ATV

Blog

  • Dogana e Kosovës ndër 10 vendet më të suksesshme në operacionin “STOP IV”

    Dogana e Kosovës ndër 10 vendet më të suksesshme në operacionin “STOP IV”

    Dogana e Kosovës po merr pjesë në Sesionin e 46-të të Komitetit të Zbatimit të Organizata Botërore e Doganave, i cili po zhvillohet në Bruksel.

    Dogana, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ky sesion shërben si platformë kyçe për diskutimin e prioriteteve strategjike dhe operacionale në fushën e zbatimit doganor. Në fokus janë përmirësimi i kornizës rregullative, zhvillimi i instrumenteve moderne të zbatimit, si dhe rritja e përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave në proceset operative.

    Pos tjerash, në njoftim theksohet se kontributi i Doganës së Kosovës në këtë kuadër reflektohet edhe në rezultate konkrete.

    “Në operacionin ndërkombëtar “STOP IV” të Organizata Botërore e Doganave, Kosova është renditur e 7-ta nga 119 shtete pjesëmarrëse, në luftën kundër mallrave të falsifikuara. Ky pozicionim nënvizon përkushtimin institucional dhe kapacitetet profesionale në zbatimin efektiv të ligjit dhe mbrojtjen e tregut”, thuhet në njoftim.

    Pjesëmarrja aktive në këto mekanizma ndërkombëtarë konfirmon rolin e Doganës së Kosovës si një partnere e besueshme dhe kontribuese në kuadër të Organizata Botërore e Doganave, e angazhuar në avancimin e standardeve doganore dhe në forcimin e bashkëpunimit global kundër aktiviteteve të paligjshme.

    I themeluar në vitin 1983, Komiteti i Zbatimit mbetet një nga organet më të rëndësishme statutore të organizatës.

  • Si i ndau Durmishi rreth 19 milionë euro në orët e fundit si Ministër? U shpërblyen edhe dostat e tij

    Si i ndau Durmishi rreth 19 milionë euro në orët e fundit si Ministër? U shpërblyen edhe dostat e tij

    Disa orë para se të votohej Qeveria Kurti 3, Ministria e Infrastrukturës ka dhënë tetë kontrata milionëshe për mirëmbajtje të rrugëve nacionale dhe rajonale nga tenderi 35 milionësh. Lotet tjera kanë përfunduar në OSHP. Në mesin e përfituesve janë edhe kompanitë e familjes Shabani, me të cilat ish-Ministrin Hysen Durmishi, e lidh dostllëku. Kompanitë e kësaj familje janë rekomanduar për kontratë edhe për tenderin 16 milionësh për autostradat, për të cilin janë ngritur dyshime për konflikt interesi, favorizim e caktim të fituesve paraprakisht.

    Në orët e fundit si ushtrues detyre i Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka ndarë rreth 19 milionë euro për mirëmbajtje të rrugëve.

    Më 10 shkurt 2026, tetë kompani/ grupe të operatorëve ekonomik janë shpërblyer me kontrata milionëshe për mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale, për tri vitet e ardhshme. Një ditë më pas, në Kuvendin e Kosovës u votua Qeveria Kurti 3, ku drejtimi i kësaj Ministrie për katër vitet e ardhshme iu besua Dimal Bashës.

    Shtatë lotë tjera kanë përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesave të dorëzuara. Për këtë tender me vlerë të parashikuar prej 35 milionë e 500 mijë euro, janë dorëzuar mbi 90 oferta.

    Kontratat e dhëna janë për këto lote: Ferizaj 1: Grup i Operatorëve Ekonomik VIA; EUROTITAN SH.P.K.; A.L-ASFALT shpk – vlera e parashikuar 2,400,000.00 €; Gjakova 1: Lika Trade” Sh.p.k – vlera e parashikuar 2,340,000.00 €; Gjilan 1: Grup i Operatorëve Ekonomik EL-BAU SH.P.K.; EING COM SH.P.K – vlera e parashikuar 2,380,000.00 €; Gjilan 2: Grup i Operatorëve Ekonomik Dio Bes SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K.; Zahiri SH.P.K.; AVAG GROUP SH.P.K – 2,160,000.00 €; Mitrovica 1: Arbotec SH.P.K – 2,880,000.00 €; Mitrovica 2: Grup i Operatorëve Ekonomik NNT ABC SH.P.K.; B CORP SH.P.K – 2,510,000.00 €; Peja 2: Granit SH.P.K – 2,050,000.00 €; Prizren 1: Grup i Operatorëve Ekonomik Famis CO – HC SH.A.; NexBuild Co L.L.C – 2,290,000.00€.

