ATV

Blog

  • AAK në mbrojtje të dekretit të Osmanit, kërkon nga LVV-ja mos t’i bëjë presion Kushtetueses

    AAK në mbrojtje të dekretit të Osmanit, kërkon nga LVV-ja mos t’i bëjë presion Kushtetueses

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit të zgjedhjes së presidentit është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tyre, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ndalë sulmet dhe presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese. Nga partia e Ramush Haradinajt kërkojnë që e gjithë opozita të bashkohet pa shikuar ideologjinë politike djathtas apo majtas por të ndërtojnë një platformë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të enjten tha se i kanë dërguar komentet e tyre në Kushtetuese në mbrojtje të dekretit të presidentes Vjosa Osmani.

    Ai kritikoi eksponentë të LVV-së që sipas tij po bëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, një ditë pasi deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, kërkoi nga ambasadorët që mos t’u shkojnë në takim institucionit më të lartë juridik në vend.

    “Për ne është bërë krejt e qartë, e thjeshtë, në qoftë se ka drejtësi dhe trajtohet aspekti meritor, atëherë neni 86, pika 2, është i qartë, i qartë sikur loti, i pastër si loti. Thotë, 30 ditë para se t’i përfundojë presidentes afati i saj në zyrë, duhet të ketë zgjedhje. Çfarëdo trajtimi tjetër është rrethanor. Një çështje tjetër shumë problematike për ne lidhet drejtpërdrejt me mendësinë e Lëvizjes Vetëvendosje për të sulmuar institucionet e pavarura. Qysh mund të dalë një përfaqësues i popullit, një parti që ka 50% dhe ta sulmojë institucionin e pavarur, Gjykatën Kushtetuese, të tentojë të ndikojë politikisht, duke shkuar aq lart duke thënë se disa ambasadorë po duan me e shkatërruar Gjykatën Kushtetuese. Jo bre burrë, ata që e kanë ndërtuar e ata që e kanë ndihmuar nuk e shkatërrojnë. E shkatërroni ju që doni të keni ndikim politik”, tha ai.

    Tahiri e ka konsideruar të nevojshëm bashkimin opozitar në zgjedhjet e mundshme parlamentare.

    “Ajo që kisha thënë për një bashkim të opozitës në fillim, është si bukur shumë, është vonuar opozita për të qenë e bashkuar në platformat e veta politike. Dhe unë mendoj që çfarëdo bashkimi që duhet të ndodhë karshi këtij pushteti, duhet mos të ketë vetëm profil politik, e djathtë e majtë, po duhet të ketë vizion shtetëror, se si me i dalë në një situate, një katrahure e cila ka kapluar këtë shtet. Diskutimi për garën zgjedhore është tjetër. Ne as atëherë nuk kemi qenë kundër, as tash nuk jemi kundër. Ne mendojmë që para petkut tonë partiak, para petkut tonë ideologjik, është ky shtet, është ky institucion. Unë mendoj përderisa nuk ka këtij mendimi, opozita është e dobët. Opozita nuk duhet me u frikësu me u bashku krejt. Me u bashku me një platformë, jo me një ideologji politike, po me një platformë çka don t’i prodhojë këtij shteti në katër vjet të ardhshme. A kuptoni që derisa po flasim, bllokada e shtetit është ka prodhon varfëri të skajshme, pasiguri serioze dhe mbi të gjitha, rrezikim të shtetit të Kosovës. Andaj, ne jemi vonë me këtë. Diskutimi duhet me shku përtej profilit djatht-majt”, shtoi Tahiri.

    Shefi i deputetëve të AAK-së akuzoi LVV-në që e ka sjellë Kosovën buzë kolapsit, pasi sipas tij e njëjta nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional.“Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, vendi, shteti ynë, Republika e Kosovës, është në situatën më të rëndë në post-pavarësi, në një ndër krizat më të thella, me shumë të panjohura, duke e sjellë shtetin në një rrethanë ku për mbi një vit, tani kemi hyrë në vitin e dytë, vazhdon një eksperimentim i betejave në letër ligjore dhe kushtetuese dhe mosfunksionimit të shtetit dhe të qeverisë për funksionet që duhet t’i ushtrojë para qytetarëve të Kosovës. Kosova sot është në bllokadë, ndërsa qeveria është jofunksionale, shteti është jofunksional. Ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit, në mungesë të investimeve, edhe të sektorit publik, po edhe të huaja dhe në një bllokadë janë ndërmarrjet dhe korporatat të cilat kanë probleme serioze deri tek falimentimi i tyre dhe përjashtimi i punëtorëve nga puna dhe mosdhënies së pagave. Paramendoni, që dy palë zgjedhje i fiton Lëvizja Vetëvendosje me 51% dhe nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional për shkak se është e pangopshme dhe dëshiron që ta merr edhe institucionin e presidentes”, theksoi Tahiri.

