ATV

Blog

  • Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli

    Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli

    Hetimet zbulojnë se mungesa e masave bazë të sigurisë dhe inspektimeve çoi në një aksident fatal në një kantier ndërtimi në Londër

    Një aksident tragjik në një kantier ndërtimi në Londër ka marrë jetën e një 19-vjeçari shqiptar, duke nxjerrë në pah problemet serioze me kushtet e sigurisë në vendin e punës.

    Siç ka shkruar ditë më parë albinfo.ch, viktima, i identifikuar me inicialet R.Ll., ishte duke punuar në çmontimin e skelave në katin e 12-të të një ndërtese në zonën e Actonit, kur ndodhi incidenti fatal. Sipas të dhënave nga hetimet, i riu kishte shkelur mbi një bosht ventilimi të mbuluar në mënyrë të pasigurt, i cili u shemb, duke e bërë atë të rrëzohej nga një lartësi e madhe.

    Autoritetet britanike për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë kanë konstatuar se kushtet në kantier nuk përmbushnin standardet minimale të sigurisë. Hapësira ku ndodhi aksidenti ishte e mbuluar vetëm me materiale të përkohshme dhe të papërshtatshme, si karton gipsi dhe shkumë çatie, të cilat nuk garantonin mbrojtje për punëtorët, transmeton albinfo.ch.

    Po ashtu, hetimet zbuluan mungesë të theksuar të kontrollit dhe inspektimeve rutinë, pasi zona e kopshtit të çatisë nuk ishte përfshirë fare në kontrollet e sigurisë. Kjo bëri që rreziku të mos identifikohej me kohë dhe punëtorët të mos paralajmëroheshin për rrezikun potencial.

    Rasti është cilësuar nga autoritetet si “plotësisht i shmangshëm”, duke theksuar se me masa elementare sigurie, tragjedia mund të ishte parandaluar.

    Si pasojë e shkeljeve të konstatuara, kompania ndërtimore përgjegjëse është shpallur fajtore për mosrespektim të rregullave të punës në lartësi dhe është gjobitur me mijëra funte, si dhe është detyruar të mbulojë shpenzimet gjyqësore.

    Ngjarja ka rikthyer në fokus rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë në sektorin e ndërtimit, sidomos për punëtorët e rinj, të cilët shpesh ekspozohen ndaj rreziqeve të larta në mungesë të mbrojtjes adekuate./Albinfo.ch

  • Zidane afër rikthimit te Franca, emërimi si selektor pas Botërorit pothuajse i sigurt

    Zidane afër rikthimit te Franca, emërimi si selektor pas Botërorit pothuajse i sigurt

    Sipas mediave franceze, legjenda e Real Madrid dhe ish-kapiteni i Francës, Zinedine Zidane, është kandidat kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares franceze pas përfundimit të Kampionatit Botëror 2026.

    Presidenti i Federata Franceze e Futbollit, Philippe Diallo, ngjalli spekulime gjatë një interviste për Le Figaro, duke thënë: “Po, e di emrin e tij”, pa dhënë më shumë detaje. Në Francë, lajmi konsiderohet pothuajse një “sekret publik”, duke lidhur emrin e Zidane me stolin e kombëtares.

    Largimi i Didier Deschamps u bë i ditur që në fillim të vitit 2025. Nën drejtimin e tij, Franca fitoi Kupën e Botës 2018, arriti finalen e edicionit pasues, luajti në finale të Kampionatit Evropian 2016 dhe fitoi Ligën e Kombeve 2021.

    Diallo shtoi rëndësinë e një profili të fortë për selektorin e ri: “Kombëtarja e Francës është ndër më të mirat në botë dhe nuk mund të drejtohet nga kushdo. Ne kemi nevojë për një trajner që plotëson kriteret më të larta dhe që gëzon mbështetjen e publikut francez.”

    Zidane, 53 vjeç, konsiderohet kandidati më i përshtatshëm. Si trajner i Real Madridit, ai fitoi tri herë Ligën e Kampionëve (2016–2018) dhe më pas riktheu klubin te titulli kampion në 2020. Që nga 2021, ai nuk ka drejtuar asnjë skuadër, por sipas L’Équipe ka punuar në përbërjen e stafit të tij teknik, duke u përgatitur për rikthimin te Franca.

    Për Zidane, drejtimi i kombëtares konsiderohet një objektiv kryesor në karrierën e tij si trajner dhe mund të shënojë një kapitull të ri në historinë e futbollit francez

  • Kosova U19 lëshon fitoren në fund, Armenia shpëton me penallti

    Kosova U19 lëshon fitoren në fund, Armenia shpëton me penallti

    Kombëtarja e Kosova U19, e ka nisur me barazim rrugëtimin në kualifikimet për Kampionati Evropian U19 2027, duke luajtur 1-1 ndaj Armenisë U19.

