ATV

Blog

  • Ilir Meta ofron 50 mijë euro garanci për të lënë qelinë, GJKKO merr vendim për ish-presidentin

    Ilir Meta ofron 50 mijë euro garanci për të lënë qelinë, GJKKO merr vendim për ish-presidentin

    Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ofruar 50 mijë euro garanci për të lënë qelinë, por kjo është rrëzuar nga GJKKO.

    Në një prononcim për mediat, avokati i tij, Kujtim Cakrani deklaroi se nuk ka më arsye pse Ilir Meta të qëndrojë ende në bodrumet e 313.

    “I vendosëm në dispozicionin shumë e caktuar, deri në 50 mln lekë dhe gjykata nuk arriti të ngrihej në lartësinë. Eci mirë seanca, por në momentin e fundit ndryshoi gjithçka. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do bëjmë kërkesën edhe kur çështja të kalojë në themel. Jemi në rrugën tonë për të zëvendësuar masën ndaj presidentit. Aty ishim për arsyet pse duhet të qëndrojë presidenti në bodrumet e 313. Unë ja kërkova gjyqtarit, i thashë sot t’ia bëjmë dhuratë presidentit, nuk ka mundësi për prishje prove apo intimi im dhe ia kërkova që ti bënim një dhuratë. Por lufta jonë nuk mbaron këto”, tha avokati.

    Kujtojmë që kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, depozitoi një kërkesë të re në GJKKO, ku kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.

    Kërkesa u bë vetëm një ditë pasi gjykata vendosi kalimin për gjykim të dosjes penale ndaj Metës dhe disa personave të tjerë, përfshirë Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

    Procesi ndaj tij lidhet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa çështja tashmë ka hyrë në fazën e gjykimit në themel.

  • Përparim Rama takohet me Gashanin, flasin për bashkëpunimin institucional rreth Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

    Përparim Rama takohet me Gashanin, flasin për bashkëpunimin institucional rreth Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është takuar sot me Ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani.

    Rama përmes një postimi në Facebook tha se ky takim u bë në mënyrë që institucionet të koordinohen rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, shkruan KlanKosova.tv.

    “Po punojmë që të jemi plotësisht të përgatitur për këtë moment të rëndësishëm ndërkombëtar”, ka shkruar Rama.

    Postimi i plotë:

    Bashkëpunimi institucional është kyç për suksesin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

    Sot u takova me Ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, për të koordinuar hapat e radhës dhe për të siguruar që përgatitjet të ecin me ritmin dhe seriozitetin që kërkon një ngjarje e këtij niveli.

    Po punojmë që të jemi plotësisht të përgatitur për këtë moment të rëndësishëm ndërkombëtar.

    Vazhdojmë.

  • Agjentët e ICE-së arrestojnë në aeroport në SHBA një nënë para vajzës së saj të mitur, videoja shkakton zemërim

    Agjentët e ICE-së arrestojnë në aeroport në SHBA një nënë para vajzës së saj të mitur, videoja shkakton zemërim

    Një video që tregon arrestimin e një gruaje nga oficerët e Zyrës së Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në Aeroportin Ndërkombëtar të San Franciskos të dielën ka shkaktuar reagime të ashpra nga zyrtarët lokalë dhe përfaqësuesit politikë në Kaliforni.

    Videoja, e postuar të hënën nga një rrjet lokal i lidhur me NBC, tregon gruan duke qarë dhe bërtitur ndërsa oficerët e ICE-së përpiqeshin ta shtrijnë në tokë dhe ta prangosin. Në video shihet gjithashtu vajza e saj e mitur, duke qarë.

    Senatori demokrat i Kalifornisë, Scott Weiner, kritikoi incidentin duke thënë se veprimet e oficerëve federalë shkaktojnë “terror dhe kaos”. Kryetari i bashkisë së San Franciskos, Daniel Leury, e përshkroi gjithashtu arrestimin si “shqetësues”. Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr ICE, konfirmoi se Angelina Lopez-Jimenez dhe Wendy Godinez-Lopez u arrestuan për shkelje të ligjit të imigracionit, pasi familjes i ishte lëshuar urdhër largimi për t’u kthyer në Guatemalë që nga viti 2019.