    Pjesë e konferencës për media ishte edhe deputeti tjetër i AAK-së, Bekë Berisha, i cili kritikoi ekzekutivin, siç tha ai, për kushtet e mjerueshme të Policisë së Kosovës.

    “Pamjet e fundit që i kemi parë në kampet e policisë së Kosovës, sidomos ato në Mitrovicë, por edhe gjithkund, janë të mjerueshme, janë të tmerrshme. Jemi në një situatë më të rëndë që kemi qenë ndonjëherë, sidomos në aspektin e sigurisë, duke parë se çka po ndodh edhe përreth nesh. I kisha lutur këtë lloj qeverie që nuk po don me qeverisë, që i ka krejt numrat e i ka buxhetin e të gjitha, mos të bëjnë lojëra sidomos me këtë sektor. Policinë, ushtrinë edhe inteligjencën. Ju e keni parë që ndahet buxhet, mirëpo nuk kryhen punët kurrë. Gjendja është e keqe. Do të rrimë kujdestarë edhe do të shikojmë se çka po ndodh me atë sektor. Edhe i kisha lutur që mos të bëjnë lojëra. Ka marrë fund më populizmi, ka marrë fund më rren e dallaveret. Policia e Kosovës është në gjendje të keqe, për mos me thënë që s’kanë as uniforma e as veshmbathje”, përfundoi Berisha.

  • Pritje të gjata për Kimioterapi në Onkologji të QKUK së

    Pritje të gjata për Kimioterapi në Onkologji të QKUK së

    Pritjet për trajtim në repartin e onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po shtohen dukshëm.

    Sipas Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, numri i pacientëve me sëmundje malinje vazhdon të rritet, ndërsa mungesa e kapaciteteve dhe specialistëve po krijon vonesa në kimioterapi dhe radioterapi.

    Gazetari i Shëndetësisë, Bujar Vitia thekson nevojën e decentralizimit të shërbimeve.

    “Këto shërbime nuk duhet të ofrohen vetëm në QKUK, por edhe në spitalet rajonale. Duhet të ketë një decentralizim tashmë, me specialistë të rinj, mund të krijohen kapacitete në këto spitale që t’u lehtësojnë jetën pacientëve”, tha Vitija.

    Televizioni ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Shëndetësisë nëse kanë ndonjë plan për shtimin e specialistëve në ketë repart, por deri në transmetimin e kësaj kronike nuk kanë kthyer përgjigje.

     

  • Shpiket implanti si xhel që ndihmon kockat të shërohen vetë

    Shpiket implanti si xhel që ndihmon kockat të shërohen vetë

    Të frymëzuar nga mënyra natyrale se si shërohen kockat, studiuesit kanë zhvilluar një hidrogel të strukturuar me lazer që në të ardhmen mund të zëvendësojë implantet tradicionale të kockave.

    Shpesh kockat e thyera shërohen vetë, por në rastet e frakturave shumë të rënda ose kur hiqet një tumor në kockë, mjekët vendosin implante për të stabilizuar zonën dhe për të ndihmuar rikuperimin. Sot këto implante zakonisht bëhen nga kocka e vetë pacientit ose nga metale dhe qeramika. Megjithatë, përdorimi i kockës së pacientit kërkon një operacion të dytë, ndërsa implantet metalike janë më të forta se kocka natyrale dhe mund të lirohen me kalimin e kohës.

    Studiuesit në ETH Zurich zhvilluan një hidroxhel të ri me konsistencë të butë, të ngjashme me xhelin, që mund të shpërbëhet gradualisht në trup. Ky material përmban rreth 97% ujë dhe 3% polimer biokompatibël dhe është projektuar për të imituar fazën e parë të shërimit të kockave.

    Kur një kockë thyhet, trupi krijon fillimisht një strukturë të butë në vendin e dëmtimit që lejon qelizat dhe lëndët ushqyese të depërtojnë në zonë. Me kalimin e kohës kjo strukturë zëvendësohet nga kocka e fortë. Hidroxheli i ri synon të kopjojë pikërisht këtë proces.

