ATV

Blog

  • Princesha e Norvegjisë thotë se është ‘manipuluar dhe mashtruar’ nga Epstein

    Princesha e Norvegjisë thotë se është ‘manipuluar dhe mashtruar’ nga Epstein

    Princesha e Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, tha të premten se i vjen keq për miqësinë e saj me ish-sulmuesin seksual Jeffrey Epstein, duke kërkuar të përmbajë një nga skandalet më të mëdha që ka goditur familjen mbretërore të vendit.

    Publikimi nga Departamenti i Drejtësisë i miliona dokumenteve të Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka shkaktuar tronditje në të gjithë botën, duke zbuluar lidhjet e financierit të turpëruar me njerëz të shquar, përfshirë princeshën e kurorës dhe politikanë të lartë norvegjezë, drejtues biznesi dhe diplomatë.

    “U manipulova dhe u mashtrova”, tha Mette-Marit në një intervistë plot lot me transmetuesin publik NRK, e cila u transmetua të premten në mëngjes.“Sigurisht, do të doja të mos e kisha takuar kurrë”, tha ajo për Epsteinin.

  • Rriten sulmet me raketa ndaj Jerusalemit, përshkallëzohet tensioni

    Rriten sulmet me raketa ndaj Jerusalemit, përshkallëzohet tensioni

    Sulmet me raketa iraniane ndaj Jerusalemi janë intensifikuar, me disa shpërthime të raportuara brenda pak orësh, por pa viktima deri më tani.

    Sipas raportimeve, sulme të tjera janë drejtuar edhe në zona të ndryshme të Izraeli, ndërsa gjatë natës Izraeli ka goditur objektiva në Teherani, duke synuar infrastrukturë të lidhur me regjimin iranian.

    Autoritetet izraelite vlerësojnë se Irani ende posedon qindra raketa balistike, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

  • Prishtina nën vëzhgim, gjobat e policisë shkojnë direkt në shtëpi

    Prishtina nën vëzhgim, gjobat e policisë shkojnë direkt në shtëpi

    24 kamera me njohje automatike të targave, 6 kamera videovezhguese multisensor dhe një kamerë rrotulluese tashmë janë vendosur në gjithë qytetin e Prishtinës.

    Të gjithë qytetarët që vozisin në zonat më të ngarkuara të kryeqytetit do të përcillen në nëntë lokacione nga këto kamera.

    Madje, nëse vërehet që bëjnë shkelje në trafik, dënimi do t’iu shkojë në shtëpi.

    “Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

    Sipas ish-zv ministrit të Punëve të Brendshme, kjo strategji është mjaft e njohur.

    “Është një praktikë e njohur ndërkombëtare, e bazuar në kornizën ligjore dhe si e tillë duhet të zbatohet natyrshëm”, ka thënë Valdet Hoxha.

    Sipas tij, kjo mund të ndikoj dukshëm për të ulur numrin e aksidenteve.

    “Vendosja e kamerave nëpër qytet në funksion të shqiptimit të gjobave por mbi të gjitha në funksion të mbarëvajtjes së komunikacionit rrugor dhe në funksion të zvogëlimit të numrit të aksidenteve ka dhënë rezultate edhe statikisht në vend e praktikave ndërkombëtare ka ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve, qoftë me fatalitet, qoftë të kundërvajtjeve”, ka shtuar Hoxha

    Ky është projekt i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, si pjesë e strategjisë për forcimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e integruar të trafikut urban.

  • Nga kriza globale te xhepi i qytetarit, OEK dhe DhTIK propozojnë masa për uljen e çmimit të naftës

    Nga kriza globale te xhepi i qytetarit, OEK dhe DhTIK propozojnë masa për uljen e çmimit të naftës

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve të naftës ka shtuar presionin mbi ekonominë e Kosovës. Për zgjidhjen e këtij problemi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, kanë kërkuar ndërhyrje të mënjëhershme nga Qeveria e Kosovës përmes masave që synojnë uljen e çmimeve të derivateve të naftës dhe në të njëjtën kohë lehtësimin e barrës për qytetarët.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha për KosovaPress, se pas analizave të kryera, institucioni që ai përfaqëson ka propozuar dy masa konkrete që do të ndikonin në uljen e çmimeve të derivateve të naftës.