    Njoftimi për nënshkrimin e tyre nuk është publikuar ende në e-Prokurim.

    Në OSHP ndërkohë kanë përfunduar të tri lotet për mirëmbajtjen e rrugëve të Prishtinës, dhe nga njëri lot për Prizrenin, Prishtinën, Ferizajn, Pejën dhe Gjakovën.

    Në tenderin e MI’së, kontrata kanë fituar edhe kompanitë e familjes Shabani – Bageri SH.P.K dhe Dio Bes SH.P.K, të lidhura me ish-ministrin Hysen Durmishi.

    “Dio Bes SH.P.K” i është dhënë kontrata me vlerë të parashikuar 2 milionë e 160 mijë euro për Lot 6, teksa “Bageri SH.P.K” është rekomanduar për kontratë për Lot 13, me vlerë të parashikuar 2 milionë e 370 mijë euro, një prej loteve në OSHP.

    Këto dy kompani janë rekomanduar për kontrata edhe në tenderin tjetër 16 milionësh të MI’së për mirëmbajtje të autostradave, poashtu për tri vitet e ardhshme.

    Reporteri.net i ka dërguar pyetje Durmishit nëse ka ushtruar ndikim që këtyre kompanive t’u jepen kontrata dhe nëse kjo përbën konfikt interesi, mirëpo i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve.

    As Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur për këtë çështje, pavarësisht se pyetjet i janë ridërguar disa herë.

    Këto dy kompani janë rekomanduar për kontrata edhe në tenderin tjetër 16 milionësh të MI’së për mirëmbajtje të autostradave, poashtu për tri vitet e ardhshme.

    Reporteri.net i ka dërguar pyetje Durmishit nëse ka ushtruar ndikim që këtyre kompanive t’u jepen kontrata dhe nëse kjo përbën konfikt interesi, mirëpo i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve.

    As Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur për këtë çështje, pavarësisht se pyetjet i janë ridërguar disa herë.

    Dostllëk mbi 20 vjet – cila është lidhja e Durmishit me familjen Shabani?

    Kompania “Bageri SH.P.K”, është e njohur për përfitim të kontratave nga Ministria e Infrastrukturës.

    Deri në fund të vitit të kaluar, kjo kompani ishte e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në emër të Bujar Shabanit, ndërsa tash figuron në emër të djalit të tij, Leutrim Shabanit.

    Vetë Durmishi ka deklaruar se me Bujarin ndan një shoqëri mbi 20-vjeçare. Madje, e kishte konfirmuar se të njëjtin edhe e kishte këshilluar për punën e tij. Kishte mohuar se ka punuar ndonjëherë në kompaninë e tij.

    “Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë”, kishte deklaruar Durmishi.

    Durmishi kishte përfunduar edhe në Prokurori, pikërisht për një kontratë që e kishte nënshkruar me këtë kompani për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, saktësisht LOT 2.

    Ai kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Prokuroria Speciale e kishte ftuar të njëjtin për intervistim në maj të vitit 2024, në cilësinë e të pandehurit.

    Ai e kishte mohuar se ka pasur ndikim që kontratën ta fitojë kompania e shokut të tij.

    “Asnjë ndikim nuk e kam pasur asnëjherë dhe nuk do ta kem kurrë për asnjë kompani, e as për kompaninë ‘Bageri’. Në plot tendera ka marrë pjesë kompania ‘Bageri’ dhe nuk ka fitu. Mirëpo, që unë kam deklaru publikisht që e njoh pronarin, qysh i njoh shumicën e kompanive në Kosovë”, kishte deklaruar Durmishi në korrik të vitit 2023.

    Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar me 15 mijë euro gjobë Bujar Shabanin, për “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

    Dy muaj më pas, më 15 janar të vitit 2025, i njëjti e ka shuar si biznes idividual kompaninë “N.P.SH.”Bageri”. Po atë ditë, ishte regjistuar biznesi i ri “Bageri SH.P.K.”, si shoqëri aksionare me 100% të kapitalit të regjistuar në emër të djalit të tij, Leutrim Shabanit.

    Kompania tjetër “Dio Bes” SH.P.K figuron në emër të Xhelal Shabanit, që sipas raportimeve është vëllai i Bujarit.

    Ankesa për “Bagerin” në OSHP: “Vuri në lajthitje ministrinë – prezantoi të dhëna të rrejshme”

    Një prej ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, është për Lot 13, për të cilin është rekomanduar kompania “Bageri”.

    Në ankesën e “DAMASTION PROJECT” SH.P.K, pretendohet se kjo kompani ka vënë në lajthitje Ministrinë dhe se ka prezantuar të dhëna të rrejshme, duke kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim.

    “Oferta e rekomanduar për kontratë e OE “BAGERI” SH.P.K. për Lot 13 – Prishtina 3, është ofertë me “centa” nëpër pozicione të paramasës duke e vënë në lajthitje AK me çmim më të ulët përballë ofertuesve tjerë”, thuhet në ankesë.

    Aty pretendohet edhe se “Bageri” SH.P.K. ka paraqitur të dhëna të rrejshme në Referencën e lëshuar për Menaxherin e Projektit, Shefqet Uruqi, dhe se do të duhej eliminuar.

    “Në procesverbalin e bashkangjitur të Pranimit Teknik, në faqen nr.4, pika 2.3, komisioni për pranim teknik ka konstatuar se Menaxher i këtij Projekti nga kontraktori ka qenë i angazhuar z.Fatbardh Jakupi dhe JO z.Shefqet Uruqi për të cilin është lëshuar Referencë me të dhëna të rrejshme nga punëdhënësi NPSH “Bageri””, thuhet në ankesë.

    Tutje në ankesë thuhet se kjo kompani nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike të detyrueshme, si dhe se plani i shpërndarjes së kripës mungon në tërësi.

    “OE fitues “Bageri” SH.P.K. nuk i ka përfshi në plan të intervenimit 259.52km, totalin e rrugëve efektive të regjionit Prishtina 3, siç është përcaktuar në kriter të DT: “Koha e llogaritur nga baza e mirëmbajtjes që është paraqitur për Lot, për secilën rrugë të regjionit”, thuhet në dokument.

    Të gjitha këto pretendime, eksperti shqyrtues Ilir Halili, i ka vlerësuar si të pabazuara, duke rekomanduar që të mbetet në fuqi vendimi i Ministrisë.

    “…eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues refuzohet si e pabazuar dhe të mbetet në fuqi vendimi i AK”, thuhet në ekspertizën e dorëzuar më 25 shkurt.

    Ky tender në vlerë rreth 16 milionë euro, ka përfunduar poashtu në OSHP, mes dyshimeve për konflikt interesi, favorizime dhe caktim të fituesve paraprakisht.

    OSHP ende s’ka dalë me vendim, ndërkohë që eksperti shqyrtues ka rekomanduar që një prej loteve të kthehet në rivlerësim.

  • Çfarë duhet të dini përpara se të merrni pjesë në turneun “Little Miss Drama” të Cardi B

    Çfarë duhet të dini përpara se të merrni pjesë në turneun “Little Miss Drama” të Cardi B

    Cardi B po zhvillon turneun e saj “Little Miss Drama Tour 2026” në Amerikën e Veriut, i cili është bërë një nga performancat live më të suksesshme të vitit, duke promovuar albumin “Am I the Drama?”.

    Turneu nisi më 11 shkurt në Kaliforni dhe do të zgjasë deri në mes të prillit, duke përfunduar me koncerte në Atlanta.

    Shfaqjet karakterizohen nga energji e lartë, koreografi, performanca live dhe ndërrime të shumta veshjesh, duke krijuar një eksperiencë vizuale dhe artistike të veçantë.

    Disa nga datat më të kërkuara përfshijnë:

    25–26 mars në Madison Square Garden (New York)

    30 mars në Toronto

    2 prill në Boston

    Po ashtu, ndalesa të rëndësishme janë Washington D.C. dhe Miami, përpara mbylljes së turneut në Atlanta më 17-18 prill.

