ATV

Blog

  • Spahiu: Kurti u tregua koprrac, duhej t’ia ofronte postin e presidentit PDK-së ose LDK-së

    Spahiu: Kurti u tregua koprrac, duhej t’ia ofronte postin e presidentit PDK-së ose LDK-së

    Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka thënë se kryeministri Albin Kurti u tregua ‘koprrac’ gjatë bisedimeve me PDK-në e LDK-në për çështjen e presidentit.

    Ai ka thënë se Kurti do të duhej t’i ofronte njërit nga liderët e këtyre partive postin e presidentit.

    Spahiu ka vlerësuar se në këtë rast më i përshtatshmi për Kurtin do të ishte Lumir Abdixhiku president.

    “Kurti u tregua shumë koprrac në bisedime me partneret, duke mos lëshuar pe. Ka pasur mundësinë që t’u thotë dy liderëve të partive opozitare dhe të zgjedh njërin prej tyre, tu thotë bjermi nënshkrimet dhe ti je president dhe me zgjedh cili i konvenon më shumë. Mendoj se Lumiri i kish leverdisë më shumë për shkak të fuqisë politike më të vogël”, ka thënë Spahiu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

    Ai ka vlerësuar se Abdixhiku do ta pranonte këtë ofertë dhe do të ishte i pranueshëm për amerikanët.

    Sipas, Spahiut, Kurti ka rrezikuar që të humbë mbështetjen nëse shkohet në zgjedhje dhe sipas tij, edhe nëse del partia e parë, do të duhej të bëjë marrëveshje që veç presidentit të ndajë edhe postet në qeveri.

    “Tash mundet edhe mos me i fitua zgjedhjet apo me dal partia e parë, por me rezultate më të dobëta dhe tash nëse nuk ka dashur me dhënë presidentin edhe gjysmën e Qeverisë. Ishte në pozitë që ta jepte vetëm presidentin”, ka thënë Spahiu.

  • Parashikimi i motit për të premten

    Parashikimi i motit për të premten

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe gjatë ditës me vranësira të pakta, kryesisht rreth viseve malore.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 5-23 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 0 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 19°C. /MeteoKosova

  • Kryediplomati shqiptar: Shqipëria e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë

    Kryediplomati shqiptar: Shqipëria e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim këtë të enjte, me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën ka diskutuar për situatën dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës.

    Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha theksoi se gjatë takimit u zhvillua një bisedë e hapur mbi problematikat dhe çështjet që prekin shqiptarët në këtë rajon.

    “Pata kënaqësinë të pres sot në takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Biseduam hapur për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Shqipëria mbetet tërësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Institucionet shqiptare do të vijojnë të ndjekin me vëmendje situatën e shqiptarëve atje dhe mbeten të angazhuara në mënyrë të vazhdueshme, si në dialogun dypalësh ashtu edhe në forumet ndërkombëtare, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, për të adresuar çështjet që i shqetësojnë dhe për të nxitur politika që garantojnë barazi, respekt dhe mundësi të drejta, si dhe që zëri i tyre të dëgjohet kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve. Respektimi i të drejtave të njeriut, i identitetit kombëtar, i gjuhës dhe i përfaqësimit të drejtë institucional është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.“, shkruan ministri Hoxha.

    Ai shtoi se mbështetja për zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet një prioritet i rëndësishëm.

    “Shqipëria do të vazhdojë të punojë ngushtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë dhe me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar barazi, dinjitet dhe perspektivë për të ardhmen e tyre.“, vazhdoi më tej ministri.

  • Sejdiu: Mohimi i Murat Jasharit për kandidaturën shembi “kullën prej letre” të Kurtit

    Sejdiu: Mohimi i Murat Jasharit për kandidaturën shembi “kullën prej letre” të Kurtit

    Emri i Murat Jashari ishte përfolur së fundmi në opinion si një nga kandidatët e mundshëm për postin e presidentit të Kosovës. Megjithatë, ai e ka mohuar publikisht se ka ambicie për të marrë pozitën e kreut të shtetit.

    Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar analisti politik Dardan Sejdiu, i cili tha se deklarimi i Jasharit ka rrëzuar një narrativë që, sipas tij, po ndërtohej nga kryeministri Albin Kurti.

    Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Sejdiu vlerësoi se familja Jashari tradicionalisht ka treguar maturi duke mos u përfshirë në diskutime politike, por këtë herë reagimi i Murat Jasharit erdhi për shkak të intensitetit të debatit publik.