    Në turneun që po zhvillohet në Turqia, skuadra e drejtuar nga Albert Bunjaku tregoi paraqitje solide në pjesën e parë, ku arriti të kalojë në epërsi në minutën e 19-të me golin e Lorik Mehmeti. “Dardanët” dominuan këtë pjesë, por nuk arritën të dyfishojnë avantazhin.

    Në fraksionin e dytë loja u balancua më shumë, ndërsa kur dukej se Kosova po shkonte drejt fitores, Armenia fitoi një penallti në minutën e 81-të, të cilën e shndërroi në gol David Batoian për rezultatin përfundimtar 1-1.

    Kosova U19 do të vazhdojë garën me ndeshjen e radhës kundër Gjibraltarit, ndërsa në përballjen e fundit do të takohet me Turqinë, në një grup ku çdo pikë mund të jetë vendimtare.

  • Osmani ia jep dorën ftohtë Gërvallës në Mitrovicë, ajo i thotë të ketë kujdes për karrigen – edhe Faton Peci aty

    Osmani ia jep dorën ftohtë Gërvallës në Mitrovicë, ajo i thotë të ketë kujdes për karrigen – edhe Faton Peci aty

    Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar në Mitrovicë në një aktivitet zyrtar, ku është ulur mes Faton Peci dhe Donika Gërvalla.

    Sipas pamjeve që ka publikuar Mitropol, Gërvalla shihet duke i folur Osmanit me buzëqeshje. Pasi presidentja ulet ajo nis t’i ankohet për karrigen, ndërsa presidentja nuk reagon dhe duket se e injoron situatën.

    Osmani shihet e ulur mes Gërvallës e kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci.

    E pas ngjarjes, Vjosa Osmani ka refuzuar të flasë për raportet me Donika Gërvallën pas injorimit që ia bëri sot në Mitrovicë.

  • Zhaklin Lekatari i bën thirrje familjes së Selinit: Denoncojeni Rogertin për ngacmim seksual ndaj vajzës suaj

    Zhaklin Lekatari i bën thirrje familjes së Selinit: Denoncojeni Rogertin për ngacmim seksual ndaj vajzës suaj

    Një tjetër situatë e rëndë ka trazuar Big Brother VIP Albania, pasi gazetarja e njohur, Zhaklin Lekatari ka publikuar pamje që sipas saj përbëjnë një rast të papranueshëm brenda shtëpisë.

    Në reagimin e saj, ajo ka qenë shumë e drejtpërdrejtë, duke bërë thirrje publike: “Ngacmim seksual. Denoncojeni!”, duke kërkuar që rasti të merret seriozisht dhe të mos anashkalohet.

    Deklarata e saj ka shkaktuar reagime të menjëhershme, ndërsa familjarët e Rogertit kanë reaguar duke kundërshtuar këtë interpretim. Ata kanë lënë të kuptohet se situata po keqinterpretohet dhe se
    po bëhen akuza të rënda pa u parë e vërteta e plotë, duke mbrojtur qëndrimin e tij.

    Sipas tyre, pamjet nuk tregojnë atë që pretendohet dhe kërkojnë që publiku të mos nxitojë në gjykime, duke theksuar se gjithçka duhet parë në kontekst.

    Rikujtojmë se pas kritikave të forta të bëra nga opinionisti Arbër Hajdari ndaj Selin në Big Brother VIP Albania, ka reaguar edhe familja e saj, duke dalë publikisht me akuza të drejtpërdrejta. Në reagimin e tyre, ata e kanë cilësuar Hajdarin si “të palexuar dhe të painformuar”.

  • Aksident mes dy veturash në Vranidoll të Prishtinës, lëndohen shtatë persona

    Aksident mes dy veturash në Vranidoll të Prishtinës, lëndohen shtatë persona

    Shtatë persona kanë marrë lëndime trupore sot rreth orës 13:15 në një aksident mes dy veturash në Vranidoll të Prishtinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i rajonit të Prishtinës, Agron Borovci.

    Sipas tij, të lënduarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Rreth orës 13:15, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Vranidoll të Prishtinës. Deri më tani bëhet e ditur se shtatë persona janë lënduar dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore , ndërkaq në aksident janë përfshirë dy vetura”, ka thënë ai.

    Tutje Borovci theksoi se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.

  • Ministri Muja paralajmëron reforma në sigurinë ushqimore sipas standardeve evropiane

    Ministri Muja paralajmëron reforma në sigurinë ushqimore sipas standardeve evropiane

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, brenda këtij viti do të publikojë një udhërrëfyes kombëtar për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, me afate konkrete dhe institucione përgjegjëse, i cili do të jetë i hapur për publikun.

