ATV

Blog

  • Kombëtarja e Turqisë nuk do të bëjë seancë stërvitore në Prishtinë

    Kombëtarja e Turqisë nuk do të bëjë seancë stërvitore në Prishtinë

    Federata e Futbollit e Turqisë ka publikuar programin zyrtar për ndeshjen e ardhshme kundër Kosovës, me turqit që kanë vendosur të mos zhvillojnë stërvitje në “Fadil Vokrri”.

    Të hënën, kombëtarja turke do të zhvillojë stërvitje paradite në qendrën e saj stërvitore, dhe më pas do të udhëtojë drejt Prishtinës.

    Në orën 18:00, është planifikuar një ecje e lojtarëve në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa në 18:15 do të mbahet konferenca zyrtare për shtyp, ku do të paraqiten përzgjedhësi Vincenzo Montella dhe një lojtar nga ekipi turk.

    Edhe Kosova do të ndjekë praktikat e zakonshme para ndeshjes, duke mos stërvitur në stadiumin e ndeshjes, por do të realizojë vetëm një ecje simbolike në fushë – një model që u ndoq edhe në ndeshjet e udhëtimeve në Lubjanë dhe Bratislavë.

    Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën në orën 20:45 dhe do të vendosë një skuadër për në Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

  • Igor Tudor largohet nga posti i trajnerit të Tottenham-it

    Igor Tudor largohet nga posti i trajnerit të Tottenham-it

    Trajneri i Tottenhamit, Igor Tudor, është larguar nga klubi pas vetëm gjashtë javësh në krye të ekipit.

    Tudor nuk fitoi asnjë nga pesë ndeshjet e tij në Ligën Premier, duke barazuar vetëm një dhe duke humbur katër të tjerat, pasi zëvendësoi Thomas Frank në shkurt.

    “Mund të konfirmojmë se është rënë dakord reciprokisht që trajneri Igor Tudor të largohet nga klubi me efekt të menjëhershëm. Tomislav Rogic dhe Riccardo Ragnacci gjithashtu kanë lënë rolet e tyre përkatëse si trajner të portierëve dhe trajner fizik. Falënderojmë Igorin, Tomislavin dhe Riccardon për përpjekjet e tyre gjatë gjashtë javëve të fundit, në të cilat punuan pa u lodhur”, thuhet në komunikatë.

    Tudor e lë Tottenhamin në vendin e 17-të në tabelën e Ligës Premier, me 30 pikë, vetëm një më shumë se West Ham, duke u afruar me zonën e rënies nga kategoria.

  • Fushtica: S’dihet shkaku i shembjes së rrugës, pronari i ndërtesës u ftua nga Policia

    Fushtica: S’dihet shkaku i shembjes së rrugës, pronari i ndërtesës u ftua nga Policia

    Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica ka folur në lidhje me shembjen e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë.

    Ai tha se shkaku ende nuk dihet, mirëpo dyshohet se ka pasur rrjedhje të ujit, gjë e cila nuk është parë, sepse ka qenë nën rrugë.

    “Shkaku ende nuk dihet sepse është ende shumë herët të flitet, policia është në vendin e ngjarjes. Do t’i marrim të gjitha masat që kjo hapësirë të jetë e sigurtë që të mos vije deri te ndonjë rrezik tjetër dhe të mbesin ekipet këtu derisa të eliminohet rreziku”.

    “Sipas të gjithave gjasave sa shihet ka pasur rrjedhje të ujit, por ai nuk është parë se ka qenë nën rrugë, ekipet e ujësjellësit dhe të gjitha ekipet e tjera të emergjencës janë në vendin e ngjarjes. Është ndalë rryma, do të ndalet edhe uji dhe po sanohet hapësira që të mos ketë rrezik për ditët në vijim”, tha ai.

    Fushtica gjithashtu tha se pronari i ndërtesës është thirrur në polici për t’u intervistuar lidhur me këtë rast.

    “Pronari i ndërtesës është thirrur në polici për t’u intervistuar për këtë rast. Sipas të gjitha gjasave do të iniciohet rast për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Nesër inspektorati ndërtimor do të dalë në vendin e ngjarjes dhe do të fillojë me masat të cilat duhet të ndërmerret”, tha ai.

  • Shembja e rrugës në kryeqytet i lë pa ujë dhe pa rrymë banorët e zonës – çfarë thanë Komuna dhe Ujësjellësi

    Shembja e rrugës në kryeqytet i lë pa ujë dhe pa rrymë banorët e zonës – çfarë thanë Komuna dhe Ujësjellësi

    Shkaku “ende nuk dihet” ndërsa nga Komuna e Prishtinës thanë se i morën “masat fillestare” në mbrojtje të qytetarëve pas shembjes së një pjese të rrugës “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.

    Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica tha se banorët e asaj zone aktualisht janë pa rrymë, ndërsa kompania rajonale e ujësjellësit, “Prishtina”, njoftoi më herët se është ndalur edhe furnizimi me ujë pas dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit.