    Përfaqësuesja demokrate, Doris Matsui, tha se gruaja e arrestuar jeton në Sacramento dhe e përshkroi atë si “një fqinje dhe anëtare të komunitetit tonë”. Veprimet e ICE-së, pjesë e politikave anti-imigracion të ish-presidentit Donald Trump, janë dënuar gjerësisht nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët argumentojnë se operacioni shkel të drejtat e procesit ligjor dhe ka krijuar një mjedis të pasigurt, veçanërisht për pakicat etnike. Trump ka pretenduar se veprimet e tij synojnë përmirësimin e sigurisë dhe uljen e imigracionit të paligjshëm. Autoritetet e aeroportit njoftuan se nuk ishin të përfshira dhe e përshkruan incidentin si “të izoluar”. Saka, aeroporti vazhdoi normalisht pa ndikim me fluturimet dhe proceset e hipjes në bord të pasagjerëve. Policia e San Franciskos gjithashtu bëri të ditur se nuk ka pasur përfshirje në incident.

  • Heshti për përplasjet me Kurtin e çështjen e rikandidimit të saj, Peci shihet me Osmanin në Mitrovicë

    Heshti për përplasjet me Kurtin e çështjen e rikandidimit të saj, Peci shihet me Osmanin në Mitrovicë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron sot për një vizitë në qytetin e Mitrovicës.

    Në pamjet e publikuara nga mediat, Osmani atje është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Pecin.

    Ky takim i Osmanit me Pecin vjen pas një përudhe përplasjesh që Osmani ka pasur me Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e moskandidimit për presidente, tema këto për të cilat Peci s’ka folur fare.

    Peci aktualisht është bashkëkryetar në partinë GUXO bashkë me Donika Gërvallën. Të dy kanë trashëguar partinë e themeluar nga Osmani.

  • Osmani i drejtohet Kushtetueses për KQZ-në

    Osmani i drejtohet Kushtetueses për KQZ-në

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.

    Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është për shkak se partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që parasheh Kushtetuta.

    Prandaj ajo ka ndërmarrë një hap të tillë.

    “Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.

    Këtë muaj Osmani ka kërkuar nga partitë politike propozimet e tyre që të dërgohen në Presidencë brenda afateve ligjore për përbërjen e re të KQZ-së

    Sipas ligjit, Presidentja i kërkon subjekteve parlamentare nominimet për anëtarët e KQZ-së pas certifikimit të Kuvendit. Ndërkaq, partitë kanë një afat të caktuar për të dërguar propozimet e tyre.

    PDK-së, si partia e dytë më e madhe në Parlament, i është kërkuar propozimi i dy anëtarëve, ndërsa i është dhënë vetëm një.

    Për këtë çështje, PDK ka paralajmëruar konferencë për media nga ora 14:00.

    Neni 139 i Kushtetutës thotë: Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha und të emërojnë anëtarë shtesë. Një (1) anëtarë emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

  • Çfarë ndodh me njeriun kur goditet nga rrufeja

    Çfarë ndodh me njeriun kur goditet nga rrufeja

    Goditja nga rrufeja është një nga përvojat më ekstreme që mund të përjetojë trupi i njeriut. Edhe pse shumë e rrallë, ajo mund të shkaktojë pasoja të rënda fizike dhe psikologjike – dhe mënyra si përjetohet ndryshon shumë nga një person te tjetri.

    Një rast i pazakontë është ai i Gary Reynolds, një punëtor amerikan që është goditur nga rrufeja plot katër herë. Ai thotë se, megjithëse duket i njëjti nga jashtë, “nga brenda ndihet si një person krejt tjetër”.

    Goditja e parë ndodhi në vitin 2007, kur ai po merrte një pije nga frigoriferi në garazhin e shtëpisë. Pas saj, ai mbeti për muaj të tërë i paaftë për të lëvizur për shkak të dhimbjeve të forta. Por dëmet nuk ishin vetëm fizike – ai filloi të kishte vështirësi në përqendrim dhe në kryerjen e detyrave të thjeshta.

    Më vonë u diagnostikua me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD). Vetëm 11 muaj pas incidentit të parë, ai u godit sërish – një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë. Këtë herë përshkroi një dhimbje të fortë koke dhe një ndjesi rryme që i kaloi nëpër dorë, e cila u skuq menjëherë.

    Për shkak të kostove të larta mjekësore nga hera e parë, ai nuk arriti të marrë trajtimin e duhur, dhe gjendja e tij u përkeqësua: marramendje, dobësi në duar dhe vështirësi në punë.