    “ Familja Jashari e ka bërë këtë punë jashtëzakonisht mirë, me një maturi të madhe që asnjëherë nuk është hyrë në këto diskutime. Por kësaj radhe intensiteti i diskutimit ishte aq i madh, kriza që vinte aq e madhe dhe presioni publik aq i madh, sa që z. Jashari, në ambientet e Universiteti i Prishtinës, i pyetur nga një gazetar që insistoi për përgjigje, dha një deklarim që në një formë ose tjetër e shemb një ‘kullë prej letre’ që mundohet ta ndërtojë z. Kurti”, u shpreh Sejdiu.

    Së fundmi, në skenën politike në Kosovë janë përmendur disa emra si kandidatë të mundshëm për president, ndërsa diskutimet janë intensifikuar për shkak të zhvillimeve politike dhe debatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

  • Edon Zhegrova bëhet baba për herë të parë, mirëpret në jetë djalin e quajtur Mars

    Edon Zhegrova bëhet baba për herë të parë, mirëpret në jetë djalin e quajtur Mars

    Futbollisti i njohur shqiptar, Edon Zhegrova, i cili aktualisht luan për gjigantin italian Juventus, është bërë baba për herë të parë.

    Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes një publikimi në rrjetin social Twitter, ku kanë uruar futbollistin për ardhjen në jetë të fëmijës së tij të parë.

    “Urime Edon Zhegrovës për lindjen e fëmijës së tij të parë, Mars!”, thuhej në mesazhin e klubit.

    Sipas gjithçkaje që është bërë e ditur deri më tani, djali i porsalindur është pagëzuar me emrin Mars. Emri duket se lidhet simbolikisht me muajin mars, periudhë në të cilën ka ardhur në jetë, çka duket se ka frymëzuar futbollistin dhe partneren e tij për zgjedhjen e këtij emri.

    Ndërkohë, për partneren e futbollistit nuk janë bërë publike shumë detaje, pasi ajo vazhdon të mbetet larg vëmendjes së mediave dhe jetën e saj private e mban mjaft diskrete.

    Ky moment i rëndësishëm shënon një kapitull të ri në jetën personale të Edon Zhegrovës, i cili përveç suksesit në fushën e futbollit, tashmë po përjeton edhe gëzimin e të qenit prind për herë të parë.

  • Edhe 109 shtetas të Maqedonisë u evakuuan nga Lindja e Mesme

    Edhe 109 shtetas të Maqedonisë u evakuuan nga Lindja e Mesme

    Edhe 100 qytetarë të tjerë të vendit pritet të evakuohen së shpejti nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se interesi fillestar për evakuim ishte më i lartë por më pas vijuan refuzimet, prandaj u mbetet autoriteteve të bëjnë vlerësimet finale për organizimin e fluturimit të radhës. Mbrëmë, në Aeroportin e Prishtinës 151 pasagjerë arritën të sigurt.

    Mes tyre, 109 shtetas ishin të Maqedonisë së Veriut dhe 42 të shteteve tjera, siShqipëria, Kosova, Bosnja, Greqia dhe vende të tjera.

    “Do të shohim sa është interesimi ose nëse ekziston interes për t’u kthyer dhe në bazë të saj do të bëjmë organizimin e këtij fluturimi. Sigurisht që do të ketë nevojë të realizohet por vazhdojmë të jemi në kontakt me qytetarët tanë atje. Potencialisht ka një listë me 300 persona që janë lajmëruar për evakuim por shumë prej tyre kanë refuzuar evakuimin. Vlerësimi im është se në rast se do të organizohet edhe një fluturim do të jenë diku100 persona që do të evakuohen,” deklaroi Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme.

    Për të evakuuarit, ndjenja e pasigurisë ishte arsyeja kryesore për t’u larguar pavarësisht që gjatë ditës gjithçka dukej normale.

    “Ishim dëshmitar të shpërthimeve. Fatmirsisht në afërsinë tonë nuk kishte por dëgjoheshin,” tha Dragan Tomevski, i evakuar.

    “Bashëshorti banonte atje ndërsa unë isha për vizitë. Ndodhi çfarë ndodhi dhe nuk arritëm të kthehemi. Tashmë jemi të lumtur që u kthyem në shtëpi,” u shpreh Sllavica Tomevska, e evakuar.