    “Ekipet e ujësjellësit dhe të gjitha ekipet e tjera emergjente janë në vendin e ngjarjes. Është ndalur rryma, do të ndalet edhe uji dhe është duke u sanuar hapësira që të mos ketë rrezik në ditët në vijim”, tha Fushtica.

    Ai tha se “shkaku ende nuk dihet sepe është ende herët që të flitet”, por shtoi se pronari i një ndëtrtese në afërsi është ftuar nga Policia për intervistim. Ndaj tij, ai tha se “sipas të gjitha gjasave do të inicohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

    Fushtica tha se inspektorët e ndërtimit “po e bëjnë vlerësimin e situatës”, kur u pyet nëse po menodjnë evakuimin e banorëve aty.

    “Të gjitha ekipet janë këtu dhe për çdo rrezik, nëse ekziston rreziku më i vogël, ne do të marrim masa”.

    “Do të vlerësohet nga ekipet e specializuara. Nëse ka nevojë të ketë evakuim, banorët do të evakuohen, por për momentin nuk shihet që ka nevojë përt ndonjë evakuim. Por nëse ka nevojë, patjetër që ne nuk do të rrezikojmë për asnjë moment dhe do ta largojmë çdo qytetar që ndjehet i rrezikuar apo nëse është e rrezikuar ndonjë ndërtesë apo hapësirë tjetër publike”, tha ai.

  • Haradinaj: Mbështes protestën e nesërme, ftoj bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetarët që të marrin pjesë

    Haradinaj: Mbështes protestën e nesërme, ftoj bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetarët që të marrin pjesë

    Ramush Haradinaj mbështeti protestën e thirrur nga organizatat e kategorive të dala nga lufta si reagim ndaj ekspozitës me pasaktësi për masakrat e luftës në Kosovë.

    Haradinaj i ftoi bashkëluftëtarët e tij, familjarët e të rënvëve dhe të gjithë qytetarët që të dalin nesër në protestë.

    “Mbështes protestën e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës së Luftës Çlirimtare”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Ftoj bashkëluftëtarët, familjarët e të rënëve dhe gjithë qytetarët që nesër, më 30 mars, në ora 13:00, para Kuvendit të Kosovës, të dalin në mbrojtje të sakrificës sonë për liri”, shtoi Haradinaj.

  • PDK mbështet protestën e nesërme të OVL-UÇK-së

    PDK mbështet protestën e nesërme të OVL-UÇK-së

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur mbështetjen e saj për protestën e paralajmëruar për nesër nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, e cila synon të mbrojë dinjitetin e viktimave dhe kujtesën historike të luftës çlirimtare.

    “Çdo përpjekje për të shtrembëruar faktet, për të relativizuar krimet apo për të rishkruar historinë tonë është e papranueshme dhe duhet të kundërshtohet me vendosmëri,” thuhet në deklaratën e PDK-së.

    Sipas partisë, mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së është jo vetëm një detyrim shtetëror, por edhe moral.

    “Duke ruajtur të vërtetën, ne njëkohësisht nderojmë viktimat dhe sakrificën e tyre,” theksohet më tej në deklaratë.

    PDK fton qytetarët dhe institucionet për respekt dhe vëmendje ndaj iniciativave që synojnë ruajtjen e kujtesës kolektive dhe drejtësinë historike, duke mbështetur çdo reagim të drejtë qytetar dhe kombëtar në këtë drejtim.

  • Behrami i reagon Kryeziut: U bë e gjallë Dejona, Shkëlzen Gashi është goja e Kurtit kur ky nuk flet

    Behrami i reagon Kryeziut: U bë e gjallë Dejona, Shkëlzen Gashi është goja e Kurtit kur ky nuk flet

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami i reagoi deputetes së LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, e cila, reagimet e deputetëve lidhur me pasaktësitë e evidentuara në ekspozitën për masakrat në Kosovë, me autor ojq-në Admovere të udhëhequr nga Shkëlzen Gashi i konsideroi si të qëllimshme për ta goditur qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti.

    “U bë e gjallë Dejona. Asnjë reagim për ekspozitën e narracionit serb në sheshin e Prishtinës! Asnjë keqardhje, asnjë distancim!”, shkroi Behrami në një postim në Facebook.

    “Do të thotë, VV-ja edhe më tutje beson që në Dubravë të burgosurit shqiptarë paskan qenë të armatosur!”, shtoi ai.

    Behrami tha se “Shkëlzen Gashi është goja e Kurtit kur ky nuk flet”.

  • Mbi 1 mijë 400 zyrtarë ende s’e kanë deklaruar pasurinë, edhe tri ditë afat

    Mbi 1 mijë 400 zyrtarë ende s’e kanë deklaruar pasurinë, edhe tri ditë afat

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) bëri të ditur se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim, raporton KosovaPress.

    Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026 në mesditë: 7,482 zyrtarë publikë ose 72.32% kanë përfunduar deklarimin, 1,394 ose 13.48% janë në proces dhe 1,469 ose 14.20% nuk e kanë filluar fare deklarimin.

    “Nga gjithsej 10,345 zyrtarë të obliguar, mbi 1,400 ende mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt shkeljen e afatit ligjor”, njofton APK.

    Sipas kësaj agjencie, tri ditët në vijim janë vendimtare dhe çdo mosveprim brenda këtij afati aktivizon automatikisht mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj.

    “Deklarimi i pasurisë nuk është opsional – është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon – veproni tani”, citohet në komunikatë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Agjencia rikujton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë, përveç mostransparencës dhe llogaridhënjes ndaj publikut, përbëjnë edhe shkelje të drejtpërdrejta të obligimeve ligjore dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë masa administrative dhe procedura penale.

    APK mbetet në dispozicion për mbështetje teknike dhe sqarime gjatë gjithë periudhës, por thekson se përgjegjësia për deklarim në kohë është individuale dhe e pa transferueshme.

  • Vinicius Jr në dyshim-Real Madridi në alarm

    Vinicius Jr në dyshim-Real Madridi në alarm

    Gjiganti spanjoll Real Madrid është vënë në alarm për gjendjen fizike të një prej yjeve kryesorë të repartit ofensiv, Vinicius Jr.

    Sulmuesi brazilian ndodhet aktualisht me kombëtaren e Brazilit, ku u aktivizua si titullar në mesjavë në miqësoren ndaj Francës, sfidë në të cilën skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti pësoi humbje.

    Në atë ndeshje pati probleme fizike edhe për yllin e Barcelonës, Raphinha, i cili pritet të mungojë për disa javë pas një dëmtimi të pësuar.

    Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit nga “El Chiringuito TV”, edhe Vinicius Jr mund të jetë një shqetësim për Real Madridin.

    Braziliani nuk mori pjesë në seancën stërvitore të së shtunës në mëngjes, duke qëndruar nën kujdesin e stafit mjekësor të Seleçaos për shkak të disa shqetësimeve fizike.

    Për momentin nuk dihet shkalla e dëmtimit, ndërsa një përditësim mbi gjendjen e tij pritet në ditët në vijim – diçka që po ndiqet me shumë vëmendje nga Real Madridi.

    Vinicius është i padiskutueshëm te Real Madridi dhe një ndër më meritorët që “Los Blancos” janë ende në garë si për titullin e La Liga-s, ashtu edhe për Ligën e Kampionëve.

  • E ardhmja e Cole Palmer te Chelsea në pikëpyetje mes pakënaqësive dhe interesimit nga gjigantët evropianë

    E ardhmja e Cole Palmer te Chelsea në pikëpyetje mes pakënaqësive dhe interesimit nga gjigantët evropianë

    Cole Palmer nuk po kalon periudhën më të mirë te Chelsea FC, ndërsa raportimet e fundit tregojnë se ai po bëhet gjithnjë e më i frustruar me situatën e tij në klub.

     

    Sipas gazetarit Samuel Luckhurst, mesfushori ofensiv është i pakënaqur me zhvillimet e fundit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i hapur për një largim gjatë afatit kalimtar të verës.

     

    Interesi për 23-vjeçarin është i madh, me disa nga klubet më të fuqishme evropiane që po e ndjekin nga afër situatën e tij, përfshirë Manchester United, Real Madrid dhe Bayern Munich.

     

    Palmer konsiderohet një nga talentet më të mëdha të brezit të tij dhe vlera e tij në treg raportohet të jetë rreth 150 milionë funte. Burime pranë lojtarit sugjerojnë se një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë lidhet me ndryshimet në qasjen taktike të Chelseat, të cilat ai mendon se kanë kufizuar ndikimin dhe hapësirat e tij në fushë.

     

    Gjithashtu, mungesa e sulmuesit Nicolas Jackson, i cili me shpejtësinë dhe lëvizjet e tij e plotësonte lojën e Palmer, ka ndikuar negativisht në performancën e anglezit. Për më tepër, sezoni i tij është ndikuar edhe nga disa probleme fizike, përfshirë dëmtime në ijë dhe në gishtin e këmbës.

     

    Në anën tjetër, Chelsea, që aktualisht drejtohet nga Liam Rosenior, ndodhet në vendin e gjashtë në Premier League dhe po lufton për një vend në UEFA Champions League. Një dështim për të siguruar kualifikimin në këtë kompeticion mund ta bëjë edhe më të vështirë mbajtjen e lojtarëve kyç, përfshirë Palmer.

     

    Megjithatë, pavarësisht spekulimeve të shumta, Chelsea vazhdon ta konsiderojë Palmer si një pjesë të paprekshme të projektit afatgjatë, ndërsa kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2033. Kjo e vendos klubin në një pozicion të fortë negociues dhe e bën çdo transferim të mundshëm shumë të vështirë për t’u realizuar