    Pasojat prekën edhe jetën personale – martesa e tij përfundoi, ndërsa ai u detyrua të shpërngulet dhe të nisë nga e para. Megjithatë, rrufeja e goditi përsëri në vitin 2016 dhe sërish në 2022, madje edhe brenda shtëpisë së tij.

    Si e përjeton trupi goditjen nga rrufeja?

    Rrufeja mund të përçojë mijëra volt energji në një çast të vetëm. Pasojat përfshijnë:

    djegie të rënda

    dëmtime të sistemit nervor

    probleme me kujtesën dhe përqendrimin

    çrregullime psikologjike si ankthi dhe PTSD

    Disa të mbijetuar përshkruajnë dhimbje të padurueshme, ndërsa të tjerë thonë se adrenalina e maskon ndjesinë në momentin e goditjes.

    Pasojat afatgjata

    Në shumë raste, dëmet më të mëdha shfaqen më vonë. Disa persona mbeten me:

    dëmtime kronike të nervave

    paaftësi për të ndjerë temperaturën apo dhimbjen

    lodhje ekstreme dhe harresë

    Një i mbijetuar tjetër raportoi se nuk mund të ndiente më nxehtësinë apo të ftohtin, ndërsa një grua tjetër humbi aftësinë për të djersitur dhe vuan nga lodhje e vazhdueshme dhe probleme me kujtesën.

    Megjithatë, ka edhe raste të rralla ku njerëzit raportojnë përmirësime të çuditshme, si shikim më i mirë apo shërim nga dëmtime të mëparshme.

    Sa shpesh ndodh?

    Çdo vit në botë rreth 240,000 njerëz lëndohen nga rrufeja, dhe rreth 10% e tyre humbin jetën. Në Mbretërinë e Bashkuar raportohen 30–60 raste në vit, ndërsa në SHBA qindra persona goditen çdo vit.

    Rreziku është më i lartë për ata që kalojnë shumë kohë jashtë – si alpinistët, peshkatarët apo golfistët.

    Një përvojë që ndryshon jetën

    Shumë të mbijetuar thonë se përvoja nuk është vetëm fizike, por edhe thellësisht psikologjike. Disa përballen me trauma të vazhdueshme, ndërsa të tjerë përpiqen të gjejnë kuptim në atë që u ka ndodhur.

    Pavarësisht dallimeve, një gjë është e qartë: goditja nga rrufeja nuk është vetëm një moment – është një ngjarje që mund të ndryshojë jetën përgjithmonë.

  • Haradinaj rrëfen momentet në Betejën e Gllogjanit: I mora katër plagë, edhe sot shihen

    Haradinaj rrëfen momentet në Betejën e Gllogjanit: I mora katër plagë, edhe sot shihen

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar momentin e plagosjes së tij nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

    Në emisionin “Histori e patreguar”, Haradinaj tha se policin serb e kishte ngatërruar me babanë e tij, pasi luftimet ishin intensive në Gllogjan dhe si pasojë e tymit, të shihje ishte paska e vështirë.

    “Ka mundur të ishte kah mesdita, ndoshta nga ora 13:00. Si patëm ardh ne këtu, jam plagos sepse luftimet kanë qenë shumë intensive, dhe në një dritare përballë, kur gjujshin, kishte edhe tym shpesh, nuk ka qenë shikimi aq i mirë. Babën e kam pasur në shtëpinë përballë, dhe unë t’u mendu që baba, ai kish qenë i Serbisë, polic”, u shpreh Haradinaj.

    “Unë po ia bëj, o plak unë jam, ai po ma fut [në dorrë], dhe ka ma heq dorën prej kontrolli. Dhe me gjithë këto që ndodhën, unë thosha mos gjuaj se jam unë, Ramushi. Nuk u shihke. Kur ia ka fut edhe të dytën herë, e kam pa, por ka qenë pak vonë, sepse më kapi në kukë. Mi ka bërë katër plagë hyrëse, ende i kam ato plagë dhe shihen ende”, tha ai.

  • Plani gjerman për satelitë ushtarakë ndez alarm te BE-ja

    Plani gjerman për satelitë ushtarakë ndez alarm te BE-ja

    Planet e Gjermanisë për një rrjet satelitor ushtarak me vlerë 10 miliardë euro, i pavarur nga projekti europian IRIS², po shqetësojnë disa ligjëvënës të BE-së për fragmentim dhe kosto të dyfishtë.