    Shkencëtarët përdorin lazer për ta formuar materialin me saktësi shumë të lartë, duke krijuar struktura shumë të imëta që imitojnë rrjetin e brendshëm të kockës. Teknologjia lejon krijimin e formave me detaje deri në 500 nanometra dhe me shpejtësi shumë të lartë prodhimi.

    Në laborator, qelizat që formojnë kocka u vendosën shpejt në këtë strukturë dhe filluan të prodhojnë kolagjen, një komponent thelbësor i indit kockor. Testet treguan gjithashtu se materiali është biokompatibël dhe nuk dëmton qelizat.

    Deri tani materiali është testuar vetëm në laborator. Studiuesit planifikojnë të fillojnë eksperimente me kafshë për të parë nëse hidrogeli mund të ndihmojë vërtet në rigjenerimin e kockave dhe rikthimin e forcës së tyre. Në të ardhmen, ky implant mund të ofrojë një mënyrë më natyrale dhe efektive për trajtimin e dëmtimeve të kockave. / Scitech Daily

  • Shpallet konkurs për kryesues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Shpallet konkurs për kryesues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 364-të, të enjten, shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili do të jetë i hapur deri më 26 mars 2026.

    Sipas zëvendëskryesueses, Arjeta Sadiku të drejtë aplikimi kanë të gjithë anëtarët e KGJK-së që mbajë edhe pozitën e gjyqtarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sadiku shtoi se kandidati duhet të marrë së paku tri nënshkrime të anëtarëve të Këshillit për të aplikuar në konkurs.

    KGJK-ja momentalisht ka nëntë anëtarë në radhët e veta dhe atë si në vijim:

    Rrustem Thaqi- gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës;

    Afërdita Bytyqi- gjyqtare në Gjykatën e Apelit;

    Besnik Bislimaj- gjyqtar në Gjykatën e Apelit;

    Arjeta Sadiku- gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë;

    Mirjeta Shala- gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjakovë;

    Fahret Vellija-gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren;

    Fidan Hoxha- gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren;

    Artan Abazi-gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dhe

    Ahmet Imami, profesor nga Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, Fakulteti Juridik.

    Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj. Mandati i tij përfundoi më 9 mars 2026.

    Kujtojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative ka marrë rrugë gjyqësore procesi edhe për një anëtar të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatë Supreme, me këtë rast Themelorja kishte vendos masë të sigurisë me propozim të kandidates për anëtare, Mejreme Memaj.

  • IKSHPK: Ndotja e ajrit në Kosovë mbetet shqetësuese, Prishtina më e prekura

    IKSHPK: Ndotja e ajrit në Kosovë mbetet shqetësuese, Prishtina më e prekura

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vlerësuar se ndotja e ajrit në vend vazhdon të jetë problem serioz që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.

    Në raportin vjetor për vitin 2025, Instituti thekson se cilësia e ajrit në Kosovë shpesh tejkalon nivelet e lejuara, ndërsa Prishtina është identifikuar si qyteti më i ndotur. Sipas raportit, ndotja e ajrit lidhet me rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, si dhe me shtimin e rasteve të vdekshmërisë së parakohshme.

    Të dhënat nga 12 stacione monitoruese të Institutit Hidrometeorologjik tregojnë se nivele të larta të grimcave PM10 dhe PM2.5 janë regjistruar në disa qytete, përfshirë Prishtinën, Drenasin, Mitrovicën, Hanin e Elezit, Obiliqin dhe Gjilanin.

    IKSHPK ka paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, pasojat në shëndetin publik mund të përkeqësohen. Si masa kryesore rekomandohen forcimi i kontrollit teknik të automjeteve, ndalimi i përdorimit të thëngjillit për ngrohje, monitorimi i filtrave të termocentraleve, përdorimi më i madh i transportit publik dhe shtimi i hapësirave të gjelbëruara.

    Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë regjistruar tejkalime të konsiderueshme të grimcave PM10, sidomos në muajt e dimrit, kur edhe është vërejtur rritje e vizitave dhe pranimeve në spitale për probleme me frymëmarrjen.

  • Ish-koloneli amerikan: Kosova është funerali që askush nga Serbia nuk do të marrë pjesë

    Ish-koloneli amerikan: Kosova është funerali që askush nga Serbia nuk do të marrë pjesë

    Ish-koloneli amerikan, Philippe Rogers në një intervistë për Ekonomia Online teksa ka komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë, ka thënë se kjo është një çështje e ndjeshme dhe pika e nxehtë me të cilën ai vazhdon të merret.

