ATV

Blog

  • KPK-ja kërkon rritje të buxhetit, po përballet me vështirësi financiare

    KPK-ja kërkon rritje të buxhetit, po përballet me vështirësi financiare

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) po përballet me vështirësi financiare për shkak të mungesës së buxhetit.

    Kjo u bë e ditur sot në mbledhjen e Këshillit, derisa drejtuesit e këtij institucioni thanë se është e nevojshme rritja e tij.

    Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka deklaruar se tash e sa kohë po përballen me këto vështirësi duke kërkuar që kjo çështje të përfshihet në rregullore.

    “Ndaj, në këtë pjesë kur po flasim edhe sa i përket shtesave të kujdestarive për Prokuror të Shtetit, ne kemi mungesë të buxhetit, ashtu siç jeni të njoftuar pothuajse vazhdimisht ky këshilli edhe këshilli paraprak edhe ky tani. Përfshirja e komisioneve apo pagesat e komisioneve edhe unë e vlerësoj që duhet të paguhen, mirëpo hendikep mbetet çështja e buxhetit. Prandaj, në një situatë të tillë jemi duke u ballafaquar tash sa kohë me këtë vështirësi, në qoftë se ne na prek sa i përket pagesave për anëtarë të komisioneve apo sekretarë të komisioneve, atëherë është mirë të njoftoheni tani që mungesa buxhetore është shumë e theksuar, jo vetëm në këtë kategori, por edhe në kategori të tjera. Kështu që, kjo mund të përfshihet në rregullore, por sa do të mund të zbatohet është situatë që mund të diskutohet tutje në qoftë se kemi buxhet shtesë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Istrefi.

    Ndërsa, me katër vota për, asnjë kundër dhe një abstenim është miratuar Rregullorja për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK-së) dhe shtojca A me ndryshimet e propozuara në takimin e 290-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Kurse nuk është miratuar propozimi për pagesën prej 100 eurove ndaj sekretarëve të komisionit të përhershëm të këshillit për aktivitetet e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi prezantoi përmbajtjen e kësaj rregullore.

    “Fillimisht po referoj rregulloren për organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kjo rregullore ka kaluar të gjitha filtrat proceduralë; ajo është shqyrtuar nga Komisioni për Çështje Normative dhe pastaj ka kaluar edhe fazën e dëgjimit publik, ku të njëjtës i janë nënshtruar edhe komentet përkatëse dhe janë përcjellë natyrisht te Komisioni për Çështje Normative. Struktura dhe Përmbajtja: Kjo rregullore është e strukturuar në shtatë kapituj dhe përmban gjithsej 40 nene, në të cilat përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit, zëvendëskryesuesit, Komisionit të këshillit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit. Gjithashtu, përcaktohen çështjet që lidhen me mbajtjen e takimeve dhe aktiviteteve të Këshillit. E njëjta përfshin edhe një shtojcë, në të cilën përcaktohen detyrat e punës dhe kriteret për kabinetin e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, së bashku me një organogram. Rregullorja ka qenë e një natyre urgjente me qëllim të harmonizimit të drejtpërdrejtë me ligjin për plotësim-ndryshimin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Prandaj, edhe kjo rregullore (si të tri rregulloret e tjera) kanë qenë të natyrës urgjente në mënyrë që: Të fillojë puna e Këshillit Prokurorial dhe të funksionalizohen komisionet përkatëse (komisionet e përhershme)“, tha Vuniqi.

    Vuniqi gjithashtu propozoi që në kuadër të kësaj pike të shtohet pagesa prej 100 eurove për  sekretarët e komisionit të përhershëm.