    Gjermania planifikon 100 satelitë në orbitë të ulët vetëm për përdorim ushtarak, ndërsa IRIS² synon 290 satelitë deri në 2029 për një sistem të unifikuar komunikimi hapësinor.

    Analistët thonë se teknologjia e Gjermanisë ngjason me platformën Starshield të Elon Musk, e përdorur në Ukrainë.

    Zëdhënësi gjerman tha se sistemi kombëtar plotëson nevojat unike të ushtrisë dhe mund të koordinohet me IRIS² kur është e nevojshme, por parametrat e tij janë “krejtësisht të ndryshëm” nga projekti europian, raporton Reuters.

  • Zbulohen specifikat e Samsung Galaxy Z Fold8

    Zbulohen specifikat e Samsung Galaxy Z Fold8

    Samsung pritet të lansojë Galaxy Z Fold8 këtë verë, me shumë mundësi në korrik, rreth një vit pas paraardhësit të tij.

    Sot, një rrjedhje e re informacioni nga një informator në X pretendon të sjellë një listë të specifikimeve më të rëndësishme të Fold8, transmeton Telegrafi.

    Duhet të ketë një ekran të palosshëm 8 inç, një ekran të mbuluar 6.5 inç (të dyja me shpejtësi rifreskimi 120Hz), UTG me dy shtresa për ekranin e palosshëm, një pllakë mbështetëse metalike të ekranit të shpuar me laser dhe Snapdragon 8 Elite Gen 5 për Galaxy në krye.

    Telefoni do të vijë me një kamerë kryesore 200MP duke përdorur një sensor të tipit 1/1.3″, një kamerë ultra të gjerë 50MP dhe një kamerë telefoto 10MP me zmadhim optik 3x.

    Do të ketë gjithashtu një dhomë avulli për ftohje dhe një bateri 5,000 mAh me mbështetje për karikim me kabllo 45W. Fold8 do të ofrohet me 12/16GB RAM dhe 256GB/512GB/1TB hapësirë ruajtjeje, dhe do të jetë më i hollë dhe më i lehtë se paraardhësi i tij.

    Kemi dëgjuar tashmë për baterinë më të madhe, por një thashethem i mëparshëm pretendonte gjithashtu se kamera telefoto do të merrte një përmirësim krahasuar me Fold7, gjë që ky thashethem e kundërshton.

    Natyrisht, nuk mund të jemi të sigurt se cili thashethem është i saktë për këtë çështje, prandaj merrni të gjitha këto me një dozë të shëndetshme rezervë.

  • Si spitalet turke ndërtojnë besimin online para se pacientët të udhëtojnë

    Si spitalet turke ndërtojnë besimin online para se pacientët të udhëtojnë

    Kjo analizë nga Pikasa Analytics, e bazuar në platformën e saj të avancuar për monitorim mediatik dhe social listening, Analytics.Live, shqyrton mënyrën se si spitalet private në Turqi ndërtojnë besim në tregun konkurrues të turizmit mjekësor. Duke ndjekur performancën digjitale në media dhe rrjete sociale, identifikohen trendet kryesore në kirurgjinë estetike, përvojën e pacientëve dhe komunikimin shëndetësor. Gjetjet tregojnë se si spitalet kryesore pozicionojnë ekspertizën e tyre, tërheqin pacientë ndërkombëtarë dhe rrisin dukshmërinë globale përmes strategjive të bazuara në të dhëna.

    Në një treg gjithnjë e më konkurrues të turizmit mjekësor, besimi është bërë faktor vendimtar në zgjedhjen e pacientëve. Para se të marrin vendime për trajtim jashtë vendit, pacientët potencialë mbështeten fuqishëm në sinjale digjitale, nga mbulimi mediatik deri te prania në rrjetet sociale, për të vlerësuar kredibilitetin, ekspertizën dhe cilësinë e shërbimit. Spitalet private turke kanë zhvilluar një qasje komunikimi multi-kanalëshe për të ndërtuar këtë besim shumë përpara kontaktit të drejtpërdrejtë me pacientin.

