ATV

Blog

  • Izraeli sulmon Bejrutin dhe Libanin jugor

    Izraeli sulmon Bejrutin dhe Libanin jugor

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se kanë filluar një “valë të gjerë sulmesh” kundër infrastrukturës që i përket grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani në Libanin jugor.

    Ajo thotë se sulmet po kryhen “paralelisht” me sulmet në Bejrut, kryeqytetin e Libanit.

    Deklarata vjen pasi IDF lëshoi ​​një paralajmërim për banorët në Bejrut, konkretisht ata në lagjen Bachura, që të evakuohen menjëherë, ka raportuar BBC.

  • MPJD konfirmon se qindra kosovarë ndodhen ende në Lindjen e Mesme

    MPJD konfirmon se qindra kosovarë ndodhen ende në Lindjen e Mesme

    Një numër i “konsiderueshëm” shtetasve të Kosovë janë kthyer në vendlindje nga Lindja e Mesme, por qindra të tjerë vazhdojnë të mbeten në rajonin e përfshirë nga luftimet e ditëve të fundit mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, tha për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

    Ministria, në një përgjigje të enjten, megjithatë nuk tregoi numrin e saktë e kosovarëve të kthyer nga rajoni.

    Ajo tha se institucionet e Kosovës janë duke u marrë me kërkesat për kthim në bashkërendim me autoritetet e vendeve përkatëse dhe me partnerët ndërkombëtarë.

    Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i nisën bombardimet kundër Iranit më 28 shkurt, duke sulmuar caqet e ushtrisë dhe të regjimit klerik.

    Pas bombardimeve të mëdha fillestare, që vranë edhe liderin suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit dhe disa vendeve në Lindjen e Mesme që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Bahrejnin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Katarin dhe Arabinë Saudite.

    Luftimet nuk janë ndalur prej atëherë dhe Ministria kosovare theksoi se në vendet e Gjirit gjenden rreth një mijë qytetarë të Kosovës, duke përfshirë rezidentë dhe vizitorë të përkohshëm .

    “Sipas informacioneve më të fundit të pranuara nga misionet tona diplomatike, aktualisht vlerësohet se rreth 600 shtetas të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në këto zona”, thuhet në përgjigje.

    Ajo tha se procesi i evakuimit të shtetasve nga Izraeli pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji.

    Sipas ministrisë, Ambasada e Kosovës në Riad është duke punuar që të mundësojë kalimin e qytetarëve nga Katari, Kuvajti, Bahreini dhe Iraku në Arabinë Saudite, duke lehtësuar procesin e pajisjes me viza saudite.

    “Kjo bëhet me qëllim që qytetarët të mund të shfrytëzojnë fluturimet komerciale drejt Kosovës nga aeroportet në Jeddah, Dammam dhe Riad. Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Katar ka mbuluar transportin rrugor të qytetarëve nga Katari dhe Iraku, në mënyrë që ata të vazhdojnë më tej udhëtimin drejt Kosovës. Në Emiratet e Bashkuara Arabe ndërkohë kanë rifilluar fluturimet komerciale, dhe ambasada jonë atje është duke asistuar qytetarët për të organizuar kthimin e tyre drejt Kosovës”, shtoi ajo.

    Ndërkohë, të enjten, Ambasada e Kosovës në Zagreb njoftoi se në Prishtinë nga Riadi kanë arritur edhe disa shtetas të Bosnje e Hercegovinës, por nuk ka bërë të ditur numrin e tyre.

    Sipas njoftimit, kërkesa ka ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës.

    Përmes Aeroportit të Prishtinë janë kthyer edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut.

    Shërbimi i Maqedonisë së Veriut i Radios Evropa e Lirë raportoi se një grup prej 153 pasagjerësh është evakuuar të mërkurën, derisa autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar edhe kthime të tjera.

    Ministri i Jashtëm, Timcho Mucunski informoi të hënën se është duke u zhvilluar një proces i koordinuar i evakuimit të qytetarëve maqedonas nga disa vende në Lindjen e Mesme, i cili pritet të finalizohet deri në fund të kësaj jave.