    “Propozimi im i parë është që nenit 17 të kësaj rregulloreje t’i shtohen dy paragrafë, rrjedhimisht paragrafi 6 dhe 7 me tekstin si në vijim: Paragrafi 6 t’i shtohet: Anëtarët e komisionit të përhershëm do të kompensohen për punën e tyre në komision sipas rregullores përkatëse për kompenzim. Si dhe paragrafi 7: Sekretarët e komisioneve të përhershme të Këshillit të kompensohen me 100 euro në muaj për aktivitetin e tyre në komision. Si dhe te shtojca A, propozimi i radhës, lidhur me kabinetin e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, të plotësohet-ndryshohet pjesa e kritereve të kërkuara mbi bazën e dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë, rrjedhimisht nenit 9, ku sipas këtyre dispozitave, sa i përket kategorisë së zyrtarit publik, zyrtarit të kabinetit, ligji nuk parasheh kriteve të detyrueshme për përvojën dhe emërimin, por e citon që emërimi mund të bëhet drejtpërdrejt nga titullari i kabinetit në bazë të vlerësimit të tij, pa qenë e nevojshme plotësimi i kushteve të përputhshme dhe të përcaktuara për zyrtarët publikë”, tha ai.

  • Sekretari amerikan i Mbrojtjes: SHBA është sipas planit në luftën me Iranin, kur përfundon përcaktohet nga Trumpi

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes: SHBA është sipas planit në luftën me Iranin, kur përfundon përcaktohet nga Trumpi

    Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha gjatë një konference në Pentagon sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten “sipas planit” për objektivat e tyre në luftën me Iranin, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë se kur do të përfundojë kjo luftë.

    “Nuk do të donim të vendosnim një afat të prerë” për përfundimin e luftës, tha Hegseth.

    Fundi përfundimtar do të përcaktohet nga Presidenti Donald Trump, por, shtoi Hegseth, “siç kemi thënë, jemi sipas planit”.

    Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth aftësisë së vazhdueshme të Iranit për të goditur aleatët e SHBA-së me raketa, Hegseth pranoi se “ata hynë në këtë luftë me shumë armë”.

    “Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të jemi sa më agresivë dhe të vendosur kundër kapacitetit të tyre të raketave balistike,” tha sekretari i mbrojtjes. Ai shtoi megjithatë se Irani ende ruan “disa kapacitete”, tha ai ndër të tjera. /Reporteri.net/

     

  • Kosova e 91-ta në botë për siguri kibernetike, shumë prapa Shqipërisë

    Kosova e 91-ta në botë për siguri kibernetike, shumë prapa Shqipërisë

    Kosova është renditur në vendin e 91-të në botë për sigurinë kibernetike, me vetëm 40.00 pikë, sipas të dhënave të publikuara nga National Cyber Security Index (NCSI).

    Ndërkaq në këtë indeks, Shqipëria pozicionohet në vendin e 9-të globalisht me rreth 92.50 pikë, duke shënuar një diferencë të thellë prej mbi 50 pikësh ndaj Kosovës.

    Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka performancë dukshëm më të lartë në disa indikatorë strategjikë dhe preventivë, shkruan Telegrafi.

    Në fushën e politikave të sigurisë kibernetike, Kosova ka arritur vetëm 6 pikë nga 15 sa janë në total, ndërsa Shqipëria ka arritur rreth 12 pikë. Po ashtu, në kontributin global në sigurinë kibernetike, Kosova rezulton me 0 ndërsa Shqipëria ka maksimumin e pikëve 6.

    Diferenca vazhdon edhe në arsim dhe zhvillim profesional, ku Shqipëria arrin 10 pikë, ndërsa Kosova vetëm 2.

    Në kërkim dhe zhvillim (R&D), Shqipëria ka 2 nga 4 pikë, ndërsa Kosova nuk ka asnjë.

    Edhe në indikatorët preventivë, Shqipëria qëndron dukshëm më mirë sesa Kosova.

    Në sigurinë e infrastrukturës kritike, Kosova ka 6 pikë kurse Shqipëria ka 12 pikë, në sigurinë e shërbimeve digjitale Kosova 8 pikë, Shqipëria 12.

    Edhe në analizën e kërcënimeve dhe ngritjen e vetëdijes, Kosova është ranguar më keq së Shqipëria duke marrë vetëm 3 pikë, kurse Shqipëria 12.