    Analiza shqyrton mënyrën se si këto spitale ndërtojnë dhe komunikojnë besimin në mjedise të ndryshme digjitale, duke u fokusuar në ndërveprimin midis kanaleve të tyre (rrjetet sociale) dhe mediave (lajmet). Duke analizuar strategjitë e përmbajtjes, mënyrën e narrativës dhe angazhimin e audiencës, identifikohen modelet që ndikojnë më shumë në perceptim dhe në pozicionimin e spitaleve si destinacione të besueshme për pacientët ndërkombëtarë.

    Spitalet private në Turqi kanë një prani të qëndrueshme si në media tradicionale ashtu edhe në rrjetet sociale, por natyra e përmbajtjes ndryshon ndjeshëm. Në rrjetet sociale, komunikimi është më i kontrolluar dhe proaktiv, duke u fokusuar në edukimin shëndetësor, prezantimin e ekspertizës dhe promovimin e shërbimeve. Qëllimi është ndërtimi i besueshmërisë afatgjatë dhe transparencës.

    Në media, përmbajtja është më selektive dhe e orientuar drejt ngjarjeve me ndikim, si procedura komplekse, raste me figura publike apo zhvillime me interes të gjerë. Kjo krijon një narrativë të bazuar në rëndësi dhe interes publik, jo në komunikim të vazhdueshëm institucional.

    Facebook ndërton ndërgjegjësim, Instagram ndërton angazhim

    Facebook shërben si kanali kryesor për informim dhe vazhdimësi, duke përbërë 43% të të gjitha postimeve në rrjetet sociale. Spitalet e përdorin atë për të shpërndarë përditësime të rregullta, këshilla shëndetësore, njoftime për mjekë dhe lajme institucionale, duke e pozicionuar platformën si një hapësirë për komunikim të qëndrueshëm dhe informues. Ndër spitalet më aktive në Facebook janë Medipol Mega University Hospital, Acıbadem Healthcare Group dhe Memorial Hospitals Group.

    Instagram, nga ana tjetër, tregon performancë më të lartë në reagimin e audiencës, duke gjeneruar 60% të ndërveprimeve totale. Forca e tij qëndron në përmbajtjen më vizuale dhe tërheqëse, veçanërisht postimet që përfshijnë mjekë, trajtime, ambiente spitalore dhe histori rikuperimi të pacientëve. Në këtë platformë, Koç University Hospital, Medipol Mega University Hospital dhe Acıbadem Healthcare Group dallohen për aftësinë e tyre për të gjeneruar ndërveprim më të lartë.

    Në përgjithësi, të dhënat tregojnë një dinamikë të qartë mes platformave: Facebook përdoret kryesisht për informim dhe ruajtje të dukshmërisë, ndërsa Instagram është më efektiv në gjenerimin e angazhimit dhe forcimin e lidhjes me audiencën.

    Rrjetët sociale më të përdorura nga spitalet private

    Top 3 spitalet private më aktive në Facebook

    Top 3 spitalet private më aktive në Instagram

    Nga ekspertiza te titujt: spitalet kundrejt mediave

    Trajtimet mjekësore shfaqen si kategoria më dominuese e përmbajtjes si në komunikimin në rrjetet sociale ashtu edhe në mbulimin mediatik të spitaleve private në Turqi, duke theksuar rolin e tyre qendror në formësimin e perceptimit publik dhe besimit. Në rrjetet sociale, 54.2% e të gjitha postimeve janë të fokusuara në trajtime dhe terapi, ku trajtimet ortopedike kryesojnë (96 postime), të ndjekura nga kirurgjia estetike (37) dhe trajtimet e kancerit (32). Kjo përmbajtje zakonisht prezantohet përmes shpjegimeve nga ekspertët, formateve edukative dhe narrativave të rikuperimit të pacientëve, duke u mundësuar spitaleve të thjeshtojnë procedurat komplekse dhe të pozicionohen si burime të besueshme dhe autoritare të ekspertizës mjekësore.

    Në mbulimin mediatik, theksi mbi trajtimet është edhe më i theksuar, por më selektiv në natyrë. Nga një volum relativisht i kufizuar i artikujve që lidhen me spitalet (59 artikuj në shkurt), 66.1% fokusohen në procedura mjekësore. Temat më të trajtuara përfshijnë transplantet e organeve (11 artikuj), transplantet e mëlçisë (6) dhe trajtimet e kancerit (4). Ndryshe nga rrjetet sociale, ku qëllimi është edukimi dhe angazhimi i vazhdueshëm, mediat priren të prioritizojnë procedura me ndikim të lartë, komplekse dhe shpesh shpëtuese për jetën. Këto raste mbartin vlerë më të madhe lajmore dhe interes publik, duke forcuar perceptimin e spitaleve si qendra të kujdesit të avancuar dhe të specializuar.