    Për fansat, përvoja nuk është vetëm koncerti, por edhe atmosfera përreth.

    Këshillohet:

    Veshje komode por tërheqëse dhe me stil

    Grim i guximshëm (me shkëlqim)

    Aksesorë që bien në sy

    Të arrini herët për të shijuar gjithë eventin nga fillimi

    Në përgjithësi, ky turne ka mbajtur interes të lartë dhe ka ofruar performanca të qëndrueshme gjatë gjithë rrugëtimit.

  • Si t’i rrisni flokët më shpejt?! Këshilla që funksionojnë vërtet

    Si t’i rrisni flokët më shpejt?! Këshilla që funksionojnë vërtet

    Eshtë e vërtetë që, sado popullor të jetë bërë vitet e fundit trendi i prerjes bob, flokët e gjatëvazhdojnë të jenë një nga dëshirat më të mëdha për shumë vajza.

    Jo vetëm që duken elegantë dhe femërorë, por ofrojnë edhe shumë më tepër mundësi për modele dhe stilime të ndryshme flokësh.

    Nëse jeni duke u përpjekur t’i rrisni flokët, ka disa këshilla të thjeshta që mund të bëjnë diferencën.

    Mbani një dietë të ekuilibruar

    Edhe pse mund të duket si një këshillë e zakonshme, ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin dhe rritjen e flokëve.

    Flokët kanë nevojë për vitamina, proteina dhe minerale për t’u rritur të fortë dhe të shëndetshëm.

    Për këtë arsye, një dietë e balancuar është një nga faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e flokëve.

    Edhe nëse ushqeheni mirë, duhet të keni parasysh se faktorë të tjerë si stresi apo çekuilibrat hormonalë mund të ngadalësojnë rritjen e tyre.

    Kujdesuni për skalpin e kokës

    Shëndeti i flokëve fillon nga skalpi. Kjo është zona nga e cila dalin dhe rriten flokët, prandaj kujdesi për të është thelbësor.

    Sot ekzistojnë shumë produkte të dedikuara për pastrimin dhe kujdesin e skalpit, si pastrues të veçantë, serume apo maska për flokët.

    Gjithashtu, është e rëndësishme të mos i lani flokët më shpesh seç duhet, pasi larja e tepërt mund të dëmtojë mbrojtjen natyrale të skalpit.

    Shmangni nxehtësinë dhe zbardhjen e shpeshtë

    Një nga faktorët më të rëndësishëm për të mbajtur flokët të shëndetshëm është shmangia e praktikave që i dëmtojnë.

    Përdorimi i shpeshtë i pajisjeve me nxehtësi, si tharësja apo pjastra, si dhe zbardhja e fortë e flokëve mund t’i dobësojnë dhe t’i bëjnë më të brishtë.

    Nëse duhet të përdorni mjete stilimi me nxehtësi, është e domosdoshme të aplikoni më parë një produkt mbrojtës nga nxehtësia për të reduktuar dëmtimet.

    Mos i prisni shpesh flokët (përveç majave)

    Ekziston një mit i përhapur që thotë se flokët rriten më shpejt nëse i prisni shpesh.

    Në realitet, prerja e shpeshtë nuk ndikon në shpejtësinë e rritjes së tyre.

    Megjithatë, është e rëndësishme të shkurtoni rregullisht majat e dëmtuara ose dyshe, pasi kjo ndihmon flokët të duken më të shëndetshëm dhe parandalon dëmtimin e mëtejshëm.

  • “Koha nuk ekziston”, ja kush hapi biznes në moshën 62 vjeçare, kush e zbuloi talentin në moshën 78 dhe kush fitoi çmimin Nobel në moshën 97

    “Koha nuk ekziston”, ja kush hapi biznes në moshën 62 vjeçare, kush e zbuloi talentin në moshën 78 dhe kush fitoi çmimin Nobel në moshën 97

    Debati mbi “kohën e duhur” për të arritur suksesin në jetë vazhdon të mbetet aktual, mes presioneve shoqërore dhe pritshmërive personale. Në emisionin “LIBERO”, u theksua se arritjet nuk lidhen domosdoshmërisht me moshën, duke u sjellë në vëmendje disa histori frymëzuese nga figura të njohura botërore.