    Në mesin e pasagjerëve që janë evakuar që nga 8 marsi, sipas raportimit, janë edhe 13 shtetas nga Kosova./Radio Evropa e Lirë

  • Samet Akaydin:Nuk kemi frikë nga një përballje me Kosovën

    Samet Akaydin:Nuk kemi frikë nga një përballje me Kosovën

    Mbrojtësi turk Samet Akaydin ka folur për gjasat që Kombëtarja e Turqisë të lualifikohet në botërorin e vitit 2026.

    Akaydin beson se Turqia mund t’i kalojë rivalët e play-off-it,dhe duke folur për ndeshjen e mundshme finale kundër Kosovës thotë se nuk ka frikë nga një përballje e tillë.

    Përndryshe Akaydin beson se ekipi i tij do ta mposhtë Rumaninë në gjysmëfinale,dhe se cila do ekipi që ndeshet me Turqinë sipas tij kombëtarja turke do ta mposhtë.

    Kujtojmë që Turqia e zhvillon ndeshjen e fazës së play-off-it kundër Rumanisë më 26 mars,teksa në rast kalimi tutje do të takohet me Kosovën apo Sllovakinë.

  • Miftaraj: VV-ja “luftë frontale” ndaj Gjykatës Kushtetuese

    Miftaraj: VV-ja “luftë frontale” ndaj Gjykatës Kushtetuese

    Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit është tema kryesore e ditëve të fundit në skenen politike.

    Dërgimi i saj nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese, u analizua në emisionin DPT te Fidani me Drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehad Miftaraj.

    Miftaraj deklaroi në Klan Kosova se Lëvizja Vetëvendosje po bën siç tha ai ‘luftë frontale’ ndaj Gjykatës Kushtetuese.

    “Ka filluar në vitin 2024-2025, që dy vitet e fundit është diçka që Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur strategji për ta delegjitimuar punën e Gjykatës Kushtetuese në publik”, theksoi ai në Klan Kosova.

    Ai dha edhe arsyet se pse po ndodh kjo.

    Gjykata Kushtetuese, më 9 mars ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të shefes së Shtetit për shpërndarjen e Kuvendit.

    Kjo masë vlen deri më 31 mars, ku stopohet procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri deri në vendimin e Kushtetueses.

  • Detaje nga paraburgimi në New York – Maduro mbahet në një qeli prej 6 metrash katrorë

    Detaje nga paraburgimi në New York – Maduro mbahet në një qeli prej 6 metrash katrorë

    Paraburgimit në Brooklyn të New Yorkut, një nga objektet federale të paraburgimit në Shtetet e Bashkuara.

    Sipas raportimeve, ai ndodhet në një qeli shumë të vogël, me përmasa rreth 3 metra me 2 metra, e pajisur vetëm me gjërat bazë: një shtrat metalik të thjeshtë, një tualet dhe një dritare të vogël që lejon shumë pak dritë natyrale.

    Burimet thonë se Maduro kalon pjesën më të madhe të kohës i vetëm brenda kësaj qelie, pa kontakt të drejtpërdrejtë me të burgosur të tjerë.

    Rregullat e sigurisë parashikojnë që ai të lejohet të dalë nga qelia vetëm tre herë në javë, dhe atëherë vetëm për një orë, gjithmonë nën mbikëqyrjen e rojeve të sigurisë.

    Sipas disa raportimeve jozyrtare nga brenda institucionit, gjatë natës ai shpesh bërtet dhe reagon me nervozizëm, duke pretenduar se është rrëmbyer dhe se po mbahet padrejtësisht.

    Disa herë ai është dëgjuar duke bërtitur me zë të lartë “Unë jam presidenti i Venezuelës!”, duke këmbëngulur se ende e konsideron veten udhëheqësin legjitim të vendit të tij.

    Këto raportime kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe kanë ngritur shumë pikëpyetje rreth gjendjes së tij aktuale dhe rrethanave në të cilat po mbahet në paraburgim. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur një deklaratë të detajuar zyrtare që të konfirmojë plotësisht këto detaje nga autoritetet amerikane.

  • Çfarë dihet deri më tani për udhëheqësin e ri suprem të Iranit?

    Çfarë dihet deri më tani për udhëheqësin e ri suprem të Iranit?

    Fakti që Mojtaba Khamenei nuk është parë ende në mediat shtetërore ka çuar në spekulime të përhapura në mediat sociale, nëse udhëheqësi i ri suprem i Iranit është plagosur, apo edhe nëse është ende gjallë.