    Rogers theksoi se Kosova është punë e kryer, e ku e ka përshkruar me një fjalim të një mjekeje e ku tha se “Kosova është si një funeral ku askush nga Serbia nuk do të marrë pjesë”.

    “Po, e di që kjo është një çështje politike shumë e ndjeshme dhe e vazhdueshme, me të cilën ai duhet të merret. Dhe do të përdor një shprehje që e kam dëgjuar – jo nga unë dhe jo nga dikush nga Kosova, por nga një mjeke që e dëgjova duke mbajtur fjalim, dhe kjo mund të jetë kundërthënëse, por mendoj se e përshkruan mirë mënyrën se si Serbia e sheh Kosovën: “Kosova është si një funeral ku askush nga Serbia nuk do të marrë pjesë”, tha ai.

  • Ngordhin tre lopë, Bruceloza prek fermën në Lubishtë të Vitisë, sëmundja mund të kalojë edhe te njerëzit

    Ngordhin tre lopë, Bruceloza prek fermën në Lubishtë të Vitisë, sëmundja mund të kalojë edhe te njerëzit

    Në fshatin Lubishtë të Vitisë, 12 lopë të një fermeri kanë rezultuar pozitive me brucelozë, sëmundje bakteriale ngjitëse që mund të kalojë edhe tek njerëzit. Ndërsa Fermeri dhe banorët janë të shqetësuar, autoritetet ende nuk kanë ndërmarr masa për asgjësimin e kafshëve të infektuara.

    Fermeri Izet Ferizi nga Lubishta e Vitisë kujdeset çdo ditë për 60 krerë lopë.

    Por, 12 nga to, së fundi i janë sëmurë me Burculoza, sëmundje kjo bakteriale ngjitëse që prek kryesisht lopët, delet dhe dhitë, por mund të kaloj edhe tek njerëzit.

    Nga kjo sëmundje Ferizit deri tash i kanë ngordhur 3 lopë.

    Ferizi nuk e ka frikën që po i infektohen lopët e tjera, por që sëmundja mund të bartet edhe tek njerëzit.

    Andaj ai kërkon nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që sa më shpejt të asgjësoj lopët e infektuara.

    Ai thotë se do tw detyrohet që nga nesër do t’i lëshoj lopët në kullosë, pavarësisht kërkesës së bashkëfshatarëve që t’i mbaj në shtallë.

    Edhe Kryetari i fshatit, Vehbi Xhymshiti është i shqetësuar për këtë situatë.

    ATV ka provuar që të marrë në përgjigje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Ministria e Bujqësisë lidhur me atë se kur pritet të ndërmarrin masa lidhur me këtë situatë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

  • LA Clipers shënon fitore të thellë ndaj Minnesota Timberwolves-Kawhi Leoanard protagonist i ndeshjes

    LA Clipers shënon fitore të thellë ndaj Minnesota Timberwolves-Kawhi Leoanard protagonist i ndeshjes

    Janë zhvilluar gjashtë ndeshje në NBA u zhvilluan,duke sjellur përballje tejet intereante në parket.

    Los Angeles Clippers ishin ata që shkëlqyen më shumë, me një fitore mbresëlënëse ndaj Minnesota Timberëolves, duke triumfuar me rezultatin 153:128.

     

    Kawhi Leonard ishte protagonisti i natës, duke realizuar 45 pikë dhe duke pasur një përqindje fantastike në gjuajtje nga fusha konkretisht 15 nga 20 tentativa. Te Minnesota, Anthony Edëards ishte më i miri, me 36 pikë të realizuara.

     

    Në një tjetër përballje, Denver Nuggets mposhtën Houston Rockets me një rezultat të thellë, 129:93. Pjesa tjetër e natës solli disa ndeshje interesante, ku Orlando Magic mundën Cleveland Cavaliers 128:122 në një ndeshje të ngushtë, ndërsa Neë York Knicks fituan në transfertë ndaj Utah Jazz me rezultatin 134:117.

     

    Në përballjet e tjera, Neë Orleans Pelicans mundën Toronto Raptors 122:111, ndërsa Charlotte Hornets arritën një fitore ndaj Sacramento Kings me rezultatin 117:109.

  • Parashikimi i yjeve për shenjat e horoskopit

    Parashikimi i yjeve për shenjat e horoskopit

    Ju pret një ditë pozitive për ndjenjat, ku mund të merrni diçka më shumë. Mund të keni dëshirë për diskutime dhe ndryshime. Po ashtu, duhet treguar kujdes sa i takon anës ekonomike, pasi gjatë kësaj periudhe jeni përballur me probleme.