    Këshillat shëndetësore në rrjete sociale, dramat në media

    Një dallim tjetër midis komunikimit të spitaleve dhe mbulimit mediatik vërehet në trajtimin e përmbajtjes për kujdesin shëndetësor parandalues. Në rrjetet sociale, fushatat për ndërgjegjësim shëndetësor përfaqësojnë kategorinë më të spikatur të përmbajtjes, duke gjeneruar 421 postime dhe mbi 31 mijë ndërveprime. Kjo përmbajtje zakonisht përqendrohet në udhëzime praktike për shëndetin e përditshëm, duke përfshirë këshilla për ushqyerjen, parandalimin e sëmundjeve, rekomandime për stilin e jetesës dhe shpjegime të thjeshtuara për gjendje të zakonshme mjekësore. Përmes kësaj qasjeje, spitalet pozicionohen si burime të vazhdueshme vlere, duke mbështetur edukimin e audiencës dhe angazhimin afatgjatë.

    Në të kundërt, temat e shëndetit parandalues marrin shumë pak vëmendje në mediat tradicionale. Vetëm 12 artikuj i referohen temave të ngjashme, duke gjeneruar angazhim të papërfillshëm. Ky hendek pasqyron një ndryshim thelbësor në logjikën e përmbajtjes: ndërsa rrjetet sociale favorizojnë informacion të qasshëm dhe praktik që audienca mund ta zbatojë në jetën e përditshme, mediat përqendrohen në histori me vlerë më të lartë lajmore. Si rezultat, kujdesi shëndetësor parandalues mbetet kryesisht i kufizuar në kanalet digjitale të vetë spitaleve, ku relevanca dhe ndikimi i tij janë dukshëm më të forta.

    Rastet me figura publike krijojnë tituj, ekspertiza krijon besim

    Mbulimi mediatik i spitaleve priret të intensifikohet kur ngjarjet mjekësore përfshijnë figura publike ose zhvillime me ndikim të lartë. Në dataset-in e monitoruar, ekspertiza e mjekëve shfaqet në 24 artikuj lajmesh, duke gjeneruar 686 ndërveprime, çka e bën atë temën më të shpeshtë në media. Në këtë kontekst, mjekët pozicionohen kryesisht si zëra autoritarë që interpretojnë ngjarje të mëdha mjekësore, dhe jo si edukatorë që ofrojnë këshilla të përgjithshme shëndetësore.

    Një shembull përfaqësues është operacioni i transplantit të organeve i aktorit Ufuk Özkan, i cili gjeneroi shumë tituj në media. Mbulimi e ndoqi rastin në faza të ndryshme, nga njoftimi i procedurës deri te përditësimet mbi rikuperimin, duke treguar se si historitë shëndetësore të personave të njohur mund të rrisin shpejt dukshmërinë e spitaleve në media.
    Në të kundërt, rrjetet sociale pasqyrojnë një përdorim më të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt edukimit të ekspertizës mjekësore. Spitalet i paraqesin rregullisht mjekët si specialistë të qasshëm, duke shpjeguar trajtimet, gjendjet dhe procedurat drejtpërdrejt për audiencën. Përmbajtja që lidhet me ekspertizën e mjekëve ka gjeneruar 399 postime dhe mbi 14.7 mijë ndërveprime, duke u bërë një nga kategoritë më efektive dhe më të angazhuara në kanalet e spitaleve. Kjo thekson një dallim të qartë: mediat përdorin ekspertizën për të interpretuar ngjarje të mëdha, ndërsa rrjetet sociale e përdorin atë për të ndërtuar besim dhe kredibilitet në mënyrë të vazhdueshme.