    Ajo që dihet deri më tani tani është e kufizuar, mirëpo Reuters ka raportuar se ai është plagosur lehtë, duke cituar një zyrtar iranian të paidentifikuar.

    Përveç babait të tij, udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, nëna dhe gruaja e Mojtaba Khameneit u vranë gjithashtu gjatë sulmeve.

    Ende nuk e kemi parë në publik, ose në video apo fotografi në mediat shtetërore, edhe pse kanë kaluar katër ditë që kur ai u bë udhëheqësi i tretë suprem i Iranit më 8 mars, raporton BBC.

    Një gjë që më tërhoqi vëmendjen në mesazhin e parë të Mojtaba Khameneit ishte pretendimi i tij se kishte mësuar se ishte bërë udhëheqësi suprem i Iranit nëpërmjet kanalit televiziv shtetëror të vendit.

    “Mësova për rezultatin e votimit në të njëjtën kohë me ju dhe nëpërmjet televizionit”, tha Khamenei në mesazhin e tij, i cili u lexua me zë të lartë nga një prezantues.

  • MPB mban tryezë informuese në Mitrovicën e Veriut për Ligjin për Automjete dhe Ligjin për të Huaj

    MPB mban tryezë informuese në Mitrovicën e Veriut për Ligjin për Automjete dhe Ligjin për të Huaj

    Në kuadër të fushatës vetëdijësuese për zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshm, sot kanë mbajtur një tryezë informuese me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut.

    Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencia e Regjistrimit Civil, Jetmir Haziri, si dhe zyrtarë të lartë të Policia e Kosovës, përfaqësues të MPB-së dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

    Gjatë tryezës, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, theksoi se qëllimi i këtij takimi është informimi i drejtpërdrejtë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, lidhur me fushatën informuese që po zhvillon MPB-ja për këto dy ligje.

    Ajo bëri të ditur se ligjet në fjalë nuk janë të reja. Sipas saj, Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete nga viti 2017. Megjithatë, institucionet po zhvillojnë këtë fushatë për të siguruar që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informacion të saktë për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore.

    Sipas Telës, në kuadër të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, MPB-ja ka ndërmarrë edhe hapa për decentralizimin e tyre. Përveç në Prishtina, aplikimi për leje qëndrimi do të mundësohet edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilani dhe Prizreni. Sipas saj, kjo do të mundësojë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbime për të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe banorët e komunave të pjesës veriore të vendit.

    “Ndërkohë, MPB-ja shprehu zhgënjimin e saj pasi disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë zgjedhur të bojkotojnë këtë takim informues, duke mos shfrytëzuar mundësinë për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë dhe për të marrë pjesë në diskutime rreth këtyre ligjeve. Megjithatë, MPB-ja bëri të ditur se do të vazhdojë të organizojë takime të tilla informuese me qëllim të komunikimit të hapur me qytetarët dhe organizatat. Po ashtu, qytetarët u ftuan që të mos bien pre e dezinformatave dhe për informacione të sakta të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për mediat të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    “Pas takimit, zyrtarët e MPB-së vizituan edhe zyrtarët përgjegjës për pranimin e aplikimeve për Ligjin për të Huaj në Komunën e Mitrovicës së Veriut, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e pranimit të aplikimeve pas datës 15 mars 2026”.

  • Në QKUK konfirmohet shtatzëni pas procedurës IVF

    Në QKUK konfirmohet shtatzëni pas procedurës IVF

    Në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF), ka shkruar në FB ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Tutje, ai thotë se ky është “një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK, ku dy procedurat e para ofrohen pa pagesë”.

    “Falënderojmë ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm, ka shkruar ai në fund të postimit.

    Ky është rasti i parë i ndodhur në QKUK.

  • Shokuese: 150 mijë kërkime në një ditë se si të vriten gratë pa lënë gjurmë

    Shokuese: 150 mijë kërkime në një ditë se si të vriten gratë pa lënë gjurmë

    Një raport shqetësues është publikuar lidhur me fenomenin e femicidit nëpër botë.

    Sipas të dhënave, raportohet se çdo ditë bëhen rreth 150 mijë kërkime në “Google” nga burra që kërkojnë mënyra se si të vrasin gratë pa lënë gjurmë.