    Në mbrojtjen e të dhënave personale, të dy vendet kanë pikë të plota 4 sosh, shkruan Telegrafi.

    Indeksi vlerëson përgatitjen e shteteve për të parandaluar dhe menaxhuar sulmet kibernetike, duke analizuar kapacitetet ligjore, institucionale, teknike dhe edukative.

    Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike

    Rezultatet tregojnë qartë se Shqipëria ka ndërtuar një sistem më të konsoliduar të sigurisë kibernetike dhe ka avancuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa Kosova përballet me mungesa të theksuara në disa nga shtyllat kryesore të këtij sektori. /Telegrafi/

     

  • Thibaut Courtois pritet të mungojë Real Madridit për 6 javë-Humb dy ndeshjet çerekfinale ndaj Bayern-it

    Thibaut Courtois pritet të mungojë Real Madridit për 6 javë-Humb dy ndeshjet çerekfinale ndaj Bayern-it

    Portieri i Real Madrid-it Thibaut Courtois pritet që t’i mungoj “Los Blancos”në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

    Mediat spanjolle bëjnë të ditur se gardiani belg pritet të mungojë rreth 6 javë larg fushave të gjelbërta,që do të thotë që Courtois nuk do të jetë në dy ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich-ut.

    Përndryshe Courtois luajti vetëm në pjesën e parë në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales kundër Manchester City,teksa në pjesën e dytë u zëvendësua nga portieri i dytë Andriy Lunin i cili pritet që të mbrojë portën e madrilienëvë gjatë kohës kur belgu do të mugojë nga fushat e gjelbërta.

    Kujtojmë që Thibaut Courtois ka zhvilluar 41 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon me Real Madridin,ku në 15 ndeshje e mbajti portën të paprekur.

  • Rasti me 400 kg drogë nga Brazili, dënohen me 75 vjet burg pesë të akuzuarit

    Rasti me 400 kg drogë nga Brazili, dënohen me 75 vjet burg pesë të akuzuarit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

    Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni.

    Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”

    Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

    Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”. Gjithsej, 63 mijë euro gjobë.

    Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi iu caktohet masa e paraburgimi, ndërkaq të tjerëve iu vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak./Betimi për Drejtësi

  • Komisioni i Gjyqtarëve reagon ndaj komunikimit të trajnerit të KF Llapit Tahir Batatina kundër gjyqtarit Fatlum Berisha

    Komisioni i Gjyqtarëve reagon ndaj komunikimit të trajnerit të KF Llapit Tahir Batatina kundër gjyqtarit Fatlum Berisha

    Komisioni i Gjyqtarëve ka reaguar ashpër ndaj komunikimit të trajnerit të KF Llapit, Tahir Batatina, me gjyqtarin anësor Fatlum Berisha, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe jashtë çdo norme etike dhe profesionale. Ky reagim ka ardhur pas publikimit të një bisede nga Berisha, që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv.

    Komisioni thekson se “gjuha e përdorur tejkalon çdo normë etike dhe profesionale” dhe është shqetësuese përfshirja e çështjeve personale në komunikim. Ata kanë shprehur mbështetje të plotë për gjyqtarin Berisha, duke vlerësuar “profesionalizmin dhe integritetin” e tij, dhe theksuan se çdo përpjekje për të cenuar dinjitetin e gjyqtarëve është e papranueshme.

    Në reagimin e tij, Berisha shpërndau një mesazh ndaj Batatinës, duke e akuzuar për përdorim të tragjedive familjare në komunikim dhe kërkuar reagim nga FFK. Ndërkaq, Batatina ka mohuar përmendjen e familjes dhe ka shpjeguar se polemika ka të bëjë me gabime të qëllimshme nga ana e gjyqtarit, të cilat ai i ka konsideruar të dëmshme për ekipin e tij.