    “Nuk kemi parë asgjë por mjafton ndjenja kur dëgjon zërin e sirenave dhe raketave, nuk është e këndshme. Gjatë ditës gjithçka ishte normale mirëpo ne nuk ishim të sigurt se si do të zhvillohen ngjarjet prandaj edhe vendosëm të kthehemi,” tha Lidija Knjazeva, e evakuar.

    Qytetarët që ateruan në Aeroportin e Prishtinës shin pjesë e grupit të tretë të të evakuarve nga zonat e krizës në Lindjen e Mesme. Pjesa më e madhe e pasagjerëve ishin nga Katari, Kuvajtit, Bahrejn si dhe Mbretëria e Arabisë Saudite./Alsat/

  • Basha: Kurti i ofroi Osmanit postin e zëvendëskryeministres dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme

    Basha: Kurti i ofroi Osmanit postin e zëvendëskryeministres dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme

    Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti i kishte ofruar presidentes Vjosa Osmani një rol në qeveri.

    Në Debat Plus në TV Dukagjini, Basha tha se Kurti kishte propozuar që Osmani të bëhej zëvendëskryeministre e parë e Kosovës dhe njëkohësisht të merrte drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    “Për shkak të bashkëpunim që e kemi pas me krejt ato mosmarrëveshjet e vogla. Kryeministri i ka thënë presidentes, e gjejmë një figurë konsensuale për ta tejkaluar krizën. Edhe hajde bëhu zëvendëskryeministrja e parë e Kosovës dhe ia ka ofruar ministrinë e Punëve të Jashtme. Presidentja është marrë me politikën e jashtme. Dhe në politikën e jashtme, që është një prej vërejtjeve që i ka pas.

    Por kryeministri e dëshmon të kundërtën, kur i thotë a ka mundësi hajde me mua njeriu i dytë. Dmth është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, ka thënë Basha.

  • Parlamenti Evropian i kërkon Serbisë ndjekje penale të Milan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

    Parlamenti Evropian i kërkon Serbisë ndjekje penale të Milan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

    Progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka ngecur vitet e fundit, duke shqetësuar Parlamentin Evropian mbi gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe respektimin e lirive themelore në vend.

    Draft-raporti i nënshkruar nga raportuesi i Parlamentit për Serbinë, Tonino Picula, vë në dukje mungesën e përparimit në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e medias dhe reformën e administratës publike.

    Raporti evidenton gjithashtu shqetësime për situatën politike, duke përmendur protestat masive që nisën në nëntor 2024 dhe përdorimin e tepërt të forcës nga autoritetet, arrestimet arbitrare dhe forma të tjera të frikësimit ndaj qytetarëve, aktivistëve dhe gazetarëve.

    Parlamenti Evropian kërkon hetime të paanshme dhe transparente për çdo përdorim të panevojshëm të forcës, si dhe rishikim të ndryshimeve të fundit në ligjet e gjyqësorit që dobësojnë pavarësinë e tij.

    Një fokus i veçantë i draft-raportit ka të bëjë me sigurinë në veri të Kosovës dhe incidentin terrorist në Banjska më 2023.

    Dokumenti thekson se Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë plotësisht për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij sulmi, duke përfshirë veçanërisht Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili sipas raportit ende nuk është ndjekur penalisht nga autoritetet serbe, raporton N1.

    Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për këtë mangësi dhe e paraqet si një pengesë serioze në përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    Raporti gjithashtu thekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si element kyç për perspektivën evropiane të Beogradit.

  • Haxhi Avdyli i ‘mbyll derën’ LDK-së: Jam pjesë e grupit parlamentar të LVV

    Haxhi Avdyli i ‘mbyll derën’ LDK-së: Jam pjesë e grupit parlamentar të LVV

    Deputeti nga radhët e Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, që u reshtua në krah me presidenten Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e rikthimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Në një deklaratë për Kanal 10, Avdyli tha se nuk ka asnjë plan për t’u rikthyer në LDK dhe se do të vazhdojë të mbetet pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht dorëheqjes nga të gjitha pozitat në partinë Guxo.

    Deklarata e tij vjen vetëm pak orë pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri thirrje për bashkim brenda spektrit politik, një thirrje që u interpretua si ftesë për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani dhe ish-anëtarëve të tjerë që u larguan nga LDK-ja.

    Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku bëri thirrje për bashkimin e asaj që ai e quajti “kampi institucionalist”, duke theksuar se mbështetësit e Republikës dhe të rrugës euroatlantike kanë një shtëpi të përbashkët politike.