    Sipas Besa Mahmutit, femicidi nuk është problem kultural, por problem global.

    “Është bërë një hulumtim që tregon se në çdo 10 minuta në botë, vritet nga një grua. Nëse ndalim dhe mendojmë, kjo është me të vërtetë frikësuese”, u shpreh Mahmuti.

  • 12 kongresistë “të shqetësuar thellë” i shkruajnë Rubios kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

    12 kongresistë “të shqetësuar thellë” i shkruajnë Rubios kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

    Një grup prej dymbëdhjetë ligjvënësish amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për raportimet mbi një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë.

    Letra, e datës 11 mars, paralajmëron se një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane në KFOR mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Ligjvënësit i kërkojnë Departamentit të Shtetit të ruajë nivelin aktual të forcave amerikane në këtë mision paqeruajtës./nacionale/

    “Ne ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me raportimet se administrata Trump mund të reduktojë forcat amerikane nga misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë”, thuhet në letër.

    Sipas tyre, situata politike në rajon mbetet e brishtë dhe ndikimi i aktorëve të jashtëm po rritet.

    “ Në një kohë të brishtësisë politike dhe rritjes së ndikimit malinj në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë”, shkruajnë ata.

    Ligjvënësit theksojnë se kontributi amerikan është thelbësor për efektin parandalues të këtij misioni.

    Aktualisht, SHBA kontribuon me rreth 500 trupa në një KFOR totale prej rreth 5,000 ushtarësh.

    “Një prani e vogël me një ndikim të jashtëzakonshëm”, thekson letra.

    Sipas kongresmenëve, kontributi amerikan konsiderohet “shtylla kurrizore e efektit parandalues të KFOR-it”.

    Ata argumentojnë se sinjali strategjik i SHBA-së ndaj aleatëve dhe aktorëve rajonalë është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

    Letra vë në dukje se tensionet mes komuniteteve serbe në veri të Kosovës dhe institucioneve qendrore vazhdojnë të jenë të larta.

    “Në mungesë të përparimit domethënës në dialogun Beograd–Prishtinë, një reduktim i trupave heq një levë të rëndësishme për të nxitur rikthimin në negociata”, shkruajnë ligjvënësit.

    Ata paralajmërojnë gjithashtu se një reduktim i pranisë amerikane mund të inkurajojë aktorë që e shohin një tërheqje perëndimore si mundësi për të nxitur destabilizim.

    Ligjvënësit paralajmërojnë se çdo dobësim i KFOR-it mund të ketë pasoja për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

    KFOR shërben si forcë rezervë për misionin e Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR Althea.

    Në letër përmendet edhe lideri i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

    Ligjvënësit theksojnë se Dodik ka vazhduar retorikën separatiste dhe bllokimin institucional.

    Ata vënë në dukje se kjo retorikë është intensifikuar edhe pas vendimit të administratës Trump për të hequr sanksionet ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve.

    “Edhe perceptimi i një tërheqjeje amerikane nga KFOR mund të inkurajojë agjenda nacionaliste në Kosovë dhe Serbi, si dhe ambiciet separatiste në Republika Srpska”, thuhet në letër.

    Ligjvënësit paralajmërojnë gjithashtu për ndikimin e Rusisë në rajon.

    Sipas tyre, Moska ka kërkuar vazhdimisht të shfrytëzojë ndarjet në Ballkan për të dobësuar mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    Në këtë kontekst, ata citojnë edhe dëshminë e komandantit suprem të NATO-s për Evropën, Christopher Cavoli, i cili në vitin 2024 paralajmëroi se Rusia po nxit tensione ndëretnike në Bosnje.

    Ligjvënësit kërkojnë sqarime nga Departamenti i Shtetit për implikimet e mundshme të një reduktimi të trupave.

    Ata duan të dinë nëse kjo është pjesë e një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane.

    “Ne kërkojmë sqarime mbi vlerësimin e Departamentit për implikimet e sigurisë rajonale të këtij reduktimi”, thuhet në letër.

    Në përfundim, ata i bëjnë thirrje Departamentit të Shtetit të koordinohet ngushtë me Kongresin përpara çdo vendimi.

    “Ju kërkojmë të siguroheni që çdo ndryshim në praninë ushtarake amerikane në Kosovë të shqyrtohet përmes një procesi ndërinstitucional”, përfundon letra.