ATV

Blog

  • Abdixhiku: Liria jonë s’ishte rastësi, 24 marsi të jetë datë kombëtare e Kosovës

    Abdixhiku: Liria jonë s’ishte rastësi, 24 marsi të jetë datë kombëtare e Kosovës

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, duke e cilësuar atë si një nga kthesat më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.

    Ai theksoi se ndërhyrja 78-ditore e NATO-s përfaqësoi përputhjen e sakrificës së popullit të Kosovës me vendimin e aleatëve ndërkombëtarë për liri dhe dinjitet.

    Abdixhiku nënvizoi se sot ekziston një detyrim për të ruajtur miqësinë me aleatët dhe për të forcuar rrugën euroatlantike të vendit.

    Ai propozoi që 24 marsi të trajtohet si datë kombëtare e Kosovës, si simbol i ditës kur, sipas tij, historia mori një drejtim të ri për vendin.

    Reagimi i plotë i Abdixhikut:

    Sot shënojmë 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një nga kthesat më të thella në historinë moderne të Kosovës.

    Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes nderkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar – dhe atë në formën më të bukur të mundshme – nga qielli.

    Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë.

    Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën.

  • Ali Ahmeti e deputetë të Kuvendit të Kosovës bëjnë homazhe në Gllogjan

    Ali Ahmeti e deputetë të Kuvendit të Kosovës bëjnë homazhe në Gllogjan

    Qytetarë të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe ish-eprori i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, kryetar Komunash kanë bërë homazhe me rastin e 28-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.

    Homazhet u zhvilluan në Gllogjan, në përkujtim të betejës së 24 marsit 1998, kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përballën me forcat serbe që kishin rrethuar fshatin.

    Të pranishmit vendosën lule dhe bënë nderime pranë varrezave të dëshmorëve, duke kujtuar sakrificën e të rënëve në këtë betejë, e cila konsiderohet ndër ngjarjet më të rëndësishme të luftës së UÇK-së në Dukagjin.

    Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, ndërsa beteja e Gllogjanit mbetet një nga përballjet më të njohura të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. /eo

  • Von der Leyen: Paqja e negociuar, thelbësore për t’i dhënë fund luftës me Iranin

    Von der Leyen: Paqja e negociuar, thelbësore për t’i dhënë fund luftës me Iranin

    Duke folur gjatë një vizite në Australi, shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për një paqe të negociuar për t’i dhënë fund luftës me Iranin, duke thënë se është “thellësisht e shqetësuar” për konfliktin në vazhdim.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të arrijmë në një zgjidhje të negociuar, e cila t’i japë fund armiqësive që po shohim në Lindjen e Mesme,” tha von der Leyen, së bashku me kryeministrin australian Anthony Albanese në Canberra.

    Disa vende të BE-së po përgatiten të ndihmojnë në një “mision” për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit pasi të përfundojë lufta, tha von der Leyen.

    “Ne të gjithë po i ndiejmë efektet zinxhir në çmimet e gazit dhe naftës, në bizneset tona dhe në shoqëritë tona,” shtoi ajo, duke theksuar se ky kanal tregtar është “jetik për linjat e furnizimit me energji në mbarë botën.”

     

     

  • “O Zot, më merr mua!” – Për herë të parë…basketbollisti rrëfen humbjen e djalit 18-vjeçar

    “O Zot, më merr mua!” – Për herë të parë…basketbollisti rrëfen humbjen e djalit 18-vjeçar

    Ikona e basketbollit kosovar, Valentin Spaqi, ka prekur publikun me një rrëfim të ndjerë gjatë një interviste në emisionin “STUDIO A”, ku foli për humbjen e rëndë të djalit të tij, Inrit.

    Me emocione të forta, ai e përshkroi këtë si një nga përvojat më të vështira të jetës së tij.

    “Është e pashpjegueshme, shumë e rëndë, shpesh më mbetet peng nëse kam mundur të bëj më shumë. Kjo është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë”, u shpreh ai.