    Një ndër shembujt e përmendur ishte Colonel Harland Sanders, i cili themeloi rrjetin e famshëm të ushqimit të shpejtë KFC në moshën 62-vjeçare, duke dëshmuar se sipërmarrja nuk ka kufi kohor. Po ashtu, Grandma Moses zbuloi talentin e saj për pikturë në moshën 78-vjeçare, duke u bërë një nga artistet më të njohura të artit popullor amerikan.

    Historia e Susan Boyle, e cila u bë e famshme në moshën 47-vjeçare përmes Britain’s Got Talent, dhe ajo e Laura Ingalls Wilder, që publikoi librin e saj të parë në moshën 65-vjeçare, u përmendën si dëshmi të tjera se suksesi mund të vijë në çdo fazë të jetës.

    Ndërkohë, shkencëtari John B. Goodenough fitoi Çmimin Nobel në Kimi në moshën 97-vjeçare, duke sfiduar çdo ide mbi kufijtë e moshës në arritjet akademike dhe shkencore.

    Megjithatë, psikologia Ibelinda Halili theksoi se, ndonëse shumë fusha lejojnë zhvillim të vazhdueshëm gjatë jetës, ekzistojnë edhe profesione dhe disiplina që kanë kufizime kohore. Sipas saj, “në disa gjëra – sfera të caktuara – ka afate kohore strikte, ndërsa në disa të tjera ka jetëgjatësi më të madhe”.

    Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth temës: “A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë”?, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Riintegrimi në shoqëri, 38 të dënuar në Dubravë nisin trajnim profesional

    Riintegrimi në shoqëri, 38 të dënuar në Dubravë nisin trajnim profesional

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka filluar një trajnim profesional për të dënuarit, i cili sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, po zhvillohet në katër fusha: metalpunues, instalues i ujit dhe kanalizimit, murator dhe zdrukthëtar.

    “Ky trajnim po organizohet në bashkëpunim me Qendrën për Aftësim Profesional në Pejë dhe synon ngritjen e kapaciteteve profesionale të të dënuarve, si dhe përgatitjen e tyre për riintegrim në shoqëri pas përfundimit të mbajtjes së dënimit”, thotë SHKK-ja.

    Kanë treguar se në këto programe janë regjistruar gjithsej 38 të dënuar, të cilët kanë shprehur interesim për zhvillimin e aftësive të tyre në profesionet përkatëse.

    Programet e trajnimit, thotë SHKK-ja, do të zgjasin tre muaj dhe do të realizohen nga trajnerë të kualifikuar sipas planit të paraparë të trajnimit. Pas përfundimit të trajnimit, kandidatët e suksesshëm do të certifikohen.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në ofrimin e programeve që ndihmojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.

  • AIP u bën thirrje mediave për kujdes gjatë raportimit për ngjarje tragjike

    AIP u bën thirrje mediave për kujdes gjatë raportimit për ngjarje tragjike

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe platformave online që, gjatë raportimit për ngjarje tragjike, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj familjeve të prekura.

    AIP thekson se është thelbësore që në raste të tragjedive, raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Në këto situata të ndjeshme, është thelbësore që raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, duke respektuar privatësinë, dinjitetin dhe dhimbjen e familjarëve. Agjencia thekson se mbrojtja e të dhënave personale është detyrim ligjor dhe moral, veçanërisht në situata të ndjeshme”, njofton AIP.

    Agjencia fton mediat që të veprojnë me ndjeshmëri dhe korrektësi, duke kontribuar në ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe duke treguar solidaritet me familjet në momente të vështira.

    Duke marrë shkas ngjarjet e fundit tragjike në vend, ku brenda një jave nga të shtënat me armë zjarri u vranë pesë persona, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ua ka rikujtuar mediave Kodin e Mediave të Shkruara dhe raportimin për tragjedinë dhe mbrojtjen e privatësisë.

