë në Shqipëri.

    Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, në raport me popullsinë, Shqipëria ka në total 443 mjete për 1 mijë banorë, që pavarësisht rritjes mbetet ndër më të ulëtat në Europë. P.sh., vetëm për autoveturat, Shqipëria kishte 328 mjete për 1000 banorë në vitin 2024, nga 578 që është mesatarja europiane.

    Europa
    Sipas publikimit të Eurostat, në vitin 2024, 10.7% e personave (16 vjeç e lart) në BE përdornin çdo ditë një formë të transportit publik, 11.6% e përdornin çdo javë, 10.0% çdo muaj, ndërsa 17.1% e përdornin më rrallë se një herë në muaj. Nga ana tjetër, 50.6% nuk e përdornin fare transportin publik.

    Ndër vendet e BE-së, pjesa më e madhe e popullsisë që nuk e përdorte transportin publik në vitin 2024 ishte në Qipro, me 85% të popullsisë, e ndjekur nga Italia (68.0%), Portugalia (67.8%), Franca (65.1%), Sllovenia (61.6%) dhe Greqia (61.3%). Në skajin tjetër të shkallës qëndronte Luksemburgu, ku vetëm 15.7% e njerëzve nuk e përdornin transportin publik në vitin 2024, i ndjekur nga Estonia (26.6%) dhe Suedia (26.7%).

    Sa i përket përdorimit çdo javë të transportit publik, Luksemburgu regjistroi pjesën më të lartë, me 23.1% të popullsisë që e përdorte, i ndjekur nga Letonia (19.2%) dhe Estonia (18.2%). /Monitor.al