    Ai gjithashtu shprehu zhgënjim ndaj disa të afërmve, duke theksuar se në momente të tilla ka pritur më shumë mbështetje.

    “Jam ndjerë i zhgënjyer nga disa familjarë, sepse kam pritur më shumM nga ta por gjithsesi këtë dua ta mbaj për vete,” tha ai.

    Humbjen e të birit e cilësoi si të parakohshme dhe një goditje shumë të fortë për familjen.

  • 4 IVF i kam bërë për të pasur fëmijë – nuk kam zgjedhë me ra në depresion

    4 IVF i kam bërë për të pasur fëmijë – nuk kam zgjedhë me ra në depresion

    Doktoresha Merita Emini Sadiku në emisionin “LIBERO” ka ndarë një rrëfim personal mbi sfidat e saj në krijimin e familjes, duke theksuar se presioni shoqëror për “kohën e duhur” nuk duhet të përcaktojë jetën e askujt.

    Ajo tregoi se ka kaluar katër procedura IVF për të pasur fëmijë, një rrugëtim i gjatë dhe emocionalisht i vështirë. Megjithatë, përkundër sfidave, Sadiku theksoi se nuk e ka lejuar veten të bjerë në depresion.

    “E kam përvojën time personale në krijimin e familjes në moshë pak më të shtyer se zakonisht, por asnjëherë s’kam rënë pre e idesë që po më ikën koha biologjike” – u shpreh ajo.

    Diskutimi për një “kohë të duhur” për arritjet në jetë, sipas saj, shpesh është më shumë presion shoqëror sesa realitet personal. Doktoresha shtoi se zgjedhja për të mos u ndalur dhe për të mos u fokusuar vetëm te një sfidë e vetme ka qenë vendimtare.

    “…Nuk ka qenë zgjedhja ime të ndalem dhe të bie në depresion për atë problem. Kam pasur objektiva të tjera për t’i arritur dhe ato më kanë dhënë kënaqësi në jetë…”, deklaroi doktoreshë Merita.

    Vendimi për të ndjekur trajtimet IVF ishte një hap i menduar mirë, që në fund i solli përmbushjen që kërkonte. Ajo u bë nënë për herë të parë në moshën 35-vjeçare, ndërsa fëmijën e dytë e solli në jetë në moshën 43-vjeçare.

    Vlen ta theksojmë se sipas Britannica, IVF (In Vitro Fertilization) është një procedurë mjekësore e ndihmuar për të trajtuar infertilitetin, ku vezët e gruas fekondohen me spermë jashtë trupit, në një laborator, dhe më pas embrionet e krijuara transferohen në mitrën e gruas për të mundësuar shtatzëni.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth temës: “A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë”?, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kryeministri Edi Rama takon ministrat në “Vilën 30”, çfarë po diskutohet?

    Kryeministri Edi Rama takon ministrat në “Vilën 30”, çfarë po diskutohet?

    Kryeministri Edi Rama prej të enjtes ka nisur një seri takimesh në “Vilën 30” me secilin ministër të kabinetit qeveritar.

    Takimi i parë është zhvilluar të enjten me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçin.

    Top Channel mëson se këto takime pune vijuan këtë të martë me ministrin e punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe më pas atë të Drejtësisë, Toni Gogu. Burime nga Ministria e Brendshme treguan se në kë takim nuk është folur për zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

    Formati i takimeve është konceptuar ministër, sekretar i Përgjithshëm dhe drejtor dikasteresh.

    Burime në dijeni të këtyre takimeve, treguan se bëhet fjalë për analizim të punës së deritanishme të secilës ministri, përfshirë zbatimin e prioriteteve.

    Këto takime pritet të përmbyllen deri në fund të kësaj jave.

  • Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë

    Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen e radhës së ekipit kombëtar, që do të zhvillohet më 31 mars 2026, me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Fati i kësaj ndeshjeje lidhet drejtpërdrejt me përballjen paraprake në Sllovaki. Në rast se Kosova siguron fitore, atëherë përballja e 31 marsit do të jetë finale e “play-off”-it, ku kundërshtar do të jetë fituesi i duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.

    Në të kundërtën, nëse “Dardanët” pësojnë humbje, kjo ndeshje do të zhvillohet si miqësore ndaj humbësit të çiftit Turqi–Rumani.

    Interesimi pritet të jetë i madh, pasi bëhet fjalë për një takim me peshë, qoftë për një finale historike apo një përballje testuese me kundërshtarë të fortë evropianë.

  • Shtëpia e Latif Berishës, Shtëpi Muze, Peci: Trashëgimi kulturore e pikë referuese e historisë

    Shtëpia e Latif Berishës, Shtëpi Muze, Peci: Trashëgimi kulturore e pikë referuese e historisë

    Kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci ka bërë të ditur se shtëpia e Latif Berishës do të shndërrohet në muze dhe do të shërbejë si pikë referuese e historisë.

    Peci në një postim në Facebook shkruan se kjo shtëpi do të qëndrojë si kujtesë në memorien tonë kolektive si pasuri e trashëgimisë kulturore.

    “Shtëpia e Latif Berishës, Shtëpi Muze!

    Kjo shtëpi e dijes, që dëshmon të kaluarën e lavdishme, do të qëndrojë si kujtesë në memorien tonë kolektive si pasuri e trashëgimisë kulturore.

    Falënderoj Kryeministrin Kurti për mbështetjen në iniciativën tonë që kjo shtëpi të shndërrohet në muze, ku do të shërbejë si pikë referuese e historisë sonë të vonshme”, shkruan Peci.

  • Irani sulmon me raketa balistike Tel Avivin

    Irani sulmon me raketa balistike Tel Avivin

    Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur në Tel Aviv pas një sulmi të ri me raketa të lëshuara nga Iran në orët e para të mëngjesit.

    Sipas shërbimit të emergjencës Magen David Adom, incidenti ndodhi pak pas orës 7:00 (ora lokale), ndërsa ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë për të trajtuar të plagosurit dhe për t’i transportuar në spital.

    Shërbimet e emergjencës izraelite konfirmuan se kanë dërguar ekipe shpëtimi në disa zona të ndryshme ku janë regjistruar dëme.

    Sipas zyrtarëve izraelitë, vlerësohet se vetëm një raketë është lëshuar drejt Tel Avivit këtë mëngjes, por dyshohet se ajo mund të ketë qenë një variant i ri i një rakete balistike me rreze të mesme veprimi ose e pajisur me një kokë luftarake me shpërndarje.

    Burimet sugjerojnë se raketa mund të ketë përmbajtur 3 deri në 4 bomba të mëdha, secila me peshë rreth 100 kilogramë, të cilat janë shpërndarë dhe kanë rënë në zona të ndryshme, duke shkaktuar dëme dhe panik te banorët.

  • 28-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Haxhiu: Rrethimi i Gllogjanit nuk e ndali rezistencën

    28-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Haxhiu: Rrethimi i Gllogjanit nuk e ndali rezistencën

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Gllogjan të Deçanit, në 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

    Ajo tha se në vitin 1998, rrethimi i Gllogjanit synonte të shuante rezistencën, por sipas saj, ndodhi e kundërta. Haxhiu theksoi se familja Haradinaj dhe luftëtarët e tjerë e thyen rrethimin dhe dëshmuan se përpjekja për liri nuk ndalet.

    Ajo përkujtoi dëshmorët Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, si dhe sakrificën e familjeve të tyre.

    Beteja e Gllogjanit u zhvillua më 24 mars të vitit 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Kjo ngjarje përkujtohet çdo vit si pjesë e rezistencës për çlirimin e vendit.