  • Osmani bën homazhe për ushtarët e rënë të NATO’s: Mirënjohje e përhershme

    Osmani bën homazhe për ushtarët e rënë të NATO’s: Mirënjohje e përhershme

    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore dhe memorialit të ushtarëve të rënë të NATO-s në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

    “Në përvjetorin e fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kujtojmë një nga momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne. Më 24 mars 1999, përballë një tragjedie njerëzore nga veprimi gjenocidal i Serbisë, aleanca ushtarake më e fuqishme e botës demokratike ndërmori veprime vendimtare për të ndalur mizorinë e regjimit kriminal. Ky ishte një akt që i dha fund një epoke të errët dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe paqes. “NATO air, just do it” mbetet simbol i thirrjes për veprim në mbrojtje të vlerave universale, një thirrje që u dëgjua dhe u përkthye në vendim dhe përgjegjësi historike. Mirënjohje e përhershme për gra e burra të NATO-s, të cilët qëndruan në anën e drejtë të historisë”, tha ajo.

    Osmani shtoi se kjo ditë rikujton se liria dhe paqja kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm “dhe se, në momentet vendimtare, veprimi është ai që e përcakton historinë”.

  • 27 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Spiropali: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

    27 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Spiropali: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

    Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali iu është bashkuar reagimeve në kuadër të përvjetorit i 27 të ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, duke i dhënë fund luftës në Kosovë.

    Përmes një mesazhi në Facebook, Spiropali theksoi se 24 marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.

    “Më 24 mars 1999, bota demokratike bëri diçka që nuk ndodh shpesh në histori. Vendosi të mos presë më. Bombardoi.
    Kosova po zhbëhej para syve të botës dhe ndërhyrja nuk erdhi si luks i fuqisë, por si detyrim i ndërgjegjes. Ishte momenti kur Perëndimi nuk e mati veten me interes, por me përgjegjësi.

    Dhe pikërisht për këtë arsye, 24 marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.
    Kjo nuk do të thotë se NATO-ja e ka humbur fuqinë.

    Do të thotë se sot e ka më të vështirë ta kthejë fuqinë në vullnet. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia historike e asaj date. Na kujton një kohë kur aleanca nuk pyeti vetëm sa kushton veprimi, por edhe sa kushton mosveprimi.
    Prandaj 24 marsi nuk i përket vetëm kujtesës së Kosovës.

    I përket biografisë morale të NATO-s. Sepse në Kosovë, aleanca nuk mbrojti vetëm një popull. Mbrojti kuptimin e vetes.
    Sot, 27 vjet më pas, kjo datë është krahasim.

    Bota është më e ndarë, vendimet më të ngadalta, ndërhyrja nuk është më refleks, por dilemë. Por 1999 mbetet provë e pashlyeshme: kishte momente kur neutraliteti nuk ishte paqe, por dorëzim.
    Kosova nuk është vetëm histori çlirimi. Është kujtesë për gjithë botën se forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është kërcënim. Është detyrë. 24 marsi mbetet. Edhe kur gjithçka tjetër lëviz”, shkruan Spiropali.

  • UEFA zbulon gjyqtarët për ndeshjen vendimtare Kosova–Sllovakia

    UEFA zbulon gjyqtarët për ndeshjen vendimtare Kosova–Sllovakia

    UEFA ka bërë publike zyrtarisht listën e gjyqtarëve për ndeshjen vendimtare të “play-off”-it ku do të luajë Kosova, e cila do të zhvillohet më 26 mars 2026 në orën 20:45 në Bratislavë kundër Sllovakisë.

    Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë norvegjezi Espen Eskas, një figurë e njohur në futbollin evropian, i cili do të ketë për ndihmës gjyqtarë bashkëkombësit e tij Jan Erik Engan dhe Isaak Elias Bashevkin.

    Në rolin e gjyqtarit të katërt është caktuar skocezi Nicholas Walsh, ndërsa teknologjia VAR do të jetë nën mbikëqyrjen e holandezit Rob Dieperink, i ndihmuar nga Clay Ruperti.

    Ky delegim vjen në prag të një ndeshjeje me peshë të madhe për Kosovën, ku çdo vendim mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugëtimin drejt suksesit.

    Tashmë gjithçka është gati për një mbrëmje tensioni dhe emocioni në arenën ndërkombëtare, me Dardanët që shpresojnë në fitore për të luajtur pastaj finalen në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë ose Rumanisë.