    Komisioni i Gjyqtarëve ka kërkuar që të gjithë aktorët e futbollit të ruajnë respektin dhe profesionalizmin, duke theksuar se do të vazhdojnë të mbrojnë gjyqtarët dhe integritetin e garave.

  • Leon Avdullahu mungon ndaj Sllovakisë shkaku i lëndimit

    Leon Avdullahu mungon ndaj Sllovakisë shkaku i lëndimit

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm jo të mirë para ndeshjes së fazës së play-off-it kundër Sllovakisë më 26 mars.

    Mesfushori Leon Avdullahu ka pësuar lëndim gjatë stërvitjes së bërë me skuadrën e Hoffenheimt,dhe nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër sllovakëve javën e ardhshme.

    Përndryshe lëndimi i Avdullahut u konfrimua edhe nga trajneri i Hoffenheimit Christian Ilzer,ku bëri të ditur se mesfushori dardan pësoi lëndim muskulor dhe pritet të mugojë disa javë.

    Natyrisht se kjo është një hendikep i madh për përzgjedhësin Franco Foda,duke marrë parasysh se Avdullahu po kalontë një sezon fantastic me ekipin gjerman deri më tani.

    Kujtojmë që lista e Kombëtares së Kosovës për ndeshjen e fazës së play-off-it të botërorit 2026 kundër Sllovakisë pritet të publikohet të premten.

  • Lufta me Iranin dominon samitin e BE-së në Bruksel

    Lufta me Iranin dominon samitin e BE-së në Bruksel

    Në samitin e parë të rregullt të BE-së për këtë vit, vëmendja përqendrohet tek lufta në Iran. Pyetja kryesore: si mund të përfundojë lufta – dhe a duhet të ndërhyjë BE apo jo?

    Samiti i BE ishte menduar fillimisht të përqendrohej në konkurrueshmërinë e Evropës e si ta përgatisim BE për të ardhmen.

    Por tani kur çmimet e energjisë po rriten ndjeshëm vëmendja i kushtohet një lufte që zhvillohet 5,000 kilometra larg e që përcakton të enjten (19.03.) samitin e BE.

    Pasojat e luftës së Iranit po ndihen edhe në Bruksel.

    Në deklaratën e tij qeveritare, kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një përfundim të shpejtë të luftës.

    Por si? Kush ka më qasje te presidenti amerikan, Donald Trump tani që ai ndihet i braktisur nga evropianët?

    Trump e quajti shokuese mungesën e mbështetjes për luftën e tij kundër Iranit, duke thënë se kjo nuk do të harrohet.

    Efektet e luftës të ndjeshme në BE

    Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane janë të zënë në një dilemë: nga njëra anë, ata duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nga ana tjetër, duan të përfshihen në të sa më pak të jetë e mundur.

    Në takimin e parë të krerëve të shteteve dhe qeverive që nga fillimi i Luftës Iran-Irak shtrohet pyetja: A do të flasin të gjithë me një zë dhe do të jenë për vetëpërmbajtje, apo do të ketë disa vende të gatshme të marrin pjesë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit?

    Efektet ndikojnë pothuajse në të gjitha vendet e BE-së. Çfarë mund të bëhet në lidhje me çmimet e larta të energjisë? A duhet që kompanitë e naftës t’i nënshtrohen një takse mbi fitimin? Dhe cili është rreziku që paraqesin refugjatët nga rajoni? Këto janë të gjitha tema për diskutimet në samit.

    Ukraina pret ndihma në miliarda

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky merr pjesë në takim nëpërmjet lidhjes me video dhe do t’u kujtojë krerëve të shteteve dhe qeverive se sulmet kundër vendit të tij vazhdojnë të pandërprera.

    Ukraina ka nevojë urgjente për para për jetën e përditshme dhe për të organizuar mbrojtjen.

    BE-ja kishte premtuar 90 miliardë euro kredi. Hungaria ka bllokuar shpërndarjen.Viktor Orbán, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, përballet me zgjedhje në vend; ndryshimi i qëndrimit të tij nuk do të jetë i lehtë.