    “Duke pas parasysh trendin që po ndodh në shtetet e Bashkimit Evropian, çmimi i rritjes së derivateve të naftës, po edhe rrethanat e luftës gjeopolitike, kemi propozuar që Qeveria e Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë dy masa fiskale. E para që ta ulë normën e tatimit të akcizës për derivatet e naftës dhe e dyta ta largojë plotësisht për një periudhë të caktuar, përkohësisht…. …Dihet që tatimi i vlerës së shtuar është tatim i konsumatorit, nuk është tatim i kompanisë, kështu që çdo ulje e tatimit të vlerës së shtuar apo largim i përkohshëm, do të nënkuptonte ulje e çmimit të derivateve të naftës dhe një lehtësim më i madh për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Rafuna

    Sipas analizave të Odës Ekonomike, nëse këto masa zbatohen plotësisht, çmimi i naftës mund të ulet deri në 30-40 për qind.

    “Varet tani se cila sa do të jetë përqindja e uljes, sa për sa për qind do të ulet norma e tatimit të akcizës, po ashtu varet sa do të hiqet tatimi i vlerës së shtuar nga derivatet e naftës apo do të ulet tatimi i vlerës së shtuar. Mirëpo sipas analizës sonë, kjo do të ndikonte rreth 30% deri 40% që çmimi i naftës të ulet, prapë në supozimin se do të largohet tërësisht tatimi i normës së akcizës apo edhe tatimi i vlerës së shtuar”, tha ai

    Rafuna paralajmëroi se në mungesë të veprimeve konkrete, pritet që çmimet të vazhdojnë të rriten duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimin e rrugëve kryesore të furnizimit me naftë.

    “Trendi është duke u rritur, shumë vende tash kjo nuk është një risi veç për Kosovën ose nuk është një kërkesë që vetëm Kosova duhet ta adaptojë, kanë filluar shumë vende të Bashkimit Evropian për me i ndërmarrë këtë masë. Kemi edhe shumë vende të Bashkimit Evropian që kanë filluar edhe me masa kufizuese të tjera me i vendos. Kështu që duhet një ndërhyrje urgjente e menjëhershme nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta stabilizojë tregun dhe t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos u ulet standardi jetësor dhe mos ta ndiejnë këtë rritje të inflacionit apo këtë krizë e cila është duke na ndodhë tani. Pritjet janë që do të shkojnë duke u rritur çmimet, sipas trendit që jemi duke e pa dhe sipas analizave që jemi duke i bërë. Mirëpo sa do të zgjasë kjo periudhë nuk dihet për momentin. Për këtë arsye ne kemi propozuar që të kemi masa të përkohshme për aq sa ka nevojë derisa të stabilizohet gjendja”, u shpreh Rafuna.

    Nga ana tjetër, edhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Skënder Krasniqi ka bërë thirrje për veprim të shpejtë, pasi sipas tij, është një nevojë emergjente.

    “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar dhe kërkon që me urgjencë Qeveria e Kosovës të ulë taksën dhe akcizën në naftë, siç janë duke vepruar shumë vende të tjera dhe rasti i fundit edhe Italia, në mënyrë që të kemi një ulje të çmimit i cili është duke e ngarkuar jashtëzakonisht biznesin dhe qytetarin në blerje dhe njëkohësisht është duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të konsumit si rezultat i rritjes së çmimeve të naftës dhe transportit të saj. Kjo është një nevojë emergjente në një afat së paku tremujor, në mënyrë që të kemi një stabilitet sepse situatat me të cilat është duke u ndodhë në Iran dhe në gjithë botën mund të ndikojë edhe që të kemi rritje edhe më të madhe të çmimeve sesa kemi aktualisht”, tha Krasniqi.

    Përndryshe, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila para dy ditësh për KosovaPress, tha se pritet një stabilizim i çmimeve në muajt në vijim, veçanërisht gjatë verës, duke sqaruar se çmimi i naftës përcaktohet mbi bazën e çmimit të importit të një dite më parë.

    Ajo theksoi se importuesit me shumicë mund të rrisin çmimin vetëm deri në 2 cent për litër, ndërsa në shitje me pakicë shtohen edhe 12 cent. Si shembull, ajo përmendi se nëse nafta importohet me 1.50 euro për litër, ajo mund të shitet me shumicë deri në 1.52 euro dhe me pakicë deri në 1.64 euro.

    Si pasojë e luftës mes SHBA-së e Izraelit me Iranin, edhe çmimet e karburantëve janë shtrenjtuar në rreth 1.50 euro nafta, dhe 1.30 benzina.

  • Miratohet monedha 24 karatëshe për 250-vjetorin e SHBA-së me portretin e Trumpit

    Miratohet monedha 24 karatëshe për 250-vjetorin e SHBA-së me portretin e Trumpit

    Një monedhë ari me imazhin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është miratuar nga një komision federal i arteve.