    Këtë e bëri të ditur sot ministri i BPZhR-së, Armend Muja, në Konferencën Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”, e organizuar nga MBPZhR dhe AUV në bashkëpunim me Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).

    Gjatë fjalimit të tij, ministri Muja theksoi se brenda dymbëdhjetë muajve do të reformohet sistemi i inspektimeve, duke kaluar nga kontrolle formale në kontrolle të bazuara në rrezik, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e barrës së panevojshme për bizneset që respektojnë rregullat.

    “Deri në vitin 2027, do të ndërtojmë një sistem të plotë të gjurmueshmërisë digjitale, ku çdo produkt mund të ndiqet nga ferma deri në treg, duke rritur transparencën dhe besimin në zinxhirin ushqimor”, tha ministri Muja, bëhet e ditur në njoftim.

    Ndër të tjera, ai theksoi se siguria ushqimore nuk është vetëm një çështje teknike, por një kontratë mes shtetit dhe qytetarit – një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë.

    Duke nënvizuar se bujqësia mbetet një nga sektorët kyç të ekonomisë dhe një burim i rëndësishëm i jetesës për mijëra familje në Kosovë, ministri shtoi se, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 vlera e shtuar bruto në bujqësi ka arritur mbi 811.5 milionë euro, duke dëshmuar potencialin real të këtij sektori për zhvillim dhe rritje. Sipas tij, këto nuk janë vetëm shifra, por mundësi konkrete për zhvillim rural, punësim dhe rritje të eksportit.

    Ministri Muja potencoi se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit në ndërtimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve.

    “Kemi siguruar financimin e plotë të fushatave të vaksinimit kundër tërbimit për vitet e fundit, kemi avancuar sistemet e kontrollit dhe gjurmueshmërisë ushqimore dhe kemi vendosur bazat për një qasje më moderne dhe më të integruar. Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: jemi ende në një fazë të përgatitjes së moderuar në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se përpara kemi shumë punë dhe një nevojë urgjente për përshpejtim të reformave”, tha ai, bëhet e ditur në njoftimin për media.

    Duke folur për sigurinë ushqimore moderne, ai theksoi se ajo kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, ministri Muja nënvizoi se do të fuqizohet qasja “One Health” dhe do të ndërtohen mekanizma të koordinuar për të adresuar rreziqe si rezistenca ndaj antibiotikëve dhe sëmundjet zoonotike.

    Sa i përket standardeve të Bashkimit Evropian, ai tha se ato nuk duhet të shihen si barrë për fermerët, por si një mundësi reale për zhvillim dhe eksport.

    “Ato janë një pasaportë që u mundëson produkteve të Kosovës të hyjnë në tregje më të mëdha dhe më konkurruese. Roli i shtetit është që këto standarde t’i bëjë të arritshme përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë, digjitalizimit të shërbimeve dhe zbatimit të drejtë dhe të barabartë të ligjit”, theksoi Muja.

    Për arritjen e suksesit në këto reforma, ministri theksoi se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët zhvillimorë është thelbësor për ngritjen e kapaciteteve dhe përshpejtimin e reformave. Po aq i rëndësishëm, tha se është edhe partneriteti me fermerët dhe bizneset vendore, të cilët janë aktorët kryesorë të këtij transformimi.

    Ministri tutje tha se siguria ushqimore është siguri kombëtare, shëndet publik dhe zhvillim ekonomik, si dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.

    Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të EFSA-s, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës.

  • The Guardian: JD Vance mund të udhëheqë bisedimet e paqes me Iranin

    The Guardian: JD Vance mund të udhëheqë bisedimet e paqes me Iranin

    Udhëheqja ushtarake e Pakistanit po përpiqet të ndërmjetësojë bisedime mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Shtëpia e Bardhë konfirmoi se shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, zhvilloi një telefonatë me Donald Trump të dielën për të diskutuar konfliktin.

    Burime diplomatike thanë për The Guardian se SHBA-ja dhe Irani mund të takohen për negociata në Islamabad këtë javë, për të diskutuar përfundimin e luftës, e cila ka nisur pothuajse një muaj më parë.

    U theksua se Islamabadi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht si vendi i zhvillimit të bisedimeve të paqes, për të cilat asnjëra palë nuk ka rënë dakord formalisht deri më tani. I dërguari i Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, besohet se po përgatitet të udhëtojë drejt Islamabadit, por nuk ka konfirmim nëse pala iraniane do të marrë pjesë.

    Burime pakistaneze thanë se zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, po konsiderohet si negociatori kryesor i mundshëm nga pala amerikane nëse bisedimet zhvillohen, në vend të Steve Witkoff apo dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, i cili kishte udhëhequr negociatat bërthamore me Iranin para luftës.