    Lajm i mirë nga ekonomia

    Bashkimi Evropian ndodhet mes dy luftërave e vështirë të gjesh ndonjë lajm pozitiv në një klimë të tillë.

    Por një lajm i tillë vjen, pikërisht nga sektori i biznesit.

    Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen prezantoi rregullat e thjeshtuara për startup-et në BE pikërisht në kohë.

    Çdo sipërmarrës mund të krijojë një kompani brenda 48 orëve, nga kudo në BE, dhe për më pak se 100 euro, deklaroi ajo në Bruksel.

    Të dhënat do të ruhen një herë dhe do të transferohen në të gjitha shtetet anëtare, shkruan DW.

    Pavarësisht shumë temave në agjendë, organizatori, Presidenti i Këshillit Antonio Costas, në letrën e tij të ftesës prej dy faqesh pret që samiti të përfundojë brenda një dite. Nëse kjo nuk ndodh, krerët e shteteve dhe qeverive në BE i pret një natë shumë e gjatë.

  • Vitia flet për gjendjen e 5-vjeçarit në Lipjan: Është më mirë, ka filluar edhe komunikimin

    Vitia flet për gjendjen e 5-vjeçarit në Lipjan: Është më mirë, ka filluar edhe komunikimin

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e vogëlushit pesëvjeçar është stabile dhe në përmirësim, pas ndërhyrjes kirurgjike që iu bë për shkak të plagëve të rënda, ndërsa sfidë mbetet trajtimi i traumës psikosociale dhe sigurimi i një ambienti të shëndoshë për të, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka bërë të ditur se i gjithë sistemi shëndetësor është alarmuar menjëherë pas rastit dhe se profesionistët në Klinikën e Pediatrisë kanë dhënë maksimumin për trajtimin e fëmijës.

    “I gjithë sistemi shëndetësor, sidomos profesionistët shëndetësorë në klinikën e pediatrisë janë alarmuar dhe kanë bërë maksimumin e tyre për çka i falënderoj nga zemra. Kam shkuar për së afërmi, e kam takuar edhe vogëlushin pesëvjeçar, edhe kolegët tanë, edhe punëtorët në klinikën e pediatrisë në repartin e intensivës, të cilët edhe mjekët specialistë, po edhe stafi i mesëm kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai.

    Ai theksoi se fëmija ka qenë në gjendje të rënduar fizike dhe i traumatizuar rëndë në aspektin psikologjik.

    “Sepse nga ajo që kam parë unë, fëmiu ka qenë në gjendje të vështirë edhe në gjendje të rënduar, jo vetëm fizike me plagët edhe me pjesën shëndetësore që e ka pasur, mirëpo jashtëzakonisht i traumatizuar dhe pothuajse me shumë pak komunikim, pavarësisht moshës pesëvjeçare. Gjendja e tij edhe ditën e vizitës ka qenë stabile. Drejtoria e SHSKUK-së, po edhe drejtoresha në klinikën e pediatrisë më kanë informuar në kohë reale vazhdimisht për gjendjen e vogëlushit dhe pas marrjes, qetësimit njëherë, i është ofruar përveç mbështetjes shëndetësore edhe gjithë mbështetja psikosociale: psikologë, psikiatër, por edhe ortopedë e lami të tjera të cilat janë lidhur me pjesën shëndetësore, një grup i specialistëve”, tha ai.

    Sipas tij, fëmija i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike për shkak të gjendjes së rënduar në njërën shputë, në bashkëpunim mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë.

    “Dhe dje i është nënshtruar një ndërhyrje ku për shkak të gjendjes së rënduar, sidomos në njërën shputë, është bërë një intervenim në mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë. Ka dalë nga salla, fillimisht i intubuar, po pastaj është qetësuar shumë shpejt sepse secili pacient që del nga salla është një procedurë standarde operimi. Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimi verbal. Gjendja është më mirë. Ka pasur një anemi të lehtë për çka të gjitha masat janë marrë që të evitohet përmes edhe transfuzionit të gjakut por edhe barnave të tjera”, tha ai.