    Monedha ari 24 karatëshe ka për qëllim të shënojë 250-vjetorin e Amerikës më 4 korrik dhe portretizon Trumpin pas një tavoline.

    Pas një prezantimi nga Monedha Amerikane, Komisioni Amerikan i Arteve të Bukura votoi unanimisht për të miratuar dizajnin, pavarësisht pyetjeve mbi ligjshmërinë e tij.

    Ligji federal nuk lejon që një president i gjallë të shfaqet në monedhën amerikane.

    Por monedha po emetohet në përputhje me autoritetin dhe diskrecionin e Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, për të prerë dhe emetuar monedha ari të qëndrueshme.

    Bessent pritet të urdhërojë prerjen e monedhës pasi Monedha Amerikane të nxjerrë përmasat përfundimtare.

    Nënkryetari i komisionit, James McCrery, tha: “Unë propozoj miratimin e kësaj monedhe siç është paraqitur, dhe me inkurajimin e fortë që ta bëni sa më të madhe të jetë e mundur”.

    Deri më tani, Calvin Coolidge është i vetmi president tjetër amerikan që është paraqitur në një monedhë gjatë jetës së tij.

  • Shuhet ikona e këngës ‘Po t’përbejë pash’ Perëndinë’, pejanja Xhejlane Gutiqi

    Shuhet ikona e këngës ‘Po t’përbejë pash’ Perëndinë’, pejanja Xhejlane Gutiqi

    Në moshën 72 vjeçare, pas disa shqetësimeve shëndetësore, ka ndërruar jetë gjatë të enjtës, ikona pejane e këngës nga brezi i artë i këngëtarëve të RTP-së, Xhejlane Gutiqi.

    E ndjera, në karrierën e zenitit të saj, shquhej për interpretimet live duke bërë që me zërin e vet, të shkelte të gjitha vendet e botës, kudo ku kishte shqiptarë.

    Dekadën e fundit të jetës, e ndjera, Gutiqi, e kaloi pranë familjes së ngushtë në një shtëpi modeste në lagjen ‘Kapeshnica’ të Pejës, lagje e cila siç do thoshte disa herë në intervistat e kohës, e frymëzoi e i dha zemër të shtypte paragjykimet e kohës.

    Në këtë segment, Gutiqi, disa herë shprehu mirënjohjen edhe për prindërit e saj që e mbështetën që në fëmijëri.

    Ngritja e saj në karrierë, buçiti, në vitin 1970, me këngën autoriale ‘Po t’përbej pash’ Perëndinë’ e cila menjëherë u regjistrua me orkestrën profesionale të atehershme të Radio Prishtinës, me insistimin e Isak Muçollit, do thoshte Gutiqi në një intervistë të kohës.

    Vitet e para të pasluftës, Gutiqi u ri-angazhua në SHKA ‘Përparimi’ i Pejës, që ishte riaktivizuar, meqë e njejta kishte kënduar edhe më SHKA ‘Përparimi’ të viteve 50-ta.

    Familja e të ndjerës, të cilët edhe e konfirmuan vdekjen e saj, njoftojnë se ceremonia mortore e varrimit për Xhejlane Gutiqin, do zhvillohet ditën e Premtë, në ora 15:00 në varrezat e qytetit të saj të lindjes në Pejë.

    Meqë e ndjera, në dokumentacionin personal kishte emër tjetër, (Gjemile), lajmi fillimisht ka krijuar huti në opinion, për çfarë është dashur, që ‘RADIO 1’, të merr konfirmim zyrtar nga familja e të ndjerës.

  • Erdogani uron Fitër Bajramin: Zoti e shkatërroftë Izraelin

    Erdogani uron Fitër Bajramin: Zoti e shkatërroftë Izraelin

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë një deklaratë të fortë këtë të premte në kuadër të Fitër Bajrami, duke u shprehur:

    “Zoti e shkatërroftë Izraelin”.

    Sipas raportimit të Anadolu Agency, Erdogan i bëri këto komente pas faljes së namazit të së premtes në një xhami në Rize, qytet nga i cili ka origjinën familja e tij.

    Në deklaratën e tij, ai përdori termin “Al-Kahrar”, një nga emrat në traditën islame që i referohet Zotit, i cili përkthehet si “Dominuesi” apo “Ai që nënshtron”.

    “Ai, ‘Dominuesi’ (Al-Kahrar), e shtyptë dhe shkatërroftë Izraelin”, u shpreh presidenti turk.

    Erdogan shtoi gjithashtu: “Zoti na mbroftë dhe na ruajtë sa më shpejt të jetë e mundur nga fatkeqësia sioniste”.