    Spitalet tregojnë rezultate, media tregon histori

    Historitë e pacientëve përfaqësojnë një pikë kyçe të përbashkët midis komunikimit të spitaleve dhe mbulimit mediatik, duke shërbyer si një faktor i fuqishëm për rritjen e dukshmërisë në të dy kanalet. Në media, 7 artikuj janë fokusuar në dëshmi të pacientëve dhe rezultate të trajtimeve, duke gjeneruar gjithsej 18 ndërveprime. Edhe pse në numër të kufizuar, këto histori zakonisht përzgjidhen për forcën e tyre narrative, shpesh duke përfshirë procedura komplekse, gjendje të rralla ose rrugëtime të rëndësishme rikuperimi që rrisin vlerën e tyre lajmore.
    Në rrjetet sociale, përmbajtja e lidhur me pacientët është më e shpeshtë dhe gjeneron ndërveprim më të lartë. Dëshmitë e pacientëve përbëjnë 30 postime dhe 847 ndërveprime, ndërsa historitë “para dhe pas” shfaqen në 6 postime, duke gjeneruar 402 ndërveprime. Këto narrativa zakonisht prezantohen si rrugëtime rikuperimi, duke theksuar përmirësimet në lëvizshmëri, shëndet dhe cilësinë e përgjithshme të jetës, duke i bërë ato të afërta dhe me ndikim për audiencën.
    Dallimi qëndron në mënyrën e paraqitjes: spitalet theksojnë suksesin klinik, ekspertizën mjekësore dhe rezultatet pozitive, duke i pozicionuar këto histori si dëshmi të aftësisë dhe besueshmërisë. Në të kundërt, mediat fokusohen më shumë në dimensionin njerëzor, duke amplifikuar aspektet emocionale dhe narrative të përvojave të pacientëve.

    Mbulimi sipas llojit të përmbajtjes (në përqindje)

    Media (mbulimi në lajme)

    Rrjetet sociale

    Përmbajtja në anglisht si strategji ndërkombëtare

    Një pjesë më e vogël, por strategjikisht e rëndësishme e komunikimit të spitaleve është e drejtuar ndaj audiencës ndërkombëtare. 12.6% e të gjitha postimeve në rrjetet sociale publikohen në anglisht, duke treguar një përpjekje të qëllimshme për të arritur pacientë përtej tregut vendas. Kjo përmbajtje zakonisht thekson trajtimet, ekspertizën mjekësore dhe kapacitetet spitalore në një format të qasshëm dhe të përshtatshëm për audiencën ndërkombëtare. Përmes kësaj qasjeje dygjuhësore, spitalet zgjerojnë dukshmërinë e tyre dhe pozicionohen në peizazhin global të kujdesit shëndetësor, në përputhje me objektivin e tyre më të gjerë për të tërhequr turizmin mjekësor.

    Përfundimi: Besimi udhëton para pacientëve

    Të dhënat tregojnë se spitalet private në Turqi i përdorin rrjetet sociale kryesisht si një mjet për ndërtimin e besueshmërisë, dhe jo për promovim të drejtpërdrejtë. Përmbajtja përqendrohet kryesisht në ndërgjegjësimin shëndetësor, ekspertizën e mjekëve dhe shpjegimin e trajtimeve, duke u mundësuar spitaleve të pozicionohen si aktorë të besueshëm dhe autoritarë në hapësirën e shëndetit publik. Kjo qasje e qëndrueshme dhe e orientuar drejt edukimit mbështet zhvillimin gradual të besimit te pacientët potencialë.

    Në të njëjtën kohë, mediat luajnë një rol plotësues duke amplifikuar ngjarje mjekësore me ndikim të lartë, përfshirë procedura komplekse dhe raste shëndetësore të personave të njohur, të cilat gjenerojnë dukshmëri më të gjerë publike. Së bashku, këto dy ekosisteme komunikimi funksionojnë në sinergji: rrjetet sociale ndërtojnë besim afatgjatë përmes ekspertizës dhe vazhdimësisë, ndërsa mbulimi mediatik amplifikon momentet kyçe që tërheqin vëmendjen dhe forcojnë kredibilitetin institucional.

    Në përgjithësi, gjetjet sugjerojnë se spitalet private turke kanë zhvilluar një model të balancuar komunikimi, ku besimi ndërtohet gradualisht përmes përmbajtjes së vazhdueshme dhe edukative, ndërsa dukshmëria rritet përmes mbulimit mediatik me ndikim të lartë. Kjo qasje e dyfishtë u mundëson spitaleve të forcojnë kredibilitetin përpara se pacientët të marrin vendime, duke e pozicionuar praninë digjitale jo thjesht si promovim, por si një bazë strategjike për tërheqjen e kërkesës ndërkombëtare në turizmin mjekësor.