    Demi

    Në dashuri, nuk duhet të jeni shumë ngacmues. Mundohuni që të ruani qetësinë dhe të shmangni debatet. Hënën do ta keni kundër dhe kjo gjë mund t’ju shkaktojë probleme në punë.

    Binjakët

    Bëjini gjërat qetësisht gjatë kësaj dite. Bëni mirë që të mos përfshiheni në polemika dhe debate. Në punë, duhet të përqendroheni në projektet të cilat duhet t’i çoni përpara.

    Gaforrja

    Saturnin nuk do ta keni më kundër në dashuri, duke stimuluar emocionet pozitive. Hëna në shenjën tuaj do të favorizojë emocionet. Në punë, duhet të mendoni lidhur me projektet, por bëni kujdes me debatet dhe jini të matur me shpenzimet.

    Luani

    Për të zgjidhur problemet e zemrës të lindura kohët e fundit, duhet të duroni edhe pak. Do të keni idetë e duhura në punë dhe ka ardhur momenti që të mos qëndroni pa vepruar.

    Virgjëresha

    Duhet të ecni ngadalë gjatë kësaj dite, pasi mund të hasni në pengesa. Jeni shumë të lodhur, ndaj duhet të rrini larg problemeve. Gjatë kësaj periudhe jeni shumë të zënë me punë.

    Peshorja

    Raportet e lindura prej pak kohësh do të ecin mirë. Çiftet që kanë kohë bashkë do të kenë mundësi që të zgjidhin një problem. Në punë do të keni pasiguri dhe do të demoralizoheni.

    Akrepi

    Hëna do të ketë ndikim të favorshëm në sferën sentimentale. Çiftet mund të përjetojnë emocione të bukura. Në punë ka shumë persona interesantë që ju rrethojnë, ju mbetet veçse të zgjidhni të duhurin.

    Shigjetari

    Kjo e enjte do të jetë mjaft e qetë sa i takon dashurisë. Do të keni ide të mira për ta bërë ditën sa më interesante. Në punë dhe në sferën sentimentale ka gjëra që do t’ju krijojnë probleme

    Bricjapi

    Në dashuri mundohuni që të mos përfshiheni në debate, pasi gjërat do të përmirësohen brenda pak kohësh. Nëse ka diçka që ju shqetëson, mundohuni që të mos rëndoheni. Propozimet e reja duhen vlerësuar me kujdes, duke reflektuar para marrjes së një vendimi.

    Ujori

    Mundohuni që të mos nxirrni probleme nga e kaluara. Gjatë pjesës së dytë të ditës do të jeni të karikuar me energji. Në punë duhet të tregoni kujdes.

    Peshqit

    Kjo ditë është ideale për t’u përballur me probleme sentimentale. Përballuni dhe flisni me personin me të cilin keni të bëni. Do të ndjeni sikur po e çoni kohën dëm. Në punë duhet të veproni ngadalë, pasi do t’ju duhet të bëni disa zgjedhje.

  • Berisha para protestuesve: Sot Rama shënoi ‘vetëvrasjen’ e tij politike

    Berisha para protestuesve: Sot Rama shënoi ‘vetëvrasjen’ e tij politike

    Kreu i demokratëve, Sali Berisha tha sot se kryeministri Edi Rama shënoi ‘vetëvrasjen’ e tij politike.

    Berisha theksoi se Rama nuk mbrojti Ballukun, por veten e tij, raporton A2cnn.

    “Mirënjohje të pakufishme ndaj jush burra e gra guximtarë që keni lënë çdo gjë për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një ditë të zezë të historisë sonë. Keni ardhur në mbrojtje të kushtetutës dinjitetit njerëzor dhe interesave të çdo shqiptari nga një organizatë kriminale e cila përdor pushtetin e grabitur për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e veta. Sot Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike dhe firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë nga pushteti i krimit. Sot ai nuk votoi për ballukun po për veten e tij por për të mbrojtur vjedhjet e tij. Nuk ka pasur njeri me standarde më të ulëta njerëzore se ky njeri. Por është puna juaj që sot ai të dalë para shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar ën historinë kombëtare, në Evropë. Nuk ka sot një qeveritar në Evropë që të bëjë ligje dhe të votojë për mbrojtjen e ligjeve të tij siç bëri Edi Rama”, tha ai.