  • Tension gjatë faljes së Bajramit në Jerusalem, forcat izraelite përdorin gaz lotsjellës

    Tension gjatë faljes së Bajramit në Jerusalem, forcat izraelite përdorin gaz lotsjellës

    Për herë të parë në dekada, xhamia Al-Aksa është e mbyllur gjatë Bajramit të Madh, duke i detyruar besimtarët të luten jashtë për shkak të tensioneve.

    Besimtarët myslimanë u mblodhën jashtë mureve të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit për të shënuar Bajramin e Madh, pasi u ndaluan të hynin në kompleksin Al-Aksa.

    Policia izraelite qëlloi me gaz lotsjellës ndërsa turmat kërkonin hapësirë për të kryer lutjet, me shumë të detyruar të luteshin në rrugët aty pranë.

    –

    YouTube  www.youtube.com

    Autoritetet thanë se kufizimet ishin në fuqi për arsye sigurie pas shpërthimit të konfliktit rajonal më 28 shkurt.

    Mbyllja prek të gjitha vendet e shenjta kryesore në Qytetin e Vjetër, përfshirë xhaminë Al Aksa, për herë të parë në dekada gjatë Bajramit.

    Zyrtarët nga Administrata Civile e Izraelit konfirmuan më herët në mars se qasja do të mbetej e kufizuar për të ruajtur sigurinë publike.

  • Mashtrime në call center, ekstradohet nga Gjermania 35-vjeçari shqiptar që dyshohet se shkaktoi dëm rreth 187 mijë euro

    Mashtrime në call center, ekstradohet nga Gjermania 35-vjeçari shqiptar që dyshohet se shkaktoi dëm rreth 187 mijë euro

    Një 35-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri nën dyshimin se si pjesëtar i një grupi kriminal që nëpërmjet mashtrimit në call center, iu shkaktoi qytetarëve, rreth 187 000 euro dëm.

    “Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Ëiesbaden, në vijim të operacionit të koduar “The Ëanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Gjermania në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. L., 35 vjeç, të lindur në Tropojë”.

    Në muajin korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kruer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të disa shtetasve.

    Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. L. dhe shtetas të tjerë, të organizuar si grup, nëpërmjet një call center-i të zbuluar në vitin 2024, kanë kryer 17 raste/tentativa të mashtrimit kompjuterik, tha Policia e Shtetit.

  • Kurti: Po përballemi me dy sfida, me provokime në kufi dhe me ngritjen e çmimit të naftës

    Kurti: Po përballemi me dy sfida, me provokime në kufi dhe me ngritjen e çmimit të naftës

    Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës ka folur edhe për dy sfidat me të cilat Kosova është duke u përballur aktualisht.

    Kurti ka thënë se sfidat janë ato që kanë të bëjnë me provokime në kufi si dhe me ngritjen e çmimit të naftës.

    “Provokimet rreth kufirit po shtohen. Përshtypja jonë është që vjen nga dy dështime. I pari është që nuk kanë një strukturë të brendshme. E dyta është se e kanë kuptuar se nuk mund ta mbajnë peng krejt rajonin për integrime në Bashkimin Evropian. Pra Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po thotë kush dëshiron të vijë do t’i krijohen shanset, por duhet t’i bëhen detyrat e shtëpisë. Kush nuk dëshiron të vijë nuk mund t’i pengojë të tjerët dhe kjo i ka acaruar shumë serbët sepse ata e kanë pas privilegjin që pa neve nuk mund të shkonin askund. Kjo është një dëshpërim i dyfishtë”, ka thënë ai.

    Ai u ndal edhe te ngritja e çmimit të naftës, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

    “Sfida e dytë është që luftërat që nisën nuk përfunduan, por nisën ato të rejat dhe këto tash po e bëjnë çrregullimin e zinxhirit të furnizimit. Kemi folur me ministrin e Financave dhe ministren e Tregtisë që të përgatiten sa më mirë, sepse çmimet e naftës dhe produkteve tjera po rriten”, ka deklaruar Kurti.

    Në këtë takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe rolin e institucioneve fetare në ruajtjen e stabilitetit shoqëror.

    Për stërvitjet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, Kurti reagoi edhe një ditë më parë. Ai akuzoi Beogradin për shfaqje të “agresionit”, pasi ushtria serbe ka kryer gjatë së mërkurës stërvitje ushtarake në fshatin Muhoc të Bujanocit që ndodhet në afërsi me Kosovën. E në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR – kanë thënë se stërvitjet e tilla nuk përbënin rrezik për sigurinë në rajon.