    Sipas tij, koha kërkon një projekt të përbashkët që tejkalon ndarjet dhe mosmarrëveshjet e së kaluarës.

    “Koha kërkon bashkim, të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.

    Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës, prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët, një projekti që tejkalon secilin prej nesh, që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës.’’

    Thirrja për bashkim vjen në një periudhë kur skena politike është përfshirë nga diskutime për ripozicionime të mundshme mes figurave që dikur kanë qenë pjesë e LDK-së.

  • Gjermania përdor rezervat kombëtare të naftës

    Gjermania përdor rezervat kombëtare të naftës

    Gjermania po përdor një pjesë të rezervave kombëtare të naftës. Arsyeja është rritja e ndjeshme e çmimeve të naftës dhe karburantit në mbarë botën për shkak të luftës me Iranin. Lirimi i rezervave synon të frenojë rritjen e çmimeve: “Nëse shqetësimet e tregut për mungesat zhduken, çmimet do të ulen dhe sigurisht që presim një efekt zbutës”, deklaroi Ministrja gjermane e Ekonomisë Katherina Reiche në një konferencë shtypi në mesditë në lidhje me lirimin.

    “Situata është e tensionuar në fushën e furnizimit me naftë, pasi Ngushtica e Hormuzit është aktualisht e pakalueshme”, shpjegoi ministrja gjermane. Çmimi global i naftës është rritur me 30%. Sipas Reiche-s, çmimet e larta aktuale janë një pasqyrim i primeve të rrezikut dhe fitimeve spekulative.

    IEA u rekomandon anëtarëve të saj të lirojnë rezervat

    Prandaj, vendet e G7-ës diskutuan sot lirimin e rezervave. Kjo masë koordinohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), e cila mbajti një takim të jashtëzakonshëm dje. Reiche konfirmoi se IEA ka rekomanduar që shtetet anëtare të saj të lirojnë rezervat. Kjo arrin në një total prej 400 milionë fuçi naftë bruto, lirimi më i madh në historinë e IEA-s. Sipas Ministres së Çështjeve Ekonomike, Gjermania do të lirojë 2.64 milionë tonë, të barabarta me 19.51 milionë fuçi.

    Gjermania importon vetëm sasi të vogla nafte nga Lindja e Mesme. Megjithatë, sipas Reiche-s, ajo do të përmbushë kërkesën e IEA-s: “Sepse Gjermania mbështet parimin themelor të IEA-s: solidaritetin e ndërsjellë.”

    Vendet aziatike janë importuesit kryesorë të naftës nga rajoni i Gjirit

    Reiche theksoi solidaritetin brenda IEA-s, sepse sasi të mëdha nafte nga rajoni i Gjirit janë të destinuara për vendet aziatike, dhe transporti detar praktikisht është ndalur për shkak të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani. Sipas Reiche-s, vendet anëtare të IEA-s, si Japonia dhe Koreja e Jugut, janë veçanërisht të prekura nga rritja e çmimeve.

    Reiche theksoi se nuk ka mungesë furnizimi. Japonia gjithashtu ka rezerva të mëdha. Ajo ka njoftuar tashmë se do të ndjekë rekomandimin e IEA-s, ashtu si edhe Austria.

    Autorizimi i fundit pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës

    32 vendet anëtare të IEA-s duhet ende të pranojnë rekomandimin e IEA-s, por Reiche supozon se do ta bëjnë. Shtetet anëtare kanë gjithsej 1.2 miliardë fuçi naftë në rezerva emergjente. Përveç kësaj, sipas organizatës me seli në Paris, ka 600 milionë fuçi rezerva industriale. IEA kërkon që anëtarët e saj të mbajnë rezerva nafte ekuivalente me të paktën 90 ditë të importeve të tyre neto.

    Arsyet për lirimin e rezervave emergjente më parë përfshinin Luftën e Gjirit të viteve 1990/91, dëmet e shkaktuara nga uraganet Katrina dhe Rita në vitin 2005 në Shtetet e Bashkuara dhe ndërprerjen e eksporteve të naftës libiane në vitin 2011. Përdorimi më i fundit i rezervave kombëtare të naftës ndodhi në vitin 2022 për shkak të luftës kundër Ukrainës.

    Reiche theksoi në deklaratë se furnizimi me gaz i Gjermanisë mbetet i sigurt. Objektet e magazinimit të gazit janë në 21% të kapacitetit dhe varësia nga gazi nga rajoni i Gjirit është shumë e ulët, më pak se 4%./DW