  • GJKKO rrëzon kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt, pasuritë e sekuestruara të bosit të lojërave të fatit mbesin të “izoluara”

    GJKKO rrëzon kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt, pasuritë e sekuestruara të bosit të lojërave të fatit mbesin të “izoluara”

    Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës te të zhdukurit Ervis Martinaj dhe familjarëve të tjerë, për të hequr sekuestron e pasurive të sekuestruara më parë.

    Top Channel, raporton se GJKKO e ka rrëzuar këtë kërkesë duke lënë në fuqi sekuestron ndaj pronave të Martinajt dhe familjarëve të tij.

    Lista me pasuritë e sekuestruara:

    Aksionet e KING KASINO ku aksioner është 100% Ervis Martinaj

    50 % të aksioneve të shoqërisë “ALBA TELECOMMUNICATION” në emër të Ervis Martinaj

    Aksionet e shoqërisë “MATI UNION” ku aksioner është 100% Mustafa Martinaj

    Aksionet e shoqërisë “MARTINAJ E.M” ku aksioner është 100% Mustafa Martinaj

    Subjekti “Ervis Martinaj”

    Shoqëria “REAL FENIX” ku aksionere është 100% Roberta Martinaj

    Subjekti “Drenica Martinaj”

    Subjekti “V.K”

    Shoqëria “S.P.E Energy” shpk ku aksioner është 100% V.K

    21% e aksioneve dhe aseteve te shoqëria “S.P.E Gjadër” të zotëruara nga “S.P.E Energy” shpk ku aksioner është 100% V.K

    Një automjet Smart, modeli Passion në pronësi të Erjona Martinaj

    Një automjet Land Rover, modeli Discovery në pronësi të Erjona Martinaj

    Një automjet Mercedez-Benz, modeli GLK 350, në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një automjet Fiat, modeli Fiesta, në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një automjet BMW, modeli M 550, në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një pasuri me sip.82 m2 në lagjen “Pavarësia”, Vlorë në pronësi të Drenica Martinaj dhe një arë në Piqeras, Sarandë në pronësi të Ervis dhe Roberta Martinaj

    Një njësi me sip. 137 m2 në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një ullishte me sip.9 800 m2, në Dobresh, Tiranë

    Një arë 3 815 m2 në Fushëkuqe, Kurbin

    Arë me sip.7 000 m2 në Patok

    Arë në Fushëkuqe, Kurbin sip.12 145 m2

    Arë në Patok, Kurbin me sip.1 973 m2

    Arë në Patok, Kurbin me sip. 7050 m2

    Arë dhe truall me sip.1 975 m2 në Fushë-Milot, Kurbin

    Arë me sip.1. 632 m2 në Fushë-Milot, Kurbin

    Truall dhe ndërtesë me sip.300 m2 në emër të Mustafa dhe Vasilika Martinaj

    Arë me sip. 2. 543 m2 në Fushëkuqe, Kurbin

    Arë dhe ndërtesë me sip.410 m2 në Fushëkuqe, Kurbin në emër të Mustafa dhe Vasilika Martinaj

    Arë me sip. 120 m2 dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Bisere Hato

    Truall dhe ndërtesë 580 m2 dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Bisere Hato

    Apartament në rrugën “Dervish Hima”, me sip.105 m2, dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Gelmona Tarja

    Ullishte 2000 m2 në fshatin Gjilekë, Dhërmi

    Pasuri aktualisht ne pronësi te shtetasit Fatmir Ahmet Vuthaj.

    Llogari kursimi për fëmijë

  • KFOR-i zhvillon marshime të vështira malore në Kosovë, rrit gatishmërinë e trupave

    KFOR-i zhvillon marshime të vështira malore në Kosovë, rrit gatishmërinë e trupave

    Trupat e KFOR-it, të angazhuara në Komandën Rajonale Perëndim (RC-W), kanë zhvilluar një sërë marshimesh të vështira malore në terrenin e thepisur të Kosovës, duke arritur në lartësitë që mbikëqyrin kampin “Camp Villaggio Italia” në Pejë.

    Sipas njoftimit, këto ushtrime kanë për qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë së njësive, duke siguruar që ato të jenë të përgatitura për të reaguar në çdo moment kur kërkohet. Përmes aktiviteteve të tilla, personeli i KFOR-it ruan nivel të lartë të vetëdijes situative në terren.

    KFOR-i vazhdon zbatimin e mandatit të tij, i cili buron nga Rezoluta 1244, me synim garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët dhe lirinë e lëvizjes në gjithë territorin.

    Në përmbushjen e këtij misioni, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX, sipas roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.