    Vitia tha se në aspektin shëndetësor, parametrat janë stabilizuar dhe pritet rikuperim i shpejtë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar edhe në aspektin psikosocial të rastit.

    “Me fjalë të tjera, gjendja në aspektin shëndetësor, po flas në kuptimin e mbarëvajtjes së punës sa i përket pjesës shëndetësore, është mirë dhe ka shkuar mirë dhe po e merr veten shumë shpejt. Mirëpo ajo që e përmendi edhe ministri Hoti, ajo që na ka shqetësuar të gjithë, është edhe kjo pjesa psikosociale e fëmiut, i cili shihet që fatkeqësisht ka qenë për shumë kohë në një ambient toksik, mos të them komplet abuziv, për të cilin menjëherë pas marrjes së lajmit kemi komunikuar bashkë me ministrin Hoti, por jo vetëm, edhe kemi ndërmarrë të gjitha masat që mund të ndërmerren që të futet në veprim edhe kjo pjesa psikosociale dhe çka pas për fëmiun”, tha ai.

    Ai shtoi se institucionet janë duke punuar për t’i siguruar vogëlushit një ambient të shëndoshë për të ardhmen.

    “Sepse prapë po e përsërit, në aspektin shëndetësor, besoj që pas intervenimit edhe pas qetësimit të parametrave, të gjithë parametrat i ka në rregull, kjo do ta marrë veten shumë shpejt. Po sfida edhe ajo që po merremi tash bashkë me ministrin Hoti dhe me anëtarë të tjerë të qeverisë, është që t’i sigurojmë një ambient të shëndoshë për vogëlushin”, tha ai.

  • LA Lakers fiton ndaj Dallas Mavericks-Oklahoma City Thunder dhe Boston Celtics shënojnë fitore të thella

    LA Lakers fiton ndaj Dallas Mavericks-Oklahoma City Thunder dhe Boston Celtics shënojnë fitore të thella

    Janë zhvilluar ndeshje tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Los Angeles Lakers ka arritur të mposhtë skuadrën e Houston Rockets me rezultat 124:116,ku më i miri në parket tek Lakers ishte slloveni Luka Doncic me 40 pikë,9 kërcime e 10 asistime,teksa Lebron James dha kontribut me 30 pikë të realizuara.

    Tek Rocekts më i miri ishte turku Alperen Sengun me 27 pikë e 10 asistime,kurse Amen Thomspon me 26 pikë e 11 kërcime ishte i dyti më efikas në këtë takim.

    La Lakers gjendet në pozitën e 3-të në konferencen perëndimore,kurse Houston Rockets në pozitën e 5-të.

    Kampioni aktual Oklahoma City Thunder mposhti në shtëpi Brooklyn Nets me rezultat 121:92.

    Jared McCain me 26 pikë dhe Shai Gilgeous Alexander me 20 pikë të tjera ishin më efikasët tek Thunder,kurse për Nets Jalen Brunson me 15 pikë ishte më i miri në parket.

    Oklahoma City Thunder mbetet lider në konferencën perëndimore,kurse Brooklyn Nets pozicionohet në pozitën e 13-të.

    Boston Celtics ndërkaq fitoi ndaj Golden Sate Ëarriors me rezultat 120:99,ku Jaylen Broën me 32 pikë si dhe Jayson Tatum me 24 pikë e 10 kërcime dha kontribut në këtë fitore.

    Tek Ëarriors më të mirët ishin Gary Payton dhe Pat Spencer me 14 pikë secili,kurse në anën tjetër Draymond Green dhe Gui Santos secili shënoi nga 13 pikë.

    Boston Celtics gjendet në pozitën e dytë në konferencën lindore,kurse Golden State Ëarriors është në vendin e 10-të në atë perëndimore.